Berisha shndërrohet në legjendë
Golat dhe replikat shënuan vitin e parë të Besart Berishës në Australi. Ai realizoi gati rregullisht, ndërsa disa herë pati replika e zënka me kundërshtarë dhe me bashkëlojtarët e tij në Brisbane Roar. Me gola dhe kundërthënie, sulmuesi kosovar edhe e mbylli edicionin 2011/2012.
Berisha të dielën realizoi dy gola për t’ia siguruar Brisbane Roarit titullin e kampionit të Australisë në futboll. Roari, në finalen e madhe të kampionatit, mposhti Perth Gloryn me rezultatin 2:1. Dhjetë minutat e fundit të ndeshjes ishin të magjishme për sulmuesin kosovar dhe për Brisbanen që u bë skuadra e parë që fiton titullin e A-Leagues së Australisë dy herë rresht. Berisha në minutën e 84-t shënoi gol të bukur me kokë për të barazuar shifrat në 1:1. Ndonëse gjyqtari kishte treguar vetëm katër minuta shtesë, Berisha në minutën e 95-të u rrëzua në zonë dhe siguroi penallti për Brisbanen. Ai mori përgjegjësinë që të gjuajë nga pika e bardhë dhe në minutën e 97-të shënoi golin që ishte i vlefshëm me fitore dhe me titull të Australisë.
Mediumet në Australi kanë shkruar se kjo ishte finalja me kontroverse në shtatë vite sa ekziston A-League. Ka pasur vlerësime se penalltia nuk ka ekzistuar fare, se Berisha ka simuluar e nuk është rrëzuar nga kundërshtari. Lojtarët e Perthit thanë se janë vjedhur. Por këto vlerësime i ka hedhur poshtë vetë sulmuesi energjik nga Prishtina .