Zëvendës kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, në Abc News, ka folur për mundësinë e zhbllokimet të dialogut Kosovë – Serbi, për taksën e vendosur nga qeveria ndaj mallrave serbe, për idenë e Presidenti Thaçi për korrigjimin e kufijve si dhe për çështje të brendshme politike.
“Unë jam bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë. Republika e Kosovës ka bërë shumë përpjekje në muajt e fundit pas shumë tensionesh të çuditshme që kanë ndodhur vitin e kaluar, gjë që nuk ka qenë asnjëherë praktikë në Kosovë, kur ka qenë fjalë për Serbinë.
Politika kosovare pozitë dhe opozitë gjithmonë ka qenë e bashkuar në këtë pikë për shkak se kemi qenë duke fol për interesa nacionale të shtetit tonë. Ndërsa vitin që shkoi kemi pas disa situata të çuditshme nganjëherë edhe konfuze dhe për këtë arsye ne kemi marrë një iniciative që procesin ta kthejmë në binarë. Ne kemi nxjerrë një platformë e cila ka gjetur miratimin e krerëve të shtetit dhe është votuar një delegacion shtetëror.
Detyrë e Presidenti, Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, e imja dhe e gjithë të tjerëve është obligimi që ne të respektojmë dokumentin që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës. Nuk ka askush mandat që të flasë përtej atij dokumenti”, tha Limaj
Pyetjes nëse ideja e korrigjimit të kufijve është hedhur në tryezën e bisedimeve, Limaj i jep këtë përgjigje:
“Asnjëherë nuk është hedhur ajo ide dhe asnjëherë nuk mund të bisedohet për atë ide. Pala tjetër mund të hedhe çfarë ideje të dojë, nga pala kosovare nuk është kërkuar asnjëherë. Ne nuk mund të shkelim Kushtetutën. Ne kemi obligim dhe mandat kushtetues”.
Kosova miraton Rezolutën që dënon krimet serbe gjatë luftës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar pasditen e sotme Rezolutën që dënon krimet serbe gjatë luftës së Kosovës, ndërsa për herë të parë i quan këto krime Gjenocid.
Kuvendi ka miratuar me 79 vota pro Rezolutën, ndërsa një pikë tjetër shumë e rëndësishme e saj është se kërkon drejtësi për viktimat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës
Për miratimin e kësaj Rezolute ka reaguar dhe presidenti Hashim Thaçi i cili shprehet se tashmë që institucionet e drejtësisë janë në duart e kosovarëve, duhet gjetur mënyra e duhur që drejtësia të veprojë kundër të gjithë atyre që kanë kryer krime ndaj Kosovës.
‘E mirëpres miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila dënon gjenocidin e shtetit serb në Kosovë. E para, rezoluta i quan me emrin e vërtetë: GJENOCID! – krimet e Serbisë në Kosovë. Dhe e dyta, rezoluta kërkon drejtësi për viktimat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Krimet e luftës as nuk vjetrohen dhe as nuk amnistohen. Tani që institucionet e drejtësisë janë në duart e kosovarëve, ne duhet ta gjejmë mënyrën e duhur që drejtësia të veprojë kundër të gjithë atyre që kanë kryer krime në Kosovë’, shkruan Thaçi.
Haradinaj: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të nënshkruhet në Uashington
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot në një konferencë për media ka folur për procesin e bisedimeve me Serbinë.
Ai tha se në këtë proces më nuk do të ketë ketë biseda për ndarje të Kosovës e as për lojë me kufijtë.
“Nuk mund ti paragjykojë kështu proceset. Procesi tash është në duar të sigurta. I është heq nga dora Mogherinit. Tashmë një gjë të tillë e kanë në dorë kancelarja Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Makron. Ka stabilitet, kjo është kryesorja”, deklaroi Haradinaj.
Ai ka thënë se nuk mund të parashikojë se si mund të ecin proceset, por që nuk e përjashton edhe mundësinë që një marrëveshje përfundimtare me Serbin të nënshkruhet në Uashington.
“Rusia është tërheq prej Ballkanit kohë më parë. Amerika nuk ka hequr dorë nga Ballkani. Nuk mundet askush me tërheq Amerikën nga proceset në Ballkan”, ka shtuar Haradinaj”, është shprehur ai.
