Mbi 60 për qind e shqiptarëve të Dibrës rrezikojnë të mos regjistrohen, për shkak të pranisë së tyre me punë të përkohshme dhe qëndrim jashtë vendit.

Shqetësimi sot është alarmuar nga ana e Bajram Capa, kryetari i Këshillit komunal të DR-së në Dibër.

“Me Propozim-ligjin aktual për regjistrimin e popullsisë, sipas të dhënave të cilat i ka mbledhur Demokracia e Re, në nivel të Maqedonisë 1/3 e shqiptarëve do të mbesin pa u regjistruar, ndërsa në nivel të qytetit të Dibrës këtë fat do ta pësojnë mbi 60% e popullatës shqiptare. Në Komunën e Zhupës 65.3% e shqiptarëve aktualisht gjenden në mërgim. Sipas të dhënave të Demokracisë së Re 1380 shtëpi shqiptare në Komunën e Dibrës janë të boshatisura, ndërsa mbi 3000 familje shqiptare janë në megrim”, theksoi Bajram Capa.

Ai sërish apeloi që procesi i regjistrimit të shtyhet për muajin korrik, me qëllim të përfshirjes të të gjithë qytetarëve dhe mërgimtarëve në këtë proces.

“Kërkojmë që regjistrimi i popullsisë të bëhet gjatë muajit korrik kur shumica e mërgimtarëve kthehen në vendlindje, të zgjat 1 muaj dhe jo 15 ditë, dhe të mos ketë përkufizime të kohëzgjatjes së qëndrimit të mërgimtarëve jashtë vendit deri më 12 muaj si kusht për tu regjistruar, por të regjistrohen të gjithë, çdo komunë të ketë qendër të veçantë për regjistrim, dhe jo qendra rajonale siç propozon Qeveria, përfaqësimi etnik në Entin shtetëror përr statistikë të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën deri në fillimin e procesit të regjistrimit, etj.” ka thënë Capa.

Në fund, Kryetari i Këshillit Komunal të DR-së në Dibër ka bërë apel deri te partnerët qeveritarë që të pranojnë kërkesat e DR-së, pasiqë vetëm në atë mënyrë Dibra dhe e tërë Maqedonia do të kenë regjistrim të favorshëm dhe në përputhje me realitetin e përqindjeve të bashkësive etnike në vend.

“Kërkojmë nga Qeveria aktuale e në veçanti nga BDI-ja që këto kërkesa të Demokracisë së Re urgjentisht të pranohen, në të kundertën do të ftojmë shqiptarët në protesta masive për të penguar këtë dem të madh historik që mund t’i shkaktohet popullit shqiptar në Maqedoni” ka përdunduar Capa. (INA)