Shaqir Vukaj-Kohët e fundit, sidomos gjatë muajit gusht të këtij viti është rihapur çështja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, ku janë përfshirë Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, por edhe personalitete të larta të politikës në të dy vendet dhe në vende të tjera të rajonit. Por, si do që të vijnë punët, në thelb mbetet pyetjamadhore: Kur do të bashkohet Kosova me Shqipërinë? Këtë duan të dinë shqiptarët. Mirëpo, para se të arrijmë te përgjigjja e kësaj pyetjeje, tani që po flitet për ripërcaktim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, le të shtrojmë një pyetje më imediate: A do t’i bashkohet veriu, dmthMitrovica Kosovës?

Është kjo padyshim një nga çështjet më të nxehta, kur dihet ecuria e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve. Për këtë çështje do të diskutohet në javën e parë të shtatorit në Bruksel në prani të kryetarëve Thaçi dhe Vuçiç. Por sa i mundur është realizimi i këtij projekti? Në këtë studim, pjesën më të madhe të të cilit e kam shkruar shtatë vjet më parë, unë bëj një retrospektivë historike të kësaj historie. Ky nuk është një debat i lindur papritmas. Projektet dhe idetë janë hedhur në tryezat e politikës e të diplomacisë shumë kohë më parë…

***

Tashmë edhe Beogradi është  bindur se Kosova nuk do të jetë më nën Serbinë, dhe veprimet e shumta që kanë ndërmarrë politikanët serbë, rrahin larg e kanë synime e qëllime  të përcaktuara qartë, e që nuk lidhen vetëm me ndarjen e asaj pjese të Kosovës që jeton e shkëputur prej saj. Ata nuk i shqetëson kjo pjesë e Kosovës, që ka marrë emrin Veriu i Kosovës, të cilën serbët, nga  v.2002, e kanë ndarë me  “vijë të verdhë”, megjithëse de jure është pjesë e Kosovës, por de facto jeton si pjesë e Serbisë, mbasi, siç thotë edhe eksperti amerikan për Ballkanin, D. Server  “Në Veriun e Kosovës nuk ka struktura paralele, por ka vetëm institucione serbe”.

Ka vite që problemi i ndarjes se Kosovës, është bërë objekt diskutimesh e propozimesh nga më të ndryshmet, për të cilin janë shprehur presidentë e kryeministra, ministra të jashtëm e të mbrojtjes, politikanë e politologë, analistë e gazetarë të shumë vendeve, që nga ShBA, Anglia, Rusia, Gjermania, Franca, Italia etj. e ku janë dhënë mendime nga më të ndryshmet, pro dhe kundra, e në mjaft raste të dykuptimta e të paqarta…

Ideja për  ndarjen e  Kosovës është e vjetër, dhe ka lindur dekada më parë (sipas disa studiuesve, ka dokumente se në Beograd me këtë problem janë marrë që në fund të viteve 60-të) në atë kohë kur disa politikanë largpamës parashikonin se Jugosllavia mund të shpërbehej…

Po të shkojmë më thellë në histori, që në kohën e Perandorisë Osmane, Kosova është ndarë disa herë, por, në çdo rast brenda vilajeteve shqiptare. Fuqitë e Mëdha dhe Serbia (Jugosllavia) e kanë ndarë e copëtuar si kanë dashur Kosovën. Në Londër, në v. 1913, Fuqitë e Mëdha e ndanë Kosovën nga trungu natyral shqiptar, duke e lënë jashtë kufijve të  Shqipërisë (ndarja më tragjike), por Malësinë e Gjakovës (Tropojën) e ndan nga Kosova dhe ia lanë Shqipërisë. Gjatë Luftës Dytë Botërore, kur Gjermania Naziste dhe Italinë Fashiste krijuan të ashtuquajturën “Shqipëri Etnike” (megjithëse të cunguar) veriun e Mitrovicës e mbajti Gjermania për vete. Mbas Luftës së Dytë Botërore, Beogradi e ndau dhe e bashkoi sa herë deshi dhe si deshi Kosovën, në vartësi me interesat e momentit, ashtu siç bëri me të gjitha tokat shqiptare dhe popullsinë shqiptare të ish Jugosllavisë.

Kur punët po shkonin keq në Jugosllavi, dhe lëvizjet në republika të ndryshme për shkëputje nga Serbia po ktheheshin në lëvizje popullore, në Beograd filluan të hidhen ide e të bëhen projekte për ndarjen e Kosovës, me qellim që ai të mbante sa me shumë për vete.

Si ideator për ndarjen e Kosovës, autorë të ndryshëm reklamojnë “babain e kombit” serb, akademikun Dobrica Qosiç, (president i Jugosllavisë në vitet 1992-1993). Që në vitet ’80-të, ai në biseda private, për t’iu shmangur termit “ndarje” të Kosovës,  përdorte fjalën “kufizim” me shqiptarët. Në “Shënime pune” të vitit 1991 ai shkruante: “Rishikimi i kufijve është i pashmangshëm, demokratik dhe shpëtimtar për popujt jugosllavë dhe të Europës”, ndërsa në v. 1993 shkruante “bashkimi i popullit shqiptar është historikisht i pashmangshëm”, prandaj ai propozonte “rikompozimin e të gjithë hapësirës jugosllave dhe ballkanike mbi bazën e “vetëvendosjes së popujve” (parullë e përdorur gjerësisht nga Tito e shokët e tij që para Luftës së Dytë Botërore).

