Nga Agim Vinca – Në vitin 1990, kur Adem Demaçi kishte hyrë në vitin e vet të 28-të të burgut, e përjavshmja “Danas” e Zagrebit, i vetmi organ i shtypit jugosllav që u bënte vend shkrimeve tona të pakta që merrnin në mbrojtje, pak a shumë, shqiptarët nga fushata e tmerrshme që zhvillohej kundër tyre në vitet ’80 (pas vitit 1981), në rubrikën e saj të rregullt “Ličnost tjedna” (Personaliteti i javës), botonte një shkrim për të burgosurin politik numër një në ish-Jugosllavi dhe ndër më të njohurit në botë, Adem Demaçin.
Jugosllavia e atëhershme, nën ndikimin e zhvillimeve në Evropën lindore e qendrore (në ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Çeki etj.), po shkonte drejt pluralizmit politik dhe si rezultat i rrethanave të reja të krijuara, pritej lirimi i të burgosurve politikë, në mesin e të cilëve doemos edhe i të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët ishin, në raport me numrin e popullsisë, pra proporcionalisht, më të shumtit në numër dhe të dënuar me dënime nga më të rëndat, disa prej të cilëve, madje, si Adem Demaçi me shokë, nga dy-tri herë radhazi. “Čovjek sa transparenta” (Njeriu i tranparenteve) titullohej shkrimi i “Danas”-it, që fliste në dy faqe për Adem Demaqin (kështu ia shkruanin emrin) dhe që sillte edhe fotografinë e tij, për herë të parë pas shumë vitesh e dekadash dhe që, siç mund të shihej qysh prej titullit, e paraqiste atë si lider politik të lëvizjes ilegale shqiptare për çlirim, si njeri që mobilizonte masat, me portretin e të cilit dilej në demonstrata, kryesisht në Perëndim, e të tjera të ngjashme. Shkrimi ishte kryesisht pozitiv, por e paraqiste Adem Demaçin, autorin e romanit të famshëm Gjarpinjtë e gjakut, të shndërruar në legjendë, ashtu sikurse edhe autori i tij, vetëm si njeri politik, por jo edhe si krijues letrar, pra si shkrimtar.
I vetëdijshëm se në këtë mënyrë, Adem Demaçi paraqitej në mënyrë jo të plotë, madje të njëanshme, pata bërë një shkrim, në të cilin, duke përshëndetur veprimin e gazetës zagrebase, ia bëja me dije redaksisë dhe, nëpërmjet saj, edhe lexuesve, se Adem Demaçi, përveç se veprimtar politik, shumë i njohur dhe shumë i çmuar, ishte edhe shkrimtar, autor i një numri të konsiderueshëm tregimesh dhe i një romani, që kishin bërë bujë në kohën kur ishin botuar në Prishtinë, në gjysmën e dytë të viteve ’50 të shekullit XX, por që më vonë, pas rënies në burg të autorit, ishin ndaluar, ashtu siç ishte ndaluar edhe emrin i autorit të tyre, i cili, në Kosovë e gjetkë rreth tri dekada nuk mund të përmendej publikisht, pos në kontekst negativ: si armik i Jugosllavisë, çfarë edhe ishte në të vërtetë. (Armik i Jugosllavisë? Po. I shtetit dhe i ideologjisë së tij, por jo edhe i popujve të saj, sepse Adem Demaçi, njeri me sens të rrallë politik dhe humanist i vërtetë, ka ditur ta bëjë gjithmonë dallimin mes popujve e regjimeve dhe nuk i ka bërë kurrë vend urrejtjes në zemrën e tij të madhe).
