Bardhyl Mahmuti-Kush ishte ilegal në territoret shqiptare nën Jugosllavi? Grupet, organizatat dhe lëvizjet që angazhoheshin për çlirim kombëtar, apo ata që pushtuan territoret tona dhe që përpiqeshin të zbatonin ligjet e tyre në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar?

Në pjesën e parë të shkrimit theksova se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi. Gjithashtu përmenda se në raport me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe ua ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme.

Bardhyl Mahmuti në krye të demostratave të vitit 1981

Në kohën kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkanin Perëndimor Lidhja Shqiptare e Prizrenit hidhte poshtë si të paligjshëm çdo vendim që nuk përfillte vullnetin e popullit shqiptar të ndarë në katër njësi administrative (vilajete) të Perandorisë Osmane për të jetuar në një shtet të pavarur.

Me pushkë në dorë u kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit për të ndarë Kosovën dhe pjesë tjera të viseve shqiptare nga Shqipëria me qëllim që të kënaqnin aspiratat grabitqare të fqinjëve tanë.

Pa u zgjatur në detaje rreth atyre ngjarjeve po theksoj vetëm faktin se mijëra luftëtarë shqiptarë u vranë në periudhën 1878-1881, sepse kundërshtonin si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve tona.

Në përputhje të plotë me frymën e programit dhe qëndrimeve politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të gjitha format e organizimeve të mëvonshme politike shqiptare e kanë konsideruar si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve shqiptare dhe okupimin e tyre nga shtetet fqinje të Shqipërisë.

Për periudhën që shkon prej kohës së okupimit të territoreve shqiptare nga Serbia e deri në Luftën e Dytë Botërore po citoj historianin britanik Noel Malcom. Në veprën e tij të titulluar “Kosova, një histori e shkurtër” ai thotë: “E vërteta – sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.275). Për këtë arsye, “nëse një shtet kishte okupuar ilegalisht ndonjë pjesë të një vendi tjetër kur i është bashkuar Lidhjes (së Kombeve), atëherë asnjë shtet tjetër nuk do të ishte i obliguar për ta mbrojtur atë okupim ilegjitim” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.276).

Kur kemi të bëjmë me ilegalitetin e aneksimit të territoreve shqiptare Jugosllavisë, vlen të theksohet se edhe vetë Partia Komuniste e Jugosllavisë në disa vendime të miratuara në kongreset e saja para Luftës së Dytë Botërore kishte ardhur te konkluzioni se shqiptarëve u ishte bërë padrejtësi e madhe. Po rikujtoj se në përputhje me qëndrimet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për respektimin e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit mbajti Konferencën e saj në Bujan, në të cilën delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë të Kosovës miratuan në mënyrë unanime rezolutën përmes të cilës përcaktohej qartë se pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë, në përputhje me vullnetin politik të popullit të saj.

Miratimi i Rezolutës së Bujanit për bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë kishte edhe karakter ndërkombëtar, për faktin se në këtë mbledhje merrte pjesë Majori Baili, përfaqësues i Misionit Anglez që përfaqësonte Aleancën Antifashiste.

Dihet se në vend të respektimit të së drejtës së popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, komunistët jugosllavë, në mënyrë të jashtëligjshme (ilegale), imponuan administrimin ushtarak në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit.

Ky administrim vazhdoi deri në të ashtuquajturin “Kuvend i Prizrenit”, ku 137 “delegatë” të emëruar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, prej të cilëve vetëm 32 persona ishin shqiptarë, vendosën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkëngjiten Serbisë.
Përmes kësaj mbledhjeje në “Kuvendin e Prizrenit”, komunistët jugosllavë përpiqen të legjitimojnë ripushtimin e territoreve tona.

Nga cili do këndvështrim i të drejtës që të shihen vendimet e kësaj mbledhjeje del qartë se vendimet e saj ishin VENDIME ILEGALE, për arsye se ishin në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të shprehur për bashkim me Shqipërinë.

Të gjitha grupet, organizatat dhe lëvizjet politike shqiptare në territoret që mbetën nën Jugosllavi, që u themeluan pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike pushtetin jugosllav dhe instalimin e këtij pushteti në territoret tona e kanë cilësuar si ripushtim. Pra nga këndvështrimi i të drejtës së kombeve për vetëvendosje, e drejtë që qëndron në themelet e të drejtës ndërkombëtare, pushteti jugosllav në territoret shqiptare ishte PUSHTET ILEGAL. Dhe rrjedhimisht ligjet e këtij shteti kanë pasur karakter ILEGAL/TË PALIGJSHME.