Në ato vite, edhe jashtë Jugosllavisë, janë paraqitur projekte e propozime për ndarjen e Kosovës. Ndërmjet të tjerash, përmendim atë të botuar në revistën gjeopolitike italiane “Limes”, (shoqëruar edhe me harta) sipas të cilit, Serbisë duhej t’i jepej gjithë rajoni i Trepçës, Fushë Kosova etj. dhe kufiri duhej të kalonte diku në periferi të Prishtinës. Qyteti i Pejës së bashku me Patriarkanën e Pejës, si dhe manastiret e Deçanit dhe Graçanicës duhej t’i jepeshin Malit të Zi.

Sipas një propozimi të B.Krstiçit, ato rajone që nuk do të mund të kontrolloheshin nga ushtria dhe policia serbe, do të merrnin një status të posaçëm, nën kontrollin e paqeruajtësve, ndërsa pjesët e tjera do t’i jepeshin Serbisë (tërheq vëmendjen fakti se Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Koshtunica shprehej pro këtij projekti). Një projekt tjetër është ai i paraqitur nga M. Radovanoviçi, sipas të cilit 40% e territorit të Kosovës do i jepej Serbisë, ndërsa pjesa tjetër, do të kishte një autonomi të zgjeruar, por, pa të drejtë shkëputje.

Mbas Dejtonit, pra mbas v.1996, diskutimet për ndarje trajtoheshin më shumë në rrafshin demografik, dhe kryesisht, në nivel akademik. Akademiku A. Despiç, shkruante se “mbas 30 vjetësh në Serbi do të kemi dy popuj, me popullsi pothuajse të barabartë, me dy gjuhë krejtësisht të ndryshme” etj. Ai bënte thirrje për “të filluar bisedimet me ata që insistojnë për shkëputjen e Kosovës, për një shkëputje të civilizuar” gjë që u prit shumë keq nga shumica e drejtuesve të partive serbe të asaj kohe (Millosheviçi, Drashkoviçi, Shesheli, Arkani, Koshtunica etj).

Tërheq vëmendjen një projekt i botuar në v.1998 përsëri në revistën italiane”Limes” (si shpesh janë marrë disa qarqe italiane me këto probleme) për kantonizimin e Kosovës. Sipas tij, në qytete, do të krijohej një administratë e përbashkët serbo-shqiptare,  ndërsa në kantone do të përfshiheshin krahinat fshatare me shumicë popullsi serbe, ku duhej të përfshiheshin dhe të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse, të cilave do t’u ktheheshin tokat që  kishin pas deri në Luftën e Dytë Botërore. Një projekt të ngjashëm ka përpunuar në atë kohë dhe Kisha Ortodokse serbe, të cilin ia kishte paraqitur Ministrive të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë. Ministrat e jashtëm të këtyre vendeve, Vedrin dhe Fisher e hodhën poshtë një propozim të tillë, mbasi, sipas tyre ai “ishte në kundërshtim me qëllimin e komunitetit ndërkombëtar, për krijimin e një Kosove etnike”. Të njëjtin qëndrim në atë kohë mbajti dhe Departamenti i Shtetit i ShBA. Tërheqë vëmendjen termi “Kosovë etnike” i përdorur në atë kohë prej tyre, e që filloi të zinte vend në fjalorin politik ndërkombëtar…

Ideja e ndarjes së Kosovës mbështetej edhe nga disa politikanë e ekspertë perëndimorë (në atë kohë u hodh edhe ideja për ndarjen e Kosovës midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë) Ndërmjet tjerëve, kjo ide mbështetej edhe nga ish ambasadori i ShBA në Jugosllavi në vitet 1989-1992 U. Cimerman, i cili, megjithëse mbështeste ndarjen, shprehej se ndarja, sipas propozimit serb është e papranueshme sepse “shqiptarët duhet të marrin pjesën më të madhe të territorit, ndërsa serbët, territorin në të cilin ndodhen një pjesë e manastireve të mesjetës”. Siç propozonte ai, pjesa shqiptare duhej të ishte e pavarur, ose të bashkohej me Shqipërinë.

Edhe më radikal ka qenë në atë periudhë Lordi D. Ouen (përfaqësues i BE për Ballkanin në vitet 1992-1995)  i cili në fund të v.1998, shprehej se nëpërmjet ndryshimit të kufijve në Ballkan, mund të arrihet stabilizimi i Bosnjës dhe të shmanget lufta në Kosovë. Në mbështetje të kësaj ideje, kryeredaktori i “The Neë York Times”, T. Fridman shkruante se kushti për t’u tërhequr trupat amerikane dhe të NATO-s nga Ballkani “është që shumica e popullsisë të jetojë aty ku dëshiron”.

Në vitin 1998, kur komuniteti ndërkombëtar filloi të angazhohej seriozisht për zgjidhjen e problemit të Kosovës, edhe në Rusi filluan të flasin për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Megjithëse jo zyrtarisht, personalitete të ndryshme iu qasën kësaj teme. Kështu në shtator të atij viti, J. Moskovskij, bashkëpunëtor me peshë i Akademisë së Shërbimeve Shtetërore pranë Presidentit Jelcin, doli publikisht (në dukje, në kundërshtim me politikën zyrtare të Moskës) në mbështetje të shkëputjes dhe pavarësisë së Kosovës, por me kusht që një pjesë e territorit të Kosovës t’i jepet Serbisë, në mënyrë që serbëve t’u jepet mundësia “të ruajnë territoret që banohen kompaktësisht nga serbë etnikë, që nuk duan të bashkohen me shqiptarët”.  N/kryetari i Dumës Shtetërore (Parlamenti rus) Baburin (specialist i njohur dhe i angazhuar me problemet e kufijve të Jugosllavisë) gjatë një bisede në shtator të v. 1998 ( kur punoja si ambasador i Shqipërisë në Moskë) më ka thënë se  “herët a vonë, Kosova do të shkëputet nga Serbia, por një pjesë e saj do t’i mbetet Serbisë”.

