Ndërsa Rusia dhe Ukraina po përgatiten për atë që mund të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, e ardhmja e luftës së nisur nga Vladimir Putin mbetet e pamundur të parashikohet.

Mobilizimi i tankeve dhe artilerisë në shkallë të gjerë në terrenin e sheshtë të hapur të Ukrainës Lindore mund ta favorizojë Moskën, dhe pesha e madhe e makinerisë ushtarake ruse, mund t’i sjellë përfitime territoriale.

Por janë të mundshme edhe rezultate të tjera. Guximi i ukrainasve, aftësia e tyre e madhe taktike në terren, dhe qasja tek armët dhe pajisjet perëndimore mund të prodhojnë një varg tjetër pengesash poshtëruese për Rusinë.

Skenari më i keq për Putinin, do të ishte që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundonte me një disfatë ushtarake gjithëpërfshirëse, me rënien e enklavave pro-ruse në Donbas dhe Moldavi, si dhe me integrimin e Ukrainës në Perëndim.


Një humbje e tillë do të ishte më shumë sesa një poshtërim personal, për karrierën e tij si politikan. Ajo do t’i shkaktonte gjithashtu një tronditje të madhe psikologjike dhe strategjike për pozitën dhe vetë-imazhin e Rusisë. Do të ndryshonte rrjedhën e historisë ruse.

Rusia nuk do të ishte ish-perandoria e parë që do të përballej me një moment të llogaridhënies para historisë. Humbja e Spanjës në vitin 1898 përballë shteti të ri të SHBA-së, ishte një moment vendimtar në historinë spanjolle. Perandoria globale që kishte formësuar Spanjën që nga ekspeditat e Kolombit ishte zhdukur papritur, dhe spanjollët filluan të vënë në dyshim gjithçka, nga monarkia deri tek roli i kishës.

Për Britaninë dhe Francën, dështimi i tyre poshtërues gjatë Krizës së Suezit të vitit 1956, i detyroi të dyja vendet ta kuptonin se nuk ishin më fuqi globale të pavarura. Lavditë e perandorive të dikurshme kishin marrë fund, dhe 2 ish-superfuqitë filluan me dhimbje dhe pa dëshirë t’i përshtateshin rrethanave të tyre të reja.

Një dështim vendimtar rus në Ukrainë, mund të sjellë të njëjtën situatë për Moskën. Në rast se Rusia nuk do të arrijë që të pushtojë zemrën e Ukrainës (Ukraina Perëndimore është më pak problem në mitologjinë historike ruse), rusët nuk do të jenë në gjendje të shmangin përfundimin se perandoria e carëve, e ndërtuar me shumë kosto gjatë shumë shekujve, dhe e rivendosur nga Lenini dhe Stalini pas fatkeqësisë së Luftës së Parë Botërore, ka rënë në mënyrë të pakthyeshme.

Kjo do ta detyrojë Rusinë t’i nënshtrohet një lloj auto-reflektimit të thellë, ashtu si ish-perandoritë e tjera. Pasojat do të jenë shumë të mëdha. Nën sundimin e Romanovëve, komunistëve, dhe tani të Putinit, mendimi politik rus është formësuar nga tre besime: që Rusia është e ndryshme, që ndryshimi është transhendentalisht i rëndësishëm, dhe se ai i jep Rusisë një rol unik në historinë botërore.

Humbja në Ukrainë do ta minonte në themele besimin tek këto ide, duke e zhytur Rusinë në një krizë identiteti me pasoja politike të paparashikueshme. Carët, komisarët komunistët, dhe sot Putinistët, e panë Rusinë si unike dhe të përkushtuar ndaj një lufte kundër Perëndimit.

Për carët, Moska ishte “Roma e tretë”, që do të mbante pishtarin e Krishterimit dhe qytetërimit, pasi Roma e parë ra në duart e pushtuesve barbarë, dhe Roma e dytë (Kostandinopoja) ra në duart e turqve.

Për komunistët, Moska ishte kështjella e revolucionit global proletar, e destinuar të asgjësonte kulturën dekadente borgjeze të Perëndimit. Putin dhe bashkëpunëtorët e tij e shohin njëlloj. Sipas tyre Rusia është angazhuar në një luftë për mbijetese kundër dekadencës perëndimore, ligësisë dhe lakmisë së shfrenuar.

