Ahmeti e Thaçi s’e ngushëllojnë familjen Aliu
Liderët e partive politike më të mëdha shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi ende nuk kanë shkuar të shprehin ngushëllime në familjen e të vrarit Harun Aliu. Arsyet ende nuk janë bërë të njohura nga asnjëra parti edhe pse kishin kaluar pesë ditë nga varrosja e tij.
Befasia më e madhe për këtë sjellje të dy liderëve të partive politike është e pakuptimtë kur kihet parasysh se i ndjeri Komandant Kushtrimi, njihej për së afërmi edhe me Ahmetin edhe me Thaçin.
Me Ali Ahmetin ai ka qenë pjesë e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e trojeve shqiptare që nga lufta e Kosovës dhe më vonë edhe në konfliktin e vitit 2001. Ndërkaq, me Menduh Thaçin, Harun Aliu ka qenë në koalicion partiak për zgjedhjet parlamentare të vitit 2008.
Pikëpyetja për sjelljen e liderëve shqiptarë vazhdon të jetë edhe më e madhe nga fakti se asnjëri prej tyre nuk kishte marrë pjesë në varrimin e Komandant Kushtrimit gjatë ditës së enjte në vendlindjen e tij në Hasanbeg të Shkupit.
Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit gjithashtu ende nuk ka dalë me një sqarim për vrasjen e katër shqiptarëve në afërsi të Shkupit në mesin e të cilëve ishte edhe Harun Aliu.
PDSH e Menduh Thaçit e kishte vlerësuar si ekzekutim klasik vrasjen e katër shqiptarëve duke akuzuar BDI-në si përgjegjëse për situatën e krijuar. “Ky rast me pasoja tragjike edhe një herë nxori në sipërfaqe dyfytyrësinë dhe amoralitetin e BDI-së, që pa fije turpi duke qenë pjesë e qeverisë që natën ekzekuton shqiptarë, ditën i vajtojnë dhe bëhen pjesëmarrës të ceremonive mortore të shqiptarëve të vrarë”, thuhej në komunikatën e PDSH-së.
Menduh Thaçi e ka parë më të arsyeshme të marrë pjesë në 20 vjetorin e themelimit të shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e veta, të mbajtur në sallën e sporteve në Pejë.
Nga partitë politike shqiptarë ngushëllime në familjen Aliu kanë shprehur Imer Selmani nga Demokracia e Re dhe Hysni Shaqiri nga partia Bashkimi Demokratik Kombëtar.
Në ditën kur u bë varrimi i Harun Aliut – Kushtrimit kanë qenë prezent deputetët Safet Neziri, Femi Arifi, Abedin Zymberi, kryetari i SHVL-UÇK-së Fazli Veliu dhe kryetari i BDK-së Hysni Shaqiri.
Ahmeti në mesin e futbollistëve!
Ali Ahmeti, lideri i BDI-së përkundër situatës së tensionuar të krijuar në Maqedoni e ka parë si shumë të rëndësishme të marrë pjesë në festën e klubit të futbollit Renova në Tetovë. Kjo skuadër ka fituar titullin e kampionit, kurse Ahmeti ka pranuar një mirënjohje për angazhimin e tij të madh në sport!