image

Ejup BERISHA

Temperaturat shumë të larta e ekstreme që u shënuan dhe po shënohen këtyre ditëve në Ballkan kanë vështirësuar ndjeshëm mbarëvajtjen e jetës së përditshme normale të njerëzve që jetojnë në këto troje. Kjo është e arsyeshme pasi që ç’do gjë ekstreme gjithmonë shkakton frikë e panik në mesin e njerëzve. Në këto rrethana dikush do të ketë menduar ta gjej fajtorin për këtë situatë meteorologjike që po mbretëron tek ne e më gjerë në rajon. E di se politikanët fajtorin për këtë do ta kërkonin në mesin e forcave politike kundërshtare. Opozita te garniturat qeveritare dhe anasjelltas. Ekologjistët fajtorin do ta gjenin te pakujdesia e subjekteve të pandërgjegjshme afariste dhe fizike të cilat me disa veprime të pamatura nuk mbajnë llogari për ruajtjen e mjedisit dhe ambientit jetësor. Njerëzit e fesë do të thonin se kjo është punë e zotit këtu nuk kemi çka diskutojmë pasi që kur dhe çka do i madhi zot ajo edhe do të ndodh. Ndryshimet intensive klimaterike tek ne kanë filluar një kohë të gjatë dhe ajo çka është më interesante nëse vazhdon edhe më tutje një fenomen  i tillë njerëzit këtu do të fillojnë të nxihen dhe tu ngjajnë njerëzve të Afrikës apo disa vendeve Arabe ku mbretërojnë temperatura ekstreme. Bile do të ndodh edhe kjo ngjashëm sikurse disa individ nga këto troje që dikur talleshin kur shihnin ndonjë njeri të zi afrikan apo arab tash do të ndodh e kundërta ata do të fillojnë të tallen e qeshin me ne, pasi që tani e tutje ne do të marrim pamjen e tyre. Prandaj jo së koti njerëzit thonë se kush qesh e përqesh ai edhe vet e mbathë. Pra tash si vende të një rajoni ku po mbisundojnë temperatura ekstreme apo klimë afrikane një anëtarësim do ta kemi të sigurt në Unionin e vendeve Afrikane. Ndërsa për anëtarësim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike si duket do të duhet të presim edhe pak. Ne në Maqedoni për shkak të kontestit që e ka Greqia me emrin kushtetues të shtetit tonë.

Republika e Shqipërisë për shkak të gjendjes së brishtë politike të cilën e kanë shkaktuar vet subjektet kryesore politike atje. Kosova për shkak të problemeve që po ja shkakton Beogradi rreth kontestimit të shpalljes së pavarësisë por edhe për shkak se në këtë rrugë asaj i qëndrojnë disa sfida siç  janë testimi i efikasitetit në funksionimin e institucioneve të reja shtetërore, thellimi i proceseve liberal demokratike,zbatimi i ligjeve, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut,ngritja dhe stabilizimi i ekonomisë së shkatërruar gjatë 9 viteve të okupimit nga ana e regjimit të atëhershëm serb etj. Disa prej tyre duhet ti plotësojnë edhe disa shtete të rajonit që janë më të avancuara në proceset integruese evropiane. E di se temperaturat e larta prezente në rajonin e tonë do të ndikojnë në mënyrë destimuluese por kushtet kryesore të parashtruara nga Komisioni Evropian duhet plotësuar domosdo në mënyrë që një dit edhe shtetet e rajonit të Ballkanit të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

 Çka duhet bërë në mënyrë më të përshpejtuar dhe të  pashmangshme të gjitha këto vende për ta arritur realizimin e qëllimeve strategjike të tyre anëtarësimin sa më shpejtë në Bashkimin Evropian. Pikë së pari sa më shpejtë dhe pa hamendje duhet ti thellojnë proceset Liberal-Demokratike. Pasi që ta arrijnë një stad më të avancuar në këtë sferë atëherë me një mund më të vogël do të mund ta arrinin përmbushjen e kushteve për tu bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Kështu që shtetet apo shoqëritë të cilat e respektojnë vullnetin e zgjedhësve më konkretisht vullnetin e qytetarëve të tyre pra që u mundësojnë atyre lirshëm dhe pa imponime ti zgjedhin përfaqësuesit e tyre të cilët ata mendojnë se të njëjtit e meritojnë një gjë të tillë duke i pasur parasysh faktet se janë njerëz të ndershëm të moralshëm, të aftë e të vyeshëm në instanca të ndryshme të pushtetit ato shtete dhe shoqëri pa ndonjë hamendje do ti qasen edhe përmbushjes së kritereve të kërkuara për integrim, Ato shoqëri a shtete të cilat do ta mundësojnë institutin e konkurrimit të mirëfilltë dhe kontestimit politik por jo vetëm sa për sy e faqe vetëm sa për të aktruar para opinionit ndërkombëtar se ja i mundësojnë këto gjëra ato subjekte do të kenë privilegjin të inkuadrohen ne BE, Ato subjekte shtetërore të cilat i respektojnë dhe i avancojnë me përpikëri të drejtat e dhe liritë e njeriut duke filluar prej atyre elementare deri te ato plotësueset të njëjtat më lehtë do ti eliminojnë pengesat procedurale për anëtarësim në BE.

 Kjo mund të arrihet lehtë meqë vullneti dhe disponimi i shumicës së qytetarëve të vendeve të Ballkanit janë në nivel shumë të lartë ndërsa me vullnet të mirë e me disponim pozitiv njerëzit mund të ngjiten edhe në majat më të larta e më ekstreme e lere më të bëhen pjesë e një shoqërie të lirë e demokratike të njohur si Bashkim Evropian. Por për tu arritur kjo duhet punë ngjashëm siç ka thënë i madhi Naim Frashëri “Punë, punë natë e ditë që të shohim pakës drite”, e që në rastin e anëtarësimit do të tingëllonte kështu “Punë, punë natë e ditë që të anëtarësohemi sa më shpejtë në BE për të parë më tepër përparim e dritë”.Vendeve të Ballkanit u qëndron edhe një sfidë për anëtarësim ajo është mos rrumbullakimi i procesit të tranziconit që po zgjat gati dy dekada. Duke e pasur këtë situatë parasysh atyre  kam ndërmend t’ua jap epitetin e minibusëve të njohur Ford Tranzit. Me një dallim esencial  pasi që këta minibus falë performancave të larta teknike e teknologjike ditë për dit hynë e dalin nga vendet e Bashkimit Evropian ndërsa shtetet e Ballkanit nëse nuk i përmbushin kushtet e nevojshme dhe nuk e përfundojnë tranzicionin, disi do të mbërrijnë para dyerve të BE-së por nuk do të mund të hyjnë atje sepse motorët e tyre nuk do ti plotësojnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.