Evis HALILI
Shkup, 13 tetor – Numri i besimtarëve që do të udhëtojnë këtë vit drejt destinacionit të shenjtë – Mekës, ka pësuar ulje drastike. Çmime të larta dhe më pak besimtarë. Kjo është fatura që do të “paguajnë” shumë operatorë turistikë, të cilët edhe pse ofrojnë ulje çmimi, prapëseprapë numri i haxhinjve ka shënuar një rënie të ndjeshme, krahasuar vite më parë.
Në Bashkësinë Islame të Maqedonisë nuk janë në dijeni të këtyre informacioneve. Bilanci, sipas tyre, mund të bëhet vetëm pasi të përfundojnë këto procedura. Pas ankesave të mbërritura në redaksinë e “KOHA” lidhur me kushtet e këqija në hotelet ku strehohen haxhinjtë, edhe disa agjenci turistike kanë alarmuar lidhur me uljen e numrit të klientëve. Ato që e kanë pësuar këtë vit, pohojnë se rritja e çmimit për këtë shërbim ka shkaktuar edhe fluksin e dobët të njerëzve që këtë vit i drejtohen Mekës. Në disa qytete, agjencitë kanë bashkuar udhëtarët për të mbushur të paktën edhe një autobus. Ata që japin alarmin, nuk kanë dëshirë të prononcohen publikisht për shkak se nuk duan të rrezikojnë bashkëpunimin e mëtejshëm me BFI-në.
“Këtë vit ka shumë më pak besimtarë, ngritja e çmimeve na ka fikur”, thonë ata. Sipas tyre, tani ka filluar edhe “pazarllëku” i fshehtë me vizat dhe haxhinjtë. Ka raste, kur personave të caktuar që dëshirojnë të shkojnë në haxh, i ofrohet çmim më i lirë i haxhit se sa janë rëndom çmimet zyrtare.
Ata që prononcohen publikisht, pohojnë të kundërtën. Pronari i agjencisë turistike “Ardi”, Nexhmedin Fazliu, një ndër të vetmit që nuk refuzoi të tregonte për përgatitjet, por pa dhënë numra rreth prenotimeve të realizuara nga kompania e tij.
“E kemi realizuar 100 % planin, nuk është e vërtetë se është ulur numri. Nuk mund ta them sesa persona janë, por këtë vit gati 40 për qind e klientëve kanë ardhur me rekomandimin e hanxhinjve që kemi pasur vitin e kaluar. E numri i hanxhinjve është sekret, nuk mund ta tregojmë”, thotë pronari. Sipas Fazliut, numri i hanxhinjve ka qenë i madh në agjencinë e tyre për shkak të shërbimeve kualitative, por nga ana tjetër, edhe të uljeve të paketës deri në 10 për qind. Këtë vit, të bëhesh haxhi – kushton shtrenjtë. 2150 euro është tarifa e udhëtimit me autobus dhe 2750 me avion. Për këtë të fundit, nuk ka krizë. Në BFI pohojnë se jo vetëm që është plotësuar kuota prej 500 personash, por ka të tjerë që janë në listë pritje. Të paktën kjo pohohet zyrtarisht.
“Nuk kemi informacion se është ulur numri i të interesuarve këtë vit. As shifra nuk disponojmë për momentin. Mund të jetë e vërtetë, ndoshta jo. Gjithçka do ta shohim pas marrjes së vizave”, thotë Selimovski. Tarifa e këtij haxhillëkut nga 2 mijë deri në 3 mijë euro cilësohen absurde nga shumë prej atyre që kanë shkuar, por sidomos prej të tjerëve që planifikojnë të shkojnë këtë vit. Sipas tyre, edhe pse paguajnë shumë shtrenjtë, në fakt akomodohen nëpër dhoma hotelesh me kushte skandaloze, ku flenë së bashku më shumë se 8 veta. Në BFI arsyetohen se rritja e çmimit nuk varet prej tyre, por diktohet nga Meka dhe çmimet e tregut të atjeshëm. Çmimet kanë ndryshuar dhe kjo është një gjë normale, pasi edhe tarifat e tjera kanë ndryshuar, duke filluar që nga rritja e çmimeve hotelerike, karburanteve e të tjera, arsyetohen në BFI. Tarifa e haxhit ka ndryshuar gjatë 20 viteve të fundit duke shënuar deri në 60 për qind që para luftës. Nëse në vitin 2003 kushtonte 950 euro, para viti 2001 çmimi ishte vetëm 750 euro (1500 marka gjermane)… Itinerari i haxhinjve këtë vit ka një ndryshim. Medina do të vizitohet pasi të kryhet haxhi në Mekë.