Ndaj këtyre propozimeve, në atë kohë reaguan edhe shqiptarët. Lideri e asaj kohe i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova,  foli mbi mundësinë e ndarjes së Kosovës, por hodhi poshtë variantet e propozuara nga serbët, mbasi siç shprehej ai, sipas këtyre varianteve “jashtë Kosove mbeten 1 milion shqiptarë”. Sipas tij, në rast ndarje, serbët mund të llogarisin të marrin komunën e krijuar rishtazi të Zubin-Potokut, si dhe disa zona tjera në veri të Kosovës, të përfshira administrativisht brenda Kosovës mbas Luftës së Dytë Botërore, por “me kusht që brenda Kosovës të përfshihen krahinat me shumicë popullsie shqiptare që ndodhen brenda Serbisë e konkretisht Presheva, Bujanovci, e Medvegja”. Rugova insistonte që brenda Kosovës të përfshihej pjesa veriore e Mitrovicës.

Gjatë kohës se Luftës për Kosovën, në pranverë të v.1999, kur problemi i të ardhmes së Kosovës diskutohej në shumë takime e tavolina, madje edhe të nivelit më të lartë, ndërmjet tjerave, në rast pavarësie për Kosovën, ndarja e saj, ishte një ndër variantet e mundshme që ish hedhur për diskutim. Në atë kohë, në Moskë (që ishte mbështetësja kryesore e Beogradit) analistë e politologë rusë me peshë, herë pas here dilnin me idenë për ndarjen e Kosovës, Madje ne trupin diplomatik të asaj kohe ishte krijuar bindja se sido që të vijë puna, edhe mbas shumë vitesh, Serbia nuk do e lëshojë të gjithë Kosovën. Disa materiale e kujtime të aktorëve të rëndësishëm të asaj periudhe, të botuara kohët e fundit, vërtetojnë se ata kanë pas të drejtë.

Ata që kanë ndjekur zhvillimet lidhur me Kosovën në atë kohë, kujtojnë përpjekjet, mosmarrëveshjet e përplasjet e Rusisë me NATO-n e ShBA, e cila, dërgimin e pjesëmarrjen   e trupave paqeruajtëse ruse në Kosovë e kushtëzonte me dhënien asaj të një zone apo sektori të veçantë, në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë, mbasi, siç shprehej presidenti i ardhshëm i Rusisë V. Putin “serbët kanë besim vetëm tek rusët”. Pavarësisht se Rusisë nuk iu dha zonë e veçantë në veri dhe paqeruajtësit rusë u dislokuan brenda sektorëve të ShBA, Gjermanisë dhe Francës, ndërkombëtarët, e ndanë Kosovën, vunë kufirin tek ura e Ibrit në Mitrovicë, dhe nuk lejuan që UÇK-ja të kalonte matanë urës, duke e ndarë realisht Kosovën,  dhe duke venë në jetë një nder variantet serbe për ndarjen e saj. Atëherë lindi dhe emërtimi “Veriu i Kosovës”, emërtim i ri, në dukje gjeografik, por në thelb me përmbajtje politiko- administrativo-territoriale…

Pavarësisht se ç’kanë thënë e ç’thonë politikanë amerikanë e europianë, ndarja e Kosovës është bërë me qëllime të caktuara nga ndërkombëtarët që në qershor të v.1999, atëherë kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë, dhe nuk e kaluan  urën e Ibrit, duke mos lejuar as UÇK-në të hyjë as në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicas, qytet historikisht shqiptar, duke e lënë ketë pjesë të territorit të Kosovës në duar të ushtrisë e policisë jugosllave. Ndonjë politikan me peshë i asaj kohe, tani e pranon  këtë “gabim”. Kështu Bernard Kushner  në librin e tij “Luftëtarët e paqes” shkruan: “Forcat franceze zunë urën e Ibrit dhe nuk i ndoqën forcat serbe, disa prej të cilëve, vrasës e kriminelë mbanin në rripat e mesit skalpet dhe flokët e grave të vrara. Me urdhër të kujt ishin ndaluar forcat e UÇK-së tek ura e Ibrit? Kurrë nuk kam arritur ta mësoja saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik”.

Unë kam bindjen se nuk ka qenë “gabim i madh politik”, por një gjë e planifikuar mirë, deri në hollësi.

Mbas çlirimit të Kosovës, kur akoma nuk ishte vendosur për statusin e saj, vazhdonin diskutimet, hidheshin ide e bëheshin  projekte për të ardhmen e saj. Në fillim të viteve 2000, mbas ardhjes në pushtet të Z. Xhinxhiçit, zëvendësi i tij, N. Çoviç, doli me propozimin për krijimin në Kosovë të dy etniteteve, serb dhe shqiptar, që në të vërtetë ishte përsëritje e disa ideve e propozimeve të vjetra. Kundërpërgjigja e disa veprimtarëve shqiptarë ishte e menjëhershme, se “kjo është prelud gjakderdhjeje”. Në v.2003 në intervistat, dhënë kanalit televiziv “BK” dhe gazetës “The Times”, Xhinxhiçi u shpreh për krijimin e një “minishteti kosovar” (që praktikisht do të thoshte ndarje e Kosovës),  e që u prit me kritika të ashpra si brenda Serbisë ashtu dhe nga ndërkombëtarët.

