Trupat ruse në fillim të agresionit në Ukrainë nga Vladimir Putin, thuhet se kishin sjellë me vete uniforma parade – në pritje të një fitoreje brenda disa ditësh.

Por një vit më vonë, asnjë uniformë e tillë nuk është veshur, falë qëndrueshmërisë së Ukrainës, ndihmës perëndimore dhe dështimeve ruse në fushën e betejës.

Madje, gjatë kësaj lufte, ushtria e Putinit ka hasur në disa pengesa, disa prej të cilave ua sjellim më poshtë:

Dështimi për të marrë Kievin

Trupat ruse përparuan shpejt kur filluan agresionin e tyre më 24 shkurt 2022, duke përfshirë në jug rreth Khersonit dhe në verilindje afër Kharkiv, qyteti i dytë i Ukrainës.

Frika u rrit se kryeqyteti mund të pushtohej së shpejti dhe presidenti ukrainas Volodymr Zelensky të kapej ose vritej, gjë që mund të çonte në dorëzimin e shpejtë të Ukrainës.

“Unë mendoj se nëse shikoni prapa, në 30 ditët e para, nëse rusët mund të kishin marrë taktikisht Kievin dhe të vrisnin ose kapnin Zelenskyn, ne mund të ishim në një pozicion shumë, shumë të ndryshëm”, ka thënë për Newsweek, Dale Buckner, CEO i firmës ndërkombëtare të sigurisë Global Guardian, përcjell Telegrafi.

“Unë mendoj se njerëzit e nënvlerësojnë jashtëzakonisht rëndësinë e tij. Unë mendoj se ata e nënvlerësuan fuqinë e tij simbolike, temat dhe mesazhet dhe rëndësinë e të qenit ndërlidhës me Perëndimin, NATO-n dhe SHBA-në”.

Ndërsa trupat ruse formuan një kolonë 40 milje (rreth 65 kilometra) përgjatë autostradave në veri të Kievit, trupat e Gardës Kombëtare të Ukrainës zunë pozicione mbrojtëse në urat që hynin në qytet, u ngritën barrikada antitank dhe banorët u mblodhën, të armatosur me kokteje Molotov.

Trupat ruse arritën në qytetet Irpin dhe Bucha, në veriperëndim të kryeqytetit, ku hetuesit kanë mbledhur prova të gjera për ato që ata thonë se janë mizori të kryera kundër civilëve, të cilat Moska i mohon.

Pati gjithashtu luftime rreth Brovary, në lindje të Kievit.

Por autokolona ngeci dhe kryeqyteti nuk ra kurrë, pasi forcat ukrainase ndërprenë linjat e furnizimit ruse, ndaluan aeroplanët që transportonin trupa nga zbarkimi dhe shkatërruan automjete të blinduara ruse.

Ishte një rezistencë kundër agresionit të Putinit që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Mbytja e Moskva-s

Çmimi i anijes flamurtare të Flotës ruse të Detit të Zi ishte rreth 750 milionë dollarë, por fundosja e saj më 14 prill pa dyshim i dha një goditje edhe më të kushtueshme reputacionit të fuqisë detare të Rusisë.

Krenaria e flotës ruse të Detit të Zi ishte gjendur nën ujë dhe Ukraina tha se e kishte goditur anijen me raketa Neptun.

Moska e mohoi këtë, duke thënë se municioni në bord shpërtheu në një zjarr të pashpjegueshëm dhe anija u mbyt ndërsa po tërhiqej në port.

Rusia tha se një marinar u vra dhe 27 të zhdukur, por raportet e paverifikuara tregojnë për qindra viktima dhe të afërm që kërkojnë përgjigje për atë që ndodhi.

Ajo që ishte e qartë ishin pamjet e anijes me tym të zi që dilte në ajër dhe poshtërimi që rezultoi për Putinin.

Shpërthim në urën e Kerch

Shpërthimi në urën mbi ngushticën e Kerch që simbolizon pushtimin rus të gadishullit të Krimesë, të pushtuar në vitin 2014, ishte befasues.

Ai pasoi një verë sulmesh në vendet ruse në Krime, duke përfshirë bazën ushtarake Saki më 9 gusht.

Më 8 tetor, një ditë pas ditëlindjes së 70-të të Putinit dhe disa ditë pasi ai kishte pretenduar aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, një pjesë e urës ishte në flakë me imazhe dramatike të tymit që dilte nga një tren dhe seksione rrugore të shembura.

