Berisha-Ramës: S’do mund të fshihesh nëse përsërit puçin
Çdo tentativë e kreut të PS, për dhunë do të marrë ndëshkimin ekzemplar, dhe askush tjetër përveç atij. 27 policë dhe 81 gardistë të plagosur në mbrojte të institucioneve. Prokuroria i ka dhënë imunitet total opozitës
Kryeministri Berisha i bëri dje një apel të qartë kryetarit të Partisë Socialiste, të heqë dorë në mënyrë kategorike nga nxitja e protestave të dhunshme, ndërsa garantoi se nëse Rama tenton të përsërisë në një rast të dytë aktet kriminale të 21 janarit, ai personalisht do të marrë ndëshkimin ligjor më ekzemplar. Deklaratat, Kryeministri Berisha i bëri dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ku dhe informoi ministrat dhe mbarë qytetarët për nxitësit e demonstratës së dhunshme të premten që shkoi. Ai theksoi se çdo tentativë e kryetarit të opozitës për dhunë ndaj institucioneve do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër nuk do të ndëshkohet përveç atij. “Tani dua t’i them atij në mënyrë përfundimtare. Këtë mesazh unë ia kam përcjellë edhe qeverive të vendeve partnere, se në një rast të dytë, do ta garantoj se kurrë më nuk do të mund ta mendoj. Ky është vendimi im përfundimtar. Çdo tentativë e tij për dhunë ndaj institucioneve do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij. Ky nuk është një kërcënim. Unë nuk kërcënoj njeri, por unë nuk jam kurrë ai që hedh gurin dhe fsheh dorën. Kjo është jashtë çdo lloj morali tim. Tentove më, të rrethosh Kryeministrin do të gjesh vetëm atë që meriton banditi që të rrethon. Nuk do të merrem në mënyrë absolute me asnjë njeri tjetër. Paraprakisht iu them se cilido tjetër është i amnistuar, përveç atij. Nuk rrethohet një Kryeministër i zgjedhur me votën e lirë. E bëre njëherë se je ky që je, e bëre për së dyti do të kesh përgjigjen më totale që mund të jepet. Do të ketë zero tolerancë ndaj prekjes së çdo institucioni. Toleranca do të jetë zero”, u shpreh Kryeministri. Berisha bëri të ditur mbledhjen e Parlamentit për të krijuar Komisionin hetimor Parlamentar për puçin e organizuar ndaj institucioneve. Duke iu referuar aktit të Prokurorisë së Përgjithshme për të lëshuar një urdhër-arresti për 6 punonjësit e Gardës së Republikës, Berisha theksoi se organi i akuzës i ka dhuruar të plotë opozitës duke mos hetuar asnjë dosje korrupsioni të qeverisë së mëparshme socialiste, si dhe të asnjë eksponenti të qeverisë vendore aktuale socialiste. Kryeministri e cilësoi si të papranueshëm anësimin total të Prokurorisë për qëllime që siç theksoi do të qartësohen, për problemin që u zhvillua si një grusht shteti ditën për drekë, u orkestrua dhe u drejtua nga lideri i opozitës. Po ashtu Kryeministri njoftoi në këtë mbledhje se manifestimi i planifikuar për ditën e mërkurë, të mos bëhet në këtë ditë, por të bëhet ditën e shtunë, për të mos ndërprerë punën, si dhe në mënyrë që ai të ketë një karakter edhe më festiv, edhe më të bukur.