Disa nga politikanët serbë që e kuptonin realitetin, dhe shihnin se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, filluan të flisnin haptazi se duhet “shpëtuar çfarë mund të shpëtohet”, ku ata kishin parasysh marrjen e Veriut të Kosovës, domethënë territoret sipër lumin Ibër. Sipas “Shënimeve të Xhinxhiçit” nëse “Kosova shkon drejt pavarësisë, dhe ne nuk mund ta ndalojmë”, atëherë “ne do të kërkojmë: a- ndarjen territoriale b- garanci efektive territoriale për serbët e mbetur në pjesën shqiptare c- status të posaçëm për objektet e kultit”. Por edhe ky propozim i Xhinxhiçit do të thoshte që vërtetë mund të krijohej një minishtet kosovar, por mënyra e funksionimit të tij të ishte e tillë, që praktikisht, ai të varej nga Beogradi.

Që atëherë, disa  politikanë serbë shpreheshin se “ndarja e Kosovës do të jetë zgjidhja e fundit”. Edhe mbas vrasjes së Xhinxhiçit, vazhduan diskutimet e  propozimet për të ardhmen e Kosovës.

Në nëntor 2004, zv/kryeministri i Serbisë Llabus, propozoi organizimin e një konference ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e Kosovës, që sipas tij, duhej të ndahej në dy kantone, ku kantoni verior duhej të kufizohej me Serbinë dhe tjetri me Shqipërinë. Manastiret e monumentet kulturore e historike serbe, sipas tij, duhej të fitonin një status eksterritorial. Ai propozonte që në të dy kantonet  të kishte forca të NATO-s.

Në nëntor 2005, gjatë vizitës në Moskë, presidenti serb Tadiç, në takimin me presidentin rus V. Putin u shpreh se një ndër rrugët për zgjidhjen e problemit të Kosovës mund të jetë “krijimi i dy etniteteve”.

Të gjitha këto ide e propozime, pavarësisht nga mënyrat si paraqiteshin, ishin përsëritje e propozimeve të mëparshme, e që kishin për qëllim ruajtjen e unitetit administrativ të serbëve të shpërndarë nëpër enklava, si dhe të monumenteve, që ata i quajnë të gjitha serbe, pra mbajtjen e Kosovës nën Serbinë.

Qëndrimi i ndërkombëtarëve në këtë periudhë ishte i ndryshëm. Kishte prej atyre që i kundërshtonin këto ide e propozime të Beogradit, por kishte dhe prej atyre që i mbështesnin, pra që ishin dakord për ndarjen e Kosovës. Kështu S. Mejer zv/shef i CIA-s për Ballkanin,  shprehej se “ndryshimi i kufijve nuk ka qenë kurrë i pamundur për BE-në dhe OKB-në” dhe se ideja e ndarjes së Kosovës nuk duhet përjashtuar. Sipas tij “serbët mund të merrnin territoret në veri të Ibrit, me garanci që monumentet serbe të kultit të gëzojnë të drejtën e eksterritorialitetit”.

Pro ndarjes së Kosovës, në atë kohë, u shpreh dhe anëtari i Këshillit amerikan të Marrëdhënieve Ndërkombëtare C. Kapllan i cili tha se “Duke lëshuar Veriun e Kosovës, Prishtina do të lirohet nga përpjekjet e kota për rivendosjen e pushtetit mbi territorin që do të ruajë marrëdhëniet me Beogradin”. Po kështu u shpreh dhe ish ambasadori i RF Gjermane H.Ajf.

Gjatë v.2006, në medien serbe dominonte mendimi, se e “vetmja rrugë në situatën e krijuar ishte ndarja e Kosovës”, ndërsa gjatë vitit 2007 shihet një qëndrim tjetër. Politikanët me peshë, nuk përsërisnin idenë e ndarjes së Kosovës, por atë të decentralizimit të pushtetit, që praktikisht do të thoshte që Kosova të mbetej në përbërje të Serbisë.

Por në ndryshim me Beogradin, gjatë këtij viti, nga ndërkombëtarët dëgjoheshin zëra mbi mundësinë e ndarjes së Kosovës, si minimum shkëputjen e Veriut të Kosovës. Tërhiqte vëmendjen në atë kohë qëndrimi i Moskës, ku filloi të flitej gjithnjë e më shpesh për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Madje, një prej kundërshtarëve më të ashpër të pavarësisë së Kosovës dhe ndarjes së saj, ish-Kryeministri i Rusisë, E. Primakov doli zyrtarisht me propozimin për ndarjen e Kosovës, si “varianti më i mirë ndër të këqijtë” ku shprehej pothuajse i sigurt se “Beogradi do ta pranonte një variant të tillë”, por vinte në dyshim qëndrimin e Prishtinës dhe të amerikanëve. Në atë periudhë, edhe përfaqësuesi i Treshes ndërmjetësuese të BE-së për Kosovën, ambasadori V. Ishinger, doli me propozim për ndarjen e Kosovës, por “në se do të ishin dakord Beogradi dhe Prishtina”.

Mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qëndrimi zyrtar i ShBA dhe BE-së ndryshoi. Ata filluan të shpreheshin më qartë kundër ndarjes së Kosovës. Kështu, me 29 shkurt 2008, përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit N. Berns deklaroi se ShBA “shprehen kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës”, Ministri i Jashtëm gjerman V.Shtajmajer deklaroi se “Misioni i OKB-së duhet të shtrihet në të gjithë Kosovën”. Ndërsa me 7 tetor 2010 sekretari amerikan i Mbrojtjes R.Gejts deklaroi se: “Unë nuk mendoj se ndarja e Kosovës nuk do të jetë zgjidhje, as tani, as në të ardhmen”, çka u komentua si një zbutje e qëndrimit amerikan.

