Bardhyl Mahmuti-Kapitulli 1-5
KAPITULLI I
PROLOGU I KAPITULLIT TË PARË
“Terroristët e të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës shkëputën nga duart e nënës dhe të gjyshes së saj Jovana-n njëmbëdhjetëvjeçare. E dhunuan para syve të shumë serbëve të plagosur, të lidhur dhe që nuk kishin mundësi për të bërë asgjë. Edhe në sy të nënës dhe të gjyshes së saj e dhunuan, e munduan tmerrësisht dhe në fund, Jovana-n e vogël, e dogjën në Furrën e Gëlqeres në Kleçkë! Nëna e saj ulërinte nga tmerri! Ajo mbeti duke thirrur emrin e Jovana-s dhe vdiq me emrin e saj në gojë. Prandaj edhe kriminelët shqiptarë e kuptuan se si quhej kjo vogëlushe para se ta hidhnin në zjarr dhe ta digjnin të gjallë. Edhe gjyshes i pëlciti zemra nga mërzia dhe vdiq. Kur mbërritëm në vendin e ngjarjes dora e Jovana-s ende tymonte. Pjesa tjetër e trupit ishte karbonizuar tërësisht, ndërsa dora e saj e vogël sikur kërkonte ndihmë ose sikur përshëndeste nënën dhe gjyshen. Që nga ajo ditë e deri më sot jam duke kërkuar mbiemrin e saj, por më kot!”
Slavko Nikić, Nulta Krvna Grupa, f. 10-11
Shpresoj se në fund të këtij kapitulli lexuesi do të ketë mundësi të gjykojë për vërtetësinë e përshkrimit dramatik që i bën koloneli i Policisë së Serbisë, Slavko Nikić-i, njërit nga rastet më të mediatizuara të luftës së Kosovës. Le të vlerësojë lexuesi: A ishin ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ata që vranë, që gjymtuan dhe që masakruan njerëz të pafajshëm apo shpërndarja e interpretimeve të tilla u bë me qëllim që të fshihen gjurmët e krimit të vërtetë!?
27 gushti – Dita evropiane e «Krematorit Gëlqeror»!
Gusht 1998 Imazhe dhe lajme nga lufta në Kosovë janë në fokus të medieve më me influencë në botë. Vendbanime shqiptare në flakë, mijëra të vrarë, dhjetëra mijë të plagosur, gra të dhunuara, qindra mijë civilë të zhvendosur… Skena të tmerrshme déjà vu në luftën e Bosnjës dhe në luftën e Kroacisë! Skena që bënë të dëgjohen gjithnjë e më tepër kërkesat “për t’i dhënë fund makinerisë vrastare të Milošević-it”, kërkesa “për të dënuar politikën nacional-socialiste të tipit hitlerian të Milošević-it”, kërkesa “për të ndërhyrë urgjentisht me intervenim ushtarak të NATO-s”, si masë parandaluese për evitimin e përsëritjes së “Gjenocidit të Srebrenicës”… Më 26 gusht 1998, në fshatin Rancë, në një traktor ndërmjet fshatrave Topillë e Grejçec, nga granatat serbe u vranë 8 fëmijë e 3 gra të familjes së Selim Asllanit, ndërsa 3 veta janë plagosur. Më 26 gusht, ndërmjet fshatrave Topillë e Grejçec, në një traktor, që ishte duke ikur nga zona e luftimeve, forcat e armatosura serbe vranë 11 anëtarë të familjes Asllani nga fshati Rancë e Komunës së Shtimes, ndërsa tre persona u plagosën. Nga 11 të vrarët, tetë persona ishin fëmijë të moshës, që shkonte nga gjashtë muaj deri në trembëdhjetë vjet (Albiona Asllani, e lindur në vitin 1998, Antigona Asllani – 1997, Xhafer Asllani – 1995, Shpend Asllani – 1993, Luljeta Asllani – 1991, Ejup Asllani – 1988, Lumnije Asllani – 1986, Burim Asllani – 1985) dhe tri gra (Ajshe Asllani – 1971, Halide Asllani – 1968, Jalldyze Asllani – 1934)[1]. “Masakra mbi njëmbëdhjetë anëtarët e një familjeje shqiptare, në mesin e të cilëve tetë ishin fëmijë, shkaktoi pezëm dhe indinjatë të thellë në organizatën tonë…”, deklaroi zyrtari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve – UNICEF, Partick McCormick.[2] Përballë implikimeve diplomatike, që mund të kishin për pasojë reagimet e institucioneve ndërkombëtare ndaj dhunës në Kosovë, dhe “me qëllim të neutralizimit të revoltës së opinionit publik ndërkombëtar, një ditë pas kësaj vrasjeje makabre, propaganda serbe plasoi “krimin e vëllezërve Mazreku”.[3] Ky konstatim i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë vuri theksin në kontekstin politik dhe mediatik të inskenimit të njërit nga proceset e montuara gjyqësore që pati jehonë shumë të madhe. Më 27 gusht, gazetarët serbë dhe ata ndërkombëtarë, të shoqëruar nga forca policore dhe nga gjykatësja hetuese e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës Danica Marinković, vizituan “repartin ushtarak të UÇK-së” në fshatin Kleçkë, që e kishin marrë në duart e veta forcat serbe.[4] Në këtë vizitë, gazetarët patën mundësi të shihnin “strehimoret dhe depot e UÇK-së” të mbushura me ”ushqime të konservuara made in USA” dhe me “veshmbathje, që kishin ardhur si ndihmë humanitare për civilët shqiptarë të rrezikuar nga kriza humanitare”, siç u tha me ironi nga gjykatësja hetuese. Pas vizitës së “strehimoreve” dhe të “depove të armatimit”, për të cilat gjykatësja tha se nuk e dinte a kishin ardhur në Kosovë si “ndihma humanitare nga shtetet perëndimore”, gazetarët u orientuan drejt epilogut të spektaklit: “Krematorit të Kleçkës”! Fjala është për një furrë ku shuhej gëlqerja[5] në afërsi të së cilës ishin ekspozuar “mbetje të eshtrave të civilëve serbë të djegur”. Gjykatësja Marinković u sqaroi gazetarëve, se “civilët e kidnapuar serbë, pasi ishin mbajtur në kushte çnjerëzore, në stalla kafshësh, të lidhur me zinxhirë, të keqtrajtuar mizorisht, ndërsa gratë edhe të dhunuara u transferuan nga njëri kamp në tjetrin, nga ‘llogori i Krajmirovcit’, në ‘llogorin e Llapushnikut’, për të përfunduar në ‘kampin e Kleçkës’”… “Pas mundimeve të shumta, civilët e kidnapuar janë ekzekutuar… pastaj trupat e tyre janë hedhur në gropë gëlqereje brenda furrës për të vetmen arsye se ishin serbë apo shqiptarë lojalë ndaj regjimit të Serbisë! ….Disa civilë të kidnapuar, pas mizorive të përjetuara, janë hedhur të gjallë në gropë gëlqereje…”, vazhdoi fjalimin e vet Danica Marinković. “Një numër eshtrash, kryesisht të mëdha, që nuk kishin mundur të digjeshin as nga vala e nxehtë e gëlqeres, që shuhej bashkë me jetën e civilëve serbë, u gjetën të groposura në afërsi të furrës… Mbetje eshtrash dhe telat me të cilat terroristët shqiptarë i kishin lidhur dhe tërhequr serbët deri në furrën e gëlqeres, u gjetën edhe në gropë të ‘furrës – kremator’”, u tha gazetarëve. …Ironia shkoi deri aty sa u shtrua publikisht pyetja për “gëlqeren e krematorit shqiptar” se “a ishte e prodhimit vendor apo ishte sjellë si ndihmë humanitare.” Për të qenë bindëse në informatat, që u jepeshin gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, gjykatësja hetuese Danica Marinković, informoi se krahas provave materiale të gjetura në vendin e krimit, ishin arrestuar dy ushtarë të UÇK-së (Luan dhe Bekim Mazreku), që konfirmonin detajet e këtij krimi monstruoz. Në këtë kontekst, hetuesja Marinković improvizoi marrjen në pyetje të Bekim Mazrekut në prani të gazetarëve, sepse ”Luani nuk kishte mundur të vinte për shkaqe shëndetësore.” Gjatë marrjes në pyetje drejtpërsëdrejti para kamerave dhe mikrofonave të gazetarëve[6], Bekim Mazreku deklaroi se grupi i tij i përbërë prej rreth 20 ushtarëve të UÇK-së kishin pushkatuar dy fëmijë të moshës 7, 8 deri 11-vjeçar, tri gra të moshës 28-32-vjeçare, dy djem të ri dhe tre burra, që paraprakisht i kishin rreshtuar në varg dhe kishin krisur përnjëherësh nga armët e tyre. Këtë e kishin bërë me urdhër të Fatmir Limajt, Gani Krasniqit dhe Ismet Kilajt. Në pyetjen e hetueses Marinković, se kush ishte Fatmir Limaj, Bekim Mazreku ishte përgjigjur se Fatmir Limaj ishte komandant i Kleçkës, ndërsa dy të tjerët komandantë të Malishevës! Pasi kishin kryer ekzekutimin, Bekim Mazreku nuk dinte se çka kishte ndodhur më pas, sepse sipas deklaratës së tij, ata i kishin përzënë nga vendi i ngjarjes! Bekim Mazreku dukej tejet i hutuar para gazetarëve dhe nuk ishte aq bindës sa do të dëshironte organizatorja e kësaj “konference për shtyp”. Gjykatësja Marinković, e pakënaqur, ndërpreu marrjen në pyetje të të akuzuarit! Për të përmirësuar lëshimet në deklaratat e para publike, në të njëjtën ditë, Bekim Mazreku i dha një intervistë ekskluzive gazetarit për çështje ushtarake, Milovan Drecun-it, që u përgatit me kujdes nga kameramani Tomislav Magoč-i dhe u transmetua në TV-në shtetërore më 29 gusht. Sikur nuk mjaftuan dy prezantimet e mëparshme publike, Media Centar organizoi paraqitjen e tretë të Bekim Mazrekut para gazetarëve vendës dhe të atyre ndërkombëtarë. Pas kësaj paraqitjeje, “Unioni i Gazetarëve të Serbisë ua drejtoi një letër organizatave të gazetarëve të shteteve të ndryshme të botës, me të cilën kërkohej nga ta të vinin menjëherë në Kleçkë dhe t’u dërgonin raporte agjencive të tyre për atë si dhe ç’kanë bërë shqiptarët e uniformuar dhe të armatosur deri në dhëmbë, për çka luftojnë ata, kush i armatos, kush i përgatit, kush i ushqen dhe kush i mbështet që me krematorë, me thika, me plumb dhe me gëlqere të realizojnë gjenocidin ndaj serbëve në Kosovë”[7]. Edhe numri i viktimave u bë objekt manipulimi. Fillimisht Bekim Mazreku deklaroi për 10 civilë të vrarë, pastaj mediet shtetërore përmendnin shifra që rritnin numrin në më shumë se 30 persona të ekzekutuar për t’i dhënë formë definitive. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me një komunikatë, përmbylli rezultatin e hetimeve dhe erdhi në numrin 22 civilë serbë të vrarë dhe të djegur në krematorin gëlqeror.[8] Në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë materialet e përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb. Krahas “njoftimit” të qarqeve politike të demokracive perëndimore, materialet që stigmatizonin UÇK-në si organizatë me pikëpamje të fundamentalizmit islamik, vërshuan edhe redaksitë e gazetave prestigjioze perëndimore. Sipas të dhënave të shpërndara nga ky shërbim “në Konferencën e 18-të Islamike” të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad”, dhe se gjoja nga kjo konferencë ishin ftuar të gjitha “vendet myslimane për çlirimin e territoreve të okupuara myslimane!” Sipas kësaj propagande, një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë dhe ishin të angazhuar si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.” Në përputhje me kontekstin e ri të krijuar pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, Qeveria e Serbisë i rishpërndau materialet e lartpërmendura të Shërbimit Sekret Serb të plotësuara edhe me “të dhëna” të reja dhe të titulluar “Libri i bardhë – Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Metohi.”[9] Pjesët e sipërme që stigmatizojnë UÇK-në janë marrë nga kapitulli për “faktorin panislam”[10] të kësaj përmbledhjeje. Propaganda e tillë e regjimit të Beogradit për “instruktorë të fundamentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetjen e atyre që synonin. Pos në disa raste të shkrimeve gazetareske, ku shihet ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje të fundamentalizmit islamik” kishin dështuar tërësisht. Zhgënjimin serb për këtë dështim do ta shprehë publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matić-i. Në gazetën “Medjunarodna politika”[11] ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fundamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë ata kualifikohen si luftëtarë të drejtësisë.”[12] Më 29 gusht agjencia e lajmeve “Reuters”, shpërndau artikullin e gazetares së vet Julijana Mojsilovic nga Beogradi, me anë të cilit njoftohet se “ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë i cilësoi vrasjet në Kleçkë si krimet më të rënda dhe më mizore të kryera nga UÇK-ja. Ai u bëri thirrje qeverive të shteteve perëndimore që ta dënonin rastin…”[13] Zyrtarët në Beograd e përshkruajnë “masakrën e Kleçkës” si “një nga krimet më të rënda të bëra ndaj serbëve në Kosovë, duke tentuar ta përdorin si çështje të mundshme që duhej të trajtohej edhe nga Tribunali për Krime Lufte i Kombeve të Bashkuara.”[14] Në të njëjtën ditë Shoqata e Robërve Serbë të Luftës së Dytë Botërore, që kishin kaluar nëpër kampet naziste, “dënoi krimet e tmerrshme të kryera në Kleçkë nga terroristët shqiptarë.” Sipas kësaj shoqate “për të humbur gjurmët e këtij akti çnjerëzor terroristët shqiptarë dogjën trupat e 22 civilëve serbë në një kremator të improvizuar. Në çmendurinë e tyre kriminale ata aplikuan recetat e nazistëve të Auschwitz-it, Buchenwald-it, Dachau-t, Mauthausen-it, Bergen –Belsen-it ( …) dhe të mijëra kampeve të tjera të Rajhut të Tretë.”[15] Si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së institucioneve ndërkombëtare, që të dënohej gjenocidi në Srebrenicë, kërkesa të shumta vërshuan mediet serbe, nëpërmjet të cilave kërkohej që këto institucione të merrnin në shqyrtim “Krematorin e Kleçkës”. “Ekzistojnë fakte të panumërta, që askush nuk mund t’i hedhë poshtë, lidhur me funksionimin e krematorit të parë dhe deri tani të vetëm në Evropën e pas Auschwitz-it gjerman! I takon Parlamentit Evropian të zgjohet nga gjumi dhe me anë të një rezolute, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të dënojë Auschwitz-in shqiptar. Të miratojë së paku një rezolutë me të cilën 27 gushti të shënohet si dita evropiane e krematorit gëlqeror!”[16] Edhe mediet ndërkombëtare i kushtuan një vëmendje të rëndësishme asaj që nga propaganda serbe paraqitej si “Kremator i Kleçkës”. Kështu, BBC-ja njoftonte se “autoritetet serbe dënuan masakrën e civilëve serbë, që e përshkruante si të kryer në stilin e nazistëve.”[17] Misha Savić-i i “Associated Press-it”, në shkrimin e tij dedikuar ngjarjeve në Kosovë, informoi se “ekspertët mjeko-ligjorë serbë nxorën nga një kremator mbetje eshtrash të dhjetë civilëve serbë, në mesin e të cilëve ishin dy fëmijë.” [18] Edhe “The New York Times”[19] sjell të njëjtat lajme të shpërndara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Ndërsa “The Washington Times” tërhoqi vërejtjen se “në rast se ekspertët ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore vërtetonin saktësinë e një krimi të tillë, kjo do të kishte pasoja shumë të mëdha për luftën e UÇK-së.”[20] Propaganda serbe lidhur me “Krematorin e Kleçkës” pati ndikim edhe në rrafshin politik. Ndër reagimet e para politike është ajo e nënkryetarit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, ukrainasit Boris Olevnik-ut. Ai deklaroi se kjo ngjarje e kishte shokuar këtë week-end. Sipas pohimeve të tij, gjatë vizitës në Kosovë, Boris Olevnik-u “kishte parë vetë se thëniet për fushatën shkatërrimtare serbe në Kosovë ishin gënjeshtra. Terroristët shqiptarë të Kosovës i kishin shtrënguar bashkëkombësit e tyre t’i braktisnin shtëpitë dhe të shkonin në pyll ose në ndonjë vend të largët, me qëllim që këto veprime t’u visheshin forcave serbe.”[21] Më 17 shtator 1998, deputetja holandeze e Parlamentit Evropian, Leonie Godefrieda Louisa van Bladel, shtroi pyetjen lidhur me pengjet në Kosovë. Në pyetjen e saj kjo deputete theksonte, se “ndërkohë kemi kuptuar nga mediet ndërkombëtare, që raportuan të shtunën më 29 gusht, se UÇK-ja, në fshatin Kleçkë afër Prishtinës, kishte vrarë 22 persona (veçanërisht gra dhe fëmijë) dhe pastaj i kishte djegur në furrën e gëlqeres.”[22] Edhe Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit Racial i Kombeve të Bashkuara kërkoi nga Qeveria Jugosllave ta informonte lidhur me situatën në Kosovë. Në raportin, të cilin Qeveria e Jugosllavisë ia dorëzoi këtij organi të OKB-së më 26 janar 1999, në pikën 31 theksohet se “u zbulua një varrezë masive që përmbante trupat e civilëve serbë të kidnapuar. Më 27 gusht 1998, në fshatin Kleçkë (Komuna e Lipjanit), policia gjeti hirin e 22 civilëve serbë të kidnapuar, trupat e të cilëve terroristët shqiptarë i kishin djegur në një furrë gëlqereje, pasi që i kishin vrarë. Dy terroristët, që u burgosën (vëllezërit Luan dhe Bekim Mazreku), treguan në detaje dhe pranuan se i kanë bërë të gjitha krimet e lartpërmendura.”[23] Agjencia serbe “Beta” njoftoi se gjatë vizitës së tij në Beograd, i dërguari special për Jugosllavinë, ambasadori amerikan, Chritopher Hill-i, dënoi krimin që kishte ndodhur në Kleçkë. “Jemi të shokuar dhe ne dënojmë këtë formë të dhunës. Përgjegjësit duhet të arrestohen dhe të nxirren para drejtësisë”[24], u prononcua ai përpara gazetarëve. Në vizitën që ato ditë i bëri Kosovës Robert Doll[25], kërkoi t’u lejohej ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë që të hetonin si kishte ardhur deri te ky krim i shëmtuar, kush e kishte kryer, sa ishte numri i të vrarëve etj. Reagimet në këtë frymë dhe kërkesat për të formuar një komision ekspertësh të pavarur për të hetuar këtë krim ishin të shumta. Por, gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i, ishte kategorikisht kundër! Nuk e pa të udhës një gjë të tillë, sepse vendi i krimit, dy kriminelët e UÇK-së, armët e krimit, mjetet e krimit, mbetjet e viktimave ishin aty… Aty ishte edhe “Furra e gëlqeres – Krematori i Kleçkës”!
Nga “Krematori i Kleçkës” te “imazhet e kukullave”!
Mbështetja e propagandës serbe në dezinformata, si armë për manipulimin e opinionit publik, nuk mundi të fshihte realitetin tragjik të luftës në Kosovë. Për të pasur një pasqyrë vizuale të asaj se çka ndodhte në Kosovë në këtë kohë lexuesi mund të ndërpresë leximin dhe të shohë reportazhin[26] televiziv në gjuhën angleze. Brenda 6 minutash do të krijojë një ide për tmerret që zgjatën me muaj të tërë në Kosovë. Nuk do ta lodh lexuesin me kronologjinë e tmerrit që përjetuan shqiptarët e Kosovës gjatë atyre muajve të luftës. Për këtë rast nuk do të përmend të dhënat që posedonte Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, dhe që ishin të dhëna shumë të detajuara. Do të kufizohem në sintezën tejet të shkurtër, që Joël Hubrecht i bëri kësaj periudhe në veprën e tij për Kosovën: “Nga muaji shkurt e deri në shtator të vitit 1998 vlerësohen rreth 1000 civilë të vrarë, 800 të zhdukur dhe përafërsisht 380.000 të zhvendosur[27]. Më 6 shtator, në Polluzhë të Rahovecit identifikohen 11 shqiptarë të vrarë (5 femra dhe 4 fëmijë). Më 26 dhe më 27 shtator, në dy ekzekutime 32 viktima shqiptare. Në Gollubovc serbët ndanë nga një grup refugjatësh 14 burra dhe i ekzekutuan, ndërsa në malin afër fshatit Obri e Epërme/Gornje Obrinje, në një strehimore të improvizuar, 18 anëtarë të familjes Delija, të gjithë civilë, në mesin e të cilëve ishin 6 gra, 4 fëmijë dhe një foshnjë, u gjetën të ekzekutuar, secili me nga një plumb në kokë.”[28] Për të fshehur këtë krim monstruoz propaganda e Beogradit shpërndau dezinformatën se gjoja imazhet e masakrës në Obri të Epërme ishin “montazh”. Në mbështetje të kësaj ideje të regjimit të Beogradit doli edhe gazetari belg, Michel Collon. Sipas tij “si lajm kryesor i gazetës së pavarur shqiptare “Koha Ditore”, ishte një foto e paqartë e një bebeje të përgjakur, që u gjet e vrarë në një pyll. Gjysmën e fytyrës e kishte të mbuluar me një kapuç, por një gazetar serb analizoi nga afër këtë imazh dhe vërejti se bëhej fjalë për një… kukull! Çmistifikimi i kësaj u transmetua edhe në TV Beograd, por jo edhe në shtetet perëndimore. Unë e kam këtë video”[29] – tentonte të bindte lexuesin Michel Collon.
Valmir Deliu i ekzekutuar, që marionetat e Milošević-it e paraqitën si “kukull”!
Ky publicist shprehu pakënaqësinë e tij pse në mediet e shteteve perëndimore nuk u shpërnda versioni serb për “montazhin me kukulla” në vend të “fëmijëve të masakruar”! Nuk do të merrem me atë çka realisht përmban videoincizimi, që e posedon ai, e as me marionetat e Milošević-it, që kësaj tragjedie i japin karakter lodrash me kukulla! Po sjellim qëndrimin e organizatës joqeveritare serbe Fondi për të Drejtën Humanitare[30], të udhëhequr nga humanistja serbe Nataša Kandić. 12 vjet pas kësaj masakre, me anë të shkrimit të titulluar “Si i vrau Serbia gratë, fëmijët dhe pleqtë”[31], kjo organizatë përkujtoi krimin e forcave serbe në Obri të Epërme dhe ngriti zërin e protestës për faktin se ende askush nga kriminelët nuk u ballafaqua me drejtësinë. Me këtë shkrim, u aktualizuan strukturat e aparateve represive serbe të implikuara në këtë krim. Gjatë këtij aksion kishin marrë pjesë “Detashmenti i Tretë i Forcave të Veçanta Policore, Çeta e Forcave të Veçanta Policore të Mitrovicës së Kosovës dhe Njësiti për Operacione Speciale e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që vepruan në aksion të përbashkët me Batalionin e Parë të Brigadës 125 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë.”[32] “Më 26 shtator 1998, në Obri të Epërme, forcat serbe vranë 27 civilë.” – vazhdon shkrimi. Fotografia, që instrumentet propagandistike të regjimit të Milošević-it e paraqitën si imazh të një “kukulle”, është fotografi e Valmir Deliut, i lindur më 21 shtator 1996, që ende nuk i kishte mbushur 2 vjet, kur u vra së bashku me babanë e tij Ademin (1965) dhe nënën Mihanen (1973). Pos tyre, atë ditë “pjesëtarët e forcave serbe vranë edhe pleqtë Pajazitin[33] dhe Aliun[34] dhe plakat Hamide Deliun dhe Hava Elshanin; ata vranë gruan Lumnie Deliun; djalin e saj, Jetonin 11 vjeçar dhe vajzën katërvjeçare, Menduhien; vranë gruan tjetër Zahide Deliun dhe vajzën e saj të adoptuar, Donjetën shtatëvjeçare; e vranë edhe Gentianën tetëvjeçare dhe Luljeta Deliun, që ishte shtatzënë në muajin e nëntë…”. Përballë kësaj dhune të tmerrshme dhe të përsëritur për disa herë rresht në hapësirat e ish-Jugosllavisë, institucionet e ndryshme politike dhe joqeveritare në botë kërkonin intervenimin energjik për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në këtë kontekst, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me anë të Rezolutës 1199[35], tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë lidhur me rrezikun e një katastrofe humanitare në Kosovë. Dhuna e ushtruar nga forcat policore serbe dhe nga Ushtria Jugosllave pati për pasojë zhvendosjen e 230 mijë personave, që kishin qenë të detyruar t’i braktisnin shtëpitë e tyre. Për shkak të kësaj dhune, fluksi i refugjatëve në Shqipëri, në Bosnjë dhe në vendet e tjera evropiane ishte shumë i madh. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuar, nga ata që ishin zhvendosur në brendi të Kosovës, 50 mijë persona ishin pa kulm mbi kokë dhe në mungesë të gjërave elementare. Fakti se dimri po afrohej shtonte brengosjen deri në përmasa alarmuese[36]. Në rezolutën e 23 shtatorit 1998 anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehën preokupimin e tyre të thellë për degradimin e situatës në Kosovë dhe alarmuan për rrezikun potencial të një katastrofe humanitare. Në të njëjtën kohë u kërkua nga të gjitha shtetet anëtare që të angazhohen maksimalisht për ta parandaluar këtë katastrofë. Krahas brengosjes dhe shqetësimeve të shprehura Këshilli i Sigurimit dënoi ashpër dhunën e ushtruar dhe kërkoi që të ndërpritej çdo formë dhune në Kosovë, të respektohej armëpushimi dhe të fillonte dialogu i mirëfilltë ndërmjet autoriteteve të RF të Jugosllavisë dhe udhëheqësve shqiptarë, për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për problemin e Kosovës.[37] Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tërhoqi vërejtjen se nëse nuk ndërmerreshin masa konkrete në përputhje me këtë rezolutë dhe me rezolutën paraprake të datës 31 mars 1998[38], atëherë do të pasonin veprime të tjera dhe do të propozoheshin masa të tjera për të ruajtur ose për ta vendosur paqen në rajon. Duke pasur përvojën e hidhur nga e kaluara, KS i OKB-së kërkoi që Serbia të pranonte Misionin Verifikues të OSBE-së për të mbikëqyrur respektimin e kushteve të vendosura me anë të kësaj rezolute. Fakti që as Rusia e as Kina nuk mundën ta pengonin Këshillin e Sigurimit të OKB-së të dilte me kërkesat e lartpërmendura, nga njëra anë dhe kërcënimi i Këshillit të NATO-s me sulme ajrore, në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave, nga ana tjetër, e detyruan Milošević-in që më 13 tetor 1998, të nënshkruante marrëveshjen për armëpushim.[39] Tri ditë më vonë, më 16 tetor, u nënshkrua marrëveshja me OSBE-në për vendosjen e 2000 pjesëtarëve civilë dhe të paarmatosur të shteteve anëtare të OSBE-së për Misionin e Verifikimit në Kosovë.[40] Qeveria e Serbisë krijoi një Komision të veçantë qeveritar për bashkëpunim me këtë mision të OSBE-së dhe në krye të tij emëroi zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Serbisë, Nikola Šainović-in, ndërsa për zëvendës të Shainoviqit, që do të qëndronte në Prishtinë, u caktua gjenerali i pensionuar i Armatës Jugosllave, Dušan Lončar. Përkundër asaj se ishte i pensionuar, gjenerali Lončar u emërua në këtë funksion, për arsye se njihej me William Walker-in, që nga Kroacia.
Avullimi i “Krematorit të Kleçkës”!
Tre vjet më vonë, në prill 2001, Gjykata e Qarkut në Nish[41], hapi seancën kundër Luan dhe Bekim Mazrekut. “Furra e gëlqeres – Krematori i Kleçkës” u riaktualizua në mediet serbe! Gjatë këtij procesi gjyqësor pala mbrojtëse solli dëshmi të shumta që provonin se Luan dhe Bekim Mazreku ishin arrestuar më 30 korrik 1998[42], d.m.th. 27 ditë para se të “zbulohej publikisht” me anë të një spektakli mediatik se ata kishin ekzekutuar civilë serbë! Pala mbrojtëse solli dëshmi të shumta që tregonin se Luan dhe Bekim Mazreku nuk kishin pasur lidhje me UÇK-në, por ishin arrestuar si civilë gjatë kohës kur ishin duke kërkuar ushqime për familjarët e tyre. Luan dhe Bekim Mazreku e shpalosën para gjykatës tmerrin që kishin përjetuar për tri javë rresht për t’i detyruar të thoshin atë që ishin porositur të pohonin publikisht… Trupi gjykues nuk mori parasysh asnjë dëshmi të palës mbrojtëse. I vetmi ndryshim, që kishte bërë akuza, lidhej me mbetjet mortore të prezantuara publikisht, si provë edhe para medieve për “Krematorin e UÇK-së”. Gjatë ekspertizave të mëvonshme u vërtetua se eshtrat e prezantuara më 27 gusht nuk ishin eshtra as të “Jovana-s së vogël”, së cilës nuk i dihej mbiemri (!), as të nënës dhe të gjyshes së saj, që nuk u përmendej as emri (!), e as të grupit të 100 civilëve që pretendohej se ishin likuiduar në fshatin Kleçkë, por eshtra të civilëve të tjerë serbë të ekzekutuar në tjetër vend! “Civilë serbë” pa emra dhe pa mbiemra! Më 18 prill 2001, Gjykata e Qarkut në Nish dënoi Luan dhe Bekim Mazrekun me nga 20 vjet burgim. Ky dënim do të jetë “argument” për të vazhduar me të njëjtin diskurs. Ndër reagimet e rralla, që ishin kundër cilësimeve të përmendura më lart, vlen të përmendet reagimi i Zoran Stanković-it, në atë kohë drejtor i Spitalit Ushtarak në Beograd. Më 24 janar 2002, për rastin në fshatin Kleçkë, gjeneralmajori Zoran Stanković-i, tërhoqi vëmendjen se “nuk është aspak mirë që kanë filluar me lloj-lloj tregimesh, si në rastin që mbështeten vetëm në faktin se janë gjetur eshtra njerëzish, për të dëshmuar saktësinë e tregimeve. Reagoj ndaj kësaj dukurie me qëllim që të ulen pasionet dhe t’u lihet organeve hetuese të ndriçojnë tërësisht këtë rast. Është e papranueshme që të dalë atje një zëdhënës dhe të flasë për disa gjëra dhe të japë kualifikime ose deklarata, për të cilat jam i bindur se nuk mund të na ndihmojnë. Çdo gabim në vlerësim mund të na kthehet si bumerang, siç ndodhi edhe me rastin e dyzet fëmijëve të Vukovarit, që ishte një shuplakë për ne kur për disa muaj rresht u ndërpre publikimi i informatave tona në vendet e jashtme.”[43] Zoran Stanković-i ka frikë se propagandës serbe lidhur me “Krematorin e Kleçkës” mund t’i ndodhte e njëjta gjë si me “rastin e dyzet fëmijëve të Vukovarit”. Po bëj një digresion të vogël me qëllim që lexuesi të ketë mundësi të kuptojë brengën e këtij mjeku dhe analogjinë, që ai e bën midis të dy rasteve. Pas bombardimeve për 86 ditë të qytetit kroat Vukovarit, forcat serbe pushtuan këtë vend të shndërruar në gërmadhë.[44] Me qëllim të neutralizimit të reagimeve të opinionit publik ndërkombëtar për mizoritë e ushtrisë dhe të Policisë Serbo-Jugosllave, propaganda e Beogradit shpërndau gënjeshtrën për gjoja “zbulimin e dyzet fëmijëve serbë, të therur! Lajmin e shpërndau RTS-ja[45], por për shkak se nuk kishin asnjë provë në këtë drejtim u detyruan ta demantojnë. Madje edhe vetë RTS-ja u detyrua të deklaronte se kishte qenë një ‘gabim’”.[46] Dy muaj pas deklaratës së Zoran Stanković-it dhe një vit pas shpalljes së dënimit kundër Luan dhe Bekim Mazrekut, Gjykata Supreme e Serbisë shqyrtoi ankesat e dy të rinjve shqiptarë të depozituara nga avokatët[47] e tyre. Gjykata Supreme e Serbisë mori në konsideratë të gjitha faktet dhe e shpalli të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Qarkut të Nishit. Luan dhe Bekim Mazreku u liruan nga akuza si të pafajshëm. Më 26 mars 2002, Luan e Bekim Mazreku, u kthyen të lirë në Kosovë. Vendimi i Gjykatës Supreme të Serbisë për pafajësinë e Luan dhe të Bekim Mazrekut bëri të ”avullohej” propaganda serbe për “Krematorin e Kleçkës”. Lirimi i Luan dhe i Bekim Mazrekut nuk përbënte lajm sensacional! Asnjë nga mediet me peshë për opinionin publik ndërkombëtar, që kishin publikuar lajmin e “Krematorit të Kleçkës”, madje as ato medie, që lajmin e shoqëruan me rezerva për vërtetësinë e tij, nuk publikuan epilogun e këtij procesi: pafajësinë e dy civilëve shqiptarë të akuzuar në një proces të montuar gjyqësor! Asnjë nga personalitetet e dikurshme që reaguan ndaj asaj që propagandohej si “krimi më i rëndë në Evropën e pas Auschwitz-it gjerman” nuk reagoi! Së paku për të përshëndetur frymën e re, që u shfaq në Gjykatën Supreme të Serbisë! Askush nuk kërkoi hetime për të nxjerrë në shesh se eshtrat e kujt u ekspozuan në të ashtuquajturin “Krematori i Kleçkës”! Heshtje e plotë! Sikur nuk kishte ndodhur asgjë! Propaganda serbe vazhdoi me avazin e vjetër. Të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta përcjellin procesin gjyqësor kundër Milošević-it janë bindur se struktura të tëra shtetërore ishin vënë në shërbim të mbrojtjes së tij. Ai gjatë këtij procesi ishte i pajisur me informacione të detajuara për secilin dëshmitar, që kishte ftuar akuza, për çdo deklaratë publike të tyre në cilindo qoftë medium botëror… Për këtë arsye, jam i bindur se Milošević-i ka qenë në dijeni të plotë të faktit se Gjykata Supreme e Beogradit hodhi poshtë aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Nishit dhe liroi nga akuza vëllezërit Mazreku. Megjithatë, në seancën e 14 qershorit të vitit 2002, ai iu drejtua gjeneralit gjerman, Klaus Naumann-it[48], me pyetjen, se: “A ishte në dijeni të informatave që UÇK-ja kishte djegur serbë, civilë serbë, në Krematorin e Kleçkës?”[49] Çështjen e “Krematorit të Kleçkës” Milošević-i e ngriti gjatë procesit të tij gjyqësor në Hagë për të vazhduar manipulimin me telespektatorët serbë, që përcillnin gjykimin drejtpërsëdrejti nëpërmjet TV Beogradit dhe kanaleve të ndryshme televizive në Serbi dhe në Kosovë. Megjithatë, propaganda serbe për këtë çështje do të bjerë në intensitet dhe “Krematori i Kleçkës” do të heshtet për vite të tëra. Por, botimi i librit të Carla del Ponte-s “Gjahu: Unë dhe kriminelët e luftës” mobilizoi strukturat e vjetra të regjimit të Milošević-it, që të lëshoheshin në një betejë të re. E para që reagoi në këtë drejtim ishte ish-gjykatësja hetuese e “Rastit të Kleçkës”, Danica Marinković-i.[50] Jo vetëm që theu heshtjen disavjeçare lidhur me këtë konstruksion politik, hetimor dhe gjyqësor, por u bë tepër e zhurmshme me kërkesa për rigjykimin e vëllezërve Mazreku. Libri i lartpërmendur i Carla del Ponte-s pati efektin e nxitësit për riaktualizimin e kësaj çështjeje. Madje, raporti i senatorit zviceran, Dick Marty, i titulluar “Trajtimi jonjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë”, i inkurajoi tej mase mbështetësit e Milošević-it, sidomos pasi Asambleja e Këshillit të Evropës e miratoi atë. Në një intervistë për gazetën “Vesti” ajo solli për lexuesin informatën se “në këtë rast ishin djegur rreth 30 civilë serbë[51], se vëllezërit Mazreku ishin dënuar me nga 20 vjet burg, por se Gjykata Supreme e anuloi këtë vendim…”.[52] Duke konsideruar se tani ishte krijuar “një klimë e favorshme për të kuptuar krimet e UÇK-së”, ajo kërkoi që rigjykimi i Luan dhe i Bekim Mazrekut të bëhej në Nish. Në këtë drejtim, zëvendësprokurori i Serbisë për Krime Lufte, Bruno Vekarić, disa herë insistoi që të kthehej procesi i rigjykimit të Luan dhe i Bekim Mazrekut në Gjykatën e Nishit. Mirëpo, kryetari i Gjykatës së Lartë të Nishit, Zoran Krstić, sqaroi, se: “Është i pamundur të mbahet rigjykimi i tyre sepse mungojnë procesverbali origjinal i marrjes në pyetje gjatë procesit hetimor dhe dokumentet thelbësore për këtë rast, që sipas tij ndodhen në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e që kjo gjykatë refuzon t’ua japë!”[53] Zëvendësprokurori i Serbisë për Krime Lufte, Bruno Vekarić, u është drejtuar zyrtarisht autoriteteve të EULEX-it në Kosovë që tërësinë e dokumenteve lidhur me këtë rast t’ia dorëzonin gjykatës në Nish, me qëllim që të vihej drejtësia në vend! As UNMIK-u e as Gjykata e Qarkut të Prishtinës, nuk u kursyen nga akuzat për “zhdukjen eventuale të provave dhe të dëshmive”! Kjo makineri propagandistike ishte e vetëdijshme se kishte njerëz që ende nuk kishin harruar faktin se Luan dhe Bekim Mazreku ishin marrë si pengje nga makineria vrastare e Milošević-it dhe mbi bazën e dokumentacionit të montuar prej tyre, më 18 prill 2001, në Gjykatën e Qarkut në Nish, u dënuan me nga 20 vjet burg! Por, instrumentet e kësaj makinerie propagandistike janë plotësisht të vetëdijshme se dezinformata është armë e fuqishme për manipulimin e opinionit publik, dhe se përgënjeshtrimi nuk mund t’i fshijë efektet e dezinformatës! Pas shpalljes së pafajësisë së Luan dhe të Bekim Mazrekut nga ana e Gjykatës Supreme të Serbisë dhe pas lirimit të tyre më 26 mars 2002, nëse realisht janë zhdukur dosjet e këtij procesi të montuar mbi bazën e propagandës ideologjike të regjimit të Milošević-it, atëherë bëhet tepër e qartë se përpos falsifikatorëve dhe montuesve të dosjeve gjyqësore kundër civilëve shqiptarë, askush tjetër nuk ka pasur interes t’i asgjësojë gjurmët e krimit të institucioneve hetimore, gjyqësore, politike dhe propagandistike të Serbisë. Megjithatë, sado paradoksale të duken kërkesat e tilla, ata e dinë se nëpërmjet cilave metoda i detyruan Luan dhe Bekim Mazrekun të pranonin veprat, që nuk i kishin bërë, të dëshmonin rrejshëm kundër personave që gjoja u kishin dhënë urdhër të kryenin krime, dhe sikur t’i kenë edhe një herë në duart e tyre ata shpresojnë se mund t’i nxjerrin si dëshmitarë për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja.”
***
T’i kthehemi “Jovana-s 11-vjeçare”, së cilës Slavko Nikić-i ende nuk ia kishte gjetur mbiemrin dhe sipas të cilit, “Luan dhe Bekim Mazreku e kishin dhunuar para syve të nënës, të gjyshes dhe të serbëve të plagosur e të lidhur”! Po sjellim dëshmi për lexuesin që nuk e di se kush është Slavko Nikić-i, që sot e kësaj dite mundohet të mbajë gjallë gënjeshtrën e sajuar për “Krematorin e Kleçkës” dhe të civilëve të djegur si në Kampin e Auschwitz-it gjerman. Fjala është për kolonelin e Policisë Serbe, të lindur në Prishtinë dhe me tri nënshtetësi[54], i cili deklaron publikisht në veprën e vet, se “nga personalitetet më të shquara të skenës politike, policore dhe ushtarake serbe, lidhur me qëndrimin ndaj jetës, ai më së shumti e çmon gjeneralin Ratko Mladić.”[55] Qëndrimi i Ratko Mladić-it për jetën u dëshmua në veçanti gjatë “Masakrës së Srebrenicës”! Më 13 korrik 1995, forcat serbe në Bosnjë, nën komandën e gjeneralit Ratko Mladić, masakruan përafërsisht 8000 burra dhe adoleshentë myslimanë në Srebrenicë. Kjo pas Luftës së Dytë Botërore është vrasja më e tmerrshme në Evropë. Drejtësia Ndërkombëtare e kualifikoi si gjenocid[56]. Publikisht pohon se ishte mik shumë i ngushtë i tij dhe se “për kontributin që kam dhënë për serbët e matanë lumit Drina[57], gjenerali Ratko Mladić më ka dhënë mirënjohje të veçantë. Me udhëzimet e tij, si kolonel lufte, jam dërguar në luftën e Kosovës në krye të Njësitit për Detyra të Veçanta![58] – ka deklaruar me mburrje Slavko Nikić-i. Koloneli i Ratko Mladić-it, Slavko Nikić-i, revoltohet pse “banditët shqiptarë u liruan me ndërmjetësimin e një shoqate serbe, që e ka ditur fare mirë se çka kishin bërë vëllezërit Mazreku me Jovana-n e vogël, dhe vazhduan t’i mbronin këta dy kriminelë dhe 1800 keqbërës, hajdutë, dhunues, kriminelë lufte dhe vrasës të tjerë shqiptarë… vetëm e vetëm që të merrnin një pjesë nga fitimi i shitjes së çdo organi të serbëve, që mbaheshin në llogoret shqiptare…”.[59] “Gjatë luftës unë zura 64 banditë shqiptarë, që pranuan se kanë kryer krime. Në vend të mirënjohjes nga shteti serb, Opozita Demokratike e Serbisë, pas vrasjes së Zoran Đinđić-it, në operacionin ‘SABLJA’[60] më arrestoi dhe më akuzoi si anëtar i Klanit të Zemunit. Unë nuk e kam urryer Zoran Đinđić-in, por e kam dashur Milošević-in. Edhe tani e dua edhe si të vdekur. Unë mburrem që më ka arrestuar Opozita Demokratike e Serbisë e do të më vinte turp sikur të më avanconin. Madje, Ratko Mladić-i më ka përshëndetur në mënyrë të veçantë edhe nga Burgu i Hagës ku mbahet i pafajshëm”[61], tregon me fodullëk Slavko Nikić-i në emisionin special të TV Novi Sadit. Ndërsa, sa i përket Milovan Dracun-it, që dha një kontribut të madh në mediatizimin e “Krematorit të Kleçkës”, e shoh të udhës që në këtë pjesë të analizës të sjell vetëm një fakt[62], që do t’i ndihmojë lexuesit të kuptojë se për çfarë gazetari bëhet fjalë. Fakti, me të cilin dua ta njoftoj lexuesin, lidhet me një veprim të rrallë të ndërmarrë nga një asociacion gazetarësh në Ballkan. Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, dorëzoi padinë kundër gazetarëve të Radio Televizionit të Beogradit, të Radio Televizionit të Novi Sadit, si dhe kundër gazetarëve të gazetave “Politika”, “Večernje Novosti” dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse. Me këtë padi penale, Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzon gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale. Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës. Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë, ndër të tjera edhe për manipulimin me “Krematorin e Kleçkës” me anë të “intervistës” me Bekim Mazrekun[63].
EPILOGU I KAPITULLIT TË PARË
“Kam qenë vazhdimisht në Kosovë si polic, por viti 1998 ishte i tmerrshëm. Masakër e paparë nga ana e policisë dhe e ushtrisë!”[64] rrëfen Slobodan Stojanović-i, komandanti i pensionuar i stacionit policor në Cërna Trava, ish-anëtar i Çetës IV, të Detashmentit të 37-të të Njësive të Veçanta të Policisë Serbe.
Polici serb Slobodan Stojanović rrëfen publikisht për krimet në Kosovë
“Kur anëtarët e njësitit tonë shkuan në Kosovë ishin në pozita të vështira financiare (…) Atje pashë plaçkitje të pronës, grabitje të traktorëve, vjedhje të veturave, të sharrave motorike, të kultivatorëve (…) Me një fjalë, gjithçka që shihte syri, duart nuk e linin pa marrë! Madje kanë prerë edhe gishtërinj për t’ua marrë unazat. I kam parë me sytë e mi. U kthyen në vendlindje me zinxhirë të trashë ari dhe me unaza për gratë e tyre. Ata nuk kanë pasur asnjë pasojë dhe sot të gjithë janë pasuruar (…) Që pesë vjet kam dalë në pension e ata policë na mbrojnë! Më vjen turp t’i shoh!…. Gjatë tre muajve në Kosovë kam parë tmerre. Para nesh ecte ushtria dhe që në mëngjes gjuante me raketa shumëtytëshe në drejtim të fshatrave kodrinore të Gllogovcit dhe vrisnin gjithçka që lëvizte. Atëherë, një koleg imi, ia kërkoi paratë një civili shqiptar të moshës mbi 70 vjeç. E pyeta nëse ishte normal dhe pse e bënte një gjë të tillë. Ai e vrau atë, sepse kishte vetëm 10 marka[65]! Ai polic ende punon. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj…
Ushtari serb që është fotografuar me markat e plaçkitura nga shqiptarët
Në Gllogovc, pas pastrimit të terrenit, pashë një grup prej 400-500 shqiptarë (gra, fëmijë dhe pleq). Dikush deshi të shtinte, por e ndërpreva. Më vonë pashë tmerrin! Kufoma të copëtuara, shtëpi të djegura nga eksplodimet. Nuk kisha mundësi ta paramendoja se një gjë e tillë kishte mundur të ndodhte… Në Prekazin e Epërm dhe të Poshtëm u vranë gra, fëmijë, kafshë dhe çdo gjë që lëvizte atje. Drenica digjej (…) Më kujtohet kur u vranë çobanët e paarmatosur, që nuk kishin as thikë për të prerë bukën. Komandanti Radoslav Mitrović-i dha urdhër që ‘t’i linim të rreziteshin!’. Kjo, në gjuhën tonë të koduar, donte të thoshte, t’i vritnim me gjakftohtësi![66] Për të gjitha këto dinte komandanti Nenad Stojković. Ai ishte personalisht i pranishëm kur policët e njësitit tonë në fshatin Bajgorë, te miniera ‘Trepça’, vranë një fëmijë të retarduar me nënën e tij, në shtëpinë e të cilëve kemi kaluar natën. Kur pyeta përse e bënë një gjë të tillë, më thanë se nuk kishim nevojë për dëshmitarë!
Komandanti Nenad Stojković pranë tankut: Obri, shtator 1998
Në shtator 1998 luftuam në fshatrat mbi Prizren, në të ashtuquajturin pastrim terreni. Unë nuk do të përmend emrin e policit, që ende është gjallë e pensionist, që për pikë qejfi ka vrarë fëmijën në djep, që nuk kishte as katër muaj. Sipas tij, ‘më i mirë është shqiptari i vdekur se shqiptari i gjallë’. Doja ta vrisja atë… Një anëtar i Çetës së Pirotit, që i takonte Sektorit 87 të Njësive Speciale të Policisë, shqiptarit të vdekur ia kishte prerë kokën. Pastaj, për ditë të tëra e ka zier në një tenxhere. Nga ajo i nxori katër dhëmbë prej ari, pastaj ka shkuar në shtëpi, kafkën e ka lyer me llak dhe nga ajo ka bërë një llambë tavoline (…) Të njëjtën gjë e ka bërë edhe me një grua të vrarë. Edhe asaj ia ka prerë kokën, në të njëjtën mënyrë e ka zier, e çoi në shtëpi dhe bëri llambë tavoline. Fliste se dëshironte të kishte një çift llambash. Njerëzit normalë ishin të tmerruar. Edhe komandanti i kompanisë, edhe komandanti i çetës, edhe 80 % e policëve ishin në dijeni të këtij tmerri!… Doktor Branimir Đokić, që ishte në çetën tonë që nga themelimi i saj, i tha Nenad Stojković-it, se ‘kur të kthehej do të tregonte për çdo gjë që kishin bërë’. Atë e vrau polici Goran Stamenković – Stamenko, vetëm pse doktori dinte shumë për krimet në Kosovë. Jo vetëm që nuk u bënë hetime korrekte për vrasjen e dr. Branimir Đokić-it, por u shpall se ai ishte vrarë nga UÇK-ja….. Ndaj një numri prej tyre janë ndërmarrë procedura hetimore, por janë ndërprerë. Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte dhe konkretisht zëvendësprokurori i saj, Dragoljub Stanković-i, në vend të akuzës ka përgatitur mbrojtjen e serbëve të akuzuar nga Tribunali i Hagës. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj, por m’u bë e qartë se në Kosovë nuk kisha shkuar me policë të mirëfilltë, por me një grup, që nuk di si ta definojë, se ata nuk ishin as kriminelë. Isha me sadistë, me të sëmurë, me kanibalë… vetëm mish njeriu që nuk kanë ngrënë. Ishin një grup banditësh, të gatshëm për të vjedhur dhe për të vrarë dhe askujt për këtë nuk i jepnin llogari. Edhe sot e kësaj dite nuk më është e qartë se kush nga kreu i shtetit ua lejoi një gjë të tillë…” Pjesë nga dëshmitë publike të policit serb, Slobodan Stojanović-it : 1. Kanë bërë llamba nga kafkat e shqiptarëve (http://www.hlc-rdc.org/?p=25433) 2. Kanë vrarë fëmijë, gra, pleq, çobanë, dhen… (http://www.hlc-rdc.org/?p=25448)
KAPITULLI II
PROLOGU I KAPITULLIT TË DYTË
Papritmas, pak pas orës 20 dëgjova përplasje të frikshme të derës dhe pas saj krisma armësh. Shokët e mi rrëzoheshin si duajt njëri pas tjetrit. Te dyert qëndronin dy terroristë, të veshur me të zeza, me kapela në kokë dhe pamëshirshëm gjuanin kundër nesh. Plumbi i parë e goditi Ivan-in, që u rrëzua mbi mua (…) sjell kujtimet e veta Nikola Rajović-i për mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë[67]. Nga 13 persona që kishin qenë të pranishëm në këtë kafene, që frekuentohej kryesisht nga të rinjtë malazezë dhe të rinjtë serbë, gjashtë persona humbën jetën: Ivan Obradović-i (14 vjeç), Vukota Gvozdenović-i (16 vjeç), Svetislav Ristić-i (17 vjeç), Zoran Stanojević-i (17 vjeç), Dragan Trifović-i (17 vjeç) dhe Ivan Radević-i (25 vjeç), ndërsa tre persona u plagosën rëndë.[68] Slavica Obradović-i, nëna e Ivan-it, dhe të gjitha nënat e të vrarëve të tjerë, edhe sot e kësaj dite kërkojnë ta dinë se kush i vrau dhe kush dha urdhër për vrasjen e tyre.[69] Të shpresojmë se pas këtij kapitulli lexuesi do të ketë edhe një mundësi më shumë të dalë nga grackat e propagandës dhe të shohë këtë tragjedi edhe nga një këndvështrim tjetër.
Te kafeneja “Panda”!
Pejë, 14 dhjetor 1998 Ngjarja e tmerrshme, që ndodhi këtë natë dhjetori të vitit 1998, në qytetin kufitar të Kosovës me Malin e Zi, tronditi jo vetëm popullin serb dhe popullin malazez të Kosovës, por edhe atë të Serbisë dhe të Malit të Zi, si asnjë ngjarje e mëparshme. Lajmi i shoqëruar me fotografitë e të rinjve të vrarë përshkoi të gjitha mediet e vendit. Kjo ndikoi që të organizohen protesta që në mëngjesin e 15 dhjetorit.
Fotografi e masakrës në kafenenë «Panda»
Mobilizime dhe protesta masive anekënd Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi shprehnin revoltën e qytetarëve për këtë krim. Në të njëjtën kohë kërkohej arrestimi sa më i shpejtë i dorasëve, sjellja e tyre para drejtësisë dhe dënimi i merituar i kriminelëve. Në të gjitha nivelet e arsimit, nga shkollat fillore e deri te universitetet, serbët dhe malazezët ndërprenë mësimin dhe mbajtën tubime protestuese. Me anë të këtyre tubimeve kërkohej nga organet shtetërore që të merren aksione efikase për shkatërrimin e terrorizmit.[70] Vlen të theksohet se që nga ardhja e Milo Đukanović-it në krye të Malit të Zi, më 15 janar 1998, kjo republikë mbante një distancë ndaj regjimit të Milošević-it. Mirëpo, vrasja e të rinjve malazezë dhe e të rinjve serbë ngjalli një revoltë të madhe edhe në Mal të Zi dhe ndjenjën e fuqishme të solidaritetit me viktimat dhe me familjet e tyre. Këtë ndjenjë solidariteti me viktimat e aksionit terrorist të 14 dhjetorit regjimi i Beogradit u përpoq ta shfrytëzonte për të forcuar edhe solidaritetin politik midis dy republikave që kishin mbetur nga Federata Jugosllave e përparshme. “Të dilej unik dhe pa kompromis përballë terrorizmit shqiptar!”[71] Në kuadër të mobilizimeve, të peticioneve dhe të letrave publike, që botonte shtypi serb, një vend të veçantë iu dha letrës së nënave serbe dhe të nënave malazeze të Komunës së Pejës, adresuar publikisht kryetarit të RF të Jugosllavisë, Slobodan Milošević-it. Në këtë letër emocionuese të 15 dhjetorit 1998, ndër të tjera theksohej, se: “Mbrëmë në Pejë, terroristët na i kanë vrarë 6 djelmosha. Më i riu, Ivan Obradović-i, nuk i kishte mbushur as 15 vjet, ndërsa më i moshuari midis tyre, ishte studenti Ivan Radević-i, 25 vjeç. Katër të tjerët nuk i kishin as nga 17 vjet …Duke besuar te Ju, dhe vetëm te Ju, kemi mbetur të jetojmë këtu në vatrat stërgjyshore. Këtu kemi lindur dhe kemi bërë fëmijët tanë, tani edhe i varrosim këtu… Besimi i plotë që kemi te Ju si Kryetar, si patriot dhe si prind Ju obligon të na i mbroni fëmijët dhe të mos lejoni të njollosen varret e djemve, të vëllezërve, të baballarëve dhe të burrave tanë, që u vranë gjatë aksioneve antiterroriste në mbrojtje të lirisë së qytetarëve dhe të integritetit të vendit. Nga rënkimet e nënave rrëzë Bjeshkëve të Nemuna[72], Ju lusim që pa kompromis të çrrënjosni terrorizmin, se zullumi nuk mund të durohet më.”[73] William Walker-i në emër të 54 shteteve të OSBE-së dënoi me ashpërsi dhunën që ndodhi në Kosovë.[74] Nëpërmjet përfaqësuesit të saj politik UÇK-ja dënoi aktin terrorist kundër të rinjve serbë dhe të rinjve malazezë dhe hodhi poshtë çfarëdo implikimi të pjesëtarëve të saj në këtë vrasje.”[75] Edhe në ditën e varrimit, më 16 dhjetor, u organizuan tubime anekënd Kosovës me kërkesa që të arrestoheshin përgjegjësit e kësaj vepre kriminale, të dënoheshin me dënime të merituara dhe të mbroheshin qytetarët nga terroristët shqiptarë.[76] Kush i vrau këta të rinj? Në interes të kujt ishte vrasja e civilëve të pafajshëm? Interes i shqiptarëve? Interes i UÇK-së? Apo i atyre që përpiqeshin t’i jepnin luftës së popullit shqiptar karakter terrorist?
