image
Demokracia e Re ka drejtuar akuza në adresë të qeverisë e ne veçanti ndaj partnerit shqiptar, BDI-së, e cila sipas Imer Selmanit, nuk ka program të qartë për zgjidhjen e problemeve. Selmani vlerëson se vendimi i Ahmetit për të qëndruar në qeveri është pjesë e, siç shprehet, marrëveshjes së fshehtë që ekziston mes tij dhe Gruevskit, por e cila sipas kreut të DR-së, do të dëmtoj më së shumti interesat e shqiptarëve.
“Ata marrëveshje gjithsesi kanë, por ajo marrëveshje është shumë e dëmshme për shqiptarët në Maqedoni dhe thjesht është e dëshme për vetë Maqedoninë për vetë shtetin. Vendimet e qeverisë ku ata participojnë shumë herë janë në kundërshtim pastaj me interesin tonë parimor, qoftë kombëtar qoftë shtetëror në parlament dhe mënyrën më të lehtë e gjejnë të jenë pjesë e qeverisë dhe të vazhdojnë të jenë servil dhe vazal ashtu siç janë dy vitet e fundit. Mendoj se të rrish në qeveri pa asnjë ofërtë politike për zgjidhjen dhe tejkalimin e situatës në Maqedoni është shumë më e dëmshme sikur edhe të marrësh një vendim të gabuar”, deklaroi Imer Selmani, kryetar i DR-së.
Demokracia e Re konsideron se qeveria akuale zhvillon politikë destruktive në raport me procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Sipas Selmanit, Qeveria nuk dëshmon sinqeritet në zgjidhjen e kontestit me Greqinë pasi hapat që po ndërmerr nuk lënë aspak hapësirë për zgjidhjen e kontestit deri në qershor.
“Do të kisha dëshiruar me të vërtetë që ashtu siç deklarojnë për hir të interesit të qytetarëve të Maqedonisë dhe të integrimeve në BE dhe NATO, të ketë një xix të shpresës për zgjidhjen e këtij kontesti. Por nga ana tjetër deklaratat e fundit dhe refuzimet shumë të ashpra edhe për propozimin “Republika Veriore e Maqedonisë” nuk jep shpresë se së afërmi do të zgjidhet ky problem”, theksoi Selmani.
Komentet Selmani i bëri në Strugë ku përveç takimeve me qytetarë u mbajt edhe një turne në futboll të vogël, në të cilin morën pjesë përfaqësues të kësaj partie, por jo edhe të subjekteve tjera politike.