Por pavarësisht nga këto, Beogradi vazhdoi të thellonte masat që e përfshinin gjithnjë  edhe më shumë Veriun e Kosovës brenda Serbisë, madje duke iu kundërvënë haptazi ndërkombëtarëve, siç ishin lidhja hekurudhore e Veriut të Kosovës me Serbinë, mbështetja e organeve serbe të drejtësisë në Mitrovicë apo insistimi për ndarjen e pushtetit midis misionit të OKB-së dhe Serbisë në veri në lumit Ibër etj.

Krahas këtyre, udhëheqës të lartë të Serbisë rifilluan të flisnin zyrtarisht për ndarjen e Kosovës. Kështu në fund të shtatorit 2008, presidenti Tadiç, në një intervistë dhënë televizionit serb tha se: “Unë jam gati të mendoj për ndarjen e Kosovës, në se të gjitha variantet e tjerë, dhe ata janë të shumtë, janë të pamundur. Ka akoma mjaft rrugë të tjera për zgjidhjen e këtij problemi në formatin e autonomisë së gjerë, por në qoftë nuk arrihet asgjë, atëherë mund të shohim edhe këtë variant”.

(Vijon)

Lufta tregtare e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e saj të tensionuara me Bashkimin Europian dhe rënia drastike e vlerës së lirës i ka shqetësuar tregjet për rrezikun e madh të kontaminimit edhe gjetkë.

Europa dhe bankat e saj e kanë sidoqoftë fuqinë t’i kundërpërgjigjen një efekti domino, por ekonomitë e brishta të Ballkanit kanë çdo arsye të jenë nervoze.

Ekspertët e cituar nga “BIRN” argumentojnë se, ndërsa eksportet turke në rajon mund të rriten, të nxitura nga rënia e çmimeve dhe rrudhja e tregjeve për mallrat turke diku tjetër, trazirat financiare të vendit mund të frenojnë investimet e Turqisë, si ato shtetërore, ashtu edhe ato private, në një rajon të cilin Ankaraja është përpjekur shumë ta kultivojë sipas shijes së saj.

Monedha kombëtare e Turqisë ka humbur rreth 40 për qind të vlerës këtë vit, një rënie që i atribuohet shqetësimit të investitorëve rreth stilit gjithnjë e më autokratik të presidentit Recep Tayyip Erdogan, emërimit të dhëndrit të tij si ministër i Ekonomisë dhe pavarësisë në rënie të Bankës Qendrore atje.

Lira turke u dobësua sërish të martën përballë dollarit amerikan, pas paralajmërimit të ministrit të Financave, Berat Albajrak, se sanksionet tregtare të Shteteve të Bashkuara kundër Ankarasë mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Mosmarrëveshjet e Ankarasë me Uashingtonin rreth një pastori amerikan, të ndaluar në Turqi nën akuzat për terrorizëm, i kanë përshpejtuar humbjet e lirës, ndërsa në një aspekt më të gjerë, investitorët janë të shqetësuar për kursin e politikës monetare nën drejtimin e Erdoganit, që e cilëson veten “armik të normave të interesit”

l.h/ dita

Nga Bedri Islami-Ka disa ditë që shefat e opozitës, të shkuarit e të sotmit, paralajmërojnë se muaji shtator do të jetë ai i rrëzimit të qeverisë “Rama” dhe se, përmes një revolucioni opozitar, do të shkallmohet bota e mafias, do të marrë arratinë shefi i tashëm i qeverisë dhe gjithçka do të fillojë nga e para.

Shtatori është vërtet muaji nostalgjik i Berishës. 20 vite më parë, pikërisht kur Kosova ishte në udhëkryqin e saj më të madh, do të bëhej apo jo shtet i pavarur, “rastësisht” në të njëjtën kohë me ofensivën serbe dhe dezertimet e një grupi farkistësh të Bukoshit, Berisha provoi atë që sot quhet si grushti i shtetit i 14 shtatorit.

Dihet tashmë se si nisi gjithçka 20 vite më parë, si u nisën mitingashët demokratikas dhe republikanë të prirë nga një monarkist, çfarë vodhën, grabitën shkatërruan; dihet se si mbi tanke dhe makina të blinduara shëtisnin njerëzit e udhëzuar nga Izet Haxhia dhe ky i fundit në besë nga Sali Berisha; është i njohur momenti kur një farë Spahie thërriste në mikrofonin e RTSH se, “qeveria ra dhe se na jena tash qeveri”, ashtu si dihen nga të gjithë zbythjet pas një deklarate ndërkombëtare, tërheqja në bodrumet e selisë së tyre, ku më shumë kishte automatikë dhe mitralozë, se sa kishte njerëz.

Nostalgjia është e çuditshme: të bën të ëndërrosh dhe të krijosh në vete sajesën se një ditë shtatori, përmes një grupi, më shumë të paguar se sa idealistë, mund të rrëzosh qeverinë, mund të përmbysësh pushtetin dhe se pastaj, si nga një dorë e heshtur, mund të marrësh zyrat e ministrive dhe të vendosësh aty besnikët e tu.

Pamja fantazmagorike dhe turbulluese e disa të rinjve lësëistë në Jalë, të cilët si një kor naziskin bërtisnin për të shembur qeverinë dhe për të shkuar pas “burrneshës”, e bënin gjithçka edhe më pështiruese, pa folur pastaj për disa fëmijë, ende 10-vjeçarë, të cilët, si duket, i kishin marrë seriozisht fjalët e Petrit Vasilit dhe ishin nisur nga dielli i jugut për të shembur qeverinë.

