Në përfundimit të samitit të Tiranës, katër liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një deklaratë e cila në thelb tregon angazhimin e tyre për procesin e Mini Shengenit, duke thënë se angazhohen për të zbatuar katër liri.

Ato janë: Lëvizja e mallrave, Lëvizja e Njerëzve dhe Shërbimeve, Sistemi i vlerësimit dhe Lëvizja e lirë e kapitalit.

Po ashtu, katër vendet angazhohen edhe për energji të pastër, ndërsa synim kryesor kanë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian.

Deklarata e plotë:

Liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me popullin shqiptar pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor. Liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë shprehën angazhimin e tyre për të ofruar mbështetje të vazhdueshme.

Gjatë mbledhjes u arritën përfundime mbi temat e mëposhtme. Ne ftojmë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me masat e përmendura më poshtë dhe garantojmë që secila prej tyre ka si qëllim të ndihmojë rajonin të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

EMERGJENCAT CIVILE

Përgjigja rajonale ndaj tërmetit në Shqipëri ishte emocionuese, e menjëhershme, e plotë dhe bashkëpunuese. Kjo është një shenjë shumë e mirë e asaj që rajoni ynë mund të arrijë kur punojmë të gjithë së bashku.

Delegacionet vizituan zonat e dëmtuara dhe takuan anëtarë të forcave të emergjencës dhe familjet që kërkojnë të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Atyre u duhet mbështetje e vazhdueshme që zona ku banojnë të rikuperohet. Në veçanti, ata u bëjnë thirrje bizneseve të rajonit që të rrisin aktivitetin në zonat e prekura nga tërmeti, gjatë periudhës së rindërtimit. Po ashtu, ata falenderojnë Bashkimin Europian dhe institucionet ndërkombëtare që ofruan ndihmë për familjet e dëmtuara dhe autoritetet vendore.

Në mënyrë që të rritet bashkëpunimi rajonal, liderët deklaruan qëllimin e tyre për të përfunduar një marrëveshje mbi një strukturë rajonale për t’iu përgjigjur emergjencave civile, duke vazhduar një punë që ka filluar tashmë e duke u koordinuar me Programin e Zhvillimit të OKB, Bashkimin Europian (përfshirë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile) dhe organizata të tjera rajonale e ndërkombëtare që kanë ndihmuar të zhvillojnë zakonet e bashkëpunimit dhe përgatitjes.

Si pjesë e strukturës, secili nga ne do të:

Ndihmojë me aq sa mundet e sipas kërkesës;
• Koordinohet me pjesën tjetër të rajonit në vazhdimësi që ndihma të përdoret në mënyrë sa më efikase;
• Bashkëpunojë vazhdimisht për të rritur kapacitetin e përgjigjes si rajon në tërësi;
• Të marrë pjesë në planifikime dhe trajnime përgatitore, siç është rënë dakord në mënyrë që forcat e emergjencës dhe forcat që koordinohen me to të jenë sa më të përgatitura;
• Të koordinohet kërkesa për Bashkimin Europian, agjencitë ndërkombëtare dhe organe të tjera rajonale që punojnë me përgjigjen ndaj emergjencave civile, lidhur me burime, trajnime dhe ndihmë për të përmirësuar kapacitetet e përballimit dhe reagimin në rajon ndaj katastrofave që dëmtojnë njerëzit, qoftë këto natyrore apo të shkaktuara nga dora e njeriut, dhe
• Konsolidimi i bashkëpunimit në mënyrë të strukturuar midis organeve dhe qendrave të kërkimit të specializuar në reagimin ndaj dhe menaxhimin e emergjencave civile.
Kjo marrëveshje do të përfshihet në Protokollin e Durrësit dhe do të jetë e hapur për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Institucionet e fushës do të takohen në Beograd në Janar për të përfunduar marrëveshjen.

ZBATIMI I KATËR LIRIVE

Liderët analizuan progresin që nga momenti i njoftimit në Ohër më 10 nëntor dhe në Novi Sad më 10 tetor të shtimit të përpjekjeve për të zbatuar katër liritë në rajon, për të çuar para qëllimin që ka secili vend në rajon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një qëllim fillestar është të vënë në zbatim nisma aktuale rajonale për të gjithë anëtarët kurdo që kjo është e mundur. 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritur t’i bashkohen këtyre përpjekjeve, për shkak të frymës përfshirëse, të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me vizionin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët tanë.

