Kaçanik, 30 prill – Islam Lauka, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, të premten, në
Kaçanik ka deklaruar se nuk ka komb kosovar. “Unë e di dhe jam i sigurt
se kombet nuk krijohen me pult komandimi, nuk krijohen me porosi, nuk krijohen siç
rriten domatet në sera, me urdhër të këtij apo atij”, ka deklaruar ai. Këto komente
ambasadori Lauka i ka bërë në simpoziumin shkencor me temë: “Kryengritja e vitit
1910 në Kosovë”, i organizuar në shënim të 100-vjetorit të betejës së 
shqiptarëve me forcat osmane në Grykë të Kaçanikut. Sipas tij, kombet janë diçka
shumë serioze dhe duhet një kohë relativisht e gjatë për t’u krijuar, ashtu siç iu
desh kombit shqiptar për t’u krijuar në beteja, shpesh në zjarr e hekur; ashtu siç
ishte Beteja e Kaçanikut, ashtu siç ishte Beteja e Carralevës, ashtu siç ishin krejt
betejat e lavdishme të fillimit të shekullit XX, në mënyrë të veçantë ato të viteve
1910-1912.
“Mendoj se në rast se nuk do të ishte Kaçaniku (30 prilli 1910), nuk do
të ishte Vlora (28 nëntori 1912)…, po të mos ishte Vlora vështirë se do të vinim te
17 shkurti i 2008-s”, është shprehur ai. Duke polemizuar në distancë me preferuesit e paktë të kombit kosovar, Lauka i ka përsëritur pohimet se kombi është një referendum i përditshëm. “Dhe është kështu, ndërsa kombi shqiptar e ka dëshmuar më 1999”, ka nënvizuar ai. Sipas tij, 1999-ta ishte një referendum, një provë e vështirë, të cilën shqiptarët e përballuan me shumë sukses, me shumë dinjitet.