Asnjë grup, asnjë organizatë dhe asnjë lëvizje asnjëherë nuk ka kërkuar leje nga pushteti jugosllav që të themeloheshin për realizimin e të drejtave tona kombëtare, por janë krijuar dhe kanë vepruar me qëllim të vetëm çlirimin e territoreve me shumicë shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Që nga korriku i vitit 1945, kur gjatë administrimit ushtarak të viseve shqiptare u mbajt i ashtuquajturi “Kuvend i Prizrenit”, komunistët jugosllavë trumbetonin pandërprerë se gjoja “bashkimi me Serbinë ishte bërë me vullnetin e popullit shqiptar”! Kjo propagandë kishte vetëm një qëllim: t’i jepej legaliteti pushtetit ilegal që nuk respektoi vullnetin e shprehur në Konferencën e Bujanit.

Përveç individëve që ishin të integruar në strukturat e pushtetit të serbëve, të maqedonasve dhe të malazezëve dhe që trumbetonin se gjoja shqiptarët kishin vendosur të mos bashkoheshin me Shqipërinë, por të jetonin të copëtuar në mes tri republikave sllave, asnjë shqiptar nuk mund ta konsideronte të ligjshëm pushtetin e instaluar me dhunë nga komunistët jugosllavë. Përkundrazi, ky pushtet ishte PUSHTET ILEGAL në raport me vullnetin e popullit tonë, dhe vetëm si i tillë mund të cilësohej nga grupet, nga organizatat dhe nga lëvizjet politike shqiptare.

Disa reagime lidhur me shkrimin tim më imponojnë të ndalem në sqarimin edhe të termit “klandestin”. Edhe pse kohët e fundit një numër gazetarësh përdorin këtë term për të emëruar emigrantët që hyjnë fshehurazi në një shtet të caktuar, kjo fjalë është me origjinë nga fjala latine “clandestinus” që do të thotë “i fshehtë” dhe që nuk ka asnjë lidhje as me çështjet e autoktonisë e as me ardhacakët në një vend të caktuar.

Kur bëhet fjalë për format e fshehta të veprimtarisë së grupeve, të organizatave dhe të lëvizjeve politike shqiptare në Jugosllavinë e dikurshme veçohen futja dhe shpërndarja e literaturës së ndaluar, shtypja dhe shpërndarja e gazetave të tyre, shtypja dhe shpërndarja e trakteve e komunikatave dhe aktivitete të kësaj natyre… Megjithatë nuk duhet të harrohet se krahas veprimtarisë së fshehtë të kontestimit të legalitetit të pushtetit jugosllav, grupet, organizatat dhe lëvizje politike shqiptare, në kontekste të caktuara historike, kanë zbatuar edhe forma të veprimtarisë së hapët të kontestimit të legalitetit të këtij pushteti. Si shembull do të përmend demonstratat e vitit 1968, ato të vitit1981 dhe protestave të viteve në vijim, demonstratat e vitit 1988, greva e përgjithshme e minatorëve të Trepçës dhe demonstratat e vitit 1989 kundër “Kushtetutës së Tankeve”, demonstrata e 1 Tetorit 1997 etj. që janë vetëm disa shembuj të kontestimit në mënyrë të hapur të legalitetit të pushtetit jugosllav.

Qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në demonstratat të cilat botërisht e bënë të njohur se për shqiptarët pushteti jugosllav është pushtet ilegal dhe se nuk gëzonte asnjë legjitimitet.

Dhe lufta kundër pushtetit ilegal jugosllav mbi trojet tona arriti kulmin e vet në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit.

Edhe pse Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi na kanë konsideruar si “ilegal”, ne kemi qenë legal (të ligjshëm) në përputhje me vullnetin e popullit tonë.