Këto komente Haradinaj i ka bërë kur është pyetur nga gazetarët, se pas Samitit të Parisit, do të mbahet edhe një takim në Bruksel, dhe më pas do të përfundojë në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrim.
DRAFT-REZOLUTA PËR GJENOCIDIN E ISH REGJIMIT SERB DREJT FINALIZIMIT
Draft-rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb, tanimë ka marrë formën e duhur dhe ka një strukturë të mirëfilltë.
Kështu u tha në takimin e parë të komisionin ad-hoc për hartimin e projekt-rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, anëtarët e së cilës patën disa kritika kryesisht tenike.
Fillimisht anëtari i komisionit Sami Kurteshi tha se ka bërë përpjekje që në tekstin e rezolutës të nxjerrën të gjitha dokumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjen e dokumentimit të krimit të gjenocidit.
Pas tij, anëtari i komisionit Muharrem Nitaj tha se titulli projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë , është më i gjeturi, ndërsa pati disa vërejtje më shumë teknike.
Nitajt iu përgjigj Bilall Sherifi, duke thënë se çdo vend në botë i cili nxjerr rezoluta për krimin e gjenocidit e ka një datë dhe nuk u pajtuar që data të largohet.
Armend Zemaj tha se në rezolutë duhet të jetë edhe saktësimi i vendeve ku ka ndodhur krimi. Ai pati edhe një propozim.
Sami Kurteshi problemi i tij ka qenë se askund nuk ka mund të gjej në dokumente ndërkombëtare, elemente ku përkëmbet krime të luftës e gjenocidi.
Anëtari i komisionit Mergim Lushtaku, në rezolutë duhet të jetë kërkesa konkrete për një tribunal ndërkombëtar.
Ndërkohë, Armend Zemaj dhe Saranda Bugujevci thanë se për krimet serbe së pari duhet të fuqizohen dhe angazhohen më shumë institucionet e Kosovës për të mbledhur të dhënat që do të shërbenin për një tribunal vendor ose ndërkombëtar.
Anëtarët e komisionit janë pajtuar që rezolutës t’i bashkëngjitet edhe lista e masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Haradinaj: Nuk do të negocioj me një bastard si Vuçiç
Kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjithmonë i ka mëshuar idesë së tij, lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ku ka deklaruar se nuk do të negociojë me Serbinë.
Ndërsa, një nga arsyet se pse nuk do të dëshironte të ulej në një tryezë për paqe me Vuçiçin, Haradinaj e ka treguar në një intervistë për prestigjiozen gjermane Der Spiegel.
Gjatë kësaj intervistë, Haradinaj, duket se nuk i ka kursyer tonet e ashpra ndaj Vuçiçit, madje duke e konsideruar edhe “bastard”, nofkë, e cila ka qenë në titull të artikullit në të përditshmen gjermane.
“Unë nuk do të negocioj me atë bastard”, ka thënë Haradinaj, citat të cilin gazeta gjermane e ka vendosur edhe në titull të shkrimit, intervistë që është botuar edhe javë më parë, por që është përsëritur nga gazeta gjermane.
Në këtë intervistë ndër të tjera, Haradinaj përshkruhet si një burrë shteti i rafinuar, i cili pëlqehet nga populli i Kosovës, si kryeministër.
Fotografia e nënës nga Kosova, me foshnjen në duar, e shkrepur në vitin 1999 zuri vend në mediat më të mëdha botërore. Nëna me vajzën “e vdekur” u shndërruan në simbol të luftës dhe sakrificës.
Ivajë, Kaçanik, 3 shtator 1998. Lufta në Kosovë kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. Një pjesë e madhe e burrave ishte bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë bashkëshortet e tyre me të moshuarit dhe fëmijët. Ndër to ishte dhe Sherife Luta, 22 vjeç, shtatzënë, pak para lindjes.
“Kisha lindje shumë të vështirë. Shëndeti i lig nuk ishte e vetmja gjë që më shqetësonte. Edhe pse mjekët më kishin thënë të shkoja për të lindur në Prishtinë, ata (ushtarët serbë) nuk ma lejuan. Vajzën time, Besën, e linda në maternitetin e Ferizajt”, tregon Sherifja për Deutsche Wellen.