Rishikim i Marrëveshjeve të Novi Sadit dhe Ohrit

Janë ndërmarrë disa hapa:

Lëvizja e mallrave

Pikat kryesore kufitare ndërmjet palëve do të jenë të hapura dhe në punë gjatë gjithë kohës, duke përfshirë mbulimin e të gjitha shërbimeve të nevojshme. U mirëprit lajmi se pikat kryesore kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë staf që punon 24 orë në ditë dhe angazhimi që pikat midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do ta mundësojnë këtë sa më parë. Për këtë qëllim:

Mbledhja përshëndeti miratimin nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s, pas Deklaratës së Ohrit, të vendimeve që do të ndihmojnë të lehtësojnë tregtinë, si njohja e Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë dhe miratimi i strategjisë për menaxhimin e riskut. Gjatë mbledhjes u bë thirrje që CEFTA të marrë sa më parë një vendim për të lehtësuar tregtinë e fruta-perimeve.
Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që mjetet që do kalojnë në palët e tjera do të ndalohen vetëm një herë. Në Janar të 2020 do të zhvillohet një mbledhje me autoritetet e doganave për të diskutuar aspektin teknik të zbatimit.
Liderët po ashtu kërkuan të zbatojnë brenda 2020 një sistem të lëvizjes pa dokumente, duke u përshtatur me kuadrin e CEFTA-s në atë zonë. Në këtë aspekt, Palët janë dakord të shtojnë bashkëpunimin për ta përshtatur me legjislacionin e BE-së.
Punë intensive me Komisionin Europian, Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit Europian të Transportit, si dhe me Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare financiare ka filluar në mënyrë që të mundësohen dokumentet elektronike, të bazuara në AP5 e CEFTA-s dhe përmirësim të infrastrukturës që përfshin korsi shtesë në pikat kufitare.
Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që të rrisin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të CEFTA-s.

Lëvizja e Njerëzve dhe Shërbimeve

Liderët kanë rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik.

Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut angazhohen:

Për një marrëveshje që do të trajtojë qytetarët e secilit vend si vendasit lidhur me udhëtimin, banimin dhe punësimin në secilin vend. Ne synojmë të nënshkruajmë marrëveshjen deri në fund të Janarit 2020 dhe të plotësojmë këto procese sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet të arrihet duke harmonizuar legjislacionin vendas mbi lëvizjen e personave, lejet e punësimit dhe lejet e qëndrimit.
Marrëveshja duhet të plotësojë kërkesat e BE-së dhe të jetë e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për njohjen e kualifikimeve profesionale në BE, profesionet e rregulluara sipas Samitit të Zagrebit, në Maj. Kjo do të zbatohet si për punonjësit aktualë të atyre profesioneve, ashtu edhe për të diplomuarit e ardhshëm në programe të akredituara dhe në ciklin e tretë të studimeve (doktoratura).

Zëvendësimi i Direktivave në disa aspekte lidhur me kontratat për ofrimin e përmbajtjes dhe shërbimeve dixhitale.

Liderët kanë shprehur vullnetin të ofrojnë lëvizje të lirë të shërbimit dhe të bizneseve bazuar në ligjin e fushës, në BE. Ata e konsiderojnë miratimin e Protokollit të 6-të Shtesë të CEFTA-s mbi Tregtinë e Shërbimeve si një moment të rëndësishëm historik dhe si bazë ligjore për hapat e ardhshëm dhe angazhohen të ratifikojnë sa më shpejt dhe ftojnë palët e tjera të CEFTA-s të bëjnë të njëjtën gjë në një kohë sa më të shkurtër. Ata angazhohen të zbatojnë plotësisht detyrimet që lindin nga ajo dhe zotohen të marrin drejtimin lidhur me bashkëpunimin rregullator ndër rajonal në një nga sektorët e zgjedhur dhe në dialogun rregullator në tregun elektronik.

Të promovojnë bashkëpunimin në rregullimin e pagesave me vizionin për të mundësuar pagesa elektronike të shpejta, të besueshme dhe të lira të kalimit të kufirit, bazuar në modelin e BE-së.

Palët kanë rënë dakord të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për njohjen e Shërbimeve të Besueshme dhe certifikatave elektronike.

Të tre kanë rënë dakord që personat që do të udhëtojnë në rajon do të lëvizin midis shteteve palë pa pasur nevojë për viza apo kufizime emigracioni. Kjo do të rrisë turizmin dhe udhëtimet për në rajon. Një marrëveshje mbi këtë qëllim do të përpilohet dhe nënshkruhet në mbledhjen e ardhshme.

