image Musa Xhaferi, Ministër – Fazli Veliu, deputeti i BDI-së

 Dosjet e tre funksionarëve të lartë të BDI-së, që u dorëzuan dje në komisionin për lustrim, kanë ngjallur reagime të shumta në partinë e Ahmetit. Dy, prej tre funksionarëve të BDI-së që dje u apostrofuan si bashkëpunëtor të mundshëm të shërbimeve serbe, sot reaguan ashpër duke i vlerësuar dosjet e tillë si shantazh dhe shpifje nga ana e  PDSH-së për diskreditimin e personaliteteve të tyre. Ministri që u përmend si bashkëpunëtor me nofkën “Mama” është Musa Xhaferi. Ndërsa deputeti me pseudonimin “Daja” dhe “Drim” është Fazli Veliu. “Ajo është një dosje nga shërbimet e PDSH-së, nuk di me ndihmën e kujt, të cilët janë të trilluara gjana, faktikisht unë jam i fundit që kam marrë atë përmes gazetarëve. Keqpërdorimi i personave publik nëpërmjet kësaj forme të rrallë të jashtëzakonshme, që për fat të keq profesori ynë i nderuar që ska turp para nxënësve edhe publikut, të luajë të aktrojë një përrallë të atillë se rastësisht atij dikush i ka dhënë dosje të atilla, dhe do të kishte një kuptim logjik nëse ai dosjet do ti dorëzonte tek komisioni. Unë do të angazhojë avokatë të cilët do të kërkojnë të mbrojnë veten në kuptimin e komprometimit personal në një formë shumë të paskrupullte të skenarit që ata e kanë përgatitur” tha Musa Xhaferi, Ministër i BDI-së. Ndërsa Fazli Veliu ka reaguar përmes një letre drejtuar opinionit. “Në asnjë kohë e situatë, në burgje, mërgim, luftë e paqe, përballë armiqve e mashave të zgjatura të tyre, nuk e kam humbur vetëdijen dhe forcën e dhënë nga Zoti, që të bëj ndonjë  veprim të pamatur në dëm të popullit e Atdheut tim, përkundrazi, kam qëndruar në këmbë dhe kam vepruar me logjikë të shëndoshë e me përkushtim për çështjen e shenjtë mbarëkombëtare e mbarënjerëzore“ thotë në reagimin e tij, deputeti Veliu. Ai thotë se drejtësinë për këtë rast do të kërkojë në Institucionet kombëtare dhe Ndërkombëtare. Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja tha se bëhet fjalë për fushatë që ka për qëllim të diskreditojë personalitete, të shantazhojë dhe të shkatërrojë familje dhe në fund të shkatërrojë jetë njerëzish.“Si ka mundësi vallë që dosje kaq të rëndësishme, kaq dosje kaq të besueshme, dosje me informacione kaq diskredituese për zyrtar të një shteti, deputet, ministra funksionar e kështu me rradhë të kenë fluturuar në oborrin e një individi dhe që ai pastaj me këto dosje të kryej obligimin e tij qytetar siç e quajti dje” tha zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja. Nga BDI-ja thonë se do të presin fillimisht prononcimin e Komisionit për Lustrim dhe më pas do të ndërmarrin të gjitha masat ndaj siç thonë “qytetarit të ndershëm që kryente obligimin e tij qytetar” dhe ndaj atyre për të cilët kanë indikacione se janë të përfshirë në skenarët me dosjet e tre funksionarëve BDI-së. Shkëlzen Aqifi