Komandant Hoxha: Të formohet një Këshill Organizativ për protestat
Xhezair Shaqiri i njohur gjatë luftës së vitit 2001 si komandant Hoxha, kërkon nga intelektualë dhe veprimtarë të njohur shqiptarë, të formojnë një Këshill Organizativ për koordinim të protestave të shqiptarëve, që vijnë si rezultat i pakënaqësisë nga dënimi i shqiptuar për rastin “Monstra”.
“Kërkoj nga Shpëtim Pollozhani, Rufi Osmani, Kim Mehmeti, Bardhyl Mahmuti dhe intelektualë tjerë të sinqertë shqiptarë të formojnë një Këshill Organizativ për të ju pri protestave dhe të mos lejojnë që ato të marrin ndonjë kahje të padëshiruar.
Mos ti lejojnë politikuajt e korruptuar dhe të shitur që të luajnë me popullin tonë, por të ju dalin në ballë këtyre manifestimeve”, deklaroi për “Lajm” Shaqiri.
Ai ka thënë se i mbështet protestat që po zhvillohen në tërë Maqedoninë ku jetojnë shqiptarë.
“I mbështes protestat kundër vendimit të gjykatës lidhur me rastin ‘Monstra’. Mendoj se shqiptarët duhet të vazhdojnë të protestojnë fuqimisht kundër diskriminimit dhe të kërkojnë reformim të gjyqësorit dhe organeve tjera prej ku buron diskriminimi në Maqedoni”, thekson në deklaratën e tij për “Lajm”, Xhezair Shaqiri-Komandant Hoxha.