Ritregimi i të kaluarës e mbush me emocione të trazuara Sherifen, sot nënë e tre fëmijëve: një vajze dhe dy djemve. Rrëfimin për periudhën dramatike të 20 viteve më parë e nis nga e bija, e cila i përket gjeneratës së fëmijëve kosovarë të lindur në kushte lufte. Por sfida nuk ishte vetëm lindja.
Ikja me beben në gji Ivajë, Kaçanik, 8 mars 1999. Kur Besa ishte vetëm 6 muajshe, Sherifes iu desh të linte shtëpinë e të kapërcente malet, për të shpëtuar nga forcat serbe që po afroheshin gjithnjë e më tepër në fshat. Me familjen e të shoqit dhe familjen e saj ajo nis rrugëtimin drejt Maqedonisë, shtet kufitar me Kaçanikun. Nuk kishte kohë të merrte rrobat me vete. Në furrë la bukën që po piqte për familjen, mori vajzën dhe dolën nxitimthi.
Vështirësitë e së kaluarës sot duken si një ëndërr e keqe për familjen Luta, e cila pas luftës ka ndërtuar një shtëpi të re në Kaçanik të vjetër. Besa vijon studimet në vitin e dytë në degën “Shkencat Politike” në Ferizaj. “Këto histori i kam dëgjuar nga nëna ime. Duke u rritur, kam nisur të kuptoj realitetin dhe sfidat e saj, babait tim dhe të gjithë shqiptarëve. Të njëjtat vështirësi dhe sfida kanë kaluar edhe shokët dhe shoqet e gjeneratës time. Shpeshherë bisedojmë dhe i rrëfejmë njëri-tjetrit këto histori. Ato janë aq të ngjashme dhe aq të ndryshme njëkohësisht nga njëra-tjetra” – i thotë Besa Luta DW-së.
Fotografia që shkroi historinë Sherife Luta nuk di ta thotë me saktësi datën, se kur u shkrep fotografia që e shndërroi atë dhe të bijën, Besën, në simbolin e eksodit të refugjatëve kosovarë të luftës që u strehuan në Maqedoni. “Nuk e mbaj mend nëse ka qenë data 3 apo 4 prill i vitit 1999. Por momentin e shkrepjes së fotografisë e kam të freskët si sot. Atë ditë kishte shumë kameramanë dhe fotografë. Madje me kërkuan që edhe të jepja intervistë, por nuk pranova. Isha shumë e lodhur”, rrëfen Sherifja, asokohe 22 vjeç.
Deri në vitin 2000 ajo dhe familja e saj nuk e kanë ditur ekzistencën e fotografisë. Ishte bashkëshorti i saj, Mirvati, i cili sheh në një reklamë të madhe në një rrugë të Prishtinës fotografinë e gruas dhe vajzës së tij. Me kalimin e viteve, ata nisën të kuptonin rëndësinë e madhe të fotografisë dhe kopertinës së revistës së famshme botërore “TIME”, e cila kishte vlerësuar që rrugëtimin e kosovarëve që i iknin forcave militare serbe ta rrëfente nëpërmjet këtij çasti. Vonë kuptuan që nënë e bijë ishin tashmë një pjesë e historisë së Kosovës. “Ajo fotografi është gjithçka. Tregon sakrificën e jashtëzakonshme të nënës time, që më mbajti në gji me javë të tëra duke ecur maleve. Ajo është simbol i sakrificës së gjithë popullit tonë”, thotë Besa Luta.
Por fotografia kapi vetëm një prej çasteve të vështira të vuajtjeve të Sherifes, e cila me foshnjën 6 muajshe nisi luftën e saj për mbijetesë, që nga 8 marsi e deri në javën e parë të prillit. “Në një moment, kur ishim të strehuar në një shtëpi me 300 refugjatë të tjerë, Besa nuk po qante më. Ajo kish ngrirë nga i ftohti dhe nuk kishte çfarë të pinte. U trembëm shumë. Në ato momente, kunata ime e merr vajzën dhe e fut në furrën për pjekjen e bukës, që të shkrinte. Në fakt, të gjithë mendonim se ka vdekur. Mund të kenë kaluar 10 minuta, kur befas Besa nisi të qajë. E nxorëm nga furra dhe i hodhëm sipër një batanije – të cilën e ruaj ende si kujtim. Duartrokitjet e njerëzve nuk kishin fund”, tregon mes emocioneve Sherife Luta.
