Llalla-Berisha front rezistence në mbrojtje të Lazaratit, sabotohen hetimet për trafikantët dhe të kërkuarit
Pas rezistencës me mitraloza, autoblinda dhe snajpera në Lazarat, një tjetër rezistencë e heshtur po zhvillohet në Tiranë, në mbrojtje të bandave të Lazaratit dhe perandorisë së drogës. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryeprokurori, Adriatik Llalla, kanë nisur një rezistencë në Tiranë kundër operacionit të Policisë së Shtetit dhe në mbrojtje të grupeve të zjarrit të Lazaratit,
sot të arratisur në male, pas pesë ditësh luftë me forcat speciale. Operacioni policor më masiv, më i rëndësishëm dhe më i rrezikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar, rrezikon të dështojë falë angazhimit dhe lëvizjeve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili komandohet nga Shkëlzen Berisha. Kështu, pasi i telefonoi Gate Mahmutajt që të mos dorëzohej, pasi u ankua se bandat e Lazaratit kishin mbetur pa internet dhe pasi hodhi baltë mbi forcat speciale, Sali Berisha ka angazhuar beniaminin e tij, Adriatik Llallën, për të shpëtuar nga burgu grupet e zjarrit në Lazarat. Pushtimi i kryeqytetit të kanabisit në Evropë nga Policia e Shtetit, pas pesë ditësh luftë me mortaja, autoblinda dhe mitraloza, është pasuar me një skandal të paprecedentë, me protagonistë kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Sali Berishën. Nuk bëhet më fjalë për mbylljen e dosjeve të korrupsionit apo zvarritjen e hetimeve për ndonjë peshk të politikës, por për injorimin e pronave masive për kartelet e drogës së Lazaratit, të njohura ndërkombëtarisht, por sot të shpartalluara falë një operacioni ku u angazhua mbi 1 mijë forca policie. Pas ulërimave dhe sokëllimave të Sali Berishës kundër shkatërrimit të grupeve kriminale në Lazarat, kryeprokurori Llalla nuk po bashkëpunon me policinë për ndëshkimin e karteleve të Lazaratit. Ndërsa të gjitha kancelaritë evropiane i kanë sytë tek Lazarati, kryeprokurori Adriatik Llalla, ka dërguar vetëm një prokuror në Lazarat, duke injoruar hapur një mal me prova për veprimtarinë kriminale të grupeve të drogës. Ndërsa grupet kriminale, që hapën zjarr për pesë ditë më radhë mbi policinë janë arratisur prej dy ditësh në mal, kryeprokurori Llalla po anashkalon provat që ata kanë lënë pas në llogoret dhe bazat ku ka luftuar. Edhe pse SHBA, BE dhe të gjitha organizmat ndërkombëtare kërkojnë arrestime masive dhe dënimin e karteleve të drogës, në Lazarat duket se po fiton linja e Berishës. Reagon Adriatik Llalla Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pas deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm, Artan Didi, duke hedhur poshtë pretendimet e tij se prokuroria nuk po asiston uniformat blu gjatë operacionit në Lazarat. Përmes një njoftimi për shtyp, institucioni qendror i akuzës ka deklaruar se zyrtarët e tij ndodhen prej ditësh në fshatin jugor të vendit. “Oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët ndodhen prej ditësh në Lazarat. Sot ndodhet në Lazarat edhe vetë kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, thuhet në deklaratë. Po ashtu, njoftohet se drejt Gjirokastrës janë nisur prokurorë të Krimeve të Rënda, për të parë më nga afër dhe hetuar situatën në Lazarat. Ndërkohë, mësohet se paraditen e sotme janë nisur dhe Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. “Në Gjirokastër, gjatë paradites së të premtes, ka qenë prokurori i gatshëm dhe të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore. Menjëherë pas mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve, zhvilluar gjatë paradites së sotme, sipas një axhende të parashikuar më parë drejt Gjirokastrës janë nisur prokurorë të Krimeve të Rënda, përfshirë Drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme”, thuhet në njoftimin për shtyp. Adriatik Doçi – See more at: http://www.sot.com.al/politike/llalla-berisha-front-rezistence-n%C3%AB-mbrojtje-t%C3%AB-lazaratit-sabotohen-hetimet-p%C3%ABr-trafikant%C3%ABt#sthash.KYjY0Yed.dpuf