Aktori austriak i gatshëm të martohet me Arigonën
Pas deklaratës së diskutueshme të ministres së Brendshme austriake Maria Fekter, se Arigona Zogaj mund të qëndrojë në Austri vetëm nëse ajo martohet me ndokënd, në skenë është paraqitur artisti i njohur austriak Alfons Haider, i cili i ofron Arigonës publikisht martesë. “Po ta dija se do t’i ndihmoj, unë do ta martoja Arigonën dhe kjo nuk do të ishte martesë për ta rregulluar lejen e qëndrimit, por do të ishte një bashkëshortësi e vërtetë nga zemra dhe me plot bindje”, ka deklaruar artisti dhe aktori i njohur austriak Alfons Haider në një emision të realizuar nga Televizioni austriak shtetëror. Një këndvështrim krejtësisht tjetër ka pasur kryetari i Partisë Aleanca për ardhmërinë e Austrisë (BZÖ) Gerald Grosz, i cili vlerëson se rasti i Arigona Zogaj ka dëshmuar një keqtrajtim të azilkërkuesve. Nga ana tjetër, përkujdesësi shumëvjeçar i familjes Zogaj, nga Organizata joqeveritare ”Volkshilfe Oberösterreich” Christian Schörkhuber, ka shprehur keqardhje për vendimin e Gjykatës kushtetuese për të dëbuar Arigonën. Përndryshe, kthimi vullnetar i azilkërkuesve në Kosovë, starton me një ndihmë prej 370 eurosh për të rritur dhe 200 euro për persona të moshës nën dymbëdhjetëvjeçare, e cila nga “Caritasi” austriak shihet si absolutisht joadekuate.