“Bombashi-t” e UÇK-së!
Me arsyetimin se kërkoheshin kryerësit e sulmit terrorist në kafenenë “Panda” në Pejë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi se nga data 14 dhjetor e deri më 17 dhjetor 1998 kishte arrestuar Gazmend Bajramin (20 vjeç), Vllaznim Përgjegjajn (19 vjeç), Xhevdet Bajramin (21 vjeç), Beqir Loxhajn (27 vjeç), Agron Kollçakun (26 vjeç) dhe Behar Bajrin (18 vjeç)… Gjithsejtë 34 shqiptarë ishin arrestuar në këtë interval kohe dhe akuzoheshin si pjesëmarrës në këtë sulm terrorist.[77] Ndjekja e personave të tjerë të “implikuar” në këtë aksion terrorist vazhdoi gjatë tërë muajit dhjetor dhe në këtë klimë terrori më se 100 shqiptarë u torturuan për të “gjetur” dorasit e krimit! Vetëm ata që kanë kaluar nëpër duart e hetuesisë serbe mund ta imagjinojnë tmerrin që kanë përjetuar këta persona, që u torturuan barbarisht për të pranuar veprën që nuk e kishin bërë. Edhe pse kësaj radhe nuk u nxor asnjë nga “terroristët” e arrestuar që të “pohonte” para gazetarëve vrasjen, siç ndodhi me Bekim Mazrekun për rastin e “ekzekutimit të civilëve serbë në Kleçkë”, mediet serbe vazhdonin të manipulonin me “rezultatet” e hetimeve. Publicitet i madh iu dha një “terroristi shqiptar”, anonim për publikun, për të mos i rrezikuar rrjedhat e hetimeve, i cili gjoja “ishte arrestuar para se të kryhej ky aksion terrorist, por i cili nuk kishte folur deri në ora 21 e 30 minuta! Ai ka treguar për këtë krim vetëm atëherë kur kishte kaluar koha e paraparë për aksion dhe kur kishte qenë i bindur se aksioni kishte përfunduar.”[78] Më se 100 shqiptarë iu nënshtruan “hetuesisë” serbe për “ndriçimin” e vrasjes në kafenenë “Panda”. Ndër ta përzgjodhën gjashtë të rinj, që “pranuan” se “si pjesëtarë të UÇK-së kishin krijuar një grup të veçantë të emëruar “Bombashi”… se kishin vrarë shumë policë në fshatrat Prilep dhe Carrabreg të Komunës së Deçanit dhe së fundi kishin kryer vrasjen e gjashtë të rinjve serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda”… Jo vetëm veprat që u ngarkoheshin të akuzuarve, por edhe emërtimi i grupit me një fjalë jo shqipe, “Bombashi”, dëshmon se ky rast ishte konstruktuar tërësisht në laboratorët politikë, hetimorë dhe gjyqësorë të regjimit të Beogradit. Më 16 qershor 1999, pas gjashtë muajsh torturash në Burgun e Qarkut në Pejë, ditën kur forcat e KFOR-it erdhën në këtë qytet, forcat serbe në largim morën me vete si pengje edhe të gjithë të burgosurit e këtij burgu. Në mesin e tyre ishin edhe Gazmend Bajrami, Vllaznim Përgjegjaj, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxhaj, Agron Kollçaku dhe Behar Bajri. Në këtë datë, kur Peja shënon ditën e çlirimit nga forcat serbe, për këta gjashtë të rinj shqiptarë filloi akti i dytë i tragjedisë së tyre. Xhelatët mbetën të njëjtë! Vetëm “skena” ndryshoi vendin! Të transferuar fillimisht në Burgun e Qarkut të Leskovcit[79], të arrestuarit iu nënshtruan torturave të reja. Pastaj u transferuan në Burgun e Zajeçarit[80], për t’u kthyer sërish në Burgun e Leskovcit. Më 18 tetor 1999, në Gjykatën e Qarkut të Leskovcit filloi gjykimi i gjashtë të akuzuarve për vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda” dhe për vrasjen e policëve serbë në fshatrat e Komunës së Deçanit. Gjykimi për këtë rast kishte zgjuar interesim të jashtëzakonshëm të medieve dhe të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Që në hapje të procesit gjyqësor të gjithë të akuzuarit hodhën poshtë akuzat dhe u deklaruan të pafajshëm për veprat që u ngarkoheshin. Ata sqaruan se kishin qenë të detyruar të nënshkruanin deklaratat me të cilat pohonin vrasjet e lartpërmendura dhe se realisht nuk kishin qenë pjesëmarrës të asnjë vrasjeje. Të akuzuarit zhveshën këmishët në prani të të pranishmëve në sallën e gjykatës dhe treguan shenjat e plagëve nga torturat. Prerjet me thika dhe djegiet me zjarr, si në kohën e inkuizicionit, bënë që gjykatësi të ndërpriste gjykimin. Ndërprerja e procesit gjyqësor ishte një indikator se edhe në Serbi kishte gjykatës që nuk mund të kapërdinin turpin e e proceseve të montuara gjyqësore mbi bazën e deklaratave të nxjerra me dhunë. Tri javë më vonë, më 9 nëntor 1999, rifilloi gjykimi i gjashtë shqiptarëve të grupit “Bombashi”. Ata u njoftuan se ishin liruar nga akuza për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda”. Shfajësimi për akuzat lidhur me vrasjen e 14 dhjetorit 1998 ishte një goditje e madhe për Slobodan Milošević-in, gjatë periudhës kur ende ishte në pushtet. Mirëpo, akuza për vrasjen e policëve mbeti! Me vendimin[81] e Gjykatës së Qarkut të Leskovcit, si anëtarë të këtij “grupi terrorist” dhe si pjesëtarë të UÇK-së, që kishin vrarë policë serbë, Gazmend Bajrami, Vllaznim Përgjegjaj, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxhaj, Agron Kollçaku dhe Behar Bajri u dënuan me nga një vjet burg! Ndoshta dënimi me nga një vit burg ishte “kompromisi” që gjykata bëri me hetuesinë gjatë tri javëve të ndërprerjes së procesit gjyqësor. Ndoshta mbajtja edhe nga një muaj në burgjet serbe kishte të vetmin qëllim që të mos shfajësoheshin tërësisht! Këtu mund të shtrohen shumë hipoteza, pa përgjigje të sigurta. E vetmja gjë që është e sigurt në këtë rast konsiston në faktin se nuk ka asnjë vend në botë që vrasësit e “ruajtësve të rendit” t’i dënojë aq pak! “Humanizëm” i paparë i gjykatave serbe! “Terroristë të UÇK-së”, që “kishin vrarë shumë policë” u dënuan vetëm me nga një vit burg! Apo dëshmi e kulluar e procesit të montuar gjyqësor. Një muaj më vonë, pas përfundimit të qëndrimit njëvjeçar në burg, më 15 dhjetor 1999, të gjashtë shqiptarët përfunduan dënimin me burg dhe të shoqëruar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u transferuan në Kosovë. Për secilin lexues është e qartë se shpallja e pafajësisë së plotë e këtyre gjashtë shqiptarëve të rinj implikonte përgjegjësinë e hetuesisë serbe, që kishte aplikuar tortura të tmerrshme për t’i detyruar të pranonin veprat që nuk i kishin bërë. Për çdo njeri është e qartë se të detyrosh dikë me dhunë të pranojë veprën që nuk e ka bërë, nënkupton që nëpërmjet këtij akti, ushtruesi i dhunës fsheh kriminelët e vërtetë! Kush ishin ata që duhej të fshiheshin dhe kush përpiqej të fshihte gjurmët e kriminelëve të vërtetë?
Çka e mundonte ndërgjegjen e Milošević-it?
Megjithëse vrasja në kafenenë “Panda” nuk kishte asnjë lidhje me procesin gjyqësor kundër Slobodan Milošević-it dhe me gjithë faktin se ai ishte në dijeni të plotë se përpjekja që t’u ngarkohej shqiptarëve një krim i tillë kishte dështuar, Milošević-i solli disa herë dëshmitarë që të tregonin përjetimet e tyre për këtë rast. Me anë të dëshmive të Mitar Balević-it,[82] Dragan Jašović-it,[83] Radovan Paponjak-ut[84] dhe të dëshmitarëve të tjerë, të ftuar nga mbrojtja e tij, Milošević-i përpiqej të “dëshmonte se sa brutalë, sa të pashpirt dhe sa shtazarakë, ishin ata që vrisnin fëmijë të pafajshëm!”[85] Milošević-i flet për “brutalitetin e vrasjes së fëmijëve të pafajshëm”! Është e habitshme! Ai që orkestroi masakrën e shumë familjeve kroate dhe boshnjake në luftërat e mëparshme, gjatë të cilave u vranë me mijëra fëmijë, flet për “brutalitetin e vrasjes së fëmijëve”! Ai që urdhëroi vrasjen e familjes Jashari në Prekaz, të familjes Delia në Obri të Epërme, si dhe vrasjen e më se 1300 fëmijëve në Kosovë, që me anë të “marionetave” të propagandës së tij i quajti “inskenime me kukulla” flet për vrasje fëmijësh! Çka e shtyri Slobodan Milošević-in të fliste për “brutalitet të vrasjes së fëmijëve”? A e bëri një gjë të tillë vetëm për faktin se fëmijët e vrarë kësaj here ishin serbë dhe malazezë apo atë e vriste ndërgjegjja për diçka tjetër lidhur me këtë rast? Këtë nuk mund ta marrim vesh asnjëherë, sepse, edhe nëse zbulohen vrasësit e të rinjve në kafenenë “Panda”, kufoma e Milošević-it është kalbur, së bashku me sekretet e “ndërgjegjes” së tij. Njerëzit e “kasapit të Ballkanit”, që zbatuan urdhrat e tij, nuk do të flasin për këto krime. Pos në rastet kur presin ndonjë privilegj për vete. Vetëm ata që dëshirojnë t’i japin fund sekreteve të një mentaliteti të kalbur të nacionalizmit, mund t’i hapin dyert e “kasaphanës jugosllave” për të parë tmerret e një politike, që civilët e pafajshëm i shndërroi në lëndë të parë!
***
Kush ishin vrasësit e vërtetë të këtyre të rinjve? “Asnjëherë askush nuk u dënua, asnjëherë askush nuk u përgjigj”, përsëritin të afërmit e viktimave (…) “Arrestimet e atëhershme të një numri të madh njerëzish, nuk dhanë asnjë rezultat. Që nga ajo periudhë ka mbetur e paverifikuar informata se krejt ishte organizuar nga Dauti, vëllai i Ramush Haradinajt.[86] Por, propaganda shqiptare, në mesin e të cilëve Adem Demaći[87] ishte më i zëshmi, krimin ia ngarkoi Shërbimit Sekret Serb.”[88] Me gjithë faktin se aparatet e regjimit të Milošević-it kishin dështuar tërësisht në përpjekjet për t’ua hedhur fajin gjashtë shqiptarëve, mediet serbe nuk e ndalën spekulimin rreth kësaj tragjedie edhe pesëmbëdhjetë vjet më vonë! Pesëmbëdhjetë vjet pas kësaj ngjarjeje, gazeta beogradase “Politika”, iu drejtua autoriteteve të EULEX-it në Kosovë për të mësuar se a janë duke u zhvilluar hetimet lidhur me këtë rast. Gazeta njoftonte opinionin dhe lexuesit e vet se kishte mbetur pa përgjigje![89] Kjo formë e mediatizimit të problemeve tanimë është e njohur. Nuk përjashtohet mundësia që në fazën e ardhshme, dirigjentët politikë dhe mediatikë të regjimit të vjetër të Serbisë, të orkestrojnë akuza të reja kundër misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe kundër gjykatësve të Gjykatës së Qarkut në Pejë, për gjoja humbjen e dosjeve dhe të dokumenteve lidhur me këtë rast! Familjarët e viktimave nuk lanë dyer pa trokitur për të zbuluar të vërtetën për këtë vraje tragjike. Kështu, sipas pohimeve të Ljubiša Ristić-it, babait të Svetislav-it të vrarë në kafenenë “Panda”, “gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka mbetur asnjë adresë që nuk i jemi drejtuar dhe të kërkojmë përgjigje se kush i vrau fëmijët tanë? Kemi kërkuar që të fillojnë hetimet atë vit që ndodhi krimi, kemi vazhduar edhe më vonë, kur bashkësia ndërkombëtare mori drejtimin e Kosovës. Këtë e kemi kërkuar edhe nga pushteti ynë në Beograd, që të bëjë gjithçka që është në mundësitë e tij, që të kemi një përgjigje… Të gjithë e bënë veshin e shurdhur. Askush nuk ka treguar as gatishmërinë më të vogël, që të bëhen hapa konkretë për gjetjen vrasësve dhe për ballafaqimin të tyre me drejtësinë. Unë e përjetoj këtë sikur të na vriteshin fëmijët për së dyti”[90],….thotë ky prind i mbushur me dhembje dhe zhgënjim.
***
Në epilogun e kapitullit të parë solla pjesë nga dëshmia publike e policit serb, Slobodan Stojanović-it, ndër të tjera edhe për vrasjen e doktorit serb, Branimir Đokić-it në vitin 1998. Atë e vrau polici serb Goran Stamenković – Stamenko, vetëm pse dinte shumë për krimet serbe në Kosovë dhe kërcënoi se do të tregonte. M’u për këtë ai vra dhe, për të fshehur gjurmët, u shpall se e kishin vrarë “terroristët e UÇK-së”! Pesëmbëdhjetë vjet pas këtij krimi, familjarët e Branimir Đokić-it e kuptuan se kush në të vërtetë ishte vrasësi i doktorit. Sado e hidhur t’u duket fakti se ai nuk është vrarë nga “terroristët shqiptarë”, por nga një polic serb, vetëm e vetëm nga shkaku se ai nuk është pajtuar me krimet kundër civilëve të pafajshëm, kjo duhet të jetë një ngushëllim për ta. I takon Gjykatës për Krime Lufte të ngrejë padinë kundër policit Goran Stamenković – Stamenko dhe kriminelëve të tjerë përreth tij dhe t’i dënojë për krimet e bëra në Kosovë dhe për vrasjen e këtij doktori serb, që nuk donte të heshtte për krimet në Kosovë. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia mund të vihet në vend! Miroslav Filipović-i, gazetar serb i gazetës beogradase “Danas”, gazetar i Agjencisë France-Presse dhe analist i Institutit Raportues për Luftën dhe Paqen[91], në Gjykatën Ushtarake të Nishit[92] u dënua më 26 korrik të vitit 2000 me 7 vjet burg, sepse ngriti zërin kundër krimeve serbe në Kosovë. Rreth kësaj çështjeje do të flasim më gjerësisht në kapitullin kushtuar situatës në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s. Në këtë pjesë të shkrimit tim po kufizohem vetëm në një të dhënë, që mund të ndihmojë në hapjen e shtegut për të parë edhe nga një këndvështrim tjetër shumë raste që mbetën të pasqaruara e që regjimi i Milošević-it ua atribuoi “terroristëve të UÇK-së”. Në shkrimin e tij të titulluar “Marsi i gjatë për të vërtetën e krimeve”, Miroslav Filipović-i thekson se “prapa shpinës së Qeverisë formale të Serbisë u formuan eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë dhe kështu i ngritën tensionet ndëretnike.”[93] Serbë që sulmonin pronat e serbëve dhe për këtë akuzonin “terroristët e UÇK-së”! Serbë që përdhosnin varrezat e serbëve dhe akuzonin “terroristët e UÇK-së” për këto vepra të shëmtuara! Serbë që vrisnin serbë dhe akuzonin “terroristët e UÇK-së” për këto vrasje! Sado paradoksale që të duket, ky ishte realiteti që imponoi regjimi i Milošević-it në fundin e shekull XX! Ambiciet politike të këtij regjimi totalitar zhvlerësuan në përmasa të paimagjinueshme vlerat njerëzore në përgjithësi dhe jetën e njeriut në veçanti! Sa i përket “qëndrimit ndaj jetës”, në kapitullin e parë lexuesi pati mundësi të njihej edhe me deklaratën e kolonelit të policisë serbe, Slavko Nikić-it, i cili për këtë çështje më së shumti e çmonte qëndrimin e Gjeneralit serb, Ratko Mladić-it![94] Të gjithë ata që kanë lexuar sadopak për luftën në Bosnjë janë në dijeni se emri i Ratko Mladić-it është bërë sinonim i kriminelit më të tmerrshëm dhe më të pamëshirshëm të kësaj lufte, pikërisht për shkak të qëndrimit të tij mospërfillës ndaj jetës së civilëve të pafajshëm! Me udhëzimet e tij Slavko Nikić-i erdhi në luftën e Kosovës. Erdhi në Kosovë për të zbatuar qëndrimet e Ratko Mladić-it për jetën! Në emisionin televiziv “Ćirilica” të udhëhequr nga gazetari Milomir Marić-i, Slavko Nikić-i u pyet për fotografinë e tij me uniformë të UÇK-së, që e ka vënë në ballinën e librit “Rrëfim: Ndoshta”, autor i të cilit është ai vetë. Slavko Nikić-i pohoi se është uniformë e UÇK-së, që e ka veshur në raste të caktuara dhe të cilën ia ka dhënë një shok i tij, oficer i policisë serbe. “Për momentin nuk dëshiroj t’ia përmend emrin, por mund të bëjmë emisione të tjera, ku mund të sqarohen shumë gjëra”[95], deklaroi Slavko Nikić-i. “Ai që ta ka dhënë uniformën në atë kohë quhej ‘Šumadinac?’” – insistoi gazetari Milomir Marić-i, për të sqaruar teleshikuesit e emisionit. “Nuk e di si është quajtur në atë kohë”, – është përgjigjur me sarkazëm koloneli i policisë serbe, – “por Milomir Marić-i e di saktësisht se kush ma ka dhënë”. Pra, në mënyrë të tërthortë ai e pranon se e ka marrë uniformën e UÇK-së nga oficeri serb me nofkën “Šumadinac”! Për problematikën tonë, çështja se nga e ka marrë Slavko Nikić-i uniformën e UÇK-së është dytësore. Ajo që është më e rëndësishme për të sqaruar lexuesin, lidhet me çështjen se çka ka bërë i veshur me këtë uniformë? Në cilat aksione ka marrë pjesë i maskuar si ushtar i UÇK-së? Për çfarë qëllimi e ka bërë një gjë të tillë? Me sa uniforma ka operuar në Kosovë? Sa kapela ka ndërruar gjatë operacioneve të ndryshme? Gjatë operacioni ‘SABLJA’ të ndërmarrë për arrestimin e personave të implikuar në vrasjen e ish Kryeministrit serbe, Zoran Đinđić-it, në mesin e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit Shtetërorë të Serbisë u arrestua edhe Slavko Nikić-i, si “anëtar i Klanit të Zemunit.”[96] Po përmendim shkurtimisht për lexuesin se në këtë kohë, kjo organizatë kriminale udhëhiqej nga koloneli serb, Milorad Ulemek-Legija[97], i cili është dënuar me dënimin maksimal[98] prej 40 vjet burg për shkak të implikimit në vrasjen e politikanit serb, Ivan Stambolić-it, të vrasjes së Kryeministrit serb, Zoran Đinđić-it, të vrasjes së katër anëtarëve të Partisë së Rilindjes Serbe, për tentim vrasjen e Vuk Drašković-it dhe shumë krimeve tjera. Pyetjet e mësipërme, si dhe shumë pyetje të kësaj natyre, mund të kenë përgjigje në formë hipotezash. Këtë çështje mund ta sqarojë vetëm një proces hetimor që do të kishte për qëllim ndriçimin e rasteve të pandriçuara deri tani. Nuk mund të jem i sigurt se a ka marrë pjesë Slavko Nikić-i në vrasjen e gjashtë të rinjve serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda” të Pejës! Vetëm një gjë është e sigurt: i maskuar me këtë uniformë ai nuk ka marrë pjesë në luftime kundër ushtarëve të UÇK-së.
EPILOGU I KAPITULLIT TË DYTË
(Eskadronët e vdekjes)
Dy javë pas përkujtimit të 15 vjetorit të vrasjes në kafenenë “Panda”, zëvendëskryeministri i Qeverisë serbe, Aleksandar Vučić-i, deklaroi në emisionin “Teška reč” në TV Pink se: “në Serbi pushteti vriste edhe ata që mendonin ndryshe edhe kundërshtarët e vet. Ky është një problem i tmerrshëm për vendin tonë. Fjala është për pushtetin, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë, por në gjëra të tilla nuk kam marrë pjesë (…) Ka shumë gjëra të tmerrshme, me të cilat duhet të ballafaqohemi. Për shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbe në kafenenë ‘Panda’ të Pejës në vitin 1998. Nuk ka fakte se këtë krim e kanë kryer shqiptarët, ashtu siç është besuar.”[99] Përgënjeshtrimi se prapa kësaj masakre qëndronin “terroristët shqiptarë” dhe drejtimi i gishtit tregues në institucionet shtetërore serbe mobilizoi strukturat e regjimit të vjetër që të bëjnë përpjekjen e fundit për të fshehur krimin. Gazeta beogradase “Nedeljnik” shpërndau “informatat nga burimet e veta të ‘sigurta’ se këta gjashtë të rinj serbë i ka vrarë Shërbimi i fshehtë britanik, MI-6, me qëllim që të provokohen konfliktet në Kosovë, të shpërnguleshin serbët dhe të nxitej lufta kundër Jugosllavisë.”[100] Me qëllim të vazhdimit të manipulimit me opinionin publik të Serbisë, mediet serbe i kushtuan një rëndësi të veçantë “zbulimit” të “Nedeljnik”-ut. Kështu, në mediet kryesore serb dominuan titujt lidhur me këtë “zbulim”:“Shërbimi britanik MI-6 i vrau djelmoshat serbë në Pejë”,[101] “Tronditëse: Shërbimi i fshehtë britanik MI6 i vrau djelmoshat në Pejë”[102] dhe tituj të ngjashëm me këto ishin në funksion “të kërkimit të fajtorëve te të tjerët”. Sipas pohimeve të kësaj gazeta serbe “perëndimi mundohet ta heshtë këtë masakër, por, Raporti i Helena Hant[103] përmend se katër pjesëtarë të këtij shërbimi ishin në Reçak!” Për ta ilustrua këtë “zbulim”, shkrimit ia shtuan edhe një foto ku mund të shihen “katër pjesëtarët e Shërbimit MI-6”! Madje, me fytyra të fshehura për publikun! Mund t’i duket dikujt si më e besueshme! Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vučić-i[104] reagoi lidhur me këto gënjeshtra, dhe hodhi poshtë çfarëdo implikimi të Shërbimit Sekret Britanik në vrasjen e gjashtë të rinjve serbë e malazezë në kafenenë “Panda”[105] Krahas reagimit tij, edhe mjaftë personalitete të tjera të jetës politike dhe intelektuale të Serbisë u prononcuan dhe dolën në mbështetje të Vučić-it për t’i shkuar deri në fund sqarimit të vrasjeve nga regjimi i Milošević-it. Me një fjalë, qëndrimi i Aleksandar Vučić-it hapi jo vetëm “kutinë e Panda-s”, por “kutinë e Pandorës” së krimit të regjimit të Slobodan Milošević-it[106]. Për një kohë të shkurtër doli në shesh se këtë krimi e kishte bërë kreu i shtetit serb. Sado tronditëse të duket për familjet e viktimave, realiteti është i këtillë. Megjithatë, pyetja pse regjimi i Beogradit vrau edhe fëmijë serbë është një nga pyetjet që më së shumti shtrohet në mediet serbe. “Vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin UÇK-në, e solli Milošević-i dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, Njësisë për Operacione Speciale,[107]u caktua Milorad Ulemek-Legija(…) Ky i merrte urdhrat nga Radomir Marković-i, ish Shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i dënuar sikurse Milorad Ulemek-Legija, me 40 vjet burg për dhënien e urdhrit dhe porosinë e vrasjeve të lartpërmendura. Radomir Marković-i urdhrat i jepte drejtpërdrejtë ose përmes njerëzve të tij. Për këtë çështje mund të merret në pyetje edhe Guri[108] (…) U vendos që përmes serisë së sulmeve terroriste të kryera nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së që ajo të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si një organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…) Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, në krye me Radomir Marković-in, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legija-s, më 14 dhjetor 1998 e kryen masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë “Panda” në Pejë. Radomir Marković-i në kërkesën për falje të dënimit që ia drejtoi Kryetarit të Serbisë, Nikolić-it, ai e kërcënoi se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse e publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Sipas disa burimeve qeveritare të Serbisë, ish Shefi i Sigurimit Shtetëror serb, Radomir Marković-i, informoi për masakrën në kafenenë «Panda». Nga ana tjetër, Milorad Ulemek-Legija është i gatshëm të dëshmojë se urdhri për vrasjen në Pejë ka ardhur nga kreu i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore. Qëllimi i vetëm i këtij krimi ishte që në sytë e opinionit publik ndërkombëtarë UÇK-ja të paraqitet si organizatë terroriste dhe përmes këtij rasti të arsyetohen aksionet e forcave serbe në Kosovë”[109] Sado shpresëdhënëse të jetë dëshira për të ndriçuar krimet e regjimit të Slobodan Milošević-it, logjika e vjetër është tepër pranishme në të gjitha institucionet shtetërore të Serbisë. Shumë shpesh, të maskuar me gjoja “vendosmërinë për të mos bërë asnjë kompromis me kriminelët”, dërgohen mesazhe negative për ata që dëshirojnë të dëshmojnë për krimet e kryera. Në këtë kontekst e shoh edhe deklaratën e Prokurorit për krim të organizuar të Serbisë, Miljko Radisavljević-it, i cili në Konferencën për shtyp deklaroi “se Milorad Ulemek-Legija nuk mund të ketë as statusin e të dënuarit që bashkëpunon me prokurorinë e as ndonjë privilegj tjetër.”[110] Sipas mendimit tim, kjo është forma më e mirë për t’i dekurajuar ata që dëshirojnë të flasin për krimet monstruoze të kryera nga strukturat shtetërore serbe! Dhe deklaratat e tilla nuk mund të mbesin pa pasoja në procesin e ndriçimit të krimeve!
KAPITULLI 3
PROLOGU I KAPITULLIT TË TRETË
“Në qendër të fshatit, në shtëpinë ku ishte Shtabi i UÇK-së, policia gjeti një kompjuter me të dhënat e brigadës terroriste dhe listën prej 126 terroristëve që ishin në Reçak. Në mesin e tyre ishin edhe katër të huaj, me mbiemra amerikanë ose anglezë (!!!!). Ata ishin instruktorë ose specialistë të huaj (…). Nga zjarri i ashpër i terroristëve, forcat policore u detyruan të tërhiqeshin drejt Ferizajt. Terroristët hynë në Reçak. Atëherë filloi mashtrimi i madh, që në botë u përhap si masakra e civilëve nga ana e policisë serbe. Nga përroi dhe istikamet i tërhoqën trupat e terroristëve të vdekur dhe i vendosën në përroskë, ku më parë nuk kishte pasur asnjë kufomë. Terroristët i veshën dyzet kufoma me tesha civile, sepse për të tjerët nuk kishin veshmbathje. Të tjerët në uniforma i nisën për në fshatin Budakovë, ku sipas gjasave i kanë varrosur. Kuptohet, assesi nuk u ka konvenuar të shiheshin terroristët e vdekur në uniforma. Ata terroristë të likuiduar, që luftuan djallëzisht tërë ditën, duhej të paraqiteshin si ‘civilë paqësorë’. Së bashku me kufomat, terroristët i morën edhe armët, që policët, për shkak të territ dhe të hapësirës së gjerë, nuk mundën t’i mblidhnin. Të nesërmen, herët në mëngjes, erdhi William Walker-i, xhelati, i cili u desh Serbisë dhe RFJ-së t’ia vinte lakun në fyt dhe t’ua hapte rrugën bombardimeve. Krimineli filloi banketin e tij të përgjakshëm. Walker-i u dha udhëzime terroristëve, që ishin rreth tij, si duhej t’i renditnin kufomat, që t’i përngjante masakrës, respektivisht ekzekutimit të civilëve. Pastaj i solli ekipet e TV-ve dhe gazetarët. Me fytyrë të mërzitur, gjoja tepër i prekur, William Walker-i dha deklaratën, me të cilën dënonte policinë serbe për ‘masakër’”…
Milovan Drecun[111]
Shpresoj se në fund të këtij kapitulli lexuesi do të jetë në gjendje të gjykojë se a ishte “Rasti i Reçakut” gënjeshtër e inskenuar nga qarqet e caktuara për të arsyetuar intervenimin ushtarak kundër regjimit të Milošević-it, siç pretendon gazetari i RTV të Beogradit, apo kjo masakër ishte vetëm një “insert i tragjedisë” që përjetonin shqiptarët në Kosovë. Le të vlerësojë lexuesi!
- 1. LUFTA DHE MEDIAGËNJESHTRA
Më 26 maj 2000, para të pranishëmve të ftuar nga Shoqata e Miqësisë Franko-Serbe në Lyon, gazetari belg, Michel Collon, nisi fjalimin e tij me këtë sintagmë: “Çdo luftë fillon me një medie gënjeshtër!”[112] Për të ilustruar qëndrimin e mësipërm, ai u tha të pranishëmve se “Masakra serbe e Reçakut nuk ka ekzistuar asnjëherë, por ishte një gënjeshtër që u sajua për të provokuar intervenimin e NATO-s kundër Serbisë”[113]. Ky gazetar, që trajton këtë problematikë edhe në veprën e titulluar “Monopoly…”[114] insiston në atë se legjitimimi i këtij intervenimi ushtarak u arrit falë mediatizimit të “Masakrës së Reçakut”. Si ilustrim të mediatizimit ndërkombëtarë të këtij rasti autori përmend “gazetat më të mëdha frankofone, si “Le Monde” të Parisit, “Le Soir” të Brukselit (…), që sollën prova për koka të thyera, krahë të këputur (…) të 15 kufomave të civilëve të gjetur në përrua, afër këtij fshati të qetë.”[115] Në të njëjtën logjikë, në shkrimin “Industria e gënjeshtrës dhe lufta imperialiste”, filozofi italian, Domenico Lasurdo-ja, vlerësoi se “Masakra e Reçakut është e tmerrshme, me gjymtime dhe me koka të prera. Është skenë ideale për të nxitur indinjatën e opinionit publik ndërkombëtar (…). Siç na mëson lufta e Bosnjës, dhuna në trup, shenjat e torturës, kokat e prera janë armë mjaft të përhapura të propagandës (…). Ndoshta nuk janë serbët por guerilët shqiptarë që i gjymtuan trupat”[116], shtron si hipotezë në këtë shkrim të tij Lasurdo-ja. Por, ajo që për Domenico Lasurdo-n shtrohet si hipotezë, për Michel Collon-in është fakt! Madje, ky gazetar belg insiston “se shumë janë nga ata që mendojnë se kufomat janë transportuar nga vendi i betejës, janë veshur si civilë, janë gjymtuar për t’i dhënë këtij rasti karakter mizorie, për ta mediatizuar në atë mënyrë që sulmet e parapara nga NATO-ja kundër Jugosllavisë të bëheshin “politikisht të pranueshme”. Mund të thuhet se po të mos ekzistonte ky krim, NATO-ja do ta kishte shpikur, sikurse ujku i fabulës, që sajoi krimin e qengjit!”[117], këmbëngul Michel Collon-i. Para se t’i shqyrtoj argumentet e autorëve që “Masakrën e Reçakut” e paraqesin si “gënjeshtër” ose që denoncojnë “dezinformatat mediatike” që shërbyen, sipas tyre, si pretekst për të arsyetuar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, po ndalem në këtë ngjarje të 15 janarit 1999. Çka ndodhi në të vërtetë atë të premte janari në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes? Në shtjellimin e kësaj teme do t’u shmangem në maksimum referencave të burimeve shqiptare. Jo se këto burime janë më pak të besueshme, por për të evituar mundësinë që kjo analizë të shihet si konfrontim i dy vizioneve: vizionit shqiptar për atë që kishte ndodhur në Reçak, përballë vizionit serb. Kam bindjen e plotë se lexuesi do të shohë zbulimin e së vërtetës duke zhveshur “të vërtetën serbe” për këtë rast. Për këtë arsye, një vend shumë i madh do t’u lihet interpretimeve serbe të “Masakrës së Reçakut” dhe konfrontimit të këtyre interpretimeve me rezultatet e punës së ekipeve të ekspertëve të mjekësisë ligjore serbo-bjelloruse dhe finlandeze. Të shohim shkurtimisht kronologjinë e ngjarjes së 15 janarit 1999. Komandanti i aksionit policor në Reçak, gjenerali serb, Goran Radosavljević Guri, në emisionin “Reçaku – gënjeshtra dhe e vërteta”[118], sqaroi qëndrimin zyrtar se për autoritetet serbe “fshati Reçak ishte cak legjitim, sepse në të nuk kishte civilë! Aksioni kishte filluar në orë 3:00 të mëngjesit.”[119] Në mëngjes të kësaj dite, gazetarët e Radio Televizionit Shtetëror të Serbisë, Milovan Drecun-i, dhe kameramani Tomislav Magoči, ishin përkrah policisë. Fillimisht, Tomislav Magoči, filmonte nga maja e një kodre në afërsi të katundit, e më vonë filmimet i vazhdoi rrugëve të fshatit, duke ndjekur një veturë të blinduar. RTV Beogradi transmetonte vazhdimisht lajme nëpërmjet gazetarëve të vet “nga terreni”. Në orën 15:00, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë komunikoi “se gjatë përleshjes me bandat terroriste shqiptare u vranë 15 terroristë shqiptarë.”[120] Atë ditë, shefi i MVK-së, William Walker-i, ndodhej për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Zëvendësi i tij, gjenerali anglez Drewienkiewicz-i[121] sqaroi se me datën 15 janar kishin ndodhur dy ngjarje: “një në Deçan dhe një në Reçak. Ai ishte nisur për në Deçan, ndërsa nga gjenerali Maisonneuve-i[122], kërkoi të shkonte në Shtime.”[123] Vëzhguesit ishin rreth 8 km larg nga vendi ku zhvillohej lufta![124] Megjithëse nuk shihej se ku binin granatat, pjesëtarët e MVK-së janë dëshmitarë të aksionit policor dhe ushtarak, ku u përdorën armët e rënda (tanket e tipit T55[125] dhe artileria kundërajrore). Implikimin e ushtrisë jugosllave në sulmin ndaj Reçakut dhe fshatrave përreth e konfirmoi edhe nënkoloneli serb, Petrović-i, gjatë takimit[126], të cilin gjenerali Maisonneuve e pati më 16 janar 1999, në Shtabin e Forcave të Armatosura serbe në Ferizaj. Pasi William Walker-i u kthye nga Mali i Zi, “dikur vonë pasdite, gjenerali Drewienkiewicz e ka njoftuar se, sipas informatave të Lončar-it dhe njerëzve përreth tij, në përleshjet e armatosura ndërmjet forcave të sigurisë serbe dhe UÇK-së, në fshatin Reçak ishin vrarë 15 pjesëtarë të UÇK-së dhe nuk ishte lënduar askush nga ana e forcave qeveritare”.[127] Pas informatave shqetësuese që erdhën te zyrtarët e lartë të MVK-së, në mëngjes të 16 janarit, gjenerali Drewienkiewicz kërkoi drejtpërsëdrejti nga gjenerali Lončar që t’i shoqëronte atë dhe William Walker-in në fshatin Reçak, por Lončar-i refuzoi.[128]” “Lončar-i ka mundur të vijë me ne në vendin e ngjarjes dhe njëkohësisht të shohë me sytë e vet atë që pamë. Por, ai refuzoi.”[129] Pse refuzoi gjenerali serb t’i shoqëronte Walker-in dhe Drewienkiewicz-in në Reçak? A ishte në dijeni të asaj që me të vërtetë kishte ndodhur në këtë fshat? Apo revolta e tij ndaj udhëheqësve të MVK-së fshihte diçka më tepër se një revoltë ndaj mosbesimit të interpretimit zyrtar serb që ngërthente në vete kërkesa që të shihnin me sytë e vet atë që kishte ndodhur në Reçak? Gjenerali serb që udhëhoqi aksionin, Goran Radosavljević Guri, pohoi se “përleshjet e policisë serbe dhe të terroristëve i xhiruan edhe dy agjenci të huaja, Reuters-i dhe Associated Press-i. U xhiruan terroristët e vrarë dhe tërë arsenali i armatimit të tyre: dy mitraloza, 36 pushkë automatike, dy snajperë, bomba dhe municion. Të njëjtën ditë xhirimet i ka publikuar edhe “Libération-i” francez.”[130] Në funksion të manipulimit të opinionit publik, sidomos të atyre që nuk kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e asaj kohe për këtë ngjarje, ky komandant policor, pa cekur as autorin, as titullin e artikullit e as datën e publikimit thekson “se terroristët e vrarë u publikuan edhe në gazetën franceze “Libération”[131]! Në vijim po sjell për lexuesin pjesë të gjata të dy artikujve të gazetarit Pierre Hazan, që në këtë kohë ishte i dërguari special i gazetës “Libération” në Kosovë. Shpresoj se pjesët e artikullit “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”[132], me anë të të cilit gazetari sjell dëshmi të fshatarëve të Reçakut për atë se çka përjetuan në dhjetë orët e masakrës dhe pjesët nga artikulli, që lidhet me dëshminë[133] e një vëzhguesi të OSBE-së, do t’i mundësojnë lexuesit të kuptojë arsyet e vërteta pse komandanti i aksionit policor në Reçak nuk jep referencat precize lidhur me shkrimin e gazetarit të gazetës “Libération”. Në artikullin e titulluar “Masakra e Reçakut: rrëfimi i një dëshmitari çelës….”[134], Pierre Hazan sjell rrëfimin e dëshmitarit se “rreth orës 15:45, një çerek ore pas përfundimit të të shtënave, forcat serbe u larguan nga fshati (…). Ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka. Njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka i kishte eksploduar. Fshatarët na thanë se nja njëzet burra ishin arrestuar (…). Ora ishte rreth 17:30. Bënte terr i zi. I mora 5 të plagosur. Të gjithë civilë. Këtë të premte, për herë të parë dhe të vetme, një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim. Ajo ishte në gjendje tejet të shqetësuar. Vajza e saj ishte e plagosur. Jemi afruar rreth 400 ose 500 metra afër përroit, por nuk pamë gjë. Në orën 18:00 u larguam nga Reçaku.”[135] “Të shtunën në orën 8:45”, vazhdon tregimin vëzhguesi i OSBE-së, që gazetari e paraqet vetëm me emrin “Mike”- “ne u kthyem përsëri në Reçak. Ushtarët e UÇK-së ishin aty. Ata i zbuluan të vdekurit në të njëjtën kohë me ne (…). Disa medie pretendojnë se ata kanë organizuar një inskenim për ta bërë të besueshme masakrën. Duhet të kishin qenë gjeni të inskenimit, të pajisur me një talent të jashtëzakonshëm për aktrim (…). I morëm gëzhojat si prova. Ndoshta nja dy duzina gëzhoja dhe karikatorë. Ushtarët e UÇK-së i morën 9 shokët e tyre. Kufoma pa koka. I pashë nja njëzetë kufoma në përrua, të ekzekutuara me nga një plumb në kokë. Mandej kufoma të tjera përreth. Këta, sipas asaj që shihej, kanë tentuar të iknin. Pastaj zbrita në fshat, aty ku viktimat ishin vrarë me nga një plumb në kokë ose duke u përpjekur të iknin. E pashë trupin e një djaloshi 12-vjeçar, i vrarë me një plumb pas qafe, pranë kufomës së babait të vet. I kishin mbetur flokët e hequra me lëkurën e kafkës. A janë gjymtuar këta trupa apo kafshët ua kanë ngrënë mishin? Nuk e di! Vëllai ia vuri ndërmjet shpatullave atë që kishte mbetur nga koka…”.[136] Në artikullin “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”[137], Pierre Hazan-i filloi dëshminë e fshatarëve të Reçakut me thëniet e një fëmije të vrarë në këtë aksion. “Kujdes mami, ata do të vrasin!”, ishin fjalët e fundit të Halim Beqirit, 12-vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. “Ata e vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë”, tregoi nëna e tij, Eminja. “Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 20 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do të na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma nga të katër anët”, tha Rama, një burrë rreth dyzet vjeç. Pjesa tjetër e grupit u dërguan në përrua. Policët serbë i prisnin që t’i vrisnin. “Të shtunën, trupat e këtyre njëzet burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Azem Banosit[138], 62-vjeçar. Kufoma e tij, pa kokë, ishte pranë shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55-vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë. Në fshat ishte edhe një kufomë e një burri të gjymtuar. Një adoleshent sapo kishte gjetur kufomat e tre vëllezërve të tij…”[139] Mendoj se lexuesi i kupton arsyet e vërteta pse ky gjeneral i policisë serbe nuk jep të dhëna precize për artikujt e gazetës “Libération”, në të cilat, sipas propagandës serbe, “ishin botuar pamjet e terroristëve të vrarë”. Arsyeja e vërtetë qëndron në faktin se këto dy shkrime, në të njëjtën masë, si edhe qindra shkrime të tjera kushtuar kësaj ngjarjeje tragjike, nxjerrin në shesh se kush ishin terroristët e vërtetë në këtë luftë. “E shtunë pasdite”, vazhdon Pierre Hazan-i. “Ora ishte gati 15:00 kur erdhi gjenerali Walker, shefi i Misionit të OSBE-së. Të mbijetuarit nga kjo ngjarje e dërguan Walker-in te përroi ku ishin të shtrira mbi njëzet viktima”.
16 janar 1999, Reçak William Walker-i vizitoi vendin e krimit
“Janë vrarë me nga një plumb në kokë ose pas qafe”, deklaroi pa asnjë dyshim William Walker-i. Në orën 18:00, pasi ishte kthyer në Prishtinë, Walker-i organizoi një konferencë për shtyp: “Unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjëse për këtë masakër. Para disa ditësh, Ushtria Çlirimtare e Kosovës i liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër. Duhet të dalin para drejtësisë. Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerëzimit. Kam kërkuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë t’i dërgojë ekspertët e vet brenda 24 orëve, me ose pa viza, dhe e këshilloj qeverinë serbe t’i lejojë të hyjnë në territorin jugosllav.”[140] Jo vetëm që këshillat e shefit të OSBE-së nuk u përfillën nga autoritetet e Beogradit, por, përkundrazi. Të nesërmen e konferencës për shtyp të Walker-it, më 17 janar, edhe pse ishte ditë e diel, Qeveria e Beogradit, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, shpalli William Walker-in “persona non grata” dhe i dha një afat prej 48 orësh për t’u larguar nga Jugosllavia. Në të njëjtën ditë, me arsyetim se mandati i Tribunalit Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë kishte të bënte me konfliktet e armatosura e jo me operacionet policore kundër terroristëve, autoritetet e Beogradit i pamundësuan prokurores së këtij tribunali, Louise Arbour-it, hyrjen në Jugosllavi.[141] Shqetësimi i autoriteteve qeveritare nga mediatizimi i asaj që kishte ndodhur në Reçak u publikua në “Washington Post”, më 28 janar 1999. Përgjimet telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Jugosllavisë dëshmojnë se kryeministri serb, Nikola Šainović-i dhe ministri i Brendshëm serb, Sreten Lukić-i, kishin frikë nga reagimet ndaj sulmit në Reçak dhe kishin biseduar rreth mënyrës për ta paraqitur si një sulm të trupave qeveritare ndaj UÇK-së.[142] “Pas deklaratës së Walker-it menjëherë u mblodh Shtabi”[143], konfirmon këtë shqetësim edhe komandanti i aksionit policor në Raçak. “Menduam se si ta demantojmë atë që tërë ditën qarkullonte në stacionet televizive botërore dhe në agjencitë informative”, vazhdon rrëfimin e tij Goran Radosavljević Guri. “Atëherë vendosëm që përsëri të futemi në Reçak. Dy ditë më vonë, me 17 janar hymë në fshat. Aty ende ishin terroristët e mbetur. Arritëm deri në qendër, te xhamia, ku ishin vendosur të vrarët.”[144] Me qëllim që të neutralizohej indinjata ndërkombëtare, që provokuan pamjet televizive dhe fotografitë nga “Masakra e Reçakut”, gazetarët e televizionit shtetëror të Serbisë, Milovan Drecun-i dhe Tomislav Magoči, u ofruan gazetarëve të agjencive të ndryshme botërore, që ishin vendosur në Hotelin Grand të Prishtinës, të “vërtetën” për atë që kishte ndodhur në këtë fshat. Teksti i shpërndarë në mënyrë “konfidenciale” artikulohej rreth prezantimit të fshatit Reçak, ku, sipas propagandë zyrtare të Beogradit, “ishte vendosur Shtabi i terroristëve të UÇK-së”, si “fshat ku nuk kishte civilë”; “se gjatë betejës ndërmjet forcave të policisë dhe të UÇK-së ishin vrarë 45 terroristë dhe asnjë civilë shqiptar”; se “pas tërheqjes së forcave policore serbe, terroristët kishin hyrë në Reçak, i kishin tërhequr trupat e terroristëve të vrarë nga të gjitha anët dhe i kishin renditur në një përrua, për të krijuar përshtypjen se fjala është për një ekzekutim e jo për të vrarë gjatë luftimeve”; dhe në funksion të kësaj “ua kishin hequr uniformat e UÇK-së dyzet kufomave dhe i veshën me tesha civile, ndërsa për ata që nuk patën veshmbathje civile i nisën për në fshatin Budakovë, ku sipas gjasave i kanë varrosur”; ndërsa “kufomat u gjymtuan për të krijuar përshtypjen për një masakër”. Si argumente për pohimet se gjoja kjo ngjarje ishte e inskenuar, autorët sollën “faktet” se: “në teshat civile të kufomave nuk kishte as gjak e as vrima të plumbave prej të cilëve kishin vdekur” e që do të thotë se “ishin vrarë në tesha të tjera”; “në qafat e kokave të prera të kufomave nuk kishte gjak”, që do të thotë se “kokat ishin prerë pas vdekjes së terroristëve”; “nuk kishte gjak as në vendin ku ishin gjuajtur kufomat”, që do të thotë se “janë vrarë në tjetër vend; “nuk kishte as gëzhoja përreth kufomave”, që do të thotë se “nuk ka pasur luftime në atë vend”; se “policia gjeti armatim dhe municion, uniforma dhe rezerva ushqimore, një makinë shkrimi dhe listën e 126 terroristëve, që ishin në Shtabin e Reçakut. Në mesin e 126 emrave, në këtë listë ishin edhe katër mbiemra të huaj, amerikanë ose anglezë. Ata ishin instruktorë ose specialistë të huaj”.[145] Pas shpërndarjes së kësaj të “vërtete” dhe kontakteve të shumta të Milovan Drecun-it dhe Tomislav Magoči-t me gazetarët e huaj, pasojnë dy shkrime. Gazetari i “Le Figaro-s”, Renaud Girard-i, në artikullin “Re të zeza mbi një masakër”[146], hedh dyshimet e para për vërtetësinë e kualifikimit si “masakër” të asaj që kishte ndodhur në Reçak. Më duket mjaft e rëndësishme të përshkruhet konteksti në të cilin shkruhet ky shkrim, sepse një gjë e tillë do të na ndihmonte ta kuptojmë më mirë se në çka bazohet ky autor për të mbështetur hipotezat e artikullit në fjalë. Si i ftuar i veçantë në dokumentarin “Reçaku – gënjeshtra dhe e vërteta”[147] të Radio Televizionit të Serbisë, Renaud Girard-i është ndër protagonistët kryesor të këtij filmi. Në këtë dokumentar ai sqaroi shumë gjëra. Për këtë arsye po e sjell në tërësi rrëfimin e tij: “Të hënën, kur u botua artikulli në “Le Figaro”, takova dy njerëz. Njëri ishte korrespondent i gazetës “Le Monde”, i cili kishte ardhur në Prishtinë të premten. Ai nuk kishte parë asnjë njeri në hotel, sepse të gjithë gazetarët kishin shkuar në perëndim të Kosovës. Serbët i thanë: ‘Shko në Reçak! Është duke ndodhur diçka interesante!’ Kështu ai kishte mbërritur në Reçak, sipas të gjitha gjasave, rreth orës 15:30. Ai quhet Christophe Châtelot. Dhe e kam pyetur: ‘Domethënë, ti i ke parë ata njerëz të vdekur?’ Më tha: ‘Jo! Nuk kam parë asgjë! Ishin tre automobila me vëzhgues amerikanë. Ata më thanë se nuk ka asgjë të veçantë. Ka pasur luftime dhe asgjë e veçantë! Dhe atëherë kam takuar ekipin e Associated Press-it, që ishin ftuar nga policia serbe që ta përcillnin operacionin ditën e premten. Ata kaluan tërë ditën me policinë.’ I pyeta: ‘A keni qenë në qendër të Reçakut? A keni parë masakër?’ Më thanë: ‘Jo! Nuk kemi parë asgjë të tillë! Kemi qenë në qendër të fshatit, te xhamia dhe nuk jemi ngjitur kodrinës.’ Më thanë se kishin parë policinë serbe se si zbriste me shumë armatim, që me gjasë ua kishin marrë luftëtarëve shqiptarë. Në atë kohë Radioja shqiptare[148] njoftonte se në betejën e madhe kundër forcave serbe, shqiptarët kishin humbur 9 trima në istikame! Pyeta: ‘A keni parë ndarjen e burrave nga gratë dhe fëmijët?’ Më thanë: ‘Jo! Nuk e kupton?! Nuk ka pasur as gra e as fëmijë në fshat!’ Thashë: ‘Uaauu! Diçka po ndodh këtu. A mund të më tregosh çka ke xhiruar?’ Më tregoi materialin nga qendra e fshatit dhe shihej se nuk kishte gra dhe fëmijë. ‘Por, ajo gruaja shqiptare më tha se në orën 14:00, në sheshin kryesor, janë ndarë burrat nga gratë në qendër të fshatit. A është e mundur që të mos e kishit parë?’ ‘Nuk mund të flasim për përroin! Nuk e dimë! Nuk kemi qenë atje! Por, …’ (ndërpritet nga vetë Renaud Girard-i). Thashë: ‘O zot! Domethënë, ajo shqiptarja më paska gënjyer!’”[149] Të njëjtin përshkrim Renaud Girard-i e bën edhe në intervistën e 28 shtatorit 2005 dhe të vetmin dallim që bën nga intervista televizive për Radio Televizionin Shtetërorë të Serbisë qëndron në një fjali. Në vend të fjalisë së mësipërme ai shton frazën: “Atëherë thashë me vete: ata ma paskan ngulur!”[150] Pas takimit dhe bisedave që kishte pasur me gazetarin e “Le Monde-it”, Christophe Châtelot-in dhe bisedimet me gazetarët që kishin filmuar për Associated Press-in[151], gazetari i “Le Figaro-s”, Renaud Girard-i, shkroi artikullin “Re të zeza mbi një masakër”.[152] Nëse gazetari i “Le Figaro-s”, Renaud Girard-i, ende nuk e ka kuptuar se kush në të vërtetë “ia ka ngulur”, shpresoj se lexuesi do ta kuptojë se këtu nuk është puna kush kujt ia “nguli”. Këtu nuk bëhet fjalë për mashtrim! Këtu kemi të bëjmë me qëndrime që kushtëzohen nga përcaktimet politike dhe ideologjike. Artikulli i dytë u botua nga Christophe Châtelot-i, i dërguari special i gazetës “Le Monde”, që kishte arritur të premten më 15 janar në Prishtinë dhe të cilit i kishin thënë serbët të shkonte në Reçak, se atje po ndodhte diçka interesante! Në shkrimin e botuar në gazetën “Le Monde”, të datës 21 janar[153] 1999, të titulluar “A ishin vërtet të masakruar me gjakftohtësi të vdekurit e Reçakut?”[154] Christophe Châtelot-i shtron pyetjen: “Pse në vendin ku ishin ekzekutuar 23 persona me nga disa plumba në kokë ka aq pak gëzhoja dhe aq pak gjak përreth kufomave? A nuk mundet të jenë grumbulluar trupat e shqiptarëve të vrarë nga policia serbe gjatë luftimeve dhe të jenë vendosur në këtë hendek, vetëm e vetëm për të krijuar një skenë tmerri që do ta lemeriste opinionin publik?”[155], vazhdon të shtrojë në formë pyetjesh atë që gazetarët serbë ia kishin ofruar si të vërtetë! Në fillim të publikimit shkrimet e Renaud Girard-it dhe Christophe Châtelot-it ishin tepër margjinale në krahasim me shkrimet e shumta, që pa asnjë hamendje theksonin se kishim të bënim me një masakër kundër civilëve shqiptarë. Dhe për këtë masakër fajësohej Slobodan Milošević-i, që nuk kishte përfillur deri atëherë as rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për çështjen e Kosovës e as kërcënimet për përdorimin eventual të forcës, në rast se nuk ndërpritej dhuna që ushtronte sistematikisht regjimi i tij ndaj shqiptarëve. Kjo arrogancë e Milošević-it ishte e njohur për të gjithë ata që kishin pasur mundësi të përcillnin procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe luftërat e mëparshme në Slloveni, në Kroaci dhe në Bosnjë.
