Shekulli Online-TIRANË – Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka deklaruar sërish dje se kriza politike nuk do të zgjidhet përmes hapjes së kutive të votimit. Kreu i mazhorancës qeverisëse, duke folur dje në Kuvend, vuri në dukje se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit nuk do të merret parasysh, si rrugë për zgjidhjen e ngërçit politik dhe se qeveria që ai drejton do të aplikojë votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme, me qëllim shmangien e kontestimeve.

Në këtë mënyrë, sipas Berishës, nuk do të ketë më kuti votimi që të kërkohen për t’u rihapur nga opozita. Ai u kërkoi gjithashtu socialistëve që të ndalojnë akuzat ndaj komisionerëve të tyre për manipulime në procesin e numërimit gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Berisha ka ironizuar ndaj deputetëve socialistë, duke theksuar se ata kanë frikë nga aplikimi i votimit elektronik dhe se do të mjaftohen vetëm me stilolapsat me bateri që përdorin në Kuvend. “Por, e bukura është se do t’ju nxjerr edhe juve nga kutia. Po, po, do t’ju nxjerr. Do t’ju nxjerr edhe juve nga kutia. Nuk do të ketë në zgjedhjet e ardhshme, as kuti, as komisione, as fletë votimi. Prit, prit, keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorikë. Më dëgjoni mua. Do të marrë fund gjyqi i shëmtuar publik që po u bëni çdo ditë në Parlament 20 mijë komisionerëve socialistë. Nuk ka më komisionerë, ka vetëm votim me gjurmën e gishtit të bazuar me IT. Nuk do të ketë më fletë votimi, do të ketë ekrane fletë votimi, nuk do të ketë më kuti votimi, se çfarë do të thoni ju më pas kur t’ua heq kutitë unë juve. Më thoni mua. Ju do të keni sërish stilolapsat për të filmuar, i merrni këto se do t’ju jap edhe bateritë”, – tha dje Berisha.

Ruçi
Por, këtë qëndrim të Kryeministrit Sali Berisha, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e cilësoi si një shmangie ndaj kërkesës themelore të opozitës për hapjen e kutive të votimit, si rruga kryesore për daljen nga situata aktuale politike. Sipas Ruçit, në vend që Kryeministri Berisha të shprehë vullnetin e tij politik dhe të ofrojë zgjidhje për të dalë nga kriza politike, po kërkon të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik. Kreu i grupit socialist, i ritheksoi edhe një herë shumicës në pushtet, se nuk ka zgjidhje të krizës politike pa bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve. “Kryeministri vjen për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik, dhe aq më tepër që të kontribuojë për uljen e situatës politike, dhe të shprehë një vullnet të mirë, bën sikur nuk shikon, bën sikur nuk dëgjon dhe aq më pak të gjykojë për krizën politike, ekonomike dhe institucionale të këtij vendi. Mirë që vini dhe nuk po e shikoni këtë krizë dhe që nuk po dëgjoni opozitën që po ju flet për këtë krizë, që nuk po dëgjoni dhe të përcaktoni rrugën për të zgjidhur krizën, por, të paktën mos mashtroni opinionin publik. Në vend që ta shikosh krizën politike dhe kërkesën e opozitës për bërjen e transparencës, përsëri hedh shashkat e radhës, bën demagogjinë e radhës dhe bën angazhimin e radhës. S’ka zgjidhje të krizës politike pa bërë transparencën e zgjedhjeve”,- u shpreh Ruçi. Ai nënvizoi se zgjedhjet mund të kryhen me votim elektronik, por vetëm kur të jetë kryer transparenca e zgjedhjeve të fundit si dhe përmirësimi i Kodit Zgjedhor. “Mos harroni që jeni Kryeministri ’96-ës, sesi i manipuluat ato. Mos harroni Kryeministër se ju kemi akuzuar direkt juve për 2009-ën, që vodhët zgjedhjet me listat elektronike dhe kartat elektronike, që e quanit kryeveprën e qeverisjes suaj. Mesa duket iu ka mbetur edhe një merak, mesa duket ky është meraku i fundit, pasi i vodhe me mjete primitive në vitin 1996-të, pasi i vodhe me karta të ashtuquajtura elektronike dhe me lista elektronike më 2009-ën, tani të ka mbetur të vjedhësh edhe me votim elektronik. Këtë, këto po u premton shqiptarëve. Shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që e siguron votimin elektronik apo zgjedhjet e lira demokratike, por jemi të gjithë bashkë”, – tha ai.

