Banka Botërore: Nuk e financojmë Radikën nëse bën dëm
Nëse studimi për “Fushën e Llukovës” tregon se akumulimi është i dëmshëm për mjedisin, financuesi i projektit, Banka Botërore do të tërhiqet nga ndërtimi i liqenit artificial. Ky është qëndrimi zyrtar i Bankës Botërore i prezantuar në takimin e sotëm me ministrin e Ekonomisë Valon Saraçini. Mirëpo, çka nëse raporti tregon se nuk ka efekte negative ndaj ambientit të jetesës?
‘Një pjesë shumë e rëndësishme e zbatimit të këtij studimi janë konsultimet. Deri më tani tashmë janë mbajtur konsultime me popullatën lokale. Dhe së shpejti, kur drafti i versionit të parë i këtij studimi do të publikohet, do të ketë konsultime plotësuese. Të gjithë qytetarët do të ftohen të marrin pjesë në këtë konsultim dhe besojmë se do të merren në konsideratë shqetësimet e shprehura në lidhje me këtë projekt’, tha Ranxhit Lameku, Banka Botërore.
Saraçini thotë, projekti në asnjë rast nuk do të realizohet pa pëlqimin e Republikës së Shqipërisë, por edhe të banorëve të Dibrës.
“Sipas të drejtës ndërkombëtare asnjë shtet nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare, dhe të sjell vendime pa konsultim me shtetet fqinje. Në rastin konkret me Shqipërinë, ku duhet të kemi projekt të gatshëm nga ana jonë, dhe në fund të kërkojmë edhe pëlqimin e tyre. Nëse mendimi i tyre është pozitiv, ne do të shkojmë një hap më tej, dhe do të pyesim edhe qytetarin e fundit që jeton në atë rajon, respektivisht dibranin e fundit, dhe nëse ka nevojë do të organizojmë edhe referendum”, u shpreh Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
Ditë më parë, kryeministri Nikola Gruevski tha se nëse studimi i Bankës Botërore tregon se projekti është i dëmshëm për mjedisin, nuk do të realizohet dhe anasjelltas. Ndërkaq, ky projekt shkaktoi reagime dhe protesta në Dibër dhe në Tiranë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nuk ka projekt që u merr lumin shqiptarëve. Sipas Bankës Botërore, studimi mbi ndikimin e projektit në mjedisin e jetesës ende po përgatitet dhe do të jetë gati deri në fund të shkurtit.