BDI: Nuk dalim nga qeveria

Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e së enjtes ka konstatuar se dallimet ndërmjet partnerëve të koalicionit për Ligjin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë, mbeten edhe më tej, por këto dallime nuk duhet të shkaktojnë bllokadë të punës së institucioneve të rëndësishme për qytetarët dhe agjendën evropiane.
Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani deklaroi se, kryesia qendrore e BDI-së i jep mbështetje të plotë Grupit parlamentar të BDI-së, në punën e tyre për të parandaluar miratimin e një ligji përzgjedhës, megjithëse konstaton se mbeten dallimet esenciale ndërmjet partnerëve sa i takon ligjit.

“Duhet të bëhen përpjekje që këto dallime të mos reflektojnë në sferat e tjera të shoqërisë, në bllokimin e institucioneve, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin normal të qytetarëve dhe realizimin e agjendës evropiane”, ka theksua Osmani.

Bashkimi Demokratik për Integrim kohë më parë kishte paralajmëruar daljen nga Qeveria, në rastë se miratohet ligji i ashtuquajtur për branitellat. Ndërkaq, tani ka shprehur një qëndrim më të butë duke theksuar se me çdo kusht do ta bllokojnë ligjin në fjalë.

Bllokimi i ligjit, siç thonë ata, do të bëhet duke shfrytëzuar mekanizmat demokratik në Parlamentin e Maqedonisë.