Takime të Albin Kurtit në Londër
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi disa takime të rëndësishme gjatë qëndrimit të tij në Londër. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ai u takua me drejtuesin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin, Owen Jenkins, drejtuesin e Ekipit për Kosovën, Dashiell Caldwell dhe zyrtaren e Zyrës për Kosovën, Lisa Farrington.
Ndërsa në takimet e mbajtura në Parlamentin e Britanisë së madhe, Kurti u takua me deputetin e Partisë Laburiste dhe anëtarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Mike Gapes, si dhe me deputetin tjetër dhe Kryetarin e Grupit gjithëpartiak parlamentar për Kosovën, Sir Tony Baldry.
Në këto takime Kurti prezantoi qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për gjendjen në Kosovë dhe situatën në rajon si dhe shpjegoi idetë, programin e Vetëvendosjes.
Po ashtu, u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për rolin dhe rëndësinë e mërgatës shqiptare, për integrimet evropiane dhe për marrëdhëniet e Kosovës dhe shqiptarëve me fqinjët.