Për të mbajtur veten në garën e barabartë me Perëndimin më të zhvilluar, dhe për të siguruar qeverisje të përshtatshme për psikikën e saj unike, Rusia, kanë argumentuar gjithmonë sundimtarët e saj, duhej ta përqendronte pushtetin në krye.

Vetëm një udhëheqës aq i fortë sa Katerina e Madhe, Stalini, apo siç thonë admiruesit e tij si Putin, mund t’i japë mundësi Rusisë të dominojë në përballjen e saj saj me Perëndimin. Thelbi i çështjes është Ukraina. Me Ukrainën nën kontroll, Moska e sheh veten si fuqia më e madhe në Evropë.

Pa Ukrainën, ëndrra që Rusia të mundet të rifitojë statusin e Bashkimit Sovjetik si një superfuqi do të pësojë një fund të hidhur. Më keq akoma: ndoshta nga këndvështrimi i teoricienëve “euroaziatikë” dhe nacionalistëve radikalë rusë, të cilët i japin një lloj mbulese legjitimiteti regjimit të Putinit, një fitore e Ukrainës ortodokse, sllave dhe demokratike mbi Rusinë despotike, nuk do të sfidonte vetëm legjitimitetin personal të Vladimir Putin.

Përkundrazi, ajo do të sfidonte idenë e veçantisë ruse, dhe do të minonte fatalisht pikëpamjen se despotizmi është forma e qeverisjes që i përshtatet më së miri shpirtit rus. Ndërsa lufta po nxjerr në pah ligësinë dhe mizorinë e natyrshme të regjimit të Putin, dhe ndërsa mizoritë jashtë vendit dhe represioni brenda Rusisë po lënë gjithnjë e më tepër gjurmë, është e pamundur të mos shpresojmë një disfatë ruse në këtë luftë.

Gjithsesi duhet pasur kujdes. Putin dhe ata përreth tij e dinë se në Ukrainë nuk po luftojnë vetëm për një rregullim të kufijve. Ata po luftojnë për botën e tyre, ndaj për ta mund të jetë psikologjikisht e pamundur ta pranojnë humbjen, derisa çdo masë, sado e pamëshirshme, apo çdo armë, sado e urryer, të jetë përdorur në maksimum. Për Vladimir Putinin dhe njerëzit përreth tij, rreziqet në Ukrainë janë pafundësisht të mëdha. / Përktheu: abcnews.al

Peruja filloi të djegë më shumë se 10 tonelata drogë të kapur nga dhjetori 2021 deri në mars 2022. Presidenti Pedro Castillo, si dhe Charles Sewall, drejtori i seksionit kundër narkotikëve dhe zbatimit të ligjit të Ambasadës së SHBA-së, ishin të pranishëm në operacionin e djegies në Lima.

Autoritetet peruane thanë në një deklaratë se më shumë se 6.2 tonelata bazë kokaine do të digjen, si dhe më shumë se 4.6 tonë hidroklorur kokaine.

Llojet e tjera të drogës, të sekuestruara nga dhjetori deri në mars, që gjithashtu do të digjen, përfshijnë 5 tonelata marihuanë dhe 7 të tjera derivate amfetamine.

Sipas autoriteteve, gjethet e kokës përdoren kryesisht për të prodhuar, nëpërmjet një procesi kimik hidroklorurin e kokainës që nxirret jashtë vendit me avionë të vegjël në Bolivi dhe Brazil ose në anije që shkojnë nga Paqësori në Evropë.

Sektori i ndërtimit në vend thotë se rregullat duhet të ndryshohen urgjentisht, sepse projektet e mëdha infrastrukturore janë marrë vesh me shtetin kur çmimet e ndërtimit ishin shumë më të ulëta se sot. Tani me rritjen e çmimeve, projektet ose do të mbeten të papërfunduara ose kompania do të falimentojë, nëse shteti nuk e ndihmon.

