image

 Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (AMSHA) akoma nuk e ka thirrur mbledhjen e shumëpritur, ku redaksia e re e enciklopedisë do të diskutonte për librin e ri. Edhe pse mbledhja ishte paraparë që të mbahej nga mesi i muajit shtator, ajo akoma nuk është mbajtur. Akademia po blen kohë, ndërsa anëtarët shqiptarë të Enciklopedisë po presin dhe nuk po marrin asnjë vendim. Historiani, Ramiz Abdyli, i cili është pjesë e redaksisë së re thotë se do të presim derisa të mbahet mbledhja e më pas të shohim se si do të shkojnë punët. “Të shohim, do të presim edhe pak derisa ta thërrasin mbledhjen. Akademia e shtyn mbledhjen, por ne do të presim. E rëndësishme është që të plotësohen kërkesat që kam kërkuar”, thotë Abdyli.Pak muaj më parë, anëtarët shqiptarë të redaksisë së re “u kërcënuan” se nuk do të jenë pjesë e këtij libri, nëse vazhdohet me të njëjtën tempo. Ata paralajmëruan se do të presin mbledhjen e shtatorit, ku në bazë të asaj që do të vendosej në atë mbledhje, edhe ata do të vendosnin, të jenë apo mos të jenë pjesë e këtij mashtrimi të madh. Megjithatë edhe akademik Alajdin Abazi, edhe dr. Ramiz Abdyli, edhe pse e dinë se prej librit të ri nuk ka asgjë akoma nuk e kanë lëshuar redaksinë e re.
AMSHA-ja deri më tani nuk ka paraparë asnjë denarë për enciklopedinë e re. Gjithçka rreth librit të ri ishte një mashtrim i madh ndaj shqiptarëve.
Enciklopedia maqedonase u promovua para 13 muajve. Aty kishte mjaft fyerje dhe të pavërteta për shqiptarët. Edhe pse Akademia e shpalli sit ë pavlefshme, ky libër kontrovers, vazhdon të shitet edhe sot, madje ai prezantohet edhe nëpër panaire ndërkombëtare, si vepër e AMSHA-së.
Redaksia e re, ka gjashtë muaj që është krijuar, por deri tani, nuk ka bërë asgjë.