Lëvizja e lirë e kapitalit

Liderët kanë rënë dakord për të zgjeruar përpjekjet drejt investitorëve në nivel global, duke u koordinuar me dhomat e tregtisë me pjesëmarrjen e lidershipit të lartë politik nga përtej rajonit. Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord për pjesëmarrje të rregullt në eventet e nivelit të lartë politik dhe t’i kërkojnë përfaqësuesve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Në këtë aspekt, u ra dakord që të rishikohen traktatet bilaterale të investimeve në rajon me qëllimin që ato të harmonizohen më shumë me standardet rajonale, si dhe të përshtaten me standardet e BE-së. Ministritë e fushës do të drejtojnë këto përpjekje dhe do të raportojnë në mbledhjen e ardhshme.

Liderët ranë dakord të zhvillojnë nisma për investimet në sektorët energjetikë dhe të mjedisit, si dhe në turizëm, agrikulturë etj, me qëllimin që të tërheqin investime të reja e investime shtesë në rajon. Do të ngrihet një grup pune për secilin sektor, me ftesa nga Dhomat e Tregtisë, për të përfshirë bizneset, zyrtarë nga të gjitha qeveritë në rajon, ekspertë nga radhët e akademikëve dhe shoqërisë civile, si dhe investitorë të mundshëm nga sektori publik dhe nga ai privat. Duhet të mbahet deri në fund të Shkurtit një mbledhje mbi sektorin e energjisë dhe mjedisit, me fokus mbi qëndrueshmërinë dhe në përfundim duhet të kenë lindur disa sugjerime për ndryshimin e politikave që mund të jenë të nevojshme të bëhen dhe për mundësi investimi. Palët do të punojnë me Komisionin Europian, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve (BEI) dhe të tjerë për të identifikuar mundësitë dhe ndryshimet e nevojshme të politikave për të tërhequr investime. Palët duhet të garantojnë që kjo është në vijë me prioritetet tona për anëtarësim.

Sistemi i vlerësimit Lëvizja e lirë e kapitalit

Liderët vunë re rëndësinë e vlerësimeve transparente dhe në kohë mbi sa janë zbatuar angazhimet. Ne do të zhvillojmë një sistem vlerësimi të pavarur dhe dixhital për të vlerësuar progresin e arritur në rrugën drejt realizimit të qëllimeve.

Sistemi duhet të informojë vazhdimisht qytetarët dhe të lejojë dhënien e mendimeve në kohë reale nga qytetarët, klientët dhe bizneset.

Për këtë qëllim, në mbledhje u vu re interesi i donatorëve ndërkombëtarë në mbështetjen e monitorimit të pavarur dhe të sistemit të vlerësimit. Në mbledhjen e ardhshme të këtij grupi do të rishikohen planet me vizionin për të vënë në zbatim sistemin deri në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.

E ARDHMJA DHE ZGJERIMI

Liderët ripohuan angazhimin që kanë ndaj perspektivës Europiane të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksuan që mbledhjet në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë synojnë të rrisin përgatitjen e rajonit për anëtarësimin në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mbledhjes u theksua rëndësia e vendimit pozitiv të Këshillit të Europës mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars 2020.

Liderët theksuan në veçanti se progresi i bërë në drejtim të shtetit të së drejtës e të sundimit të ligjit mbetet i rëndësishëm dhe duhet të integrohet në të gjitha reformat në rajon.

Liderët kërkuan që Ballkani Perëndimor të përfshihet në Konferencën për të Ardhmen e Europës.

AXHENDA E BLERTË E BALLKANIT PERËNDIMOR

Liderët njohin se Pakti i Blertë Europian, i publikuar më 11 Dhjetor 2019, është një nismë kryesore e Komisionit Europian.

6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar tashmë të ngrenë këtë çështje në Podgoricë në shkurt të 2019, në ministerialin “Tranzicioni për në Energji të Pastër”.

Liderët propozuan angazhim aktiv me Komisionin Europian me qëllim që të përfshihet Pakti i Blertë i BE-së në axhendën e Blertë të Ballkanit Perëndimor me synimin e rritjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe investimeve.