Në fund të shkrimit tim, të cilin Danas-i, për çudi, nuk e botoi, edhe pse më kishte botuar jo pak shkrime të tjera më parë, nënvizoja edhe një detaj, në dukje mbase të parëndësishëm, por që do ta ndjekë si fatalitet shkrimtarin ndër vite, faktin se emri i Adem Demaçit, në të vërtetë mbiemri i tij, shkruhej me ç” (të fortë) e jo me “q” (të butë), si thuhet në Kosovë, siç e kishte shkruar gazetari i “Danas”-it dhe siç do ta shkruajnë jo rrallë edhe vetë shqiptarët jo vetëm në atë kohë, por edhe më vonë, deri në ditët e sotme. Kjo ishte, siç kam marrë vesh, një nga arsyet (edhe pse jo e vetmja), që e shtyri autorin, shkrimtarin Adem Demaçi, të hiqte dorë për një çast nga emri i tij historik dhe ta nënshkruante kompletin e veprave të tij prej dhjetë librash, të botuar në vitin 2012, me Adem Dema e jo Adem Demaçi, veprim ky, i cili, megjithatë, mua personalisht, si lexues i veprës së Adem Demaçit dhe si studiues i saj, nuk më është dukur me vend!
Të ritheksojmë edhe një herë, edhe tani që ky personalitet i pashoq nuk është më në mesin tonë, se Adem Demaçi, është jo vetëm veprimtar i shquar politik, njeri që bëri epokë, por edhe një krijues me talent të rrallë artistik. E them me përgjegjësi të plotë se po të mos e kishte flijuar talentin e tij letrar për hir të çështjes kombëtare, Adem Demaçi do të ishte bërë një shkrimtar i përmasave të mëdha ose, siç kam thënë në një rast tjetër, sado hipotetike që mund të duket kjo gjë, Kadareja i Kosovës. “Baca”, siç jemi mësuar ta quajmë me dashuri të gjithë ne kur flasim për të, madje edhe ata që mund të jenë moshatarë të tij apo edhe më të moshuar se ai, i kishte të gjitha predispozitat për t’u bërë i tillë: talentin, imagjinatën, aftësinë e të vërejturit të fenomeneve jetësore, prirjen për të krijuar karaktere njerëzore, gjuhën e pasur, stilin lakonik, njohjen me themel të frazeologjisë popullore, zotërimin e gjuhës si sistem mjetesh shprehëse në të gjitha nivelet e saj, e të tjera.
Në librin Dosja Demaçi të historianit dr. Hakif Bajrami, haset, ndër të tjera, edhe një fjali, në të cilën thuhet: “në mesin e shkrimtarëve të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari ma i talentuem”. Jam mahnitur kur e kam lexuar këtë fjali, të shqiptuar nga njëri nga denoncuesit e tij. Përse? Për shkak se aty mësova, ku më së paku e prisja, se talentin si shkrimtar Demaçit nuk ia mohonin as ata që e denonconin e as ata që e burgosnin. Përkundrazi, e konfirmonin atë, duke pohuar me gojë plot se ai ishte “i talentuem”, madje shumë më i talentuar se ata vetë, por, ajme, kishte një të keqe të madhe: ishte armik i shtetit dhe jo një armik dosido, por i vendosur, trim e konsekuent deri në fund.
Adem Demaçi i ri, ky idealist i vërtetë, sikurse edhe shokët e tij, që iu bashkuan dhe e mbështetën, kishte një ëndërr të madhe, heretike për kohën: ëndrrën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, prej së cilës ishte shkëputur padrejtësisht e me dhunë në vitet 1912-13.
Për hir të kësaj ëndrre, Adem Demaçi e sakrifikoi talentin e tij si shkrimtar dhe karrierën e tij prej shkrimtari të dorës së parë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958, me akuzën për “agjitacion e propagandë”, Ademi ishte emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë. Ish-studenti i shkëlqyeshëm letërsisë botërore, që me dijen dhe talentin e tij kishte çuditur edhe profesorët më të rreptë në Universitetin e Beogradit dhe gazetar i rubrikës së kulturës në të vetmen gazetë të përditshme shqipe në ish-Jugosllavi, “Rilindja”, ai kishte botuar, duke filluar nga viti 1953, në shtypin dhe periodikun letrar të Kosovës, kryesisht te “Jeta e re”, një varg tregimesh, me të cilat kishte përvetësuar lexuesit dhe kritikën letrare të kohës si një talent i rrallë në fushën e prozës, e cila atëherë ishte dhe, në njëfarë mase, vazhdon të jetë edhe sot deficitare në letërsinë shqipe të Kosovës. Nuk harrohen tregimet e tij: Kur zoti harron, Mestani, Kthimi, Burija e Pizh Magjupit, Eu, Binak, eu…, Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet, Ezopi e të tjera, që shquhen për gjetjen e temës dhe të subjektit, për personazhet pikante, për nuancimet psikologjike, për gjuhën e gjallë e autentike, për ndjenjën e humorit dhe vlera të tjera, që i bëjnë ato modele të tregimit të shkurtër dhe si të tilla tërheqin edhe sot vëmendjen e lexuesit.