Nëse do të ketë një rast të dytë, ndëshkim ekzemplar ndaj Edi Ramës
Dua t’i them Ramës në mënyrë përfundimtare. Këtë mesazh unë ia kam përcjellë edhe qeverive të vendeve partnere, se në një rast të dytë, do ta garantoj se kurrë më nuk do të mund ta mendoj. Ky është vendimi im përfundimtar. Çdo tentativë e tij për dhunë ndaj institucioneve do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij. Ky nuk është një kërcënim. Unë nuk kërcënoj njeri, por unë nuk jam kurrë ai që hedh gurin dhe fsheh dorën. Kjo është jashtë çdo lloj morali tim. Tentove më, të rrethosh Kryeministrin do të gjesh vetëm atë që meriton banditi që të rrethon. Nuk do të merrem në mënyrë absolute me asnjë njeri tjetër. Paraprakisht ju them se cilido tjetër është i amnistuar përveç atij. Nuk rrethohet një Kryeministër i zgjedhur me votën e lirë. E bërë njëherë se je ky që je, e bëre për së dyti do të kesh përgjigjen më totale që mund të jepet. Do të ketë zero tolerancë ndaj prekjes së çdo institucioni. Toleranca do të jetë zero. Ky zotëri iu faktoi ju dhe mbarë botës se nuk do dhe nuk pranon të ndjekë asnjë rregull demokratik. Ky humbi zgjedhjet dhe humbi votën tuaj. Do iu rikujtoj këtu dhe njëherë dialogun e tij me një nga bashkëpunëtorët e tij, të bërë një muaj më parë. Bashkëpunëtori i tij i thotë, “na tërhoqe zvarrë nga dështimi në disfatë. Ka dy vjet që Berisha tallet me ty e ti tallesh me ne, se do të bëjmë këtë e atë dhe nuk bëjmë asgjë. Ç’të bëj unë thotë, ai më ka vjedhur votat. Atëherë më jep një fakt, i thotë dhe unë do të tërheq publikisht të gjitha ato që kam thënë për ty. Por nuk kam fakte, thotë ai, prandaj dhe nuk shkruhej dot fjala “fakt” në kërkesën për hetim. Pra, ky kërkon pushtet me çdo kusht. Ia bëj këtë paralajmërim, uroj që t’i shërbejë. Por e bëje këtë dhe para të gjithë shqiptarëve, që në qoftë se prek më, institucionet do të jetë ai dhe vetëm ai kryebanditi që do të marrë koston e tyre, askush tjetër. Të paguajë zjarrëvënies, të bëjë ç’të dojë, unë jam i vendosur të respektoj opozitën dhe nuk do të ketë as gjendje të jashtëzakonshme, as kufizim të lirive, as njëra dhe as tjetra. Opozita dhe kushdo do të protestojë sa të dojë në mënyrë paqësore, ndërsa zotëria e tij po e përsëri do më detyrojë t’i qëndroj fjalës sime. Ky është mesazhi im që unë jua kam dhënë të gjitha kancelarive partnere, por natyrisht këtë mesazh nuk mund të mos jua them qytetarëve shqiptarë. Dua gjithashtu të garantoj shqiptarët se qeveria është vendosur të bëjë gjithçka për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne kemi instaluar mekanizmin me preçiz në glob, për numërimin e votave. Kujto që t’i duket kjo e pabesueshme, unë e ftoj të vijë dhe të kontrollojë rinumërimin e Shkodrës, ku për shkak të rregullit të vetos dhe të teknologjisë së numërimit, rezultoi gabimi, në mijëra vota, vetëm me një votë të vetme. Ky standard do të konsolidohet edhe më tej me gjithçka tjetër që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, në vullnetin e tyre të plotë.
Skenari për grushtin e shtetit nisi me montimin e videos
E thirra këtë mbledhje për t’iu informuar ju, opinionin publik shqiptar, qytetarët e vendit, mbi të gjitha zhvillimet e këtyre ditëve, skenarin e një puçi, e një përpjekje të qartë, evidente për të marrë pushtetin me dhunë, nga një treshe, tashmë e njohur, Edvin Kristaq Rama dhe dy ministrat e diktaturës komuniste Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi. Në këtë përpjekje, Edvin Kristaq Rama mendonte se, atë që nuk e realizoi dot me votën e lirë të shqiptarëve, do ta realizonte me dhunën e banditëve, trafikantëve, bashibozukëve të paguar, duke shfrytëzuar një montim të turpshëm të tij. Dhjetë ditë më parë, paraqiti para shqiptarëve në Top Channel një video, në të cilën rezultonte zëvendëskryeministri Meta, në një bisedë me ish-ministrin Dritan Prifti. Siç e panë të