Serbia vazhdimisht i ka konsideruar si “ilegale” të gjitha format e organizimeve politike që kanë kontestuar legjitimitetin e saj në Kosovë. Edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon të trajtojë vendimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës si “vendim të njëanshëm dhe ilegal”, edhe pse legalitetin e këtij vendimi e legjitimoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Prandaj, nëse të kaluarën dikush ka përdorur gabimisht termin “ilegal” për grupet, për organizatat dhe për lëvizjet që kanë pasur për qëllim çlirimin e trojeve tona nga pushtuesit jugosllavë, tani është koha që të harmonizohet terminologjia dhe për këto struktura politike të përdoret mbiemri cilësor “çlirimtar”, sepse është term më adekuat me qëllimet që kanë pasur grupet, organizatat dhe lëvizjet që nga ripushtimi i trojeve tona nga komunistët jugosllavë. Legaliteti i këtyre grupeve, organizatave dhe lëvizjeve buron nga e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje.

Është bërë e zakonshme që në përvjetorët e ngjarjeve të vitit 1981 të theksohet roli i “organizatave patriotike ilegale”. Madje, me një nostalgji të veçantë përdoren termet “ilegalisht”, “ilegalja”, “ilegaliteti” dhe nocione tjera që rrjedhin nga fjala “ilegal”.

Përmasat që ka marrë përdorimi i këtij termi imponon hapjen e debatit që një herë e përgjithmonë të ketë një qartësi se çka mbulojnë këto terme në aspektin kuptimor.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është polemik, për këtë arsye nuk do të citoj asnjë autor që përdor apo arsyeton përdorimin e këtij termi. Nëse e shoh të nevojshme në të ardhmen mund të përdoren edhe emrat e përveçëm.

Në fillim po përmend arsyetimin e mbështetësve të përdorimit të këtij termi me atë se “termi ‘ilegal’ është ngulitur në fjalorin e ligjërimit të zakonshëm dhe atë shkencor, studiues, e cila kuptohet si formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav”.

Përdorimi nga një numër i madh i njerëzve i një termi për një dukuri të caktuar nuk e arsyeton përdorimin e tij, nëse ky term është i gabueshëm. Madje, edhe në rastin kur të gjithë njerëzit e një shoqërie të caktuar përdorin një arsyetim të caktuar për një çështje kjo nuk ja shton saktësinë.

Është i njohur “shembulli i baticës”. Për mijëra vite shoqëritë njerëzore që kanë jetuar përgjatë brigjeve të detit janë munduar ta shpjegojnë fenomenin e baticës. Është interesant se shumica e popujve që na kanë lënë botëkuptimet e tyre rreth kësaj çështjeje dëshmojnë për një qasje pak a shumë të ngjashme: janë munduar të gjejnë shkakun e baticave në thellësi të detit. Për t’i forcuar bindjet e tyre, kanë imagjinuar perënditë e detit të cilët kur zemëroheshin me sjelljen e njerëzve (e zemërimin e kishin ciklik!) provokonin baticën e detit! Kishin mundur të vazhdojnë hulumtimin e tyre në det edhe për mijëra vjet të tjera dhe me tërë teknikën që posedon aktualisht njerëzimi nuk do të gjenin të vërtetën në fund të detit. Këndvështrimi ishte i gabuar! U dashtë të ndryshohet këndvështrimi dhe të shihej ndikimi i hënës në tokë për shpjeguar shkencërisht fenomenin e baticës. Mund të ketë ende njerëz që besojnë se perënditë e detit krijojnë baticën dhe nuk ngurrojnë të bëjnë sakrifica për të zbutur zemërimin e perëndive, me arsyetim se kështu kanë besuar të parët e tyre.

Prandaj, përdorimi i gjerë që ka termi “ilegal” si “formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav” nuk ja shton saktësinë këtij termi.

Ajo që është thelbësore për problematikën e mësipërme ka të bëj me faktin se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi. 
Kur kemi të bëjmë me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe u ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme. I njëjti qëndrim ka qenë edhe në rastin kur Jugosllavia komuniste nuk e zbatoi vullnetin e popullit të Kosovës që të bashkohet me Shqipërinë dhe shkeli vendimet e Rezolutës së Bujanit ku delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë, pjesëmarrës të kësaj Konference, ishin përcaktuar qartë në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Prandaj, pushteti komunist jugosllav në territoret shqiptare ishte ilegal, edhe pse vepronte haptas. Ndërsa, të gjitha veprimet e kryera kundër këtij pushteti, qoftë haptas, qoftë fshehtas, ishin veprime të ligjshme në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje, që ishte një nga parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe konsiderohet vlerë universale.