Askush nuk e mori përgjegjësinë dhe Zelensky tha se Kievi “nuk e urdhëroi” shpërthimin. Shërbimet ruse të sigurisë FSB thanë se tetë persona, përfshirë pesë rusë, u arrestuan në lidhje me shpërthimin, përcjell Telegrafi.

Goditjet në urën e Kerch dhe në Moskva kanë qenë domethënëse edhe nëse ato nuk kanë dhënë një avantazh të menjëhershëm strategjik.

Humbje të mëdha trupash

Vlerësimet e Kievit për humbjet ruse sugjerojnë se Putini ka humbur më shumë trupa këtë muaj se në çdo moment të pushtimit. Madje, tri herë këtë muaj, Kievi ka pretenduar më shumë se 1,000 vdekje ruse në një ditë.

Putini ka humbur gjithashtu shumë komandantë të rangut të lartë me inteligjencën japoneze që vlerëson se 20 gjeneralë rusë janë vrarë në luftë – dy herë më shumë se sa ishte raportuar më parë.

Presidenti rus ka ndryshuar katër herë udhëheqjen e luftës së tij deri më tani, në janar duke emëruar shefin e shtabit të përgjithshëm Valery Gerasimov për të zëvendësuar Sergey Surovikin, i cili kishte qenë në komandë vetëm që nga tetori.

Dhe zëvendësadmirali i Marinës së SHBA në pension, Robert Murrett, i cili është zëvendësdrejtor i “Syracuse University Institute for Security Policy and Law”, tha se në nivelin strategjik, pengesa më e madhe për Putinin janë “viktimat e mëdha që kanë marrë rusët”.

Ai tha për Newsweek se forcat ruse janë ndikuar nga “dobësia që ata kanë treguar në strukturën e tyre komanduese dhe mungesa e trajnimit dhe efektivitetit të forcave të tyre tokësore në veçanti, por edhe në një farë mase nga forcat e tyre ajrore dhe detare”.

Performanca e lëkundur ruse në luftë sjell gjithashtu lehtësim për forcat e Kievit.

“Udhëheqja brenda ushtrisë ukrainase dhe gjithashtu në nivel civil me ministrin e mbrojtjes dhe presidentin e tyre, është shumë më efektive”, vlerëson ai.

Tërheqja nga Khersoni

Ndërsa forcat ruse u përballën me një kundërofensivë ukrainase e cila kishte marrë vrull, forcat e Putinit u tërhoqën nga i vetmi kryeqytet rajonal që kishin marrë që nga fillimi i agresionit.

Komandanti i atëhershëm i Rusisë në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, tha në nëntor se nuk ishte më e mundur të vazhdonte furnizimin e qytetit dhe tërheqja nënkuptonte që trupat e tij të tërhiqeshin nga bregu perëndimor i lumit Dnieper.

Kjo tregoi vështirësitë që kishin forcat e Putinit për të mbajtur territorin që kishin fituar më herët gjatë luftës.

“Nëse ata do të kishin qenë në gjendje të rifurnizoheshin me ushqim, ujë, municione, karburant dhe më e rëndësishmja, ata do të sillnin të plagosurit dhe të vdekurit dhe do t’i zëvendësonin me trupa të freskëta në mënyrë efikase, ata mund ta mbanin atë terren”, mendon Buckner.

“Për shkak se ata nuk mundën, atëherë humbën të gjitha pjesët e fituara në tre muajt e parë”.

Kështu, me hyrjen e luftës në muajt e dimrit, shpresa e Putinit për një fitore të lehtë ishte zhdukur prej kohësh përballë mangësive në forcat e tij, qëndrueshmërisë ukrainase dhe mendjemadhësisë së tij.

Konstantin Sonin, një ekonomist politik me origjinë ruse në Shkollën Harris të Politikës Publike të Universitetit të Çikagos, tha se Putini e kishte nisur luftën bazuar në një “llogaritje të gabuar të madhe” dhe se pengesat gjatë 12 muajve të fundit tregojnë se ai nuk po përshtatet me realitetin në terren.

Putini kishte vepruar pas “një nënvlerësimi të madh të qëndrueshmërisë së ushtrisë ukrainase, të sistemit politik ukrainas, të kombit ukrainas dhe të reagimit perëndimor”, ka thënë ndër tjerash Sonin.