Von der Leyen në Beograd: Njohja de facto e Kosovës nënkupton zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi në Beograd se njohja de facto e pavarësisë së Kosovës në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër.
“Për çfarë bëhet fjalë, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë pranimin e dokumentave dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe shkon krahas themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta zbatojë Kosova”, tha Von der Leyen në një konferencë për media të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur një pyetjeje që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës, që e ka përmendur në Prishtinë një ditë më parë.
Von der Leyen theksoi se kjo do t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që, siç theksoi ajo, është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane. Zyrtarja evropiane shtoi se sulmi në Banjskë është krejtësisht i papranueshëm dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.
Ajo i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë propozimin evropian për draftin e asociacionit dhe Kosovës ta zbatojë atë.
Në anën tjetër, Vuçiç ka thënë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje për Serbinë” dhe se nuk i vjen turp ta përsërisë edhe para presidentes së Komisionit Evropian. “E dimë cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim”, ka thënë Vuçiç.
/TEMA