Pas një përvoje në fushën e tregimit, ku herë-herë shkëlqen si të ishte nxënës i Çehovit ose O’Henrit, i inkurajuar edhe nga suksesi që arriti tek lexuesit, Adem Demaçi do të kalojë në fushën e romanit. Kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, ai botoi, në faqet e “Jetës së re”, në dy vazhdime, romanin e tij të njohur, Gjarpijt e gjakut, i cili, po atë vit (më 1958), falë përkujdesit dhe dashamirësisë së Esad Mekulit, do të botohet si libër më vete në edicionin e “Jetës së re”. Njohës i mirë i jetës dhe i mendësisë së popullit të vet, i plagëve dhe dhembjeve të tij, Adem Demaçi do të verë gishtin aty ku duhej: te plaga e hapur e vëllavrasjes dhe e gjakmarrjes, duke u angazhuar jo në mënyrë banale, por nëpërmjet situatash artistike, për kapërcimin e saj. Pamja e fundit e romanit, ku njëri nga personazhet (Mustafa), kundërshtar i rreptë i zakoneve prapanike, pas përleshjes së dy familjeve, i drejtohet një fëmije, simbol i së ardhmes, me fjalët: “Shtypi, shtypi këta gjarpij të gjakut!…”, flet jo vetëm për mesazhin e qartë të veprës, por edhe për mundësitë e mëdha krijuese të autorit të saj.
Se sa është treguar inventiv e largpamës Adem Demaçi në këtë vepër të papërsëritshme të prozës shqipe, flet edhe motoja e vënë në krye të saj. Vargjet emblematike: “Jo atyne që janë trima/ me ngrehë gishtin e krimit/ po atyne që janë trima/ me shtri dorën e pajtimit” shprehin në mënyrë lapidare preokupimin atdhetar e humanitar të shkrimtarit, të cilin ai përpiqej ta bënte pjesë të ndërgjegjes së popullit të vet. Jo rastësisht këto vargje, tridhjetë vjet më vonë, u bënë moto e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në vigjilie të viteve ’90, kur Adem Demaçi ende mbahej në burg, por fara që kishte hedhur ai tashmë kishte mbirë dhe kishte dhënë frytet e saj në tokën e plleshme të Kosovës.
Gjatë viteve të burgut, jo vetëm të parit e të dytit, por edhe të tretit, më të gjatit, Adem Demaçi nuk mundi ta ushtronte profesionin e shkrimtarit. Ndryshe nga ç’veprohej me intelektualët e tjerë disidentë të Evropës, atij nuk iu mundësua në burg që ta ushtronte zanatin e shkrimtarit. Në burgun e Stara Gradishkës, ku qëndroi në vitet e fundit, ai bënte punën e montuesit të stilolapsave, por atij vetë (çfarë ironie!) nuk i lejohej të shkruante. Ky fakt, sikurse edhe qindra të tjerë, tregon qartë se sa ishte i rremë miti mbi liberalizmin e regjimit titist jugosllav, të cilin me të drejtë disa analistë perëndimorë e cilësonin si “stalinizëm antistalinist”.
