Kina ndalon vetëvrasjet për të korruptuarit
“Vdekja nuk duhet të jetë një rrugë shpëtimi”. Është ky titulli i një editoriali të publikuar në një të përditshme të Kinës, ku zyrtarët e korruptuar paralajmërohen se “do të ndëshkohen edhe në varr”.
Beteja kundër korrupsionit është ndërmarrë nga presidenti Xi Jinping në fund të vitit 2012, kur dhe erdhi në pushtet.
Në 2013, Universiteti i Pekinit llogariti se janë nën hetim 182 mijë anëtarë të partisë komuniste, ndërkohë që një vit më parë ishin 10 deri në 20 mijë.
Nuk ka vetëm “mushkonja”, siç i quan presidenti, por edhe “tigra”. Mesatarja e këtij viti është 32 funksionarë të lartë në javë.
Njeriu që koordinon fushatën anti-korrupsion është Wang Qishan, 66 vjeç, shef i Komisionit Qëndror të Disiplinës pranë partisë. Nën urdhërat e tij është një ushtri prej 800 mijë hetuesish.
Thuhet se ai është një spektator i apasionuar i “House of Cards”, seriali televiziv amerikan që tregon skenaret për pushtet dhe korrupsionin në hijen e Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, në planin praktik, për të shmangur vetëvrasjet, komisioni i disiplinës ka urdhëruar që dhomat e marrjes në pyetje të të dyshuarve të jenë të mbuluara nga brenda me panele të mbushura, në mënyrë që njerëzit të mos kryejnë akte vetëdëmtimi.
“Duhet të marrim masa për të bllokuar rrugët e shpëtimit për të korruptuarit që kërkojnë të shamngin ndëshkimin me vetëvrasje”, ka shkruar në editorial pedagogia Lin Zhe, e Shkollës Qëndrore të Partisë Komuniste.
Arsyetimi i saj është: “vetëvrasjet e zyrtarëve të korruptuar shkaktojnë humbje të thella për përpjekjet kundër korrupsionit, pasi pjesa dërrmuese e fitimeve të paligjshme nuk rekuperohen me konfiskimet”.
Prandaj, vetëvrasja mund të jetë një strehë për t’i lënë trashëgimi familjes tangjentet dhe vjedhjet. Pedagogja kujton se si ligji kinez parashikon proçedimin në rast vdekjeje të të hetuarit dhe shton se në kulturën kineze është respekti për të vdekurit, që ndalon të flitet për fajet e tyre.
Prandaj, kërkesa është: “një korrigjim drastik i proçedurës, që në rast se nuk parandalohet vetëvrasja, të korruptuarit të dënohen edhe në varr”