gjithë shqiptarët manipulimi ishte grotesk, sepse kaloi në këtë video, nga minuta 13 e 29 sekonda e 43 sekonda kaloi menjëherë në 13 e 30 minuta e 4 sekonda. Pra, edhe për syrin e pavëmendshëm, videos i ishin hequr rreth 30 sekonda. Të nesërmen e denoncoi publikisht. E gjetur nën presionin midis personave me kredo profesionale, në atë media, të shndërruar në hanxhar politik të Edi Ramës apo nën trysninë e proceseve të mëparshme të rënda të humbura nga këto manipulime, Top Channel të nesërmen transmeton segmentin e shkëputur, ku rezulton se zëvendëskryeministri Meta nuk kishte folur as edhe një fjalë të vetme me ministrin Prifti, ku i referohej Kryeministrit për hidrocentralin e Shkumbinit, por kishte folur për zëvendësimin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, më parë emërtesë e Partisë Demokratike në marrëveshje, por që më pas, në marrëveshjen me Lëvizjen Socialiste për Integrim kishte kaluar për të, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim kishte gjetur një ekspert të asaj fushe dhe unë duhet të zbatoja marrëveshjen dhe zëvendëskryeministri Meta, pasi më kishte raportuar për kandidaturën dhe aftësitë e tij, kishte kërkuar normalisht zbatimin e marrëveshjes. Natyrisht, në opinionin publik pati një vlerësim shumë të rëndë për këtë manipulim. Nga ana tjetër, unë në informacionin tim të plotë duhet t’ju bëj me dije se pjesa e dytë e videos që nuk u shfaq, kishte një manipulim dhe më të rëndë e më të turpshëm, ku emri i një burri, ndonëse në shqipërim ishte emri i një burri, me titra shkruhej emri i bashkëshortes sime etj. Pra, ishte punuar në një skenar në mënyrë që nëse e para kalon, e dyta, të vazhdojë dhe kjo ishte mënyra sesi duhej përlyer Kryeministri dhe nxitur, po të ishin të vërteta, do të ishin normale, protestat dhe revoltat ndaj tij, siç ndodhi me Gjyrsanin në Hungari. Por aty ishte zëri i tij, këtu ishte zëri i çakallit dhe Edvinit. Një njëri i vetëm në Shqipëri, mbrojti sërish videon dhe ky ishte Edvin Kristaq Rama, i cili në mbledhjen e Asamblesë deklaroi se videoja nuk është e montuar, i cili më pas iu deklaroi shqiptarëve se videoja nuk është e montuar dhe e mbrojti atë në mënyrën më patologjike, duke i thënë të zezës e bardhë dhe të bardhës e zezë.
Hapi i dytë i grushtit të shtetit, shpallja e demonstratës popullore në ditën e Leninit
Më pas, vazhdoi skenarin, vendosi në mbledhjen e Asamblesë thirrjen e demonstratës popullore të fuqishme në Tiranë. Zgjodhi ditën e Leninit, për të inkurajuar banditë, kriminelë, terroristë të të gjitha markave, shpërndau qindra milion lekë, pagesa të dyfishta, pagesën për të ardhur në demonstratë që ishte rreth 10 mijë 20 mijë lekë dhe pagesën për të qëlluar me gurë dhe dhunë ishte rreth 200-300 mijë lekë të vjetra. Këto i bënë haptas në sy të publikut, në të katër anët. E spostuan në Parlament skenarin e puçit, ku bënë gjithçka që të tregonin se ata në atë sallë mund të mposhtin Kryeministrin e vendit, mund ta linin pa folur atë. Kushtetuta e këtij vendi përcakton se Kryeministri i vendit ka të drejtë të marrë fjalën, sa herë të dojë dhe ta zgjasë sa të dojë, në Parlamentin e vendit. Është ky kryetari i mazhorancës dhe këtë atribut ia jep Kushtetuta. Por, këtë vit, si asnjë vit tjetër Kryetarja e Parlamentit, për shkak të problematikës që ka pasur ky Parlament me qëndrimin e opozitës ka përdoruar një standard të ri, më demokratikun që ekziston. Që nga marsi derimë sot, fjala i jepet sa herë e kërkon dhe për sa kohë dëshiron të flasë lideri i minorancës në Parlament. Ky është një rregull i drejtë, është një zhvillim pozitiv në Parlamentin tonë, në këtë kontekst zoti Ruçi mori fjalën 45 minuta, shau sa deshi, tha çfarë i tha goja dhe u ul, duke mos ia ndërprerë askush as edhe për një sekondë fjalën. Pas kësaj, natyrisht mora fjalën unë dhe sapo përmenda të vërtetat për Edi Ramën, të vërtetat, sepse