BE i kërkon Polonisë të mos e miratojë ligjin për gjyqësorin
Komisioni Evropian kërkoi nga Polonia që të heqë dorë nga miratimi i një ligji që do t’i ndëshkonte gjykatësit që vënë në dyshim reformat e qeverisë.
Në një letër dërguar presidentit polak, kryeministrit dhe kryetarëve të dy dhomave të parlamentit, zyrtarja e lartë për Vlera dhe Transparencë e BE-së, Vera Jourova, u bëri thirrje organeve të shtetit të mos e çojnë përpara propozimin, përpara se t’i bëjnë konsultimet e nevojshme.
Jourova tha se i inkurajon fuqishëm autoritetet polake që të konsultohen me Komisionin e Venecias, që është grup i eksepertëve të çështjeve kushtetuese.
Propozim-ligji u kritikua edhe nga Kombet e Bashkuara.
Ai “e rrezikon edhe më shumë” pavarësinë e gjyqësorit në Poloni, tha të premten zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejta të Njeriut, Rupert Colville.
Ligji, që u propozua nga Partia qeverisëse për Ligj dhe Drejtësi e Polonisë, do të lejonte shkarkim dhe masa të tjera disiplinore kundër gjykatësve që vënë në dyshim ligjshmërinë e emërimeve gjyqësore.
Gjykatësit po ashtu do të detyroheshin të jepnin informacione me shkrim për llogaritë e tyre në mediat sociale dhe aktivitetin në shoqatat gjyqësore.
Propozim-ligji ka shkaktuar protesta në Poloni, por qeveria e sheh atë si të nevojshëm “për të parandaluar kaosin në gjyqësor”.
Bashkimi Evropian e ka kritikuar disa herë Poloninë për miratim të ligjeve që thuhet se nuk janë në përputhje me rregullat e BE-së.