DR: Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së të Hyrave Publike, Alaudin Zekiri harxhon 5.000 euro për akullore dhe cokolada
DR ka akuzuar funksionarët e BDI-së lidhur me keqpërdorimin e pozicioneve të tyre, duke shpenzuar mjete marramendëse për interesat personale.
Zëdhënësi i DR-së, Arianit Hoxha në shënjestër ka kritikuar zëvendësdrejtorin e Drejtorisë së të Hyrave Publike, Alaudin Zekiri, i cili u akuzua për keqpërdorim të parave.
“Para disa ditëve u publikua lajmi se si zëvendës drejtori i Drejtorisë të të Hyrave Publike, Alaudin Zekiri, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke keqpërdorur pozicionin zyrtar ka shpenzuar 5000 Euro në akullore dhe çokollata dhe ky lajm u konfirmua edhe nga zyra për informim e Drejtorisë të të Hyrave Publike. A është i vetëdijshëm zëvendës drejtori se shumë qytetarë në jetën e vet asnjëherë nuk kanë parë 5000 euro dhe jetojnë në skamje të plotë, nuk kanë mundësinë se si të sigurojnë kafshatën e gojës për familjet e tyre, nuk kanë mundësi të dërgojnë fëmijët në vitin e ri shkollor dhe kur dëgjojnë se një funksionar i cili ka qenë kryetar i komunës të Studeniçanit dhe tani zëvendës drejtor mund të keqpërdor në këtë mënyrë paratë e gjithë qytetareve, paratë e atyre që kanë votuar që ai të mbajë pozicionin e zëvendës drejtori, kjo paraqet kulmin e përbuzjes dhe nënçmimit ndaj popullit”, ka theksuar Arianit Hoxha.
DR kërkoi që zëvendës drejtori Zekiri t’i kthen këto para në arkën e shtetit dhe të japë dorëheqje nga posti. Nëse ai nuk e bën këtë, atëherë do të duhet që partia e cila e ka vendosur në atë pozicion të distancohet nga veprimet e dyshimta të zëvendës drejtorit të Drejtorisë të të Hyrave Publike dhe ta shkarkojë nga detyra. (INA)