20 vite më pas… Nëse lindjen dhe fëmijërinë i ka dëgjuar si histori të rrëfyera nga e ëma, sot Besa jeton rininë e saj në një Kosovë të lirë. “Kosova sot ka shumë probleme, por më e rëndësishme është se tashmë ajo është e pavarur dhe shpresoj që gjërat që aktualisht nuk funksionojnë, të përmirësohen me kalimin e kohës”.
Për të ardhmen ka shumë plane, e plani i parë është të kryejë studimet master. Besa nuk interesohet shumë për politikën në Kosovë. “Kur jemi në fakultet, miqtë e mi flasin në pjesën më të madhe të kohës për politikën. Vetëm i dëgjoj dhe kam preferuar të mos përfshihem asnjëherë në debate të tilla”, tregon duke buzëqeshur. Ajo nuk e ka menduar asnjëherë të ndërtojë një jetë jashtë Kosovës. “Kam shumë dëshirë të udhëtoj dhe të vizitoj vende të tjera të botës, por jetën dhe të ardhmen time i shoh këtu”. Ajo do të jetojë e qetë në Kosovë, vendin të cilin e do aq shumë dhe që në mënyrë të rastësishme e përfaqëson gjithmonë – së bashku me të ëmën. /DW/
Mallra serbe po riambalazhohen në Maqedoni, konfirmon Dogana
Kosova ende nuk ka arritur ta vërtetojë nëse produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po shiten në tregun vendor, duke ua ndërruar vendin e origjinës.
Që nga vendosja e taksës ka pasur dyshime se produktet janë dërguar në Maqedoni, aty iu është shtuar edhe ndonjë përbërës dhe pastaj janë ambalazhuar dhe vendi i origjinës iu është shkruar në Maqedoni, raporton KTV.
Në Doganën e Kosovës kanë treguar se deri tani janë identifikuar vetëm 5 raste të dyshimta të tilla, e që janë produkte ushqimore.
Si rrjedhojë, është kërkuar nga Dogana e shtetit fqinj verifikimi i vendit të origjinës.
Importi nga Maqedonia gjatë tre muajve të masës mbrojtëse ka qenë 24 milionë euro ose 2 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Stavileci ka treguar se rritje e ngjashme është edhe me vendet e tjera të rajonit.
Por, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, nuk është e jashtëligjshme mundësia që vendi i origjinës të ndërrohet në këtë formë, por ai e quan këtë vetëm jokorrekte.
Rukiqi ka thënë se mundësitë për të ndërmarrë masa ndaj kompanive, janë të kufizuara edhe shkaku i kufizimeve politike.
Gjatë tre muajve të fundit që kur është vënë taksë ndaj produkteve serbe në Kosovë, janë importuar vetëm rreth 670 mijë euro mallra kryesisht lëndë e parë e prodhimit, që janë rreth 140 milionë euro më pak import nga Serbia se sa vitin e kaluar.
Ndërkaq, nga Bosnje Hercegovina janë importuar rreth 100 mijë euro mallra.
Gati marëveshja Kosovë – Serbi, këto janë 22 pikat të përgatitura nga SHBA-ja, Franca dhe Rusia
Disa nga pikat kyçe të draft marrëveshjes së propozuar të “traktit të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Palët kanë rënë dakord me dokumentin zyrtar prej 22 pikash nën ndërmjetësimin e SHBA-ve,Rusisë dhe Francës!, njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.
1. Palët në përfundim të miratimit të kësaj marrëveshje firmosin traktatin e miqësisës dhe fqinjësisë së mirë!
2. Të dyja shtetet e reja me kufinjtë e rinj njihen mes veti dhe bëhen anëtare të OKB-së në të njëjtën kohë.
3. Kufiri perëndimorë mes dy shteteve është tërë vija gjatësore e Liqenit Ujman/Gazivod. Nga ana kosovare në linjën: Vitkovigje – Bërnjak – Rezallë – Kovaç – Zubin Potok. Nga ana serbe pjesa mbi Zubin Potok deri në kufirin aktual.
