Ambasada e Shqipërisë hap aplikimet për mësues të gjuhës shqipe në Greqi
Ambasada e Shqipërisë në Athinë, ka çelur procesin e mbledhjes së shprehjeve të interesit, për programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “Mësues për Greqinë”.
Kryeministri Edi Rama ndau njoftimin në një postim në rrjetet sociale, një ditë pas vizitës së tij në Athinë, Greqi, ku u takua me bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj.
“Ky program ka në bazën e vet mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e shqiptarëve të Greqisë. Ai do të shtrihet më pas edhe në mësimin e letërsisë dhe historisë së Shqipërisë”, theksohet në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë.
Ambasada u bën thirrje të gjithë mësuesve e mësueseve të licencuar të gjuhës shqipe, që të aplikojnë në adresën bashkëlidhur www.mesuespergreqine.gr (linku do të aktivizohet së shpejti) për të shprehur gatishmërinë dhe paraqitur vetëm dokumentin e licencës së mësuesit.