“Nëse nuk kemi një zgjidhje të unifikuar që do të jetë e shpejtë, sepse nëse nuk është e shpejtë dhe nëse hyjmë në sezon, dhe nëse nuk kemi zgjidhje, besoj se në qershor 80% e projekteve kapitale nuk do punohen”, deklaroi Andrea Serafimovski -Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Ndonëse realizimi i projekteve kapitale ka dështuar prej vitesh edhe pa këto probleme, autoritetet besojnë se edhe ky vit do të jetë rekord sipas nivelit të investimeve shtetërore.

“Në tremujorin e parë të këtij viti janë realizuar 12,9% e shpenzimeve kapitale të planifikuara, që është 23,5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar…”, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Sipas informacionit nga ndërtuesit, ka një rritje në çmimin me shumicë dhe pakicë të të gjitha materialeve të ndërtimit. Ekziston një rritje e shumëfishtë e çmimit të rërës, çmimi i tullave është rritur me 40 për qind, hekuri me 60 dhe materiali izolues për 50%./Alsat.mk

SHBA-ja është vënë në lëvizje ditën e sotme duke ndërmarrë më shumë hapa në ndihmë të Ukrainës. Kjo ndodhi pas rrethimit të lindjes së Ukrainës nga trupat ruse.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, konfirmoi se Ukrainës i janë dhënë avionë shtesë dhe pjesë për të riparuar pajisjet e dëmtuara.

“Ata kanë marrë avionë shtesë dhe pjesë avioni për t’i ndihmuar ata të marrin më shumë avionë në ajër.”- tha ai.

Teksa frika për përdorimin e armëve bërthamore intensifikohet, ekspertët kanë vlerësuar se algat e detit janë çelësi për mbijetesën e racës njerëzore në rast të një fatkeqësie të madhe.

Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka krijuar një udhërrëfyes që do të ndihmojë banorët e tokës t’i mbijetojnë një sulmi të tillë.

Sipas tyre, ajo e cila mund të çojë në pasoja fatale për planetin, nuk është vetë shpërthimi, por ndikimi i tij në të mbjellat, raportoi Express.co.uk.

“Ne po përpiqemi të promovojmë gatishmërinë, një kulturë e përgatitjes së institucioneve, qeverisë dhe kompanive për një lloj katastrofe globale që është lënë pas dore”, tha Juan García Martínez, nga Aleanca për të ushqyer Tokën në Fatkeqësi.

Menjëherë pas ndodhjes së katastrofës, akademikët vërejnë se njerëzit do të vareshin shumë nga ushqimet e ruajtura dhe të trashëguara, si mallrat e konservuara.

Ata vlerësojnë se bota ka furnizime të cilat do të shterohen me shpejtësi në rast të një fatkeqësie bërthamore. Peshqit, të cilët ka të ngjarë të zgjasin më shumë se kafshët në tokë, duhet të shfrytëzohen menjëherë.

Për lëndën ushqyese, ekspertët rekomandojnë që të instalohen ferma me alga deti, pasi alga kërkon pak diell dhe është një ushqim që nuk preket nga rrezatimi.

Alga e detit është e pasur me antioksidantë dhe përmban disa vitamina duke përfshirë A, C dhe E, së bashku me pigmente mbrojtëse.

Ajo gjithashtu përmban jod, që është një lëndë ushqyese kryesore që kuron ndikimet më të këqija të rrezatimit bërthamor në organizmin e atyre që do arrinin të mbijetonin.

Mediat franceze i kanë kushtuar një artikull anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Liberation shkruan se procesi i bashkimit të vendit të vogël të Adriatikut në Bashkimin Evropian mund të materializohet më shpejt se sa pritej për shkak të ofensivës së Putinit në Ukrainë. Objektivat janë të qarta: bashkimi politik dhe forcimi i Ballkanit Perëndimor ushtarakisht.

Në artikull bëhet me dije se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nxitur bashkëpunimin brenda kampit për të forëcuar dhe mbrojtur territoret ku mund të përhapët konflikti.