Demaskimi dhe trysnia ndërkombëtare
Kësaj radhe reagimet e personaliteteve më me peshë në skenën politike ndërkombëtare ishin të menjëhershme dhe tejet energjike, siç ishin edhe qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e dënuan ashpër masakrën që ndodhi në Reçak dhe shprehën keqardhje për dëbimin e shefit të OSBE-së, të cilit i dhanë mbështetje të plotë.[156] Më 18 janar 1999, NATO-ja i dërgoi në Beograd komandantin suprem të Forcave të Aleancës për Evropë, gjeneralin Wesley Clark dhe presidentin e Komitetit Ushtarak, gjeneralin Klaus Naumann, që t’ia bënin me dije Slobodan Milošević-it se situata në Kosovë ishte e patolerueshme.[157] Në të njëjtën kohë dy gjeneralët i kërkuan Milošević-it të bashkëpunonte me inspektorët ndërkombëtarë rreth hetimeve lidhur me “rastin e Reçakut”, t’i identifikonte dhe t’i sillte para drejtësisë autorët e masakrës, si dhe të tërhiqte vendimin për të dëbuar shefin e MVK-së, William Walker-in. Nëse nuk arrihej marrëveshja, NATO-ja nuk përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës. “Urdhri i aktivizimit ushtarak ishte mbi tavolinë”, deklaroi Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright-i.[158] Në këtë kontekst, Milošević-i pranoi të hetohej rasti. Por, në vend të ekspertëve ndërkombëtarë, Milošević-i caktoi gjykatësen hetuese të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Danica Marinković-in, të zhvillonte hetimet dhe të ndriçonte rastin! Caktoi atë gjykatëse që u bë botërisht e njohur për montimin e procesit gjyqësor kundër vëllezërve Mazreku dhe për inskenimin e “Krematorit të Kleçkës”!.[159] Për të krijuar përshtypjen se ishin të interesuar të ndriçoheshin vrasjet në Reçak, Qeveria e Serbisë urdhëroi krijimin e një komisioni të patologëve serbë që të sqaronin aspektin mjekoligjor të këtyre vrasjeve. Në përbërje të këtij ekipi ishin: dr. Slaviša Dobričanin-i, shefi i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, që u emërua në këtë funksion pas dëbimit të profesorëve dhe të studentëve shqiptarë nga ky institut; dr Vujadin Otašević-i, profesor i mjekësisë ligjore në Universitetin e Nishit, (Serbi); dr. Dušan Dunjić-i, profesor i mjekësisë ligjore në Universitetin e Beogradit, (Serbi); dr. Miloš Tasić-i, profesor i mjekësisë ligjore në Universitetin e Novi Sadit (Vojvodinë). Për t’i dhënë karakter sa më “ndërkombëtar” ekipit të tyre, serbët inkuadruan edhe dy patologë bjellorusë, dr. Vladimir Kuzmichev-in dhe dr. Oleg Levkovich-in.
***
T’i kthehemi ekspeditës policore të 17 janarit. Gjatë ekspeditës për marrjen e kufomave në fshatin Reçak, policinë serbe e shoqëruan gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i dhe profesori i mjekësisë ligjore, Slaviša Dobričanin-i. Sikurse në “Rastin Kleçka”, Danica Marinković-i, kishte ftuar gazetarët, si dëshmitarë në “shikimin” e vendit! Ajo, siç shihet edhe në emisionin special të TV Beogradit, sapo hyn në xhami, ku ishin të shtrira kufomat, deklaroi se “ të gjithë qenkan burra, nuk ka gra, nuk ka fëmijë, nuk ka të masakruar, siç janë munduar ta paraqesin…”[160] Më pas, gazetarët u ftuan të shihnin “Shtabin e UÇK-së”, ku ishin “gjetur” lista e 126 ushtarëve të UÇK-së, fotografi, uniforma, armë dhe municion! Gazetarëve iu mundësua të shihnin 40 kufomat në xhami dhe 40 armët e ekspozuara me këtë rast: dy mitraloza, 36 pushkë automatike, dy snajperë, granata dore dhe municion… Skenar i parë me aktorë të njëjtë edhe në fshatin Kleçkë! “Forcat e sigurisë serbe i nxorën nga Reçaku trupat e terroristëve të vrarë. Kufomat u transportuan në Prishtinë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”[161]. Ekipi i patologëve serbë filloi punën menjëherë. Në ndërkohë, Qeveria e Serbisë pranoi që këtij ekipi të mjekësisë ligjore t’i bashkëngjitej edhe grupi i patologëve finlandez, që ishte ngarkuar nga Bashkimi Evropian për ekspertizën e këtij rasti. Në kuadër të ekipit finlandez, të udhëhequr nga Helena Ranta, ishin: Antti Pentilla, Kaisa Lalu, Juha Rainio, personeli teknik, tekniku i kriminalistikës, fotografë etj. Krahas përcaktimit të një ekipi të mjekësisë ligjore që do t’i përkushtohej ndriçimit të “Rastit të Reçakut”, diplomacia e shteteve perëndimore u mobilizua si asnjëherë më parë. Grupi i Kontaktit[162] për ish- Jugosllavinë, në takimin e 29 janarit 1999, të mbajtur në Londër, doli me konkluzionet për mbajtjen e një konference me ndërmjetësim ndërkombëtar. Në këtë takim u përcaktua edhe korniza e zhvillimit të bisedimeve dhe sidomos përcaktimi i dhjetë parimeve[163], që ishin parime që duhej të pranoheshin paraprakisht nga të gjitha palët dhe të cilat nuk mund të negocioheshin në këtë konferencë:
- Domosdoshmëria e ndërprerjes së menjëhershme të dhunës dhe respektimi i armëpushimit;
- Zgjidhja paqësore e krizës me anë të dialogut të palëve kundërshtare;
- Një periudhë kalimtare, parimisht në kohëzgjatje prej tre vjetësh, duke pritur zgjidhjen përfundimtare;
- Ndalohet çfarëdo ndryshimi i njëanshëm i statusit kalimtar të krahinës;
- Integriteti territorial i RFJ-së dhe i shteteve fqinje;
- Mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive nacionale (identitetin, institucionet e tyre religjioze, arsimin);
- Zgjedhje të lira nën mbikëqyrjen e OSBE-së;
- Mosndjekja gjyqësore për aktet e kryera gjatë konfliktit në Kosovë, pos në rastet e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit;
- Amnisti dhe lirimi i të burgosurve politikë;
- Pjesëmarrje e ndërkombëtarëve dhe bashkëpunim i plotë i të dy palëve në zgjidhjen e krizës.
Nëpërmjet Deklaratës së Grupit të Kontaktit iu bë me dije se pala që do të refuzonte t’u përmbahej rekomandimeve dhe që do të sabotonte suksesin e kësaj konference do të mbante përgjegjësinë e dështimit. Një ditë pas qëndrimit të Grupit të Kontaktin, me 30 janar 1999, Këshilli i NATO-s lëshoi një deklaratë[164] në mbështetje të kërkesave të lartpërmendura. Në pikën 4 të kësaj deklarate, Këshilli i NATO-s theksonte se “kriza në Kosovë mbetet një rrezik për paqen dhe për sigurinë në rajon. Strategjia e NATO-s është e orientuar t’i japë fund dhunës dhe arritjes së një marrëveshjeje politike të përkohshme për Kosovën, që do të mundësonte parandalimin e një katastrofe humanitare.”[165] Pala që nuk do të respektonte angazhimet ndërkombëtare do t’i bartte pasojat në përputhje me pikën 5 të Deklaratës së Këshillit të NATO-s. Në rast të sabotimi të punëve nga ana e autoriteteve të Beogradit, “Këshilli i NATO-s vendosi atë ditë për mundësinë që Sekretari i Përgjithshëm të autorizojë goditjet ajrore kundër caqeve në territorin e Jugosllavisë. Ndërsa, në rast të mosrespektimit të kushteve nga pala shqiptare e Kosovës, NATO-ja do të ndërmarrë masat adekuate kundër tyre.”[166] Nëpërmjet kësaj deklarate, ndër çështjet e tjera që u shtruan si qëndrime orientuese, “NATO-ja rikujtoi se përgjegjësit e masakrës së Reçakut duhet të dalin para drejtësisë dhe se autoritetet e RFJ-së duhet të bashkëpunojnë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.”[167] Deklarata e Grupit të Kontaktit dhe ajo e Këshillit të NATO-s do të konsiderohen si kthesë vendimtare në trajtimin e çështjes së Kosovës. Nga një numër analistësh këto dy deklarata do të interpretohen si ultimatum drejtuar Jugosllavisë së Milošević-it, që deri atëherë refuzonte ndërmjetësimin ndërkombëtar. Çështjen e Kosovës ata e konsideronin si problem të brendshëm të Serbisë! Më 30 janar 1999, disa orë pas publikimit të Komunikatës për shtyp të Këshillit të NATO-s, ekipi i ekspertëve të lartpërmendur serbë i mjekësisë ligjore lëshoi një komunikatë[168] për rezultatet preliminare të hulumtimeve të tyre. Me anë të kësaj komunikate, ekip i patologëve serbë dhe bjellorusë njoftonte opinionin se: “Para fillimit të autopsive, shërbimi i hetimeve penale në Prishtinë mori shenjat e pëllëmbëve dhe gishtërinjve në letër metalike; mbi bazën e autopsive u konstatua se në të gjitha rastet, vdekja ishte shkaktuar nga efektet e shkrepjes së predhave nga armët e zjarrit; nuk ka pasur shenja të përdorimit të armëve të mprehta në ndonjë prej organeve, qoftë para ose pas vdekjes, që do të thotë se nuk ka pasur prerje kokash; asnjë gjurmë e barutit nuk është parë në ndonjë prej trupave, që do të thotë se nuk ka pasur ekzekutim dhe vrasje nga afër; ka pasur dy plagë, në të cilat ka qenë e pamundshme të vërtetohej distanca nga e cila ishin shkaktuar plagët; dhe në fund, në mënyrë të veçantë u theksua se puna e të gjithë ekspertëve mjekoligjorë, që morën pjesë në ekzaminimet e mësipërme, ka qenë i një niveli të lartë profesional dhe u realizua me besim të plotë dhe me respekt reciprok.”[169]
- 2. KONFERENCA E RAMBUJES[170] (RAMBOUILLET)
Me gjithë vërejtjet dhe rezistencën që u tregua për pjesëmarrje në këtë konferencë ndërkombëtare për Kosovën, të dy delegacionet erdhën në Francë në datën e caktuar nga Grupi i Kontaktit! Më 6 shkurt 1999, në Rambuje të Francës, delegacionit serbo-jugosllav dhe atij të Kosovës iu dorëzua “Projektmarrëveshja kalimtare për paqe dhe për vetëqeverisje në Kosovë”, që ishte në përputhje me 10 parimet e lartpërmendura. Një pjesë e madhe e asaj që ndodhi gjatë kësaj konference dhe sidomos zhvillimet në kuadër të delegacionit të Kosovës dhe raporti i këtij delegacioni me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë përshkruhen hollësisht në veprat e Rexhep Qosjes[171], Blerim Shalës[172], Edita Tahirit[173] dhe Ramë Bujës.[174] Këto vepra janë të domosdoshme për secilin që ka për objekt studimi këtë periudhë të historisë së Kosovës. Përkthimi i tyre në gjuhë të ndryshme botërore do të ishte me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit e huaj që nuk lexojnë shqip. Meqenëse zhvillimet në këtë konferencë lidhen tërthorazi me objektin e hulumtimit tim, unë nuk do të ndalem në këto burime shumë të rëndësishme. Në studimin tim do të kufizohem në interpretimin e kësaj konference si “komplot amerikan për shkatërrimin e një shteti sovran dhe për okupimin kolonial të tij nga ana e NATO-s.”[175] Në këtë kontekst, burimet serbe, kryesisht ato të hartuara nga instrumentet e propagandës së regjimit të Milošević-it, janë burimet kryesore që shërbyen si bazë për “argumentet” e “analistëve kritikë”. Ekipi serbo-jugosllav përbëhej nga Ratko Marković-i, zëvendëskryeministër i Serbisë, që ishte njëherësh edhe shef i delegacionit; nga dy zëvendëskryeministra: ai i Qeverisë Federale, Nikola Šainović-i dhe i asaj të Serbisë, Vladan Kutlešić-i; nga nënkryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Štambuk-u dhe nga “përfaqësuesit e bashkësive nacionale të Kosovës që dëshirojnë të jetojnë në Serbi dhe në Jugosllavi.”[176] Në kuadër të “përfaqësuesve” të bashkësive nacionale të Kosovës, që kishte për qëllim t’i jepte karakter “shumetnik” përbërjes së delegacionit serbo-jugosllavë, “Slobodan Milošević-i dhe gruaja e tij, Mirjana Marković-i, përzgjodhën si përfaqësues për serbët e Kosovës kryetarin e Partisë Socialiste të Serbisë për Kosovë dhe Metohi, Vladimir Štambuk-un; dy përfaqësues të bashkësisë turke, Zejnelabedin Kurejsh-in dhe Guljbehar Rauf Šabović-in; për bashkësinë e goranëve u caktua Iro Vajt-i; për myslimanët, Refik Senadović-i; për bashkësinë rome: Luan Rama; për bashkësinë egjiptiane dhe asaj të ashkalinjëve, u caktua Qerim Abazi dhe për të përfaqësuar shqiptarët e Kosovës u caktuan Faik Jashari dhe Sokol Qysja!” [177] Gazeta beogradase “Večernje novosti” ishte tejet kritike për përzgjedhjen e delegacionit serb që do t’i përfaqësonte në Konferencën e Rambujesë. Sipas kësaj gazete, “në vend të njerëzve prestigjiozë dhe me ndikim, dy partitë [178] politike në pushtet dërguan njerëz që i kanë zhgënjyer shumicën e subjekteve politike dhe vetë popullin serb”[179], theksohet në këtë artikull. Për të krijuar përshtypjen se Faik Jashari dhe Sokol Qysja, “shqiptarë besnikë ndaj Serbisë”, përfaqësonin shqiptarët e Kosovës, propaganda e regjimit të Beogradit i paraqiti si kryetarë të gjoja dy partive politike shqiptare! Për pushtetin e Milošević-it, Faik Jashari ishte kryetar i Iniciativës Demokratike të Kosovës ndërsa Sokol Qysja, kryetar i Partisë Reformatore Demokratike. Në realitet, ata jo vetëm që nuk kishin parti politike por nuk përfaqësonin as familjet e tyre. Në këtë kontekst, gazeta tjetër beogradase, “Vreme”, e datës 13 shkurt 1999, solli lajmin se familjarët e Faik Jasharit distancoheshin nga ky anëtar i delegacionit serb dhe e bënë publik që Faik Jashari nuk mund t’i përfaqësojë politikisht. Rrjedhimisht në këtë konferencë ai mund të përfaqësojë vetëm veten e tij![180] Nga ana tjetër, delegacionin e Kosovës e përbënin udhëheqësit e partive politike kryesore (LDK-ja[181] dhe LBD-ja[182]), përfaqësuesit e UÇK-së[183] dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Ramë Buja, Xhavit Haliti, Rexhep Qosja, Hidajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Veton Surroi dhe Blerim Shala. Për dallim nga delegacioni serbo-jugosllav që nuk mund të vendoste për asgjë pa konsultuar Beogradin, delegacioni i Kosovës kishte legjitimitetin e plotë dhe fuqinë të sillte vendimet e nevojshme. Në fjalën e hapjes së konferencës, presidenti i Republikës së Francës, Jacques Chirac-u deklaroi se “korniza e bisedimeve është e përcaktuar qartë nga Grupi i Kontaktit. Do t’ju prezantohen parimet e autonomisë substanciale. Ju duhet t’i precizoni, t’i jepni formën që në kuadër të kufijve ekzistues, të gjithë banorët e krahinës, cilado qoftë origjina e tyre, të mund të jetojnë në paqe dhe respekt të personalitetit të tyre dhe të drejtave që u takojnë (…) Ju e keni mundësinë të zgjidhni ndërmjet vazhdimit të tragjedisë së kaluar ose shpresës për jetën që merr formë (…). Komuniteti ndërkombëtarë është unanim dhe i mobilizuar. Aksioni i saj nuk drejtohet kundër askujt. Ai është në interes të të gjithëve. Por, duhet ta dini se Franca, hiç ma shumë se partnerët e tjerë evropianë, amerikanë dhe rusë nuk do të tolerojë vazhdimin e konfliktit që shkel parimet themelore të dinjitetit njerëzor. Ne nuk do të pranojmë që cikli i dhunës ta kërcënojë stabilitetin e juglindjes së Evropës (…). Përfaqësuesve të të dyja palëve, serbëve dhe shqiptarëve u them se paqja është në duart tuaja (…). Ju inkurajoj të bëni atë që ju takon ta bëni që të ngadhënjejnë forcat e jetës e jo ato të vdekjes (…)”[184]. Gjatë fjalës së tij, Presidenti francez njoftoi se Grupi i Kontaktit u kishte besuar detyrën e drejtimit të mbledhjeve ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook-ut dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Hubert Védrine-it.
* * *
Në vend të ndërprerjes së menjëhershme të dhunës dhe respektimit të armëpushimit, që ishte përcaktuar si parim i parë nga ana e Grupit të Kontaktit, Shtabi Strategjik[185] i Milošević-it hyri në veprim. Lexuesit i kujtohet nga Kapitulli i Dytë, kur fola për rastin e vrasjes në Kafenenë «Panda», se ky Shtab kishte sjellë vendim që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente sulme terroriste kundër civilëve shqiptarë dhe serbë të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Përmes kësaj strategjie UÇK-së duhej të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si një organizatë terroriste dhe në të njëjtën kohë të nxiteshin ndjenjat antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë. Përqendrimi i medieve në ditën e hapjes së Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën ishte një rast i volitshëm për aplikimin e kësaj strategjie. Dhe ashtu ndodhi. Më 6 shkurt 1999, nga eksplodimi i një mjeti shpërthyes në lagjen Ulpiana të Prishtinë u vranë tre shqiptarë: Enver Shala (52 vjeç), pronari i shitores, Agon Ajeti (20 vjeç) dhe Vlora Humolli (18-vjeçare). Ky akt terrorist ishte një mesazh i keq dhe një goditje e rëndë kundër parimeve mbi bazën e të cilave duhej të zhvilloheshin bisedimet. Disa minuta pasi që ndodhi ky akt terrorist, autoritetet politike të Beogradit dolën me komunikatë dhe e cilësuan si “sulm me bomba kundër marrëveshjes për Kosovën!”. Në të njëjtën kohë bënë publike se për ndriçimin edhe të këtij rasti ishte ngarkuar gjykatësja hetuese Danica Marinković-i! Sapo mori detyrën, kjo gjykatëse tanimë e njohur edhe për lexuesin, u prononcua për medie dhe sulmin mbi dyqanin shqiptar ia atribuoi “terroristëve shqiptarë”, të cilët, sipas saj, “vrasin shqiptarët besnikë ndaj Republikës së Serbisë.”[186] Eksplodimi i mjetit shpërthyes në Prishtinë dhe vrasja e tre civilëve shqiptarë u shtruan edhe në kuadër të konferencës. Të dyja delegacionet e dënuan këtë akt terrorist.”[187] Edhe pse të gjithë pjesëmarrësit e konferencës e dënuan aktin terrorist ku humbën jetën tre civilë shqiptarë, edhe pse delegacioni i Kosovës kërkonte të nënshkruhej armëpushimi dhe të ndërpriteshin luftimet në Kosovë, ditët në vijim do të jenë plot e përplot me akte dhune kundër civilëve shqiptarë. Kështu, në rrethinën e qytetit të Gjakovës[188], u gjet trupi i pajetë i një personi të vrarë, i gjinisë mashkullore dhe i moshës 25-30 vjeç. Ende pa u identifikuar viktima shtypi serb akuzoi “terroristët shqiptarë” se kishin vrarë një shqiptar, që ishte besnik ndaj shtetit serb![189] Danica Marinković-i njoftoi se në rrethin e Lipjanit u gjet kufoma e një mashkulli rreth 25-27-vjeçar, i vrarë nga një armë zjarri; në rrethinën e Kaçanikut gjithashtu u gjet një kufomë e një mashkulli të vrarë; në Novosellë të Gjakovës u vra Luigj Metaj (26 vjeç) dhe u plagos rëndë Skender Lekaj (25 vjeç); u gjetën të vrarë edhe një vajzë 17-vjeçare (Sebahate Zuka ) dhe Xhemajl Smaçi (20 vjeç)…[190] Megjithëse tepër të rinj për të qenë qytetarë “besnikë ndaj shtetit të Serbisë”, shtypi serb nuk hezitoi në asnjë rast t’i cilësonte si të tillë.[191] Sipas diskurseve politike dhe mediatike të Beogradit këto “aksione terroriste bëheshin për t’i hedhur një hije të keqe bisedimeve dhe mundësisht për t’i vënë në dyshim rezultatet e tyre. Terroristët nuk duan paqe!”[192], pohonin si në kor politikanët dhe gazetarët serbë! Krahas vrasjeve të shqiptarëve, të gjitha gazetat serbe njoftuan se “në qendër të Vushtrrisë[193], katër terroristë shqiptarë, njëri me uniformë të UÇK-së, plaçkitën shtëpinë e një gruaje serbe (Stanka Šćepanović-it, 43-vjeçare), që ishte pa burrë dhe e vetme kujdesej për fëmijën e saj. Në momentin e plaçkitjes, te shtëpia e kësaj gruaje kishin qenë edhe katër fëmijët e motrës së saj. Familja nuk është keqtrajtuar, por i ishte marrë pushka e gjuetisë!”[194] Plaçkitës me uniforma të UÇK-së! Edhe në këtë kontekst, thëniet e publicistit serb, Miroslav Filipović-it, se Serbia kishte formuar “eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë me qëllim të ngritjes së tensionet ndëretnike”[195] hapën shtegun e hipotezave të shumta për të hulumtuar në ndriçimin e këtyre rasteve. Një gjë është e sigurt! Koloneli serb, Slavko Nikić-i, nuk ishte personi i vetëm që me uniformë të UÇK-së kryente akte të dhunës në Kosovë e as polici serb, Goran Stamenković – Stamenko, që vrau mjekun serb, Branimir Đokić-in, nuk ishte vrasës i vetëm që vriste serbë, dhe që për këto vrasje akuzoheshin “terroristët e UÇK-së”. Shtypi solli edhe një akt tjetër dhune kundër serbëve të Kosovës. “Në rrugën kryesore të Gjakovës ndodhi një akt terrorist kundër një shtëpie të një familjeje serbe. Asnjë i lënduar!”[196] Ndërsa, “më 18 shkurt, në Vushtrri u plaçkitën pesë shtëpi serbe nga terroristët shqiptarë dhe u vodhën pajisje elektrike.”[197] Po të njëjtën ditë u njoftua se “Në rrugën Rahovec-Malishevë u gjet kufoma e një shqiptari të vrarë (Milaim Morinës) dhe vrasja i atribuohet terroristëve shqiptarë.”[198] Në tërë territorin e Kosovës ndodhën vrasje të civilëve shqiptarë dhe vjedhje në shtëpi të serbeve! Nga të gjitha vrasjet që ndodhën gjatë kësaj periudhe vetëm në një rast viktima ishte civil i përkatësisë etnike serbe! Mediet serbe i dhanë një publicitet të madh kësaj ngjarjeje. Pa u bërë asnjë hetim lidhur me vrasjen, gazeta në gjuhën serbe, “Jedinstvo”, që shtypej në Prishtinë, në shkrimin “Krimi i ri i terroristëve shqiptarë”[199], solli më shumë hollësi rreth kësaj ngjarjeje. “Më 18 shkurt, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, u gjet i vrarë Marjan Jović-i. Ai kishte qenë te fqinji i tij Božidar Jarić-i dhe ishte vrarë rreth orës 21:30 minuta kur kthehej prej tij. Kufoma u gjet në mëngjes pranë shtëpisë së një gruaje, Jadranka Simetić-it. Nëna e Božidar-it u tregoi gazetarëve se djali i saj paska kërkuar ndihmë, por nuk kishte guxuar të dilte dhe t’i ofronte ndihmën e nevojshme. Plaka kishte pasur frikë, sepse ajo kishte vërejtur tre terroristë që ecnin rrugës.”[200] Nga mbrëmja e deri në mëngjes askush nuk e kishte parë këtë kufomë dhe as që kishte dëgjuar krisma armësh. Vetëm një nënë plakë kishte vërejtur tre terroristë! Dhe ajo nuk kishte guxuar të dilte dhe t’i ndihmonte fëmijës së vet! Le të vlerësojë lexuesi për besueshmërinë e interpretimit serb të kësaj vrasjeje! Nëse për autorët e vrasjeve të pasqaruara të kësaj kohe, që ishin në kundërshtim me kërkesat për të ndërprerë të gjitha format e dhunës, mund të spekulohej, ajo që ishte e qartë lidhej me proceset gjyqësore. Në vend të përgatitjes së përmbushjes së kërkesave ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve politik, gjykatat serbe u mobilizuan edhe më tepër. Kështu, me 18 shkurt 1999, ditën kur afatit të bisedimeve në Rambuje i afrohej fundi, Gjykata e Qarkut në Pejë shpalli fajtor dhe dënoi për terrorizëm Rexhë Jakupin dhe Izet Morinën me nga katër vjet burg, Ismet Gashin, Ramadan Gashin dhe Jahir Agushin me nga tre vjet e gjashtë muaj burg, Bajram Berishën me dy vjet burg ndërsa Zaim Gashin dhe Ramadan Bacajn me nga shtatë muaj burg.[201] Kjo sjellje e autoriteteve gjyqësore serbe ishte edhe një mesazh i qartë se Serbia nuk do të respektonte as parimet 8 dhe 9 të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për lirimin e të burgosurve politikë dhe për mosndjekjen gjyqësore për aktet e kryera gjatë konfliktit në Kosovë. Në bazë të parimeve të lartpërmendura vetëm personat e implikuar në krime lufte dhe në krime kundër njerëzimit do të ndiqeshin. Konteksti i shpalljes së dënimeve, që përkon me datën kur duhej të përmbylleshin bisedimet, ndër të tjera edhe për lirimin e të burgosurve politikë dhe lartësia e dënimeve nga shtatë muaj deri në katër vjet burg për “vepra terroriste” dëshmonte farsën e këtyre proceseve të montuara gjyqësore të komanduara nga strukturat politike.
* * *
Gjatë dy javëve, delegacionet punuan tërësisht të ndara njëra nga tjetra dhe komunikimi zhvillohej nëpërmjet ndërmjetësuesve të bashkësisë ndërkombëtare: Christopher Hill-it, Wolfgang Petritsch-it dhe Boris Majorski-t. Më 19 shkurt, një ditë para përfundimit të afatit për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, delegacionit të Kosovës dhe atij serb iu dha draftmarrëveshja, që duhej ta nënshkruanin të nesërmen, më 20 shkurt. Drafti final i dorëzuar më 19 shkurt kishte ndryshime thelbësore në krahasim me “Projektmarrëveshjen kalimtare për paqe dhe për vetëqeverisje në Kosovë” të datës 6 shkurt. Në vend të autonomisë substanciale, si status kalimtar deri në zgjidhjen përfundimtare që parashihej të përcaktohej pas tre vjetësh, drafti i ri e parashihte këtë formë si zgjidhje përfundimtare. Për delegacionin shqiptar të Kosovës një ndryshim i tillë ishte i papranueshëm. Lexuesit, që i intereson ky aspekt i problematikës, i sugjeroj veprat e cituara më lartë, të autorëve Rexhep Qosja, Blerim Shala, Edita Tahira dhe Ramë Buja, që do t’ia mundësojnë të njihet me dinamikën që ngjalli ky draft në kuadër të delegacionit shqiptar. Nga ana tjetër, për palën serbo-jugosllave modaliteti i autonomisë së Kosovës[202] dhe prezenca ushtarake për të mbikëqyrur implementimin e kësaj marrëveshjeje ishin të papranueshme. Qeveria e Serbisë doli me qëndrim unik se autonomia e Kosovës mund të realizohej vetëm në kuadër të Republikës së Serbisë dhe përjashtoi mundësinë e prezencës së trupave të huaj në Kosovë. Sipas saj, Korpusi i Prishtinës i Ushtrisë Jugosllave garantonte paqen në Kosovë.[203] Deklaratat që përjashtonin çfarëdo forme të autonomisë së Kosovës, që dilte jashtë kuadrit juridik të Serbisë, u bënë gjithnjë e më të shpeshta. “Nuk e japim Kosovën as me çmimin e bombardimeve”[204], theksoi Milošević-i në takimin me parlamentarët qipriotë. Në të njëjtën kohë, një mobilizim i gjithanshëm politik dhe mediatik kundër NATO-s u organizua në të gjitha qytetet e Serbisë. “Do ta mbrojmë atdheun!”, “Kosovën do ta mbrojmë me çdo çmim!”, “Do të mbrohemi kundër çdo agresori!”, janë vetëm disa nga motot rreth të cilave u mobilizuan njerëzit në Serbi![205] Në këtë situatë, ku rreziku i dështimit të konferencës ishte evident, ministrat e Punëve të Jashtme të Francës dhe të Britanisë së Madhe, Hubert Védrine-i dhe Robin Cook-u, bënë apel publik për kompromis! “Ju mund të zgjidhni t’i jepni fund konfliktit dhe ta integroni Jugosllavinë në familjen e vendeve evropiane moderne. Por, ju gjithashtu mund ta fundosni në luftëra të brendshme dhe izolim që aq shumë e ka karakterizuar historinë tuaj të re. Populli i RFJ-së duhet t’ia njohë Kosovës të drejtën për një shkallë të lartë të vetëqeverisjes. Ndërsa shqiptarët e Kosovës duhet të heqin dorë nga kërkesa për pavarësi dhe të njohin të drejtat e grupeve të tjera etnike në Kosovë. Dhe sidomos, të dy palët duhet të pranojnë prezencën ushtarake ndërkombëtare, që do të garantonte zbatimin e marrëveshjes”[206], ishin mesazhet e Hubert Védrine-it dhe Robin Cook-ut. Bllokimi i bisedimeve solli para një situate të vështirë diplomacinë e shteteve të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Në këtë kontekst, Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright-i, më 20 shkurt 1999, nga kështjella e Rambujesë, u drejtohej palëve në bisedime me një gjuhë të qartë kërcënuese: “Merrni gjërat seriozisht!”, tërhoqi vërejtjen Madeleine Albright-i. “Kësaj radhe nuk mund të lejojmë që dikush të shtiret! Nëse serbët thonë ‘JO!’ dhe bisedimet dështojnë për shkak të tyre, atëherë do të kemi bombardime! Nëse shqiptarët nuk thonë “PO!” dhe bisedimet dështojnë për shkak të tyre, ne nuk do t’i mbrojmë dhe rrjedhimisht nuk do të ketë bombardime kundër Serbisë!”[207] Nga data 19 shkurt do të fillojë një angazhim shumë më intensiv dhe shumë më i gjithanshëm për të evituar dështimin e konferencës. Ekipi që përfaqësonte shqiptarët e Kosovës në këto negociata kishte fuqinë vendimmarrëse! Ndërsa, ekipi serb nuk e kishte një gjë të tillë. Për këtë arsye, me delegacionin e Kosovës bisedohej në Rambuje, kurse, për të zhbllokuar këtë situatë, ambasadori amerikan, Christopher Hill-i, udhëtoi për Beograd! Edhe kësaj radhe Milošević-i tregoi arrogancën e tij të njohur nga diplomacia e shteteve perëndimore duke refuzuar të pranonte. Në vend që ta pranonte ambasadorin amerikan dhe të shprehte qëndrimet e tij, Milošević-i parapëlqeu që me anë të medieve të njoftonte se “asnjëherë nuk do ta braktisim Kosovën, qoftë edhe nëse na bombardojnë”.[208] Është me rëndësi të theksohet se krahas deklaratave refuzuese të regjimit të Milošević-it karshi kërkesave të diplomatëve të shteteve perëndimore, shtypi serb i dha një publicitet të madh qëndrimeve që vinin nga institucionet shtetërore të Rusisë. Në titujt kryesorë të medieve serbe theksohej se gjoja gjatë një bisede telefonike presidenti i Federatës Ruse, Boris Jelcin-i i kishte thënë presidentit Amerikan, Bill Clinton-it, t’i mbante “duart larg nga Kosova!”, se “kërcënimet kundër Serbisë nuk do të kalojnë”, se “Jelcin-i nuk do të lejojë të preket Kosova”[209] e kështu me radhë. Me gjithë faktin se Shtëpia e Bardhë demantoi[210] këtë lajm dhe njoftoi opinionin publik se presidenti Clinton kishte kohë që nuk kishte biseduar me Boris Jelcin-in për këtë temë, shtypi serb nuk e hiqte nga faqet e para! Në gazetat serbe dominonin lajmet se në takimin me Milošević-in, nënkryetari i Dumës Ruse, Sergei Baburin-i kishte deklaruar se “Duma Ruse përkrahë Serbinë dhe Jugosllavinë”,[211] se “kryeministri i Qeverisë Ruse, Jevgeni Primakov-i, e kishte cilësuar si absolutisht të papranueshëm përdorimin e forcës”[212], se “gjenerali rus Leonid Ivashov-i ua tërhoqi vërejtjen amerikanëve dhe NATO-s që të largohen nga ideja e bombardimeve dhe se sulmi kundër Jugosllavisë do t’i japë të drejtë morale Rusisë që t’i ofrojë RFJ-së ndihmë ushtarake dhe teknike”[213], se “ministri rus i Mbrojtjes, mareshali Igor Sergejev-i, kishte theksuar se sulmet ajrore kundër Jugosllavisë mund të sillnin deri te “Vietnami i Ri” në Evropë dhe se Moska do të ndërpriste bashkëpunimin me NATO-n dhe do të ndihmonte ushtarakisht viktimën”[214], se “pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk mund të kishte intervenim ushtarak”[215] dhe shkrime të shumta të kësaj natyre. Zhvillimet në kuadër të kësaj konference imponuan vazhdimin e saj edhe për disa ditë. Më datë 23 shkurt 1999 delegacioni i Kosovës, nëpërmjet letrës, njoftoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se pranon marrëveshjen e përkohshme për paqe.[216] Nga ana tjetër, delegacioni serb ishte kategorikisht kundër nënshkrimit të marrëveshjes dhe kërkoi kohë që të konsultohej me Beogradin për një gjë të tillë. Në këtë situatë u vendos që konferenca t’i ndërpresë punimet për një afat 2-3 javësh dhe të rifillojë në Paris me 15 mars 1999. Dy javët në vijim të ndërprerjes së Konferencës së Rambujesë diplomacia e shteteve perëndimore ishte tejet aktive për të përgatitur të gjitha parakushtet për suksesin e Konferencës Paqësore për Kosovën. Por, në Beograd qëndrimi bëhej gjithnjë e më negativ. Krahas ngurtësisë së qëndrimeve politike që vinin, dhuna ndaj shqiptarëve nuk kishte të ndalur. Kështu, më 3 mars u gjetën të vrarë Qerim Rexha dhe Ilir Dini, shqiptarë nga Rahoveci, ndërsa në Rudar të Vogël të Komunës së Zveçanit[217], u gjetën të vrarë edhe dy shqiptarë të tjerë: Nexhat Azemi dhe Reshat Sejdiu.[218] Më 3 mars, Gjykata e Qarkut në Mitrovicë për “aktivitete terroriste” dënoi Agron Prokshin me 6 muaj burg, Raif Mustafën dhe Ismat Saraçin me nga 10 muaj, Sabedin Imerin me 15 muaj, Sedat Hasanin me 1 vjet e gjysmë, Agron Ademin me 1 vjet e 8 muaj, Basri Reçin, Bedri Bajramin, Nexhmi Sallahun, Faruk Reçin dhe Rifat Shaqirin me nga 1 vjet e 8 muaj, Esat Shaqirin me 2 vjet, ndërsa Safet Ferizi, i moshës 20-vjeçare, u dënua me 12 vjet burg.[219] Vrasjet dhe dënimet e shqiptarëve ishin indikatorë se regjimi i Milošević-it nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga qëllimet e tij politike për Kosovën. Sa i përket qëndrimit lidhur me përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, në takimin[220] që pati me të dërguarin special për Ballkanin, ambasadorin amerikan Richard Holbrooke-un, Milošević-i refuzoi në mënyrë kategorike dhe definitive projektmarrëveshjen e lartpërmendur.[221] Të nesërmen e shpalljes së qëndrimit negativ të pushtetit të Beogradit ndaj projektit të propozuar nga Grupi i Kontaktit, më 10 mars 1999, ekipi i mjekësisë ligjore serbe dhe bjelloruse lëshoi një deklaratë për medie, nëpërmjet të së cilës komunikuan rezultatet paraprake të punës së tyre. Sipas kësaj deklarate të transmetuar edhe nga Radio serbe B92, të emisionit të orës 13:00, të datës 10 mars[222], rezultatet e autopsisë dhe të testeve me “dorashka parafine”, zbuluan se: “Në rastin e Reçakut, 37 nga 40 kufomat e ekzaminuara rezultuan se kishin pasur mbetje të barotit të padjegur në duar. Kjo dëshmon se ata kishin përdorur armët e zjarrit dhe rrjedhimisht ata kishin qenë ushtarë të UÇK-së e jo civilë”; “u konstatua se 39 nga 40 kufoma nuk ishin vrarë nga afërsia dhe se vetëm në një rast kufoma kishte dy plumba nga një distancë relativisht e largët, por jo nga shumë afër”; “nga 40 të vrarët kishte vetëm një grua dhe një fëmijë 10-15-vjeçar, që ishte vrarë nga një distancë minimale prej 500 metrash e që dëshmonte se nuk ka pasur ekzekutim por të vrarë gjatë luftimeve”; “viktimat nuk ishin gjymtuar e as që u ishin prerë kokat e që dëshmonte se nuk ka pasur masakër.”[223] Nëpërmjet këtyre rezultateve, ekspertët e mjekësisë ligjore serbe dhe bjelloruse hidhnin poshtë argumentet e që theksonin se në Reçak kishte ndodhur masakër. Pra, këta “ekspertë”, nëpërmjet punës së tyre “shkencore” nxorën në shesh se “… masakra e civilëve shqiptarë ishte gënjeshtër!” Pra, edhe Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën ishte ftuar mbi bazën e “gënjeshtrave”! Por, shefja e ekipit të mjekësisë ligjore finlandeze, Helena Ranta, u dorëzoi raportin e ekipit të ngarkuar nga Bashkimi Evropian, gjykatëses hetuese Danica Marinković-it dhe shefit të ekipit të patologëve serbë, Slaviša Dobričanin-it. Në të njëjtën kohë ajo paralajmëroi organizimin e një konference me gazetarë në Selinë e OSBE-së në Prishtinë, për datën 17 mars 1999. Gjatë dy ditëve që i paraprinë mbajtjes së kësaj konference, mediet serbe shpërndanë informata se gjoja patologët finlandezë kishin ardhur deri te konstatimi se “në Reçak nuk kishte ndodhur masakra!”[224] Gazetat përsëritën qëndrimet tanimë të shpallura nga ekspertët serbë dhe bjellorusë se “të vrarët në Reçak ishin të armatosur dhe kishin krisur me armë zjarri para se të vriteshin. Te 37 nga 40 kufomat ishin zbuluar mbetje të barotit…”.[225] Duke qenë e ngarkuar nga Bashkimi Evropian, që të bënte ekspertizë profesionale për këtë rast, Helena Ranta u kufizua vetëm në disa konkluzione të hulumtimeve të ekipit finlandez. Në bazë të asaj që kjo patologe theksoi gjatë konferencës, rezultatet e deritanishme të punës së tyre dëshmonin se në rastin e 40 kufomave, të cilave u ishte bërë autopsia dhe për të cilat ishin grumbulluar fakte të shumta “nuk bëhej fjalë për asgjë tjetër pos për fshatarë të paarmatosur, të cilët ishin vrarë në ato tesha që i kishin pasur të veshura.”[226] Këto qëndrime të Helena Ranta-s hidhnin poshtë pretendimet serbe se gjoja të vrarët ishin ushtarë të UÇK-së, të cilëve gjoja u ishin zhveshur uniformat ushtarake dhe se gjoja u ishin veshur tesha civile. Përgënjeshtrimin që u bëri ekspertja e ngarkuar nga BE-ja revoltoi autoritetet politike të Beogradit dhe ekipin e mjekësisë ligjore serbe. Një ditë pas konferencës së Helena Ranta-s, më 18 mars, ministri i Drejtësisë serbe, Dragoljub Janković-i, dhe anëtarët e ekipit të patologëve serbë, Slaviša Dobričanin-i, Vujadin Otašević-i dhe Dušan Dunjić-i organizuan një konferencë për medie. Në këtë konferencë në mënyrë të veçantë u theksua se “Helena Ranta ëshët patologe dentare dhe se nuk është eksperte që të të flasë me kompetencë për atë që ka ndodhur në Reçak.”[227] Krahas akuzave publike për “jokompetencë profesionale” të Helena Ranta-s, ministri i Drejtësisë i regjimit të Milošević-it dhe ekspertët serbë të mjekësisë ligjore, deklaratat e shefes së ekipit finlandez i kualifikuan si “qëndrime të ndikuara nga politika![228] Megjithëse lajmet kryesore kishin të bënin me aktivitetet intensive për fillimin e raundit të dytë të bisedimeve të Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, divergjencat lidhur me rezultatet paraprake të ekipeve të mjekëve ligjorë serbë e finlandezë për 40 viktimat do të zënë një vend të rëndësishëm në mediet serbe.[229] Para se të fillonte vazhdimi i bisedimeve, më 13 mars, në tregun e Mitrovicës që frekuentohej kryesisht nga shqiptarët, shpërtheu një mjet eksplodues, me ç’rast vdiqën tre shqiptare: Sevdije Selimi, Valdete Stana dhe Elizabeta Hashani (5-vjeçare), ndërsa 48 persona të tjerë u plagosën.[230] Ndërsa, më 15 mars, kur mediet njoftuan se delegacioni shqiptar kishte udhëtuar në Paris për të nënshkruar marrëveshjen e propozuar nga Grupi i Kontaktit, në Komunën e Istogut u gjetën dy shqiptarë të vrarë, Rrahman Morina dhe Shaban Ramxhaj[231] dhe katër anëtarë të familjes Tafa (Xhemaili, Ismaili, Rizahu dhe Ibrahimi) nga fshati Grejkovc i Suharekës, që u vranë në pyllin e fshatit ku kishin shkuar për të prerë dru. Sikurse në raundin e parë të bisedimeve në Rambuje edhe në vigjilje të raundit të dytë, gjykatat që ishin nën kontrollin e plotë të regjimit politik të Milošević-it u përpoqën të tregonin efikasitetin e tyre. Gjykata e Qarkut në Prizren dënoi 5 shqiptarë të akuzuar për terrorizëm. Vehbi Muhadri u dënua me 8 vjet, Isak Hoti dhe Sokol Morina me nga 5 vjet, ndërsa Nysret Hoti me 4 vjet burg[232]. Më 14 mars 1999, delegacioni shqiptar kishte mbërritur në Paris. Me gjithë refuzimin e marrëveshjes nga ana e Milošević-it edhe delegacioni serbo-jugosllav udhëtoi për në Francë. Kësaj radhe, delegacionin serb e shoqëroi edhe kryetari i Qeverisë së Serbisë, Milan Milutinović-i. Të nesërmen, në takimin me Hubert Védrine-in dhe Robin Cook-un, shefi i delegacionit të Kosovës, Hashim Thaçi[233], i njoftoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se “pas konsultimeve dhe pas marrjes së mendimeve nga pjesa dërrmuese e popullit … edhe pse ‘Po-ja’ jonë nuk kënaq plotësisht popullin e Kosovës, e pranon marrëveshjen. Ne mendojmë se kështu i kontribuojmë paqes në rajon.”[234] Në të njëjtën ditë delegacioni i Kosovës nënshkroi marrëveshjen dhe mbajti një konferencë për shtyp[235], me të cilën u njoftua opinionin publik ndërkombëtar për vendimet që ishte marrë. Sado pozitive që ishte nënshkrimi i marrëveshjes nga përfaqësuesit e Kosovës fakti se të njëjtën ditë, më 15 mars 1999, delegacioni serb refuzoi edhe aspektin politik, edhe atë të prezencës ushtarake për të mbikëqyrur implementimin e marrëveshjes eventuale.[236] Kjo e solli konferencën në një situatë tejet të vështirë. Për të fituar në kohë, delegacioni serb shtirej se nuk e kishte parë projektmarrëveshjen që duhej ta nënshkruante. Madje, qëndrimi i tillë tallës detyroi edhe ndërmjetësuesin rus, Boris Majorskin, të deklaronte publikisht se serbët e kanë pasur këtë dokument që nga muaji shkurt”[237] ndërsa Ivanovi, shefi i diplomacisë ruse, kërkoi nga autoritetet e Beogradit “që ta nënshkruanin dokumentin!”[238] Në vend të nënshkrimit të marrëveshjes, ata dorëzuan një dokument të ri për autonominë e Kosovës në kuadër të Serbisë dhe këtë dokument, që e kishin përgatitur vetë, ishin të gatshëm ta nënshkruanin! Ndërsa, në mënyrë kategorike hidhej poshtë çdo prezencë ushtarake e huaja, sepse sipas tyre “Ushtria Jugosllave dhe Korpusi i saj në Prishtinë janë garant të paqes në Kosovë.”[239] Paralelisht me këto qëndrime të autoriteteve politike, institucionet gjyqësore serbe vazhduan me logjikën e vjetër. Më 19 mars, Gjykata e Qarkut në Prokuplje[240] dënoi 15 punëtorë shqiptarë, që u arrestuan me 19 qershor 1998 në kohën kur ishin duke u kthyer me autobus nga Republika e Sllovenisë. Gjatë bastisjes së këtyre shqiptarëve, që punonin në këtë shtet, tanimë të pavarur nga Jugosllavia, iu “gjetën” 96155 marka gjermane. Krahas plaçkitjes së kursimeve të këtyre punëtorëve ata për paratë që kishin kursyer u akuzuan se gjoja kishin dashur t’ua dërgonin “terroristëve” në rajonin e Malishevës! Mbështetur mbi këtë akuzë kjo gjykatë dënoi Ramadan Avdiun, Ali Gashin, Qazim Krasniqin, Imer Krasniqin, Azem Krasniqin, Burim Bllacën, Naim Balajn, Nuhi Bokajn, Enver Zogajn, Halid Nareçajn dhe Hajrulla Samaraxhën me dënim në kohëzgjatje nga tre vjet e gjysmë burg, ndërsa Feriz Zabelajn, Rrahim Aliun, Xhavit Kaçanikun dhe Sinan Bytyqin me nga katër vjet burgim. Me gjithë mesazhet tejet negative dhe akteve, që i shoqëronin qëndrimet këmbëngulëse serbe të mentalitetit të vjetër, diplomacia e shteteve të Grupit të Kontaktit vazhdoi me intensitet edhe më të madh. Që nga 15 marsi e deri më 22 mars nuk u ndërprenë përpjekjet për të përmbyllur këtë konferencë me sukses të përgjithshëm. Më 22 mars dështoi përpjekja e fundit e Ambasadorit R. Holbrooke për të bindur Slobodan Milošević-in që të pranonte marrëveshjen e nënshkruar nga delegacioni shqiptar. Të nesërmen, më 23 mars 1999, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana deklaroi se i kishte dhënë urdhër gjeneralit Wesley Clark-ut, të fillonte operacionet ajrore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.”[241] Me gjithë mesazhet e qarta se ishte dhënë urdhri për bombardime, mediet serbe përsëritnin pandërprerë qëndrimin e Milošević-i se “Nuk e japim Kosovën as me çmimin e bombardimeve!” Kjo deklaratë e tij, e thënë në takimin me parlamentarët qipriotë që e përmendëm më lartë, ishte shndërruar në moto mobilizuese në tërë Serbinë. Më poshtë do të përpiqem të sqaroj se a ishin këto mobilizime në funksion të bindjes së shteteve anëtare të NATO-s për gatishmërinë serbe që të luftonin për të mbajtur Kosovën nën thundrën e vet ose refuzimi i marrëveshjes politike dhe vazhdimi i dhunës në Kosovë nga ana e regjimit të Beogradit bëhej në funksion të provokimit të bombardimeve. Por, para se ta flas këtë aspekt, e shoh të udhës ta trajtoj më hollësisht të vërtetën lidhur me atë që ndodhi me 15 janar 1999 në fshatin Reçak.