Edhe pas daljes nga burgu Adem Demaçi arriti t’i befasonte lexuesit, duke dëshmuar se vitet e gjata të burgut nuk e kishin tharë shpirtin e tij krijues. Në vitin 1994 botoi romanin Libër për Vet Mohimin, në të cilin u përpoq të shprehte, në mënyrë alegorike, vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe ëndrrën për një pajtim të mundshëm historik mes dy popujve të armiqësuar, serbëve dhe shqiptarëve.
Ndryshe nga romani i tij i hershëm Gjarpijt e gjakut, ku gjejmë tipin e prozës sociale të mjedisit rural, me elemente herë-herë etnografike, në Libër për Vet Mohimin, Demaçi kultivon prozën urbane me elemente eseistike, që e hasim rëndom te shkrimtarët politikisht të angazhuar (Brehti, Sartri, Kërlezha etj.). Protagonist i rrëfimit është një intelektual shqiptar, ish-i burgosur politik, i cili, pas një qëndrimi të gjatë në burg, kthehet në vendlindje, ku sheh shumë ndryshime, por edhe një gjendje në thelb të pandryshueshme: atë të mungesës së lirisë kombëtare. Shikuar nga aspekti tipologjik ai i takon kategorisë së personazheve-ide e jo të personazheve-karaktere, gjë që e sugjeron edhe emri i tij: Vet Mohim (nga fjala shqipe vetëmohim: flijim i interesit vetjak për hir të interesit të përgjithshëm). Së bashku me një grup miqsh, bashkëmendimtarë të tij, ky personazh ideografik, niset në kërkim të disa të vërtetave thelbësore me rëndësi jetike për jetën e banorëve të hapësirës ballkanike, por edhe për njeriun në përgjithësi.
Si të dilet nga kriza e krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë? Si të zgjidhet çështja shqiptare dhe veçanërisht çështja e Kosovës? Si të pastrohet Ballkani nga shpirtrat e këqij, nga demonët që luajnë me fatin e popujve? Cilat janë rrugët më të drejta e më frytdhënëse për t’u mposhtur e keqja? Si të shpëtohet njeriu i sotëm nga rreziku që i kanoset prej teknikës? Si të shpëtohet natyra prej ndotjes? Si të çlirohet njeriu nga ankthi i vdekjes dhe a është i pavdekshëm shpirti i tij?
Njeri që pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar në burg, por pa e humbur kurrë lirinë e vet të brendshme, heroi i Demaçit, pas daljes nga “burgu i vogël” në “burgun e madh”, niset në kërkim të rrugëve të lirisë për vete dhe të tjerët, për “të vetët” dhe ata “të tjerët”, sepse askush nuk mund të jetë i lirë, sipas tij, duke e mbajtur në robëri dikë tjetër, duke e shtypur dhe shfrytëzuar atë. Mirëpo, si të arrihet kjo, në ç’mënyrë? – shtrohet pyetja. Dhe përgjigjja është: “jo me dhunë, por me marrëveshje; jo me agresivitet, por me durim; jo me urrejtje, por me dashuri”.
Për Demaçin më trim është ai që fal sesa ai që vret, ndërsa më fatkeq – ai që e shkakton sesa ai që e pëson vuajtjen. Kjo do të thotë se filozofia e tij është filozofi e mosdhunës, por kurrsesi jo e qyqarllëkut. Për të nuk është i huaj koncepti i Gandit se “dishepull i vërtetë është ai që i njeh dhembjet e tjetrit si të ishin të tijat”, sikundër edhe parimi i lartë etik, i formuluar për mrekulli nga malësori ballkanas Mark Milani, se trimëri është ta mbrosh veten nga të tjerët, ndërsa burrëri t’i mbrosh të tjerët nga vetja.
Vepra e parë e Adem Demaçit e shkruar dhe e botuar pas daljes nga burgu, romani Libër për Vetmohimin, do të pasohet edhe nga një varg veprash të tjera të krijuara më vonë, siç janë: Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashuri, Dashuria kuantike e Filanit dhe Alb Prometeu, një cikël prej pesë romanesh, të shkruara në vitet 2007-2012, pra në prag dhe pas shpalljes së pavarësisë, që flasin për luftën dhe pasluftën në Kosovë, poema Tung vargu im, e vetmja vepër në vargje e këtij prozatori të spikatur dhe drama historiko-politike Politika dhe pushka, hedhur në letër në vitin 1970 në burgun e Pozharevcit dhe e përpunuar në vitin 2011-2012 në Prishtinë e Sarandë, e cila u botua për herë të parë në kuadër të kompletit.