VIZIONI: PROCESI I BERLINIT DHE INTEGRIMI EKONOMIK RAJONAL
Liderët shprehën kënaqësinë e tyre që Procesi i Berlinit do të drejtohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria dhe e konsiderojnë këtë një shenjë të qartë të përkatësisë së rajonit në këtë proces. Liderët mirëpritën nismën e presidencës së ardhshme për të pasur një drejtim të përqendruar te rezultatet, të fokusuar tek thellimi dhe jo zgjerimi i axhendës, dhe të mbështesin temat dhe prioritetet e hartuara nga kjo presidencë.
Liderët gjithashtu ranë dakord të mbështesin miratimin e MAP REA 2 në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit dhe zotohen të nisin konsultime të gjera me grupe interesi, biznese dhe ekspertë lidhur me fazën tjetër të MAP REA 2 në mënyrë që procesi të jetë i drejtuar nga rajoni, përfshirës dhe pragmatik.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit deklaroi sot se ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do ndihmojë për të arritur objektivin tonë, 10 milionë turistë në vit.

Gjatë aktivitetit të mbajtur sot në sallën COD në kryeministri ku u prezantua hapja e garës për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, Klosi tha se Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion turistik. “Ne këtë vit pranojmë mbi 6.3 milionë turistë të huaj dhe krahasuar me një vit më parë është 10% më shumë se vitin e kaluar, por përsëri shikojmë sa shumë e kemi të kufizuar momentin e pikut të sezonit për dy arsye. E para për mungesë të infrastrukturës akomuduese dhe e dyta të infrastrukturës aeroportuale.

Investimet që do të realizohen në zonën e Vlorës edhe promovimi në mënyrë krejt tjetër, tashmë i mbështetur me një investim kaq të madh si aeroporti i ri i Vlorës do ta shndërrojmë edhe destinacionin e Vlorës dhe të gjithë bregut të Jugut të Shqipërisë në një destinacion shumë të arritshëm nga operatorët turistik”-tha ai. Klosi tha se “shtimi i investimeve të menjëhershme dhe fillimi i punimeve për aeroportin e ri të Vlorës më 31 maj, do të na bëj gati për të filluar një moment të ri, një fazë të re të ndërtimit të dhjetëra hoteleve në të gjithë zonën”.

“Ajo që po ndodh për botën e turizmit është një lajm i jashtëzakonshëm, lajm që i vjen shumë mirë dhe situatës të cilës ndodhemi pas tragjedisë së tërmetit të datës 26 nëntor, tragjedi që dëmtoi familjet. 12 mijë familje u gjendën pastrehë, dëmtoi një zonë të tërë për sa i përket raportit me jetën, raportit me pasurinë, pronën, jetët e humbura, por një nga sektorët që mund të marri goditje është sektori i turizmit, prandaj kjo politikë e re do të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme në promovimin e Shqipërisë turistike ku objeksioni ynë është 10 milion turistë, pra në fillimet e dekadës 2020-2030. Pra përfundimi i aeroportit do na bëjë që Shqipëria do të ketë mundësi të pres mbi 10 million turistë që është i rëndësishëm për ekonomin e vendit tonë”, theksoi Klosi.

TIRANË– Të gjithë ndërkombëtarë, njëzëri e kanë cilësuar ngritjen e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, si një hap shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi.

SHBA-ja vë theksin se ky institucion i iri i Drejtësisë duhet t’i japë fund epokës së të “paprekshmëve” që nga zyrtarët e lartë e deri tek bota e krimit dhe se për këtë ka mbështetjen e pakushtëzuar.ga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf, shtojnë se ngritja e SPAK është thelbësore për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

BE përshëndet zgjedhjen e kryetarit të SPAK, Soreca: Ditë e rëndësishmë për reformën në drejtësi

ashkimi Evropian përmes ambasadorit në Tiranë, Luigi Soreca, përshëndeti përzgjedhjen e Arben Krajës në krye të SPAK.

“Sot është me të vërtetë një ditë e rëndësishme për reformën në drejtësi në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë sapo ka emëruar drejtorin e SPAK, zotin Arben Kraja. Dhe Gjykatat e SPAK, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe të Apelit, fillojnë punën sot me 18 gjyqtarët e parë të caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor“, shkruan Soreca në një postim në Twitter.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një reagim në profilin e tij në `Facebook`, bëri të ditur se sot në Këshillin e Përhershëm, pas një pune të pakursyer përgatitore dhe një bashkëpunimi të shkëlqyer në kuadër të Trojkës, Sllovakia i dorëzoi zyrtarisht Kryesinë e OSBE-së Shqipërisë.