Dje në Kuvend
Replikat midis Kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Ruçi
Sali Berisha: “Por e bukura është se do t’ju nxjerr edhe juve nga kutia. Po, po, do t’ju nxjerr. Do t’ju nxjerr edhe juve nga kutia. Nuk do të ketë në zgjedhjet e ardhshme, as kuti, as komisione, as fletë votimi. Prit, prit, keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorikë. Kështu që, ju ndryshoni statutet unë do të ndryshoj procedurat e votimit. Ju ndryshoni statutet, unë do të dixhitalizoj votimin dhe pastaj çfarë do t’u mbetet juve. Jepini fund persekutimit që po u bëni 20 mijë burrave dhe grave të pafajshëm të partisë suaj. Lëreni mos u merrni me to, merruni me Sali Berishën, merruni me kritika ndaj qeverisë. Vazhdoni, por do të mbeteni, siç thotë Fan Noli në përkthimet e tij, si kofini pas të vjelit.”
Gramoz Ruçi: “Në vend që ta shikosh krizën politike dhe kërkesën e opozitës për bërjen e transparencës, përsëri hedh shashkat e radhës, bën demagogjinë e radhës dhe bën angazhimin e radhës. S’ka zgjidhje të krizës politike pa bërë transparencën e zgjedhjeve. Mos harroni që jeni Kryeministri ’96-ës, sesi i manipuluat ato. Mos harroni Kryeministër se ju kemi akuzuar direkt juve për 2009-ën, që vodhët zgjedhjet me listat elektronike dhe kartat elektronike, që e quanit kryeveprën e qeverisjes suaj. Mesa duket iu ka mbetur edhe një merak, mesa duket ky është meraku i fundit, pasi i vodhe me mjete primitive në vitin 1996-të, pasi i vodhe me karta të ashtuquajtura elektronike dhe me lista elektronike më 2009-të, tani të ka mbetur të vjedhësh edhe me votim elektronik. Këtë këto po u premton shqiptarëve. Shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që e siguron votimin elektronik apo zgjedhjet e lira demokratike, por jemi të gjithë bashkë”.

_________________

Berisha takon Ansip: Do adaptojmë nga Estonia votimin elektronik
TIRANE – Ideja e votimit elektorinik thene nga goja e kryeministrit, erdhi pas takimit me homologun e Estonise, Ansip. Të dy kryeministrat shprehën interes për bashkëpunim në fushën ekonomike. “Teknoligjia e informacionit është një fushë ku ne mund të punojmë shumë mirë në Shqipëri”, tha Ansip, duke shtuar se shtetasit estones kryejnë 99 për qind të veprime të tyre të përditshme përmes kompjuterit, nis nga taksat, shërbimet bankare e madje edhe votimin e kryejnë në internet. Për këtë të fundit, edhe Kryeministri shqiptar Sali Berisha u shpreh dakord për implementimin në vendin tonë. Ai i sugjeroi komisionit të reformës zgjedhore të bëjë një vizitë në Estoni për të adaptuar sistemin elektronik zgjedhor.

Në fjalën e tij kryeministri shqiptar Sali Berisha u shpreh se “firmosëm disa marrëveshje me kryeministrin e Estonisë, Ansip i cili vjen për herë të parë në Shqipëri”, duke shtuar se “kemi marrëdhënie shumë të mira politike, por këto marrëdhënie duhen shtrirë edhe në aspektin ekonomik, ushtarak, etj”.

Sipas kryeministrit shqiptar, Estonia është shembull suksesi në mënyrën se si ka percipetuar me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE. Berisha tha se ka biseduar me kryeministrin Ansip për hapat që po bën Shqipëria në këtë drejtim dhe se ka marrë mbështetjen e kryeministrit estonez për liberalizmin e vizave.

Ndërsa kryeministri estonez u shpreh se “Që të jem i ndershëm kjo s’është vizita ime e parë në Shqipëri, pasi kam vizituar vitin që kaloi Shqipërinë, si turist ku kam qenë në Butrint dhe në Sarandë dhe them me bindje se Shqipëria është një vend i bukur”.

Sipas tij marrëdhëniet tona janë shumë të mira në fushën politike pasi jemi të dy vende anëtare të NATO-s, por ka mjaft hapësira për përmirësime në biznes. “Estonezët duan të zbulojnë Shqipërinë”, shtoi ai.

Përsa i përket integrimit ai tha se “ne mbështesim shumë Shqipërinë për integrimin në BE edhe pse do të duhet edhe ca kohë deri në antarësimin e saj”. “Për të arritur atje ne kemi bërë reforma të mëdha dhe me shumë shpejtësi. Tek ne zgjedhjet nuk kontestohen dhe 15 për qind e qytetarëve votojnë përmes internetit” tha Ansip. Më pas ai përmendi me detaje gjithë fushat ku përdoret teknoligjia e informacionit, duke shprehur bindjen se estonezët mund të mbështetisn Shqipërinë në këtë drejtim