Analistja Knaus: Ska BE për Serbinë pa njohur Kosovën
Ajo duke i bërë një vështrim përparimit të arritur në fushat, të cilat do të përmenden në raportin e ardhshëm të progresit për Kosovën, por edhe për vendet e tjera që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian theksoi se “ duhet të jemi relativisht optimistë që disa zhvillime të reja në Kosovë do të reflektohen pozitivisht në raportin e progresit të këtij viti. Veçanërisht, krijimi i Ministrisë së re për Integrime Evropiane ka ndihmuar krijimin e një gjendjeje të re evropiane në Kosovë, e cila e ka vënë agjendën evropiane më lart në prioritetet e vendit.
Kjo ka rezultuar në rritjen e aktiviteteve të tërthorta ndërmjet ministrive dhe institucioneve, të cilat në mënyrë aktive janë pjesë e procesit të hyrjes në BE, ku, mbi të gjitha, përfshihet Parlamenti.
Është pozitive të shihet se, veçanërisht në javët e fundit ka pasur aktivitete në Parlament, i cili është përpjekur të miratojë ligje para përfundimit të “datës prerëse”.
Janë përfshirë sidomos fusha që flasin për reforma gjyqësore, administrimin dhe prokurimin publik, por gjithashtu ligje për ambient e energji ku mendoj se do të shihet një përparim.
Natyrisht se ka mbetur ende një rrugë e gjatë që Kosova duhet ta përfundojë. Në të gjitha raportet e progresit që i kam lexuar për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian – edhe në atë për Kosovën, raportohet për përparim, por rëndësia e tyre qëndron në identifikimin e fushave ku ka ngecje.
Mendoj se ky raport i progresit do të jetë në përgjithësi pozitiv, por do të identifikojë gjithashtu fushat, në të cilat Kosova ka mbetur prapa. Ekziston ende një rrugë e gjatë për Kosovën deri në përmbushjen e kritereve që figurojnë në kuadër të procesit të hyrjes në BE.
Sipas Knaus, ka shumë fusha ku duhet të përmirësohen arritjet. Mendoj se një nga shqetësimet kryesore të zyrtarëve evropianë është çështja e sundimit të ligjit, që ka të bëjë me efikasitetin e sistemit gjyqësor, në mundësinë e institucioneve kosovare, jo vetëm për të miratuar ligje por edhe për t’i zbatuar ato.
Pastaj, në fushat ku edhe EULEX-i është aktiv, si çështja e krimit të organizuar, kontrolli i kufijve dhe çështje të tjera, të cilat të gjitha marrin kohë për t’u reformuar.
Nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e një ligji që, ta zëmë, ka të bëjë me administrimin publik, por bëhet fjalë për krijimin e një makine shtetërore për t’i reformuar institucionet dhe për t’i ndërtuar kapacitetet në nivel lokal, ministror e qeveritar; për t’i kaluar qindra e mijëra faqet e ligjeve, normave e standardeve “aquis”.