- 3. SINTEZA E REZULTATEVE TË EKSPERTËVE MJEKOLIGJORË
Me qëllim që të ndriçohet se çka realisht ndodhi në këtë fshat të Kosovës, rezultatet e punës së ekspertëve serbë dhe atyre ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore janë të domosdoshme. Edhe në rastet kur divergjencat janë tejet të mëdha midis dy ekipeve që hulumtuan rastin, ato do t’i mundësojnë lexuesit që të kuptojë jo vetëm “Masakrën e Reçakut”, por edhe mekanizmat e regjimit që u futën në lojë për të fshehur gjurmët e krimit. Pra, t’ua lëmë fjalën ekspertëve dhe të shohim se çka u ndriçua me punën e tyre. Në intervistën për dokumentarin e Televizionit Shtetëror të Serbisë, kushtuar ngjarjes së Reçakut, shefi i ekipit serb të mjekësisë ligjore, Slaviša Dobričanin-i, deklaroi se “ekipi finlandez u inkuadrua në punët për përcaktimin e shkaqeve të vrasjes së 40 personave në Reçak, më 22 janar 1999. Domethënë tri ditë pasi që ekipi serb kishte filluar punën. Erdhën shumë vonë”[242], konstatoi ai. Për të mos humbur kohën e çmuar, deri më 22 janar, ekipi mjekoligjor serb kishte bërë autopsinë e 16 personave, i kishte përfunduar testet me “dorashka të parafinës” dhe i kishin marrë shenjat e gishtërinjve të kufomave.[243] Ngutja për të kryer këto punë ishte bërë, sipas Dobričanin-it, vetëm e vetëm që të mos vonoheshin! “Çdo vonesë mund të kishte pasoja shumë të mëdha, sidomos në vështirësitë e përcaktimit të shkaqeve të vdekjes dhe të lëndimeve të tjera eventuale që u gjetën te kufomat.”[244] Pas ardhjes së ekipit finlandez, autopsia e 24 trupave të tjerë është bërë nga ekipet e përziera. “Pastaj u jemi kthyer atyre 16 kufomave, që ua kishim bërë autopsinë dhe para ekspertëve finlandezë bëmë demonstrimin në trupat e kufomave. Bëmë një shikim të jashtëm, krahasimi i hyrjeve dhe i daljeve të plagëve dhe çdo gjë që ka qenë e nevojshme për të pasur një pasqyrë të vërtetë të zbulimeve të mjekësisë ligjore.”[245] Sipas pohimeve të Slaviša Dobričanin-it “mjekët finlandezë ishin shumë të kënaqur. Nuk patën asnjë vërejtje në punën tonë që kishim bërë me 16 trupat. Në fund të asaj pune u shkruan konkluzionet, veç e veç për secilin rast dhe të përmbledhura në një tërësi. Ne u ofruam mjekëve finlandezë që edhe ata ta nënshkruajnë tërësinë e konkluzioneve të autopsisë së mjekësisë ligjore. Fillimisht ata pranuan. Por, më vonë, pas konsultimeve me Helena Ranta-n, ajo na komunikoi se ata nuk duhet dhe nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë, sepse ata kanë ende të punojnë.[246] Edhe Helena Ranta pohon se “gjatë gjithë punës profesionale në sallat e autopsisë puna ka ecur pa asnjë problem, pa marrë parasysh prejardhjen e ekspertëve.”[247] Divergjencat fillojnë kur dilet nga fusha profesionale dhe interpretohen me kritere që nuk kanë lidhje me mjekësinë ligjore. Lexuesit i kujtohet se në konferencën e organizuar nga ministri i Drejtësisë serbe, Dragoljub Janković-i, dhe nga anëtarët e ekipit serbë të mjekësisë ligjore, u ngritën dyshime për kompetencat profesionale të Helena Ranta-s. Qëndrime të njëjta denigruese ndaj kompetencave profesionale të Helena Ranta-s do të përsëriten nga anëtarët e këtij ekipi të mjekësisë ligjore serbe si në artikuj gazetash ashtu edhe në emisione televizive kushtuar kësaj ngjarjeje.[248] Madje, edhe në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në procesin gjyqësor kundër Milošević-it[249], dr. Slaviša Dobričanin-i, përsëriti të njëjtin qëndrim. I ftuar nga ana e Milošević-it si ekspert për të dëshmuar se gjoja “në Reçak nuk kishte pasur civilë të vrarë”, Dobričanin-i u mundua të bindte trupin gjykues se “Helena Ranta ishte stomatologe me profesion, që ka bërë një specializim për stomatologjinë gjyqësore, ndërsa të gjithë anëtarët e tjerë të ekipit finlandez ishin specialistë të mjekësisë ligjore dhe konsideroheshin si ekspertë në krye të listës së patologëve në botë. Nuk ka asnjë arsye që e justifikon Helena Ranta-n të ishte në krye të një ekipi të tillë, që përbëhej nga specialistë botërorë të mjekësisë ligjore. Por, me gjasë kjo është punë e politikës dhe e marrëveshjeve.”[250] Me qëllim që të mos ndikonte në opinionin publik, e ngarkuara e Bashkimit Evropian, Helena Ranta, heshti për një periudhë gati dyvjeçare dhe nuk publikoi asgjë lidhur me rezultatet përfundimtare të ekspertizës që kishte bërë ekipi finlandez. Kjo heshtje u hapi rrugë spekulimeve të ndryshme me emrin e saj dhe me rezultatet e hulumtimeve të mjekësisë ligjore. Ajo heshti edhe kur u spekulua me deklaratën e saj se “në Kosovë kishte ardhur pa paragjykime rreth rastit duke mos përjashtuar asnjë hipotezë. Bile nuk përjashtoi as hipotezën se rasti kishte mundur të jetë i inskenuar.”[251] Deklarata e saj se “me gjithë kërkesat që ka pasur para konferencës me gazetarët, më 17 mars 1999, ajo nuk kishte pranuar të cilësonte ngjarjen me termet që i kishte cilësuar William Walker-i, sepse ajo konsideronte se kjo terminologji nuk ishte adekuate me terminologjinë e mjekësisë ligjore”,[252] u keqpërdor deri në atë shkallë sa të cilësohej si presion politik ndaj kësaj eksperteje. Mirëpo, më 10 mars 2001, Helena Ranta theu heshtjen. Në artikullin “Masakra e Reçakut ishte me të vërtetë një masakër”, redaktorja e NRC Handelsblad, Petra de Koning-u, solli, ndër të tjera, pjesë nga intervista që kishte bërë me Helena Ranta-n.[253] “Me autopsinë e trupave, me hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh, me gjetjen e gëzhojave… ‘Çështja e Reçakut’ është tema më së miri e shoshitur në historinë e Tribunalit të Hagës”[254], theksoi Helena Ranta. Sipas këtyre hulumtimeve “të vdekurit bartnin veshje civile shtatë-tetë shtresash njëra mbi tjetrën, sepse ishte dimër. Autopsia vërtetoi se ata ishin vrarë në këto tesha. Gjatë hulumtimeve u gjetën plumba në gropën e përroit nën sipërfaqen e dheut, aty ku u gjetën viktimat. Pranë njërit nga plumbat u gjet edhe pjesë e një trupi. Rezultatet e autopsisë që u bënë në Spitalin e Prishtinës korrespondojnë me ato që kemi gjetur në përrua: burri, pjesa e të cilit u gjet, ishte i shtrirë në tokë në momentin kur u shti mbi të. Viktimat e tjera paraqesin modalitete të ngjashme. Kategorikisht përjashtohet mundësia që 23 njerëzit e gjetur në përrua të jenë vrarë në ndonjë vend tjetër. Nuk janë vendosur më vonë në këtë përrua dhe nuk ka pasur asnjë inskenim. Civilët shqiptarë janë vrarë nga afërsia dhe nuk ka asnjë rëndësi nëse ishin vrarë nga një apo dy metra larg. Sido që të jetë, ata nuk janë vrarë në betejë”[255], konkludoi shefja e ekipit finlandez të mjekësisë ligjore, Helena Ranta. Të njëjtat qëndrime ajo do t’i përsërisë edhe gjatë dëshmisë[256] së saj në procesin kundër Milošević-it. Për një kohë relativisht të gjatë, ekipi i patologëve serbë do të mbrojë me këmbëngulësi qëndrimet që u përpiluan në qarqet politike të Beogradit dhe që u shpërndanë në publik nga gazetarët e Radio Televizionit Shtetëror të Serbisë, Milovan Drecun-i dhe Tomislav Magoči. Megjithatë, në pesëvjetorin e “Masakrës së Reçakut”, ata që nuk kanë pasur mundësi të përcjellin procesin gjyqësor kundër Slobodan Milošević-it në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, patën mundësi të zbulojnë një pjesë të së vërtetës që lidhet me vrasjen e fshatarëve në Reçak. Në konferencën me gazetarë, të mbajtur me 26 janar 2004, për herë të parë një patolog i ekipit serb (dr. Vujadin Otašević-i) nuk mohoi se trupat e shqiptarëve në Reçak ishin të masakruara. Por, ai sqaroi se “në trupat e tyre ishin gjetur shenjat e dhëmbëve të kafshëve dhe se trupat ishin masakruar nga qentë!”[257] Në pjesën e mësipërme lexuesi pati mundësi të lexonte dëshminë e vëzhguesit të OSBE-së të botuar në shkrimin e Pierre Hazan-it, që nuk e dinte se “a ishin trupa të gjymtuar apo që kafshët ua kishin ngrënë mishin”.[258] Kjo hipotezë, që më tepër mund të shihet si ironi ndaj veprimit shtazarak që ishte treguar me 15 janar 1999 në fshatin Reçak, fillimisht dr. Vujadin Otašević-i në vitin 2004 e më vonë edhe Slaviša Dobričanin-i, në vitin 2005 e paraqitën si të vërtetë të zbuluar nga patologët serbë! Ajo që e bëri këtë konferencë të jetë në qendër të vëmendjes lidhet me pohimin e dr. Vujadin Otašević-it se ”tregimet e sajuara në Beograd për veshjen e terroristëve me tesha civile pas vrasjes ishin plotësisht konfuze”.[259] “Nuk e di se kujt i ra ndërmend një marrëzi[260] e tillë, por e di se të gjithë kemi qenë tmerrësisht të hidhëruar me deklaratat e tilla”[261], theksoi dr. Vujadin Otašević-i. “Plagët e plumbave në tesha u përgjigjeshin saktësisht atyre që ishin në trup dhe ky fakt u shfrytëzua nga Walker-i për të plasuar te gazetarët e huaj versionin e masakrës.”[262] Megjithëse dr. Vujadin Otašević-i e cilësoi si marrëzi “gënjeshtrën e sajuar në Beograd për zhveshjen e terroristëve të vrarë nga uniformat e UÇK-së dhe veshjen e tyre me tesha civile”, edhe ky patolog “mbështet qëndrimin se të gjithë personat ishin vrarë gjatë luftimeve dhe nga një distancë e largët![263] Vlen të theksohet se dy vjet para se dr. Vujadin Otašević-i ta cilësonte si marrëzi sajimin e gënjeshtrës në Beograd për të fshehur gjurmët e “Masakrës së Reçakut”, William Walker-i në seancën gjyqësore të datës 12 qershor kundër Milošević-it kishte deklaruar lidhur me pohimin se kufomave u janë ndërruar teshat, se “është pohim tërësisht i marrë![264] “Nga ajo që kemi parë unë dhe shoqëruesit e mi atë ditë kemi ardhur te përfundimi se nuk bëhej fjalë për asnjë lloj montimi, por aty ishte vendi ku ishin vrarë 40 persona civilë”.[265] Milošević-i, sipas të gjitha gjasave, kishte mbetur ende me “marrëzinë” dhe me “gënjeshtrën” e sajuar në Beograd. Ai solli këtë temë edhe në procesin e gjykimit kundër tij në Hagë. Duke shpresuar se në këtë proces do të konfirmohej ajo që ishte shpërndarë për “zhveshjet-veshjet” e të vrarëve në Reçak, Milošević-i kërkoi sqarime nga Dobričanin-i se “a përputheshin plagët e trupave me vrimat e teshave”. Dobričanin-i i përgjigjet shkurtë me “Po”.[266] I pakënaqur nga përgjigja, Milošević-i kërkoi të dihet se a kishte përputhje në të gjitha rastet apo kishte raste ku vrimat e teshave nuk përputheshin me plagët. “Në të gjitha rastet”[267], i përgjigjet Dobričanin-i përsëri me një përgjigje të shkurtër. Deklarata e Dobričanin-it se personat ishin vrarë në ato tesha konfirmoi qëndrimin e patologëve finlandezë, që e pati publikuar Helena Ranta në konferencës e 17 marsit 1999 dhe e rikonfirmoi gjatë dëshmisë së saj të 12 marsit 2003, në gjykimin kundër Sllobodan Milošević-it. Hedhja poshtë e gënjeshtrës për “zhveshjet-veshjet” e të vrarëve në Reçak, që u bë nga ekspertiza e patologëve dhe që u konfirmua edhe nga ana e shefit të ekipit të patologëve serbë në këtë proces gjyqësor, shënonte fillimin e zhveshjes së gënjeshtrës së sajuar nga qarqet politike të Beogradit. Megjithatë, me qëllim që të shpëtohej diçka nga ajo që ishte plasuar si e “vërtetë” nga qarqet e Beogradit, Slaviša Dobričanin-i theksoi se “kufomat kishin tesha me ngjyra të errëta, karakteristikë e veshjes së ushtarëve të UÇK-së, të policisë ushtarake të UÇK-së ose ndoshta edhe të rojeve të fshatit.”[268] Nga ekspert i mjekësisë ligjore, Slaviša Dobričanin-i u shfaq në rolin e “ekspertit” për veshmbathje ushtarake![269] Është po ky profesor i mjekësisë ligjore që në shumë shkrime të veta, që u cituan edhe gjatë audiencës në procesin kundër Milošević-it, këmbënguli se nuk i takonte Helena Ranta-s të cilësonte se në Reçak “nuk bëhet fjalë për asgjë tjetër pos për fshatarë të paarmatosur.” “Nuk është punë e ekspertëve të mjekësisë ligjore të flasim për prejardhjen e njerëzve dhe për ngjarjet që kanë ndodhur atje ku u gjetën kufomat”[270], këmbëngulte Dobričanin-i. Por, kur është fjala për të tjerët, e në rastin konkret për udhëheqësen e grupit të patologëve finlandezë, atëherë Dobričanin-i theksoi se “detyra e patologëve të mjekësisë ligjore është përcaktimi i shkaqeve, i mënyrës së vrasjes, i lëndimeve të tjera eventuale, i ndryshimeve patologjike dhe i fakteve që lidhen me identifikim. Ndërsa, vlerësimet për motivet dhe për arsyet e vrasjeve, implikimet e tyre politike ose aspektet morale, lidhjet e viktimave me organizatat politike ose me organizatat e tjera (…) janë çështje që nuk kanë të bëjnë me hapësirën në të cilën shtrihet shkenca e mjekësisë ligjore.”[271] Ndërsa, kur është fjala për shqiptarët e vrarë në Reçak, Slaviša Dobričanin-i nuk ngurroi të fliste për “lidhjet e viktimave me organizatën terroriste të UÇK-së”, për “veshmbathjet e tyre”, për “ngjyrat e teshave” për rolet dhe për funksionet që kishin (“Rojet e fshatit”) dhe kualifikime të tjera që i takojnë pikërisht kategorisë që denonconte. Vërejtjet që iu bënë për faktin se ai vetë përdorte cilësime për të cilat e kritikonte Helena Ranta-n,[272]Dobričanin-i përpiqet të arsyetohet me atë se në “rastin e Reçakut” ai ka pasur dy role: të anëtarit të ekipit hetimor të gjykatëses Danica Marinković-it dhe të specialistit të mjekësisë ligjore. Ai insiston në këtë rol të dyfishtë dhe kërkon që të kuptohet se thëniet e tij lidhur me “rojet e fshatit”, me “ngjyrën e teshave” janë gjëra që i ka parë si “anëtarë i ekipit hetimor”, ndërsa çdo gjë që thotë për kufomat, këtë e bën “si profesor dhe si specialist i mjekësisë ligjore.”[273] Të shohim se si ky “profesor dhe specialist i mjekësisë ligjore” flet për kufomat e shqiptarëve të vrarë! Pasi ia sollën të gjitha argumentet e ekspertizës që dëshmonin se Halim Beqiri[274] (14-vjeçar) ishte vrarë pas shpine, gjykatësi kërkoi nga Dobričanin-i, që në cilësinë e ekspertit të mjekësisë ligjore të jepte mendimin e vet profesional se a ishte e mundur që ky 14-vjeçar të kishte qenë civil. Në këtë rast Slaviša Dobričanin-i nuk mundi të përgjigjej as si “anëtar i grupit hetues”, as si “profesor dhe specialist i mjekësisë ligjore”. Në këtë rast ai iu referua eksperiencës së tij jetësore dhe solli “faktet” e tij se “ai (Halim Beqiri) ishte një djalosh dhe se shqiptarët 14-vjeçar tanimë janë të rinj të pjekur! Shumë prej tyre kanë mbajtur armë, ndërsa mosha nuk do të thotë asgjë për shqiptarët.”[275] Eksperiencë e çuditshme! Përpjekja për të fshehur krimin e vrasjes së një djali 14-vjeçar, me argumente se “mosha për shqiptarët nuk do të thotë asgjë”, është neveritëse. Aq më tepër kur një gjë e tillë bëhet nga një mjek! Për “profesionalizmin” e këtij konkluzioni le të gjykojë vetë lexuesi! Megjithatë, pohimi se shqiptarët ishin vrarë në teshat civile ishte një goditje për Milošević-in dhe për ata që e kishin ftuar si dëshmitar të mbrojtjes dr. Slaviša Dobričanin-in. Me shpresë se do të sillte diçka që do të konfirmonte versionin e sajuar në qarqet politike serbe të Beogradit për këtë rast, Slobodan Milošević-i ndërroi temën dhe nga teshat e viktimave kaloi te distanca e vrasjeve. Para se të përgjigjej në pyetjen e Milošević-it se a janë vrarë 40 personat e fshatit Reçak nga largësia apo nga afërsia, dr. Dobričanin-i sqaroi se çka kuptohet me termet “afër” dhe “larg” në mjekësinë ligjore. “Çdo vrasje me armë zjarri që shkon nga distanca 2-3 milimetra nga trupi e deri në distancën 200-250 centimetra nga trupi, konsiderohen si vrasje nga afër. Sa i përket të vrarëve në Reçak, në dy raste janë gjetur mbetje të barotit të padjegur, që dëshmon se sipas të gjitha gjasave, janë vrarë nga distanca përafërsisht një metër e gjysmë deri në dy metra. Të gjithë personat e tjerë janë vrarë nga largësia. Nga dy metra e më shumë!”[276] As terminologjia profesionale e kualifikimit të vrasjes nga distanca më e madhe se dy metra “si vrasje nga larg”, nuk ishte “distancë minimale prej 500 metrash”, që priste të dëgjonte Milošević-i! Edhe në këtë rast Milošević-i ndërroi temën dhe solli në audience idenë e plasuar nga Beogradi se “gjymtimi i trupave ishte bërë nga ana e terroristëve shqiptarë për të krijuar përshtypjen e masakrës.” Ai kërkoi sqarime nga eksperti i mjekësisë ligjore për kohën e shkaktimit të plagëve: para apo pas vdekjes? Nga hulumtimet që kishte bërë ekipi i patologëve serbë, Dobričanin-i solli rezultatet se “ të gjitha plagët që ishin në trupat e tyre, e që ishin shkaktuar nga armët e zjarrit, kishin ndodhur sa ishin gjallë. Pos plagëve me armë zjarri, në gjashtë trupa janë gjetur lëndime nga kafshët, që kanë ndodhur pas vdekjes!”[277] Për të bërë bindëse hipotezën e dëmtimit të kufomave nga kafshët, Slaviša Dobričanin-i theksoi se deri te kjo gjë kishte ardhur për arsye se “trupat e të vdekurve në Reçak kishin qëndruar katër ditë të shtrirë në hapësirë të hapur, e ndoshta edhe në atë xhami[278]dhe konstatimi se kufomat janë dëmtuar nga kafshët është vërtetuar në bazë të teheve të eshtrave…”[279] Pasi nuk mori përgjigjen e pritur, Milošević-it i interesoi të dinte se a kishte pasur së paku ndonjë veprim post mortem ndaj viktimave. Edhe në këtë rast Dobričanin-i përgjigjet se “nuk ka pasur absolutisht asnjë veprim post mortem”[280]. Në sqarimin e tij për kokat e prera, eksperti Dobričanin thotë se ato nuk janë prerë pas vdekjes, por kjo ka ndodhur për së gjalli. Sepse dihet se plumbat mund të shkatërrojnë kokën për shkak të konstruktit të kafkës, madje edhe vetëm një plumb nga arma e zjarrtë mund ta shkatërrojë gati tërësisht kokën.”[281] Si konkluzion, personat nuk janë gjymtuar dhe nuk janë masakruar nga njerëzit as për së gjalli e as post mortem! Ata janë vrarë gjatë luftimeve dhe janë gjymtuar nga kafshët! Kjo është e vërteta e “profesorit dhe e specialistit të mjekësisë ligjore”, Slaviša Dobričanin-it, që në këtë rast flet si “anëtar i ekipit të gjykatëses hetuese, Danica Marinković-it! Duke pohuar se ata ishin vrarë gjatë luftimeve, ai hodhi poshtë se këta persona ishin ekzekutuar nga forcat e armatosura policore dhe ushtarake serbe. Madje, Dobričanin-i theksoi se gjoja edhe patologët serbo-bjellorusë edhe kolegët e tyre nga ekipi finlandez “kishin shënuar në shënimet e tyre se nuk ka pasur shenja ekzekutimi.”[282] Pohimi i ekzistimit të shënimeve “për mungesë shenjash të ekzekutimit”, ku implikoheshin edhe patologët e ngarkuar nga Bashkimi Evropian, i imponuan trupit gjykues të kërkonte të dhëna precize lidhur me këtë çështje. Konkretisht burimin e dokumentit, në të cilin finlandezët paskan shkruar se nuk ka pasur asnjë shenjë ekzekutimi! “Më tregoni ku mund ta gjej atë dokument?” insistoi gjykatësi Bonomi gjatë kësaj seance. I zënë ngushtë nga kjo pyetje, dr. Dobričanin-i u përgjigj se “ unë e kam parë një gjë të tillë në dokumentet e tyre. Nuk më kujtohet saktësisht, por kam hasur gjatë leximit se është shkruar diku që nuk ka shenja ekzekutimi. Ne kemi rënë dakord për këtë çështje. Ju lutem, kanë kaluar gjashtë vjet. Në të vërtetë nuk e di. Kam lexuar dhe rilexuar shumë, por nuk jam përgatitur për këtë…[283] Nëse nuk i kujtohej se ku e kishte parë të shkruar në dokumentet e ekipit të patologëve finlandezë se gjoja nuk kishte pasur shenja ekzekutimi, gjykatësi insistoi të dinte se “a mund të përmendte konkretisht cilindo qoftë nga pjesëtarët e ekipit finlandez të mjekëve ligjorë, që janë pajtuar me konkluzionet e patologëve serbë, se ajo që ka ndodhur në Reçak nuk u është dukur si ekzekutim!” Përgjigja e Dobričanin-it ishte e qartë dhe zhgënjyese për Milošević-in: “Jo, nuk mund të përmend asnjë anëtar. As të ekipit finlandez e as të ekipit tonë. Shumë vjet kanë kaluar që nga ajo kohë.”[284] Por atë që e tha me bindje të plotë dhe insistoi të bindte trupin gjykues ka të bëjë me pohimin se në Reçak, më 15 janar 1999, të gjithë personat ishin vrarë gjatë luftimeve. Këtë e tha si njeri me përvojë dhe si anëtar i ekipit hetues e jo si “profesor dhe specialist i mjekësisë ligjore”! Në çka mbështeten të gjitha ata që të vrarët në fshatin Reçak i konsiderojnë “ushtarë të UÇK-së”, “terroristë shqiptarë” ,“të vrarë gjatë luftimeve”? Të gjithë ata që interpretojnë këtë temë nga ky këndvështrim ose që e integrojnë në një kontekst për të argumentuar “komplotin e imperializmit amerikan kundër Serbisë”, sjellin dëshmitë serbe gjatë ekspeditës për nxjerrjen e kufomave nga ky fshat me 17 janar 1999. Siç u përmend edhe më lartë, në ditën e kësaj ekspedite, gjykatësja hetuese Danica Marinković-i, profesori i mjekësisë ligjore, Slaviša Dobričanin-i[285] dhe policia serbe ekspozuan para gazetarëve “40 kufomat që ndodheshin në xhaminë e fshatit, 40 armë (dy mitraloza, 36 pushkë automatike dhe dy snajperë), municion, uniforma, rezerva ushqimore, makinë shkrimi dhe listën e 126 terroristëve që ishin në Shtabin e Reçakut…”.[286] Krahas kësaj, pala serbe pretendon se testet me “dorashka të parafinës” dhe marrja e shenjave të gishtërinjve dëshmuan për identitetin e tyre dhe për implikimin në luftë! Më lartë u përmend fakti se deri më 22 janar, ende pa ardhur ekipi i patologëve finlandezë, ekipi i mjekësisë ligjore serbe kishte përfunduar autopsia e 16 personave, kishin kryer testet me “dorashka të parafinës”, ishin marrë shenjat e gishtërinjve etj.[287] Atëherë, cilat janë rezultatet e këtyre hulumtimeve që ishin bërë me aq ngut nga ana e patologëve serbë? Në të gjitha shkrimet dhe në emisionet dokumentare serbe lidhur me këtë ngjarje ekziston një konsensus se “‘te 37 nga 40 trupat, që u ishte bërë autopsia janë gjetur gjurmët e nitratit. Këto gjurmë të barotit të padjegur ishin gjetur në gishtin tregues, në gishtin e madh, në shuplakë … Pra, në ato pjesë ku pritet të gjendet te njerëzit që kanë përdorur armë zjarri!”[288] Përkundër asaj se nitratet mund të jenë edhe mbetje të barotit të padjegur, kjo nuk do të thotë se të gjitha gjurmët e nitrateve janë nga eksplodimi i barotit. Madje edhe vetë dr. Dobričanin-i sjell shembuj të shumtë, si mbetjet e plehut artificial, të duhanit, të urinës (…), që mund të ndikojnë që testet të rezultojnë pozitivisht në nitrate. Megjithatë, në dëshminë e tij, patologu serb privilegjoi hipotezën se mbetjet e nitratit në duart e të vrarëve shqiptarë ishin nga barotit i armëve të zjarrta! Nga ana tjetër, testi me mikroskop elektronik EDX, i bërë nga ekipi finlandez i mjekësisë ligjore, rezultoi negativ në të gjitha rastet. Në këtë mënyrë u hodhën poshtë pretendimet e patologëve serbë për mbetjet nga baroti i padjegur.[289] Konkluzioni i tyre ishte se 40 personat e vrarë në Reçak nuk kishin përdorur armë zjarri! Atëherë, ku qëndron e vërteta? Për të sqaruar “rezultatet” diametralisht të kundërta të dy ekipeve të mjekësisë ligjore (asaj serbe dhe asaj finlandeze), gjatë dëshmisë së tij u kërkua shpjegim nga Slaviša Dobričanin-i. A u ishin dhënë patologëve finlandezë rezultatet e testit të “dorashkave të parafinës” të ekipit serb para se ata të dilnin me rezultatet e veta? Pas disa hezitimeve të shprehura në formën “nuk jam i sigurt”, “nuk e di” e kështu me radhë, dr. Dobričanin-i u përgjigj se “ekipi finlandez nuk i ka marrë rezultatet e këtij testi!”[290] Mosdhënia e rezultateve të punës së ekspertëve serbë, ekipit të mjekësisë ligjore të ngarkuar nga Bashkimi Evropian, mund të ngjallë dyshime te shumëkush. Por, ku ishin në të vërtetë rezultatet e këtyre testeve? Pse nuk ishin publikuar askund? Ajo që e bën edhe më të dyshimtë pohimin serb, lidhur me këtë lloj testi, lidhet me faktin se ato nuk i ishin bashkangjitur as raportit të autopsisë së ekipit serbo-bjellorus! Pse? Për të sqaruar këtë aspekt të kundërthënieve që ngërthente pohimi serb për “gjetjen e gjurmëve të nitratit të barotit të padjegur te 37 nga 40 kufomat” dhe dyshimet që ngjallte fakti se askush nuk i kishte parë “rezultatet”, gjatë audiencës së datës 13 prill 2005, Slaviša Dobričanin-i u mundua të mbështetej në “mbingarkimin e njerëzve që punonin në këtë punë, sepse, sipas tij, kishin pasur një situatë jashtëzakonisht të rëndë ata muaj.”[291] Krahas “mbingarkesës” së personelit, Dobričanin-i solli edhe një fakt tjetër! Sipas tij këto rezultate “kishin qenë të përgatitura me shënime të detajuara, me video dhe me fotografi që t’u jepeshin të gjithëve, por krejt u asgjësuan me shkatërrimin e ndërtesës së SPB-së[292]. Nuk ka asnjë arsye tjetër!”[293], përpiqet të tregohet bindës shefi i ekipit serb të ekspertëve mjekoligjor! Për të qenë edhe më bindës, ky patolog solli të dhëna më “precize” për asgjësimin e fakteve! Sipas tij “ekipi finlandez kishte bërë më shumë se 3000 fotografi dhe 10 orë videofilma, ndërsa teknikët e ekipit serb të kriminalistikës kishin bërë 18000 fotografi dhe disa qindra videofilma. Por, fatkeqësisht, një pjesë e fotografive, e videofilmave dhe raporti i patologëve finlandezë, që i takonin zonjës Marinković[294], u zhdukën përgjithmonë nga bombardimi i NATO-s që iu bë ndërtesës së SPB-së krahinore në vitin 1999[295]. Sikur dikush ngutej që t’i zhdukte sa më parë!”[296] Për të fshehur “fajësinë e shqiptarëve” dikush i asgjësoi faktet që autoritetet serbe “i kishin në duart e tyre”, por që nga mbingarkimi nuk patën mundësi t’ua jepnin as ekipit finlandez e as t’i publikonin vetë! Humbën provat si në rastin e Kleçkës! Por, profesori i mjekësisë ligjore, dr. Slaviša Dobričanin-i, insiston t’i besohet fjalës së tij se “te 37 nga gjithsejtë 40 trupa janë gjetur gjurmët e nitratit në ato pjesë ku pritet të gjenden te njerëzit që kanë përdorur armë zjarri”! Fjalët nuk janë të mjaftueshme, qofshin ato edhe fjalë të “ekspertit”! Duhet të sillen prova! Nga testet me “dorashka të parafinës” u kalua në temë tjetër! Te armët e “konfiskuara nga policia” më 15 janar, pas luftimeve në fshatin Reçak! U sollën detaje për të bindur të tjerët se kishim të bënim me njerëz të vrarë gjatë luftimeve! 40 kufoma dhe saktësisht 40 armë! “Precizitet i jashtëzakonshëm”! Duke e sjellë këtë të dhënë që figuronte në raportin për të vrarët e Reçakut, Milošević-i iu drejtua gjeneralit Drewienkiewicz dhe kërkoi prej tij të sqaronte se a mendonte ky gjeneral që gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i, të ketë trilluar një fakt të tillë. “Jam i sigurt se ajo ka shkruar atë që i është thënë të shkruante”, iu përgjigj Drewienkiewicz-i, “por nuk e di se deri në cilën masë mund të ndërlidhen këto armë me personat e vrarë, për të cilët pretendoni t’i kenë poseduar ata. Dua ta shoh atë ndërlidhje! Ai armatim ka mundur të jetë në bodrumet e cilitdo stacion policie, në cilindo vend të Kosovës. Kanë pasur plot nëpër bodrumet e tyre. Dikush mund të shkojë në një bodrum policie, t’i marrë armët, t’i vendosë pranë kufomave dhe të dalë e të deklarojë se: ‘Ja! I vramë se ishin terroristë dhe si dëshmi ja ku i kemi armët’”[297]! Ndërlidhja e 40 të vrarëve dhe e 40 armëve të ekspozuara nxori në shesh një problem tjetër, të cilin “ekspertët serbë” nuk e kishin paraparë! Meqenëse edhe dr. Slaviša Dobričanin-i, kësaj radhe si profesor i mjekësisë ligjore, nuk e mohon dobësinë e testit me “dorashkat e parafinës” dhe testi me mikroskop elektronik kishte dëshmuar të kundërtën e asaj që pretendonin anëtarët e ekipit të patologëve serbë, atëherë pyetja që shtrohet në gjyq ka të bëjë me atë se “a nuk do të kishte qenë e mundur që me një shkallë të lartë preciziteti të dëshmohej nëse ndonjëri nga viktimat e Reçakut ka përdorur ndonjërën nga ato armë të ekspozuara para gazetarëve? Shkurt, kjo gjë do të ishte shumë e lehtë, pasi armët ishin aty dhe shenjat e gishtave të viktimave ishin marrë![298] Duke u mbështetur në atë se pas testit me “dorashka të parafinës” kufomave u janë marrë shenjat e gishtave për identifikim, u kërkua sqarim nga Slaviša Dobričanin-i “se a ka bërë dikush hulumtimet në pushkët automatike që ishin vendosur me një rend të caktuar për të parë se a ka pasur në to shenja të gishtave të cilësdo viktimë të Reçakut?”[299] “ Zotëri, kjo është jashtë fushës sime profesionale!”, përgjigjet, i zënë ngushtë, eksperti serb dhe profesori i mjekësisë ligjore, Slaviša Dobričanin-i. “Mendoj se do të ishte dashur të bëhej një analizë e tillë. Me të vërtetë nuk e di se a është bërë dhe më besoni asgjë më shumë për këtë gjë nuk mund të them. Atë armatim vetëm e kam parë, e pastaj çka është bërë dhe si është vepruar me të, a janë marrë shenjat, besomëni se nuk e di.”[300] Në këtë rast, Slaviša Dobričanin-i “harron” se gjatë procesit gjyqësor të Milošević-it ai fliste herë si ekspert i mjekësisë ligjore e herë si anëtar i ekipit hetimor të udhëhequr nga gjykatësja Danica Marinković-i. Edhe pse ai vetëm e ka parë atë armatim dhe nuk di se çka është vepruar me të, Dobričanin-i kërkon t’i besojmë fjalës së tij se gjoja ky armatim ishte “armatim i terroristëve shqiptar!” Nuk mjaftojnë fjalët! Në gjykatë u insistua të sqarohej çështja e armëve të ekspozuara më 17 janar. Duhej të nxirrej në shesh se ku u gjetën armët. A u gjetën në të njëjtin vend ku ishin edhe 40 viktimat? A ekzistonte “ndonjë raport, shënim apo dokumentacion në të cilin pohohet se armët u gjetën në vendin e njëjtë ku u gjetën trupat e vrarë në Reçak?”[301] Kjo çështje ia humb durimin ekspertit serb. Ai përgjigjet me një dozë arrogance: “Nuk kam raport të tillë dhe as që më ka interesuar një gjë e tillë.”[302] Për të gjetur një arsyetim, “jashtë fushës së tij profesionale”, Slaviša Dobričanin-i deklaron se është “njeri që pranon vetëm faktet” dhe se faktet e tij “janë absolutisht në anën e atyre që mendojnë se është bërë gabim i madh që nuk janë bërë hetimin në vendin e ngjarjes.“ Por, faji për këtë gjë nuk është i autoriteteve serbe! Ai jep arsyetimin në formë të pyetjes: “Pse nuk na u lejua të kemi qasje në trupat gjatë katër ditëve, përderisa trupat e të vdekurve në Reçak kishin qëndruar katër ditë të shtrirë në hapësirë të hapur!”[303] Ai mendon se të gjithë kanë harruar që kufomat e “Masakrës së Reçakut” u gjetën në mëngjesin e 16 janarit, u vendosën në xhaminë e fshatit të njëjtën ditë dhe më 17 janar policia serbe, me të cilët ishte edhe Slaviša Dobričanin-i, i transferoi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Apo ndoshta “nuk i kujtohet” siç deklaron shpesh, se “ka kaluar shumë kohë që atëherë”! Sido që të jetë, Slaviša Dobričanin-i është “njeri që pranon vetëm faktet” dhe kërkon nga ne që t’i marrim fjalët e tij për fakte! Edhe pse rezultatet e testeve serbe me “dorashka të parafinës” nuk iu dhanë ekipit finlandez e as nuk u integruan në raportin e autopsisë, ne duhet t’i besojmë fjalës së Slaviša Dobričanin-it se 37 nga 40 kufomat kishin pasur mbetje të barotit të padjegur në duar! Edhe pse nuk u dha asnjë raport lidhur me hulumtimet për të verifikuar se a u gjetën armët në vendin ku ishin gjetur kufomat dhe se a kishte pasur shenja të gishtave të 40 personave ndaj të cilëve u bë autopsia nga ekspertët e ekipit serb në 40 armët e ekspozuara para gazetarëve, kërkon t’i besohet fjalës së tij “se 37 nga 40 kufomat u identifikuan si terroristë të UÇK-së, ndërsa kufomat e tre personave mbetën të paidentifikuara!” Nga armët e ekspozuara doli te identiteti i personave të vrarë. Në këtë rast, jo si profesor i mjekësisë ligjore, por në përputhje me “eksperiencën e tij jetësore”, dr. Slaviša Dobričanin “sqaron” se “tri kufomat e paidentifikuara kishin shenja në trupat e tyre se nuk kanë qenë myslimanë ose pjesëtarë të popujve që bëhen synet pas lindjes.”[304] Çështjen e kufomave të pabëra synet e nxjerrin si argument edhe anëtarët e tjerë të ekipit serb të mjekësisë ligjore. Por, për dallim nga Slaviša Dobričanin-i, për anëtarin tjetër të ekipit serb të mjekësisë ligjore, profesorin e mjekësisë ligjore në Universitetin e Beogradit, Dušan Dunjić-in,[305] dhe për profesorin e mjekësisë ligjore në Universitetin e Nishit, Vujadin Otašević-in[306] nga 40 kufomat, ndaj të cilave u bë autopsia, të pabërë synet ishin “katër persona, me mbiemra amerikanë ose anglezë dhe nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë qenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbimeve dhe të organizatave të tjera.”[307] Profesorë të mjekësisë ligjore, të cilët duhet të përcaktojnë shkaqet dhe mënyrën e vrasjeve, të analizojnë plagët dhe lëndimet… dhe në vend të kësaj ata përqendrojnë vëmendjen aty ku nuk ka plagë! Pse nuk paskan qenë të bërë synet! Ekspertë se jo mahi! E çuditshme! Në këtë rast ata nuk treguan se a e bënë në përputhje me “perimetrin e fushës së tyre profesionale”, si “anëtarë të ekipit hetues” apo si “njerëz me përvojë”! Pa marrë parasysh se çka thonë, “ata janë njerëz që mbështeten në fakte” dhe fjalët e tyre duhet të merren si fakte! Ata pohojnë se “në shtëpinë ku ishte Shtabi i UÇK-së, policia gjeti një kompjuter me të dhënat e brigadës terroriste dhe listën prej 126 terroristëve që ishin në Reçak. Në mesin e tyre ishin edhe katër të huaj, me mbiemra amerikanë ose anglezë. Ata ishin instruktorë ose specialistë të huaj!” Dhe pikë! Por, jo të gjithë i marrin pohimet e tyre për fakte! Dhe jo të gjithë e venë pikën aty ku dëshirojnë ata! Për të sqaruar këtë çështje, nga gjykatësja hetuese Danica Marinković-i, e ftuar nga Milošević-i për të dëshmuar se “në Reçak nuk kishte parë civilë të masakruar por terroristë të vrarë”, në dëshminë e saj[308] të 24 marsit 2005 u kërkuan informata plotësuese për “listën e 126 terroristëve të gjetur në Shtabin e UÇK-së në Reçak”. Listë të cilën Danica Marinković-i e shpalosi para gazetarëve më 17 janar 1999, në fshatin Reçak! U kërkua të jepej përgjigje se a ishin në atë listë edhe emrat e 40 personave ndaj të cilëve ishte bërë autopsisë.”[309] Danica Marinković-i, e shqetësuar nga një pyetje që nuk e priste, kërkoi që t’i besonin, sepse tani nuk i kujtoheshin gjërat. “Në incizimin që e pamë dëgjohet se unë lexoj emra”, thekson ajo. “Megjithatë, unë tani nuk mund të kujtohem, moti ka ndodhur, por fletorja e shënimeve me listën e emrave u mor dhe ky material, si provë, ndodhet në lëndën komplete për Reçakun. Dhe kjo mund të krahasohet.”[310] Por, që të krahasohen emrat e të vrarëve me listën e publikuar në konferencën e improvizuar me gazetarë në “Shtabin e UÇK-së në Reçak”, duhet pasur atë “listë”. Për këtë arsye gjykatësi kërkoi të dinte se ku mund të gjendej lista prej 126 emrave! “E dini çka?”- pyeti në formë përgjigjeje Danica Marinković-i. “Pas përfundimit të hetimeve unë ia kam dhënë dosjen komplete prokurorit publik të autorizuar për këtë rast. Dhe lënda duhet të jetë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, që ne aktualisht nuk kemi qasje, e ndoshta ju mund të vini deri te ajo lëndë. Pasi kam përfunduar hetimet dhe kam marrë rezultatet dhe mendimet lidhur me autopsinë, dokumentacionin komplet ia kam dorëzuar prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë, më 1 mars 1999. Kjo është lënda Kri 14/99.”[311] Pra, dokumentacioni komplet i lëndës së Reçakut (Kri 14/99) ndodhet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë! Nuk paska qenë e djegur, siç pretendonte Slaviša Dobričanin-i në seancën e 13 prillit 2005. Pra, dokumentet na qenkëshin në Prishtinë dhe nëse nuk gjenden, duhet t’i besojmë gjykatëses hetuese Danica Marinković-it, atëherë ndoshta i kanë asgjësuar shqiptarët, UNMIK-u ose dikush tjetër …, për të fshehur fajësinë e shqiptarëve.” Është interesant se sa herë që duhet të sjellin faktet konkrete në mbështetje të “marrëzisë së sajuar në Beograd” për gjoja vrasjen e “terroristëve të UÇK-së”, si gjykatësja hetuese ashtu edhe profesorët serbë të mjekësisë ligjore fshihen herë prapa kujtesës së tyre, se gjoja “nuk u kujtohet” e herë prapa kohës, se “ka ndodhur moti”. Vetëm për një gjë nuk kanë harruar! Herë tre e herë katër persona nga të vrarët nuk paskan qenë të bërë synet! Ekspertë me memorie profesionale të çuditshme! Megjithatë, në seancën e 12 prillit 2005 Dobričanin-it iu desh të ballafaqohej me kundërthëniet e dy listave: listës që e kishte përgatitur gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i, dhe atë që e kishte përgatitur Zyra e Prokurorisë. Dobričanin-i u shtrëngua të pranonte se kishte kundërthënie lidhur me emrat dhe me mbiemrat e tre vëllezërve (Jashar Salihu, Rifat Salihu, dhe Shukri Salihu) të vrarë më 15 janar në Reçak. Por, u arsyetua se “në identifikimin përfundimtar nuk kanë marrë pjesë anëtarët e ekipit të mjekësisë ligjore. Atë e ka bërë teknika kriminalistike… Me gjasë ashtu është. Po ua tërheq vëmendjen se unë me këta emra nuk kam asnjë lidhje! Gjatë kohës që kemi bërë autopsitë në institut, ne nuk i kemi marrë emrat e të vrarëve, as që na ka interesuar, sepse ata njerëz janë dërguar në morg ku është bërë procesi i identifikimit dhe dokumentet e atij procesi janë dërguar në teknikën kriminalistike të SPB-së krahinore. Dhe atë që mund t’ju them është se unë këta emra i gjeta këtu dhe askund tjetër. Nuk e di pse më pyesni për këtë, derisa unë nuk di asgjë për të! Të gjitha këto dokumente i shoh për herë të parë këtu, sepse ne i kemi bërë autopsitë, ndërsa procesi i identifikimit ka qenë tjetërkund dhe në ndërtesë tjetër. Është dashur që të m’i sjellin më vonë emrat e verifikuar që t’i regjistrojmë në protokollet tona. Këto unë asnjëherë nuk i kam marrë. E vërteta ime që e kam deklaruar është se ne i kemi gjetur tre veta që nuk janë bërë synet! Mendoj se konfuzioni lidhur me këta tre individë është krijuar për shkak të emrave dhe të mbiemrave të tyre…”.[312] Në dëshminë e tij, Slaviša Dobričanin-i nuk tregoi se për cilën arsye emrat ose mbiemrat e këtyre tre vëllezërve mund të kishin krijuar konfuzion. Sidomos nuk shihet se çfarë asociacioni kanë mund të krijojnë emrat e Jashar Salihut, Rifat Salihut, dhe Shukri Salihut me emra instruktorësh amerikanë, anglezë ose mercenarë jomyslimanë!!!! Po sjell në tërësi listën e civilëve dhe të ushtarëve të UÇK-së, të vrarëve në Reçak, më 15 janar 1999, që lexuesi të shohë se asnjëri nga emrat e as nga mbiemrat e tyre nuk mund të krijojë konfuzion me “emra ose me mbiemra amerikanë, anglezë ose mercenarë jomyslimanë!” Lista e civilëve të vrarë më 15 janar 1999, në fshatin Reçak
| Nr | Emri | Emri i babës | Mbiemri | vendlindja | datëlindja | Data e vdekjes | mosha |
| 1 | Halim | Rizah | Beqiri, | Reçak | (24.07.1985) | 15.01.1999 | (14.vj.) |
| 2 | Hasan | Rizah | Beqiri | Reçak | (13.11.1983) | 15.01.1999 | (16.vj.) |
| 3 | Shukri | Halim | Salihu | Reçak | (06.02.1982) | 15.01.1999 | ( 17.vj.) |
| 4 | Xheladin | Ahmet | Jakupi | Reçak | (05.04.1982) | 15.01.1999 | (17. vj.) |
| 5 | Bujar | Hanifi | Hajrizi | Reçak | (17.02.1979) | 15.01.1999 | (20.vj.) |
| 6 | Murtez | Ramiz | Imeri, | Reçak | (20.05.1979) | 15.01.1999 | (20. vj.) |
| 7 | Muhamet | Hafir | Mustafa | Reçak | (15.1.1978) | 15.01.1999 | (21. vj.) |
| 8 | Nexhat | Faik | Ramadani | Reçak | (10.02.1978) | 15.01.1999 | (21. vj.) |
| 9 | Raif | Milaim | Salihu | Reçak | (12.03.1978) | 15.01.1999 | (21.vj. ) |
| 10 | Zenel | Shefshet | Beqiri | Reçak | (22.09.1978) | 15.01.1999 | (21.vj.) |
| 11 | Hanumshahe | Bajram | Mehmeti | Reçak | (10.10. 1977) | 15.01.1999 | (22.vj.) |
| 12 | Bajrush | Nesret | Shabani | Reçak | (01.11.1976) | 15.01.1999 | (23.vj.) |
| 13 | Sali | Faik | Ramadani | Reçak | (26.04.1974) | 15.01.1999 | (25.vj.) |
| 14 | Jashar | Milaim | Salihu | Reçak | (08.09.1974) | 15.01.1999 | (25.vj.) |
| 15 | Mufail | Mehdi | Hajrizi | Reçak | (01.02.1969) | 15.01.1999 | (30.vj.) |
| 16 | Mustafe | Beqe | Asllani | Rancë | (01.01.1968) | 15.01.1999 | (31.vj.) |
| 17 | Skender | Sylejman | Halili | Reçak | (17.12.1968) | 15.01.1999 | (31.vj.) |
| 18 | Hakip | Imer | Imeri | Reçak | (01.01.1966) | 15.01.1999 | (33.vj.) |
| 19 | Bajram | Haki | Xheladini | Reçak | (24.02.1964) | 15.01.1999 | (35.vj.) |
| 20 | Ragip | Jahir | Bajrami | Reçak | (18.11.1964) | 15.01.1999 | (35.vj.) |
| 21 | Sheremet | Shyqeri | Syla | Reçak | (05.11.1962) | 15.01.1999 | (37.vj.) |
| 22 | Fatmir | Faik | Ramadani | Reçak | (27.05.1961) | 15.01.1999 | (38.vj.) |
| 23 | Ajet | Minush | Brahimi | Reçak | (03.02.1959) | 15.01.1999 | (40.vj.) |
| 24 | Lutfi | Hasan | Bilalli | Reçak | (15.07.1957) | 15.01.1999 | (42.vj.) |
| 25 | Muhamet | Faik | Ismajli | Reçak | (14.04.1955) | 15.01.1999 | (44.vj.) |
| 26 | Mehmet | Qerim | Jakupi | Reçak | (17.08.1955) | 15.01.1999 | (44.vj.) |
| 27 | Njazi | Sherif | Zymeri | Reçak | (01.01.1954) | 15.01.1999 | (45.vj.) |
| 28 | Sadik | Xheme | Osmani | Reçak | (21.05.1954) | 15.01.1999 | (45.vj.) |
| 29 | Haqif | Shefki | Hysenaj | Petrovë | (10.07.1949) | 15.01.1999 | (50.vj.) |
| 30 | Rizah | Maliq | Beqiri | Reçak | (10.05.1946) | 15.01.1999 | (53.vj.) |
| 31 | Arif | Murat | Metushi | Reçak | (25.09.1946) | 15.01.1999 | (53.vj.) |
| 32 | Eshref | Halim | Jakupi | Reçak | (11.03.1945) | 15.01.1999 | (54.vj.) |
| 33 | Bajram | Sokol | Mehmeti | Reçak | (26.08.1945) | 15.01.1999 | (54.vj.) |
| 34 | Ahmet | Izet | Jakupi | Reçak | (28.02.1942) | 15.01.1999 | (57.vj.) |
| 35 | Sabri | Murat | Syla | Reçak | (16.06.1939) | 15.01.1999 | (60.vj.) |
| 36 | Shyqeri | Isamajl | Syla | Reçak | (01.01.1938) | 15.01.1999 | (61.vj.) |
| 37 | Hajriz | Brahim | Brahimi | Reçak | (15.04.1937) | 15.01.1999 | (62.vj.) |
| 38 | Haki | Murat | Metushi | Reçak | (10.10.1937) | 15.01.1999 | (62.vj.) |
| 39 | Banush | Azem | Kabmeri | Reçak | (09.04.1936) | 15.01.1999 | (63.vj.) |
| 40 | Ahmet | Zenun | Mustafa | Reçak | (01.01.1933) | 15.01.1999 | (66.vj.) |
| 41 | Nazmi | Nuhë | Imeri | Reçak | (13.06.1917) | 15.01.1999 | (82.vj.) |
| 42 | Sahide | Hysen | Metushi (Zeqiri) | Shtimje | 06.07.1938 | 15.01.1999 | (61 vj. ) |
| E masakruar dhe e zhdukur nga 15.01.1999, ende vazhdon të jetë e zhdukur…. (26.09.2013) | |||||||
Lista e ushtarëve të UÇK-së të vrarë më 15.01.1999
| 1 | Ismail | Adem | Luma | Kraishtë – Lipjan | 05.03.1975 | 15.01.1999 |
| 2 | SKender | Nezir | Qarri | Greiçec – Shtime | 24.05.1975 | 15.01.1999 |
| 3 | Nazim | Tahir | Kokollari | Prizren | 22.03.1974 | 15.01.1999 |
| 4 | Enver | Hyzer | Rashiti | Reçak – Shtime | 10.07.1999 | 15.01.1999 |
| 5 | Ali | Ragip | Beqa | Pustenik – Hani i Elezit | 30.01.1999 | 15.01.1999 |
| 6 | Kadri | Shyqeri | Syla | Reçak – Shtime | 17.06.1967 | 15.01.1999 |
| 7 | Shaqir | Zejnush | Berisha | Reçak – Shtime | 08.11.1969 | 15.01.1999 |
| 8 | Sadik | Murat | Mujota | Mollapolc – Shtime | 20.02.1943 | 15.01.1999 |
| 9 | Mehmet | Zenun | Mustafa | Reçak – Shtime | 17.03.1938 | 15.01.1999 |
Dëshmitarët e ftuar nga mbrojtja e Slobodan Milošević-it nuk mundën ta “shpëtonin” as “marrëzinë e zhveshje-veshjeve të kufomave” e as “gënjeshtrën për zhvendosjen e të vrarëve për të krijuar përshtypjen e masakrës ndaj civilëve.” Megjithatë, për të mbajtur “gjallë” këtë marrëzi, Slobodan Milošević-i tentoi të manipulonte me disa fotografi të një personi të vrarë. Gjatë shumë seancave të procesit gjyqësor kundër tij, ai do të mbështetet në fotografitë e Eshref Jakupit, të vrarë më 15 janar. Unë do të kufizohem vetëm në disa seanca gjyqësore, sepse edhe sikur t’i citoja të gjitha seancat ku manipulohet me këto fotografi, kjo nuk do të ndryshonte asgjë në thelbin e problemit. Milošević-i përpiqet “të argumentojë” se kufomat janë zhvendosur! Kështu, në seancën e 15 prillit kur ishte duke dëshmuar gjenerali anglez, Drewienkiewicz-i,[313] Milošević-i iu drejtua me pyetjen se a i kishte “parë fotografitë e Walker-it pranë kufomave të shqiptarëve me ata plisa tipikë shqiptarë në kokë?”[314] Ai kërkoi të sqarohet se “si është e mundur që dikush të jetë i goditur me plumb në kokë dhe t’i mbetej plisi pa iu rrëzuar! Aq më tepër kur kjo kapelë i ngjanë majës së vezës. Kur njerëzit goditen në atë mënyrë ata dalin edhe nga këpucët e veta, ndërsa ky e ka ende plisin në kokë! Patologët e mjekësisë ligjore thonë se nga një goditje e tillë edhe sytë dalin nga vendi e jo më kapela nga koka! A e keni parasysh se ai grumbull kufomash atje ishte një montim i përgatitur për televizione?”[315] “Gjithsesi”, u përgjigj Drewienkiewicz-i. “Është njëra nga idetë që më ka shkuar ndër mend kur ngjitesha kodrinës. Kur i kam parë kufomat ashtu në grumbull kam ardhur te konkluzioni se ata nuk janë zhvendosur, por që janë vrarë në vendin ku ishin të shtrirë. Këtë mendim e kam edhe sot!”[316] Pa marrë parasysh përgjigjen e gjeneralit Drewienkiewicz-i, gjatë seancës së 30 majit Slobodan Milošević-i iu drejtua me të njëjtën pyetje edhe gjeneralit kanadez, Joseph Omer Michel Maisonneuve-it. “Ju e shihni se plisi shqiptar ka formën e majës së vezës. A mund ta paramendoni që dikush që është goditur në kokë, që rrëzohet dhe kapela e tillë t’i mbetet në kokë?”[317] “Supozoj se nëse goditet në kokë është e pabesueshme t’i mbetet kapuçi pa u rrëzuar.”[318], përgjigjet Maisonneuve-i. I kënaqur me përgjigjet e tipit të silogjizmave aristoteliane, Milošević-i ua shtroi të njëjtën pyetje edhe shumë dëshmitarëve të tjerë. Me një veprim të tillë ai synonte të manipulonte opinionin publik, sidomos opinionin publik në Serbi dhe në Kosovë, ku gjykimi transmetohej drejtpërsëdrejti nëpërmjet disa kanaleve televizive. Për këtë problematikë po sjell vetëm edhe një dëshmi. Atë të Slaviša Dobričanin-it. Në dëshminë e shefit të ekipit mjekoligjor serb të datës 8 prillit 2005 Milošević-i i kërkoi “që në cilësinë e “ekspertit me eksperiencë të madhe në hulumtimet e forenzikës, të tregonte se a ishte e mundur që njeriut të rrëzuar nga goditja e plumbit në kokë t’i mbetej plisi?” “Asnjëherë!” u përgjigj ai. “As edhe në një rast të vetëm gjatë karrierës sime nuk më ka ndodhur të shoh që njeriu të rrëzohet i goditur nga plumbi, ose nga vetura, nga guri, nga çekiçi e kështu me radhë, e raste të tilla ka pasur shumë në Kosovë, dhe t’i ketë mbetur kapela e këtij lloji në kokë. Kapela patjetër që i është rrëzuar nga koka, afër ose larg trupit kjo është varur nga energjia kinetike që ka vepruar në të. Këtij njeriu të goditur me plumb në kokë, e që shihet qartë nga fotografia, nuk do të kishte mundur t’i mbetej plisi në kokë! Dhe pa marrë parasysh llojin e lëndimit, kapela nuk mund të qëndrojë në kokë. Kjo është një kapelë specifike në formë të rrumbullakët, që nuk futet thellë deri te veshët por qëndron në maje të kokës dhe kjo është edhe një arsye më tepër…”.[319] Debate të panumërta u bënë rreth asaj se a mund të qëndrojë në kokën e goditur nga plumbi, plisi në “formë të vezës”! Për ata që përpiqen të gjejnë gabime, të meta ose kundërthënie, atje ku nuk ka, shqiptarët e kanë një shprehje popullore: “Lyp qime në vezë!” Eshref Jakupi pa plis! Eshref Jakupi me plis! Për të forcuar përshtypjen se dikush i ka zhvendosur kufomat, Slobodan Milošević-i solli dy fotografi të personit të njëjtë. Në njërën fotografi, viktima shihet pa plis ndërsa në fotografinë tjetër, po i njëjti person, në të njëjtin vend, shihet me plisin e bardhë në kokë. Për secilin që i sheh këto dy fotografi dhe nuk e di se cila është bërë më parë, del qartë se këtij personi dikush ose ia ka hequr plisin nga koka ose ia ka vënë në kokë. Sipas logjikës së Milošević-i dhe ithtarëve të tij, nëse dikush ia ka hequr ose ia ka vendosur plisin mbi kokë, atëherë kjo dëshmon se personi nuk është vrarë në atë vend por është vrarë në një vend tjetër. Sipas qëndrimit zyrtar të Beogradit, që e përsëriti Milošević-i disa herë, ky person është vrarë “duke luftuar” dhe për të krijuar “spektaklin televiziv”, ai është “hedhur në një grumbull kufomash të tjera në përrua”. Atëherë, kush e bëri një gjë të tillë? “Ushtarët e UÇK-së, me udhëzime të William Walker-it për të krijuar përshtypjen e masakrës?” Apo dikush tjetër? Këtë aspekt do ta sqarojmë më poshtë, sepse është e ndërlidhur me shtyllën kryesore ku është mbështetur manipulimi serb për gjoja inskenimin e “Masakrës së Reçakut”. Për arsye që të mos e shkëpus nga ai kontekst “çështjen e plisit”, kërkoj nga lexuesi të ketë durim dhe mirëkuptim. Nga ajo që u trajtua më lartë lexuesi mundi të shohë se dëshmitarët[320] e ftuar nga Slobodan Milošević-i në Tribunalin e Hagës nuk sollën provat që ai i priste. Përkundrazi. Ballafaqimi në gjyq i këtyre dëshmitarëve nxori në shesh se: – 40 shqiptarët, ndaj të cilëve u bë autopsia, ishin vrarë në teshat që i kishin të veshura ditën e vrasjes dhe se ideja për zhveshjen e viktimave nga uniformat ushtarake të UÇK-së dhe veshja me tesha civile ishte një marrëzi e shpikur nga qarqet politike të regjimit të Milošević-it në Beograd; – hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh, dëshmuan se viktimat ishin vrarë në këtë vend dhe se nuk kishte pasur zhvendosje të kufomave; – kufomat nuk ishin gjymtuar “post mortem” për të krijuar përshtypjen e masakrës, plagët ishin shkaktuar për së gjalli. Pos pretendimit neveritës se në gjashtë raste qentë ua kishin masakruar trupat!; – rezultatet e testit me “dorashka të parafinës” të bëra nga “ekspertët serbë”, që duhej të dëshmonin për pohimet publike se 37 nga 40 viktimat kishin përdorur armë zjarri, dhe rrjedhimisht ishin vrarë duke luftuar, as nuk u publikuan nga autoritetet serbe, as nuk iu dhanë ekipit finlandez të mjekësisë ligjore e as nuk u integruan në raportin përfundimtar të ekipit serb të mjekësisë ligjore, sepse “kishin qenë të mbingarkuar me punë dhe nuk kishin pasur kohë!”; – përkundër asaj se “ekspertët serbë” i kishin marrë shenjat e gishtërinjve të 40 kufomave që pretendohej se ishin vrarë gjatë luftimeve dhe i posedonin 40 armët, që gjoja i kishin përdorur viktimat, nuk ishte bërë asnjë analizë për të përcaktuar se kush nga viktimat cilën armë e kishte përdorur. Dikujt, si dr. Slaviša Dobričanin-it mund t’i duket “gabim pse nuk janë bërë analiza të tilla!”[321] Dikujt, si gjeneralit anglez Drewienkiewicz-i, mund t’i shkojë mendja se armët janë nxjerrë nga bodrumet e policisë serbe për të thënë se “Ja! I vramë se ishin terroristë dhe si dëshmi ja ku i kemi armët.”[322] Vetëm ata që ishin të implikuar në inskenimin e këtyre 40 armëve, në funksion të manipulimit mediatik, e dinin saktësisht se ku i kishin marrë ato armë dhe prandaj nuk e panë të arsyeshme t’i bënin analizat. Sikur t’u shkonte mendja se një ditë do të shtrëngoheshin të jepnin sqarime për një gjë të tillë, ata “si ekspertë” të dëshmuar në të kaluarën, do ta “zbulonin” se cila armë nga cili person ishte përdorur. Në rastin e tillë, nuk përjashtohet hipoteza që mitralozi Browning M2 t’i atribuohej 14-vjeçarit, Halim Beqirit. Fakti se mitralozi i tipit Browning M2, me aksesorët e nevojshëm për përdorim, peshon 72.6 kg nuk do të thotë asgjë! Sepse, siç deklaron dr. Slaviša Dobričanin-i, “për shqiptarët mosha nuk do të thotë asgjë.”[323] Pesha edhe më hiç! – Pohimi se “në shtëpinë ku ishte Shtabi i UÇK-së u gjet lista prej 126 terroristëve që ishin në Reçak” dhe fakti se “nuk ishte bërë asnjë punë për të krahasuar emrat e 40 kufomave, të cilave iu bë autopsia dhe të gjitha procedurat e identifikimit për të parë se a përputheshin me emrat e që figuronin në atë listë”, nxori në shesh montimin e listës, që Danica Marinković-i e lexoi para gazetarëve më 17 janar 1999. – Pohimi se “në mesin e 126 emrave të terroristëve nga lista e zënë ishin edhe katër persona me mbiemra amerikanë ose anglezë, instruktorë ose specialistë të huaj!” dhe mbështetja e një pohimi të tillë në “provat” të ekspertëve të mjekësisë ligjore serbe se 3-4 veta ishin të pabërë synet, ishte neveritëse. – Me gjithë demaskimin e plotë të propagandës për prezencën e “instruktorëve anglezë ose amerikanë”, në mesin e ushtarëve të UÇK-së në Reçak, “ekspertët” serbë dëshirojnë të mbajnë gjallë marrëzinë e shpikur në qarqet politike të regjimit të Milošević-it. Dobricanin-i, katër vjet pas ballafaqimit në Hagë, kur u detyrua të thoshte se nuk ishte në kompetencat e tij të bënte identifikimin dhe kundërthëniet evidente në lista, nuk kishin të bënin me të, po i njëjti “ekspert”, në dhjetëvjetorin e “Masakrës së Reçakut” deklaroi se “ne asnjëherë nuk mundëm ta merrnim vesh se kush ishin personat e pabërë synet dhe është interesante që edhe në Tribunalin e Hagës askush nuk insistoi e as që i interesoi dikujt kjo çështje!”[324] Por, për çudi edhe pas dhjetë vjetësh nga kjo tragjedi, Dobricanin-it mendja i rri te “të pabërët synet”! Insistimi aq i shpeshtë te çështja e personave të pabërë synet ka qëllim që “komplotin kundër Jugosllavisë” t’ua veshë “imperialistëve anglo amerikan”. – Deklaratat e ekspertëve serbë se “në dy raste janë gjetur mbetje të barotit të padjegur, që dëshmon se sipas të gjitha gjasave janë vrarë nga distanca përafërsisht një metër e gjysmë deri në dy metra, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë vrarë nga largësia, dy metra e më shumë”[325], nuk ishte distanca prej më shumë se 500m largësi që priste Milošević-i. – Dhe në fund, pohimi i dr. Slaviša Dobričanin-it se dosjet, që i takonin gjykatëses hetuese, Danica Marinković-it, u zhdukën përgjithmonë nga bombardimi i NATO-s, që iu bë ndërtesës së SPB-së krahinore në vitin 1999, sepse dikujt i “ngutej që t’i zhdukte sa më parë”[326] provat e “fajësisë” së shqiptarëve dhe deklarata e Danica Marinković-it, se “dokumentacionin komplet të lëndës Kri 14/99 ia ka dorëzuar prokurorit publik të Qarkut të Prishtinës, më 1 mars 1999”[327], nxorën në shesh faktin se marrëzinë e shpikur në Beograd nuk mund ta maskonin gënjeshtrat e “ekspertëve serbë”. Për këtë arsye, i vetmi burim manipulimi mbetën shkrimet e gazetarëve.