“Shtatëdhjetë e pesë avionë luftarakë sovjetikë shushurijnë përgjatë pistës së aeroportit ushtarak të Kuçovës, një ish-bazë komuniste në Shqipërinë qendrore. Por këto instalime, të thirrura për të akomoduar një qendër të re të operacioneve të NATO-s, janë në rrugë për të gjetur shkëlqimin e tyre. Rinovimi i vendit, i nisur në vitin 2018, është përshpejtuar nga kriza e Ukrainës, e cila po nxit bashkëpunimin brenda kampit kundër Putinit dhe forcimin e mbrojtjes së territoreve në të cilat mund të përhapet konflikti. Riparimi i pistës, modernizimi i kullës së kontrollit, ndërtimi i njësive të reja magazinimi… Kjo punë, e cila duhet të përfundojë në vitin 2023, financohet nga aleanca transatlantike, e cila tashmë ka ndarë më shumë se 55 milionë dollarë (rreth 51 milionë euro. ). ) në projekt që nga fillimi i tij në 2018. Mbështetja e forcave të NATO-s tashmë të pranishme, duke përfshirë kampin Bondsteel në jug të Kosovës, Baza Ajrore e Kuçovës do të jetë një aset strategjik kyç në një rajon politikisht të paqëndrueshëm,” shkruhet në artikull.

Ndryshimi i mjedisit të sigurisë globale i ka dhënë tani një shtysë të konsiderueshme përfundimit të projektit,” tha një zyrtar i NATO-s për AFP të bazës së Kuçovës.

a.m/dita

Nga Shaban Murati

Botuar në DITA

Burime diplomatike nga Brukseli bëjnë të ditur se presidenti serb Vuçiç në takimet e mbyllura me zyrtarë të lartë të BE ka hedhur idenë se Serbia mund të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë, nëse BE përkrah qendrimet e Serbisë në dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE.

Lëshimet, që kërkon presidenti serb, janë që BE të heqë dorë nga kushti i njohjes së Kosovës për pranimin e Serbisë në BE, dhe që BE të përkrahë projektin serb të ndarjes së Kosovës nëpërmjet shkëputjes së Veriut të Kosovës.

Ringritjen nga Serbia të çeshtjes së ndarjes së Kosovës e njoftonte në 4 prill edhe presidentja e Komitetit serb të Helsinkit, Sonja Biserko, e cila deklaroi se “ndarja e Kosovës është përsëri në axhendë”.

Serbia po flet për ndarjen e Kosovës sepse është inkurajuar nga ndarja e Ukrainës prej Rusisë me agresionin që shkëputi dhe aneksoi dy krahinat ukrainase të Donjeckut dhe të Luganskut. Serbia është inkurajuar nga Rusia dhe po i kërkon BE-së që t’i japë Veriun e Kosovës nëpërmjet të ashtuquajturit “asosiacion të komunave serbe”, që është modeli rus i Donjeckut dhe i Luganskut.

Serbia po shfrytëzon pazarin e lartë artificial, që po i jep asaj BE për  bashkimin me sanksionet antiruse të BE. Presidenti Vuçiç po paraqet si argument në takimet e mbyllura diplomatike se ai detyrohet të lidhet me Rusinë vetëm nga Kosova, dhe po t’ia japë BE-ja Kosovën, ahere Beogradi nuk do të ketë nevojë për Rusinë dhe veton ruse në KS të OKB, kështu mund të zbatojë sanksionet antiruse.

Është nje bllof vulgar serb, që synon vetëm të shkëpusë lëshime strategjike nga BE për Kosovën.

Por me sa duket disa segmente të diplomacisë europiane janë mallëngjyer nga përçapjet e reja të presidentit serb në Bruksel dhe kanë shtuar dozat filoserbe në veprimtarinë e tyre. Nuk mund të klasifikohet ndryshe veçse si skandaloze sjellja e ambasadorit të BE në Prishtinë, i cili në datën 14 prill iu kundërvu në një mënyrë antidiplomatike kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në 14 prill kryeministri Kurti, duke dënuar sulmet e armatosura terroriste me kallashnikov dhe me granata tre herë brenda katër ditëve në Veriun e Kosovës kundër policisë kufitare të Kosovës, deklaroi se “burimet tona identifikuan sulmet si të ardhura nga Serbia”. “Brenda disa minuta, tërheq vëmendjen portali i njohur europian “euractiv.com”, ambasada e BE në Prishtinë lëshoi një komunikatë, ku paralajmëron qeverinë e Kosovës “kundër spekullimeve të panevojshme”.

