Arsim SINANI

Një bestytni thotë se nëse ta prenë rrugën macja e zezë atëherë punët nuk të shkojnë mirë po të shkojnë mbrapsht. E nisa kolumnën time duke aluduar në macen e zezë si një simbol i asaj çka po ndodh me ne dhe rreth e përreth nesh. Nuk d.m.th. se duhet të të kalojë realisht macja e zezë që punët të të shkojnë keq, ka mundësi edhe pa të kaluar macja e zezë që punët të të shkojnë ters. Gjyshja ime thoshte se nëse të kalon macja e zezë mirë është që ta ndërrosh rrugën, sepse mund të të ndodh diçka e keqe dhe e paparashikueshme, se di se sa ka kjo është e vërtetë. Por se macja e zezë u ka kaluar shqiptarëve në Maqedoni mund të jetë edhe e vërtetë, një komuniteti kaq i madh dhe mos të ndërtojë politika dhe strategji dhe të pranojë një pozicionin kaq degradues vetëm ne shqiptarët e Maqedonisë mund ta tolerojmë. Macja e zezë është gjëja më e vogël që po na kalon para këmbëve neve, elitave politike, elita intelektuale, qytetarëve etj.

Kjo verë sivjet përveç se është mjaft me temperature të parashikueshme me gjasë nuk duhet të çuditemi nëse në fund të vitit kemi zgjedhje të parakohshme. Të gjitha shenjat shpijnë kah kjo, prerje të shiritave në çdo skutë, vendosja e busteve famoze në qendër të Shkupit, rritja e toneve patriotike, paralajmërimi për punësimin e pesë mijë administratorëve të rinj maqedonas dhe ndonjë ngjarje tjetër janë tregues se Maqedonia dalëngadalë do të futet edhe në një parë zgjedhje të përgjithshme .
Bashkimi Evropian dhe NATO-ja mbeten një leksion që Maqedoninë që po e mban në klasë, me këtë po ngelin në klasë edhe qytetarët dhe ata realisht  e paguajnë faturën e lartë të kësaj politike patriotike. Por kjo s’ka të bëjë me macen e zezë sepse ndërkombëtarët bënë çmos që mos të na e presë rrugën macja e zezë.

Por çka në esencë do të sjellin këto zgjedhje për maqedonasit dhe çka do të sjellin për shqiptarët në një formë apo ndryshe përveç krizës së madhe ekonomike qytetarët nuk mund të presin diçka tjetër përveç vazhdimit të mjerimit që i ka kapluar në vitin 2010. Me një grumbull administratorësh të përgjumur shqiptar që rrinë në shtëpi dhe e dëmtojnë komunitetin shqiptar me përgjumjen e tyre, procese gjyqësore të pafundme dhe versione që as në filmat e Hollivudit nuk i kemi parë  komuniteti shqiptar gjendet para sfidës së radhës. Në një prej kolumnave të kaluara ajo që kam theksuar është se shqiptarët duhet të ndërtojnë strategjitë e tyre karshi aparatit shtetëror maqedonas që nuk e njeh hardverin shqiptar, strategjia dhe jetësimi i marrëveshjes së Ohrit, parimi i Badinterit do të ishte më e mira që mund të qepin partitë pulitke shqiptare nga situate në të cilën gjendemi sot. Nëse fajtori do të kërkohej ekskluzivisht vetëm te lideri i BDI-së Ali Ahmeti do të ishte e pandershme sepse realisht përgjegjësinë duhet të gjithë bashkë ta ndajmë. Ajo që vërehet një kohë të gjatë është se BDI-ja në pushtet realisht është dashur në mungesë të opozitës ta luajë vetë rolin e saj që e ka sjellë shpesh para sfidave të brendshme partinë më të madhe aktualisht të shqiptarëve këtu. Zgjedhjet e parakohshme do të jenë shumë interesante për taborin shqiptar nëse në zgjedhje do të kyçej edhe shumë i përfoluri Rufi Osmani me partinë e tij, kjo do të ishte një sfidë në kampin politik shqiptar dhe mund shumë ndjeshëm të ndryshojë konfiguracionin politik te shqiptarët.  Në anën tjetër Demokracia e re e Imer Selmanit do të kërkojë të mbijetojë si subjekt politik karshi partive tjera shqiptare, por ta shohim gjithçka është e hapur. Ajo që unë personalisht pres është hapja e mediumeve të reja Televizive, të gazetave, revistave, ueb faqeve të ndryshme që dalëngadalë të rritet dhe tensioni në kampin politik shqiptar. Por një gjë subjektet politike shqiptare nuk duhet ta harrojnë pse marrin pjesë në ekzekutivin e Shkupit thjeshtë për çështje kortezie apo për të jetësuar kërkesat shqiptarëve kjo është një pyetje që duhet ti përgjigjen partitë tona.
Nëse do shkohet me avazin e Maces së zezë edhe këto zgjedhje nuk do të sjellin asgjë më shumë se sa kujdesin për mos t’u kaluar macja e zezë që simbolikisht është shenjë e keqe për partitë politike shqiptare. Por ti lëmë anash besëtytnitë dhe simbolikat, shqiptarët e Maqedonisë meritojnë një lidership pak më te avancuar, me më shumë gusto dhe me vizion kah do ti shpijnë shqiptarët.
 Një thënie e vjetër shqiptare thotë: “Ai që ka frikë edhe kur ka të drejtë, nuk fiton” besoj kjo thënie flet më së miri për ne shqiptarët këndej gardhiqeve.