Nëse çështjen e “legalitetit/ilegalitetit” e shohim në raport me lëvizjet nacionalçlirimtare në botë do të bindemi për qasjen e gabueshme që është instaluar në terminologjinë që përdoret për Lëvizjen Kombëtare të shqiptarëve që kanë vepruar kundër pushtetit ilegal të Jugosllavisë në territoreve tonë.

Duke u nisur nga fakti se “legalitetit/ilegalitetit” shndërrohen në objekt të luftës në mes palës që ka pushtuar territorin e caktuar dhe atyre që angazhohen për ta çliruar nga okupatori, termi “ilegal” shndërrohet në fjalën thelbësore që i ndan dy kampet.

Përderisa të gjitha organizatat dhe lëvizjet nacionalçlirimtare anë e kënd botës okupimin e territorit të tyre dhe mosrespektimin e të drejtës për vetëvendosje e konsiderojnë “ilegal” dhe pushtetin që nuk ka respektuar vullnetin e popullit e cilësojnë si “pushtet ilegale në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, pushteti i instaluar përpiqet t’i njollosë lëvizjet dhe organizatat çlirimtare si të ishin struktura “ilegale”, për arsye se nuk respektojnë ligjet dhe rendin e vendosur nga ai.

Një nga orientimet politike të lëvizjeve apo të organizatave çlirimtare në botë është këmbëngulja e tyre që të fitojnë legalitetin në shkallën ndërkombëtare dhe ta prezantojnë pushtetin si pushtet ilegal.

Falë vendosmërisë së tyre të madhe lëvizjet nacionalçlirimtare në botë fituan legalitetin ndërkombëtare edhe përmes të drejtës ndërkombëtare. Në pikën 2 të rezolutës 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të datës 14 dhjetor 1960 thuhet qartë se “të gjithë popujt kanë të drejtë që lirshëm të vetëvendosin; në përputhje me këtë të drejtë ata përcaktojnë lirshëm statusin e tyre politik dhe ndjekin në mënyrë të lirë zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”.

Mjafton të lexohen programet, kartat, kushtetutat apo statutet e këtyre organizatave dhe lëvizjeve çlirimtare për t’u bindur se askund nuk mund të gjejmë identifikimin e tyre si “organizata ilegale” ose “lëvizje ilegale”. Përkundrazi, si “ilegal” përkufizohen veprimet e palës tjetër, ligjet e palës tjetër, prezencën politike, ushtarake dhe policore të palës tjetër.

Vetëm ne bëjmë përjashtim! Identifikojmë veten si “ilegalë” dhe organizatën (lëvizjen) tonë çlirimtare e cilësojmë si “ilegale”. Mosnjohja e përmbajtjes adekuate të këtij termi ka bërë që në disa raste përdorimin e këtij termi për veten tonë ta bëjmë me mburrje!
Ta përkufizosh veten si “ilegal” në raport me Jugosllavinë në tërësi, ose me Serbinë, me Maqedoninë apo me Malin e Zi veç e veç, është gabimi më i madh që mund të bëjmë, sepse u japim “legalitetin” pushtimit të territoreve tona dhe mosrespektimit të të drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar.

As ndikimi që ka pasur një film i realizuar në Shqipëri në vitin 1976, i titulluar “Ilegalët”, që trajtonte veprimtarinë antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, as mbështetja në definicionet e cilitdo fjalor nuk i jep saktësi përdorimit të gabueshëm të termit “ilegal” në raport me ne dhe organizatat (lëvizjet) që kishin për qëllim çlirimin kombëtar nga Jugosllavia.

Nëse kemi parasysh se në rrafshin e politikës ndërkombëtare cilësimi i një organizate si “organizatë ilegale” ka konotacion tejet negativ, për arsyes se në këtë kategori futen organizatat që merren me trafikim të drogës, të armëve, të njerëzve, të organeve njerëzore etj. duhet të ndërpritet përdorimi i gabueshëm i këtij termi. Në të kundërtën i bëjmë shërbim, në mënyrë të pavetëdijshme, propagandës antishqiptare.

Dje 08.03.19 Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar aktgjykimin për rastin e Prokurorisë Speciale “Titanik 2”, e cila ka të bëjë me parregullsi zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Sipas vendimit të gjykatës Menduh Thaçi u dënua me 3 vjet e dy muaj burg, Sasho Mijallkov me 3 vjet, Bedredin Ibraimi me 4 vjet e gjashtë muaj, Vllatko Sajkoski me 3 vjet, Sasho Srcev me 3 vjet dhe Aneta Stefanovska me 3 vjet.