Ka pesë vite, e diçka më shumë, qe Berisha bën të njëjtën thirrje: të shembet qeveria. Ende pa dorëzuar çelësat e zyrës së tij, të cilat i la diku në shtatorin e para 5 viteve, ish shefi i qeverisë bëri paralajmërimet si Kasandra greke: kjo qeveri do të shembet, këtë qeveri do e rrëzojmë, të ngrihemi në revolucion, ta shkallmojmë pushtetin e bijve të etërve, duke menduar se gropa financiare që kishte lënë pas vetes nuk do të mbushej kurrë.

Gjithçka është e qartë pse ndodh një thirrje e tillë: tek ai, megjithë pavendosmërinë e Rilindasve socialistë, është ende ndjenja e humbjes e bashkuar me drojën e së ardhmes.

Më mirë se gjithë të tjerët ai e di se kësaj here gjërat mund të shkojnë krejt ndryshe nga sa është pritur dhe se, lufta që i kanë shpallur diplomacisë ndërkombëtare nuk ka të bëjë as me Lu e as Vlahutin, dy nëpunës të zellshëm që përçojnë një vijë të ardhur nga larg; ajo ka të bëjë me mesazhet që përcjellin dhe që , askush tjetër nuk i ka mbi kokë si i ka ai.

A mund të ndodhë një 14 shtator tjetër, si ai para 20 viteve?

Berisha, Kryemadhi, Basha, një grup rreth tyre e dinë fare mirë se nuk mund të ndodhë. Detyra ia do t’i japin zemër vetes dhe të përpiqen të largojnë të keqen.

Prej kësaj treshe njeriu që do të mund të përpiqej të bënte diçka seriozisht, nëse do të kishte forcën e duhur, do të ishte Kryemadhi. Ajo, më mirë se kushdo tjetër, e di se, megjithë pispiqiket e Vasilit, LSI po vazhdon të shkërmoqet, ajo ka humbur elektoratin që mbahej përmes vendeve të punës dhe shumë prej tyre janë konvertuar lehtësisht në rozën e së majtës. Prova me të rinjtë e Jalës që kërkonin “burrneshën”, është nga ato sforcimi që mund të bëjë njeriu i cili ka dëshirën, por nuk ka forcën. Ajo ka të rinj pas vetes, gjithnjë në rënie, por ka pak mitingashë që janë të gatshëm të përplasen. I mungon goditja, dhe kjo nuk mund të vijë përmes një çizmeje. Prakticizmi i Metës ka rënë në një agresivitet çalamanësh dhe roli primar i Vasilit e zhyt edhe më tej në krizë një forcë politike që për 8 vite luajti “hapa, dollapa” në politikë.

Nëse Kryemadhi do të kishte mitingashët e Bashës dhe korpusin Azem Hajdari, atëherë mund të kishim një shtator turbullues.

Basha, mund ta dojë përmbysjen, por më tepër kërkon pjesën e tij. Ai është politikani që së pari të sheh nga duart, çfarë fiton, çfarë merr, çfarë nuk jep. I angazhuar në parti përmes familjes së tij politike, ai e ktheu atë në një fermë familjare, ku roli i kunatit dhe i gruas me njerëzit e saj është mbi parimin.

Basha do të donte të kishte një shtator të zi, por me kushtin që në fund ai të ishte fituesi i një shume miliona eurosh dhe të mos bëhej pis në kostumin e tij të javës.

Për të, si për pak kënd tjetër, më shumë vlen kurdisja e orës së dorës, takëmet e shtrenjta dhe pikturat e çmuara, se sa përplasja në rrugë. Edhe kur ngre zërin e kërcënon, të duket si një xhambaz, që pasi ka parë dhëmbët e kuajve, bën edhe pazarin.

Çadra ishte dëshmia e një politikanë që ka fitimin, joshjen, mashtrimin e gënjeshtrën në përparësinë e rrugës së tij, se sa një vizion e program politik.

Ai do të ishte i gatshëm për një kompromis politik, nëse i afrohen ato institucione, të cilat, si në qershorin e shkuar, i afronin pjesë të fitimit.

Berisha është njeriu më i interesuar, jo për partinë që drejtoi dhe e bëri lesheli, por për jetën e tij, familjen dhe të ardhmen. E ka ëndërruar gjithnjë vendin e tij në histori. Ende nuk e di se ku do të jetë: në fillimin e një piedestali apo në kosh. Nëse Vetingu i shkon çështjeve deri në fund, pra, nëse shtrihet edhe tek politika, koshi i duket më afër.

Do e ketë vështirë të gjejë pasues që lënë kokën për t; të varfër që përgjërohen për jetën e tij. Pasuesit po shohin nga foleja Basha, të varfrit shohin se si jeton i biri, i cili vetëm nga qiratë mund të bëjë jetë përrallore dhe nuk do ia kenë ngenë një 14 shtatori të dytë.

Jo çdo gjë mund të përsëritet. Rama, si thotë deri në ledhatimin e vetes Berisha, mund të jetë i ndrojtur dhe ka një pjesë të së drejtës, sepse për një shef qeverie kurajoz do të duhej të ishte përgjigjur disa herë para drejtësisë, por gjendja nuk është e njëjtë me atë të 20 viteve më parë.

Berisha nuk ka më gardën e tij gjysmë private e gjysmë shtetërore. 20 vite më parë, njerëzit e tij në Gardë dorëzuan mjetet e blinduara dhe u bënë pjesë e grushtit të shtetit. Ai nuk ka më njerëz që të jenë në gjendje të mbushin Shqupin politik me armatim, të lehtë e të rëndë, megjithëse ajo ka qenë dikur shtëpia e ushtarakëve dhe ia heq dera armën; ai nuk më banditët e Bukoshit, të cilët lan luftën në Kosovë dhe në marrëveshje me qeverinë malazeze e në përcjellje të saj, kaluan kufirin dhe u bënë pjesë e grushtit të shtetit.

