Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi i është kundërpërgjigjur akuzave të partive opozitare shqiptare lidhur me regjistrimin e popullsisë.

 “Ligji për regjistrim parasheh formimin e Komisionit të veçantë për regjistrim që do të përbëhet prej 25 anëtarëve dhe ku garantohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në këtë Komision dhe në të gjitha nivelet dhe organet që do të jenë bartës të procesit të regjistrimit. Kompetencat janë mirë të definuara për të gjitha organet. Anëtarët e të gjitha komisioneve nuk do të jenë anëtarë të partive politike, por ekspert të sferave që kanë të bëjnë me regjistrimin”, theksoi Ademi.

 Sipas tij, periudha e paraparë për regjistrim është periudhë e preferuar dhe e rekomanduar nga ekspertët që merren me çështje të regjistrimit, dhe kjo periudhë aplikohet thuajse në të gjitha vendet që bëjnë regjistrim të popullatës.

“Kjo periudhë është e përshtatshme, sepse është pranverë e hershme, në këtë periudhë banorët rezident dhe familjet e tyre janë në vendlindje, është periudhë kur nuk ka pushime vjetore, pushime të nxënësve dhe studentëve, kur bujqit dhe blegtorët ende nuk kanë filluar me punët vjetore”, theksoi zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi.

Sa i takon deklarimeve se në këtë periudhë mërgimtarët nuk janë në vendlindje dhe se ata nuk mund të regjistrohen, ai nënvizoi se janë deklarata që vetëm krijojnë huti në opinion dhe nuk i kontribuojnë procesit.

“Të gjithë banorët e Maqedonisë që në momentin e regjistrimit nuk janë në vendlindje, për arsye të ndryshme, do të mund të regjistrohen nga anëtarët e familjeve të tyre, mirëpo të gjithë ata që kanë mundësi të vijnë në atë periudhë edhe mund të vijnë që të regjistrohen”, theksoi Ademi.

BDI bëri thirrje deri tek të gjithë subjektet politike të mos e shfrytëzojnë këtë temë për përfitime politike dhe këtë çështje ta konsiderojnë si interes mbi-partiak.