- 4. MANIPULIM MEDIATIK APO MEDIATIZIM I NJË MANIPULIMI?
I bindur se marrëzia e sajuar në Beograd për të fshehur gjurmët e “Masakrës së Reçakut” ende ishte në fuqi, Milošević-i disa herë gjatë procesit të tij gjyqësor përsëriti se gjoja “sipas gazetarëve të huaj, në Reçak nuk ka pasur civilë të vrarë, por, terroristë të UÇK-së; se gazetari i Associated Press-it kishte deklaruar për shtyp se aksioni i forcave serbe ishte i pastër si kristali!”[328]; se “gazetari i ‘Le Figaro-s’, nga vendi i ngjarjes, kishte shprehur habi se si William Walker-i deklaroi diçka të ngjashme”[329] e kështu me radhë. Në seancën e 12 qershorit 2002 Milošević-i kërkoi drejtpërsëdrejti nga Walker-i ta komentonte deklaratën e gazetarëve të Associated Press-it![330] Kur u kërkuan sqarime se “kush ishin gazetarët e Associated Press-it, Milošević-i u përgjigj se “këtë informatë e kishte nxjerrë nga referimet që u bëjnë gazetarët francezë gazetarëve të Associated Press-it”.[331] Në të gjitha veprat, artikujt dhe në emisionet televizive ku trajtohet “Rasti i Reçakut” përmenden emrat e gazetarëve francezë të “Figaro-s” dhe të “Le Monde-it”[332], që u referohen gazetarëve të Associated Presse-it; përmendet Jürgen Elsässer-i dhe Portali “Konkret”, që bazohen në atë që kanë shkruar gazetarët francezë të mbështetur në atë që u paskan thënë gazetarët e Associated Presse-it; përmendet “Berliner Zeitung-u” dhe Bo Adam-i, që burim ka gazetarët e lartpërmendur francezë; përmendet gazeta “Times” për të njëjtat arsye… Vetëm gazetarët e Associated Presse-it, që më së shumti citohen si gazetarë, mbetën anonim! Pse? A thua fakti se gazetarë që informuan Renaud Girard-in ishin dy serbë, që i takoi në Media Center,[333] ndikuan që në asnjë rast të mos përmenden burimet e vërteta të informatave? Ndoshta përkatësia kombëtare e gazetarëve ka ngjallur frikën se mund t’ua humbte shkallën e besueshmërisë informatave, që eventualisht mund të shpërndaheshin duke përmendur emrat e tyre? Për “fitoren e madhe serbe në Reçak, ku nuk ishin vrarë 15 por 40 ose 50 persona, Renaud Girard-in e informuan gazetarët serbë të Media Press Center-it. Ata ishin njerëz të besueshëm, thotë Renaud Girard-i në intervistën me gazetarin belg Michel Collon-in. Ndoshta jo plotësisht të besueshëm, në kuptimin se nuk informonin për çdo gjë, sidomos nuk informonin për masakrimin e shqiptarëve nga ana e serbëve, por ajo që thonë ata është e besueshme.”[334] Sado e pabesueshme të duket, vetë autori që shpërndau dyshimet mbi vërtetësinë e masakrës së civilëve në fshatin Reçak, Renaud Girard-i, pohon se është mbështetur në burimet e gazetarëve të “besueshëm” serbë, që “nuk janë plotësisht të besueshëm” kur bëhet fjalë për informatat që lidhen me masakrimin e shqiptarëve nga ana serbëve! E megjithatë, informatat që i mori prej tyre i shpërndau pa asnjë dozë rezerve! Është interesant të theksohet se jo vetëm që u heshtën emrat e gazetarëve të Associated Press-it, që gjoja i kishte ftuar policia serbe të përcillnin operacionin ditën e premte të 15 janarit 1999, por as u ftuan të dëshmonin në mbrojtje të Milošević-it! Nga dëshmitarët e shumtë që kishte ftuar mbrojtja e Milošević-it nuk figuronin ata që gjoja “kishin parë se në Reçak nuk ka pasur civilë të ekzekutuar dhe se aksioni policor kishte qenë i pastër si kristali!” Në fillim të kapitullit, lexuesi pati mundësi të shihte manipulimin lidhur me gazetarët e “Libération-it” francez. Nuk përmendej as emri i gazetarit, as titulli i shkrimit dhe as data e publikimit. Me këtë mënyre të fshehjes së burimeve të referencave, instrumentet e regjimit të Milošević-it tentonin të manipulonin opinionin publik, sidomos opinionin e brendshëm serb, që nuk kishte pasur mundësi t’i lexonte shkrimet e publikuara në këtë gazetë. Pjesët që solla nga shkrimet e gazetës “Libération” i japin mundësi lexuesit të bindet me të kundërtën e asaj që propagandonte regjimi serb dhe ata që ishin vënë në shërbim të këtij regjimi. E njëjta gjë ndodhi edhe me arsyet e mbajtjes në anonimitet të emrave të gazetarëve që shërbyen si burim i dezinformatave lidhur me “Masakrën e Reçakut” dhe të cilat ia atribuuan gazetarëve të Associated Press-it. Në tri ditët që pasuan “Masakrën e Reçakut” gazetarja e Associated Press-it, Melissa Eddy, bëri tri shkrime lidhur me këtë ngjarje. Po sjellim për lexuesin pjesë nga tri shkrimet e kësaj gazetareje dhe referencat ku lexuesi mund të bindet se tërësia e shkrimeve të korrespondentes së këtij gjiganti informativ nxjerr në shesh dhunën dhe terrorin që kanë përjetuar fshatarët e këtij fshati të Kosovës. Në shkrimin e 16 janarit 1999, të titulluar “Gjurmët e kufomave tregojnë historinë e Kosovës”[335], gazetarja e Associated Press-it njoftonte se “një person i moshuar,[336] me kokë të prerë, ishte i shtrirë në oborrin e vet, pranë plemes. Në rrugicën me kthesa drejtë kodrinës – trupa të gjymtuar. Një 18-vjeçare e qëlluar në shpinë. Të shtunën në mëngjes, në këtë fshat të Kosovës me 1400 banorë, në çdo hap zbulohej tmerri i ndërhyrjes së policisë serbe i një dite më parë: shtëpi të djegura, dritare të thyera, jetë të shkatërruara… Rahimi na tregoi me shenjë 15 trupat e hedhur në një përroskë. Në mesin e tyre ishin edhe babai dhe vëllai i tij. Edhe 8 trupa të tjerë ishin gjymtuar dhe shpërndarë përgjatë asaj përroske. Të shtangur nga vdekja, me krahë të shtrirë dhe me fytyrat të trishtuara nga frika. Disa me plagë plumbash të përskuqura në formë unazash dhe të zverdhura përreth qafës. Të tjerët kishin plagë edhe më të tmerrshme në kokë: sy të përgjakur, ballë të thyer. Pranë kufomave shiheshin çelësa, kuleta të zbrazëta, një pako e shtypur cigaresh, sikur të ishin shqyer nga xhepat e tyre. Një fshatar, që po i kontrollonte trupat e viktimave, një plakut të vrarë ia vendosi plisin e bardhë tradicional, që i kishte rënë nga koka. Nga fshati me poshtë, lemerisja e grave jehonte lugut; nënat, motrat dhe gratë sapo kishin marrë lajmin për humbjen e më të dashurve të tyre. Imer Emini, 20-vjeçar, u tregoi gazetarëve se si policia serbe i mblodhi përafërsisht 30 persona, shumica meshkuj, dhe i urdhëroi të mbështeteshin për muri. Të tmerruar nga kaosi, që kishin shkaktuar zjarri i armëve dhe i granatimeve, disa nga fshatarët filluan të vraponin dhe policia hapi zjarr, tregonte Imeri. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, në fshatin Reçak policia serbe vrau 45 persona, në mesin e të cilëve 3 femra dhe një fëmijë.”[337] Të nesërmen, më 17 janar, në shkrimin e titulluar “Forcat serbe hapën zjarr në një fshat të Kosovës”,[338] Melissa Eddy informoi se “të dielën, herët në mëngjes, trupat e 40 viktimave të mbuluara me çarçafë plastike u sollën në xhaminë e fshatit. Edhe pse ndër të vdekurit kishte 3 femra, një djalë 12 vjeç dhe burra të moshuar, të gjithë të veshur me tesha civile, presidenti serb, Milan Milutinović-i, e përsëriti deklaratën e policisë lidhur me këtë rast e sipas së cilës të vrarët gjatë luftime kishin qenë rebelë!” Autorja e shkrimit thekson se “shumica ishin qëlluar nga afër, ndërsa disa nga trupat ishin të masakruar dhe me sy të nxjerrë. Një burrë me kokë të prerë[339] kishte mbetur i shtrirë në oborrin e tij. Milutinović-i e akuzoi kryesuesin e Misionit Ndërkombëtarë të Monitorimit, amerikanin William Walker-in për ‘vlerësime personale, të pavërteta dhe të pabaza’. Ndërsa, Walker-i i akuzoi forcat e qeverisë për një masakër, që ai e quajti ‘krim kundër njerëzimit’. Të shtunën në mëngjes, një ditë pasi që policia ua ndaloi qëndrimin në atë vend, monitoruesit ndërkombëtarë dhe gazetarët e gjetën këtë kasaphane në Raçak, 15 milje në jug të kryeqytetit, Prishtinë.”[340] Ndërsa në shkrimin e 18 janarit “Forcat serbe sulmojnë fshatin shqiptar”[341], kjo korrespondente e Associated Press-it sjell reagimet ndërkombëtare për këtë masakër. “Në një mbledhje urgjente të OSBE-së, që u mbajt në Vjenë të Austrisë, ambasadori amerikan, David Johnson-i, shprehu zemërimin e vet jo vetëm për shkak të masakrimit të shqiptarëve etnik, por ai deklaroi se ishte i irrituar nga ‘përpjekjet skandaloze të autoriteteve jugosllave, që ta paraqitnin masakrën e kryer me gjakftohtësi dhe me gjymtimin e civilëve, si një operacion ushtarak kundër terrorizmit!’” Në këtë shkrim Melissa Eddy solli informatat se “në Washington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, James Rubin-i, e dënoi masakrën e Raçakut dhe e quajti hapin e Serbisë ‘provokim’. Edhe ish-kandidati për president të SHBA-ve, Bob Dole-i, shprehu zhgënjimin e tij. Në emisionin e ‘ABC – Good Morning America’ Dole-i deklaroi se është koha kur SHBA-të, OKB-ja dhe NATO-ja të mos vazhdojnë vetëm duke shprehur shqetësime të mëdha, por të bëjnë diçka tjetër para se Miloshević-i të vrasë edhe më shume njerëz të pafajshëm… Shpresoj që do të ketë sulme ajrore nga NATO-ja, deklaroi në fund të emisionit Bob Dole-i.”[342]
***
T’i kthehemi shkurtimisht përpjekjes së Milošević-it për të manipuluar me fotografitë e Eshref Jakupit, të vrarë nga forcat serbe. Në pjesën e sipërme, kur trajtova këtë çështje, nuk desha të sillja për lexuesin dëshmitarë shqiptarë që vërtetonin se në shenjë respekti për të vrarët dikush ia kishte vënë plisin mbi kokë. Një gjë e tillë do të mund të perceptohej si “argument kulturalist”, për një çështje ku kërkohej “dëshmitarë okularë neutral”(!), sepse këtu kishim të bënim me vrasje, sado që vrasjet e kësaj natyre ishin si rezultat edhe i kulturës së jotolerancës ndaj të tjerëve, që u ishte ngulitur në kokë nga regjimi diktatorial i Beogradit! Gazetarja e Associated Press-it, që aq shumë u përmend nga regjimi i Beogradit dhe marionetat e tij, por që mbeti anonim në citimet e tyre, të nesërmen e “Maskarës së Reçakut” dëshmoi në shkrimin e vet se “një fshatar që po i kontrollonte trupat e viktimave, një plakut të vrarë ia vendosi plisin e bardhë tradicional që i kishte rënë nga koka.”[343] A thua vetëm për këtë arsye gazetares së Associated Press-it, Melissa Eddy-t nuk iu përmend emri asnjëherë? Lexuesi e kupton se nuk është vetëm kjo arsye. Të tri shkrimet e kësaj gazetareje dëshmojnë të kundërtën e asaj që propagandonte regjimi i Beogradit dhe instrumentet e tij. Shpresoj se për lexuesin është e qartë pse fshihej emri i gazetares së Associated Press-it dhe arsyet pse në mesin e dëshmitarëve, që kishte ftuar mbrojtja e Milošević-it, nuk figuronte Melissa Eddy. Mbrojtjes së Milošević-it i duheshin gazetarë që do të “dëshmonin” se në Reçak “nuk kishte pasur masakër”, se “ekzekutimi i civilëve kishte qenë gënjeshtër” e kështu me radhë. Pikërisht për këto arsye, gazetares së Associated Press-it, Melissa Eddy-t, nuk iu përmend as emri, ndërsa, për të dëshmuar u ftua gazetari i “Berliner Zeitung”, Bo Adam-i, që kishte vizituar Reçakun 14 muaj pas ngjarjes!
***
Në fillim të dëshmisë së tij të 26 janarit 2005, gazetari i “Berliner Zeitung-ut”, Bo Adam-i, shpjegoi arsyet e udhëtimit të tij më 23 mars 2000 në fshatin Reçak të Kosovës. Motivi kryesor i tij ishte të verifikonte vërtetësinë e thënieve të presidentit Bill Clinton drejtuar popullit amerikan me rastin e sulmeve kundër regjimit të Milošević-it. Konkretisht dëshironte të hulumtonte në terren se a ishin të vërteta pohimet e presidentit Clinton se “në Reçak burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm u nxorën nga shtëpitë e tyre, u detyruan të gjunjëzoheshin në tokë dhe ndaj tyre u krisën breshëri plumbash, jo për atë që kishin bërë, por për shkak të përkatësisë së tyre.”[344] Pasi hulumtoi listën e personave të vrarë gjatë operacionit policor dhe ushtarak të 15 janarit 1999, ai erdhi deri te përfundimi se në këtë rast nuk bëhej fjalë për fëmijë në shumës, por vetëm për një djalë të vrarë, ndërsa numri i grave të vrara ishte dy![345] Ky “fakt e solli Bo Adam-in te konstatimi se Clinton-i kishte gënjyer!”[346] Sa i përket vrasjes së djalit që figuronte në listën e të vrarëve të Reaçakut, Bo Adam-i tregoi se ka qenë “edhe te shtëpia e tij, i ka shprehur ngushëllime[347] nënës së djaloshit, kanë dalë 10, 20 a 30 metra nga oborri i shtëpisë (nuk i kujtohet saktësisht!), ka shkuar te vendi ku është vrarë dhe aty i ka thënë dikush nga grupi i vogël i njerëzve që e shoqëronin[348] se djali është vrarë nga një kodër disa qindra metra larg (…). Nuk i kujtohet se kush i kishte thënë një gjë të tillë, sepse kjo për të nuk ka pasur rëndësi. E rëndësishme ishte se e vërtetoi se ky djalosh nuk ishte detyruar të gjunjëzohej në baltë dhe nuk është shtënë me rafalë kundër tij.”[349] Pra, Clinton-i kishte gënjyer! konkludoi Bo Adam-i për rastin e parë. Nuk e shoh të udhës të sjell dëshmitë rrëqethëse të publikuara nga gazetarët Pierre Hzan dhe Melissa Eddy për të dëshmuar të kundërtën e pohimeve të këtij gazetari që “hulumtoi” rastin 14 muaj më vonë! Edhe për rastin e dytë “dikush nga grupi, që e kishte shoqëruar, i kishte pohuar Bo Adam-it se gruaja është vrarë nga një kodër disa qindra metra larg dhe, sado tragjike të ketë qenë rasti, kjo flet se ajo nuk është ekzekutuar, nuk ka qenë e detyruar të gjunjëzohej në baltë dhe ndaj saj nuk është shtënë me rafalë plumbash. Pra, Clinton-i kishte gënjyer edhe kësaj radhe!”[350] Krahas informatave nga persona të paidentifikuar, të cilëve u referohet, Bo Adam-i kishte shkruar në shkrimet e veta se “një dëshmitar okular, edhe identiteti i tij nuk i kujtohet (!), i kishte thënë se babai i djaloshit ishte vrarë në pozicion të shtrirë, duke luftuar me pushkë në dorë dhe rrjedhimisht ai nuk ishte detyruar të gjunjëzohej në baltë e as që është shtënë me rafalë plumbash ndaj tij.”[351] Pra, Clinton-i kishte gënjyer! Pesë vjet pas shkrimeve të tij, në këtë seancë gjykimi, Bo Adam-i e hodhi poshtë këtë pjesë të shkrimit të vet. Ai deklaroi se “ishte vërtetuar që babai i djaloshit plumbat i kishte pasur në kraharor dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të jetë i shtrirë në pozicion luftarake në momentin e vrasjes”[352]. Pohimi i Bo Adam-it nxori në shesh se shkrimi i tij kishte shpërndarë një gënjeshtër! Pra, u vërtetua se dikush gënjente për vrasjen e babait të djaloshit! Kush është gënjeshtari? Persona të paidentifikuar, identiteti i të cilëve nuk i kujtohet (!) autorit të shkrimit, dikush tjetër apo vetë ai? Kush mund të qëndrojë prapa një gënjeshtre të tillë mbetet vetëm në nivelin e hipotezave. Ajo që është e qartë në këtë rast lidhet me faktin se gazetari Bo Adam-i, që kishte ardhur të dëshmonte se “masakra e Reçakut ishte gënjeshtër”, kishte shpërndarë një gënjeshtër në funksion të fshehjes së gjurmëve se në këtë fshat ishin vrarë civilë të pafajshëm. Në këtë seancë gjyqësore, Bo Adam-it, ia rikujtuan se në artikullin e tij të 24 marsit 2000 ai kishte shkruar se shoqëruesi u “tha që 25 meshkuj ishin fshehur në një stallë, në rrëzë të kodrës. Shumica e tyre kishin filluar të iknin tatëpjetës, por janë përballur me policinë dhe janë vrarë.”[353] Bo Adam-i pranoi se kishte cituar atë që i kishin thënë njerëzit. Por, theksoi se kjo nuk ishte shumë domethënëse dhe se kishte dallim shumë të madh midis asaj që kishte shkruar ai, se 25 meshkujt ishin vrarë duke ikur, dhe asaj që qëndronte në aktakuzë[354] kundër Milošević-it, se janë dërguar për t’u vrarë!”[355] Domethënëse për të janë ato që i kishin thënë “dëshmitarët okularë” të ngjarjes, që nuk i kujtohen se kush ishin! Po ia rikujtoj lexuesit se sipas dëshmisë së tij, përkthyes i Bo Adam-it kishte qenë një taksist shqiptar, i cili fliste pak anglisht dhe me të cilin kishin arritur të merreshin vesh disi![356] E vetmja gjë që mundi të vërtetohej me dëshminë e Bo Adam-it lidhej me prezencën e civilëve, dëshmitarë okularë të asaj çka ndodhi në fshatin Reçak! Kjo nuk i konvenonte Milošević-it dhe mbrojtjes së tij, sepse ata pritnin të dëgjonin gënjeshtrat e sajuara në qarqet politike të regjimit të Beogradit dhe të shpërndara nga Milovan Drecun-i dhe Tomislav Magoči, npërmjet Media Press Center-it.[357] Për këtë arsye, as Milošević-i e as mbrojta e tij nuk insistuan në më shumë pyetje dhe kjo seancë ishte shumë e shkurtër në krahasim me seancat e tjera. Bo Adam-i me kundërthëniet e veta dëshmoi vetëm një gjë: ai kishte shpërndarë gënjeshtra!
- 5. MANIPULIMI KRONIK I “MASAKRËS SË REÇAKUT”
Nëse u kthehemi edhe një herë dy shkrimeve të publikuara në shtypin francez në janar të vitit 1999, do të shohim se shkrimet: “A ishin vërtet të masakruar me gjakftohtësi të vdekurit e Rçakut?”[358] dhe “Re të zeza mbi një masakër”[359], nuk ishin asgjë tjetër pos parafrazim i tekstit të shpërndarë nga gazetarët e Radio Televizionit Shtetëror të Serbisë, Milovan Drecun-it dhe Tomislav Magoči-t. Megjithatë, intervenimi ushtarak i NATO-s kundër regjimit të Milošević-it, që mobilizoi të gjitha qarqet anti-NATO dhe antiamerikane, bëri që këto shkrime tepër margjinale në kohën e publikimit të shndërroheshin në referenca kryesore! Kështu, në shkrimin e titulluar “Masakra” serbe e Reçakut nuk ka ekzistuar”[360], autori Louis Magnin thekson se “preteksti që arsyetoi bombardimin e Jugosllavisë ishte një gënjeshtër e madhe.”[361] Për të ardhur deri te ky konkludim, autori mbështetet në artikujt e lartpërmendur dhe në veprën e Milovan Drecun-it: “Beteja e Dytë e Kosovës”. Dhjetë vjet pas “Masakrës së Reçakut” dhe ndriçimit të rastit se në këtë fshat u vranë 42 civilë shqiptarë, ndërsa një grua ende konsiderohet e zhdukur, ky autor përsërit tërësisht tezat e trilluara në Beograd se “në fshatin Reçak nuk kishte civilë; se aty ishte vendosur një brigadë e UÇK-së prej 126 ushtarësh, në mesin e të cilëve ishin katër instruktorë të huaj me emra anglo-saksonë; se ushtarët e vrarë u zhveshën nga teshat ushtarake dhe u veshën me tesha civile; se kufomat, me sugjerime të William Walkeri-it, u grumbulluan në një përrua dhe u vendosën në atë mënyrë që të krijohej përshtypja se ata nuk ishin vrarë gjatë luftimeve, por ishin ekzekutuar nga forcat serbe (…).”[362] Nëntë vjet pas demaskimit të përpjekjeve të regjimit të Milošević-it për të fshehur gjurmët e krimit në Reçak, historiani dhe gazetari francez, themeluesi dhe kryeredaktori i Portalit frankofon “Le Courrier des Balkans”, që afishon qëllimin e vet për të zhvilluar solidaritetin me gazetarët e Ballkanit, Jean-Arnauld Derens-i përsërit të njëjtat teza! Në veprën e tij “Kurthi i Kosovës”[363], Jean-Arnauld Derens-i “informon” lexuesin se “UÇK-ja provokoi forcat serbe, që iu kundërpërgjigjën me ashpërsi. Më 8 janar UÇK-ja në një pritë të përgatitur shumë mirë vrau tre policë. Dy policë të tjerë u vranë disa ditë më vonë. Policia serbe filloi një aksion ndëshkimin. Ajo evakuoi fshatarët nga Reçaku, ndërsa UÇK-ja mbeti e pranishme (…). Të premten, më 15 janar, ndodhën konfrontimet më të ashpra ndërmjet policisë dhe UÇK-së, që sipas gjasave mbështetej nga civilët shqiptarë. Forcat serbe vranë gati të gjithë mbrojtësit e Reçakut, gjithsejtë 51 persona, trupat e të cilëve u zhvendosën gjatë natës, sipas të gjitha gjasave nën udhëzimin e UÇK-së, me qëllim të përforcimit të karakterit makabër të vrasjes. Praktikisht të gjitha viktimat ishin burra të moshës madhore (…).”[364] Autori , që i përcakton vetes si qëllim që të informojë lexuesin se si të evitohen kurthet lidhur me çështjen e Kosovës, e bën të vetin interpretimin e sajuar nga regjimi politik i Milošević-it, që edhe ekspertët serbë e cilësojnë si marrëzi! Për më tepër, interpretimit zyrtar serb, Jean-Arnauld Derens-i, i shton gënjeshtra të reja, që, nëse nuk janë sajim i tij, duhet të tregojë se nga e ka marrë burimin! Ku e gjeti ky historian pohimin se “policia serbe evakuoi fshatarët nga Reçaku, ndërsa UÇK-ja mbeti e pranishme” dhe nëse kishte civilë në këtë fshat, atëherë “ata ishin mbështetës të UÇK-së” dhe se “gjatë konfrontimeve u vranë gati të gjithë mbrojtësit e Reçakut…”(?!). As kreu i regjimit të Slobodan Milošević-it, që përgatiti këtë krim, as forcat speciale të policisë serbe të komanduara nga Goran Radosavljević Guri, që ekzekutuan krimin, as gjykatësja hetuese, Danica Marinković-i dhe makineria propagandistike serbe, që u vu në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit, nuk thanë asnjëherë se “policia serbe evakuoi fshatarët nga Reçaku”! Po e përsëris! Nëse Jean-Arnauld Derens-i nuk e sqaron se nga e ka marrë këtë gënjeshtër të re që synon të sjellë “prova të reja” për të vërtetuar atë që Milošević-i e përsëriti disa herë se gjoja “aksioni në Reçak ishte i pastër si kristali”![365] atëherë ai është sajues i kësaj gënjeshtre! Flas për gënjeshtër të re sepse po i njëjti Jean-Arnauld Derens në veprën «100 dyert e konflikteve jugosllave»,[366] që është bashkautorë me Cathrine Samy-në, për të njëjtën çështje kishte shkruar se “kur policia dha urdhër që të sulmohet Reçaku, i cili në rrethana normale numëronte 2000 banorë, fshati ishte i zbrazur. Pothuajse nuk kishte as gra e as fëmijë. Kjo lë të nënkuptohet se UÇK-ja kishte dhënë urdhër të evakuohen nga Reçaku, sepse e priste një sulm të tillë si përgjigje ndaj provokimeve të ndryshme që kishte bërë ditë më parë.”[367] Nuk mund të thuhet se Jean-Arnauld Derens-i kishte harruar gënjeshtrën që kishte shpërndarë disa vite më parë. Përtej jokoherenca intelektuale që nxjerrin në shesh pohimet kontradiktore ku herë UÇK-ja e herë policia serbe gjoja kishin evakuuar popullsinë civile nga fshati Reçak, Jean-Arnauld Derens-i rreshtohet përkrah atyre që synojnë të fshehin faktin se forcat serbe kishin masakruar civilë shqiptarë. Nëntë vjet pas autopsisë së 40 kufomave dhe identifikimit se në mesin e tyre ishin dy gra dhe katër persona nën moshën 18-vjeçare[368], ndërsa gruaja e tretë, Sahide Metushi, ende konsiderohet e zhdukur, del një historian francez dhe deklaron se “praktikisht të gjitha viktimat ishin burra të moshës madhore”! Nuk mund të thuhet se Jean-Arnauld Derens-i, në cilësinë e gazetarit, që i ka vënë vetes për qëllim të zhvillojë solidaritetin me gazetarët e Ballkanit, nuk e ka lexuar shkrimin e gazetarit Pierre Hazan[369], në të cilën sillet dëshmia e vrasjes së fëmijës përpara syve të nënës! Apo ndoshta në këtë rast ai solidarizohet me ekspertin serb të mjekësisë ligjore, dr. Slaviša Dobričanin-in, që thotë se “shqiptarët 14-vjeçar tanimë janë të rinj të pjekur dhe se shumë prej tyre kanë mbajtur armë, ndërsa mosha nuk do të thotë asgjë.”[370] “Të gjithë janë burra të moshës madhore”, tenton të bindë lexuesin Jean-Arnauld Derens-i! Lexuesit i kujtohet se në ditën e ekspeditës për marrjen e kufomave në Reçak, gjykatësja hetuese serbe Danica Marinković-i, sapo hyri në xhami, ku ishin të shtrira kufomat, deklaroi para gazetarëve se “të gjithë qenkan burra, nuk paska gra, nuk paska fëmijë, nuk ka të masakruar, siç janë munduar ta paraqesin…”[371] Ndoshta Jean-Arnauld Derens-i nuk e ka ditur se Danica Marinković-i nuk është gazetare, por gjykatëse hetuese! Duke e parë para gazetarëve se pohon që të gjithë të vrarët janë burra dhe nga dëshira që të “solidarizohet me gazetarët e Ballkanit” ai shpërndanë marrëzinë e atyre që përpiqeshin ta fshihnin krimin në Reçak! “Të gjithë janë burra të moshës madhore”! “Nëse dikush kishte mbetur në Reçak, ai ishte mbrojtës i fshatit.” Madje, sipas kësaj logjike, edhe plaku 82 vjeç e gjysmë, Nazmi Nuhë Imeri, i lindur me 13 qershor 1917, ishte civil i vrarë në mbrojtje të Reçakut! “Për shqiptarët mosha nuk do të thotë asgjë!” Askush nuk mund ta mohojë se Nazmiu, është i moshës madhore! Sidoqoftë, secili që krahason qëndrimet e publikuara nga drejtuesi i Portalit frankofon “Le Courrier des Balkans” me ato të publikuara nga Milovan Dracun-i,[372] gazetari i çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë së Milošević-i, kundër të cilit Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, do të bindet se Jean-Arnauld Derens-i solidarizohet me te dhe gazetarët tjerë që u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse, të cilët nxitën kryerjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit në Kosovë. Nuk mund të thuhet se Jean-Arnauld Derens-i, në cilësinë e historianit, pas publikimeve të shumta të shefes së ekipit finlandez të mjekësisë ligjore, Helena Ranta-s se “hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh, kanë dëshmuar se viktimat ishin vrarë në atë vend dhe se kishin qenë civilë të paarmatosur” do të këmbëngulë në shpërndarjen e gënjeshtrës serbe për zhvendosjen e trupave të vrarë dhe se gjoja Helena Ranta “nuk sjell përgjigje të qarta dhe definitive për pyetjet e shumta që vazhdojnë të shtrohen.”[373] Nëse diçka ka të paqartë në konkludimet e Jean-Arnauld Derens-it, ajo lidhet me motivet e vërteta të tij që duke kërkuar nga lexuesi të evitojë kurthet lidhur me Kosovën, ai u ofron idetë e marrëzishme të sajuara në qarqet politike të regjimit të Milošević-it dhe rrjedhimisht të bien në kurthin e propagandës serbe! Katërmbëdhjetë vjet më vonë, gazetari hulumtues francez, Pierre Péan-i, në librin “Kosova- një luftë e ‘drejtë’ për një shtet mafioz”, i kushton një kapitull “Masakrës së Reçakut.”[374] Duke u mbështetur në dëshmitë e “reporterëve amerikanë, që ishin të pranishëm në fshat ditën e sulmit serb, në hulumtimet e ndryshme gazetareske, në mesin e të cilave atë të dërguarit special të ‘Le Monde-it’” – dhe konkluzionet e mjekëve ligjorë të dërguar në vendin e ngjarjes nga Bashkimi Evropian, ai citon Jean-Arnauld Derens-in “se UÇK-ja me gjasë kishte kurdisur një inskenim duke i zhvendosur trupat për t’i grumbulluar… dhe kështu ta bënte të besueshme se viktimat ishin ekzekutuar e jo të vrarë gjatë luftimeve.”[375] Sipas këtij autori, efektet e kësaj “masakre” ishin të menjëhershme: organizimi i Konferencës së Rambujesë, që duhej të përgatiste opinionin për intervenimin e NATO-s.[376] Në të njëjtën frymë, gjeografi francez Christian de Bongain-i, që në shkrimet e veta fshihet prapa emrit Xavier Raufer dhe profesionit të kriminologut, shkruan, se 12 vjet pas ngjarjes kemi të bëjmë me “një fushatë botërore të dezinformimit më të pabesueshëm në historinë e re!” Në shkrimin “Ballkani, kasaphana dhe mashtrimi”[377] ai shkruan se “në janar të vitit 1999, dyzet kufoma të njerëzve, të vrarë me plumb, të vendosura njëra mbi tjetrën, u zbuluan në fshatin Reçak të Kosovës. Stuhi e menjëhershme! “Masakra e Reçakut” u dha zjarr medieve botërore. Pos që askush nuk e di se a ishin viktimat civilë ose guerilë të UÇK-së të vrarë gjatë luftimeve anekënd Kosovës dhe të grumbulluara për nevojat e show-ut. Askush nuk e di (ligji i heshtjes imponon një gjë të tillë…) nëse viktimat janë nga Reçaku apo nga rajoni…[378] T’i kthehemi edhe një herë autorit Michel Collon-i, që u përmend edhe në fillim të këtij kapitulli. Ai ka publikuar tri vepra kushtuar “dezinformimit”[379] dhe lidhur me “Rastin e Reçakut” ai këmbëngul “se shumë janë nga ata që mendojnë se kufomat janë transportuar nga vendi i betejës, janë veshur si civilë, janë gjymtuar për t’i dhënë këtij rasti karakter mizorie, për ta mediatizuar në atë mënyrë që sulmet e parapara nga NATO-ja kundër Jugosllavisë të bëheshin ‘politikisht të pranueshme’. Mund të thuhet se po të mos ekzistonte ky krim, NATO-ja do ta kishte shpikur, sikurse ujku i fabulës, që sajoi krimin e qengjit!”[380] Të njëjtin qëndrim e përsërit edhe në veprën e vet “Monopoli[381]: NATO-ja dhe pushtimi i botës”.[382] Në të njëjtën mënyrë Regis Debray-ja, nëpërmjet shkrimit publik “Letër e një udhëtari presidentit të Republikës”[383] rikujton publikut qëndrimet e gjeneralit francez, Charles de Gaule-it, që denonconte “nënshtrimin ushtarak dhe politik të Evropës Perëndimore karshi SHBA-ve”. Fakti që gazetari belg shpreh mendime të tilla në një takim të organizuar nga Shoqata e Miqësisë Franko-Serbe në Lyon ose që Regis Debray-ja i shkruan letër presidentit të Francës pas kthimit nga vizita që i bëri edhe Serbisë, nuk do të thotë se “për hir” të kësaj “miqësie” ata i besojnë të “vërtetës serbe” për atë që ka ndodhur në Reçak. Shumë më shumë se “pro-serbizmi” i Michel Collon-it apo Regis Debray-së është “anti-amerikanizmi” dhe/ose “anti-imperializmi” i tyre që i bën njëlloj si edhe Christophe Châtelot-ja e Renaud Girard-i, Jürgen Elsässer-i e Christophe Chiclet-i, Domenico Lasurdo-ja e Serge Halimi, Frédéric Saillot-ja e Xavier Raufer-i, Jean-Arnault Dérens-i e Pierre Péan-i…[384] të rreshtohen përkrah propagandës zyrtare të regjimit të Milošević-it. Të konsiderohet regjimi i Milošević-it, i njohur botërisht si “kasap i Ballkanit”[385] si “i pafajshëm”, si “qengji” i fabulave të La Fontain-it, si “viktimë e ujkut amerikan”, nuk janë asgjë tjetër pos indikatorë të “antiamerikanizmit”. Përpos “antiamerikanizmit”, si këndvështrim ideologjik që dominon në disa qarqe në Evropën Perëndimore, nuk di se si mund të shpjegohet fakti që bashkëluftëtari i Che Guevara-s, Regis Debray-ja, gazetarët e “Le monde diplomatique-ut”, Serge Halimi e Jean-Arnault Dérens-i kanë të njëjtin qëndrim politik si Jean-Marie Le Pen-i, përfaqësuesi i ekstremit të djathtë të Frontit Nacional[386] dhe Xavier Rafer-i, këshilltari i disa partive politike të djathta! Pos luftës “kundër armikut të popujve: imperializmit amerikan dhe NATO-s”[387] nuk mund të kuptohet se si është e mundshme që gazetarët e së majtës gjermane, si Bo Adam-i[388] dhe Jürgen Elsässer-i, të rreshtohen në një linjë me udhëheqësin e neonazistëve gjermanë, Udo Voigt-in![389] Varshmëria ideologjike “antiamerikane” i bën këta autorë të orientimeve politike diametralisht të kundërta të “bashkohen” në qëndrimin kundër veprimeve të amerikanëve, qoftë edhe në rastet kur veprohet për të shpëtuar një popull nga katastrofa humanitare dhe nga politika e shfarosjes! Lexuesi ka pasur në dispozicion argumente të mjaftueshme për të krijuar idenë lidhur me vërtetësinë e “Masakrës së Reçakut”. Shpresoj se pas këtij kapitulli ai është në gjendje të gjykojë se a ishte “Rasti i Reçakut” inskenim i qarqeve të caktuara për të arsyetuar intervenimin ushtarak kundër regjimit të Milošević-it ose “Masakra e Reçakut” ishte vetëm një “insert i tragjedisë” që përjetonin shqiptarët në Kosovë.