Ky moment, sipas Kryediplomatit Cakaj, shënon suksesin më të madh në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë, pas anëtarësimit në NATO.

Për një vit me rradhë, Shqipëria do të jetë kryesuese e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, duke mbuluar gjithë hapësirën nga Vankuveri në Vladivostok.

“Shqipëria gëzon kapacitetet e plota për të adresuar prioritetet e Kryesisë së saj në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse në mënyrë të përgjegjshme.”- përfundoi statusin e tij Cakaj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nesër do të zhvillojë intervistat me tre kandidatët që kanë aplikuar për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili kërkojnë të drejtojnë strukturën e re që do të ketë objekt të hetimin e niveleve të larta të krimit të organizuar, por edhe të korrupsionit.

Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video dhe do të zgjasin 30-45 minuta për secilin kandidat.

Orari i zhvillimit të intervistave do të jetë si më poshtë:

  1. Altin Dumani    09:30
  2. Arben Kraja      10:15
  3. Edvin Kondili    11:00

Këshilli kërkon nga kandidatët të marrin masa për t’u paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në datën dhe orën e njoftuar.

14 ditë pas tërmetit tragjik që goditi vendin duke lënë 51 të vdekur, mbi një mijë të plagosur dhe shumë dëme materiale, prokuroritë në Tiranë, Durrës, Krujë dhe në Lezhë nisën hetimet.

Sipas Shqiptarja.com prej ditës së djeshme janë marrë në pyetje edhe kolauduesit dhe ndërtuesit.

Siç raporton kjo media se ka shumë mundësi që brenda kësaj jave apo maksimumi javën tjetër mund të ketë arrestime.

Hetimet janë shtrirë duke sekuestruar të gjitha dosjet e ndërtimit të objekteve që janë shembur me fokus të veçantë godinat që zunë brenda rrënojave 51 viktimat.

Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë deklaroi se janë 60 firma ndërtimi që po hetohen, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm Olsian Çela në një vizitë në qytetin bregdetar deklaroi se njerëzit presin drejtësi.

“Shumë shpejt do të ketë rezultate të prekshme, do mbajnë përgjegjësi maksimale qoftë zyrtarë e ndërtues” tha ai për mediat.

TIRANË– Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar, ka sjellë reagime të ashpra nga përfaqësues të politikës shqiptare. Është kryeministri Edi Rama, i cili në reagimin e tij ka bërë thirrje për paqe dhe stabilitet në rajon, teksa vuri theksin se për aq kohë sa Serbia nuk shkëputet nga e kaluara, sa më e largët është rruga e saj drejt të ardhmes.

“Si mundet dikush që të mohojë sot një krim lufte të dokumentuar mirë. Pse është kaq e vështirë që Serbia ta kuptojë se për aq kohë sa të mohojë realitetin e pastër kristal të Kosovës, fantazmat e së kaluarës do të vazhdojnë që të mijojnë rrugën e Serbisë drejt të ardhmes. (…) Ndërtoni paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe filloni ta bëni rajonin tonë një model”, shkruan mes të tjerave Rama.

Çfarë ndodhi më 15 janar 1999 në Reçak
20 vjet më parë, mëngjesin e 15 janarit, forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak në Komunën e Shtimes, masakër e cila tronditi botën dhe bëri kthesë në diplomacinë ndërkombëtare. Kjo ngjarje e cila bëri që bota të kthejë sytë nga Kosova, i parapriu edhe fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. I pari  që  i dha zë kësaj ngjarje për gjenocidin që po kryhej në Kosovë, ishte  ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ku edhe e  pati cilësuar këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”. Ëalker kishte ardhur një ditë pas ngjarjes makabër në Kosovë, ku edhe kishte parë nga afër kufomat. Edhe sot, ambasadori Walker vazhdon ta cilësojë këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit.

Një kronikë mesjetare tregon se çfarë ndodhi në një tërmet, të cilit ne nuk ia dimë magnitudën, por që tmerri i të cilit bëhet më i kuptueshëm, vetëm nëse ke përjetuar tërmetin e 26 nëntorit.

Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.3 ishte një nga më të fortët që ka goditur Shqipërinë përgjatë historisë së njohur të vendit. Kjo do të thotë, për aq kohë sa tërmetet maten në mënyrë shkencore, ose pak a shumë që nga fillimi i shekullit të njëzetë.