Gjykatësi tha se të akuzuarit kanë të drejtë ankese në afat të paraparë me ligj.

Në rastin “Titanik 2” të PSP-së të akuzuar kanë qenë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov si dhe ish-anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.

Rasti është udhëhequr nga gjykatësi Ognen Stavrev.

Sipas aktak.uzës së PSP-së, Mijallkov si drejtor i DSK-së dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-së e ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe përmes Menduh Thaçit ka dakorduar të miratohen ankesat për rivotimin në tre vendvotime në Strumicë në zgjedhjet lokale 2013.

Në kthim të kësaj anëtarët e KSHZ-së nga radhët e VMRO-së duhej të votonin për ankesat e PDSH-së në Çair./Telegrafi/

Përveç ankesave që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i shprehu në takimin me nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, ai, në një fjalim para rreth 6000 qytetarëve në Mitrovicë të Sremit të Vojvodinës volli vrer kundër miratimit të Platformës për dialog të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Mediat në gjuhën shqipe raportuan për fyerjet që presidenti i Serbisë u adresoi politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe atyre të BE-së. Megjithatë, revolta e Aleksandar Vuçiçit lidhur me platformën që miratoi Kuvendi i Kosovës del hapur në fjalimin e tij të mbajtur në Mitrovicë të Sremit.

E shoh me interes që lexuesi shqiptar të njoftohet më gjerësisht rreth këtij fjalimi. Për këtë arsye kam bërë përkthimin e pjesëve që më janë dukur më domethënës dhe që nxjerrin në shesh se ku i djeg Serbisë!

Ndër të tjera ë këtë fjalim Presidenti i Serbisë AleksandarVuçiq thotë:

“Të dashur miq. Dje ka ndodhur diçka e rëndë; shqiptarët kanë sjellë platformë! Ju lus që të dëgjoni se çka shkruhet në atë platformë. Kanë sjellë Platformë… Kam menduar se pafytyrësia ka kufij, por dje kam kuptuar se pafytyrësia nuk ka fund!

Në atë platformë kanë shkruar se ne duhet të njohim pavarësinë e tyre, ta njohim menjëherë! Madje as kjo nuk u mjafton! Ta njohim në kufijtë e sotëm të Kosovës që ata të mund të na njohin një ditë dhe të na i falin një ditë të gjitha mëkatet. Ky është vetëm parakusht, që ne të tregojmë shenja besueshmërie që ata të kenë më shumë besim te ne, që të mund ta pranojnë Serbinë! Paramendoni veprojnë sikur ne të mos ishim shtet dhe sikur na ka mbetur që ata të na njohin!Dhe për këtë arsye flasin për njohje reciproke. Sikur të mos ishte  e pikëlluese do të kishte qenë qesharake. Kjo i bie sikur ne presim që ata të na njohin neve, që na njeh krejt bota, neve që jemi themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Na flasin se si është mirë që të ketë njohje reciproke!

Dhe kjo është cikërrimë në krahasim me atë që vijon.

Ata thonë se Serbia duhet të përgjigjet për krimet seksuale të kryera ndaj shqiptareve! Pastaj thonë se Serbia dhe serbët duhet të përgjigjen për të gjitha krimet tjera që janë kryer ndaj shqiptarëve, dhe ne me të gjithë këto kërkesa duhet vullnetarisht të pajtohemi! Të krijohet një gjykatë e veçantë  për krimet që kanë kryer serbët. Edhe kjo nuk është e mjaftueshme! O njerëz, do të duhet t’u paguajmë dëmshpërblimet e luftës, ndoshta për arsye se kanë bërëndarjen e dhunshme të një pjese të territorit tonë përmes agresionit që ka kryer Pakti NATO; ndoshta për këtë do të duhet t’u paguajmë dëmshpërblime lufte.Dhe e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme! Do të duhet të plotësojmë edhe pesë kushte të tjera që ata, të “mëdhenjtë e kësaj bote”, jo ta harrojnë, por të na e falin, dhe ata të na njohin në një moment të caktuar! Dhe kur i shihni të gjitha këto ju e kuptoni se shqiptarët kanë sjellë vendim që të mos ketë dialog! Kanë sjellë vendim që të mos ketë kurrfarë bisedimesh! Dëshira e tyre është ta ulin sa më pushtë Serbinë!