4. Serbisë i kalon territori në linjën Zubin Potok – Zupçe – Zveçan – Zheronicë – Banjskë – Vuçe – Leposaviq – Zemanicë.
5. Mitrovica – bashkohet, merr statusin e “FREE CITY” me afat kohor prej 35 vjetësh jo më shumë se 99 vjeçare dhe përfshin rrethin me kufinjtë: Zemanicë – Dren – Ceraj – Maxhere – Stari Tërg – Bajgor – Kqik i Madh – Koshutovë – Zupçe. Administratori/Kryetari i qytetit është me Presidium: një serb, një shqiptarë dhe një i caktuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me mandat 5 vjeçarë. Qyteti ka edhe KUVENDIN e vet me 50 asambleist, të ndarë përgjysëm dhe 5 të huaj të caktuar nga Administratori i huaj. Qyteti ka buxhetin, policinë, letërnjoftimet dhe pasaportat e veta, kurse ushtria NATO-së ruan sigurinë. Monedha që përdoret është EURO.
6. BUJANOCI merr statusin SPECIAL DISTRIKT për 35 vjet jo më shumë se 99 vite me këtë linjë rrethore: Bozhinjevc – Zhuzeljic – Srpska Kuca – Davidovac – Ristovac – Karadnik – Rakovac – Ternoc i Madhe – Konçul – Lluçan – Nesalcë – Borovac – Somolice. Qyteti ka Presidium prej 3 anëtarësh, Kuvendi me 30 anëtarë përgjysëm, 3 të huaj. Policia është e përzier prej 3 anëtarësh, buxheti financohet nga Serbia, Kosova dhe BE proporcionalisht. Monedhat e lejuara janë EURO dhe DINARI. Letërnjoftimet dhe Pasaportat janë me simbole të BE-së, por qytetarët zgjedhin edhe një tjetër në mes Serbisë dhe Kosovës si dokumente të dyta. Qyteti merr edhe statusin e “FREE TAX ZONE”.
7. Presheva hyn tërësisht në Kosovë me këtë linjë kufitare: Slavujevc – Ljanik – Svinjishte – Sebrat – Kustice – KLENIKE – Trejak – Bogdanovac – Somolicë – Letovicë.
8. Baza ushtarake “JUG” në CEPOTIN bëhet bazë e SHBA-ve, por e përzier, e cila do të ketë rreth 1700 ushtarë, prej tyre 50 për qind serb dhe 50 për qind shqiptarë me status civil mbikqyrës dhe këshillues.
9. Korridori 10 për 15 vite është i mbrojtur nga NATO dhe lëvizin lirshëm gjitha palët.
10. Serbia me financim të BE-së ndërton Korridorin e ri që ndjek linjën Davidovac – Ristovac – Krsevice – Klinoc – Sv.Petka – Klenike – Starac dhe del në Pelince (MKD).
11. Medvegja si qytet mbetet nën Serbi me ca fshatra. Në Kosovë kalojnë : Vrapce, Svirce, Sijarina, Stara Banja, Marovc, Tupalle, Kapiti. Janë në negocim me Banjën e Sijarines dhe Retkocerin.
12. Palët nuk kanë pretendime për reparacione lufte.
13. TREPÇA merr STATUS SPECIAL, me krijimin e Konzorciumit të përbashkët nga kapitali amerikan – francez – rus – kinez, për 99 vite në shfrytëzim. Nga kontributet 15% i ndahen Mitrovicës, 35% për Serbinë dhe 50% për Buxhetin e Kosovës.
14. Ujmani/Gazivoda bëhet pronë e përbashkët serbo-shqiptare me administrim sipas konventave ndërkombëtare. Investimet dhe administrimi teknik i jepet një Kompanie angleze dhe gjermane për 99 vite.
15. Elektroenergjetika ndahet në proporcion 75% për Kosovën dhe 25% për Serbinë, për shkak të DAB-eve dhe Interkonjeksioneve. Administrimi amerikan, austriak dhe gjerman. Modalitetet tjera akoma të pazgjidhura.