në mënyrë absolute asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do t’i lejoj vetes ndaj atij apo kujdo tjetër të hedhë një akuzë të pa vërtetuar. Sapo përmenda qëndrimet e tij publike, të zhveshura në plazhe, sapo unë përmenda dosjen që ia ka botuar miku i tij më i ngushtë sot, në gazetën e tij, e cila fakton se zotëria ka akuzuar të atin si baba për të birin dhe nuk ka pranuar për të bërë analizat që të vërtetohet se cila është atësia, një gjë shumë e rëndë, si dhe episode të tjera të rënda, ata u hodhën të gjithë në një histeri kolektive të vendosur të urdhëruar për të mos lejuar Kryeministrin të flasë. Gjë e cila nuk mund të ndodhë kurrë. Kurrë ndonjëherë nuk më shkon mendja t’i pres njeriu fjalën, por as të më pritet fjala. Skenari vazhdoi, kërcënimet se do ta shohësh sesi do të jesh në datën 21 vazhduan. Zoti Rama deklaroi se ne ftojmë popullin, por popullin nuk e kontrollojmë. Leitnantët e tij, Gjinushi deklaroi se do të instalojë skenarin e këtij vendi apo atij vendi, pra do të marrin pushtetin me dhunë. Unë dua t’u rikujtoj qytetarëve vetëm një moment, më datën 20 në darkë kemi qenë në mediat private në intervista të veçanta. Më datën 20 kam shprehur vendosmërinë time për të respektuar në mënyrën më të palëkundur të drejtën e protestës dhe çdo të drejtë tjetër kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Kam garantuar se nga ana e forcave të rendit do të ketë respekt të plotë të kësaj të drejte, sikundër kam deklaruar se nëse do të përdoret dhuna, do të zbatohet ligji. Në të njëjtin moment në të njëjtën orë, në të njëjtën ditë, në “Top Story”, zoti Rama deklaron se, “ne do të dalim në demonstratë si pjesë e popullit për të qenë në krah të popullit dhe jo si herët e tjera që kemi pasur kërkesat tona për transparencë. Populli mund të tejkalojë opozitën, mund të mos dëgjojë opozitën, populli mund të bëjë atë që bën.
Rama ftesë kontingjentit kriminal për pjesëmarrje në demonstratë
Demonstrata e 21 janarit është vënia në veprim e popullit, pas ezaurimit të të gjitha mundësive për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, institucionet dhe liritë e të drejtave të qytetarëve, përmes përpjekjeve politike të opozitës”. Pra, është një ftesë direkte që i bëhet bandave të Edi Ramës të tejkalojnë institucionet, Kushtetutën, rendin. Të nesërmen në mëngjes, më datën 21 kam thirrur në zyrën time, ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Ju kam dhënë porosi të plotë dhe të veçantë, se do të shmanget çdo provokim ndaj protestuesve, do të tolerohet gjithçka që është e mundshme. Natyrisht nëse ka dhunë do të zbatohet ligji, por për gjëra të vogla sharje, e gjëra të tilla të mos veprohet. Kam marrë garanci të plotë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe i kam kërkuar që edhe psikologjikisht të bisedojë me trupën e policisë që të shmangë çdo lloj provokimi. Kjo ishte porosia, ndërkohë që kisha fiksuar më parë një drekë me një ambasador të një vendi mik dhe unë në orën 13:00 u ula dhe drekova. Demonstrata ndërkohë filloi, në ora 14:15 minuta u ktheva në zyrën time sepse ishte ditë pune. Të gjitha skenat janë parë, ku mbi policinë, mbi ata djem, burra, bashkëshortë, baballarë, prindër që qëndruan në krye të detyrës vërshuan nga hordhitë e Edi Ramës, dhjetra mijëra, tulla, gurë, në mënyrën më barbare. Edvin Kristaq Rama ishte futur në lokalin e Fidelit dhe pasi dha urdhër dhe orientimin e bandave, nga bulevardi drejt Kryeministrisë, drejtonte operacionin e turpshëm nga kulla karshi. Kishte rrethuar Kryeministrin e vendit, priste që të dilte fitimtar, të vinte dhe të ulej në karrigen e tij, pasi bandat, banditët, kriminelët, trafikantët të kalonin të gjitha mekanizmat e mbrojtjes dhe ai me padurim priste karshi dhe karrigia e Fidelit filloi t’i dukej e ngjashme me atë të Kryeministrit dhe me padurim priste që të ulej aty.
