Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luiggi Soreca  ka reaguar pas hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Në një postim të gjatë në Twitter, Soreca thotë se nga sot Shqipëria ka një status të ri përballë Bashkimit Evropian dhe do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar që t’i bashkohet, sa më shpejt familjes europiane.

Teksa përmend faktin që shtetet anëtare në NATO kanë kërkuar që Shqipëria të marrë masat përfundimtare në disa fusha, i kërkon qeverisë që të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm.

Soreca thekson se krahas punës së qeverisë kërkohet edhe një përpjekje e gjithë shoqërisë, që do të ketë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, opozitës dhe shoqërisë civile.

Mesazhi i plotë i Luigi Soreces

Sot është një ditë historike për Shqipërinë. Shtetet anëtare kanë marrë vendimin unanim për të hapur negociatat e pranimit. Dëshiroj ta uroj Shqipërinë për hapin e madh të bërë drejt anëtarësimit në BE.

Ajo çka ndryshon nga sot është se Shqipëria ka një status të ri përballë Bashkimit Evropian. Tani e tutje, do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar që t’i bashkohet, sa më shpejt që të jetë e mundur, familjes që i përket.

Metodologjia e re e paraqitur nga Komisioni dhe përparimi i qëndrueshëm i bërë nga Shqipëria në muajt e fundit kanë qenë të rëndësishme për marrjen e vendimit të sotëm. Dua të theksoj veçanërisht frymën e kompromisit dhe unitetit të treguar nga të gjitha palët politike për reformën zgjedhore.

Cilat janë hapat e ardhshëm? Shtetet anëtare i kanë dhënë mandatin Komisionit që të fillojë përgatitjen e rregullave të lojës, e ashtuquajtura kornizë e negociatave. Shtetet anëtare kanë kërkuar gjithashtu që Shqipëria të marrë masat përfundimtare në disa fusha të rëndësishme në mënyrë që të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur Konferenca e parë Ndërqeveritare.

Tani është thelbësore që vendi të bashkohet dhe t’i realizojë këto masa. I takon kryesisht qeverisë të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm. Por kjo punë është një përpjekje e gjithë shoqërisë, që do të ketë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, opozitës dhe shoqërisë civile.

Muajt ​​e fundit kanë qenë shumë sfidues për popullin shqiptar. Tërmeti i 26 nëntorit ju goditi rëndë dhe kriza e tanishme COVID-19 po e trondit vendin. Por ju keni reaguar dhe po reagoni me sakrificë, kurajë dhe angazhim.

Edhe në këto çaste të vështira ju vështruat përpara dhe treguat vendosmërinë tuaj për të vazhduar rrugën drejt BE-së. 97% prej jush e bënë këtë të qartë shkurtin e kaluar.

Mesazhi juaj është dëgjuar në BE dhe nga shtetet anëtare, të cilat kanë treguar solidaritetin e tyre në Konferencën e Donatorëve në Bruksel muajin e kaluar.

BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë jush, si gjithmonë, me mbështetjen tonë politike, financiare dhe teknike, për t’i ndihmuar shqiptarët të përmbushin ëndrrën e tyre për t’u bërë qytetarë të BE-së. Sot, ne kemi hedhur një hap të madh më pranë këtij objektivi të përbashkët.

Shpërndaje në


10 April 2020

Facebook

Facebook Pagelike Widget