image
Sopotasit që po vuajnë dënimin në burgun e Idrizovës, Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi dhe Shaban Limani, mbrëmë kanë marrë konfirmimin me shkrim për vendimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës për përsëritje të procedurës nga shkalla e parë, dhe lirimin e tyre për t’u mbrojtur në liri. Edhe përkundër këtij vendimi, sopotasit presin që vendimi të hyjë në fuqi, ndërsa për të duhet afat kohor 3 ditë. Nëse prokuroria nuk reagon ndaj vendimit të Gjykatës së Kumanovës, atëherë sopotasit të Hënën pritet të lëshojnë burgun e Idrizovës. Në të kundërtën, nëse prokuroria nuk jep mendim, atëherë përsëritjen e procedurës gjyqësore nga shkalla e parë, sopotasit do ta presin në burgun e Idrizovës. Avokati Vullnet Paçuku pret që gjykata e Apelit të aprovojë ankesën e tij edhe për rikthimin e çështjes gjyqësore, edhe për 7 të dënuarit e tjerë për rastin e Sopotit.
“Gjykata themelore e Shkupit bjen një vendim ku bukfalisht injoron të gjitha dëshmitë të cilat ne kemi prezentuar, nuk merr parasysh asnjë dëshmi, thotë se gjendja faktike është vërtetuar në bazë të deklaratës së Ramadan Bajramit. Nuk është e drejtë dhe ligjore që gjykata të komentojë të gjitha këto dëshmi, ne arritëm të ofrojmë dëshmi të reja me shumë relevancë mirëpo për fat të keq kemi një vendim negative edhe pse ky është vendim vetëm i shkallës së parë, kemi apeluar kemi dërguar ankesë dhe presim një vendim të drejtë nga Gjykata e Apelit”, thotë avokati Vullnet Paçuku.
Paçuku tha se në afat kohor prej 10 ditësh, Gjykata e Apelit do të vendosë në bazë të ankesës së palës mbrojtëse. Vetëm dy ditë më parë, Gjykata themelore në Kumanovë vendosi të kthejë në rigjykim rastin e Sopotit për katër të dënuarit Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi dhe Shaban Limani. Me këtë vendim, ata pritet të lirohen nga burgu i Idrizovës për t’u mbrojtur në liri. Ndërkohë për të dënuarin e pestë Zenel Klaiqin dhe 6 të tjerët që janë dënuar në mungesë, brenda 10 ditëve do të deklarohet gjykata e Apelit në Shkup, në bazë të ankesave të paraqitura nga pala mbrojtëse pas vendimit të gjykatës themelore Shkupi 1 e cila kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e rigjykimit për këta të dënuar.
Shkëlzen Aqifi