Enciklopedia shqiptare e vitit 1985 përshkruan edhe disa tërmete të tjerë të fortë. Një tërmet i qershorit 1905 në qytetin e Shkodrës vlerësohet se kishte magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë. Ai u shoqërua me mbi 600 pasgoditje që vijuan deri në korrik të vitit 1906.

Për tërmetet më të hershme, ne na duhet të mbështetemi te përshkrimet e dhëna nga kronikanët e kohës për të marrë me mend afërsisht se çfarë ka ndodhur. Një i tillë ishte përshkrimi i kronikanit bizantin George Pachymeres, sjellë për lexuesin shqiptar fillimisht nga studiuesi Robert Elsie në faqen albanianhistory.net

Robert Elsie shkruan:

Historiani dhe studiuesi George Pachymeres (1242-afërsisht 1310) lindi në Nikea dhe mbajti poste të larta në Kostandinopojë. Libri i tij “Historia” mbulon sundimet e Mikailit të VIII Paleologut (1261-1282) dhe Andronikut II (1282-1328) dhe përbën burimin kryesor për këtë periudhë. Në këtë libër gjendet edhe një përshkrim prekës i një tërmeti të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit. Historiani francez, Alain Ducellier jep korrikun e vitit 1267 si datë për këtë ngjarje tragjike.

Teksti i Pachymeres

Pas një periudhe kohore, një ngjarje e dhimbshme dhe e vajtueshme ndodhi në Durrës. Gjatë muajit korrik, zhurma të pazakonta e bënë tokën të dridhej vazhdimisht, zhurma që ne normalisht i quajmë ofshama. Ato paralajmëruan për diçka rrënqethëse që do të ndodhte.

Një ditë, zhurma ishte më e madhe dhe më e gjatë se sa kishte ndodhur më parë. Frika që rrëmbeu disa nga njerëzit i detyroi ata të kërkonin strehë jashtë qytetit, për shkak se kishin frikë se gjërat do të bëheshin edhe më keq.

Nata ra mbi ofshamën shurdhuese të ditës së mëparshme dhe bashkë me të, një tërmet i fortë ndodhi, më i dhunshëm se çdo tërmet tjetër për aq sa mbahej mend.

Nuk ishte, siç dikush mund ta përshkruajë atë, një dridhje e tokës që lëviz tërthor, por më shumë një valëzim i stërmadh dhe i përsëritur, i tillë që brenda njëçasti, i gjithë qyteti u kthye përmbys dhe u rrafshua.

Shtëpitë dhe ndërtesat e larta që nuk mbijetuan as edhe një sekondë, u lëshuan dhe rrëzuan, duke varrosur banorët brenda tyre. Sepse nuk kishte ku njerëzit të shpëtonin, për shkak se ndërtesat ishin ngritur njëra ngjitur me tjetrën.

Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi i mbijetesës për ata që qëndruan brenda se sa për ata që vrapuan për të dalë nga shtëpitë që kishin shpëtuar pjesërisht.

Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u rrëzuan mbi njëra-tjetrën, çdo ndërtesë që ndodhi të kishte shpëtuar nga fati i shkatërrimit, u rrëzua nga kolapsi i të tjerave.

Katastrofa ishte tepër e papritur dhe shumë mbytëse për të lejuar ndonjë që të mbijetonte duke ikur.

Për shumë njerëz, kjo ishte si një ëndërr; ata nuk e morën vesh kurrë se nëçfarë ngjarjeje vdiqën. Fëmijë të vegjël dhe foshnja, duke mos kuptuar çfarë ndodhi, u varrosën në rrënoja.

Shamata dhe trazirat ishin të tilla që të mbijetuarit, pasi e gjetën veten nga një dallgë shkumëzuese e detit, e imagjinuan këtë jo vetëm si fillimi i më shumë vuajtjeve, por më tepër, si fundi i botës.

Për shkak se qyteti ishte në breg të detit dhe tërmeti i tmerrshëm ndodhi kaq papritur, ata që e gjetën veten jashtë, të cilët praktikisht ishin shurdhuar, përballur me një potere të tillë nga zhurma e shtëpive që binin mbi njëra-tjetrën, nuk menduan gjë tjetër veçse për shkatërrimin e të gjithë universit.

