image

Përplasjet dhe fyerjet e fundit mes partive politike shqiptare kanë lënë përshtypje të palakmueshme tek qytetarët. Të anketuar nga Alsat ata thonë se qëllimi i tyre është futja e hutisë në mesin e qytetarëve për të mos i len hapësirë të kërkojnë realizimin e premtimeve të dhëna.“Ata krejt dallavere e kanë, për popull nuk janë duke punuar asgjë, nuk ka bereqet prej asnjërit, as prej maqedonasve as prej shqiptarëve. Kjo nuk është në rregull, ata ashtu bëjnë që me habit popullin” tha një qytetar i anketuar nga Alsat. “Nuk është në rregull se krejt ne humbim nga kjo. Për këtë duhet të bashkohen Ali Ahmeti e Menduhi, po edhe Selmani e mos mu përça më. Po flasin mjaft e punët askund , le të ulen e të bashkohen që të tre e të merren vesh si një familje. Na kanë lan pa punë, pa kurgjë, me social nuk jetohet, duhet të kujtohen se ku jemi ne e ku janë të tjerët” tha një tjetër qytetar. “Përlahen kot, prap të njejtit mbetën. Në punë politike nuk merrem fortë po ajo është punë e atyne. Ne po dalim këtu për një kafshatë buke, nuk kemi çka me bo në shtëpi, nuk e dimë nga me ja nis” u shpreh një qytetar. “S’ka më asgjë, na kanë dal prej zemre krejt, nuk ka asnjë dobie prej tyre. Premtime shumë të mëdha e punë nuk ka hiç, ashtu kemi mbet” tha një tjetër qytetar i anketuar. Edhe në anketat e fundit të realizuara nga Instituti Republikan Ndërkombëtar dhe ai për Demokraci  vërehet rënie e madhe e besimit të qytetarëve ndaj partive politike. Pjesa dërmuese e tyre janë deklaruar kundër pjesëmarrjes në votime në rast të mbajtjes së shpejt të zgjedhjeve. Melihate Rustemi