Mbi të gjitha ai nuk ka më besimin se do të jetë edhe një herë njeriu i forcës, i mundësisë për të ardhur në pushtet dhe për të bërë shpërblimet si dikur.

Shtatori do të jetë një muaj si gjithë të tjerët. Mund të ketë ende njerëz që besojnë tek një shtresë e pasur politike dhe tek disa figura të shkërmoqura politike si Paloka, Dule…ku vajti ky?, Mediu i Gërdecit, Pollo i fijeve optike, Muli i përmjerjes parlamentare, Ristani që fut duart në kutitë e votimit sikur nxjerr një shishe raki “Skrapari”, balli i vockël që kërkon babain, Alibeaj, që tkurr zërin për të nxjerrë gjoksin, ..vogëlushet lësiste që ende nuk kanë marrë diplomën dhe duan politikën e madhe të rrugës, …në fund të fundit njerëzit do thonë natyrshëm: po ne i kishim këto, i provuam dhe e shikuan se çfarë malli ishin.

Rilindja duhet shkundur, kjo është një e vërtetë e ditur. Si të thuash, është një e fshehtë e hapur. Problemi është se kush do e lëkundë atë dhe cilët janë të aftë ta shkundin.

Rama mund të ketë droje, por jo nga këto.

Këto ngjajnë me idhullin e tyre, ish-kryeprokurorin Llalla, për të cilin desh dogjën dynjanë dhe i cili, çdo shtator thonte se këtë herë do të bëjmë namin.

Pastaj strukej dhe bënte llogaritë e tokave.

Këto, ende pa e pyetur hanxhinë, popullin, bëjnë llogaritë e tyre.

Nuk thonë kot: Llogaritë e shtëpisë, nuk dalin në Pazar.

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Pa dashur veten nuk mund të duash të tjerët. Urrejtja për veten është plotësisht e njëjtë me egoizmin e tejskajshëm dhe të shkakton të njëjtin izolim të tmerrshëm, të njëjtin dëshpërim. Edhe milingonat bëjnë luftëra (për ta mbrojtur territorin e vet), edhe bletët kanë një Shtet, edhe kastorët grumbullojnë ushqime për konsum. 

***

Vetëmohimi, tragjedia jonë. Sot mes shqiptarëve të trojeve dhe diasporës flitet shumë për vlerat. Por ka një “vlerë” për të cilën pothuajse askush nuk flet dhe pothuajse askush nuk dëshiron ta përmend: vetë-mohimin. Të mohosh veten, t`i thuash jo vetvetes, Kombit tënd, Tokës tënde, Atdheut tënd – a është kjo vlerë që ne nuk duhet ta humbasim?

Prej kësaj ne kemi fjalën vetë-mohim, një vlerë që ka kapërcyer vijën e kuqe. Armiqtë e brendshëm, llomotitin bukur për mohimin dhe nënshtrimin, duke theksuar se këto “vlera” (copëtimi “korrigjim i kufirit” të Kosovës dhe Shqipërisë dhe falja e atyre tokave, detit, ujit dhe ajrit Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë) nuk janë negative, por se ato na vënë në të vërtetë në rrugën e “paqes” fqinjësore lirisë dhe prosperitetit.

Kur ne e nënshtrojmë dhe e mohojmë vetveten, bëhemi të lirë të vlerësojmë njerëzit e tjerë. Ëndrrat dhe planet e tyre janë të rëndësishme për ne. Kemi hyrë në një formë të re dhe të “mrekullueshme” të “lirisë”, lirinë për të hequr të drejtat tona për të mirën dhe në dobi të të tjerëve, pushtuesve gjakatarë – armiqve shekullor.

Atëherë për herë të parë mund t’i duam njerëzit e tjerë (armiqtë) pa kushte. Ne nuk jemi të shqetësuar që ata të na tregojnë përkatësisht dashuri të ngjashme. Ne nuk duhet të zemërohemi dhe shqetësohemi që tjerët na trajtojnë në mënyrë të veçantë, me poshtërsi. Ne duhet të kënaqemi kur të tjerët të kenë sukses. Ne ndiejmë trishtim të vërtetë dhe përlotemi kur ata dështojnë. Kjo do të thotë se pastaj ne do të mërzitemi më pak nëse planet tona nuk shkojnë ashtu siç dëshironim, vetëm nëse planet e të tjerëve (pushtuesve) ecin mirë për ta. Ne kemi ardhur në përfundim se është shumë më mirë t`u shërbejmë fqinjëve nazistë/racistë dhe dashakeqëve tjerë sesa të arrijmë qëllimet që neve na pëlqejnë.

Vetë-mohimi, një nga vlerat dhe virtytet më të vështira të të gjitha vlerave, lidhet me të qenët i përulur, tre hapa mbrapa – dhe le të vendosin fqinjët për fatin tonë.

Sunduesi i Kosovës, Taçi, me bërllok tjerë që e rrethojnë dhe bashkëpunojnë, i detyron shqiptarët ta mohojnë vetveten dhe vendlindjen, duke marrë kudo me vete kryqin e tij sllavo-ortodoks të dhuruar nga Sllobodan Milosheviqi.