- 6. PROTAGONISTËT E KRIMIT
Në pjesën e mësipërme solla pjesë të gjata të shkrimeve të gazetës franceze “Liberation” dhe të gazetares së Agjencisë Associated Press me anë të të cilave lexuesi ka mundur të kuptojë arsyet e vërteta pse nuk jepeshin detaje se kush ishin këta gazetarë, se në cilën datë u shkruan artikujt etj. Artikujt e “Liberation-it” dhe të Associated Press-it, që përmend komandanti i policisë serbe, Goran Radosavljević Guri, dëshmojnë sadopak për tmerret dhe për masakrat që u bënë nën komandën e tij. Por, në teknikat e manipulimit me opinionin publik është e njohur thënia e ministrit të Edukimit të Popullit dhe të Propagandës së regjimit nazist, Joseph Goebbels-i, se “sa më e madhe të jetë gënjeshtra aq më lehtë kalon! Sa më shpesh të përsëritet, aq më shumë i beson populli!” Jo vetëm Goran Radosavljević Guri, që ishte drejtpërsëdrejti i implikuar në këtë krim, por të gjithë ata që shpërndajnë interpretimin zyrtar të regjimit të Slobodan Milošević-it për “Rastin e Reçakut”, përsëritin vazhdimisht se në këtë fshat nuk ka pasur masakër! Thënia e Goebbels-it merr kuptimin e plotë në këtë praktikë. Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, për meritat që kishte në luftën kundër shqiptarëve në Kosovë, Goran Radosavljević Guri u emërua komandant i Qendrës Mësimore në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të policisë së Serbisë. Me gjithë avancimet në funksion, gjurmët e krimit e ndiqnin gjithkund. I pyetur nga gazetari i gazetës serbe “Blic”, se si është e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojša Pavković-it, Sreten Lukić-it dhe Vladimir Lazarević-it, që kanë përfunduar në Hagë, për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk është arrestuar, komandanti i aksionit policor në Reçak, Goran Radosavljević Guri, përgjigjet: “Lukić-i dhe Pavković-i janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se kush kë e ka vrarë! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukić-it dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga.”[390] Kur është fjala për përgjegjësitë komanduese në kryerjen e krimeve kundër shqiptarëve dhe “shpëtimi nga dënimi vetëm për shkak të funksionit”, po sjell për lexuesin vetëm një shembull: “Rastin e vëllezërve Bytyqi”. Krahas vazhdimit të krimeve të këtij gjenerali serb, ky rast do t’i mundësojë lexuesit të shohë mungesën e vullnetit të autoriteteve të Beogradit për të nxjerrë përpara drejtësisë kriminelët e luftës. Në përshkrimin e “Rastit të vëllezërve Bytyqi” do t’u referohem kryesisht burimeve zyrtare serbe. Aktakuza e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, Vendimi i Gjykatës së Lartë, Seksioni për Krime Lufte dhe Vendimi i Gjykatës së Apelit përmbajnë informata të mjaftueshme për të kuptuar se çka ka ndodhur në Qendrën Mësimore të Petrovo Selo-s, të komanduar nga Goran Radosavljević Guri. Në vijim po sjell për lexuesin pjesë nga këto vendime. Sipas të dhënave që përmenden edhe në Vendimin[391] e Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012 “çdo gjë filloi më 26.06.1999.”[392] Në këtë ditë qershori, tre vëllezër: Yll Bytyqi (1974), Agron Bytyqi (1976) dhe Mehmet Bytyqi (1978), shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, duke dashur t’u ndihmonin dy familjeve rome që udhëtonin për në Serbi i marrin në veturat e tyre dhe në vend që të ndaleshin në afërsi të kufirit, duke mos njohur vendin, kishin kaluar kufirin administrativ të Kosovës dhe kishin hyrë në territorin e Serbisë. Ndalohen nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë,[393] në një checkpoint në vendin Rudar. Dënohen nga Gjykata për Kundërvajtje e Kurshumlisë me nga 15 ditë burg për kalim ilegal të kufirit shtetëror. Më 27 qershor dërgohen në Burgun e Qarkut të Prokuples për të vuajtur dënimin. Për shkak të sjelljes së mirë gjatë vuajtjes së dënimit, pranohet kërkesa e tyre për lirim me kusht dhe parashihej të liroheshin para kohe, më 8 korrik. Megjithatë, për rastin e tyre u njoftuan instancat më të larta në Beograd e deri te ministri i policisë, Vlajko Stojiljković-i[394]. “Një ditë para se vëllezërit Bytyqi të liroheshin nga burgu, gjenerali Vlastimir Đorđević Rođa, shef i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, nëpërmjet telefonit kontaktoi me Qendrën Mësimore në Petrovo Selo. Në mungesë të komandanti Goran Radosavljević Guri në linjën telefonike u përgjigj Sreten Popović-i, zëvendëskomandant i kësaj qendre. Gjenerali Đorđević e urdhëroi të akuzuarin Popović-i që të angazhonte disa pjesëtarë të njësisë së vet, dhe së bashku me ta, të nesërmen të shkonin në Prokuple dhe sapo të dilnin nga burgu vëllezërit Bytyqi, të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në Qendrën e Petrovo Selo-s. Sipas të njëjtave udhëzime, vëllezërit Bytyqi duhej të mbaheshin në këtë qendër deri sa të vinin pjesëtarë të MPB-së të RS-së që t’i merrnin. Për këtë operacion ishin të informuar edhe shefi i seksionit policor të Prokuples edhe Drejtoria e Burgut të Qarkut të Prokuples. Të gjithë së bashku koordinuan aksionin dhe kjo dëshmon se kishim të bënim me një aksion të organizuar mirë”[395], theksohet në vendimin e lartpërmendur. Duke vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tyre, Sreten Popović-i, Miloš Stojanović-i, Aleksandar Nikolić-i, Dejan Stamenković-i dhe pjesëtarë të tjerë të MPB-së të RS-së arrestuan tre vëllezërit Bytyqi, i dërguan në Qendrën Mësimore në Petrovo Selo, i mbajtën të lidhur në një lokal me derë të hekurt dhe me 9 korrik ua dorëzuan personave të panjohur (!!!) të MPB të Serbisë. Këta pjesëtarë të policisë serbe, që në dosjen e vëllezërve Bytyqi përmenden si persona NN (të paidentifikuar!), “i lidhën me tel këta shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, i dërguan rreth 500 metra nga Qendra Mësimore, hapën zjarr nga armët e tyre dhe i goditën në pjesën e pasme të kokës.”[396] Me kërkesë të vazhdueshme të SHBA-ve, autoritetet e Beogradit urdhëruan hapjen e hetimeve. Kjo detyrë iu ngarkua Gjykatës së Qarkut në Negotin. Për të hedhur dritë në këtë krim u ngarkua ekipi i ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Nish-it[397], nën udhëheqjen e dr. Vujadin Otašević-it.[398] Kohë pas kohe, hetimet u monitoruan nga Tribunali Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY), nga Qendra Juridike Humanitare (HLC) dhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSCE). Në afërsi të Qendrës për trajnimin e njësive speciale të forcave policore serbe, që ishte nën komandën e Goran Radosavljević Guri-t, u zbuluan dy varreza masive.[399] Zhvarrosja nga varreza e parë, që hetuesit e emëruan “Petrovo Selo I”, përfundoi më 26 qershor 2001, kurse në varrezën e dytë, të emëruar “Petrovo Selo II”, hulumtimet përfunduan me 28 qershor 2001.[400] Të njëjtën ditë, më 28 qershor 2001, Qeveria e Serbisë e emëroi Goran Radosavljević Guri-n në detyrën e shefit të Xhandarmërisë së Republikës së Serbisë. Avancimi në funksionin e ri, që ishte si shpërblim për krimet e kryera kundër shqiptarëve, bëri që të heshtej përgjegjësia e komandantit të Qendrës Mësimore në Petrovo Selo për dy varrezat masive. Sipas ekspertizës së mjekësisë ligjore serbe për të dy varrezat masive në Petrovo Selo u konstatua se në 60 raste vdekja u shkaktua nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kanë vdekur nga trauma prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes është i panjohur.[401] Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar). Kjo ekspertizë dëshmoi se Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, Goran Radosavljević Guri e kishte shndërruar në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët. Zhvarrosja “hoqi dheun” me të cilin autoritetet politike, ushtarake dhe policore të Beogradit ishin përpjekur t’i mbulonin krimet. Një vendim të rëndësishëm në drejtim të ndriçimit të rasteve miratoi edhe Kuvendi i RFJ-së.[402] Më 11 prill 2002, ky kuvend miratoi Ligjin për bashkëpunim me Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë. Në ditën e miratimit të këtij ligji, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlajko Stojiljković-i, ndaj të cilit Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kishte ngritur padi[403] penale për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrau veten me plumb në kokë! Vetëvrasjen e bëri publikisht para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së, në orën 19:10.[404] Sado shpresëdhënës që ishte ky vendim, praktika dëshmoi se realizimi konkret i tij hasi në pengesa të mëdha, që janë të lidhura me logjikën e moçme të “fshehjes së krimit në rrugë institucionale.” Pesë vjet pas zbulimit të kufomave të vëllezërve Bytyqi, më 23 gusht 2006, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktpadi penale kundër zëvendëskomandantit të Qendrës Mësimore të Petrovo Selo-s, Sreten Popović-it dhe pjesëtarit tjetër të policisë serbe, Miloš Stojanović-it. Akuza i ngarkoi “për krim lufte ndaj robërve të luftës.”[405] Ndërsa, dy pjesëtarët e tjerë të MPB-së të RS-së, Aleksandar Nikolić-i dhe Dejan Stamenković-i, përkundër asaj se përmenden në faqen 2 të aktakuzës si bashkëpjesëmarrës në rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi, ndaj tyre nuk u ngrit akuza. Në vend të përgjegjësive penale, me të cilat duhej të ballafaqoheshin, ata u ftuan në cilësi të “dëshmitarëve”, në të njëjtën mënyrë siç u veprua edhe ndaj “Milenko Arsenijević-it, Aleksandar Đorđević-it, Marjan Mijatović-it, Milovan Vučićević-it, Milisav Vučković-it dhe policëve të tjerë të implikuar në këtë krim.”[406] Për të humbur gjurmët e implikimit në këtë krim, “më 17 gusht 2004, Goran Radosavljević Guri largohet nga posti i shefit të Xhandarmërisë Serbe dhe transferohet si këshilltar në MPB-së të RS-së. Por, në dhjetor të vitit 2006, me urdhëresë të Gjykatës për Krime Lufte, ndaj tij lëshohet një urdhër arresti për shkak të implikimit në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.”[407] Më 14 shkurt 2007, gazeta qeveritare e Beogradit, “Politika” solli në ballinën e saj artikullin e titulluar “Guri në ikje”,[408] në të cilin jepeshin detaje për motivet e kësaj ikjeje. Në të njëjtën kohë, gazeta informoi se Goran Radosavljević Guri ndodhej në Libi, ku trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafi-it. Ikja e tij nuk ishte e papritur, theksohej në këtë artikull. Krahas komandimit me forcat speciale të policisë serbe në krimet e bëra në fshatin Reçak dhe në Petrovo Selo, Goran Radosavljević Guri komandonte edhe forcat famëkëqija paramilitare “Tigrovi”, të krijuara nga krimineli i njohur Željko Ražnatovič-i. Informatën e tillë e pohoi Aleksandar Vasiljević-i, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave.[409] Megjithatë, as funksioni i komandantit në strukturat që u dëshmua se kishte kryer krime në Petrovo Selo, nuk ndikoi që ky kriminel të përgjigjej për veprat e kryera. Në shkrimin lidhur me proceset gjyqësore në Serbi për krime lufte, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd përmend mungesën e vullnetit për të ndriçuar krimet e bëra dhe për të dënuar ata që ishin implikuar në krime. Në këtë kontekst, ky fondacion serb theksonte se “karakteristika kryesore e këtyre gjykimeve është fakti se nuk ndërmerret asgjë kundër urdhërdhënësve e as kundër ekzekutuesve të drejtpërdrejtë të krimeve. Ka indikacione se udhëheqësi i Kampit në fshatin Petrovo Selo, Goran Radosavljević Guri, ka ikur jashtë vendit dhe atë me dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Qeverisë së Serbisë dhe të Prokurorisë për Krime Lufte, para fillimit të procesit edhe pse është ditur se dyshohej për përgjegjësinë e tij për këtë krim.”[410] Pas procesit gjyqësor që zgjati pesë vjet, me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012, Sreten Popović-i dhe Miloš Stojanović-i u liruan nga aktakuza si të pafajshëm. Edhe Gjykata e Apelit në Beograd, Seksioni për Krime Lufte, në seancën e 18 janarit 2013 hodhi poshtë ankesën e prokurorit dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit të datës 12 prill 2012.[411] Sipas këtyre vendimeve “nga ana e Gjykatës së Lartë të Beogradit janë dhënë mjaft arsye të argumentuara, ku nuk ka asgjë të paqartë, asgjë jologjike dhe asnjë kundërthënie se vëllezërit Bytyqi nuk kanë qenë robër lufte: – sepse lufta kishte përfunduar më 9 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës; – edhe pse kanë qenë pjesëtarë të “Batalionit Atlantiku”[412], në momentin e arrestimit, nuk kanë qenë pjesëtarë të asnjë njësiti ushtarak ose policor e as që kanë qenë në kryerjen e ndonjë detyre ushtarake ose policore; – në ditën e arrestimit nuk kanë qenë në ndonjë mision të armatosur luftarak, por misioni i tyre ishte skajshmërisht humanitar dhe bamirës; – në momentin e arrestimit nuk kanë qenë të armatosur, nuk kanë pasur uniformë ushtarake ose policore; – kanë qenë të veshur me tesha civile (bluza, këmisha, pantallona, xhins…); dhe rrjedhimisht nuk mund të konsiderohen robër lufte që kanë rënë në duart e armikut.”[413] Nga ana tjetër, u vërtetua se: – “ të akuzuarit, Sreten Popović-i dhe Miloš Stojanović-i, nuk kanë mundur ta dinë se personat NN, pjesëtarë të policisë, do t’i vrasin vëllezërit Bytyqi. Askush nuk u ka thënë një gjë të tillë dhe se ata kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre; – në bazë të ekspertizës së profesorit të mjekësisë ligjore të Nishit, dr. Vujadin Otašević-it,[414] vëllezërit Bytyqi kanë mundur të dërgohen në Beograd dhe pas një kohe të konsiderueshme të vriten e pastaj të sillen në varrezën masive; “Ata kanë mundur të jenë vrarë një ditë, dy ditë, tre ditë, pesë ditë, një muaj, dy muaj, tre muaj para se të varroseshin këtu. Këtë gjë, në aspektin mjekoligjor, nuk mund ta konstatoj. Por, është i e sigurt se nuk janë vrarë pranë varrezës masive!” [415] – Në bazë të ekspertizës së këtij profesori të mjekësisë ligjore u “vërtetua se eshtrat e thyera, që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave, nuk kishin qenë pasojë e torturës dhe se në aspektin mjekësor nuk mund të thuhet se si ka ndodhur. A janë shkaktuar nga ekskavatori apo në ndonjë formë tjetër, nuk mund ta dimë.”[416] “Janë gjëra që ndodhin. Nuk duhet të kesh shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë e thyen këmbën. E lëre më të hidhet nga lartësia e kamionit ose nga ndonjë lartësi tjetër dhe të bjerë në ndonjë dru, në ndonjë gur ose në ndonjë send të fortë”[417], deklaroi dr. Vujadin Otašević-i gjatë procesit gjyqësor kundër Sreten Popović-it dhe Miloš Stojanović-it. Në vend të ekspertit mjekoligjor, ai ishte shndërruar në avokat të këtyre dy të akuzuarve. Në fund të këtij procesi, meqenëse nuk u konstatua se kur ishin vrarë vëllezërit Bytyqi dhe këmbënguljes së dr. Vujadin Otašević-it se vëllezërit Bytyqi nuk janë ekzekutuar pranë varrezave masive, gjykata liroi Sreten Popović-in dhe Miloš Stojanović-in si të pafajshëm! Ata i liruan nga akuza dhe ua kthyen pasaportat që u ishin marrë më parë.[418] Në vendimin e 9 majit 2012, Gjykata e Lartë e Beogradit, Seksioni për Krime Lufte, theksoi se “Prokurorisë i mbetet një detyrë e rëndë ta zbulojë se kush, pse dhe me urdhër të kujt u vranë këta tre të rinj. Jemi thellësisht të bindur se askush, madje as tre vëllezërit Bytyqi nuk e kanë merituar që jetën e tyre të re ta përfundojnë me plumb në kokë, me sy të mbyllur, me duar të lidhura me tel dhe të varrosen në varrezë masive në periferi të Serbisë.”[419] Sado revoltuese të jetë një vendim i tillë dhe tallës “keqardhja” e lartpërmendur për fundin e jetës së tre të rinjve “me plumb në kokë, me sy të mbyllur dhe me duar të lidhura me tel” kjo dëshmon se sa thellë janë të rrënjosura në strukturat politike, ushtarake, policore, gjyqësore dhe mediatike format e mentalitetit të vjetër ku “tjetri” shihet si “objekt që duhet asgjësuar!” Nga të gjithë të implikuarit në këtë krim, vetëm shef i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjenerali Vlastimir Đorđević-i, që u arrestua[420] në bazë të akuzës së ngritur nga Tribunali Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, u dënua me 27 vjet burg. Gjatë procesit të gjykimit të tij, ai, për rastin e vëllezërve Bytyqi fajësoi ministrin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Vlajko Stojiljković-in. Eprorin e vet, që bëri vetëvrasje publike para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së![421] Është me rëndësi të përmendet fakti se gjenerali Vlastimir Đorđević-i pranoi akuzën, pranoi se ndihet fajtor për pjesëmarrjen në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës dhe u kërkoi falje familjarëve të shqiptarëve të vrarë të Kosovës. “Në Kosovë, në vitin 1999 u bë krim. Unë ato krime nuk i kam dashur dhe sikur të kisha pasur mundësi ta kthej kohën prapa do të kisha vepruar krejt ndryshe. Nuk kam pasur fuqi dhe mundësi t’i kundërvihem ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Vlajko Stojiljković-it. Nuk i jam kundërvënë fshehjes së krimit. Për këtë ndihem fajtor. Ndjej keqardhje të thellë për të gjitha viktimat në Kosovë dhe vuajtjeve që kanë përjetuar familjarët e tyre. Në veçanti u kërkoj falje të gjitha familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kanë humbur jetë. U kërkoj falje edhe personave të shpërngulur dhe ndaj dhembjen e tyre…” [422], deklaroi Vlastimir Đorđević-i në Hagë. Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shefi i Resorit për Siguri Publike, Vlastimir Đorđević-i, pranon publikisht se në Kosovë, me urdhër politik, janë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaron se ndihet përgjegjës pse nuk i është kundërvënë strategjisë së fshehjes së krimeve të bëra në Kosovë. Nuk mund të gjykoj për sinqeritetin e pendimit të këtij kryepolici! Le të mbetet e drejtë e secilit lexues! Ajo që nxit të theksohet në këtë rast ka të bëjë me etikën profesionale të mjekëve ligjorë, që ishin ngarkuar të ndriçonin vrasjet e kryera me urdhër të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë. Profesori i mjekësisë ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otašević-i, tenton të na bindë se “eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave të varrezave masive në “Petrovo Selo I” dhe “Petrovo Selo II” nuk kishin qenë pasojë e torturës (…), por ishin shkaktuar nga ekskavatori ose në ndonjë formë tjetër. Edhe më neveritëse janë banalizimet e tipit se nuk duhet të kemi shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë dhe e thyen këmbën (…).”[423] Këmbënguljet e tij se vëllezërit Bytyqi nuk ishin vrarë pranë varrezës masive kishin për qëllim të vetëm të shfajësonin Sreten Popović-in dhe Miloš Stojanović-in, që ishin vetëm dy të akuzuar nga tërë zinxhiri komandues në kuadër të policisë serbe që rrëmbyen, keqtrajtuan dhe ekzekutuan vëllezërit Bytyqi. Po përmend rastin kur avokati kërkoi sqarime nga ky “ekspert i mjekësisë ligjore”, se pse kufomat i kishin pasur të lidhura duart me tel dhe sytë e mbyllur me shirit, nëse nuk janë ekzekutuar në atë vend, dr. Vujadin Otašević-i u përgjigj me arrogancë: “Jo, nuk e di! Kjo nuk ka të bëjë me profesionin tim!”[424] Atë që ai mundi të pohonte në përputhje me “fushën e tij profesionale”, në mënyrë të ngjashme si të Slaviša Dobričanin-it, ka të bëjë me “faktet” se “gjatë zhvarrosjes u zbulua se njëra kufomë kishte uniformë me shenjën e UÇK-së, te tjetra u gjet e vizatuar harta e Kosovës, te i treti ishte harta e Gjermanisë në një bluzë e kështu me radhë…”.[425] Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit “nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak”[426], profesori i mjekësisë ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otašević-i, do ta kishte përgjigjen e gatshme, në të njëjtën mënyrë, siç veproi anëtari tjetër i ekipit serb të mjekësisë ligjore për “Rastin e Reçakut”, profesori i mjekësisë ligjore i Universitetit të Beogradit, dr. Dušan Dunjić-i, në “Rastin e Srebrenicës”. Në pyetjen e njëjtë, por në kontekst tjetër, si dëshmitar në mbrojtje të liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karadžić-it, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dr. Dušan Dunjić-i deklaroi se “në Srebrenicë[427] janë ekzekutuar vetëm 400 njerëz, përderisa shumica e njerëzve që janë gjetur në varrezat masive të Srebrenicës nuk janë aspak viktima të ekzekutimeve të kryera në korrik të vitit 1995. Shumë prej tyre kanë mundur të kenë qenë vrarë pas korrikut të vitit 1995 ose para korrikut 1995. Shumë plagë kanë mundur t’u bëhen viktimave pos mortem dhe nuk kemi arsye t’i konsiderojmë si viktima të rastit të njëjtë. Madje, vetëm një numër shumë i vogël nga 400 trupat e vrarë mund të konsiderohen si viktima të ekzekutimit. Ata që kur u zhvarrosën u konstatua se kishin duar të lidhura me tel ose me konop mund të konsiderohen të ekzekutuar. Ndërsa, për ata që kishin sy të mbyllur me shirit nuk mund të pohohet se u janë vendosur këto shirita, por se shiritat e këtillë janë shenja[428] që i kanë mbajtur viktimat për t’u dalluar dhe pasi janë vrarë u kanë rënë mbi sy! ”[429] Po e përsëris! Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit më 26 qershor 1999 nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak dhe se kishin qenë në një mision humanitar, dr. Vujadin Otašević-i do të kishte përsëritur atë që kishte thënë kolegu i tij, Dušan Dunjić-i për “shiritat që u kishin rënë nga balli dhe ua kishin zënë sytë!” Së paku ky është mendimi im. I mbetet lexuesit të gjykojë për etikën profesionale të këtyre profesorëve të mjekësisë ligjore që minimizojnë krimin dhe tentojnë ta paraqesin nga një këndvështrim ideologjik dhe propagandistik![430] Lirimi nga akuza e kriminelëve, që urdhëruan rrëmbimin, keqtrajtimin dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, është revoltues. Po aq revoltues është fakti se për viktimat e tjera të zhvarrosura nga varrezat masive “Petrovo Selo I” dhe “Petrovo Selo II” nuk u bë fjalë aspak! Është revoltues kur dihet se nuk u dënua askush nga zinxhiri komandues i kësaj qendre “mësimore”, ku njësitë speciale të policisë serbe kishin civilët shqiptarë si “lëndë të parë” për trajnimin praktik të ekzekutimit me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit! Shpërthimi i revoltës që njihet si “Pranvera arabe” e detyroi Goran Radosavljević Guri-n që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për krime lufte ai u prit si hero! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe[431], të kryesuar nga zëvendëskryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vučić-i e që parim themelor ka “ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Serbisë me Krahinat Autonome të Kosovës dhe të Vojvodinës, si pjesë të pandashme të saj.[432] Po i sjell për lexuesin, që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikolić-i, që kishte qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Šešel-it.[433] Edhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit që kryeson këtë parti qeveritare të Serbisë, Goran Radosavljević Guri nuk mundi t’u ikte pyetjeve të gazetarëve lidhur me “Rastin e Reçakut”. Në intervistën për gazetën “Blic”, të datës 14 prill 2013, ai deklaroi se “aksioni në Reçak është ndër aksionet më të mira të ndërmarra në Kosovë, që ka hyrë si shembull për mësim edhe në doracakët amerikanë të forcave speciale! Reçaku është hequr nga akuza ndaj gjeneralëve policorë dhe ushtarakë dhe kjo do të thotë se NATO-ja ka pohuar se atje nuk ka pasur masakër. Për bombardim është dashur të gjendet pretekst. Reçaku u kurdis si aksioni i fundit pak para bombardimeve. Sikur të mos ishte Reçaku, do të gjendej diçka tjetër! Edhe ekspertët gjyqësor të mjekësisë ligjore, edhe kolegët tuaj nga Associated Press-i, edhe ‘Liberation-i’ francez sollën të dhëna në bazë të të cilave Tribunali i Hagës vendosi të heqë Reçakun nga akuza!”[434] Pohimi i ministrit të Edukimit të Popullit dhe të Propagandës të regjimit nazist, Joseph Goebbels-i, se “sa më e madhe të jetë gënjeshtra aq më lehtë kalon! Sa më shpesh të përsëritet, aq më shumë i beson populli!”, është ende në fuqi!
***
Në kapitullin e parë të këtij libri, lidhur me “Rastin Kleçka”, solla për lexuesin faktin se në mesin e gazetarëve, që u akuzuan për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe armiqësive, Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë, Milovan Drecun-in[435]. Ndërsa për rolin e madh në shpërndarjen e gënjeshtrës së sajuar në Beograd, si të “vërtetë” për “Rastin e Reçakut”, Milovan Drecun-i dhe kameramani i Radio Televizionit të Serbisë, Tomislav Magoči, më 27 prill 1999, u dekoruan nga gjeneralkoloneli Nebojša Pavković-i.[436] Milovan Drecun-i dhe Tomislav Magoči ishin të vetmit gazetarë që u dekoruan nga komandanti i Armatës së Tretë Jugosllave, që udhëhoqi luftën serbe në Kosovë. Për lexuesin që nuk e di se kush është Nebojša Pavković-i po sjell shkurtimisht vetëm këtë fakt. Nebojša Pavković-i kërkohej nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për katër vepra penale të kryera gjatë luftës në Kosovë: deportime, shpërngulje të dhunshme, vrasje dhe përndjekje. Më 25 prill 2005 ai u dorëzua te autoritetet ndërkombëtare për t’u ballafaquar me drejtësinë. Në shkurt të vitit 2009, gjeneralkoloneli serb, Nebojša Pavković-i, u dënua me 22 vjet burg. Akuza e Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë për Milovan Drecun-in. Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua[437], sikurse edhe Goran Radosavljević Guri, në Partinë Përparimtare Serbe! Si anëtarë i kësaj partie politike, në zgjedhjet e 2012-s u bë deputet i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë dhe u emërua kryetar i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë![438] Në vend të ndëshkimeve për implikim në krime kemi përparim në karrierë politike nëpërmjet Partisë Përparimtare Serbe!
EPILOGU I KAPITULLI TË TRETË
“Me ujdinë e tri partive të koalicionit qeveritar të Serbisë[439] u vendos të punohej për përgatitjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Secila parti kishte 1-2 përfaqësues në ekipin për negociata. Unë përfaqësoja ‘Demokracinë e Re’”, deklaroi Ratomir Tanić-i, këshilltar i kryetarit të Partisë Demokracia e Re, Dušan Mihajlović-it. Përkundër asaj se ai deklarohet haptazi “për qëndrimin e tij tejet negativ ndaj shqiptarëve, sepse ata paraqesin problem të caktuar për interesat kombëtare të Serbisë”[440] dëshmitë që solli mundësojnë të sqarohen disa aspekte që për ndonjërin nga lexuesit kanë mundur të jenë të panjohura. Teksti i mëposhtëm është vetëm një rezyme e shkurtër e dëshmisë së tij në procesin gjyqësor kundër Milosheviqit[441], e intervistës dhënë Radio Evropës së lirë[442] dhe e intervistës ekskluzive për gazetën serbe “Vreme”.[443] “Që të evitohej konflikti i armatosur, nga viti 1994 e deri në vitin 1997 u përpoqëm të gjenim një zgjidhje politike globale për Kosovën. Krahas delegacioneve të Serbisë dhe të Kosovës, në këto bisedime merrnin pjesë edhe përfaqësues të shteteve të Grupit të Kontaktit për Jugosllavinë dhe të Organizatave Joqeveritare me influencë në diplomacitë e vendeve të tyre. Gjatë këtyre bisedimeve, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ishin shprehur kundër çfarëdo ideje të ndarjes së Kosovës dhe të pavarësimit të saj. Kur përfaqësuesit shqiptarë e panë se bashkësia ndërkombëtare nuk mbështeste ndarjen e Kosovës, ata, në mënyrë të heshtur, hoqën dorë prej këtij objektivi, duke gjetur një formulë ngushëllimi se pavarësia e Kosovës mbetej një objektiv afatgjatë, që mund të realizohej nëse të gjitha palët binin në ujdi. Kjo donte të thoshte se një gjë e tillë mund të realizohej kur të binin dakord edhe Beogradi, edhe bashkësia ndërkombëtare! Pra, praktikisht asnjëherë! Mirëpo, përfundimi i luftës në Bosnjë dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së (Dayton-it)[444] krijoi një paqe relative në vend. Kjo periudhë e shkurtër mjaftoi për të parë se pushtetit të Milošević-it i kishte ardhur fundi. Manipulimi me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 1996 provokoi një revoltë të madhe të opozitës në dhjetor të këtij viti. Për shtypjen e kësaj revolte Milošević-i nuk gjeti përkrahje te gjenerali i Ushtrisë Jugosllave, Momčilo Perišić-i, e as te kryetari i Qytetit të Beogradit, Nebojša Čović-i. Për këtë arsye ai shkatërroi rezultatet e punës që kishim bërë gjatë bisedimeve, sepse i duhej lufta për të luajtur rolin e shpëtimtarit të Serbisë! Ta izolosh terrorizmin është një çështje krejt tjetër nga vrasja e grave dhe e fëmijëve, siç është krejtësisht tjetër të shpërngulësh një popull të tërë. Forcat tona të sigurisë nuk bënë aspak luftë kundër terroristëve. Ata luftën e bënë kundër popullatës civile. Kështu filloi konflikti etnik në mars të vitit 1998. Në vend të arrestimit të vëllezërve Jashari dhe të tjerëve, forcat tona sulmuan shtëpitë ku ata jetonin dhe masakruan gratë, fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Në vend që të kufizoheshin aksionet në caqet e caktuara, u sulmuan edhe fqinjët e tyre… Sigurisht që kjo provokoi revoltën e popullit shqiptar, siç do të provokonte revoltën e cilitdo popull në botë. Milošević-i e dinte se kjo do të provokonte kryengritjen e popullit shqiptar dhe e bëri vetëm e vetëm që të kishte mundësi te arsyetohej se kishim të bënim me një revoltë! Milošević- i dhe Šainović-i[445] vepronin në atë mënyrë që “lufta kundër terrorizmit” të kthehej në luftë kundër fshatrave dhe civilëve shqiptarë. Dhe kështu të dëboheshin këta njerëz nga Kosova, t’u merreshin dokumentet dhe t’i fshinin nga evidenca. Më vonë, në rast se imponohej t’i kthenim të dëbuarit do të pohonim se janë shqiptarë nga Shqipëria. Marrëveshja ndërmjet Milošević-it dhe Holbrooke-ut e datës 13 tetor 1998 përfshiu shumëçka nga rezultatet e bisedimeve që kemi pasur me palën shqiptare gjatë gjithë asaj periudhe. Por Milošević-i nuk respektoi asgjë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte vetëm një manovrim taktik për të përfituar në kohë. Konferenca e Rambujesë ishte një përpjekje e pashpresë e diplomacisë së shteteve perëndimore për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Milutinović-i[446] dhe Milošević-i e mashtruan opinionin publik duke e bindur se trupat e huaja do të hynin në Kosovë me flamurin e NATO-s e jo të OKB-së. Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Para se të fillonin bombardimet, komuniteti ndërkombëtar ishte dakord që forcat paqeruajtëse të ishin nën mandatin e OKB-së dhe Korpusi i Armatës Jugosllave të Prishtinës të mbetej në Kosovë, që në bashkëpunim me trupat e Kombeve të Bashkuara të ruanin rendin. Por, Milošević-it i duhej lufta! Lufta për të ishte ideale si ‘prova’ për të mbështetur tezat e veta të trilluara. Regjimi i Beogradit dëshironte luftë me NATO-n, por që kjo të ishte në kufij të kontrollueshëm, të mos kishte shumë bombardime (…). Madje, sado paradoksale të duket, në Beograd ishin të dëshirueshme ‘pak bombardime’! U konvenonte të kishte bombardime të përmasave të vogla, sepse do të shërbente si pretekst i mirë që të vazhdohej me dëbimin e shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë edhe të opozitës serbe. Në rrethana lufte askush nuk pyet për asgjë. U kërkua nga unë që t’i përcjellja kryetarit të partisë sime që të ktheheshim në koalicion dhe të mos kundërshtonim krijimin artificial të rrethanave të luftës. Thënë shkurt, arsyeja pse Milošević-i nuk nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë është se ai dëshironte luftë me NATO-n.[447] Por dhuna dhe pastrimi etnik i shqiptarëve nga Milošević-i bëri që të forcohej UÇK-ja, të kemi një kryengritje masive të shqiptarëve dhe në fund një konflikt me bashkësinë ndërkombëtare.” Përtej dallimeve politike dhe ideologjike që mund të kenë lexuesit e këtij libri, shpresoj se ky kapitull mundëson, sado pak, që të kuptohet se a ishte ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë rezultat i një “komploti amerikan i mbështetur në dezinformata” ose ndërhyrja u bë me qëllim që “të ndërpritej dhuna ndaj shqiptarëve dhe spastrimi etnik i Kosovës”. Në kapitullin e ardhshëm do të trajtohen disa aspekte që do të na mundësojnë ta shohim këtë problematikë në kuadër të një dinamike rajonale dhe ndërkombëtare dhe shpresoj se gjërat do të bëhen edhe më të qarta.
KAPITULLI I KATËRT
PROLOGU I KAPITULLIT TË KATËRT
Në Kosovë jetonin të barabartë serbët, shqiptarët, turqit, myslimanët, goranët, romët, egjiptianët(…) Përballë terroristëve të tërbuar në Kosovë që rrëmbenin civilë, që vrisnin njerëz të pafajshëm, që dhunonin, që i digjnin në kremator gëlqeror, që vrisnin fëmijë dhe që aplikonin format më barbare të dhunës, organet tona shtetërore reaguan në përputhje me Kushtetutën e Jugosllavisë dhe me përvojat e ngjashme apo identike të vendeve evropiane. Fatkeqësisht, qeveritë perëndimore i trajtuan reagimet tona si dhunë ndaj pakicës shqiptare në Kosovë dhe rrjedhimisht kjo shërbeu si shkas që bashkësia ndërkombëtare të intervenojë në mbrojtje të popullsisë së pafajshme. Dhe ashtu ndodhi. NATO-ja sulmoi vendin tim(…) Në Kosovë nuk ka pasur as katastrofë humanitare e as dëbime të shqiptarëve. Të dyja u provokuan nga bombardimet e NATO-s(…) Bombardimet e NATO-s vranë serbë, malazezë, egjiptian, romë, turq, mysliman etj. Por, më shumë se gjysma e të vrarëve ishin shqiptarë, të cilët NATO-ja dëshironte t’i shpëtonte nga katastrofa humanitare(…) Krahas agresionit që synonte të nënshtronte vendin tim, kjo luftë u bë edhe për shkak të urrejtjes personale që kishin ndaj meje. Sepse isha pengesë për shtrirjen e influencës së tyre në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo urrejtje shprehet edhe përmes sulmeve mediatike që bëhen kundër familjes sime. Gruaja ime, që është profesoreshë universiteti, vajza ime që nuk është marrë me politikë dhe djali im, që është shumë i sjellshëm, janë bërë objekt i fushatës më të tmerrshme mediatike. Një pandershmëri e tillë dhe një kanibalizëm i tillë nuk është parë në Evropë. Pa marrë parasysh se sa e urreni një armik sulmi ndaj grave dhe fëmijëve është konsideruar nga gjithë bota si pandershmëri dhe qyqari. Agresioni kundër Jugosllavisë është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, është shkelje e statutit të NATO-s dhe mosrespektim i Kushtetutave të shumicës së shteteve anëtare të saj! Slobodan Milošević[448] Shërbimet sekrete serbe kishin hartuar përmbledhjen e materialeve[449] propagandistike të regjimit të Beogradit të cilin e botoi Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Misionet diplomatike të Jugosllavisë ua shpërndanë falas këtë materiale qarqeve politike, mediatike dhe intelektuale nëpër shumë vende të botës. Sinteza e mësipërme nga fjala e Slobodan Milošević-it nxjerr në pah vetëm disa nga shtyllat e kësaj propagande. Në vijim, lexuesi do të ketë mundësi të shohë se deri në cilat përmasa kishte gjetur shtrirje kjo propagandë dhe deri në cilën shkallë kishin arritur ta prezantojnë si të “vërtetë të vetme” të “vërtetën serbe” për Kosovën.
Dëshira për “pak bombardime!
Në kapitullin paraprak sollëm dinamikën që e përshkoi Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën. Që nga 15 marsi, data e nënshkrimit të marrëveshjes nga përfaqësuesit e Kosovës, diplomacia e shteteve perëndimore angazhoi përpjekjet maksimale që kjo Konferencë të përmbyllej me sukses të përgjithshëm. Por, angazhimet diplomatike nuk lanë anash edhe parashikimet e dështimit të tyre. Në rast të intervenimit ushtarak të NATO-s, një preokupim i veçantë lidhej me fatin e personelit diplomatik që kishte mbetur në ambasadat e shteteve anëtare të NATO-s në Beograd dhe të verifikuesve të OSBE-së në Kosovë. Me qëllim që të evitohej përvoja e hidhur që kishin nga lufta në Bosnje, me 19 mars u largua personeli i ambasadave, ndërsa, me 20 mars, u larguan nga Kosova 1400 pjesëtarët e mbetur të Misionit të Verifikimit të OSBE-së [450]. Po sjellim për lexuesin disa të dhëna që shpjegojnë brengën e shteteve perëndimore për rrezikun real që i kanosej personelit të tyre. Në kohën kur NATO-ja filloi bombardimet kundër pozicioneve të paramilitarëve serbë në Bosnje për t’u imponuar respektimin e zonave të shpallura si «Zona të sigurisë» nga Kombet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1994, serbët zunë peng 500 ushtarë që ishin me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në disa vendbanime të Bosnjës. Ushtari perëndimor i zënë peng Ushtari perëndimor i lidhur për shtylle, afër urës I njëjti skenar u përsërit edhe në maj të vitit 1995, kur 21 kaskë blu francez dhe 13 vëzhgues të OKB-së u zunë peng ndërsa 150 të tjerë i ngujuan në 9 vendgrumbullime të armëve[451]. Ata u lidhën me pranga dhe u vendosën në vende strategjike që mund të ishin caqe të sulmeve të NATO-s. Përmes kësaj forme (mburojës njerëzore) serbët treguan se nuk zgjidhnin mjetet për të realizuar qëllimet e tyre. Edhe pse tërheqja e personelit diplomatik dhe pjesëtarëve të Misionit Verifikues të OSBE-së u bë në funksion të shmangies së mundësisë që të ziheshin si pengje në rast të sulmit kundër Jugosllavisë, ky veprim ngërthente në vetë edhe mesazhin e rrezikut potencial që bombardimet të fillonin së shpejti. Më 22 mars 1999 dështoi përpjekja e fundit e Ambasadorit R. Holbrooke për të bindur Slobodan Milošević-in që të pranojë Marrëveshjen e propozuar nga Grupi i Kontaktit. Të nesërmen, më 23 mars 1999, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, deklaroi se: “ pas dështimit të «misionit të shansit të fundit» të Richard Holbrooke-ut në Beograd, unë i dhashë urdhër Gjeneralit Wesley Clark-ut të fillojë operacionet ajrore kundër Republikës Federative të Jugosllavisë. Të gjitha përpjekjet që përmes negociatave të arrihet te një zgjidhje politike për krizën e Kosovës dështuan. Nuk ka zgjidhje tjetër pos përdorimit të aksioneve ushtarake (…). Ne duhet ta ndalojmë një regjim autoritar që të vazhdojë të shtypë popullin e vet në Evropë dhe atë në fund të shekullit XX. Për ne është një detyrë morale.”[452] Përkundër mesazheve të qarta se ishte dhënë urdhri për bombardime, mediet serbe përsërisnin pandërprerë qëndrimin e Milošević-it se “nuk e japim Kosovën as me çmimin e bombardimeve!” Ky qëndrimi i Milošević-it ishte shndërruar në moto mobilizuese në tërë Serbinë. Në epilogun e Kapitullit të Tretë solla një pjesë të dëshmisë së Ratomir Tanić-it. Dëshmia e tij na mundëson të shohim se a ishin këto mobilizime në funksion të bindjes së shteteve anëtare të NATO-s për gatishmërinë serbe që të luftojë për të mbajtur Kosovën nën thundrën e vet dhe t’i detyrojë të heqin dorë nga sulmi, apo refuzimi i marrëveshjes politike dhe vazhdimi i dhunës në Kosovë nga ana e regjimit të Beogradit bëhej në funksion të provokimit të bombardimeve. Me një fjalë, dëshmia e Tanić-it hedh dritë në atë pse regjimi i Beogradit dëshironte luftë me NATO-n, duke shpresuar se kjo luftë do të ishte me bombardime të përmasave të vogla. Aq sa do t’u mjaftonin për të arsyetuar dëbimin e tërësishëm të shqiptarëve nga Kosova. Sulmet ajrore të NATO-s në Bosnje, të kufizuara dhe me intensitet të vogël, ishin model referimi se si mund të zhvillohej kjo luftë. Apo së paku si i imagjinonte kreu i regjimit të Beogradit sulmet eventuale të Aleancës së Veriatlantike. Për dallim nga Bosnja, ku Këshilli i Sigurimit autorizoi sulmet në rast të mosrespektimit të rekomandimeve që rridhnin nga rezolutat e saja, në rastin e Kosovës nuk kishte vendim në formë eksplicite që autorizonte përdorimin e forcës ushtarake për t’i imponuar Jugosllavisë përmbushjen e obligimeve që dilnin nga rezolutat e tij. Milošević-i dhe autoritetet e Beogradit shpresonin se sulmet eventuale që mund të bëheshin pa miratimin paraprak nga ana e Këshillit të Sigurimit, do t’i ballafaqonin strukturat e NATO-s me një presion të fuqishëm ndërkombëtar dhe do të detyroheshin t’i ndërprisnin ato! Në planin e brendshëm, qëndrimet publike të bartësve të institucioneve të Federatës ruse kishin një efekt të madh propagandistik. Kështu, mediet nuk hiqnin nga kryeartikujt tituj se “Duma Ruse mbështet Serbinë dhe Jugosllavinë” se “ Kryeministri rus, Primakov-i, e cilësoi si absolutisht të papranueshëm përdorimin e forcës”, se “Gjenerali i armatës ruse, Ivashov-i ishte shprehur pa asnjë hamendje se agresioni ndaj Jugosllavisë do t’i jepte të drejtë morale Rusisë që ta ndihmonte në të gjitha aspektet Jugosllavinë”, se “Ministri i Mbrojtjes ruse, Sergejev-i, tërhoqi vërejtjen se anashkalimi i Këshillit të Sigurimit do të krijonte një «Vietnam të Ri» në Evropë e kështu me radhë. Qëndrime e tilla dhe të ngjashme me to përforcuan bindjen e njerëzve kyç të regjimit të Milošević-it se në rast të vendimit të strukturave të NATO-s që ta sulmonin Jugosllavinë, pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit, kjo luftë nuk mund të zgjaste shumë. Krahas Federatës ruse, qëndrime të ngjashme kishin edhe Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, dhe një numri shtetesh tjera anëtare të OKB-së. Të gjitha këto elemente ndikuan në vendimin e Milošević-it që të refuzonte kategorikisht Marrëveshjen e propozuar nga Grupi i Kontakti. Duke pasur parasyshë faktin se Marrëveshjen e kishte nënshkruar paraprakisht delegacioni shqiptar i Kosovës, refuzimi i Marrëveshjes nga ana e Beogradit e ngarkoi regjimin e Milošević-it me përgjegjësinë e dështimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje politike. Më 24 mars 1999, Aleanca Veriatlantike filloi bombardimet kundër caqeve ushtarake dhe policore të Jugosllavisë.
Të «drejtat e njeriut» dhe «parimi i sovranitetit të shteteve»
Intervenimi i NATO-s kundër Jugosllavisë nxori në shesh divergjencat permanente në interpretimin e të drejtës ndërkombëtare lidhur me atë se a duhet të respektohet parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti edhe në rastet kur ky shtet nuk respekton të drejtat e qytetarëve të vet apo në raste të shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut intervenimi është legjitim. Flas për divergjenca interpretimesh sepse të dy aspektet qëndrojnë në themelet e të drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, edhe pse nuk është precizuar qartë se të drejtat e njeriut qëndrojnë më lartë se parimi i mosndërhyrjes në punë të brendshme të shteti, të drejtat e njeriut janë baza e të drejtës ndërkombëtare. Sovraniteti i shtetit dhe mosndërhyrja në punët e brendshme janë «parime» për të siguruar mirëqenien dhe realizimin e të drejtave të njeriut. Në rastet kur një shtet bën shkelje të rëndë lidhur me respektimin e kësaj të «drejte», «parimet e sovranitetit dhe mosndërhyrjes» mbesin në rend të dytë. Përkundër asaj se intervenimi ushtarak i NATO-s kundër forcave të Milošević-it shpesh kualifikohet si «intervenim moral për të evituar rrezikun imediat të katastrofës humanitare në Kosovë» dhe për të «parandaluar realizimin e projektit për pastrimin etnik» të saj, nuk duhet të harrohet se legjitimiteti i këtij intervenimi mbështetet mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare. Politika e dhunës që ushtronte regjimi i Beogradit në Kosovë kishte marrë përmasa dramatike. Në shtator të vitit 1998 Këshilli i Sigurimit të OKB-së alarmonte të gjitha shtetet për rrezikun potencial të një katastrofe humanitare. Edhe pse shifrat ishin shumë më të vogla se ato që posedonin Organizatat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, rezoluta 1199[453] përmend se për shkak të dhunës së forcave të armatosura serbe 230 mijë njerëz ishin zhvendosur dhe se rreth 50 mijë shqiptarë kishin mbetur pa kulm mbi krye. Të drejtat e shqiptarëve ishin dhunuar në mënyrën më flagrante të mundshme nga ana e regjimit të Milošević-it. Këtu nuk bëhet fjalë për një perceptim subjektiv të këtij realiteti, por, për një konkluzion që figuron në rezolutat 1160, 1199, 1203 dhe 1207 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është instanca e vetme kompetente për të përcaktuar situatat të cilat mund të vlerësohen si «rrezik për paqen dhe sigurinë dhe të rekomandojë masat për tejkalimin e tyre.»[454] Në rastin e Kosovës, krahas rrezikut të një katastrofe humanitare, ushtrimi i dhunës së forcave të armatosura jugosllave u cilësua nga Këshilli i Sigurimit si rrezik për paqen dhe sigurinë rajonale. Pikërisht për këtë arsye, rezolutat 1166, 1199, 1203 dhe 1207 të vitit 1998 ishin miratuar në përputhje me Kapitullin e VII[455]-të të Kartës së OKB-së.[456] Duke u mbështetur në këtë kapitullin që lidhet me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit rekomandoi që të ndërpritej çdo formë dhune në Kosovë, të respektohej armëpushimi, të lehtësohej kthimi i refugjatëve në shtëpitë e veta dhe të fillonte dialogu i mirëfilltë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për problemin e Kosovës.[457] Në këto rezoluta theksohet gatishmëria e Grupit të Kontaktit[458] për të lehtësuar dialogun. Përpos kësaj gatishmërie për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhje përmes dialogut, nuk duhet të harrohet se Karta e Kombeve të Bashkuara autorizon Këshillin e Sigurimit të ndërmerr masa tjera nëse anëtarët e tij konstatojnë se masat e parashikuara nuk japin rezultatet e pritura. Në nenin 42 të kësaj Karte precizohet se “për ruajtjen apo rivendosjen e paqes botërore dhe të sigurisë ndërkombëtare mund të përdoren forcat e armatosura tokësore, ajrore dhe ujore.” Në përputhje me këtë nen të Kapitulli të VII, përmes pikës 19 të rezolutës 1160 dhe të pikës 16 të rezolutës 1199, Këshilli i Sigurimit tërhoqi vërejtjen se “në mungesë të përparimit thelbësor drejt rregullimit të situatës në Kosovë do të shqyrtohet mundësia e marrjes së masave shtesë për të ruajtur apo rivendosur paqen dhe stabilitetin në regjion.”[459] Edhe pse nuk precizoheshin modalitetet e «masave shtesë», Kapitulli i VII i Kartës qartësonte se kjo nënkuptonte përdorimin e “forcave të armatosura tokësore, ajrore dhe ujore.” Siç e përmendëm edhe në kapitullin paraprak, më 30 janar 1999, Këshilli i NATO-s kishte ardhur te konkluzioni i njëjtë: “Kriza në Kosovë mbetet një rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon.” Të njëjtën ditë ishte sjellë vendimi që në rast të sabotimit të gjetjes së një zgjidhje paqësore për konfliktin, pala që nuk do të respektojë angazhimet ndërkombëtare do t’i bartë pasojat. Në përputhje me zhvillimin eventual të situatës, Këshilli i NATO-s i kishte dhënë kompetencat e plota “Sekretarit të Përgjithshëm që të autorizojë goditjet ajrore kundër caqeve në territorin e Jugosllavisë, në rast të mospërmbushjes së obligimeve nga pala e Beogradit, Ndërsa, në rast të mosrespektimit të kushteve nga pala shqiptare e Kosovës, NATO-ja do të ndërmerr masat adekuate kundër tyre.”[460] Përkundër asaj se analizat e hollësishme dëshmojnë në mënyrë të qartë se intervenimi ushtarak i NATO-s ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, nuk janë të paktë ata analistë që mbështeten në kriteret e analizave tradicionale juridike dhe në mungesë të një vendimi eksplicit nga ana e Këshillit të Sigurimit për t’i autorizuar sulmet kundër Jugosllavisë, ata konkludojnë se ky intervenim ishte jolegal. Reagimet ndaj fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ishin të menjëhershme. Shtetet anëtare të NATO-s, pjesëmarrëse në këto operacionin, dolën me arsyetimet për domosdoshmërinë e intervenimit ushtarak për të parandaluar katastrofën humanitare dhe realizimin e politikës së pastrimit etnik të Kosovës. Vendimin për sulmet ajrore e mbështetën një numër shtetesh si Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Shqipëria etj. dhe konsiderohej si vendim në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Kapitullin VII të Kartës së OKB-së Nga ana tjetër, regjimi i Milošević-it i cilësoi sulmet e NATO-s si “agresioni në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara.” Edhe Federata e Rusisë, Kina, India, Grupit i Rios[461], Grupit 77[462] dhe i një numri shtetesh të dala nga shpartallimi i Federatës sovjetike shprehën haptazi kundërshtimet e tyre dhe kërkonin ndërprerjen e sulmeve kundër Jugosllavisë.[463][464] Mobilizimi “kundër armikut të popujve: imperializmit amerikan dhe NATO-s”[465] nuk mungoi edhe në qarqet politike dhe mediatike të shteteve të Evropës perëndimore. Në kapitullin e tretë përmenda rastin e Jean-Marie Le Pen-it, që përfaqëson të djathtën ekstreme në Francë dhe të Regis Debray-së, që vazhdon të konsiderohet si i majtë; qëndrimet e Jean-Arnault Dérens-it e Pierre Péan-it, të Serge Halimi-t e Xavier Rafer-it, të Jürgen Elsässer-it dhe shefit të neo-nazistëve gjerman, Udo Voigt-it dhe qëndrimet e disa shkrimtarëve dhe gazetarëve të Evropës perëndimore, të cilët nuk dallonin aspak nga qëndrimet propagandistike të regjimit të Milošević-it. Madje, fillimi i bombardimeve nuk do t’i lë “neutral” as politikanët e Zvicrës që njihet si «shtet neutral». Homologu i Jean-Marie Lepen-it në këtë shtet, Christophe Blocher-i, në intervistën për gazetën «SonntagsZeitung», i cilësoi bombardimet kundër Serbisë si “një katastrofë. NATO-ja është duke bërë luftën si të ishte lojë informatike… NATO-ja është sinonim i SHBA-ve. Nuk ma ka marrë mendja se pas Vietnamit, SHBA-të do të lejojnë që në mënyrë naive të futen në një luftë.[466] Ndërkaq, politikani i Partisë Radikale Demokratike zvicerane, Dick Marty, së bashku me 19 deputet të parlamentit zviceran, i rekomanduan Këshillit Federal të Zvicrës “masat që synonin t’i jepnin fund luftës në Kosovë.”[467] Në këto rekomandime kërkohej nga institucioni më i lartë qeverisës i vendit të tyre që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendosej një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatitej terreni për një zgjidhje politike.”[468] Politikani që asnjë herë nuk e kishte ngritur zëri për të kërkuar ndërprerjen e fushatës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, e cila fushatë pati për pasojë mijëra të vrarë dhe qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur,[469] e çori gurmazin duke kërkuar që të ndërpriten bombardimet kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe! Demokrati radikal zviceran, Dick Marty, i cili në asnjë rast nuk përmend se Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë ishte një mision i pjesëtarëve të paarmatosur që duhej të mbikëqyrnin, ndër të tjera, edhe respektimin e armëpushimit të realizuar me 13 tetor 1998 e që dështoi për shkak të vazhdimit të politikës luftënxitëse të regjimit të Beogradit, rekomandon në mënyrë “radikale” armëpushim dhe vendosje të “trupave neutrale” për t’u kujdesur për respektimin e një armëpushimi të propozuar prej tij! Nëse e kemi parasysh se shumica e shteteve të demokracive perëndimore ishin të angazhuara në operacionet e NATO-s, atëherë mbetet e paqartë se me forcat e cilit vend do të konstituoheshin “trupat neutralë” të Dick Marty-t! Forcat ruse, bjelloruse, kineze, indiane apo të ndonjë vendi tjetër që dënonte sulmet e NATO-s? Nëse një gjë e tillë lehet e paqartë nga Dick Marty, ai është tepër i qartë se në “trupat neutrale” nuk mund të ishin forcat e shteteve që kishin sulmuar Serbinë, sidomos nuk mund të ishin amerikanët! Dick Marty është i mendimit se “ushtritë e komanduara nga NATO-ja bombarduan Serbinë dhe se ky ishte një agresion ilegal, pa miratimin e OKB-së.” [470] Rekomandimi “për përgatitjen e terrenit për një zgjidhje politike” nuk dallon për asgjë nga rekomandimet e regjimit të Milošević-it për të “ndërprerë agresionin dhe për të gjetur një zgjidhje politike.” Në mënyrë të njëjtë si propaganda zyrtare e Beogradit edhe rekomandimi i deponuar nga Dick Marty la në heshtje të plotë angazhimet diplomatike të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve për të përmbyllur konfliktin me një zgjidhje politike. Nuk u përmendën asnjëherë propozimet e Grupit të Kontaktit, as Konferenca në Rambouillet dhe Paris dhe as dështimi i tyre për shkak të strategjisë së Milošević-it që të provokohej lufta. Pozicioni i Dick Marty-t ishte i qartë! Në të njëjtën shkallë sa edhe “neutraliteti” i tij! Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty është tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatit terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty as që përmende OKB-në. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërprerë bombardimeve kundër regjimit të Milošević-it nuk është ilegal! Me qëndrime të njëjta kundër sulmeve ajrore të NATO-s u shfaq publikisht edhe shkrimtari dhe filozofi francez, Regis Debray-ja. Përmes shkrimit publik «Letër e një udhëtari Presidentit të Republikës»[471] ai kërkoi haptazi nga Presidenti i Francës, Jacques Chirac-u, që të rishikonte pjesëmarrjen e Francës në luftën e “padrejtë” kundër Jugosllavisë, sepse kjo ishte një formë e “nënshtrimin ushtarak dhe politik të Evropës Perëndimore karshi SHBA-ve”. Për të argumentuar qëndrimin se lufta kundër Jugosllavisë ishte një “manipulim i amerikanëve”, Regis Debray-ja, sjell pohimet e “opozitarëve të regjimit” se gjoja “z.. Milošević nuk ishte diktator” sepse “ishte zgjedhë tri herë, përderisa diktatorët zgjidhen vetëm një herë (…) se ai e respekton Kushtetutën jugosllave (…) se Jugoslavia nuk është shtet njëpartiak (…) se në këtë shtet nuk ka të burgosur politikë (…) se ai është tolerant dhe mund ta kritikojmë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur (…) Me sa duket perëndimin e mundon Milošević-i njëqind herë më shumë se sa qytetarët e vet!”[472] Regis Debray-ja kërkon që të mos e marrim si të “njëanshëm” në këtë konflikt, sepse ai “bazohet në fakte.” Ai vetë ka qëndruar në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni dhe “për të shmangur mundësinë e manipulimit nga përkthyesit që simpatizonin UÇK-në në Maqedoni dhe në Shqipëri”, Regis Debray-ja “kërkoi nga pushteti serb që ta ketë përkthyesin e vet, veturën e vet dhe mundësinë të shkojë të bisedojë me kënd të ketë qejf. Këtë kontratë pushteti serb e respektoi”- pohon ai. Edhe pse në këtë letër ai nuk përmend se cilin e kishte përkthyes dhe si e siguroi veturën për të vizituar vendet që “dëshironte”, Regis Debray-ja këmbëngul që të mos e konsiderojmë si të “njëanshëm”. Faktet që sjell për publikun përmes letrës së adresuar Presidentit të Republikës franceze ai i mbështet në thëniet e dy “dëshmitarëve perëndimorëve”. Dëshmitari i parë është “Aleksandar Mitić-i, i cili është e vërtetë se ishte me origjinë serbe, por ai ishte korrespondent i AFP-së dhe properëndimorë” tenton të na bindë Debray-ja. Ndërsa, dëshmitari i dytë është kanadezi anglofon, Paul Waston-it, korrespondenti i Los Angeles Times-it për Evropën Qëndrore. Sipas Regis Debray-së, “për këtë gazetar mund të thuhej se ishte më shumë anti serbë, se e kishte përcjellë luftën civile në Kosovë dhe e njihte çdo fashat dhe çdo rrugë të saj. Kur ditën e parë të bombardimeve gazetarët e huaj u dëbuan nga Prishtina, ai u fsheh dhe qëndroi anonim, pa u ndalur së qarkulluari.”[473] Pra, burimet e informatave vijnë nga një “serb por perëndimor” dhe nga një “perëndimor “anti serbë”! Regis Debray-ja dëshiron të na bindë se ky “kombinim” i mundësoi të vijë deri te “informatat objektive” dhe të mos jetë i “njëanshëm”! Një gazetarë kanadez “antiserbë” që paska qëndruar “anonim” gjatë luftës në Kosovë, pa lejen e pushtetit të Milošević-it (!) dhe që së bashku me një gazetarë serb “properëndimor” “rastësisht” takohen me Regis Debray-në për ta informuar “objektivisht” për atë që ndodhte në Kosovë! Dinjitoze për skenarin e një episodi të ri të serisë televizive «Mission: Impossible». Jo, gabova! «Mission: Impossible» është seri amerikane dhe Regis Debray-së nuk i pëlqejnë “produktet e imperializmit amerikane”. Konteksti që ai përshkruan dhe dëshira për të na bindur se regjimi i Beogradit e kishte “respektuar” kontratën që këtë intelektual francez ta lërë të lirë të shkojë “të bisedojë me kënd të ketë qejf” është shumë më adekuat me natyrën e filmit të njohur francez: «Le Dîner de cons»[474] Sipas skenarit të këtij filmi, një botues i famshëm i Parisit (Pierre Brochant) çdo të mërkure organizonte “Darkën e imbecilëve”, ku njëri nga miqtë ftonte ndonjë “budalla” që rastësisht e kishte takuar dhe ky bëhej objekt i talljes gjatë kësaj darke. I ftuari nuk e dinte lojën që i ishte kurdisur dhe gjatë tërë kohës ai besonte se nikoqiri e respektonte “kontratën e ftesës”. Një digresion i qëllimshëm. Duke pasur si model shërbimin sekret rus (ÇEKA-n), Partia Komuniste e Jugosllavisë themeloi, me 13 maj 1944, Shërbimin Sekret të emërtuar OZNA (Odseka za Zaštitu Naroda – sektori për mbrojtjen e popullit). Që nga themelimi i tij e deri në ditët e sotme ky shërbim ka ndërruar disa herë emrat, që në kontekstet e ndryshme historike të “heqë” nga vetja bagazhin e krimeve më monstruoze që ishin bërë në këtë shtet. Përkundër ndryshimit të emrit, një gjë mbeti konstante: më 13 maj të çdo viti, Shërbimi Sekret jugosllav kremtonte festën e themelimit të vet! Një natë më parë, ata shtronin darkat për “mysafirët” e tyre për t’i paraprirë festës së 13 majit. Viti 1999 ishte viti i sulmeve ajrore kundër aparateve represive të regjimit të Beogradit. Në këtë vit 13 maji ishte ditë e enjt Nuk mund ta di se a ishte i ftuar Regis Debray-ja nga Shërbimi Sekret serb në darkën e të mërkurës së 12 majit. Këtë e di më së miri ai vetë! Ajo që shihet nga letra e tij e 13 majit, del qartë se në rast se ka marrë pjesë në një darkë të tillë, ai nuk ka mundur të luajë rolin e François Pignon-it.[475] Aspektet që shtrohen në këtë letër publike do të trajtohen më poshtë dhe shpresoj që lexuesi do të ketë mundësi të sheh “anshmërinë” apo “pa anshmërinë” e Regis Debray-së sa i përket luftës së Kosovës. Tani për tani po theksoj se publikimi i kësaj letre, më 13 maj 1999, ngjalli reagime të shumë intelektualëve në Francë. Këto reagime ishin indikatorë se fusha politike, mediatike dhe intelektuale ishte e mobilizuar rreth kësaj lufte. Sa për ilustrim të kësaj dinamike konfrontimi idesh dhe qëndrimesh, më duket domethënëse të sjell për lexuesin shembullin kur dy gazeta të ndërmarrjes së njëjtë botuese patën qëndrime diametralisht të kundërta rreth ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Fjala është për të përditshmen, «Le monde»-in dhe të përmuajshmen, «Le monde diplomatique»-un. Shkrimtari dhe gazetari francez Serge Halimi[476], në një intervistë ekskluzive për revistën «Syndikat»,[477] shpjegon se në mes këtyre dy gazetave “ka vetëm lidhje të ndërmarrjes botuese por jo edhe të redaksive. Kështu, para dhjetë vitesh, Le monde-i ishte për luftën në Gjirin Persik, ndërsa Le monde diplomatique-u ishte kundër. E njëjta gjë ndodhi edhe me luftën e Kosovës, Le monde-i ishte për këtë luftë ndërsa Le monde diplomatique-u kundër. Ka shumë pak operacione të shteteve perëndimore, që udhëhiqen nga amerikanët, e që Le monde-i t’i ketë kundërshtuar dhe ka shumë pak operacione të shteteve perëndimore, që udhëhiqen nga amerikanët, e që Le monde diplomatique-u t’i ketë përkrahur. Ky dallim analizash në mes të dy botimeve është bërë i zakonshëm”[478] Sado i “zakonshme” të jetë bërë “dallimi i analizave”, ky rast dëshmon se deri në cilën shkallë janë të lidhura qëndrimet që botohen në një gazetë me qëndrimet individuale të anëtarëve të redaksive të caktuara. Me një fjalë, realiteti objektiv duhet të futet në kornizën ideologjike të anëtarëve të redaksisë dhe në përputhje me këtë kornizë të pasqyrohet si realitet “i vetëm”. Sidomos, t’u prezantohet si i tillë atyre lexuesve që krijojnë opinionin e veta duke u mbështetur ekskluzivisht në “analiza gazetash”. Jo rastësisht korniza ideologjike do të përcaktojë prezantimin e natyrës së një lufte. “Për ta cilësuar se a është progresive apo reaksionare kërkohet që të mos kufizohemi në mizoritë e çastit, që janë të pranishme në të gjitha luftërat, por të bëhet analizë se kush qëndron pas saj, cilat janë qëllimet dhe çfarë roli ndërkombëtar kanë shtetet pjesëmarrëse në luftë.”[479] Sipas kësaj kornize ideologjike, përderisa në krye të këtij aksioni të Aleancës perëndimore qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të merren me rezerva të gjitha “mizoritë e çastit” që sjellin mediet për civilët e vrarë shqiptarë, vendbanimet e djegura në Kosovë, kolonat e të dëbuarve … Serge Halimi ndan mendimin se “kriza e Kosovës i dha rastin NATO-s për t’u vendosur në Evropë dhe për ta futur nën tutelën e saj OKB-në.” Sipas tij, për të arritur deri te një qëllim i tillë, manipulimi mediatik ishte i domosdoshëm. Prandaj ai revoltohet kuadër medieve të orientuara politikisht, kundër propagandës që synon t’i drejtojë njerëzit drejt “një kampi” të caktuar dhe në veçanti kundër imazheve televizive, të cilat i emërton “uzinë të emocioneve të manipuluara”[480]. Me një fjalë, në rastin e Kosovës ai sheh një manipulim të opinionit publik në funksion të mbështetjes së aksionit ushtarak për dominim të SHBA-ve. Për më tepër, Serge Halimi nuk kufizohet vetëm në konstatimin se gjoja opinioni publik kishte qenë i manipuluar. Ai, me “njohuritë” që ka, tregon edhe arsyet pse ndodh një gjë e tillë! Sipas tij, faji kryesor për këtë situatë është i gazetarëve, të cilët “nuk kanë bagazhin e nevojshëm për t’u informuar dhe shkak të mungesës së specialistëve që kanë një vizion global dhe transversal të një problemi.” [481] Këto dy aspekte patën si pasojë “mungesën e kulturës në përgjithësi” dhe kjo mungesë lehtëson manipulimin e vazhdueshëm të njerëzve, sepse “opinioni përpunohet gjithmonë”. Që të evitohet ky manipulim të ai kërkon që ndërkrehet trajtimi i njerëzve si të ishin “kope e lobotomizuar nga propaganda dhe e përgjumur nga imazhet e televizionit, të kësaj uzine që manipulon me emocionet.”[482] Pra, duhet që «produksionit mediatik» t’i qasemi me një këndvështrim tjetër. Edhe në këtë rast, Serge Halimi ka “çelësin e zgjidhjes”: mosbesimi total ndaj «produksionit mediatik». “Mendoj se një numër nga mesin ynë niset nga postulati se puna e medieve është të informojë. Unë, gjithnjë e më shumë mendoj se nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë. Kur unë lexoj çka prodhojnë mediet, unë nuk e bëj për t’u informuar. Por, për t’u informuar rreth dezinformatave.”[483]– sqaron Serge Halimi, gazetari i dikurshëm i «Le monde diplomatique-ut» dhe drejtori aktual i saj. Për të “përpunuar opinionin” sipas shijes së vet, ky gazetar zhvesh teknikën se si “përpunohet opinioni” nga të tjerët dhe tregon se në grackën e konstruksioneve të tilla mediatike mund të bien edhe njerëz të “kalibrit të tij” e lëre më ata që kanë “mungesë kulture të përgjithshme”, apo që “nuk kanë bagazhin e nevojshëm”! “Është e qartë se kur ju thuan se ky popull këtu është duke përjetuar një gjenocid, ju nuk mundeni të mendoni shumë gjatë. Ju jeni të obliguar të aderoni. E imagjinoj se një numër nga mesi jonë kanë aderuar në këtë çështje”-thekson Halimi. “Unë, kur i shihja imazhet, i thosha vetes se gjendja është shqetësuese dhe se ndoshta do të duhet të veprohet. Por, kjo nuk më zgjati shumë sepse kisha një edukim politik dhe njohuri për SHBA-të që më mundësonin të mos besoj shumë në angazhimet kryesisht humanitare të SHBA-ve.”[484] Sipas të gjithë autorëve të ndikuar nga «këndvështrimi ideologjik antianmerikan», pa marrë parasysh orientimet politike, ajo që është e rëndësishme dhe përcaktuese për të mbajtur qëndrim “të drejtë” ndaj luftës në Kosovë lidhet me pozicionin e amerikanëve në këtë luftë! Dhe ku implikohen amerikanët, gjërat janë “të dyshimta” dhe duhet të jemi “shumë të kujdesshëm”! “Edukimi politik” dhe “njohuritë” e Serge Halimi-t imponojnë një vigjilencë ideologjike! Për këtë arsye, edhe redaksia e Le monde diplomatique-ut nuk e përkrahë luftën e Kosovës. Për të vetmen arsye se në ballë të aksionit të NATO-s qëndrojnë amerikanët, shkrimtari dhe gazetari francez, Serge Halimi, hedh dyshime për ”mizoritë e çastit në Kosovë” dhe për qëndrimet e tilla kërkon që të mos e cilësojmë se mban anën e Milošević-it. Edhe në rastet kur qëndrimet janë identike me qëndrimet e propagandës së regjimit të Beogradit, krahasimi me Milošević-it, sipas Sege Halimit, është krahasim “imbecil, totalitar dhe një formë staliniste e të menduarit. Sepse në këtë mënyrë përcaktohen të mirët dhe të këqijtë.”[485] Por, kur ai përcakton si “të këqij” ata që rreshtohen përkrah amerikanëve, qoftë personalitete apo forca politike të orientimit politik të djathtë qoftë ata të orientimit të majtë, kjo nuk duhet të kualifikohet as si “imbecile” e as si “formë staliniste e të menduarit.” “Amerikanët përzihen në punët e evropianëve dhe dëshirojnë të jenë përgjegjës të sigurisë në Evropë.”[486] Prandaj janë të “këqijtë”! Dhe të gjithë ata që shkojnë “pas të keqit nuk janë të mirë. Meqë nuk janë të mirë ata janë të këqij. Jo vetëm që janë të këqij, por janë tmerrësisht të këqij!”[487]Logjikë cirkulare! Pra, Serge Halimi kërkon që këtë skemë interpretimi të kornizës së lartpërmendur ideologjike ta ruajmë ekskluzivisht për “amerikanët e këqij” dhe ata që mbështesin aksionet e tyre, e “që nuk janë të mirë…” Pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës rendin e kishte shpërbërja e NATO-s. Por, “lufta e Kosovës i dha legjitimitetin e duhur këtij instrumenti amerikan dhe nën mbulesën humanitare u gjet arsyetimi i duhur për ta vazhduar ekzistencën e saj.”[488] Sipas kësaj kornize ideologjike, lufta në Kosovë bëhet për interesat amerikane dhe si e tillë ajo është luftë e keqe. Viktima e kësaj lufte nuk janë shqiptarët e Kosovës, por regjimi i Milošević-it që i “reziston dominimit amerikan”! Pos kësaj, “një viktimë tjetër e kësaj lufte ishte informacioni”[489] sepse mediet dezinformonin në interes të atyre që kishin pushtetin në duart e tyre – konstaton Serge Halimi. Lidhur me dezinformimin, ai sjell shembullin e motiveve të luftës. “Na është thënë se Jugosllavia kishte refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen në Ramboullet, se kishte zbatuar gjenocidin apo një plan të pastrimit etnik. Na është thënë se perëndimorët dëshironin të intervenonin për çështje humanitare. Këto arsye ishin të pavërteta. Në Rambouillet nuk ka pasur marrëveshje por ultimatum kundër Jugosllavisë. Ultimatum të tillë që ishin të sigurt se ajo do ta refuzonte dhe kështu do t’i ofrohej NATO-s preteksti për intervenimin e saj.” Ai pohon se “secili e di ose së paku duhet ta dijë se humanizmi nuk është motivi parësor i politikës së jashtme amerikane. «Intervenimi humanitar» është vetëm një mbulesë për të fshehur qëllimin e vërtetë:dominimin në Evropë! “Gjithashtu e dimë se nuk ka pasur gjenocid. Ka pasur masakra që mund t’i numërojmë, po që nuk përngjajnë me gjenocidin. E dimë gjithashtu se Plani «Patkoi» që ishte prezantuar dy herë si lajm kryesor në «Le monde», ishte i rrejshëm!”[490] Këto ishin konkluzionet e këtij “analisti kritik” që aq shumë “preokupohet” për informacionin objektiv dhe të cilin “edukim politik dhe njohuritë e tij” ia mundësojnë të mos besoj shumë në dezinformatave e atyre që duan të dominojnë në Evropë! Të njëjtin qëndrim për dështimin e kësaj Konference Ndërkombëtare dhe për Plani «Patkoi» do ta ketë edhe anëtarja e Këshillit shkencor të Attac-France, Catherine Samary-ja, në “analizën” e vet të titulluar: « Kosova: disa gënjeshtra të pseudo luftës humanitare»[491], Jürgen Elsässer-i, në veprën e tij “Republika Federale e Gjermanisë në luftën e Kosovës: Kronika e një manipulimi”[492], Michel Collon-i në veprën “Monopoly- NATO-ja në pushtimin e botës”[493] dhe shumë autorë të tjerë që “nuk i besojnë intervenimit humanitarë” në Kosovë. Diktatorit serb dhe instrumentet propagandistike të Beogradit trumbetonin pa ndërprerë se “kjo luftë u bë edhe për shkak të urrejtjes personale që perëndimi kishte ndaj Milošević-it, sepse ai ishte pengesë për shtrirjen e influencës së tyre në këtë pjesë të Ballkanit.”[494] Edhe në analizat e shumta në shtetet perëndimore nuk mungoi interpretimi i ngjashëm i sulmeve të NATO-s si të ishin të motivuara nga kjo “urrejtja” ndaj atij që i “rezistonte dominimit amerikan”![495] “Me sa duket perëndimin e mundon Milošević-i njëqind herë më shumë se sa qytetarët e vet!” konkludon Regis Debray-ja në letrën e tij Presidentit francez. Debatet rreth legalitetit apo ilegalitetit të këtyre sulmeve nuk e kanë humbur aktualitetin edhe 15 vjet pas këtyre ngjarjeve. Mjafton t’u hidhet një sy revistave që publikojnë shkrime nga e drejta ndërkombëtare apo të shihen publikimet lidhur me këtë çështje për t’u bindur për hapësirën e madhe që zë kjo temë. Mjafton të lexohen disa nga analizat rreth legalitetit apo legjitimitetit të sulmeve të NATO-s dhe lexuesi do të bindet për faktin se pikëpamjet juridike, filozofike dhe sidomos ideologjike të autorëve kushtëzojnë në një masë të madhe edhe formën e konkluzioneve. Nuk do të zgjatem rreth këtij debati, sepse në fund do të arrijmë te i njëjti konkluzion: divergjencat në interpretimin e të drejtës ndërkombëtare. Qëndrime diametralisht të kundërta në mes atyre që këtë intervenim e shohin në funksion të “dominimit amerikan të Evropës dhe botës” dhe atyre që në këtë intervenim ushtarak shohin shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga politika shfarosëse e regjimit të Beogradit.
