Cënoi imazhin e gruas së Trumpit, “The Daily Telegraph” do paguajë shtrenjtë
Gazeta angleze “The Daily Telegraph” i ka kërkuar falje bashëshortes së presidentit amerikan, Melania Trump, dhe është pajtuar që të paguajë gjobë financiare për dëmin e shkaktuar përmes një artikulli të publikuar javën e kaluar.
Drejtuesit e gazetës kanë thënë se artikulli “Misteri i Melanias”, i publikuar në versionin e revistës së të shtunës, ka përmbajtur një numër të të dhënave të pasakta. Këtu përfshihen pretendimet se ajo ka pasur vështirësi në karrierën e modeles para se të takohet me bashkëshortin e saj dhe se ka qarë në natën e zgjedhjeve.
Gazeta e ka pranuar se ky shkrim nuk është dashur të publikohet dhe se janë të gatshëm të paguajnë gjobë financiare për gabimin e tyre. Në numrin e së shtunës, gazeta ka publikuar një shkrim, në të cilin thuhet se zonja Trump ka qenë një modele e suksesshme profesioniste edhe para takimit me burrin e saj dhe ka siguruar punë në profesionin e saj pa ndihmën e tij.
Në shkrim thuhet se ajo nuk i ka braktisur studimet për dizajn dhe arkitekturë për shkak të mosplotësimit të provimit por për shkak se ka dashur ta zhvillojë karrierën si modele profesioniste, shkruan “BBC”.