16. Patriarkana e Pejës dhe Kisha e Deçanit marrin status EKSTRATERRITOR(EX-PATRIA). Kisha e Prizrenit dhe Manastiri i Graçanicës merr status Ekstraterritorial në territor të Kosovës. Kishat e tjera mbesin pa status. Formohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë pa fuqi ekzekutive, por vetëm si KËSHILL NACIONAL për të adresuar problemet në qeveri.
17. Të gjitha pikat kufitare mes dy shteteve do të jenë TË INTEGRUARA me një kalim.
18. Serbia merr statusin shtet anëtarë i BE-së brenda vitit 2021-2022, kurse Kosova brenda vitit 2030.
19. Serbia përfiton Një Plan Marshall me investime prej 3.5 miliardë euro për infrastrukturë moderne dhe investime strategjike. Kosova përfiton nga ky Plan investiv prej 1.2 miliardë euro.
20. Të dyja shtetet brenda 10 viteve obligohen të heqin nga tekstet shkollore terminologjitë raciste dhe denigruese për njëri- tjetrin.
21. Njihen pensionet dhe sigurimet ndërmjet dy palëve, qytetarët pavarësisht gezojnë të drejtat respektive në të dyja shtetet.
22. Kjo marrëveshje garantohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja dhe NATO-ja.
Në negocim janë edhe tri çështje tjera:
1. Serbia kërkon që të njoh Kosovën në emrin e saj kishtarë si Kosova e Metohija për nevoja të saj lokale, kurse në OKB do ta njoh si Kosovo, pra don ta regjistroj me dy emra.
2. Asnjë shtet nuk ka drejtë të bashkohet me shtetin tjetër, apo territorin tjetër për 99 vjet (zgjidhet kriza në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni).
3. Palët obligohen që të kenë votë unanime në OKB për çështjet e caktuara (për çështjet teknikisht ende të hapura).
Të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të mbarojnë deri në datën 15 Maj 2019.
Marrëveshja finale firmoset nga data 28 qershor deri 13 korrik 2019.
Deri në fund të tetorit 2019, parlamentet e të dyja shteteve e bëjnë ratifikimin dhe i ndryshojnë Kushtetutat e tyre.
Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje fillon më 01 Nëntorë 2019
Eliot Engel: Kosova pranon marëveshje nëse përfiton dicka, por e shohin se nuk fitojnë asgjë”
Kongresisti amerikan Eliot Engel, tha sot se Kosova duhet të marrë diçka në këmbim të detyrave që realizon. Duke folur për gazetarët në Bruksel, Engel kujtoi ratifikimin e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, pas së cilës gjë Bashkimi Evropian i ka premtuar liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. “Kjo gjë (liberalizimi i vizave) nuk ka ndodhur ende dhe është zhgënjyese”, tha Engel. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi qysh në mars të vitit të kaluar. “Po qe se Kosova e sheh se nëse përgjigjet pozitivisht, fiton diçka pozitive, atëherë nuk do të kishte problem. Problemi ekziston se ata po e shohin se nuk fitojnë asgjë”, tha Engel.
Komentet vijnë pas presionit të shtuar amerikan mbi Kosovësn që të tërheqë taksën 100% që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur në disa raste se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se taksa është kundër interesave amerikanë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, derisa të mos hiqet taksa. Engel tha se edhe Qeveria e Serbisë duhet të ndryshojë qëndrim dhe të mos vazhdojë mbajtjen e Kosovës jashtë organizatave ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTERPOL, si dhe të mos përpiqet t’i bindë shtetet për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.Engel tha se shpreson se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të dalin me një plan për ecjen pëpara dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Thaçi: Adem Demaçi ishte babai i pavarësisë së Kosovës
Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë homazhe tek varri i Adem Demaçit, raporton Gazeta Blic.
Thaçi në një prononcim për medie, Demaçin e quajti baba të pavarësisë së Kosovës i cili, siç u shpreh ai, gjithë jetën e tij e investoi për të ardhmen e vendit.
“Njeriu i cili i dha kuptim përpjekjeve tona për liri, simbolit të rezistencën kombëtare, babit të pavarësisë së Kosovës, njeriut që gjithë jetën investoi dhe sakrifikoi për të ardhmen euro atlantike për të ardhmen tonë.Prandaj nderime dhe respekt i përjetshëm simbolit dhe babait të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçit”, tha ai.