Parlamenti i Maqedonisë mbrëmë miratoi Ligjin për regjistrimin e popullsisë, me ç`rast në përfundim të debatit pasoi një atmosferë tensionuese midis deputetëve shqiptarë të BDI-së dhe DR.

Burime për agjencinë e lajmeve INA kanë bërë të ditur se tensionet kanë shpërthyer në momentin kur deputetët e Demokracisë së Re po braktisin seancën parlamentare, ata ishin provokuar nga deputetët e BDI-së.

Deputetët e DR-së theksuan se ata derisa po braktisnin seancën ishin provokuar me fjalë ofenduese nga deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.

“Një incident i rëndë i përsëritur sikur ai tre vite më parë midis BDI dhe PDSH-së mund të kishte plasur në Parlament, por me ndërhyrjen e deputetëve të tjerë situata është qetësuar”, theksuan burime pranë Parlamentit, ndërsa deputetët e DR-së për sot kanë paralajmëruar konferencë me mediat për të sqaruar rastin.

Parlamenti miratoi Ligjin për regjistrimin e popullsisë me votat e VMRO-DPMNE, BDI, por edhe të deputetëve të partisë më të opozitare maqedonas LSDM. Me miratimin e këtij Ligji, afati zyrtar për mbajtjen e regjistrimit është 1 prilli i vitit 2011, dhe se ky proces do të zgjas për 15 ditë. Partitë opozitare shqiptare kanë shprehur dyshime lidhur me këtë ligj, i cili sipas tyre do të lë jashtë procesit të regjistrimit diasporën shqiptare