Policia dhe punonjësit e Gardës, mbrojtje rendit kushtetues
Forcat e rendit, Garda e Republikës bënë një mbrojtje të shkëlqyer, zmbrapsën të gjitha sulmet banditeske të bëra me armë. Kryeministria ka marrë plumba dhe këtë e kemi të dokumentuar, të bëra me shishe molotov, të bëra me gurë, me ujë dhe me të gjitha mjetet. Uji dhe armë të tjera iu ishin dhënë demonstruesve nga Policia Bashkiake. Pesë orë vazhdoi përpjekja e grushtit të shtetit, 5 orë vazhdoi përpjekja për të marrë Kryeministrinë. Në një moment banditët thyen derën, nga e cila hynë të gjithë të tjerët, përveç delegacioneve kryesore, u futën në territorin, në të cilin përgjigjja është sipas rregullores së gardës, fillimisht qëllohet në ajër dhe pastaj asgjësimi i çdo rreziku cilido qoftë. Fatmirësisht punonjësi i gardës në atë moment e kaloi duke qëlluar në ajër dhe aty brenda oborrit nuk mbeti asnjeri i vrarë.
Ilir Beqja urdhëroi futjen e një makine brenda kryeministrisë
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, sipas një informacioni, kishte marrë një makinë, të cilën ia kishte dhënë banditëve, me qëllim për ta futur në oborrin e Kryeministrisë, në mënyrë që me makinë të hapnin derën. Mendonin që me makinë do të vinin deri tek dera, por aty kishte një pritë hekuri dhe pas pritës së hekurit kishte një pritë tjetër zjarri, por ata nuk e dinin dhe makina mbeti aty ku ishte. Puçi dështoi, qytetarët e Tiranës kanë një meritë historike, pasi bojkotuan tërësisht protestën, por dhe mijëra socialistë që erdhën për protestë paqësore, të gjitha mediat i kanë parë, kanë qëndruar tek ura. Kur e panë gjëmën që e kishte kurdisur Edi Rama për pushtetin dhe karrigen e tij i thanë, “No Sir, ne nuk jemi këtu për të marrë pushtetin me dhunë, por kemi ardhur për protestë”. Ngjarja ishte më e shëmtuara që mund të bëhej. U përpoq që të sillte një skenar jashtë të gjithë kontekstit, por nga ana tjetër harroi se ishte bërë njëherë një prove për ta lëvizur nga zyra Sali Berishën, por që kishte marrë përgjigjen e merituar, në kushte shumë më të vështira se këto. Pas atyre orëve për të cilat unë edhe njëherë dua të shpreh në emër të të gjithë shqiptarëve, mirënjohjen dhe falënderimin tim për forcat e rendit dhe të Gardës së Republikës.
