BSHM – Zvicër në përkrahje të BDSH

Bashkësia e Shqiptarëve të Maqedonisë në Zvicër ka dalur në mbështetje të qëndrimeve të fundit të shprehura nga Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni. 

“Komunikata dhe vlerësimet e BDSH janë shumë të qëlluara me kohë dhe moment të rëndësishëm. Bashkësia e shqiptarëve të FYROM-it përkrah këtë nismë të BDSH dhe zotëri Bardhylit, duke apeluar që partitë të cilat apostrofohen në këtë komunikatë të reagojnë pozitivisht si dhe institucionet shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë gjithashtu të reagojnë konform situatës së krijuar dhe të jenë më të vendosur dhe më të ashpër karshi politikës vrastare dhe poshtërues që po e ushtron formacioni i ashtuquajtur politik (në fakt organizatë terroriste fashiste) VMRO-DPMNE me puthadorët shqiptarë në pushtet. Kjo organizatë terroriste ka vënë të gjitha institucionet nën kontroll dhe vepron me shtetin sikur të ishte pronë private e saj dhe sidomos kur duhet të vriten dhe burgosen shqiptarët këtë e bën pa asnjë frikë se do t’i vije përgjigja e duhur nga dikush, kur të duan shkojnë me polici speciale dhe i bastisin shtëpitë e shqiptarëve!”, thekson BSHM.

Kjo shoqatë thekson se ka të drejtë të dyshojë se për shkaqe hakmarrje në aksionin “detonator” janë vrarë të rinjtë në Smillkovë dhe se këtu nuk kanë duar shqiptarët, më së paku ato amvise (vajza dhe gra shqiptare) të cilat i pamë në foto me duar lidhur të akuzuara për terrorizëm por që të nesërmen u liruan si të pa fajshme!

“Me qe besimi në këto institucione është zero, ne jemi në një linjë me BDSH dhe kërkojmë që partitë politike shqiptare në FYROM të dalin publikisht në përkrahje të kësaj nisme dhe së bashku të fillojmë t’i vëmë sendet në binar. Në ndërkohë institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës do të na e bëjnë ndihmën më të madhe sikur ato të sensibilizojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe të ndërpresin vizitat në FYROM për një kohë të gjatë, të ndërpresin fjalët e bukura të fqinjësisë së mirë me këtë shtet që terrorizon shqiptarët, deri sa ky shtet të fillon t’i trajton banorët e saj në mënyrë të njëjtë dhe të mos jenë shqiptarët gjithmonë fajtorë kujdestarë për marifetet e tyre mafioze kur ju humbin tenderët në konkurrencë! Policia e një shteti është në shërbim të popullit, në FYROM është e kundërta, ajo është në shërbim të klaneve mafioze që janë në majat më të larta të policisë”, thekson BSHM, duke i ftuar partitë politike shqiptare dhe intelektualët e pavarur që me vullnet të vendosur t’i bashkëngjiten thirrjes së BDSH-së.