Ku e mësoi brenda disa minutave ambasada e BE në Prishtinë dhe ambasadori çek, që e drejton, se sulmet terroriste kundër policisë kufitare të Kosovës nuk i kishte organizuar Serbia? Kë pyeti ajo në terren dhe nga kush mori përgjigje për disa minuta se kush i kishte organizuar?

Cilën zyrë mori ambasada dhe ambasadori për konsultim në Bruksel dhe iu përgjigjën brenda disa minutave se duhet të kritikonte qeverinë e Kosovës, e cila e drejtoi gishtin te Serbia pas konfirmimit nga administrata e saj, nga shërbimet e saj të specializuara dhe nga policia e saj, që i njohin Veriun e Kosovës dhe lidhjet e bandave kriminale serbe me Beogradin shumë më mirë se ambasada dhe BE bashkë?

Shpjegimi është se ambasada e BE në Prishtinë me sa duket ka porosi të marrë në mbrojtje Serbinë. Ky qendrim absurd diplomatik mbahet në një kohë që Kosova, edhe pa qenë shtet kandidat në BE, edhe pa marrë liberalizimin e vizave nga BE, iu bashkua menjëherë sanksioneve të BE ndaj Rusisë.

Dikush apo disa segmente në diplomacinë e BE kanë synimin e një presioni në rritje ndaj Prishtinës me qëllim që ta detyrojnë atë të pranojë modelin rus të Donbasit dhe t’i lëshojë Serbisë Veriun e Kosovës, duke realizuar ndarjen e Kosovës, që ëndërron presidenti serb Vuçiç. Ndaj presidenti serb po luan në prapaskenë bllofin e shkëmbimit të Kosovës me sanksionet antiruse të Serbisë.

Presidenti serb është inkurajuar nga qendrimi i çuditshëm i BE, e cila po hiperbolizon rëndësinë e bashkimit të Serbisë me sanksionet antiruse. Është një paradoks politik, që po shoqëron gjithë veprimtarinë e diplomacisë së BE gjatë agresionit rus në Ukrainë, që po e fryn jashtë çdo logjike nevojën e bashkimit të Serbisë me sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Në planin formal është e drejtë që BE i kërkon Serbisë si shtet kandidat i BE, që ka hapur bisedimet e pranimit me të, të zbatojë detyrimin e harmonizimit të politikës së jashtme serbe me atë të BE dhe në këtë kuadër të bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë.

Serbia është i vetmi shtet europian, që ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë. Serbia është i vetmi shtet kandidat i BE nga katër shtetet kandidate të Ballkanit, që ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Mirëpo ka një formatim tepër disproporcial dhe hiperbolik të rëndësisë, që diplomacia e BE po i jep çeshtjes se sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë. Diplomacia e BE nuk kufizohet vetëm te detyrimi që ka Serbia si shtet kandidat për të harmonizuar politikën e jashtëme të saj me BE dhe të bashkohet me sanksionet, por po e paraqet çeshtjen sikur nga sanksionet, që duhet të ndërmarrë Serbia, varet fati i luftës në Ukrainë.

Është një pozicion disi komik, sepse Rusia nuk po pyet për sanksionet e gjithë BE, dhe jo më të ndjejë ndonjë efekt nga sanksionet e një mikroshteti ballkanik si Serbia, e cila varet plotësisht nga gazi dhe nga nafta ruse. Dhe BE, në vend ta detyrojë Serbinë të bashkohet me sanksionet antiruse, në vend të ndërmarrë penalitete ndaj saj, rrin dhe i lutet çdo ditë Beogradit për sanksionet, sikur BE ka nevojë për Serbinë dhe jo Serbia për BE.

Faqja e parë DITA, 20.04.2022

Në Parlamentin Europian i është kërkuar presidentes së Komisionit Europian nga deputetët e parlamentit që të pezullojë bisedimet e pranimit me Serbinë dhe të ndërpresë financimet e BE për të, derisa ajo të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë si të gjitha shtetet e tjera kandidate.