EPILOGU I KAPITULLIT TË KATËRT
«Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar»- Vaclav Havel
Në përmbyllje të çështjes së legalitetit apo ilegalitetit të intervenimit të NATO-s kundër Jugosllavisë së Slobodan Milošević-it po citoj një pjesë të pikëpamjeve të Vaclav Havel-it[496] të botuara në gazetën «Republika» dhe «Le monde» të datës 29 prill 1999.[497] “Kam marrë shumë letra nga aktorët serbë që kanë vënë në skenë pjesët e mia teatrale dhe që më vlerësojnë shumë.”-deklaron Havel-i- “Më pyesin se çka kanë bërë të keqe ata që të bombardohen në këtë mënyrë? Natyrisht mua nuk më kanë bërë asgjë të keqe. Por, regjimi i tyre përdorë ushtarët për të masakruar qytetarët e vendit të vet, për të masakruar një grup shumë të madh të bashkë vendasve të tyre (…) Milošević-i i ka duart e përgjakura dhe nuk mund të vazhdojë të jetë bashkëbisedues për gjetjen e një zgjidhje politike (…) Në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor e që i tejkalon kufijtë e shteteve, të regjioneve (…) atë që ky regjim ua bën shqiptarëve është njëlloj sikur të ma bënte mua”- deklaroi Vaclav Havel-i në këtë intervistë. Vetëm në kontekst të solidaritetit me viktimat e dhunë së regjimit të Milošević-it duhet të shihet deklarimi i tij se «edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar»! “Mendoj se në intervenimin e NATO-s ka një gjë që askush nuk mund ta kontestojë: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht humanitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë më lartë se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën legjitim sulmin kundër Federatës jugosllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara.“ [498]
KAPITULLI I PESTË
PROLOGU I KAPITULLIT TË PESTË
Në Serbi shtypi i lirë dhe i pavarur ishte në nivelin më të lartë. Nuk mbetej ditë që unë dhe familja ime të mos sulmoheshim publikisht. Shpifje nga më të ndryshmet. Askush nuk përgjigjej për fjalën e thënë. Në Serbi nuk kishte të burgosur politikë… Liria e organizimit ishte e plotë. Nga e njëjta kuzhinë, që u sajua gënjeshtra e Reçakut, u sajuan edhe gënjeshtrat e tjera për të arsyetuar intervenimin ushtarak dhe agresionin kundër vendit tonë. U sajua i ashtuquajturi plani i spastrimit etnik me emrin “Patkoi”, që nuk ka ekzistuar as si ide e lëre më si projekt (…). Për askënd nuk ishte fshehtësi se në Kosovë kishte më pak se një milion shqiptarë, sepse qindra mijëra shqiptarë kishin shkuar në vendet e huaja (…). Operacioni “Patkoi” ishte fabrikim i Ministrisë së Mbrojtjes Gjermane… ishte propagandë lufte! Për ta bërë më të besueshme gënjeshtrën për planin e spastrimit etnik të Kosovës, aeroplanët e NATO-s hidhnin letra në gjuhën shqipe, me të cilat udhëzoheshin shqiptarët të braktisnin Kosovën. Ndërsa UÇK-ja, si aleate e tyre, bënte të njëjtën gjë dhe i vriste ata që rezistonin (…). Në traditën e ushtrisë serbe, robërit e luftës dhe njerëzit e paarmatosur janë të shenjtë! Edhe zogjtë e pyllit e dinë se ka pasur një urdhër që njësive tona ushtarake dhe policore ua ndalonte të hapnin zjarr aty ku mund të rrezikoheshin qytetarët… Secili që e ka thyer këtë shenjtëri duhej të përgjigjej, por atë nuk e ka bërë as ushtria as policia. Me këtë nuk them se diçka të tillë nuk kanë bërë disa individë ose grupe, por atë gjë nuk e ka bërë as ushtria, as policia. UÇK-ja e ka ditur se policia dhe ushtria jonë nuk do të shtinë ndaj civilëve, prandaj i kanë marrë fshatarët e fshatrave të tëra që t’i kishin si mburojë për të dalë në Shqipëri, në Maqedoni ose në Mal të Zi. Pas kësaj, kolonat e të ikurve, shqiptarë, që donin të ktheheshin në fshatrat e tyre u bombarduan nga NATO-ja. Kjo ishte një porosi e qartë se duhej zbatuar urdhri për ta lëshuar Kosovën (…). Ata që sajuan gënjeshtrat e lartpërmendura sajuan edhe Kampin e Stankovec-it në kufirin jugosllavo-maqedonas. Në këtë vend i kishin tubuar 30 mijë shqiptarë nga Maqedonia, që t’ua paraqitnin diplomatëve të huaj sikur të ishin të dëbuar nga Kosova. Por, kur këta diplomatë naivë erdhën të nesërmen t’i vizitonin të dëbuarit, kampi nuk ekzistonte më, sepse i kishin lëshuar të shkonin nëpër shtëpitë e tyre. Po e përsëris se në Kosovë nuk ka pasur as katastrofë humanitare e as dëbime të shqiptarëve. Të dyja u provokuan nga bombardimet e NATO-s. Slobodan Milošević[499] Mbes me shpresë se në fund të kapitullit lexuesi do të ketë mundësi të vlerësojë se deri në cilat përmasa kishte ndikuar propaganda e regjimit të Beogradit për të fshehur gjurmët e krimit ose “informatat” e shpërndara falas nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë u shkonin përshtati gazetarëve, filozofëve, sociologëve, politologëve, politikanëve, analistëve e historianëve që kishin “një edukim politik” të veçantë dhe këndvështrimeve të caktuara ideologjike për SHBA-të
Pastrimi etnik i Kosovës dhe operacioni “Patkoi”
Intervenimi ushtarak i NATO-s kundër regjimit të Milošević-it mobilizoi të gjitha qarqet anti-NATO dhe antiamerikane. Ky kontekst bëri që shkrimet[500] e gazetarëve francezë, Renaud Girard-it dhe Christophe Châtelot-së, tepër margjinale në kohën e publikimit, të shndërroheshin në referenca kryesore! Lexuesi pati mundësi të njihej me të vërtetën lidhur me masakrën e civilëve në Reçak. Por, dyshimet që hidhnin rreth ngjarjeve në këtë fshat shërbyen si “argumente” për të ardhur te konkluzioni se “masakra serbe e Reçakut nuk ka ekzistuar asnjëherë, por se ishte një gënjeshtër që u sajua për të provokuar intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.”[501] Nga këndvështrimi i njëjtë u interpretua edhe dështimi i Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën. Siç e pamë më lart, sipas kësaj logjike “në Rambuje nuk ka pasur marrëveshje, por ultimatum kundër Jugosllavisë! Ultimatum të tillë që ishin të sigurt se ajo do ta refuzonte dhe kështu do t’i ofrohej NATO-s preteksti për intervenimin e saj.”[502] Pra edhe një “gënjeshtër për të arsyetuar politikën imperialiste të amerikanëve!” Në vazhdën e kërkimit të “argumenteve” për të vërtetuar teorinë e tyre se sulmi i NATO-s kishte qenë i përgatitur për të arsyetuar vazhdimin e ekzistencës së saj pas shpartallimit të BRSS-së, autorët e lartpërmendur shpallin planin serb të pastrimit etnik si “gënjeshtër në funksion të legjitimimit të “agresionit kundër Jugosllavisë”. Të shohim se për çka është fjala! Më 9 prill 1999, ministri Gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping-u shpalosi para opinionit publik planin serb për dëbimin e shqiptarëve. Sipas këtij plani, operacioni i emëruar “Patkoi” përbënte dëshminë se dëbimi nuk ishte pasojë e “hakmarrjes për shkak të bombardimeve të NATO-s”, por rezultat i një projekti politik i përpiluar në detaje. Reagimet e udhëheqësve të shteteve, që merrnin pjesë në sulmet kundër regjimit të Milošević-it, ishin në frymë të njëjtë. Kështu, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joschka Fischer-i, doli me qëndrim publik, se ajo që po ndodhte në Kosovë nuk kishte të bënte me “çështje refugjatësh. Ne kemi të bëjmë me dëbimin e krejt një populli”[503], deklaroi ai. Ndërsa, presidenti francez, Jacques Chirac-u, në mesazhet e veta televizive drejtuar opinionit publik, theksoi se “fjala është për një operacion monstruoz të pastrimit etnik të planifikuar dhe të udhëhequr më cinizmin më të lartë dhe me mizoritë më të mëdha të regjimit serb (…). Nuk ka asnjë dyshim sa i përket përgjegjësisë së këtij regjimi (…). Këto mizori (…) janë turp për Evropën dhe për botën. Aksionet e ndërmarra nga Milošević-i nuk do të triumfojnë. Barbaria nuk mund të ketë fjalën e fundit. Drejtësia do të ngadhënjejë dhe kriminelët do të japin llogari!”[504] Ngjashëm me qëndrimet e Fischer-it dhe të Chirac-ut ishin edhe qëndrimet e personaliteteve të shumta politike dhe intelektuale, që mbështetnin vendosmërinë për t’i dhënë fund shtypjes së popullit shqiptar nga sundimit diktatorial i Milošević-it. Si pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre reagimeve dhe e kërkesave gjithnjë e më të shpeshta, që me vendosmëri më të madhe të ndalej “barbaria serbe në Kosovë”, Slobodan Milošević-i “i mbylli kufijtë e Jugosllavisë me Maqedoninë dhe me Shqipërinë për dy ditë rresht.”[505] Edhe në rrafshin propagandistik, Qeveria e Serbisë përdori të gjitha mjetet e shpërndarjes së demanteve lidhur me vërtetësinë e planit për shpërnguljen e shqiptarëve. Në fjalën hyrëse të mbajtur gjatë gjykimit kundër tij, Slobodan Milošević-i përsëriti qëndrimet zyrtare të pushtetit serb të asaj kohe. “Në të njëjtën kuzhinë, që u sajua gënjeshtra e Reçakut, u sajuan edhe gënjeshtrat e tjera për të arsyetuar intervenimin ushtarak dhe agresionin e NATO-s kundër vendit tonë,” theksoi ai. “Aty u sajua edhe i ashtuquajturi plani i spastrimit etnik të Kosovës, me emrin ‘Patkoi’, që nuk ka ekzistuar as si ide e lëre më si projekt (…). Operacioni ‘Patkoi’ ishte fabrikim i Ministrisë së Mbrojtjes Gjermane (…), ishte propagandë lufte! (…). As emri i këtij plani nuk ishte në gjuhën serbe. Sikur ta kishim përpiluar ne, ai do të emërohej ‘Potkovica’ e jo ‘Potkova’. Për ta bërë më të besueshëm këtë gënjeshtër, aeroplanët e NATO-s hidhnin letra në gjuhën shqipe, me të cilat udhëzoheshin shqiptarët të braktisnin Kosovën. Ndërsa UÇK-ja, si aleate e tyre, bënte të njëjtën gjë dhe i vriste ata që rezistonin.”[506] Qëndrime të njëjta me qëndrimet e regjimit të Beogradit, por pa i cituar burimet e “informatave”, kishin ata që intervenimin e NATO-s e shihnin si “agresion kundër një shteti sovran”. Madje, shprehjen e njohur për shpjegimin religjioz të krijimit të universit se “në fillim ishte fjala!” e modifikuan në formë tepër domethënëse për këndvështrimin e tyre. Për ta, para se të nisnin sulmet ajrore kundër Serbisë, “në fillim ishte gënjeshtra!”[507] Në përputhje të plotë me këtë mënyrë të trajtimit, çdo gjë që ndodhte në Kosovë “ishte në funksion të manipulimit të emocioneve”, sepse Serbia “nuk ka pasur plan për pastrimi etnik të Kosovës” dhe rrjedhimisht “Patkoi” ishte “një gënjeshtër e uzinës propagandistike e NATO-s në funksion të manipulimit të opinionit publik!” Vetëm ata që kishin “edukim politik të caktuar dhe njohuri” si të Serge Halimi-t nuk ranë në “kurthin e propagandës imperialiste të SHBA-ve!” Vetëm ky lloj i “analistëve kritikë”, që “nuk lexon për t’u informuar, por, për t’u informuar rreth dezinformimit” nuk manipulohet nga kjo propagandë. Përkundrazi, ata janë të “vetmit” që mund të “zbulojnë” se “plani ‘Patkoi’ ishte i rrejshëm!”[508] Edhe pse këto qëndrime janë shumë të ngjashme me qëndrimet e regjimit të Milošević-it, ne nuk duhet t’i krahasojmë me qëndrimet e këtij regjim, sepse, siç e pamë më lart, çdo krahasim i tillë cilësohet si “imbecil, totalitar dhe formë staliniste e të menduarit”.[509] Madje, lexuesi që nuk dëshiron të jetë “imbecil” e vëren se ka dallime midis dy cilësimeve. Milošević-i flet për “kuzhinë, ku sajohen gënjeshtra”, ndërsa Serge Halimi flet për “uzinë ku manipulohen emocionet dhe opinioni publik”. Dallim i madh në interpretime! Për të qenë bindës se plani “Patkoi” ishte një trillim për të arsyetuar luftën, Serge Halimi sjell kontekstin e mëposhtëm që i parapriu publikimit të tij. Sipas këtij tregimi, “Scharping-u ishte në ethe për të gjetur prova se serbët kishin planifikuar që më parë politikën e tyre kriminale në Kosovë. U ka dhënë urdhër ekspertëve gjermanë, që të merrnin në pyetje refugjatët, për të mbledhur dhe për të analizuar hollësisht provat për krime lufte, mizoritë dhe brutalitetet e tmerrshme. Për të nxitur emocionet e opinionit publik në favor të sulmeve ajrore të NATO-s, Scharping-u i merrte për fakte rrëfimet e tmerrshme të viktimave. Dëgjohej se vrasësit luanin futboll me koka të prera, i copëtonin kufomat (…).”[510] dhe rrëfime të tjera të tmerrshme të kësaj natyre. Në këtë kontekst zbulohet plani “Patkoi”! Pra, kjo “gënjeshtër është në funksion të ‘rekrutimit të emocioneve’”[511] të atyre që nuk kanë “edukimin politik dhe njohuritë” nevojshme që t’i “lexojnë gazetat për t’u informuar rreth dezinformatave”. Me te njëjtin qëndrim del edhe gazetari gjerman, Jürgen Elsässer-i. “Argumentet” dhe të dhënat që përdor ai, janë plotësisht të njëjta me ato që përdorin Serge Halimi e Dominique Vidal-i. Për temën tonë është sekondare të dihet se kush i publikoi i pari dhe cili autor bazohet te tjetri. Janë i njëjti “edukim politik dhe të njëjtat njohuri”! Në kapitullin e titulluar “Shokët e Fischer-it, ose: si të trillohet një arsye për luftë”[512], Elsässer-i thekson se “për të justifikuar bombardimet, Qeveria Gjermane u përpoq ta paraqiste dëbimin sistematik të shqiptarëve si objektiv të përcaktuar që moti nga Beogradi (…). Në mbështetje të kësaj teze, prezantimi i ngjarjeve u falsifikua. Kështu, në një dokument të shpërndarë nga Fischer-i, më 31 mars 1998, mund të lexojmë edhe këtë: “Pas fillimit të luftimeve në mars të vitit 1998, një strategji, që kishte për qëllim shpërnguljen, një politikë e tokës së djegur u zbatua nga forcat serbe. Jo vetëm UÇK-së, por edhe popullatës civile duhej t’i bëhej i pamundshëm qëndrimi në shtëpitë dhe në fshatrat e tyre.”[513] Edhe në kapitullin V të veprës së vet, Jürgen Elsässer-i i kthehet kësaj teme. Madje ai e “huazon” titullin e kapitullit nga filmi amerikan “Wag the Dog” (“Trazim qeni”). Që të kuptohet aluzioni i Elsässer-it, po përmend shkurtimisht se skenari i këtij filmi vë në thumb të kritikës manipulimet e njerëzve që kanë influencë në pushtetin politik. Konkretisht, për të lënë në heshtje një skandal seksual të presidentit amerikan, “njerëzit me influencë” montuan një luftë kundër Shqipërisë! Në analogji me luftën e NATO-s kundër Serbisë, autori në nëntitullin e këtij kapitulli, të titulluar “Si e shpikën Fischer-i dhe Scharping-u fushatën serbe të dëbimit: operacionin ‘Patkoi’”[514], konstaton se plani i pastrimin etnik të Kosovës ishte trillim i njerëzve me influencë politike në shtetin gjerman e jo strategji e regjimit të Beogradit. Argumenti kryesor i autorit për të përgënjeshtruar vërtetësinë e këtij plani është “falsifikimi i emrit të këtij plani: ‘potkova’ është fjalë kroate ose bullgare për patkoin, ndërsa në serbisht thuhet “potkovica’”.[515] Në të njëjtat pozicione, si të Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it, Jürgen Elsässer-it, qëndrojnë edhe historianët e orientimit të djathtë politik: Bernard Lugan-i[516], Dominique Venner-i dhe Philippe Conrad-i. Sado që këtyre tre gazetarëve nuk u pëlqen të citohen përkrah historianëve, që njihen si “shkencëtarë” që i thurin lavdi aparteidit të Afrikës Jugore, qëndrimi kundër “dominimit amerikan të Evropës” dhe revolta kundër “dezinformatave, që janë lëshuar në media”[517], i bashkon në një front të përbashkët. I vetmi “dallim” qëndron në terminologjinë e stigmatizimit. Jürgen Elsässer-i përdor “trazimin e qenit”, shprehjen idiomatike angleze, për të treguar strategjinë e politikanëve, që për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale shkojnë deri te montimi i një lufte; Serge Halimi i cilëson si “qen të rinj rojtarë”[518] gazetarët, botuesit e ndryshëm, ekspertët e mediave, që janë vënë “në shërbim të kësaj propagande”, ndërsa Bernard Lugan-i i quan “qen Pavllovi të shtypit”[519]. Me një fjalë, punë qensh! Stigmatizimi i atyre, që mendojnë ndryshe nga Jürgen Elsässer-i, Serge Halimi dhe Bernard Lugan-i, si “qen”, nuk është as “formë staliniste” e njollosjes së kundërshtarëve e as “imbecile”. Ajo është në përputhje të plotë me “edukatën politike” që sheh manipulim në çdo veprim të amerikanëve! Përkundrazi, nëse unë e cilësoj si punë zagarësh “gjuetinë” e atyre që nuk janë “politikisht korrektë” në përputhje me “edukatën politike” (ideologjinë antiamerikane), atëherë unë rrezikoj të cilësohem si “stalinist, imbecil…”. Edhe filozofi dhe publicisti francez, Regis Debray-ja, mendon se plani serb për pastrimin etnik të Kosovës nuk ka ekzistuar dhe se shpërngulja e shqiptarëve është provokuar nga bombardimet e NATO-s. Në funksion të “vërtetimit” të pohimeve se para bombardimeve të NATO-s situata në Kosovë nuk ishte alarmante dhe nuk kishte rrezik për katastrofë humanitare, Regis Debray-ja “njoftoi” presidentin francez dhe lexuesit e letrës së tij publike se para këtyre bombardimeve “luftimet midis UÇK-së dhe të forcave serbe kishin provokuar ikjen e civilëve. “Më thanë se shumica e tyre ishin familjet e luftëtarëve. Sipas korrespondentit të AFP-së numri i tyre ishte i kufizuar. Njerëzit strehoheshin në shtëpitë e fqinjëve”, konstaton ky i fundit. “Askush nuk vdiste nga uria, nuk vritej në rrugë, nuk iknin drejtë Shqipërisë dhe Maqedonisë. Faktikisht nuk kishte nevojë për kampe refugjatësh në kufi. Sulmi i NATO-s provokoi katastrofën humanitare, si një top bore që rrokulliset.” Për dallim nga Regis Debray-ja, gazetari gjerman, Jürgen Elsässer-i nuk e mohon se gjendja në Kosovë ishte përkeqësuar në krahasim me vjeshtën e vitit 1998. Mirëpo, fillimisht ky gazetar sjell shifra për të ilustruar pohimet se autoritetet gjermane kishin gënjyer. Konkretisht, raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, në të cilin flitej për një përkeqësim të situatës në krahasim me vjeshtën e paraprake dhe në mbështetje të kësaj silleshin shifrat e Komisariatit të Lartë për Refugjat se numri i përgjithshëm i refugjatëve nga Kosova ishte rreth 400 mijë dhe kjo shifër, në krahasim me vjeshtën e vitit 1998, përbënte një rritje të numrit 100 mijë.[520] Sipas Jürgen Elsässer-it “ky numër është i rrejshëm. Më 23 tetor 1998, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjat numëroi 285.500 refugjatë, ndërsa më 18 mars 1999 numri i tyre ishte 333 300 refugjatë. Në të dy rastet duhet të shtohen 100 mijë kosovarë shqiptarë në Evropën Perëndimore, prej të cilëve vetëm 2.5% kishin fituar të drejtën e refugjatëve politikë në Gjermani. Pra Komisariati i Lartë për Refugjat sillte rreth 50 mijë refugjatë më shumë se në muajin tetor, ndërsa ministria gjermane 100 mijë.” Pra, ky gazetar e “vërtetoi” se “Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë kishte gënjyer!” Megjithatë, për Elsässer-i, kjo gënjeshtër është “më e vogël” se një “gënjeshtër” tjetër që “zbuloi” ky gazetar. “Gënjeshtra kryesore e Qeverisë Federale nuk qëndronte te zmadhimi i krizës në Kosovë, sepse ishte e padiskutueshme se situata ishte përkeqësuar”, vazhdon ai. “Gënjeshtra kryesore qëndron që me vetëdije të plotë është heshtur se ky përkeqësim nuk ndodhi për shkak të aksioneve të forcave të sigurisë serbe, por për shkak të akteve terroriste të UÇK-së, prej të cilave vuajtën edhe popullsia serbe edhe ajo shqiptare.”[521] Me qëllim që lexuesi të shohë manipulimin e këtij autori me shifrat e mësipërme, po sjell në tërësi paragrafin e Rezolutës së OKB-së, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit në vjeshtën e vitit 1998. “Thellësisht të preokupuar për shkak të luftimeve të ashpra që u zhvilluan në Kosovë dhe në veçanti të preokupuar me përdorimin e tepërt dhe pa dallim të forcës nga ana e njësive të sigurisë serbe dhe të Armatës Jugosllave, që shkaktoi viktima të shumta të civilëve dhe sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm mbi 230 000 persona janë zhvendosur dhe kanë qenë të shtrënguar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre”[522] Pa marrë parasysh se shifrat që posedonin organizatat për të drejtat e njeriut evidentonin një numër shumë më të larta të atyre që ishin detyruar t’i linin shtëpitë e tyre ose të cilëve shtëpitë u ishin rrënuar. Numri që figuron në Rezolutën e KS-së (230 mijë persona të zhvendosur) do të jetë statistika që do ta citojnë më së shumti burimet zyrtare. Mirëpo, në vend që të zbatoheshin kërkesat e përcaktuara në këtë rezolutë, situata përkeqësohej nga dita në ditë. Kështu, para fillimit të bombardimeve të NATO-s Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë publikoi shifrën prej 333 300 persona të zhvendosur. Pra, nga vjeshta e vitit 1998[523] e deri më 18 mars 1999 numri ishte shtuar për 103 330 persona të zhvendosur. Manipulimi me statistika, ku njerëzit shtohen dhe zbriten në operacione matematike me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm” është karakteristikë e këtyre gazetarëve dhe e analistëve, me “edukim të veçantë politik”. Zbritja e “numrave” dhe e “shifrave” të publikuara më 23 tetor 1998 (e jo me 23 shtator!) nga “numrat” dhe nga “shifrat” e 18 marsit 1999, bëhet me të vetmin qëllim që të arrihet të përgënjeshtrohet pohimi se situata në Kosovë para bombardimeve të NATO-s ishte alarmante. Me këtë formë të manipulimit me “operacionin matematik” Jürgen Elsässer-i erdhi te “numri” 50 mijë të shpërngulur dhe e shpalli me mburrje se “zbuloi gënjeshtrën” e Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane! Edhe pse Milošević-i deklaron se “në Kosovë kishte më pak se një milion shqiptarë, sepse qindra mijëra shqiptarë kishin shkuar në vendet e huaja”[524], Jürgen Elsässer-i publikon shifra shumë më të vogla se shifrat zyrtare të regjimit të Beogradit. Ai përpiqet t’i fshehë edhe ato të dhëna që nuk mund t’i fshihnin as strukturat e pushtetit në Serbi! Të dhënat për zhvendosjen e popullsisë civile ishin publikuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë shumë kohë para se Regis Debray-ja të ftohej të vizitonte Serbinë. Nuk mund të besohet se ky filozof nuk ishte në dijeni të këtyre shifrave, kur pohoi publikisht se atij i kanë “thanë se shumica e të ikurve ishin familjet e luftëtarëve shqiptarë dhe sipas korrespondentit të AFP-së[525] numri i tyre ishte i kufizuar!” Minimizimi i përmasave të zhvendosjes së popullsisë nxjerr në shesh se deri në cilën masë ai ishte i “ paanshëm” në atë që mundohej ta plasonte si të “vërtetë”! Zhvendosja e 333.300 personave dhe e “100.000 kosovarëve shqiptarë në Evropën Perëndimore, që kishin kërkuar azil” që përmend Jürgen Elsässer-i, në sytë e dikujt mund të duket numër i kufizuar! Përmasat e kësaj zhvendosjeje të popullsisë civile, sado të “kufizuara” t’i duken dikujt, sado që ishin më të vogla se shifrat që posedonte Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, dëshmojnë për kontekstin alarmues që ndikoi në vendimin për intervenim ushtarak të NATO-s. Që të kuptohen përmasat reale të 433.300 personave, që u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre, lexuesit i duhet ta krahasojë këtë shifër në kontekst të Kosovës. E në kontekst të Kosovës kjo shifër paraqiste çerekun e popullsisë së përgjithshme të saj. Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të SHBA-vë, ky proporcion do të manifestohej me 15 milionë britanikë, me 17 milionë francezë, me 20 milionë gjermanë dhe me 80 milionë amerikanë të zhvendosur nga shtëpitë e veta! Vetëm duke i imagjinuar këto përmasa tragjike, lexuesit e letrës së Regis Debray-së, të veprës së Serge Halimi-t, të “humanizmit të ri ushtarak…”[526] të Noam Chomsky-t, të “kronikës së manipulimit” të Jürgen Elsässer-it do t’i kuptojnë manipulimet e filozofëve, të politologëve, të sociologëve dhe të gazetarëve si këta të lartpërmendurit, që përpiqeshin t’i minimizonin përmasat e katastrofës humanitare me të cilën ballafaqohej populli shqiptarë i Kosovës.
***
Nëse Serbia nuk ka pasur plan për dëbimin e shqiptarëve, atëherë si e shpjegojnë këta autorë shpërnguljen e shqiptarëve? Sipas asaj që “i kanë thënë” Regis Debray-së, “të gjithë pajtohen se ditët e para të bombardimeve ka pasur një dhunë të shfrenuar nga individë ose grupe, që ishin ‘jashtë kontrollit’ të pushtetit qendror. Gjatë këtyre tri ditëve, mijëra shqiptarë kanë marrë urdhër të shpërngulen”, por ai është dëshmitar “okular” se “fshatarët ktheheshin në Podujeve”, “ushtarët serbë bënin rojë pranë furrave të shqiptarëve”, “viktimat e sulmeve të NATO-s, të plagosurit serbë dhe shqiptarë, njëri pranë tjetrit, në Spitalin e Prishtinës”… Pas këtyre tri ditëve, mundohet të na bindë ky filozof, “eksodi ka vazhduar me intensitet të vogël dhe kjo ka ndodhur me urdhër të UÇK-së, që dëshironte t’i tërhiqte të vetët nga frika se mund të shiheshin si ‘kolaboracionistë’, nga frika e bombardimeve të NATO-s, që nuk dallonin nga lartësia prej 6000 metrash se kush ishte serb e kush shqiptar, se kafsha kishte ngordhur, se Amerika do të fitojë, se ishte një rast i mirë për të emigruar në Zvicër, në Gjermani e gjetiu…” Mediet në Serbi, të kontrolluara tërësisht nga regjimi, shpërndanin të njëjtin diskurs “për intensitetin e vogël të njerëzve që iknin nga bombardimet e NATO-s”. Madje, këtë propagandë e ilustronin me fotografi nga terreni.
Imazhe të shpërndara nga mediet serbe[527]
Në të njëjtën hekurudhë imazhet nga këndvështrimi tjetër!
Eksodi përmes hekurudhës për të evituar fushën e minave
Krahas këtij aspekti të shpërnguljes, për “të përfituar nga rasti”, që të emigronin në një vend më të mirë, Regis Debray-ja sjell edhe aspektin ushtarak të tij. Sipas të dhënave që ai “siguroi”, “vetëm në Prishtinë UÇK-ja i kishte 6000 klandestinë, që u futën në aksion sapo filluan bombardimet. Serbët gjykuan se nuk mund të luftonin në dy fronte dhe për këtë arsye vendosën të evakuonin manu militari[528] ‘kolonën e pestë të NATO-s’, forcën e saj tokësore, domethënë UÇK-në. Ky evakuim u bë sidomos në fshatra, ku UÇK-ja përzihej dhe shkrihej me popullsinë civile,” shpjegon Debray-ja.
Eksodi i prishtinasve nga stacionin hekurudhor
Në preambulën e këtij kapitulli solla shtyllat kryesore rreth të cilave artikulohej propaganda e regjimit të Beogradit. Lexuesi mund të shohë se nuk ka asnjë dallim përmbajtjesor midis propagandës së Milošević-it dhe deklaratave që Regis Debray-ja ia atribuon “korrespondentit të AFP-së” dhe “opozitarëve” të regjimit. Milošević-i nuk përjashtonte mundësinë që pas bombardimeve të NATO-s, individë ose grupe, që ishin “jashtë kontrollit”, të kenë ushtruar dhunë në Kosovë. Të njëjtën gjë përsërit Regis Debray-ja dhe kërkon ta konsiderojmë të “paanshëm”! Nebojša Pavković-i, gjeneralkoloneli serb që udhëhoqi luftën në Kosovë, dhe operacionin “Patkoi”, deklaroi se “Korpusi i Prishtinës i Armatës Jugosllave e ftoi popullsinë të kthehej në shtëpitë e tyre duke ju garantuar sigurinë maksimale”[529]. Regis Debray-ja del dëshmitarë se i ka parë “fshatarët që ktheheshin në Podujeve[530]”, “ushtarët serbë bënin rojë pranë furrave të shqiptarëve”, “për të garantuar sigurinë maksimale” të Nebojša Pavković-it. “UÇK-ja i ka marrë fshatarët e fshatrave të tëra që t’i kishin si mburojë për të dalë në Shqipëri, në Maqedoni ose në Mal të Zi”, pohojnë Slobodan Milošević-i dhe Nebojša Pavković-i, ndërsa për Regis Debray-në “ky evakuim u bë sidomos në fshatra, ku UÇK-ja përzihej dhe shkrihej me popullsinë civile”! Në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në shkurt të vitit 2009, Nebojša Pavković-i u dënua me 22 vjet burg për deportime, shpërngulje të dhunshme, vrasje dhe përndjekje të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. E Regis Debray-në, a e vret ndërgjegjja për dëshmi të rrejshme në funksion të fshehjes së krimit?