27 policë dhe 81 gardistë të plagosur në mbrojte të institucioneve
Janë plagosur 27 policë dhe 81 gardistë, në mbrojte të institucionit, të Këshillit të Ministrave, në mbrojtje të rendit kushtetues. Skenari ishte ky: Do të merrej ndërtesa e Këshillit të Ministrave, do të merrej ndërtesa e Parlamentit, do të merrej ndërtesa e televizionit dhe e ndonjë ministrie. Në këtë skenar, rezistenca tek Kryeministria bëri që skenari të dështojë. Unë dëshiroj që të ftoj qytetarët që këtë ngjarje të shëmtuar të punojnë së bashku për të rikuperuar, një imazh realisht të dëmtuar, ku në një vend të NATO-s, ditën për drekë, bëhet përpjekje për të përmbysur një qeveri legjitime. Në një vend të NATO-s, ditën për drekë kryetari i opozitës me dy ish-ministra të Enver Hoxhës, rrethon qeverinë, drejton operacionin për përmbysjen e qeverisë. Pesë orë me radhë, sulm i pandërprerë, ku u plagosën 27 policë, 81 gardistë, mbeten 3 viktima, për të cilat të dhënat e para ishin përafërsisht të sakta, por jo tërësisht të sakta. Të dhënat për plumbin ishin të sakta, kalibri u provua, të gjitha plumbat kishin mbetur brenda trupit. Natyrisht këto të dhëna u morën nga Spitali Ushtarak. Në ekspozenë time para shqiptarëve kërkova që Prokuroria e shtetit të bëjë të gjithë hetimin, shpreha ngushëllimet për familjet e viktimave dhe kërkova si në çdo vend të lirë, të bëhen hetimet plota për të zbardhur rrethanat e vrasjes së tyre. Erdhën të paguar, erdhën për të sulmuar, erdhën për të dhunuar një institucion. Kjo nuk më pengonte mua aspak dhe nuk më pengon kurrë për të kërkuar çdo hetim, për çdo jetë të humbur kudo që të ndodhen. Ky është rregulli i një vendi të lirë. Pas konferencës së shtypit i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh të vetin, përveç asaj që ka garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat. Opozita menjëherë tha se viktimat janë vrarë nga snajperët. Pasi ai që komandonte gardën dikur dhe komandonte rebelët atë ditë i garantoi se kjo nuk është punë snajperi, sepse ai e dinte se ku vendoseshin snajperët dhe si operonin snajperët, ata dolën me pretendimin që është qëlluar nga dritaret e Kryeministrisë. Ishte një mashtrim. Nga dritaret e Kryeministrisë nuk do të qëllohej, por do të qëllohej ndaj çdo personi që do të shkelte brenda. Ishin të ndara detyrat. Kryeministri ishte në krye të detyrës. As edhe një e shtënë e vetme nuk mund të dilte nga dritaret e saj, në mënyrë kategorike. Mbrojtja e institucionit kishte rregullin e vet. Ata që ishin brenda do të qëllonin vetëm ndaj atyre që do të hynin me forcë brenda. Pastaj po me ndihmën e mediave ata paraqesin një ushtar të gardës që qëllonte në ajër. Asgjë, nuk ka asnjë lloj komenti. Ka vetëm një koment që ky Kryeministër i ka kërkuar atë ditë, pas 5 orësh i rrethuar, Prokurorisë së shtetit të bëjë hetim të plotë dhe të gjithanshëm vrasjes së këtyre viktimave, të sjella nga Edi Rama, të paguar nga Edi Rama, të ftuar nga Edi Rama, të orkestruar nga Edi Rama për të marrë Kryeministrinë.
Prokuroria lëshoi urdhër-arrestin pa nisur hetimin
Në orët më të para të mëngjesit, ministri i Brendshëm dje më informon se Prokuroria e shtetit, pa as edhe një hetim të vetëm, pa edhe një analizë balistike lëshon urdhra arresti, për të gjithë zinxhirin komandues të gardës, nga komandanti, gjeneral i gardës, tek ushtari, ndërkohë që garda funksionon me rregullore, ushtari që qëndron aty sipas rregullores ka urdhër që nëse hyn kush qëllohet në ajër dhe nëse nuk largohet duhet asgjësuar. Ky është rregulli i mbrojtjes së çdo institucioni. Ministri i Brendshëm i thotë Prokurores së Përgjithshme: Zonjë e nderuar, kjo do të thotë të inkurajosh me këtë urdhër arresti, me dekapitimin e gardës, një sulm të dytë ndaj institucioneve. Garda është për mbrojtjen e institucioneve. Por, unë të garantoj që asnjëri prej tyre nuk do të largohet nga Shqipëria dhe secili prej tyre është i gatshëm që të vijë që tani për hetim të plotë të gjithanshëm, për t’u pyetur për çdo gjë, por mbi bazën e një hetimi. Prokurorja e Përgjithshme i shprehet ministrit, le të vijnë, por ne pak do t’i mbajmë me të tjerët, pra me një fjalë ishte një kapitull i dytë këtu. Po shpalosej një kapitull i ri. Specialistët thonë se nuk janë zbatuar nenet dhe se ka nene në Kodin e Procedurës Penale se kur nuk zbatohet mandati i arrestit. Ndërkohë kryetari i opozitës deklaronte në konference shtypi se do të ndërmarrë demonstratën kundër horrave të gardës, pra shpalli horra heronjtë që mbrojtën institucionet, që nuk e lanë që nga kthina e Fidelit të ulej në karrigen e Kryeministrit. Në këto rrethana, të dashur qytetarë, ndonëse fshati që duket nuk ka nevojë për kallauz, siç thotë populli, unë iu garantoj ju dhe familjet e viktimave, të cilat po jua ekzekuton për së dyti Edi Rama, se herën e parë ai i solli, ai i pagoi, por për së dyti po i ekzekuton me këto që po bën, se qeveria do të bëjë gjithçka për hetim të plotë të rrethanave të humbjes së këtyre jetëve.