Mosvendosja e penaliteteve nga BE ndaj Serbisë dhe qendrimi lutës i diplomacisë së BE, e ka trimëruar presidentin e Serbisë Vuçiç aq shumë, sa që ai çdo ditë e sfidon BE-në me refrenin prorus se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjëherë sanksione ndaj Rusisë.

Madje në 18 prill presidenti serb i sulmoi sanksionet e BE ndaj Rusisë si “imorale dhe të pakuptimta”. Madje për kritikat europiane ndaj Serbisë pse vazhdon fluturimet ajrore për në Rusi në një kohë që gjitha vendet europiane kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për Rusinë, presidenti Vuçiç në 18 prill i kundërsulmoi shtetet europiane: “Turp të keni të gjithë! I hoqët ju fluturimet ajrore kur ne na bombarduan 19 shtete në vitin 1999?”.

Presidenti serb Vuçiç, që nuk e ka dënuar kurrë me gojën e tij gjatë dy muajve të agresionit rus as Rusinë dhe as Putinin, sulmon çdo ditë 19 shtetet demokratike të Aleancës Atlantike, që ndërhynë për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin e Serbisë kundër popullit shqiptar në Kosovë në vitin 1999.

Dhe diplomacia e BE, ku 17 shtete të asaj ndërhyrje të drejtë humanitare janë anëtare të BE, nuk pipëtin dhe nuk i përgjigjet presidentit serb. Nuk pipëtin diplomacia e BE edhe kur presidenti serb e shpall këto ditë “të pafajshëm” kriminelin ndëkombëtar të luftës Millosheviç, në qeverinë kriminele të të cilit Vuçiçi ka qenë ministër.

Kulmi i mungesës së seriozitetit dhe i hipokrizisë së diplomacisë së BE arrin kur ajo në stilin e kokrrave të rrushit të Nastradinit qëmton në qendrimet e Serbisë disa kokrra “të palagura”, që don t’i hajë dhe që po ia paraqet opinionit publik si virgjëri europiane e Serbisë. Në datën 15 prill ambasadori i BE në Beograd Emanuel Zhofre bëri një deklaratë bombastike se “Serbia ka bërë kohët e fundit disa hapa të rëndësishme për të përputhur politikën e saj të jashtme me vijën e BE”.

Nuk dihet se si dhe ku ambasadori i BE në Beograd, që e dëgjon çdo ditë presidentin serb të thotë se nuk do të vendosim sanksione ndaj Rusisë, paska parë “hapa të rëndësishme” të përputhjes europiane të Serbisë.

Dihet që diplomacia e BE e pompoi me të madhe votën, që dha Serbia në 2 mars për rezolutën e OKB në mbështetje të Ukrainës dhe në 7 prill për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB. Janë dy vota si lëvizje demagogjike serbe, ku qendrimi i Serbisë fshihet pas atyre 141 shteteve, që votuan rezolutën e parë, dhe atyre 95 shteteve, që votuan herën e dytë.

Por asnjëherë në dy muaj të agresionit rus presidenti Vuçiç dhe qeveria serbe nuk e kanë dënuar kurrë me emër Rusinë për agresionin e saj ushtarak në Ukrainë. Ndër hapat e rëndësishëm, që duket kanë mallëngjyer ambasadorin e BE në Beograd, duhet të jetë vendosja nga qeveria serbe e sanksioneve për ish-presidentin e Ukrainës Janukoviç, që jeton në Moskë, dhe i cili meqë ka edhe shtetësi ruse, mund të llogaritet nga Komisioni Europian “hap i guximshëm” kundër Rusisë.

Komisioni Europian dhe diplomacia europiane e hiperbolizuan aq shumë votën serbe në mitingun diplomatik të OKB, sa që në 8 prill i dhuruan Serbisë heqjen e sanksioneve për importet e naftës ruse në Serbi, kur vetë BE i kishte vendosur ato sanksione në 14 mars. Në kohën, që bënte zhurmë se po i kërkonte Beogradit të bashkohej me sanksionet ndaj Rusisë, Komisioni Europian i heq sanksionet e importit të naftës, duke i bërë favore të çuditshme edhe Serbisë, edhe Rusisë.

