PDK tërheqjen e LDK-së nga koalicioni e quan mesazh të keq

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë akuzuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Fatmir Sejdiu për prishje të koalicionit qeverisës për interesa personale, ndërkohë burime të Kosovapress-it brenda kryesisë së PDK-së bëjnë të ditur se Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë së PDK-së, ka thënë se janë të informuar nga mediat se LDK-ja është tërhequr nga koalicioni qeveritar. “Ky është një lajm i papritur, befasues dhe i keq për Kosovën dhe qytetarët e saj. Është një vendim befasues dhe mesazh i keq për miqtë tanë. Pas këtij vendimi janë krijuar rrethana të reja dhe krizë institucionale në vendin tonë. PDK-ja vlerëson se ky vendim është motivuar për interesa të ngushta personale dhe elektorale të kreut të kësaj partie. PDK-ja do të ndërmarrë do të ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm në përputhje me Kushtetutën dhe interesat e shtetit”, ka thënë ai.

Hoxhaj nuk ka lejuar që nga gazetarët të bëhen pyetje. Në mbledhje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të kryesisë.