Sytë e ndjekjes
Sytë e kokalltë të ndjekjes zgjeten si litarë prej kafenesë së katundit cila kundërmon tymnajë mërzie. Vetmi me njerëz që jetojnë mes klithmash jete dhe jetën e zbërthejnë përmes llafeve me brum meskin. Kolliten thellë aq sa dhe astma e tyre është përplot këlbaza vreri. Ligjërojnë esëll tema shpiunash…
Fjala “mirëmëngjes” ndërpret meditimin e tyre. Një karrike e lirë ofrohet për personin e veshur mirë. Kamarieri fytyrvrejtur ia sjell kafenë me nervozë. Padiktueshëm, nën ritmin e rastësisë së paracaktuar, ai lexon nëpër sytë e tyre testamentin e ndjekjes së tij, fjalët e pabesa, vetëtimat e mendimit drejtuar sedrës së tij… Ndjekja sillet rreth tij. Lëpin buzët me gjuhën e saj të zjarrtë dhe mezi pret t’ia djegë petalet delikate të jetës. Ai del nga selia e ndjekjes dhe ndjekësve me idenë e moskthimit dhe duke mikluar afshet e mosdorëzimit, mosdëgjimit, mosmërzitjes… Një shpresë kryeneçe e bën të forcojë besimin në vetvete.
E ndjekin personin e veshur mirë, personin me këpucë të lyera, me një ҫantë profesori, personin aq të dëshiruar për ndjekje. Askush nga ATA nuk ka asnjë mandatë ndjekjeje por ja që së koti e marrin këtë detyrë të pistë e cila gjallon mes përgojimesh, mes dëshirash të flakta se ҫ’librezë partie ka në xhep personi i veshur mirë, se kush e futi në punë, se numrat e cilit lider i ka në telefon, se me kë shoqërohet, se, se, se… , se-të shumëzohen njëjtë siҫ ritet numri i rratheve të tymit të cigareve të ndjekësve… Ata shohin gjithçka tek ai: sjelljen, ecjen, hapjen e gojës madje dhe dhëmbin e prishur në fund. Virusi i të ndjekurit është instaluar tradicionalisht. Komunizëm-ndjekje. Ndjekje-përvdekje. Sytë e mëdhenj të ndjekjes ngjiten si muti n’këpucën e një ikësi. Syve të tillë s’u shpëton as maratonisti, as alkimisti, as hija e pisit të pistë, as vetë ndjekësi. Ndjekësi s’ka sy por me koncept ndjekjeje. Kur vjell zorrët e spiunon legeni. Ai bën dashuri e spiunon e dashuria mashtrimi të cilit i dyfish i besoi. Gjithçka përreth tij ka aromë ndjekjeje. Dhe jeta prej ndjekje është. Vetëm vdekja i shpëton ndjekjes. Vdekja vret planet e ndjekjes. Shkoç çdo ndjekje dhe lë ndërgjegjen t’qetohet n’parajsë. Sytë e ndjekjes s’janë sytë e Zotit. Zoti kaherë është verbuar. Sytë e ndjekjes janë sy njerëzish meskin. Sy veses të këqija. Sy mentalitetesh të verbëta… Sy mace ka ndjekja. Sy të terrtë plot vezullim ndjekje. Sy të pagjumë shkaku i një ndjekje. Ndjekjet vijnë pas gabimeve. Ai s’do që të ndiqet. Por, si t’ua mësojë të tjerëve artin e të jetuarit me gabime. Sytë e ndjekjes janë vetëtima ndëshkimesh. Janë rebeshe shikimesh plot nervozë. Janë dhëmbë që duan të çajnë një shpresë. Janë pranga… Sytë e ndjekjes duan viktima gabimesh. Duan nxënës të dëgjueshëm për në ligjëratën e ndjekjes në amfitetrin më profesor Ndjekësin. Duan fëmijë të habitur që lehtësisht t’ua rasin programin e ndjekjes më Usb në trurin e tyre pa haber ndjekje. Ndjekja përvetëson çdo gjë por jo shpirtin. Shpirti është desntinim i ndjekjes si gjaku për një vampir. Ndjekja ka këmbë të shpejta e duar të gjata. Ndjekje s’është çdo vëzhgim, çdo përcjellje ndjekjen e bën ndjekje Koncepti të ndjekurit për të viktimizuar një fatprerë, për të vrarë një të vërtetë… Ndjekja është leckë e zezë të mbyll gojën dhe shpirtin. Ndjekja atë kur s’do ta zë…
Ai do e ndjej veten të vogël në këtë fushëbetejë mendimesh ku demonët e fjalës rebelohen, thurin sonete inate dhe këndojnë si çafka në korr… Ai do përballojë sytë e zgurdulluar të çdo ndjekësi me zemrën e tij të madhe prej ndjekjepritësi. Ai do ndjejë çdo ditë praninë e kufomave që ecin kuturu binarëve ballkanikë. Do përjetojë magjinë e pafundme të ekztazës së dëmit dhe do klith: më lerni rehat “jam vetëm një mollë dhe pres të vete në përqafimin e tokës” .