***
Në preambulën e këtij kapitulli solla deklaratën e Milošević-it, që nuk përjashtoi mundësinë që ditët e para të bombardimeve të NATO-s, individë ose grupe, që ishin “jashtë kontrollit” të tij, të kenë ushtruar dhunë në Kosovë. Por, ai “premtoi” se “ndaj atyre do të merren masat adekuate”. Për t’u dukur si i “paanshëm” në këtë konflikt dhe për të mos e cituar drejtpërsëdrejti ndonjërin nga pushtetarët e Beogradit, Debray-ja përmend si burim informatash edhe Vuk Drašković-in, kundërshtarin politik të Milošević-it![531] “Ai dhe të tjerë më kanë thënë se që nga ajo kohë janë arrestuar dhe janë paditur 300 persona për dhunën e ushtruar në Kosovë”! Kush ishin këta “të tjerët”, që i “thanë” Regis Debray-së se janë arrestuar dhe janë paditur 300 persona për dhunën e ushtruar në Kosovë, mund vetëm ta supozojmë. Në kapitullin paraprak lexuesi pati mundësi të njihej me qëndrimin e autoriteteve gjyqësore të Beogradit ndaj krimeve të kryera në Kosovë. Edhe pas largimit të Milošević-it nga pushteti, logjika e vjetër dominon, ndërsa kriminelët janë në funksione të larta partiake dhe shtetërore. Ndërsa, sa i përket Vuk Drašković-it do të flas më poshtë! Për të vërtetuar propagandën, që shpërndahej nga Beogradi, për gjoja kthimin e fshatarëve shqiptarë në fshatrat e tyre dhe mbrojtjen e civilëve shqiptarë nga forcat e armatosura serbe, Regis Debray-ja del si dëshmitarë! “Jam dëshmitarë i kthimit të fshatarëve shqiptarë në Podujevë,” deklaron ai. Ai dëshmon se i ka parë “ushtarët serbë që bënin rojë pranë furrave të shqiptarëve,” viktimat e sulmeve të NATO-s, “të plagosurit serbë dhe shqiptarë, njëri pranë tjetrit, në Spitalin e Prishtinës (2000 shtretër)”! Pra, Regis Debray-ja,“dëshmitari i paanshëm”, paraqitet si “dëshmitarë okular” i sjelljeve tejet “humane” të pushtetit serb! Ai nuk shkon deri aty sa ta cilësojë haptazi Milošević-in si “demokrat”, por e hedh poshtë në mënyrë kategorike cilësimin e tij si “diktator”, që ia bëjnë “disa në Perëndim”! “Ai nuk është diktator, sepse është zgjedhur tri herë!” dhe është tepër tolerant ndaj mendimit ndryshe! Atë “mund ta kritikojnë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur dhe kritikat e tilla nuk mungojnë!” informon “dëshmitari okular”, Regis Debray-ja. Është e vërtetë se kritikat kundër regjimit të Milošević-it, sado të pakta në numër, nuk munguan asnjëherë në Serbi. Mirëpo, ajo që mungon në letrën e Regis Debray-së ka të bëjë me burimin e mirëfilltë të këtyre informatave. Nga i mori informatat që i mundësuan të pohonte se Milošević-i ishte “tolerant” ndaj mendimit ndryshe? Sado që ky filozof francez kërkoi të mos e marrim si të “njëanshëm” në konfliktin e Kosovës dhe u përpoq të bindte “presidentin francez” dhe lexuesit e letrës së tij publike se ai “ishte takuar vetëm me opozitarë të regjimit”, përmbajtja e letrës nxjerr në shesh të kundërtën. Të gjithë ata që e kanë përcjellë situatën politike në ish-Jugosllavi, e dinë fare mirë se me ardhjen e Milošević-it në krye të pushtetit serb, u aplikua strategjia e komunikimit të informatave, që dëshironin t’i komunikonin në funksion të krijimit të botëkuptimit unik! Këtë strategji të komunikimit, regjimi i Beogradit e aplikoi si në luftën kundër Kroacisë dhe Bosnjës ashtu edhe në rastin e Kosovës. Kur është fjala për Kosovën, pas shpërthimit të luftës së armatosur në mars të vitit 1998, Ministria e Informimit të Serbisë lëshoi direktiva[532] të qarta të cilave duhej t’u përmbaheshin të gjitha mediet. Situata u bë edhe më e vështirë pas miratimit të Ligjit për informim, në tetor të të njëjtit vit. “Ato media që nuk pranuan të zbatonin qasjen e zhvillimeve në Kosovë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Informimit Republikës së Serbisë dhe të Ligjit për informim, të imponuar nga pushteti i Milošević-it, nuk mundën të mbijetojnë. Kështu, për shkak të refuzimit që ta trajtojë UÇK-në si “bandë terroriste” dhe t’i kualifikojë aktivitetet e saj si “kriminale”, ose, nga ana tjetër, të flasë për “operacione të ruajtjes së rendit”, për aksionet e policisë serbe, gazeta beogradase “Naša Borba” u mbyll. Më vonë, të njëjtin fat e përjetuan edhe mediet e tjera serbe, që nuk i përmbaheshin direktivave të regjimit, si: gazeta “Danas”, gazeta “Dnevni telegraf”, “Radio B92” dhe shumë radio lokale në gjuhën serbe u mbyllën për të njëjtat arsye.”[533] U kufizova vetëm në dhunën dhe në format e ndryshme të presionit, që ushtroheshin ndaj medieve në Serbi dhe nuk i përmenda mediet dhe gazetarët shqiptarë të Kosovë. Sepse, po të sillja tërë atë dhunë dhe presion, që është ushtruar ndaj intelektualëve shqiptarë, të dëbuar nga puna kolektivisht nga pushteti i Milošević-it, dhuna ndaj gazetarëve, që u hoqën zvarrë nga policia serbe kur i uzurpoi shtëpitë botuese, ndërtesën e RT të Prishtinës dhe të mjeteve të tjera të informimit në gjuhë shqipe, po të sillja dhunën dhe presionin ndaj institucioneve të arsimit në gjuhën shqipe dhe të kuadrit pedagogjik shqiptar, kjo mund t’i dukej Regis Debray-së si seleksionim i “njëanshme” i fakteve! Për këtë arsye, si ilustrim të “tolerancës” së Slobodan Milošević-it ndaj kritikave që i adresoheshin në Serbi, po përmend vetëm një rast! Rastin e dy gazetarë serbë! Mendoj se do t’i mjaftojë lexuesit të kuptojë arsyet e brengosjes së Regis Debray-së se mos po e konsiderojnë si të “njëanshëm” në atë që plason nëpërmjet shkrimit të tij. Më 19 tetor 1998, Slavko Ćuruvija[534] dhe Aleksandar Tijanić-i,[535] publikuan “Letër Presidentit Slobodan Milošević-it”, në të cilën morën guximin ta kritikojnë atë! Nëpërmjet kësaj letre dy gazetarët në fjalë shprehën revoltën e tyre për faktin se “në Jugosllavi, pa u shpallur as gjendje lufte dhe as gjendje e jashtëzakonshme, aplikohen masa të jashtëzakonshme dhe masa lufte (…). Serbëve u është ndaluar të dëgjojnë, të flasin dhe të shohin. Janë ndaluar të shtypen tri gazeta ditore dhe një radiostacion. Kjo nuk ka ndodhur në historinë e vendit tonë (…). Shoqërisë i është imponuar një psikozë permanente e gjendjes së jashtëzakonshme, i është imponuar frika nga policia e gjithëfuqishme ose nga të deleguarit tuaj të gjithëpushtetshëm, që lavdërohen se janë të autorizuar të vendosin për çështjen e jetës dhe të vdekjes së njerëzve, që nuk ju pëlqejnë. Kërkohet dëgjueshmëri absolute! (…) Zoti Kryetar, Vendi juaj, populli juaj dhe qytetarët tuaj qe dhjetë vjet jetojnë në psikozën e gjendjes së jashtëzakonshme, të rrethuar me të vdekur, me mjerim, pa shpresë dhe me frikë”[536], deklaruan, ndër të tjera, Slavko Ćuruvija dhe Aleksandar Tijanić-i. Letra publike, drejtuar presidentit të Jugosllavisë, Slobodan Milošević-it, nuk ishte letër publike e Regis Debray-së drejtuar presidentit francez, Jacques Chirac-ut. Në Jugosllavinë e Milošević-it, ndaj atyre që dëshironin “të dëgjonin, të flisnin dhe të shihnin” ndryshe, nga ajo që u lejonte ligji dhe dekretet e pushtetit, masat ndëshkuese ishin të menjëhershme. Për kritikat e shprehura me anë të kësaj letre, Slavko Ćuruvija, pronari i gazetave beogradase, “Nedeljni Telegraf-it”, “Dnevni Telegraf-it”, dhe i revistës së ilustruar “Evropljanin-it”, u dënua me 400.000 marka gjermane[537] dhe atij iu konfiskua prona (…). Për kritikat e ardhshme kundër regjimit të Beogradit, Ćuruvija u dënua me pesë muaj burg.[538] Me gjithë faktet e panumërta të presioneve ndaj medieve të pavarura, Milošević-i dhe zëdhënësit e regjimit të tij propagandonin pa ndalur se “në Serbi, shtypi i lirë dhe i pavarur ishte në nivelin më të lartë…, se nuk mbetej ditë që Milošević-i dhe familja e tij të mos sulmoheshim publikisht, me shpifje nga më të ndryshmet dhe askush nuk përgjigjej për fjalën e thënë. Në Serbi nuk kishte të burgosur politikë!”[539] Edhe pse Regis Debray-ja përsërit diskursin e regjimit të Beogradit, se gjoja “Milošević-i nuk ishte diktator”, se gjoja atë “mund ta kritikojmë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur”! se gjoja “në këtë shtet nuk ka të burgosur politikë!”, ai kërkon që të mos e konsiderojmë si të “njëanshëm” në këtë luftë (!), sepse këto të dhëna i ka nga “opozitarët” e regjimit! A është e mundshme që Regis Debray-ja, që përdor formën e njëjtë si të Ćuruvija-s për të komunikuar me “Presidentin e Republikës”, letër publike, të mos ketë dëgjuar se pronari i tri gazetave serbe, Slavko Ćuruvija, u dënua me 400.000 marka gjermane dhe me konfiskim pasurie, vetëm e vetëm pse kritikoi Slobodan Milošević-in? E shtroj këtë pyetje, sepse një muaj para se Regis Debray-ja të ftohej në “darkën e së mërkurës” së 12 majit 1999, të organizuar nga Shërbimi Sekret Serb, shtypi botëror njoftoi se më 11 prill 1999 u ekzekutua Slavko Ćuruvija, pronari i disa gazetave të pavarura nga pushteti i Milošević-it. Një numër i madh i gazetave në gjuhën frënge njoftuan për këtë vrasje. Një numër i madh i gazetave njoftuan edhe për reagimet e shumë personaliteteve lidhur me këtë vrasje. Nuk po i citoj personalitetet politike, që reaguan lidhur me këtë vrasje, sepse ata mund të konsiderohen si të “njëanshëm” në këtë luftë. Madje ndodh që Regis Debray-ja të mos i ketë dëgjuar reagimet e tilla, sepse ai nuk dëgjon “reagime në funksion të manipulimit të opinionit publik”. Por, është e pamundshme të mos ketë dëgjuar për reagimin e Drejtorit të Përgjithshëm të UNESKO-s në Paris, Federico Mayer-it, që e cilësoi vrasjen e Slavko Ćuruvija-s si “krim të shëmtuar dhe shkelje të rëndë të lirisë së informimit”[540] Po citoj vetëm një shkrim, nga mijëra titujt në gjuhën frënge kushtuar vrasjes së Ćuruvija-s, që lexuesi mund t’i gjejë në internet. Më 15 prill 1999, një muaj para se të botohej “Letra Presidentit të Republikës” franceze e Regis Debray-së, Hélène Despic-Popovic botoi në gazetën “Liberation” shkrimin lidhur me vrasjen e autorit të “Letrës së Presidentit të Republikës” Jugosllave. Në shkrimin e titulluar: “Slavko Curuvija, njeriu që fliste shumë u vra të dielën në Beograd”[541], gazetarja e lartpërmendur solli informata edhe për dënimin me 400 mijë marka gjermane, edhe për konfiskimin e pasurisë së tij, edhe për dënimin me burg dhe në fund për vrasjen e këtij gazetari. Slavko Curuvija u vra “nga policia e gjithëfuqishme dhe nga të deleguarit e gjithëpushtetshëm të Slobodan Milošević-it, të atyre që lavdëroheshin se ishin të autorizuar të vendosnin për çështjen e jetës dhe të vdekjes së njerëzve, që nuk i pëlqenin pushtetit, të atyre që nuk i bindeshin ‘kërkesave për dëgjueshmëri absolute’ ndaj regjimit.” Pas vrasjes së Slavko Ćuruvija-s askush nga opozitarët e regjimit të Beogradit nuk do të ishte aq i pacipë sa ta gënjente Regis Debray-në për gjoja “tolerancën e Milošević-it” ndaj mendimit ndryshe! Kritikat ndaj Milošević-it i kushtuan shumë shtrenjtë pronarit të tri gazetave të pavarura. Publikimi nga ana e Regis Debray-së e informatave diametralisht të kundërta me realitetin e lirive në Jugosllavi, dhe sidomos pohimi i tij, një muaj pas kësaj vrasjeje, se gjoja Milošević-in “mund ta kritikojnë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur” është paturpësi e llojit të vet. Sado që kërkon ta konsiderojmë si të “paanshëm” në këtë luftë, Regis Debray-ja, merr pozicion të qartë në “anën” atyre që synojnë të fshehin krimet e diktaturës së Milošević-it. Kur them se Regis Debray-ja merr anën e atyre që së bashku me instrumentet e regjimit të Milošević-it synojnë të fshehin gjurmët e krimit, kam për bazë edhe përshkrimin që ai ia bën dhunës në Kosovë. Numrin prej rreth 2000 personave të vrarëve[542] gjatë ofensivave serbe të vitit 1998, Regis Debray-ja do t’ia plasojë opinionit publik francez në një formë të re. Duke e kamufluar si diçka të “ditur botërisht”, por që ai vetëm ia “rikujton” presidentit francez, Regis Debray-ja publikon të dhënat se “në vitin 1998 ishin vrarë 1700 ushtarë shqiptarë, 180 policë dhe 120 ushtarë serbë!” Pra, saktësisht 2000 persona të vrarë, pjesëtarë të forcave të armatosura të të dyja palëve! E civilët? Ku mbetën civilët e vrarë, për të cilët u alarmua edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së? Jo, as civilët nuk mbetën pa u përmendur nga ky filozof. Por, në bazë të informatave, që Regis Debray-ja i kishte siguruar nëpërmjet “opozitarëve” të regjimit të Beogradit, nëpërmjet gazetarit me “origjinë serbe, por properëndimor” dhe nëpërmjet “gazetarit perëndimor, por antiserb”, civilët nuk ishin vrarë nga forcat serbe (!), por, nga UÇK-ja! Madje, ai i “rikujton presidentit francez” se “ UÇK-ja i kishte kidnapuar 380 persona, prej të cilëve 103 ishin liruar, ndërsa të tjerët kishin vdekur ose konsideroheshin të zhdukur.” Sjellja e këtyre statistikave nuk i ishte drejtuar Jacques Chirac-ut, por opinionit publik francez, sepse ky filozof, si shumica e shkrimtarëve dhe e publicistëve francez, e di se statistikat “nuk i shiten” lehtë Chirac-ut. Është pikërisht Jacques Chirac-u, që u drejtohet të tjerëve “të jenë të kujdesshëm, sepse statistikat janë forma e tretë e gënjeshtrës!”[543] Për të manipuluar me lexuesit e letrës së tij dhe për t’u paraqitur si i “paanshëm” në këtë konflikt, gënjeshtrave që plasoi nëpërmjet statistikave të përmendura në letrën e tij, Regis Debray-ja u jep formën e “fakteve” që ia kanë dhënë “opozitarët” e regjimit! Madje, ai e përmend edhe Vuk Drašković-in, kryetarin i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe! Në epilogun e kapitullit të dytë sollëm për lexuesit kontekstin e ri që u krijua pas deklaratave të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vučić-it, se “në Serbi pushteti vriste edhe ata që mendonin ndryshe, edhe kundërshtarët e vet.” Qëndrimi i tillë publik nga një funksionar i lartë shtetëror dhe sidomos drejtimi i gishtit “për vrasjen e gazetarit serb, Slavko Ćuruvija, dhe për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ të Pejës, në vitin 1998”[544], tronditën opinion publik të Serbisë. Nuk munguan as mbështetjet e atyre që janë të interesuar të ndriçoheshin krimet e kryera nga njerëzit e regjimit të Milošević-it. Po ndalem vetëm në mbështetjen e njërit nga opozitarët serbë, të vetmin që e përmend, Regis Debray-ja. Në intervistën e titulluar “Milošević-i urdhëroi Radeta-n dhe Legia-n t’i vrasin fëmijët serbë”[545], Vuk Drašković-i i dha një mbështetje të fuqishme Aleksandar Vučić-it. Krahas rastit të vrasjes së Slavko Ćuruvija-s, Drašković-i flet gjerësisht edhe për mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të sjelljes së vendimeve kriminale në funksion të nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve dhe stigmatizimit të UÇK-së. Ai sqaron se “vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe kundër shqiptarëve, që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin publikisht UÇK-në, e solli Milošević-i dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, të Njësisë për Operacione Speciale,[546] u caktua Milorad Ulemek-Legija. Ky i merrte urdhrat nga Radomir Marković-i, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i dënuar sikurse Milorad Ulemek-Legija, me 40 vjet burg për dhënien e urdhrit dhe porosinë e vrasjeve të shumta. Milošević-i dhe Shtabi i tij strategjik vendosën që nëpërmjet serisë së sulmeve terroriste të kryera nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, që duhej t’i visheshin UÇK-së, UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si një organizatë terroriste. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…). Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, në krye me Radomir Marković-in, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legija-s, më 14 dhjetor 1998, e kryen masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë. Ky krim monstruoz u krye me urdhrin e Slobodan Milošević-it,”[547] deklaroi Vuk Drašković-i për gazetën beogradase “Kurir” Ky kontekst ndikoi që brenda disa ditësh të arrestoheshin ata që kishin mbetur gjallë nga grupi që ekzekutoi Slavko Ćuruvijan. Në përshpejtimin e këtyre arrestimeve ndikoi edhe dëshmia e kriminelit të njohur serb, Milorad Ulemek-Legija, që, siç e kemi përmendur më parë, është i dënuar me 40 vjet burg, për shkak të implikimit në vrasjen e politikanit serb, Ivan Stambolić-it, të vrasjes së kryeministrit serb, Zoran Đinđić-it, të vrasjes së katër anëtarëve të Partisë së Ripërtëritjes Serbe, për tentim vrasjen e Vuk Drašković-it dhe të shumë krimeve të tjera. Në bazë të dëshmisë së Legia-s, u arrestua shefi i atëhershëm i Sigurimit Shtetëror të Beogradit, Milan Radojnić-i dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Gjashtë të Sigurimit Shtetëror, Ratko Romić-i. Ndërsa, për të njëjtën vepër, si urdhërdhënës janë të dyshuar edhe ish-shefi i Sigurimit Shtetëror, Radomir Marković-i dhe pjesëtari i Shërbimit të Veçantë, Miroslav Kurak-u.[548] Them se u arrestuan ata që kishin mbetur gjallë, sepse, për të fshehur gjurmët e krimit, kreu i Shërbimit Sekret kishte urdhëruar likuidimin e katër pjesëtarë të grupi që kryen vrasjen e: Luka Pejović-it, Zoran Ristović-it, Zoran Davidović-it dhe Branko Jevtović-it.[549]
***
Mirëpo, realizimi i objektivave të Shtabit strategjik të Milošević-it për ta paraqitur UÇK-në si organizatë terroriste “impononte” kontrollin e mediave, me qëllim të shpërndarjes së mesazheve të përpiluara në institucionet e propagandës së këtij regjimi, si të ishin “të vërteta absolute”. Krahas kontrollit të medieve vendore dhe dëgjueshmërisë absolute të gazetarëve në Serbi, për Shtabin strategjik të Milošević-it ishte më se e domosdoshme që të viheshin në shërbim të kësaj strategjie edhe gazetarë, filozofë, sociologë, politologë, politikanë, analistë e historianë si Christophe Châtelot-ja, Renaud Girard-i, Regis Debray-a, Bo Adami, Jürgen Elsässer-it, Serge Halimi, Jean-Marie Lepen-i, Dominique Vidal-i, Bernard Lugan-i, Dominique Venner-i, Philippe Conrad-i, Jean-Arnauld Derens-i, Pierre Péan-i, Xavier Raufer-i, Christoph Blocher-i, Dick Marty dhe të ngjashëm si këta. Për këtë arsye, mosbindja e gazetarëve serbë që të përcillnin direktivat e Ministrisë së Informimit të Milošević-it dhe të ligjeve të miratuara për këtë qëllim, u kushtuan shumë shtrenjtë atyre. Mbyllja e medieve të pavarura nga regjimi i Beogradit dhe aksionet e të “deleguarve të Milošević-it, të gjithëpushtetshmit, që ishin të autorizuar të vendosnin për çështjen e jetës dhe të vdekjes së njerëzve”, shkaktuan tragjedi të shumta. Më lart e pamë se mediet serbe që nuk pranonin ta cilësonin UÇK-së si organizatë terroriste mbylleshin, ndërsa ata që kritikonin Milošević-in përjetonin dhunë të tmerrshme, që shkonte deri te likuidimi fizik! Në kontekstin e ri, që po shohim në Serbi, vetë serbët janë duke nxjerrë në shesh mekanizmat e përdorur nga ana e Shërbimit Sekret Serb për të fshehur krimet e kryera kundër civilëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë, si dhe kundër atyre që kritikonin Milošević-in qoftë edhe “në ndonjë tarracë kafeneje”. Në këtë kontekst po zbulohen nga vetë policët serbë fakte tronditëse se para intervenimit të NATO-s, gjatë vitit 1998, në operacionet “për pastrimin e terrenit” në Kosovë, policia serbe që udhëhiqej nga bindja se “më i mirë është shqiptari i vdekur, se shqiptari i gjallë”[550], vriste për pikë të qejfit edhe fëmijën në djep, siç ishte rasti i foshnjës, që nuk i kishte as katër muaj, që shihet në fotografinë në vijim (vrasja e Fitim Fitim Gëzim Ademajt, nga fshati Ratishtë e Poshtme) Në këtë kontekst, u takon gazetarëve, filozofëve, analistëve dhe historianëve që kishin hyrë në shërbim të strategjisë së fshehjes së krimeve më monstruoze të kryera me urdhrin e Milošević-it, të tërhiqen publikisht dhe të distancohen nga puna që kanë bërë. Kuptohet, flas për ata që nuk kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për punën që bënin. Siç e pamë më lart, publicistët, analistët dhe gazetarët e pavarur nga regjimi përbënin rrezik për kanalizimin e opinionit publik në drejtimin që dëshironte pushteti i Milošević-it. Për këtë arsye, sapo filluan sulmet ajrore të NATO-s, u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme me qëllim të kufizimit të mundësive që të ushtrohej zanati i gazetarit. Të nesërmen e goditjeve ajrore, me anë të Komunikatës së 25 marsit 1999, Ministria e Informimit të Serbisë njoftoi se “në bazë të nenit 8 të Ligjit për mbrojtjen e Republikës së Serbisë, Ministri i Informimit dekreton urdhrin për të përzënë gazetarët e medieve të huaja, që vijnë nga vendet që marrin pjesë në agresionin e forcave të NATO-s kundër Jugosllavisë ose nga territori i vendit që është shfrytëzua për këtë agresion.”[551] Në përputhje me këtë dekret, “korrespodentët e medieve të shteteve perëndimore u morën në pyetje (nga strukturat e aparateve represive serbe) dhe u dëbuan nga Jugosllavia.[552] I vetmi gazetar i huaj që mbeti pa u dëbuar ishte Paul Watson i Los Angelos Time-it. Fjala është për gazetarin kanadez, që Regis Debray-ja e paraqet si gazetar “antiserb”, që paska qëndruar “fshehurazi” gjatë luftës në Kosovë, pa lejen e pushtetit të Milošević-it (!) dhe që së bashku me një gazetar serb “properëndimor” “rastësisht” qenkan takuar me Regis Debray-në për ta informuar “objektivisht” se në Kosovë para bombardimeve të NATO-s “nuk kishte pasur katastrofë humanitare”, “se numri i të zhvendosurve ishte i vogël”, se “civilët ishin vrarë nga UÇK-ja” e kështu me radhë. Me gjasë, Regis Debray-ja e konsideron lexuesin e letrës së tij “klient” për “Darkën e imbecilëve”! Urdhri qeveritar i 25 marsit 1999 ishte vendim që Kosova të shndërrohej në një skenë, ku tragjedia shqiptare duhej të luhej në “Teatër me dyer të mbyllura për mediet”. Vetëm “aktorët” që arrinin të iknin nga ky “teatër” dëshmonin për tmerret që përjetonin shqiptarët! Mbyllja e Kosovës për gazetarët e huaj u dha mundësi të manipulonin jo vetëm pushtetarëve në Beograd, por edhe filozofëve, publicistëve, politologëve, sociologëve, historianëve e politikanëve të orientimeve politike të majta e të djathta, që kishin emërues të përbashkët qëndrimet kundër “imperializmit amerikan”, të shkonin deri në atë shkallë sa në këtë luftë Serbia të prezantohej si viktimë, ndërsa bombardimet e NATO-s t’i konsideronin si aksione frikacakësh. Kështu, Regis Debray-ja tentoi ta bindte presidentin francez që të mos i dërgonte forcat tokësore franceze, sepse “atje janë duke i pritur me padurim dhe lufta tokësore nuk është e njëjtë me atë që zhvillohet nga një lartësi 5000 metrash.” Ndërsa, Bernard Lugan-i është më i drejtpërdrejtë dhe deklaroi publikisht se “Clinton-i është duke bërë një luftë frikacakësh. Ai nuk guxon ta dërgojë këmbësorinë amerikane që të ballafaqohet me këmbësorinë serbe, por përdor Tomahovkat, këto armë frikacakësh, kundër civilëve serbë. Le t’i dërgojë marincat e vet që të ballafaqohen si burrat me ushtrinë serbe e jo të bombardojë civilët.”[553] Ballafaqim burrëror me ushtrinë serbe! Contadictio in adjecto! Nuk do t’u referohem dëshmive të shqiptarëve, sepse ka rrezik që Serge Halimi t’i kualifikojë si “rrëfimet të tmerrshme të viktimave për të nxitur emocionet e opinionit publik.” Po sjell rrëfimet e oficerëve të ushtrisë dhe të policisë serbe, që ishin dëshmitarë të krimeve në Kosovë. Dëshmitë e atyre, që nuk pretendojnë të jenë “të paanshëm” në luftën e Kosovës, por që ishin pjesëtarë të aparateve represive të Serbisë dhe që nuk dëshirojnë të heshtin për atë që kanë parë. “Kam qenë vazhdimisht në Kosovë si polic, por viti 1998 ishte i tmerrshëm. Masakër e paparë nga ana e policisë dhe e ushtrisë!”[554] rrëfen Slobodan Stojanović-i. “Gjatë tre muajve në Kosovë kam parë tmerre. Para nesh ecte ushtria dhe që në mëngjes gjuante me raketa shumëtytëshe në drejtim të fshatrave kodrinore të Gllogovcit dhe vriste gjithçka që lëvizte (…). Në Gllogovc, pas pastrimit të terrenit, pashë një grup prej 400-500 shqiptarësh (gra, fëmijë dhe pleq). Dikush deshi të shtinte, por e ndërpreva. Më vonë pashë tmerrin! Kufoma të copëtuara, shtëpi të djegura nga eksplodimet. Nuk munda ta paramendoja se një gjë e tillë kishte mundur të ndodhte… Në Prekazin e Epërm dhe të Poshtëm u vranë gra, fëmijë, kafshë dhe çdo gjë që lëvizte atje. Drenica digjej (…). Atje pashë plaçkitje të pronës, grabitje të traktorëve, vjedhje të veturave, të sharrave motorike, kultivatorë (…). Madje kanë prerë edhe gishtërinj për t’ua marrë unazat. Me një fjalë, gjithçka që shihte syri, duart nuk e linin pa marrë.”[555] Ballafaqim “burrëror”, apo jo z. Lugan? Tani ka dalë në shesh, nga vetë policët serbë, se në mesin e shumë krimeve, që janë bërë në Kosovë para intervenimit të NATO-s, dëshmia rrëqethëse e policit serb për llambat e tavolinës me koka shqiptarësh është dëshmia që tronditi edhe opinionin publik serb! Sipas kësaj dëshmie “një anëtar i Çetës së Pirotit, që i takonte Sektorit 87 të Njësive Speciale të Policisë, shqiptarit të vdekur ia kishte prerë kokën. Pastaj, për ditë të tëra e kishte zier në një tenxhere. Nga ajo i nxori katër dhëmbë prej ari, pastaj ka shkuar në shtëpi, kafkën e ka lyer me llak dhe nga ajo ka bërë një llambë tavoline (…). Të njëjtën gjë e ka bërë edhe me një grua të vrarë. Edhe asaj ia ka prerë kokën, në të njëjtën mënyrë e ka zier, e çoi në shtëpi dhe bëri llambë tavoline. Dëshironte të kishte një çift llambash. Njerëzit normalë ishin të tmerruar.”[556] Sado që dëshmitë “për vrasësit, që luanin futboll me koka të prera, për kufoma të copëtuara”[557] dhe rrëfime të tjera të tmerrshme të kësaj natyre t’u duken si të pavërteta Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it dhe bashkëmendimtarëve të tjerë që konsiderojnë se publikimi i tyre ishte vetëm në funksion të “nxitjes së emocioneve të opinionit publik në favor të sulmeve ajrore të NATO-s,” tragjedia i tejkalonte përmasa e imagjinatës së njerëzve normalë. Nuk e di se a do të dalin të dëshmojnë vetë serbët që kanë parë “lojë futbolli me koka shqiptarësh” dhe të bindet Serge Halimi dhe kompania e tyre se krimet në Kosovë nuk ishin “trillime në funksion të manipulimit të emocioneve”. Përkundrazi, format dhe përmasat e krimit i tmerronin oficerët ushtarakë dhe policët serbë, që e konsideronin veten normalë dhe që nuk dëshirojnë të heshtin! Edhe gjatë luftës kishte serbë që nuk pajtoheshin me këto krime dhe që pësuan për shkak të kritikave dhe të deklaratave se do të tregonin për atë që ndodhte në Kosovë. Lexuesi pati rastin të njihej me vrasjen e doktorit serb, Branimir Đokić-it, që e vrau polici serb Goran Stamenković – Stamenko, në vitin 1998, dhe e shpallën se ishte vrarë nga “terroristët e UÇK-së”! Përpos njerëzve të implikuar në krime, askush nuk mund ta dijë se sa njerëz të tjerë, që nuk pajtoheshin me regjimin e Milošević-it, janë vrarë nga “eskadronët e vdekjes” dhe për këto vrasje është fajësuar UÇK-ja?
Kush e farkoi “Patkoin”?
Në pjesën e sipërme të këtij shkrimi lexuesi pati mundësi të shihte se autorët, që hedhin dyshime për vërtetësinë e planit “Patkoi”, mbështeten në elemente që lidhen me autenticitetin e tij. Edhe pse të gjithë janë në dijeni se ky plan u zbulua nga Shërbimi Sekret Bullgar dhe se nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti plani u bë i njohur edhe për vendet e tjera anëtare të NATO-s, autorët e lartpërmendur përsëritin diskursin propagandistik të Milošević-it dhe vënë theksin në atë “pse emri i këtij plani nuk ishte në gjuhën serbe, “Potkovica”, por në atë bullgare, “Potkova”. Sipas së njëjtës logjikë, në rast se ky plan do të ishte zbuluar nga UÇK-ja, ashtu siç pretendon Michel Collon-i në veprën e tij “Monopoly – NATO-ja në pushtimin e botës”[558] dhe do t’u ishte shpërndarë shteteve të NATO-s nëpërmjet një raporti në gjuhën shqipe, atëherë “argumenti” kryesor i kontestuesve të vërtetësisë së tij do të përqendrohej rreth asaj “pse emri i këtij plani nuk ishte në gjuhën serbe, “Potkovica”, por në atë shqipe, “Patkoi”. Me një fjalë, “mungon dokumenti origjinal i këtij operacioni”, sepse nuk është gjetur dokumenti në gjuhën serbe dhe atë me nënshkrim të Milošević-it! Në “mungesë të këtij dokumenti origjinal”, nuk do të ndalem në shkrimet e shumta që artikulohen rreth asaj se a ishte gjenerali serb, Momčilo Perišić-i, ai që i dha informatat lidhur me këtë operacion, ose a ishte zbulimi i këtij plani arsye e shkarkimit të tij nga funksioni i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave. Edhe deklarata e kolonelit Dragan Vukšić-it, se “operacionin ‘Patkoi’ e kishte urdhëruar personalisht Milošević-i”[559], dikush, si Jürgen Elsässer-i, mund ta kontestojë se i “mungon origjinali”.[560] Por, lexuesit që ka mundësi të lexojë në gjuhën serbe i rekomandoj t’i hedhë një vështrim veprës “Fshehtësitë ushtarake, pjesa e dytë” e autorit Vladan Vlajković-it për të parë revoltën e pushtetit serb, sidomos atë të ushtarakëve, ndaj deklaratave të tilla. Kjo do t’u mundësojë të krijojnë një ide të përafërt për rrezikun që u kanosej personave që dilnin jashtë kornizës së lejueshme për interpretimin e ngjarjeve në Kosovë. Debati rreth “autenticitetit të dokumentit” të publikuar për operacionin “Patkoi” fsheh thelbin e problemit të politikës serbe të pastrimit etnik të Kosovës. Çka ndodhi në të vërtetë gjatë periudhës 1998-1999? Edhe kësaj radhe, për arsyet e përmendura më lart, po sjell dëshmitë e ushtarakëve dhe policëve serbë! Dëshmitë, që do t’i sjell për lexuesin, janë dëshmi të një gazetari të pavarur serb, që ndër gazetat e tjera, për të cilat punonte, ishte edhe korrespondent i AFP-së, sikurse Aleksandar Mitić-i, i Regis Debray-së. Çfarë koincidence! Por, për dallim nga Aleksandar Mitić-i, që Debray-ja e cilëson si “properëndimor” për t’i dhënë kredibilitet deklaratave që ia atribuon atij, e që ishin identike me ato të pushtetit të Milošević-it, Miroslav Filipović-i, gazetar i gazetës beogradase “Danas”, korrespondent i Agjencisë France-Presse dhe analist i Institutit Raportues për Luftën dhe Paqen[561], u etiketua dhe u dënua si spiun i Perëndimit! Në një shkrim të tij autorial, të bazuar në dëshmitë e eprorëve të Armatës Jugosllave, që kishin marrë pjesë në luftën e Kosovës, Miroslav Filipović-i pohonte se në luftën e Kosovës, pjesëtarë të forcave të armatosura jugosllave kanë bërë vrasje masive kundër civilëve shqiptarë. Publikimi i këtij shkrimi i tërboi autoritetet politike, ushtarake dhe policore në Serbi. Në mbledhjen e zgjeruar, të ftuar nga gjenerali Nebojša Pavković-i, shef i atëhershëm i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave, në të cilën morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Dragoljub Ojdanić-i, si dhe njerëzit kyç të Prokurorisë Ushtarake, u kërkua arrestimi i Miroslav Filipović-it. “Një nga viktimat e këtij takimi monstruoz ishte Miroslav Filipović-i, që duhej t’u shërbente si shembull gazetarëve të tjerë që të mos shkruanin për atë që në Serbi të gjithë e dinin,”[562] konstaton Vladan Vlajković-i. Deklarata e ministrit Ojdanić, për të gjitha ata që deklaronin të kundërtën e interpretimit zyrtar për luftën në Kosovë, është domethënëse. “Imagjinoni se çfarë njeriu është ai që pohon një gjë të tillë, që thotë se ushtria ka bërë një gjë të tillë, ai nuk duhet të dalë nga qelia e burgut sa të jetë gjallë. A e dini se çka do të thotë për opinionin publik ndërkombëtar kur qytetari i këtij vendit, aq më tepër kur flet me kompetencë dhe flet diçka të tillë”[563], shprehu mllefin e vet ministri i Mbrojtjes Jugosllave, Dragoljub Ojdanić-i Kërcënimi i Ojdanić-it dhe i strukturave të tjera të aparateve represive të regjimit, ndikuan drejtpërsëdrejti që një numër i atyre që dëshironin të flisnin për krimet në Kosovë, të tërhiqeshin nga ky qëllim dhe të heshtnin. Por, guximi intelektual i Miroslav Filipović-it ishte i pashembullt. Prandaj, le të ia lëmë fjalën atij! “Ekzistimi i planit ‘Patkoi’ është përmendur disa herë dhe shumë shpejt është demantuar nga pushteti. Njohuritë e mia për këtë plan datojnë që nga mesi i viteve 70-të”, deklaron Filipović-i. “Një grup komunistësh serbë filluan të brengoseshin se çka do të bëhej me serbët kur të vdiste Tito-ja[564]. Si të ruhej Jugosllavia dhe komunizmi në këtë vend dhe si të shpëtohej nga invadimi shqiptar. Atëherë u përpilua projekti ideor ‘Patkoi’, plan që përbëhej nga po aq patkonj të vegjël sa ka edhe fshatra shqiptar. Siç e pamë më lart, ky plan parashihte që përreth çdo fshati të vendoseshin njerëz të armatosur në formë të patkoit, me ‘hapje’ nga Shqipëria, dhe t’u jepej vendasve afat prej disa dhjetëra minutash që me gjërat më të domosdoshme t’i lëshonin shtëpitë e tyre. Pastaj fshati digjej, ndërsa pronat plaçkiteshin dhe asgjësoheshin.
Shih videot: http://www.youtube.com/watch?v=k7gEMEnpo0E
http://www.youtube.com/watch?v=9dsUQQv6kvc
Në pjesën e ‘hapur’ të ‘Patkoit’, njerëzve u merreshin dokumentet dhe paratë tepricë dhe bëhej seleksionimi i tyre. Kështu, disa qindra mijëra njerëz do të shpërnguleshin nga Jugosllavia në Shqipëri. Shkatërrimi i shtëpive dhe krimet monstruoze, që do ta shoqëronin planin, do t’i dekurajonin për t’u kthyer edhe ata më të vendosurit. Edhe në rastin, kur do të shtrëngoheshim të kthenim një pjesë të popullsisë shqiptare, do t’i kthenim vetëm ata që do të dëshironim ne. Milosević-i pranoi këtë zgjidhje ideore dhe gjatë sundimit të tij, ky ‘Patkua’ u shkri në plan operativ për realizimin e të cilit duhej, nëse jo ndonjë luftë e madhe, atëherë, së paku një konflikt lokal. Prova e përgjithshme u zbatua në fillim të viteve të 90-të, në vendbanimet e bregut të djathtë të lumit Drina, kur banorët boshnjakë u detyruan të shpërnguleshin dhe një pjesë e territorit u pastrua etnikisht.”[565] Për vitin 1998 e pamë dëshminë e policit serb, Slobodan Stojanović-it, dhe nuk do t’i kthehemi edhe një herë. Gjithashtu në epilogun e kapitullit të tretë, lexuesi pati mundësi të lexojë dëshmitë e Ratomir Tanić-it, përfaqësuesit të ekipit serb në negociatat me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës. Një vit para se të intervenonte NATO-ja rreth një çerek i popullsisë shqiptare të Kosovës ishte zhvendosur dhe kishte braktisur vendbanimet e veta. Edhe autorët, që kanë tendencë të minimizojnë numrin e të dëbuarve, siç është rasti i Jürgen Elsässer-it, shkruajnë për rreth 100.000 shqiptarë, që kishin kërkuar strehim në shtetet e Evropës Perëndimore dhe për 333.000 të tjerë, që ishin strehuar në shtetet fqinje ose brenda Kosovës. Fushata e NATO-s, me kusht që të ishte me pak bombardime, ashtu siç e imagjinonin pushtetarët e Beogradit, përbënte një kontekst të favorshëm për realizimin e plotë të pastrimit etnik të Kosovës. Në vazhdim të tekstit të tij, Miroslav Filipović-i sjell për lexuesit të dhënat se “rreth 150.000 njerëz iu vërsulën fshatrave të Kosovës, prej të cilëve 23 mijë ushtarë, policë dhe rezervistë ishin nga Kraleva.[566] Elita e njësive tankiste spastroi fshat për fshat. Vetëm nga humanizmi i komandantit të çetës varej a do të kishte civilë të vrarë. Policia nuk kishte këtë ‘dilemë humanitare’[567] Pas gati tre muajsh të shfrenimeve, serbët u shndërruan në kriminelët më të mëdhenj të fundit të shekullit XX. Kur u kthyen këta ushtarë, të gjithë ishin me plot rrëfime dhe përjetime, prej të cilave kishte shumë pak heroizëm. Kryesisht ishin rrëfime për katunde shqiptare të djegura, kolona njerëzish që iknin, kufoma…”.[568] Miroslav Filipović-i i publikoi këto rrëfime duke qenë Milosević-i në pushtet. Edhe pse ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej. Nuk ishte bërë as një vit nga vrasja e Slavko Ćuruvia-s dhe kujtimi ishte ende i freskët! Ai u arrestua dhe u akuzua për “shpërndarje të gënjeshtrave dhe për spiunazh në favor të shteteve të Perëndimit”. Më 26 korrik 2000, në Gjykatën Ushtarake të Nishit[569], me procedurë të shpejtë dhe në seancë me dyer të mbyllura, Miroslav Filipović-i u dënua me 7 vjet burg. Prova e vetme në mbështetje të akuzës ishte deklarata e dërguar nga Komanda e Armatës së Tretë dhe nga Komanda e Korpusit të Prishtinës, nëpërmjet të së cilës ata pohonin se “asnjë pjesëtarë i tyre nuk kishte kryer krime në Kosovë”.[570] Institucione dhe personalitete politike të Serbisë dhe të shteteve perëndimore, intelektualë dhe gazetarë të ndryshëm shprehën indinjatën e tyre për këtë dënim. Një përmbledhje e reagimeve kundër këtij dënimi mund të shihet në shkrimin “Liri për Miroslav Filipović-in”.[571] Reagimet ndaj dënimit të Miroslav Filipović-it ishin të shumta, siç ishin edhe kërkesat për lirimin e tij. Nuk do të përmend të gjitha personalitetet që reaguan ose mediet, që i kushtuan një rëndësi të veçantë kësaj ngjarjeje. Në këtë shkrim po kufizohem vetëm në disa prononcime dhe në disa informata të publikuara në portalin elektronik “Le Courrier des Balkans”, themelues dhe udhëheqës i të cilit është Jean-Arnault Dérens. Ky portal i dha një publicitet të veçantë Apelit të Federatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Organizatës Botërore Kundër Torturës për lirimin e menjëhershëm të Miroslav Filipović-it[572], si dhe aktiviteteve të “Reporterëve pa kufi” për këtë çështje. Gjithashtu botoi tekstin integral,[573] për përmbajtjen e të cilit ishte dënuar Filipović-i. Me gjithë dëshmitë konkrete të oficerëve serbë për pasojat tragjike të aplikimit të planit “Patkoi” dhe publikimit të këtyre dëshmive edhe në portalin e tij, Jean-Arnauld Derens-i i vuri vetes për qëllim që të “informonte” lexuesin lidhur me vërtetësinë e këtij plani. Në veprën e tij “Kurthi i Kosovës”, të cituar më parë, ai pohoi të njëjtën gjë që kishin shkruar shumë vjet më parë autorët e lartpërmendur. Ai përsëriti se “plani i famshëm ‘Patkoi’, i përmendur nga përgjegjës të lartë të NATO-s, nuk ka ekzistuar asnjëherë, por, ka qenë një helmim[574] me informata tendencioze dhe të rrejshme nga propaganda e luftës së Aleancës Atlantike (….). Ky plan i rrejshëm, sipas të cilit gjoja parashihej dëbimi sistematik i shqiptarëve të Kosovës që në vitin 1998, për herë të parë u përmend nga ministri i Mbrojtjes Gjermane, Rudolf Scharping-u. Informata u mor pa asnjë dozë kritike nga shumica e medieve perëndimore. Për shembull gazeta ‘Le monde’ e bëri lajm të vetin kryesor. Më vonë u zbulua se ishte informatë që nuk mbështetej në asgjë dhe që tërësisht ishte montuar nga Shërbimi Sekret Bullgar, i angazhuar në kampin e NATO-s.”[575] Tetë vjet para se Jean-Arnault Derens-i të sillte “faktet” e tij se “plani i famshëm ‘Patkoi’ ishte trilluar nga propaganda e luftës së Aleancës Atlantike” portali i tij, “Le Courrier des Balkans”, kishte publikuar dëshmitë e oficerëve serbë, të mbledhura nga Miroslav Filipović-i. Në këto dëshmi gazetari serb tregonte pa asnjë ambiguitet se, siç e kam cekur edhe më lart, “ky plan përbëhej nga po aq patkonj të vegjël, sa kishte edhe fshatra shqiptare dhe se parashihej në detaje ekzekutimi i tij: (…) vendosja njerëzve të armatosur përreth vendbanimeve në formë të patkoit…, urdhri që brenda disa minutave t’i braktisnin shtëpitë e tyre, plaçkitja e njerëzve dhe asgjësimi i pronave, që nuk mund t’i plaçkitnin, vrasjet dhe keqtrajtimet e njerëzve… U publikua dëshmia e tmerrshme se “gjatë një operacioni të pastrimit etnik të një fshati në juglindje të Kosovës, fshatarëve iu dha afati prej një gjysmë ore që ta braktisnin fshatin. Fshatarët ishin rreshtuar në dalje të fshatit, kur një rezervist me pseudonimin ‘Crni’ iu afrua një burri të moshuar që mbante në krahët e tij një fëmijë 3 ose 4 vjeç. Ia shkuli fëmijën nga krahët dhe i kërkoi këtij burri haraç 20000 marka gjermane. Shqiptari kishte vetëm 5000 marka. ‘Crni’ ia ngjiti fëmijës për flokësh, nxori thikën dhe ia preu kokën. ‘5000 marka janë të mjaftueshme vetëm për trupin’, i tha ai dhe kaloi pranë fshatarë të tjerë duke e mbajtur kokën e fëmijës për flokësh. Më vonë ‘Crni’ u shpall i çmendur, u lirua nga shërbimi ushtarak dhe u kthye në shtëpi. Megjithëse ka bërë këtë krim të tmerrshëm, ai është ende i lirë të shëtisë rrugëve”[576]. Edhe pse kjo dëshmi u publikua edhe në “Le Courrier des Balkans”, Jean-Arnauld Derens-it tenton të “shpjegojë” se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës nuk ishte projekt politik i pushtetit serb, sepse “realizmi politik i Milošević-it ia pamundësonte ta imagjinonte Kosovën pa shqiptarë!”[577] Por, sipas këtij historiani francez, qëllimi i dëbimit të shqiptarëve “ishte ushtarak: ‘ta pastronin terrenin’, duke i dëbuar civilët, për të luftuar më lehtë kundër UÇK-së.”[578] Ky është konkluzioni që ai e integron në veprën e vet. Disa vite para se të publikoheshin “shpjegimet” e Jean-Arnauld Derens-it, propaganda e regjimit të Milošević-it kishte shpërndarë gënjeshtrën se gjoja në traditën e ushtrisë serbe “njerëzit e paarmatosur janë të shenjtë” dhe se gjoja ka pasur një “urdhër” që njësitë ushtarake dhe policore serbe të mos hapnin zjarr aty ku mund të rrezikohej jeta e qytetarëve![579] Në përputhje të plotë me këtë shtyllë propagandistike, lexuesi pati mundësi të shohë gënjeshtrën e Jean-Arnauld Derens-it në rastin e “masakrës së Reçakut”. Ai publikoi gënjeshtrën për gjoja “evakuimin e fshatarëve nga ky fshat nga ana e policisë serbe, për të qenë të lirë të luftonin kundër UÇK-së”. Dhe rrjedhimisht ky konkluzion shpërndante si të vërtetë atë që propaganda serbe dëshironte ta paraqiste si të tillë: “gjoja forcat serbe nuk kishin vrarë civilë shqiptarë, por mbrojtësit e Reçakut!” Gazetari serb, Miroslav Filipović-i, kishte marrë rrezikun që gjatë pushtetit despotik të Milošević-it ta denonconte publikisht planin “Patkoi” dhe të kërkonte dënimin e atyre që kishin kryer krime duke zbatuar operacionet e këtij plani në Kosovë. Për këtë denoncim ai u akuzua nga Gjykata Ushtarake dhe u dënua me 7 vjet burg. Jean-Arnauld Derens-i, që ka krijuar portalin për t’u solidarizua me gazetarët e Ballkanit, shpërndau si të vërteta diskurset propagandistike të pushtetarëve të Beogradit dhe rrjedhimisht u solidarizua me ata që e dënuan gazetarin serb si “spiun të Perëndimit”. U publikua edhe dëshmia e oficerit serb, Dražen-it, që deklaroi: “Kam parë me sytë e mi kur një rezervist i rreshtoi pranë një muri rreth 30 gra e fëmijë shqiptarë. Mendova se dëshironte thjesht t’i frikësonte. Por, ai u struk prapa një mitralozi kundërajror dhe e ngrehu çarkun. Plumbat 1.3 cm i copëtuan trupat. I ngjante skenës së një filmi të keq, por që ndodhi në realitet (…). Tanket moderne u përdorën për të masakruar fëmijët dhe njësitë ushtarake të Armatës Jugosllave vranë së paku 800 fëmijë të moshës nën 5 vjeç.”[580] Krahas dëshmive të Miroslav Filipović-it, u publikuan edhe dëshmitë e Ratomir Tanić-it, që pohoi publikisht se “Milošević-i dhe Šainović-i[581] vepronin në atë mënyrë që ‘lufta kundër terrorizmit’ të kthehej në luftë kundër fshatrave dhe civilëve shqiptarë dhe në këtë mënyrë të dëboheshin këta njerëz nga Kosova, t’u merreshin dokumentet e identitetit, t’i fshinim nga evidenca, që në rast se na imponohej t’i kthenim të dëbuarit, do të pohonim se janë shqiptarë nga Shqipëria.”[582] Fjala është për dëshmitë e një përfaqësuesi serb, që jo vetëm nuk është “i paanshëm”, por, përkundrazi, ai deklaron haptazi se ka “qëndrim tejet negativ ndaj shqiptarëve, sepse ata paraqesin problem të caktuar për interesat kombëtare të Serbisë.”[583] Edhe një përfaqësues i tillë nxjerr në shesh se strategjia e pushtetit të Beogradit ishte lufta kundër civilëve shqiptarë në funksion të realizimit të planit “Patkoi”. Me gjithë këto dëshmi të botuara në gjuhën frënge, disa vite më vonë, Jean-Arnauld Derens-i shkruan për gjoja “objektiva ushtarake’ serbe të ‘pastrimit të terrenin’ nga civilët, me qëllim që të luftojnë më lehtë kundër UÇK-së!” Këtu nuk mund të flitet për mungesë informatash, por për përcaktim të qartë në anën e atyre, që ende dëshirojnë t’i mbajnë të fshehura krimet e regjimit serb në Kosovë për të akuzuar “imperializmin amerikan” si shkaktar i tragjedive në këtë pjesë të Evropës. Vetëm disa muaj pasi u botua libri[584] i Serge Halimit dhe Dominique Vidal-it, edhe në shtypin francez u publikuan dëshmitë e oficerëve serbë lidhur me krimet e kryera gjatë operacionit “Patkoi”. Në intervistën për revistën “Syndikat”[585], në tetor të vitit 2000[586], Serge Halimi pati një mundësi të mirë që të rishikonte qëndrimet e tij dhe të pranonte se këndvështrimi ideologjik e kishte çuar në të kundërtën e asaj që pretendonte. Qasja e tij që t’i shihte informatat e botuara në media si të ishin dezinformata në funksion të manipulimit të opinionit publik e sollën në pozitë që t’i shpërndante dezinformatat serbe si të ishin fakte! Në vend që të pranonte publikisht se kishte gabuar, ai në këtë intervistë vërsulet kundër Laurent Jeffrin-it, drejtorit të redaksisë së gazetës “Le Nouvel Observateur”, që punën e medieve në raport me luftën e Kosovës e kishte cilësuar si “punë shembullore” dhe kundër Edwi Plenel-it, drejtorit të redaksisë të gazetës “Le Monde”, që kishte pohuar se “puna e tyre ka qenë e përkryer.”[587] Serge Halimi përpiqet t’i sqarojë lexuesit e gazetës “Syndikat” arsyet pse drejtuesit e gazetave të lartpërmendura “një vit pasi që kishin qenë të manipuluar, nuk mund të pohojnë se ndërkohë e kanë vërejtur që ishin të manipuluar dhe se informimi për të cilin kishin qenë përgjegjës, ishte propagandë e NATO-s.” Sipas Halimit, gazetarët që do të pranonin se kanë qenë të manipuluar, do të humbnin kredibilitetin e tyre. Pranimi i gabimit është i “rezervuar” vetëm për një kategori gazetarësh. “Mund të thuhet se ‘jemi mashtruar’, por nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë ata që pikërisht kur gabonin, afirmonin se ‘në këtë rast nuk jemi duke gabuar’”![588] Kjo pikëpamje e Serge Halimi-t nxjerr në shesh motivet personale të tij se për çfarë arsye ai nuk mund të pranojë se ka qenë i mashtruar nga propaganda serbe. Nëse në prezantimin mediatik të luftës së Kosovës ka mundur të mashtrohet, Srerge Halimi e pranon se një gjë e tillë i ka ndodhur në fillim: “Kur i shihja imazhet i thosha vetes se gjendja është shqetësuese dhe se ndoshta do të duhej të veprohej. Por, kjo nuk më zgjati shumë, sepse kisha një edukim politik dhe njohuri për SHBA-të që më mundësonin të mos besoja shumë në angazhimet humanitare të SHBA-ve.”[589] Megjithëse dëshmitë e oficerëve serbë nxorën në publik jo vetëm ekzistimin e planit të Serbisë për pastrimin etnik të Kosovës, por edhe realizimin e tij praktik me fshatra të rrethuar në formë “Patkoi”, urdhrin për braktisjen e vendbanimeve, plaçkitjen e pronave, vrasjen e civilëve etj., Serge Halimi dhe Dominique Vidal-i këmbëngulin se “plani ‘Patkoi’” nuk ka qenë i përpiluar nga serbët, por sajim i shërbimeve sekrete, për t’ua veshur serbëve “paramendimin e krimit!” Ai nuk mund të pranonte se kishte gabuar dhe se kishte qenë viktimë e manipulimit të propagandës së Milošević-it, sepse do ta kishte humbur “kredibilitetin e vet” në raport me ata që i kualifikonte “stalinistë, imbecilë…” dhe do të kishte rënë në kundërshtim me “edukim politik dhe njohuri që ai kishte për SHBA-të.” Megjithatë, të pranohet se është bërë gabim, edhe në rastin kur ky gabim valëvitej si fakt i përgënjeshtrimit të informatave të përhapur nga gazetarët “e manipuluar nga NATO-ja”, nuk e rrezikon kredibilitetin e gazetarit, sa e rrezikon vazhdimi i shpërndarjes së gënjeshtrës edhe pasi të jetë zbuluar e vërteta! Dëshmitë e oficerëve dhe të policëve serbë për trupa të masakruar, për koka të prera, madje edhe për llamba tavolinash me koka të prera shqiptarësh, nuk janë të mjaftueshme për Serge Halimi-n dhe Dominique Vidal-in. Ata vazhduan të përsëritnin në të gjitha ribotimet e veprës së tyre “Opinioni përpunohet…”, se në funksion të nxitjes së “emocioneve të opinionit publik në favor të sulmeve ajrore të NATO-s, Scharping-u i merrte për fakte rrëfimet e tmerrshme të viktimave (…) për vrasësit që luanin futboll me koka të prera, për copëtimin e kufomave (…).”[590] Nuk e di si do të reagojnë autorët në rast se del ndonjë dëshmitarë serbë që do të konfirmojë se është luajtur edhe futboll me koka të prera të shqiptarëve! Mendoj se nga frika për të mos e humbur “kredibilitetin e vet” do të vazhdojnë të ribotojnë të njëjtat gënjeshtra, si të ishin të vërteta. Në botimin e pestë të “Opinioni përpunohet…”, Halim-it dhe Vidal-it, i bashkëngjitet si bashkautor edhe Henri Maler-i.[591] Në këtë botim, sa i përket luftës së Kosovës, ata i shtuan pjesën e titulluar: “Post-Skriptum-2006: Prova me anë të budingut”. Autorët i referohen kuptimit të proverbit të njohur angleze “Prova se budingu ekziston, qëndron në ngrënien e tij”[592] për të përforcuar mendimin e tyre se “popujt e Ballkanit e shijojnë çdo ditë luftën e NATO-s dhe pasojat e saj!” Është pikërisht e kundërta: lufta e NATO-s krijoi kontekstin e ri historik, që t’i jepej fund politikës hegjemoniste të Serbisë, që la shijen më të hidhur dhe më të përgjakshme për popujt e asaj që quhej Republikë Federative e Jugosllavisë. Edhe pse faktet nxorën në shesh të kundërtën e asaj që kishin shkruar autorët e lartpërmendur, Serge Halimi dhe Dominique Vidal-i insistojnë se gjoja koha i vërtetoi pohimet e tyre! Në “Provën me anë të budingut”, pa pikë paturpësie, gënjejnë se gjoja “shtatë vjet pas operacioneve perëndimore” na qenka qartësuar se debatet që në atë periudhë mobilizuan opinionin perëndimor, paskëshin qenë të pavërteta. Në mesin e gjoja “gënjeshtrave të trilluara për ta fajësuar Serbinë”, edhe në këtë botim përsëritet rasti i planit “Patkoi”. Sipas tyre “është vërtetuar se ky plan paska qenë i farkuar nga shërbimet sekrete, për t’ua veshur udhëheqësve serbë se gjoja kanë kryer krim me paramendim! (…). Madje, edhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joshka Fischer-i, që me aq zhurmë e shfrytëzoi këtë gjatë luftës, preferonte të priste hapjen e arkivave jugosllave, para se të ishte i sigurt në prononcimin e tij. Arkivat në fjalë u hapën pas fitores së Vojislav Koštunica-s ndaj Slobodan Milošević-it, më 7 tetor 2000, por ish-lideri i të Gjelbërve heshti. Kjo heshtje nënkupton se arkivat nuk e kishin planin ‘Patkoi’”.[593] Pra, mungonte origjinali i planit! Përzgjedhja e proverbit angleze për shtesën e librit në vitin 2006 është domethënës. Por, nëse në vend të “Provës me anë të budingut” do të krijonim një metaforë të “provës me anë të patkoit”, atëherë do mjaftonin dëshmitë e oficerëve dhe të policëve serbë për të rikujtuar zjarrin e “farkëtarisë” së Beogradit, tymin e “Patkoit”, djersën dhe lotin, gjakun dhe dhembjen e shkaktuar nga “mbathja e patkoit” një populli që kishte trajtimin e kafshës. Edhe këta autorë e pranojnë se në Kosovë ka sunduar “për dhjetë vjet aparteidi antishqiptar,”[594] por kjo nuk është e mjaftueshme për Serge Halimi-n, Dominique Vidal-it dhe Henri Maler-in. Përmbajtja nuk ka rëndësi për ta. Ata dëshirojnë të shohin “ambalazhin e budingu”! Nëse nuk gjendet origjinali i letrës ku shkruhet në gjuhën serbe “Potkovica” dhe e nënshkruar nga Milošević-i, atëherë “përmbajta e patkoit” është e falsifikuar nga shërbimet sekrete për të manipuluar me emocionet e publikut! Dymbëdhjetë vjet pas publikimit të detajeve të zbatimit të planit serb të pastrimit etnik të Kosovës, “kriminologu” francez, Xavier Raufer-i, shkruan se “në prill të vitit 1999 (dy javë para fillimit të bombardimeve ajrore kundër Serbisë[595]) ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joschka Fischer-i, shpalli me pompozitet se ishte zbuluar plani sekret i Shtabit të Përgjithshëm Serb që synonte pastrimin etnik të Kosovës. Sipas këtij ministri, shqiptarët duhej të masakroheshin nga Armata Jugosllave dhe pastaj të dëboheshin drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë.”[596] “Të masakroheshin e pastaj të dëboheshin!” Formulim i pashembullt që vetëm një “kriminolog” mund ta “zbulojë!” Ai nuk ndalet me kaq! Deklaron me pompozitet se “falsifikimi lidhur me këtë plan ishte aq i madh sa edhe emri i përdorur për ‘patkoin’”, ishte fjala ‘potkova’, që nuk është fjalë serbe, por…kroate! Më vonë NATO-ja në mënyrë të turpshme deklaroi se nuk ishte në gjendje ta tregonte origjinën e historisë së “patkoit”.[597] Ky autorë që pretendon se “i di” edhe dallimet fonetike serbe dhe kroate të fjalës “patkua”, shkruan se ky plan qenka “shpallur me pompozitet nga ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joschka Fischer-i (!) dy javë para fillimit të bombardimeve ajrore kundër Serbisë (!), në muajin prill (!). Të gjithë ata që kanë hulumtuar sado pak këtë ngjarje e dinë se sulmet ajrore të NATO-s kundër aparateve represive serbe filluan më 24 mars 1999, pra një javë para muajit prill! Çdo studiues serioz do të kishte bërë përpjekje, që së paku, ta “vendoste” ngjarjen në kontekstin e tyre historik. Por, për Xavier Raufer-in kjo nuk ka rëndësi. Ajo që vlen, për të, kufizohet në shpalljen se “falsifikimi i këtij plani ishte në funksion të arsyetimit të luftës!” Katërmbëdhjetë vjet pas dëshmive të tmerrshme të publikuara nga Filipović-i dhe në kohën kur faqet e medieve serbe mbulohen me dëshmi rrëqethëse për krimet e kryera gjatë fushatës për pastrimin etnik të Kosovës, Pierre Péan-i përsërit informatat që i kishin cituar reciprokisht Serge Halimi, Dominique Vidal-i, Jürgen Elsässer-i, Regis Debray-ja, Jean-Arnault Dérens-i; Xavier Raufer-i dhe autorë që kontestonin vërtetësinë e planit “Patkoi”. Edhe ky autorë mbështet mendimin, se plani “‘Patkoi’ u trillua për të bindur opinionin publik se eksodi i shqiptarëve nuk filloi me sulmet e NATO-s, por ishte rezultat i politikës kriminale të Slobodan Milosević-it”. Pierre Péan-i e përsërit atë që autorët paraprak e kishin shkruar nga disa herë secili dhe tenton të bindë lexuesin se “ky plan nuk ka ekzistuar asnjëherë, se ‘Patkoi’ ishte farkuar nga gjermanët, që ishin bazuar në informatat e transmetuar nga Shërbimi Sekret Austriak, e ky i fundit i kishte siguruar këto informata nga burime të dyshimta të Shërbimit Sekret Bullgar!”[598] Ky autor nuk sjell asgjë të re pos përsëritjes së diskurseve të vjetra propagandistike në një kontekst të ri historik, që do ta trajtoj në kapitullin e ardhshëm.
EPILOGU I KAPITULLIT TË PESTË
“Pranverën e Bartolemeut kosovar 1999”
Tani kur edhe “zogjtë” e Milošević-it janë duke zbuluar “çerdhen” se ku janë bërë “vezët” për “budingun serb”, që duhej t’u shërbente si “provë atyre që e hëngrën” të ambalazhuar në uzinat e “Shtabit strategjik të Milošević-it”, një numër filozofësh, historianësh, sociologësh, kriminologësh, politikanësh e gazetarësh të një “edukimi politik” të caktuar vazhdojnë të rreshtohen në mbrojtjen e tezave të “fabrikuara” në këto “uzina”. Edhe pse intervenimi ushtarak i NATO-s u bë për të evituar katastrofën humanitare dhe pastrimin etnik të Kosovës, këndvështrimi ideologjik që dyshon në çdo veprim të amerikanëve i ka sjellë autorët e lartpërmendur në pozita të njëjta me propaganduesit e Milošević-it. Sado që ky krahasim t’i duket Serge Halimi-t si “stalinist ose imbecil”, realiteti është i tillë! Të gjithë autorëve, që në portalet e tyre publikuan lajmin për dënimin e Miroslav Filipović-it dhe që kërkonin lirimin e tij nga burgjet e diktatorit Slobodan Milošević e që vazhduan ta hanë dhe ta shpërndajnë “budingun” e prodhuar në kuzhinën e Beogradit, po u drejtohem me një pjesë të deklaratës së gazetarit serb pasi u lirua nga burgu. Analogjia është domethënëse! “Të gjithë kanë protestuar kundër burgosjes dhe kundër dënimit tim, por askush nuk tha se unë kisha të drejtë!” deklaroi Miroslav Filipović-i. “Nuk është në rregull që edhe më tutje të heshtet për krimet ndaj civilëve shqiptarë, që i kishin bërë pjesëtarët e forcave të armatosura dhe për të cilat përgjegjës janë funksionarët jugosllavë dhe serbë. Politikanët, gazetarët dhe shoqëria në tërësi nuk janë të gatshme të flasin për çështjen që si popull u kemi shkaktuar njerëzve të pafajshëm të popujve të tjerë, sidomos pjesës më të pambrojtur të popullsisë: fëmijëve dhe grave (…). Jo vetëm që kam plotësisht të drejtë, por ato ngjarje që i kam përshkruar në rrëfimet e mia, janë lodra fëmijësh në krahasim me atë që u kanë bërë djelmoshat tanë civilëve kosovarë. Gjatë kohës që isha në burg më shkruanin edhe priftërinjtë dhe murgjit që kishin shërbyer në Kosovë. Në ditarët e këtyre etërve përshkruhen, nga dita në ditë, mëkatet që bënin policët dhe ushtarët tanë. Ditarët e këtyre priftërinjve dhe murgjve janë plot me shqiptarë të vrarë, shqiptare të dhunuara, fëmijë të vdekur dhe të djegur (…). Politikanët tanë, as që i komentojnë këto ngjarje e lëre më t’i dënojnë (…). Qëllimi i operacionit ‘Patkoi’ është kriminal, sado që dikush mendon se ky operacion ishte i justifikueshëm dhe i duhur në planin kombëtar, ose ‘kombëtarisht i nevojshëm’. Ai ka qenë kombëtarisht i dobishëm dhe i nevojshëm sa edhe shfarosja e armenëve në Turqi, në fillim të shekullit”[599], vlerëson ky gazetar i pavarur serb lidhur me “Pranverën e Bartolemeut kosovar 1999”.[600]