Tërmeti zgjati për ca kohë derisa asgjë nuk mbeti më këmbë. Çdo gjë brenda qytetit ishte rrëzuar dhe kishte zënë banorët brenda, me përjashtim vetëm të Akropolit që qëndroi më këmbë dhe i mbijetoi tërmetit.

Kur dita zbardhi, banorët e zonave përreth vrapuan për në qytet menjëherë dhe filluan të gërmojnë, duke përdorur çdo gjë që mund të kapnin: kazma, cfurk dhe çdo lloj vegle tjetër që mund të gjenin.

Me të katra ata filluan të gërmojnë, duke u përpjekur natyrisht të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por për më shumë, duke u përpjekur për të kapur çfarëdolloj pasurie që ata mund të nxirrnin nga rrënojat. Siç ndodhi, me të vdekurit vdiqën edhe trashëgimtarët dhe nuk kishte kush të kërkonte pronën.

Kështu, pasi gërmuan nëpër rrënoja për shumë ditë dhe, me cfurkë dhe drapër, pasi morën një të korrë me ar, shqiptarët dhe të tjerët që jetonin përreth eventualisht e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e vet, një qytet që tashmë vështirë se njihet, numëruar mes qyteteve ekzistuese jo për shkak se ekziston, por vetëm për shkak të emrit, Peshkopi i tij, Nicetas, i cili kishte qenë atje në këtë kohë, mbijetoi, megjithëse ai kishte plagët e katastrofës në të gjithë trupin e tij.

Pasi pa një katastrofë të tillë, të cilën askush nuk e kishte menduar kurrë si të mundshme, atë e zuri paniku dhe u arratis, duke e lënë metropolin jo vetëm pa personin e tij por gjithashtu edhe pa banorët, pa shkëlqimin e ndërtesave të saj dhe pa lulëzimin e mëparshëm.(BIRN)

Presidenti francez Emanuel Macron ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se e ka ndjekur nga afër situatën e rëndë të tërmetit në Shqipëri.

Ai tha se është informuar nga kryeministri Rama për gjendjen e krijuar dhe se është treguar i gatshëm të ofrojë ndihmën e shtetit francez.

“Përjetuat një tërmet të tmerrshëm, mijëra njerëz pa strehë dhe ka shumë të vdekur”, tha ai.

Ai nënvizoi gjithashtu, se në Këshillin Europian javën që vjen, pritet që të organizohet një konferencë donatorësh publikë dhe privatë, e cila do të koordinojë ndihmat për rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit.

“Franca është e gatshme të bëhet organizatorja e kësaj konference”, tha Macron.

Qeveria miratoi Aktin Normativ për dhurimin e apartamenteve familjarëve të viktimave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Këshilli i Ministrave vendosi dhurimin e 17 apartamenteve, në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndodhura në njësinë administrative nr.1, Tiranë, për familjarët e viktimave.

Të gjitha shpenzimet e mobilimit dhe të pajisjeve elektroshtëpiake për këto apartamente mbulohen nga buxheti i shtetit.

Apartamentet që dhurohen për familjarët e viktimave të tërmetit hiqen nga lista e pasurive të paluajtshme të Bashkisë Tiranë ose të njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhurojnë në favor të familjarëve të viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 edhe apartamente nga fondi publik i banesave sociale, të përfituara sipas ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Këshilli Bashkiak Tiranë ose i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore jep pëlqimin për tjetërsimin e këtyre pasurive të paluajtshme në favor të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, sipas parashikimeve të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar”, thuhet në këtë Akt Normativ.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen fillimisht regjistrimin e apartamenteve që do të dhurohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme në emër të Bashkisë Tiranë dhe më pas kryen veprimet e nevojshme për kalimin dhe regjistrimin e tyre në pronësi të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti.

Dhurimi realizohet nëpërmjet kontratës së dhurimit, sipas parashikimeve të Kodit Civil.

Kontrata nënshkruhet nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose ai i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore dhe nga përfaqësuesit e familjeve përfituese, të përcaktuara në listën e dërguar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.

Apartamenti i dhuruar regjistrohet në bashkëpronësi të të gjithë anëtarëve të familjes përfituese.

Çdo shpenzim procedural për kryerjen e transaksioneve për dhurimin e pasurisë paguhen nga Bashkia Tiranë ose njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore.

Akti Normativ detyron po ashtu strukturat shtetërore të vendosin në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe mjetet logjistike të nevojshme që nevojiten për transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në Tiranë.