Ka një artificialitet dhe një favorizim që kërcet në qendrimin e diplomacisë së BE në çështjen e sanksioneve serbe ndaj Rusisë. Ky artificialitet nuk mund të ecë më me përrallën infantile të diplomacisë së BE se me këtë politikë preferenciale ndaj Serbisë do të arrihet shkëputja e saj nga aleanca strategjike me Rusinë dhe do të bashkohet me Perëndimin.

Nuk dihet pse diplomacia e BE mbyll sytë përpara një prove historike. Në vitin 2014 Rusia ndërmori agresionin e parë ushtarak kundër Ukrainës dhe i aneksoi Krimenë dhe i shkëputi dy krahinat separatiste të Ukrainës Lindore. BE e ndëshkoi me sanksione Rusinë, por Serbia refuzoi edhe atëhere të bashkohej me sanksionet e BE. Pyetja e thjeshtë është: Gjatë këtyre tetë viteve Serbia është lidhur më shumë me Rusinë apo me BE?

BE bëri edhe hapin absurd, që filloi bisedimet e pranimit të Serbisë në BE pas agresionit rus në Ukrainë dhe kur Serbia refuzoi sanksionet e BE.
Gjatë tetë viteve nga agresioni i parë ushtarak rus në Ukrainë e deri të agresioni i tanishëm ushtarak në Ukrainë, Serbia është shndrruar në një bazë ushtarake e Rusisë dhe është armatosur me armët me moderne ruse që nga Mig 29 e deri te sistemet e raketave ruse.

Pas vitit 2014 Serbia ka zhvilluar në territorin e saj manovra të rregullta ushtarake me forcat desantuese ruse dhe në vitin 2021 Serbia dhe Rusia kanë zhvilluar sëbashku 100 aktivitete ushtarake. Në datën 17 prill presidenti serb Vuçiç me solemnitet ftoi publikisht të gjithë qytetarët e Serbisë të vijnë në 30 prill në aerodromin e Batajnicës se do të organizojë ekspozitën më të madhe të armëve më të fuqishme të Serbisë me sistemet e reja të raketave ruse dhe kineze.

A pyet diplomacia e BE veten se kujt i shërben ky demostrim sfidues i forcës ushtarake serbe me raketa ruse dhe kineze në kulmin e agresionit rus në Ukrainë?

Ndaj idea e hedhur nga presidenti serb për të kërkuar nga BE si shpërblim të vendosjes së sanksioneve antiruse marrjen e Kosovës apo të një pjesë të saj, është një bllof serb për të shkëputur lëshime strategjike nga BE në dialogun Serbi-Kosovë në dëm të shtetit të pavarur të Kosovës.

Serbia nuk mundet dhe nuk don të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe as të ikë nga aleanca strategjike me Rusinë, e cila i ka lidhur në të dy këmbët presidentin serb dhe qeverinë serbe. Madje Moska po dikton edhe formatimin e qeverisë së re serbe pas zgjedhjeve të 3 prillit, dhe siç shkruante gazeta e mirëinformuar ruse “Komersant“ në 17 prill “presidenti Putin i ka thënë presidentit Vuçiç që të përfshijë në qeverinë e re të Serbisë sa më shumë politikanë, që janë për lidhje miqësore me Rusinë”.

Diplomacia e BE vazhdon të ndjekë ndaj Serbisë një kurs të gabuar, i cili as nuk e sjell Serbinë më afër Europës edhe Perëndimit, por i lejon Beogradit të luajë bllofe me BE. Serbia fle në shtratin e Kremlinit dhe i luan nganjëherë syrin BE-së, e cila bie në trans nga flirtet e rreme serbe.

Pallati “Albania” është  qiellgërvishtësja e  parë në Beograd, i ndërtuar në vitin 1939. Ndërtesa ka qenë dikur më e larta në Beograd dhe e dyta në Evropën Juglindore.

Një pjesë e Pallatit “Albania”, pra 381 metra katrorë, e vlerësuar në 3.88 milionë euro është ofruar në shitje. Mediat serbe shkruajnë se duke qenë se ndërtesa është e bankës së falimentuar të Beogradit, kjo ndikon në shitje.