Edhe në këto vepra Adem Demaçi vazhdon aventurën e tij krijuese, duke u bërë jehonë ideve të veta politike, por edhe shoqërore e filozofike, që e kanë udhëhequr në jetë dhe të cilave ai ua ka kushtuar jetën dhe duke ndërfutur, kur më shumë e kur më pak, edhe elemente autobiografike, pa bërë në asnjë rast apologjinë e vetvetes, por duke mbrojtur gjithmonë popullin të cilit i takon. Kur në vitin 1957, ideologu i hegjemonizmit serb, shkrimtari Dobrica Qosiq, në një takim të mbajtur në Prishtinë, në ndërtesën e Komitetit Krahinor, i porosit shkrimtarët e Kosovës që “ta hapin hullinë e parë”, duke filluar “nga fillimi” dhe duke shkruar vepra “në frymën e patriotizmit socialist jugosllav”, i vetmi që guxon t’i kundërvihet pikëpamjes së tij, duke ia dhënë përgjigjen e merituar, është i riu Adem Demaçi, i personifikuar në roman si Filani: ”Si duket shkrimtari nga Beogradi nuk e ditka se ne kemi letërsinë tonë. Ne nuk kemi nevojë ta fillojmë letërsinë tonë nga e para; ne duhet të vazhdojmë aty ku e lanë shkrimtarët tanë të mëdhenj: Pjetër Budi, Frang Bardhi, De Rada, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Lasgush Poradeci, Sterjo Spasse, Mitrush Kuteli…”. Në atë “ftohtësi akulli”, që mbretëron në sallë, në praninë Duçit famëkeq (Dushan Mugosha) dhe komitetlinjve të tjerë, dëgjohet zëri inkurajues i profesor Zekeria Rexhës: “Bravo Filan!”, alias Adem.
Ka pasur përpjekje që Adem Demaçi dhe filozofia e tij krijuese të karakterizohen me pak fjalë si vijon: “realist në politikë, liberal në ideologji, hegelist në filozofi, stoik në etikë dhe ithtar i postmodernizmit në letërsi”.
Edhe pse tingëllon bukur, cilësimi i mësipërm lë për të dëshiruar dhe është i diskutueshëm, veçanërisht togfjalëshi i fundit, i formuluar nën ndikimin e modës së postmodernizmit. Më parë se postmodernist, ndonëse në veprën e tij nuk mungojnë as elementet postmoderne, sidomos te Libër për Vet Mohimin dhe Dashuria kuantike e Filanit, Demaçi si shkrimtar do të mund të quhej mbase postrealist, ithtar i një realizmi të ri, të cilin filozofi francez Rozhe Garodi (Roger Garaudy) e quante “réalisme sans rivages” (realizëm pa brigje). Vepra letrare e Adem Demaçit është e hapur ndaj jetës, botës, natyrës, shoqërisë dhe e grish lexuesin për komunikim të hapur, jashtë skemave dhe klisheve, që nuk i honeps.
Duhet të lexohet krijimtaria e Adem Demaçit për të parë se në themel të saj qëndron ideja sublime e lirisë së popujve si kusht i paqes dhe i prosperitetit. Duhet të lexohen dhe rilexohen tregimet dhe romanet e tij – dhe të gjitha shkrimet e tjera të tij, letrare e publicistike – për të nxjerrë “mësim” prej tyre dhe për t’u kënaqur me to. Sepse, ta lexosh Adem Demaçin do të thotë të bëhesh pjesëmarrës i një “udhëtimi dramatik filozofiko-politik dhe artistik”, siç thotë një nga personazhet e tij.