Prokuroria i ka dhënë imunitet total opozitës
Kam kënaqësinë t’u informoj se unë sot kam takuar të gjithë ambasadorët e NATO-s, e vendeve të BE, drejtuesit kryesore të misioneve më kryesore ndërkombëtare, misionit të KE dhe të OSBE dhe fjala ime ka qenë se çdo vend që do të sjellë ekspertë për zbardhjen e këtyre rrethanave është shumë i mirëpritur. Në një grusht shteti mund të vriteshin tre, mund të vriteshin shumë më tepër, mund të mos vritej njeri. Këto janë rrethanat. Është në memorien e shqiptarëve, është në memorien e Evropës, ndaj dhe natyrisht në një kapitull të dytë, të ditës së parë, ata që e kanë planifikuar, do të marrin dështimin e ditës së parë. Unë të dashur qytetarë do të them dy gjëra për Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo zonjë qëkur është emëruar me votën time dhe të gjitha mazhorancës ka adaptuar dy standarde për të cilat unë në mënyrën më të hapur kam bërë deklaratën time. Kjo zonjë qëkur është ulur në atë karrige derimë sot, nuk ka hapur qoftë edhe një çështje ndaj asnjë eksponenti të qeverisë së mëparshme, ndaj asnjë eksponenti të qeverisë vendore aktuale socialiste. Iu ka dhuruar imunitet të plotë. Kjo zonjë ka hapur me qindra dosje ndaj mazhorancës, administratës së saj. Qëndrimi im ka qenë një falënderim i sinqertë, për penalizmit që i ka bërë, që i bën dhe do t’i bëjë qeverisë dhe opozitës. Pse kjo, të dashur qytetarë, sepse një nga mësimet e para në karrierën time politike, por dhe më të çmuara në të gjitha karrierën politike e kam nga Ronald Regan që, “Qeveria është problemi kryesor” dhe unë e kam lexuar këtë, në një kohë kur nuk e dija se çfarë ishte qeveria, kur nuk kisha marrë kurrë pjesë në qeveri. Por kjo ide është një nga të vërtetat më të mëdha dhe asgjë nuk ndihmon më shumë një qeveritar, sesa ta mbajë të shkruar, në muret e zyrës së tij edhe pa gërma, por në memorie dhe në mendjen e tij këtë mësim të Presidentit Regan. Prokuroria ka të drejtë, në rrafshin e korrupsionit, qeveria dhe administrata janë problemi kryesor. Opozita e sotme, dje në qeveri, ndërtoi sistemin e korrupsionit që ne shembëm. Opozita e sotme ka aferat më të mëdha korruptive. Në këtë kontekst, impuniteti total ndaj opozitës është një dëm i madh që Prokuroria e shtetit i ka bërë opozitës. Ka menduar që e ka mbrojtur, por është mbrojtja më e keqe, me koston më të lartë. Aferën e fundit, në të cilën zoti Rama u akuzua me kontratë, se kishte marrë 20% për lejen e ndërtimit dhe planin e rregullimit nëpërmjet lepurit të tij, po e ndiqja me vëmendje, i bindur dhe i sigurtë se mikesha e avllajve do ta mbyllte. Prokurorja ka weekend brenda dhe jashtë shtetit, nga Avllai tjetër dhe me lepurin ndonjëherë. Dhe e vërteta është që ia kam thënë prokurores këtë. E mbylli për Avllain, apo e mbylli për Ramën, kjo nuk dihet, por nuk e thirri njëherë për t’i bërë një pyetje kryetarit të Bashkisë, i cili për atë zonë, një firmë holandeze kishte bërë një plan për pallate me 35 kate, si askund në territorin e këtij vendi. Por të gjitha këto ishin të pranueshme, me vështirësi, por për mua e rëndësishme dhe kryesore ishte që ajo dhe ekipi i saj qëndronte ndaj çdo dosje që dërgohej nga policia kriminale dhe dilte në media dhe për mua kjo ishte më kryesorja. Tani kemi një situatë pak të ndryshme. Deri tani gjithçka ishte e pranueshme. Ajo që është tërësisht e papranueshme është anësimi i saj total për qëllime që do të qartësohen në problemin më tronditës për shqiptarët, në një problem që u zhvillua si një grusht shteti ditën për drekë, u orkestrua dhe u drejtua nga lideri i opozitës.