Administratori i falimentimit Mijo Stanarçeviç shpjegon se bëhet fjalë për një shitje në gjysëm çmimi që është shumë tërheqëse për blerësit potencial.“Quhej Mihal dhe erdhi nga Shqipëria”, fotoja e Kafe Albania, e ndërtuar që në 1840 në Beograd

Palace Albania në Beograd është ndërtuar në një vend ku ka ekzistuar për një kohë të gjatë Cafe Albania. Në fotot e bëra shumë para vitit 1914 mund të shohim kafenenë që quhen me këtë emër. Ajo është ndërtuar rreth vitit 1840. Një nga pronarët ishte një burrë i quajtur Mihal që thirrej me nofkën “Shqiptari” dhe ishte një tregtar i shpërngulur në Beograd nga Shqipëria.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, po ofron që ta blejë Twitter-in, duke thënë se kjo platformë e mediave sociale – të cilin ai e kishte kritikuar se nuk përmbush parimet e lirisë së shprehjes – duhet të transformohet në kompani private.

Në dosjen e një rregullatori të Twitter Inc. u tha të enjten se Musk, i cili është hisedari më i madh i kësaj kompanie, ka propozuar që të blejë aksionet e tjera të Twitter-it që aktualisht nuk i ka në pronësi, duke ofruar 54.20 dollarë për aksion, që në total do i binte 43 miliardë dollarë.

Musk tha se kjo ishte oferta më e mirë që mund të ofronte, edhe pse nuk ka dhënë detaje për financimin. Oferta nuk është e detyrueshme dhe i nënshtrohet kushteve të financimit dhe kushteve të tjera.

“Kam investuar në Twitter pasi besoj në potencialin e tij për të qenë platformë për fjalën e lirë në mbarë globin dhe besoj se liria e fjalës është një imperativ shoqëror për një shoqëri funksionale”, citohet të ketë thënë Musk në një dokument drejtuar Twitter-it.

“Megjithatë, qëkur kam investuar, tani e kuptoj se kompania as nuk mund të përparojë e as nuk do t’i shërbejë këtij imperativi shoqëror, në formën siç është sot. Twitter duhet të transferohet në një kompani private”, shtoi ai.

Aksionet e Twitter u rritën në 47.83 dollarë, apo 4.5 për qind më shumë, por megjithatë vlera e tyre është më e ulët sesa ka ofruar Musk, që është një sinjal nga disa investitorë se marrëveshja me kreun e Teslas do të realizohet.

Twitter tha se ka pranuar ofertën e Muskut dhe do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo në bazë të interesave më të mira të hisedarëve të tij.

Një javë më parë, Musk ka blerë 9 për qind të aksioneve të Twitter-it, që e bëjnë atë hisedarin më të madh në këtë platformë sociale.

Miliarderi ka qenë mjaft kritik ndaj Twitter-it javët e fundit, veçmas për parimet e lirisë së fjalës.

Ish-futbollisti Edson Arantes do Nascimento “Pelé” u shtrua në spital të hënën, por ai është në gjendje të stabilizuar dhe do të dalë nga spitali në ditët në vijim.

Përmes një deklarate, spitali “Israelita Albert Einstein” bëri të ditur se pranimi i “O’Rei” do të vazhdonte me trajtimin e një tumori të zorrës së trashë.

“Edson Arantes do Nascimento u shtrua në spitalin Israelita Albert Einstein për të vazhduar trajtimin për një tumor të zorrës së trashë, të identifikuar në shtator 2021”, thuhet në deklaratë.

Pelé, i konsideruar si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit në histori, është në gjendje të mirë dhe së shpejti do të lirohet nga sanatoriumi, shton dokumenti.

Gjendja e tij klinike është e mirë dhe stabile, dhe daljen nga spitali duhet të ndodhë në ditët në vijim”, përfundon deklarata e shkurtër.

Kampioni i botës tre herë me Brazilin iu hoq tumori i zorrës së trashë në shtator të vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë ai ka bërë vizita të rregullta në spital për të vazhduar trajtimin.