Lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut
“Antikorrupsioni 2030: Sfidat aktuale dhe të ardhme kundër korrupsionit
- “Instituti për Demokraci (ID) do të mbajë tryezën e rrumbullakët me titull “Antikorrupsioni 2030: Sfidat aktuale dhe të ardhme kundër korrupsionit”.
“Qëllimi i konferencës është prezantimi dhe diskutimi i një analize parashikuese të skenarëve të mundshëm në të cilët do të zhvillohet korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit deri në vitin 2030 dhe si do të përballen institucionet me sfidat e ardhshme. Analiza është përgatitur në bashkëpunim me institucionet kryesore kundër korrupsionit në vend dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si pjesë e procesit të planifikimit strategjik për përballimin e sfidave që sjell lufta kundër korrupsionit”, theksojnë nga Instituti për Demokraci.
Në ngjarjen janë ftuar përfaqësues nga Qeveria, Kuvendi, Këshilli inspektues, Enti Shtetëror i Auditimit, Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Komisioni rregullator për energjetikë, Drejtoria doganore, Drejtoria për polici financiare dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, dhe përfaqësues të Platformës së Organizatave Civile për luftën kundër korrupsionit.
Konferenca organizohet si pjesë e projektit “Inkurajimi i debatit publik për anti-korrupsion” qëllimi i të cilit është të mbështesë procesin e reformave në Maqedoninë e Veriut duke fuqizuar agjendën e reformave në fushën e sundimit të ligjit. Për të arritur këtë qëllim, projekti parasheh bashkëpunim dhe konsultim me të gjithë aktorët përkatës. Projekti mbështetet nga Fondi Kombëtar për Demokraci.