Ina Rama bashkëpunim me Edi Ramën për urdhër-arrestin
Dje pasdite zonja Ina Rama merr në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili më kishte informuar se në atë urdhër arresti që kishte lëshuar për të gjithë zinxhirin komandues të gardës kishte lapsuse të papranueshme, për të cilat zoti Burgaj i thotë: Zonjë ju i keni prurë me lapsuse, prandaj rregulloni lapsuset dhe pastaj sillini dhe i mbyll telefonin. Pas 30 minutash Edvin Kristaq Rama del në media dhe denoncon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë se i thotë prokurores se urdhër arrestet janë me lapsuse. Cila ishte arsyeja që prokuroria i raportonte Ramës, kjo do të sqarohet. Pra kemi të bëjmë me një situatë, me një ecuri të mëtejshme të këtij problemi, ndaj dhe sot ne do të mbledhim Parlamentin do të krijojmë Komisionin Hetimor parlamentar për puçin. Kjo është ajo çka ka dalë në sipërfaqe, por ka dhe elementë të tjerë.
Manifestimi i maxhorancës kundër dhunës, ditën e shtunë
Sikundër më duhet të informoj publikun se sot të gjitha takimet që kam patur me trupin diplomatik, të cilin e kam informuar për këto dhe disa probleme më të veçanta, miq të Shqipërisë, përfaqësues të vendeve që kanë investuar për këta qytetarë qindra e qindra milionë euro dhe dollarë, kanë shprehur rezervën e tyre për manifestimin e thirrur ditën e mërkurë. Unë i sqarova ata që ky manifestim është tërësisht paqësor dhe nuk synon në mënyrë absolute gjë tjetër veçse një manifestim për vlerat qytetare dhe kundër dhunës, gjithashtu i garantova se kontrolli do të jetë i plotë. Megjithatë pasi u ndava me ta u mendova që ky manifestim të mos bëhet ditën e mërkurë, por të bëhet ditën e shtunë, të mos ndërpresim punën dhe ta përgatisim edhe më festiv, edhe më të bukur. Natyrisht unë nuk mund të them se nuk mund të mos marrë në konsideratë shqetësimin e miqve, partnerëve të vendit tonë, ndaj dhe ka një arsye të dytë, e cila është një arsye madhore, sepse e vërteta është që unë ditën e enjte mund të udhëtoj në Strasburg dhe aty problemi është që pavarësisht nga këto rrethana të krijuara nga grushti i shtetit, mbase edhe do të shkoj, përveçse kjo një festë e bërë shumë muaj më parë nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, koinçidon dhe me faktin se një ditë para se unë të jem aty, zhvillohet debati për Dick Marty-n, delegacioni ynë parlamentar duhet të jetë aty. Kjo është edhe arsyeja që Parlamenti po mblidhet sot, sepse nesër ata do të nisen herët në mëngjes. Situata është absolutisht dhe totalisht nën kontroll. Kam patur dhe dua ta them këtu edhe për shqiptarët, edhe për kancelaritë e vendeve mike, se kreu i opozitës rrethoi Kryeministrinë, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin e vendit për 5 orë për të marrë pushtetin, kreu aktin më të shëmtuar, më antikushtetues, më ulët që mund të kryhet, në mënyrën më evidente, ditën për drekë, para të gjithë kamerave, para syve të qytetarëve dhe të gjithë botës.