Kemi dashur kompromisin dhe gjithmonë e kemi kërkuar. Edhe sot themi se dëshirojmë kompromis, por për atë që të shkatërroni Serbinë, ta asgjësoni Serbinë, ta shkelni Serbinë nuk do të mundni as ju, siç nuk kanë mundur edhe shumë më të fortë se ata të Prishtinës që janë përpjekur në qindra vjet para tyre…Po u them se nuk ka më “Oluja”! Nuk ka më “Blesak”! (Këtu aludohet në ofensivat kroate që çliruan përfundimisht çdo pjesë të Kroacisë që mbahej nën okupimin serb). Dhe e di mirë se çka ju them kur shqiptoj këto fjalë! Dhe ju bëni llogaritë mirë! Bëni llogarit mirë dhe përpiquni të luani! Ne nuk do ta ngucim askënd! Asnjëherë nuk do të provokojmë asnjë konflikt! Por do të kërkojmë paqe dhe do të kërkojmë bisedime! Ndërsa ju kur të hiqni platformën tuaj dhe kur do të hiqni taksat e juaja, atëherë mirë se vini në bisedime, pa marrë parasysh se çfarë rrenacakësh jeni!”

Mendoj se ky fjalim e nxjerr sheshit pse Serbia nuk është e gatshme të hapë një kapitull të ri në raport me shqiptarët në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti!

Për të interesuarit që të dëgjojnë fjalimin në tërësi:

https://informer.rs/vesti/politika/424334/foto-video-vucic-razvalio-siptare-bando-pristinska-sada-uzmite-papire-sikter-srbija-vam-zahteve-nikada-ispuniti-nece?fbclid=IwAR0xoD4JGSjOljB28Z3OoMhjiKVlUCjIeZyAdQDvjDoPPvmti9CLliGGQ3Y#.XIKcK4UTpuc.facebook

Shënjestra e amerikanëve për të dërguar pas hekurave pushtetarët e korruptuar, duket se po kthehet drejt Tiranës. SPAK po ngrihet dhe sinjalet janë të qarta se do ketë hetime në radhët e pushtetarëve të lartë. Ajo që po e dëshmon fare qartë një gjë të tillë është Maqedonia. Aty ra pushteti i korruptuar i Gruevskit dhe tani po shkojnë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e përfshirë në afera. Ditën e djeshme janë dënuar me burg një sërë zyrtarësh tepër të lartë, mes të cilëve dhe kreu i PDSH, Menduh Thaçi.

Bëhet fjalë për dosjen e famshme “Titanik 2”, e cila ka të bëjë me afera korrupsioni dhe manipulim të zgjedhjeve. Dje Gjykata e Shkupit vendosi dënim me tri vite burg për ish-shefin e policisë sekrete DSK, Sasho Mijalkov. Ndërsa kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi u dënua me tre vite e dy muaj burg. Ish-anëtarit të Komisionit të Zgjedhjeve, Bedredin Ibraimi, i është dhënë dënimi me katër vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa anëtarët Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski dhe Sasho Scev u dënuan me nga tre vjet bur.gim.

Përveç tyre janë dhe mbi 90 zyrtarë të tjerë në Maqedoni që po hetohen për afera të ndryshme. Interesant është fakti se pas arratisjes së Gruevskit, kishte sinjale se dhe emrat e mësipërm mund të bënin të njëjtën gjë dhe janë vënë në vëzhgim, veçanërisht Sasho Mijalkov. Ai është kushëri i parë i Gruevskit dhe kanë qenë amerikanët që e mbanin në vëzhgim.

Rreziku shqiptar

Arrestimet në Maqedoni kanë shpërthyer prej gati më shumë se një viti dhe kjo po bëhet falë Prokurorisë Speciale që është ngritur atje. Pas gjithçkaje fshihen amerikanët, të cilët kanë vendosur të ndëshkojnë gjithë shpurën e Gruevskit. Kjo tregon se e njëjta gjë do të ndodhë dhe në vendin tonë. Sapo Prokuroria Speciale të marrë jetë, do ketë reprezalje në nivele ish-ministrash, deputetësh e ish-deputetësh. Dyshimet janë se pikërisht një shembull i tillë e ka alarmuar dhe opozitën shqiptare.

