BDSH: Ixhet Mehmeti është avokati i VMRO-së, të tërhiqet nga detyra

KËRKESË PUBLIKE-Kërkojmë nga avokati i VMRO-së, z. Ixhet Mehmeti, të lirojë funksionin e  uzurpuar të «Avokatit të Popullit»

 Opinionit publik kombëtar dhe atij ndërkombëtar u kujtohet se pas dhunës në Malësinë e Tetovës dhe masakrës në fshatin Brodec në nëntor të vitit 2007

pushteti terrorist i VMRO-së angazhoi institucione të ndryshme në funksion të humbjes së gjurmëve të terrorit të ushtruar.

Në mesin e institucioneve të instrumentalizuara të asaj kohe, deklarata e z. Ixhet Mehmeti se “ndaj të arrestuarve në këtë fshat nuk është ushtruar dhunë” nxori në shesh se ky person nuk mund të ushtronte funksionin e Avokatit të Popullit dhe se angazhimet e tij nuk ishin asgjë tjetër pos angazhime të një avokati të VMRO-së .

As kërkesat e shumta publike për dorëheqje e as publikimi i fotove të dhunës dhe terrorit të ushtruar në hetuesinë e VMRO-së nuk e provokuan ndërgjegjen e këtij personi që të lironte funksionin e Avokatit të Popullit.

Qëndrimet e Ixhet Mehmetit ndaj aksioneve të fundit të Monstrumëve të VMRO-së dhe deklarata e tij se gjoja “ndaj Haki Hazirit nuk është ushtruar dhunë” dëshmon se ky person mban të uzurpuar postin e Avokatit të Popullit që të kamufloj realitetin se ai është avokat i devotshëm i VMRO-së.

Të gjithë e dinë se kidnapimi i personave “për qëllime hetuesie” paraqet një nga format e dhunës  ekstreme të ushtruara nga regjimet terroriste që nga Pincheti e Çavezi  të Amerikës Latine e deri te pasardhësit e Millosheviqit , Nikolla Gruevski e Sasha Miallkovi në Maqedoni.

Nëse regjimet terroriste të Amerikës Latine janë gjeografikisht larg nesh dhe dhunën e ushtruar në këto shtete e kemi parë nëpërmjet mediave, kidnapimi 6 ditor i Ramadan Bajramit “për qëllime hetuesie”  dhe dhunën e ushtruar në vitin 2003 e kemi përjetuar drejtpërsëdrejti dhe për vite të tëra. Sidomos, viktimat dhe familjarët e viktimave të këtyre proceseve të montuara gjyqësore.

Kidnapimi i Haki Hazirit “për qëllime hetuesie” është kidnapim tipik i aplikuar nga regjimet dhe grupet terroriste. Publikimi i deklaratave të personave të kidnapuar që mbahen në rrethana misterioze është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon manipulimi publik të avokatit të VMRO-së, z. Ixhet Mehmeti, me deklaratat e të kidnapuarit Haki Hazirit.

Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon nga avokati i VMRO-së, z. Ixhet Mehmeti, të lirojë funksionin e  uzurpuar të «Avokatit të Popullit» dhe zgjedhjen në vend të tij të një  personaliteti me integritet njerëzor dhe të përgjegjshëm profesionalisht.

 

 

Bashkimi Demokratik Shqiptar

Bardhyl Mahmuti

Më 11 maj 2012