(Të sqarohemi, pasi nuk jam korrekt politikisht, i quaj bërllok, pisa, kopilë, fëlliqësira etj vetëm ata që e meritojnë titullin. Është naivitet të quhen “zotëri” tradhtarët që shkelin mbi gjakun e mbi 20.000 shqiptarëve civil të masakruar të të gjitha moshave dhe po aq femrave të dhunuara seksualisht nga çetnikët, vetëm në gjenocidin e fundit 1998-99. Ok?).

Nëse e ndjekim presidentin Taçi dhe gjithë ata bërllok tjerë shqipfolës: politikë-bërës, pseudo-intelektualë, pseudo-gazetarë, pseudo priftërinj ortodoks dhe hoxhallarë, vetë-mohues të kombit shqiptar, shohim se fitoret më të mëdha të mbretërisë së këtyre tradhtarëve kanë të bëjnë me i thënë: JO vullnetit të popullit dhe Vendit të tyre që i lindi, por i thonë PO vullnetit të fqinjëve pushtues kasap gjakatarë. 

***

Duhet të dallojmë qeverinë nga shteti (vendi). Qeveritarët dhe zyrtarët janë vetëm udhëtarët e rastit të historisë, do të vdesin një ditë, kurse shteti (Shqipëria natyrale) do të jetojë në përjetësi. Asnjëherë mos i lavdëroni politikë-bërësit, sepse edhe nëse ata rastësisht kanë kryer ndonjë punë të suksesshme për shoqërinë, janë të paguar për shërbimin, jo falas. Të tillët i forcojnë pozicionet në qeverisje, vjedhin sa mundin dhe në fund presin t`i varrosin si “heronj”. Ndërkaq popullata është varfëruar deri në trishtim, prandaj bie hovshëm edhe nataliteti. Nevojtarët lypin lëmosh rrugëve; për varfanjakun qeveritari, politikani dhe zyrtari më i mirë është ai që i jep një copë bukë. Prandaj edhe manipulohen në votime.

***

Politikanët e juaj para se me i hy këtij profesioni të lezetshëm nuk posedonin asnjë pasuri, ama brenda disa muajve pasi i hynë “politikës” zotërojnë pasuri astronomike. Kasollet përdhese, të bëra me thupra të thurura ose me qerpiçë dhe të mbuluara me kashtë, i zëvendësuan me pallate shumë të shtrenjta. Leckat i zëvendësuan me tesha të modës, biçikletat e prishura me automobil modern, diplomat e shkollës fëmijërore 4 vjeçare i zëvendësuan me diploma universitetesh dhe akademikësh të blera në rrugë për disa lek.  

Pasuritë e tyre janë joligjore, të fituara nga keqpërdorimi i detyrës, ryshfeti, korrupsioni, krimi i organizuar. Duhet të konfiskohen. Mirëpo askush nuk mund t`i dënoj sepse nuk funksionon Ligji. Mbrohen me imunitetin e “politikanit”, dhe ata shfrytëzojnë rastin deri sa kanë poste të larta, të marrin ryshfet si kundërvlerë gjatë shitjes së pronave shoqërore tek persona ose sipërmarrje të ndryshme etj. Kanë punësuar të vetët kudo. Dhe, si të pamoralshëm e kriminel, nuk janë budallenj të largohen vullnetarisht nga “vendet e punës”. Largimi do të ishte fundi definitiv i tyre, prandaj 30 vjet me radhë, që të fitojnë në kohë, u premtojnë fusha e male vetëm që t`i leni rehat të vazhdojnë aktivitetin “patriotik”.

***

Krahas qartësisë së qëllimit, në letrat e intelektualëve të mirëfilltë dhe atdhetarëve, të cilët në damarët e tyre kanë gjak shqiptari, le të ndihet edhe një nëntekst i fuqishëm polemik kundër  keqdashësve të Vendit dhe Kombit. Le të shprehet temperamenti i shkruesit, zemra e zjarrtë e patriotit.

Për shekuj me radhë shqiptarët janë flijuar me qëllim që të realizojnë të drejtat e tyre kombëtare. Fatkeqësisht, përkundër sakrificave të mëdha, një pjesë e kombit shqiptar jo vetëm që nuk ka realizuar të drejtat e veta, por është objekt i diskriminimit racial. 
Përveç diskriminimit që përjetojmë nga shtetet okupuese të territoreve tona, shqiptarët rrezikojnë të humbin edhe pjesë tjera të Kosovës. Çdo pëllëmbë e tokës sonë mban gjurmët e djersës, lotit dhe gjakut të shqiptarëve. 
Nesër, edhe shqiptarët e besimit islam kremtojnë festën e flijimeve. Le të shërbejë ky moment që të mendojmë për solidaritet shumë më të madh me shqiptarët e Luginës së Preshevës, me ata që jetojnë nën Mal të Zi dhe me shqiptarët e Iliridës.
E gëzofshin Bajramin e Vogël vetëm ata besimtarë që mendojnë shqip!

Jakup Krasniqi-Jo vetëm njohuritë që vijnë nga hapësira kohore e 500-vjetorit deri te 550-vjetori i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (vitet 1968-2018), 

Lexo më shumë

Bardhyl Mahmuti-Në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos, të datës 26 qershor, personi që në komunikimin publik të deritanishëm ka dalë me tri forma të mbiemrit të vet:

Lexo më shumë

Arbana Xharra-Fitorja e Erdoganit nuk ishte aspak befasuese. Asnjë diktator i kohës së sotme, nuk pengon më zgjedhjet, përkundrazi, ata menaxhojnë ato deri në futjen në kontroll

Lexo më shumë

Bardhyl MahmutiKush është Rade Bullatoviqi, i emëruari për ambasador të Serbisë në Maqedoni?

Lexo më shumë