Berisha, Basha e Kryemadhi e kanë parë se çfarë ka ndodhur në Maqedoni, Rumani e Kroaci dhe duket se po luajnë kartën e fundit për të mos e lejuar një gjë të tillë të vijë dhe në vendin tonë. Të njëjtën gjë bëri dhe Nikola Gruevski pasi ra nga pushteti. Të gjithë e mbajnë mend sesi i ngriti njerëzit në protestë dhe sulmoi institucionet. Madje njerëzit e tij u futën në Parlament dhe sulmuan fizikisht deputetët. Pra duket se kemi të njëjtët skenarë që po përdor dhe sot opozita shqiptare. Gruevski e dinte se po afronte fundi dhe tentoi të destabilizonte Maqedoninë me shpresën se do i shpëtonte ndëshkimit.

Jo vetëm që u dënua, por u arratis nga frika. Po ashtu, janë arrestuar disa ish-ministra dhe shumë funksionarë të tjerë. Duket se dhe opozita shqiptare e di fare mirë se vala e arrestimeve të tilla do vijë në vendin tonë. Nëse shihet retorika e ndërkombëtarëve që kanë ardhur në vendin tonë, të gjithë e kanë vënë theksin te reforma në drejtësi e lufta ndaj korrupsionit. Të gjithë kanë kërkuar të mos ketë asnjë pengesë.

Në Maqedoni të gjitha arrestimet janë udhëhequr nga amerikanët dhe e njëjta gjë do të ndodhë dhe në vendin tonë. Një tjetër ngjashmëri është se dhe në Maqedoni ishte Moska që fshihej pas Gruevskit dhe e nxiste të sillte destabilizimin. Por ditët e fundit kanë dalë fakte se e njëjta gjë po ndodh dhe në vendin tonë, pasi PD e LSI po i shërbejnë Rusisë. Por ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se nuk ka asnjë kthim pas për SPAK, çfarëdo që të ndodhë. Kjo duket se është dhe arsyeja që ka trembur liderët opozitarë, të cilat po tentojnë të ndezin flakë vendin. /Kliti Topalli /ekskluzive.al

Nga Ibrahim Xhemajli-Kopenhagë, 06.03.2019
Pas një pune intensive tre vjecare në univerzitetin e Kopenhagës në Nanoshkencë dhe pas tre orë ekspozeu bashkatdhetari ynë Liridon Aliti (27) sot me sukses mbrojti tezen e dokturaturës me titull:
“Qasja mikrofluide për aplikimet biologjike duke përdorur nanostrukturat vertikale 3 D” para komisionit prestigjioz të përbërë nga : prof dr Karin Martinez, prof dr Horst Vogel, prof dr Nikos Hatzakis dhe prof dr Winnie Svenssen.

Për ta përcjellur këtë eveniment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Danimarkë e më gjerë morën pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë z Elida Petoshati, konsuli i Kosovës z Arton Krasniqi, dr Visar Zeka, si dhe pjesëtarë të rëndësishëm të komunitetit të këtushëm shqiptar si Lindita e Fatos Kellezi, Bedri e Shqiponja Bytyci,regjisori Ixhet Lutfiu, Xhemil Idrizi, ing Safet Azemi etj.

Edhe ambasada shqiptare në Mbretërin e Danimarkës në webfaqen e saj e ka komentuar kët evinement të rallë për komunitetin shqiptar në Danimarkë:

Ambasadorja Elida Petoshati Dr. Liridon Aliti

Ambasadorja Petoshati ishte sot e pranishme në ceremoninë e mbrojtjes publike të tezës së doktoraturës nga studiuesi i ri Liridon Aliti në fushën e Nano Teknologjisë. Puna këmbëngulëse plot pasion e Liridonit për kërkimin shkencor dhe inovacionin u vlerësua nga Paneli i Profesorëve dhe u kurorëzua me marrjen e Titullit “Doktor i Shkencave”!
Talenti dhe suksesi i bashkëatdhetarëve tanë në Danimarkë na bëjnë krenarë pasi rrezatojnë vlerat e komunitetit shqiptar në këtë vend mik me shembullin e shkëlqyer të punës dhe të nivelit të integrimit. 

Rusia reagon pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se “Kosova është Shqipëri”. Përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, Kremlini e quan të papranueshme deklaratën e Ramës.

Rusia sipas saj nuk mund të rrijë pa folur, sidomos kur Rama, siç theksoi Zakharova, e bëri të qartë se Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është një “plan B” por “një plan A”.

