image

 BDI nuk do të mbështes iniciativën e deputetëve Abedin Zymberi dhe Daut Rexhepi për zgjidhjen e statusit të pjesëmarrësve në konfliktin e vitit 2001. BDI-ja thotë se propozimi i Zymberit dhe Rexhepit, të cilët janë duke kërkuar firmat e deputetëve shqiptarë, ndërmerret vetëm për pikë politike. Madje BDI-ja thotë se është ajo duke punuar për zgjidhjen e kësaj çështje, por pa theksuar një afat të caktuar.
“Zgjidhja e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, përherë ka qenë dhe është prioritet në agjendën e BDI-së. Kjo çështje meriton trajtim të mirëfilltë institucional dhe BDI-ja, si parti me përgjegjësi institucionale po punon për një zgjidhje të tillë. Kjo kategori njerëzish është më meritorja për ndryshimet në Maqedoni, prandaj nuk meriton të përdoret për pikë në politikën ditore. E theksojmë edhe njëherë se BDI-ja mbetet e vetmja parti me legjitimitet për ta zgjidhur këtë çështje, dhe këtë do t’a bëjmë” thuhet në reagimin e BDI-së, e cila i fajësoi propozuesit, se gjatë kohës kur ishin në pushtet, nuk ndërmorrën asgjë për këtë kategori. Dauti dhe Zymberi, e pranojnë një gjë të tillë, por arsyetohen duke thënë se kjo cështje, është produkt i marrëveshjeve mes liderëve të partive shqiptare, të cilat kur hyjnë në koalicionin qeveritar, e anashkalojnë zgjidhjen e kësaj çështje.
“Është shumë e vërtet kjo që thoni se edhe ne atëherë premtuam kur ishim në fushatë parazgjedhore dhe erdhëm në pushtet dhe pikërisht bllokimi apo mashtrimi nga lideri që thoshte se ka kohë, në një kohë më të përshtatshme ngeli u bën 18 muaj dhe kaloi, nuk u arrit asgjë. Jam i bindur se edhe në subjektin tjetër shqiptar është po e njëjta gjë, pra epilogu i kësaj është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit që të mos bëhet asgjë në këtë drejtim në këtë pikë”, deklaroi javën që shkoi Daut Rexhepi, propozues i ligjit.
Nga ana tjetër Fazli Veliu si kryetar i SHVL-së tha për Alsat se ‘akoma nuk e ka shqyrtuar dhe analizuar iniciativën në fjalë dhe se për të, do të deklarohet në ditët në vijim’. Ndërsa nga OVL-ja e përshëndesin iniciativën, por kërkojnë që kjo të mos shfrytëzohet për pikë politike.
‘… propozuesit të cilët edhe vet janë ushtarë të UCK-së të jenë shumë më serioz dhe këmbëngulës në drejtim të këtij propozim ligji e të jenë shumë më konkret që ky ligj në përgjithësi të mos ndryshojë absolutisht nga përfitimet dhe përfitimet që kanë pala tjetër të ashtuquajturit branitella. …. nëse edhe kjo iniciativë dështon, e pakta që duhet të bëjnë propozuesit e kësaj iniciative …. duhet të japin dorëheqje nga postet …për të dëshmuar që ky nuk është vetëm edhe një marketing i radhës për përfitime politike.’, vlerëson Besim Hoda nga OVL.
Propozuesit, thanë se nisma e tyre, deri tani nuk është mbështetur nga asnjë deputet. Me këtë projekt/ligj ata kërkojnë shërbime shëndetësore fales, punësim, përkujdesje banesore, kompensim në para, të drejta në fushën e arsimit dhe pension familjar.
Gjyltene Rexhallari