“Menduam se mbase nuk ishte përkthyer mirë deklarata e tij, ndaj e verifikuam disa herë. Kryeministri shqiptar e lidhi implementimin e këtij plani me diskutimet aktuale mbi korrigjimin e kufijve në kuadër të procesit të negociatave dhe arritjes së një marrëveshjeje finale mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne konsiderojmë se retorika të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Kjo është një çështje që ka të bëjë me shkeljen e integritetit territorial të Serbisë dhe statusin e Rajonit Autonom të Kosovës”, u shpreh Zakharova.

Këtë ne e shohim si shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së, vazhdoi zëdhënësja e cituar nga mediat serbe e ato kosovare, që më tej kërkoi edhe reagimin e Perëndimit për “plane të tilla gjeopolitike”.

Zakharova theksoi edhe një herë se pozicioni i Rusisë mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës, mbetet i pandryshuar

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, para fillimit të koordinimit në selinë e partisë tha se sonte për herë të parë do të shqyrtojnë raportet nga terreni për kandidatin për President. Njëkohësisht do të konsultohen sekretarët organizativ të partive të tjera për qëndrimet e tyre mbi emrat konkret. Tema e kandidatit konsensual, sipas Zaevit, do tw jetë kryesorja edhe në takimin e nesërm me kreun e BDI-sw Ali Ahmeti.
I pyetur për zhvillimet e fundit në Kuvend, në seancën për imunitetin e Trajko Veljanovskit, Zaev tha se të gjithë e panë se çfarë ndodhi por se do të dëshironte të dëgjojë edhe qëndrimet e anëtarëve të tjerë të partisë dhe të partive të tjera. Ai shtoi se për raste se i Veljanovskit duhet të lihet hapësirë gjykatës të veprojë. Zaev tha se nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga Xhaferi meqë ai është kryetar Kuvendi por kërkon përgjigje për dështimin e votimit në seancën e fundit

Kosova ende nuk ka arritur ta vërtetojë nëse produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po shiten në tregun vendor, duke ua ndërruar vendin e origjinës.

Që nga vendosja e taksës ka pasur dyshime se produktet janë dërguar në Maqedoni, aty iu është shtuar edhe ndonjë përbërës dhe pastaj janë ambalazhuar dhe vendi i origjinës iu është shkruar në Maqedoni, raporton KTV.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar se deri tani janë identifikuar vetëm 5 raste të dyshimta të tilla, e që janë produkte ushqimore.

Si rrjedhojë, është kërkuar nga Dogana e shtetit fqinj verifikimi i vendit të origjinës.

Importi nga Maqedonia gjatë tre muajve të masës mbrojtëse ka qenë 24 milionë euro ose 2 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Stavileci ka treguar se rritje e ngjashme është edhe me vendet e tjera të rajonit.

Por, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, nuk është e jashtëligjshme mundësia që vendi i origjinës të ndërrohet në këtë formë, por ai e quan këtë vetëm jokorrekte.

Rukiqi ka thënë se mundësitë për të ndërmarrë masa ndaj kompanive, janë të kufizuara edhe shkaku i kufizimeve politike.

Gjatë tre muajve të fundit që kur është vënë taksë ndaj produkteve serbe në Kosovë, janë importuar vetëm rreth 670 mijë euro mallra kryesisht lëndë e parë e prodhimit, që janë rreth 140 milionë euro më pak import nga Serbia se sa vitin e kaluar.

Ndërkaq, nga Bosnje Hercegovina janë importuar rreth 100 mijë euro mallra.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë miratuar me votat e tyre projektligjet në rendin e ditës. 72 vota pro kanë marrë edhe dy vendime shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturën e dy institucioneve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Projektligjet kanë kërkuar votim me shumicë të thjeshtë votash, të cilat mazhoranca socialiste i ka.

Ndonëse jashtë parlamentit opozita protestonte, në sallë deputetët e majtë kanë vazhduar të mbajnë fjalimet e tyre mbi projektligjet e parashikuara. Nuk kanë munguar edhe deklaratat për djegien e mandateve nga ana e opozitës. Ministrat dhe deputetët socialistë kanë nënvizuar se të gjithë ata demokratë që ndjehen të papërfaqësuar do të përfaqësohen nga Partia Socialiste në Kuvend dhe nga qeveria Rama. Mbledhja e konferencës së kryetarëve ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet të martën e ardhshme.