Qeveria e Kosovës mori vendim që të kufizojë lëvizjet e qytetarëve. Reagimet janë të forta. President, Hashim Thaçi këtë vendim e cilësoi antikushtetues.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur të hënën vonë, mori vendim që të kufizoi lirinë e lëvizjes së qytetarëve për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Por, ky vendim u cilësua antikushtetues nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kërkoi që të tërhiqet vendimi. Edhe Presidenti më herët pati kërkuar masa ekstreme për ta parandaluar përhapjen e pandemisë, por kjo të bëhej përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për të cilën nuk ishte pajtuar kryeministri Kurti.

Në vendimin e mbrëmshëm të qeverisë së Kosovës “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga data 24 mars 2020 gjatë orës 10:00- 16:00 dhe prej orës 20:00- 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), si edhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”. Po ashtu në vendim thuhet se “lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët, duke ndaluar edhe tubimet në të gjitha mjediset private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura, përveç atyre që janë të domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalimin dhe luftimin e virusit Covid-19. E në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit”.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thai, i cili në një konferencë të jashtëzakonshme pak para mesnatës, vendimin e qeverisë së Kosovës e cilësoi antikushtetues dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mos ta respektojnë vendimin e qeverisë. Presidenti tha se vendimin e qeverisë do të dërgojë të martën, 24.03. në Gjykatën Kushtetuese.

Kufizimet ndesh me liritë e të drejtat e njeriut

“Është një vendim i rrezikshëm për qeverinë dhe qytetarët e vendit. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është e papërgjegjshme institucionalisht dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Vendimi për kufizimin e lirë të qytetarëve paraqet shmangie nga të drejtat dhe liritë e njeriut që garantohen me kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpallë vetëm Kuvendi i Kosovës. Një gjendje e tillë nuk ekziston”, argumentoi Presidenti Thaçi, duke bërë thirrje që mos të zbatohet vendimi i qeverisë së Kosovës.

“Qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë, e ripërsëris, qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. Nënvizoj, as policia e Kosovës as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale. Vendimi i qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Kundërshtimi i qeverisë së Kosovës

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm në qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi se “vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”. Prandaj, sipas tij, “presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin dhe u bën thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë masat e qeverisë kundër koronavirusit”.

Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Isa Mustafa, partia partnere në qeveri dhe e cila tashmë ka inicuar mocion mosbesimi për qeverinë Kurti, shkroi se “vendimin për kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mund ta marrin vetëm dy të tretat e deputetëve dhe jo Qeveria”. Ndryshe sipas tij, “shkelet Kushtetuta, pa marrë parasysh, kush janë ata që kanë votuar dhe në çfarë rrethana. Prandaj qeveria do duhej ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe karshi gjendjes së krijuar t’i drejtohet Kuvendit”.

Edhe udhëheqësit e partive politike parlamentare në opozitë e kundërshtuan vendimin e qeverisë. Në një deklaratë të “Partisë Demokratike të Kosovës, thuhet se “vendimi i qeverisë është një akt i paligjshëm, sepse shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës”. “Liria e lëvizjes dhe liritë e tjera që preken nga masat e fundit të marra prej Qeverisë, janë të shenjta e të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Haradinaj: Veprim për të vendosur kontroll

Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK, shkroi në profilin e tij se “vendimi i qeverisë është shkelje e rëndë e frymës së Kushtetutës dhe sistemit të balancimit dhe kontrollit”. “Edhe në kohë krizash gjëja më e çmueshme e shtetit është demokracia dhe Kushtetuta. Çdo tendencë si kjo e sotshmja që krizat të shfrytëzohen për vendime të njëanshme për të vendosur kontroll, është veprim për diktaturë. Kosova nuk është shtet i diktaturës, por i frymës së demokracisë”, shkroi Haradinaj.

Sidoqoftë, në këtë kohë të përplasjeve politike ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Thaçi, por edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit Vetëvendosje-LDK, numri i të prekurve me koronavirus vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë u dyfishua dhe arriti në 61 persona. E gjatë ditës së martë, kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet për të vendosur për seancën për mocionin e LDK-së për mosbesim ndaj qeverisë Kurti. Në mbështetje të këtij mocioni pos LDK-së tashmë janë deklaruar edhe partitë

Edhe katër raste të reja janë konfirmuar se janë prekur me koronavirus.  Rastet e fundit janë nga Ferizaj, Prishtina dhe Gjakova.

Nëpërmjet një njoftimi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se kanë bërë edhe 30 teste të reja prej të cilave 4 kanë rezultuar se janë prekur me COVID-19.

“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, thuhet në njoftim.

“Nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 447 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e tetë raste kanë rezultuar pozitive”, thuhet më tej në njoftim.

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.319 thirrje, ndërsa vetëm në 24  orët e fundit janë pranuar 350 thirrje telefonike.

Nga data 01.02.2020 deri me 21.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 15.775 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.110, Vërmicë 4.207, Jarinje 1.102, Dheu i Bardhë 985, Hani i Elezit 1.699, Kullë 960, Qafë Morinë 47, Bërnjak 462, Qafë Prush 35, Muçibabë 152 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 21 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 276.996 raste të COVID-19 me 11.419 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (81.008), Italia (47.021), Irani (18.407), Spanjë (21.574), Gjermani (19.848), SHBA (19.774), Iran (19.644), Francë (12.612),  Zvicër (5.615), Mbretëri të Bashkuar (3.983), Holandë (2.994), Austria (2.666), Belgjikë (2.257), Turqi (670), Greqi (495), Slloveni (341),  Serbi (149), Kroaci (130), Shqipëri (70), Maqedoni e veriut (76).

Deri me 21 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 6.136   raste të vdekjes: Itali (4.032), Spanjë (1.093), Francë (450), Mbretëri të Bashkuar (177), Gjermani (68), Belgjikë (37), Greqi (10), Turqi (9), Danimarkë (9),  Poloni (5), Austri (6), Luksemburg (5), Bullgari (3), Shqipëri (2), Serbi (1), Kroaci (1) dhe Slloveni (1).

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.  Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.

Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.

IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.

Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Twitter.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social.

Një kamion me mallra të lëndës së parë ka hyrë nga Serbia në Kosovë, kanë bërë të ditur zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, tha se “mbrëmë Dogana ka filluar zbatimin e vendimit të Qeverisë se Kosovës, me të cilin është hequr taksa prej 100 për qind për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina”.

Kurse të shtunën është bërë zhdoganimi i lëndës së parë (produkte ambalazhuese), e cila ka kaluar sipas vendimit të Qeverisë se Kosovës.

Gjatë një viti, Kosova, pas vendosjes se tarifës në vitin 2008, ka importuar lëndë të parë nga Serbia me vlerë prej rreth 26 milionë euro.

Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar Vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e e Hercegovina.

Në Vendim thuhet se nga mesanata e datës 20.03. 2020 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.

Tarifën 100 për qind e kishte vendosur qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Që nga ajo kohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë, çka edhe u pasua me kërkesat e vazhdueshme të Uashingtonit e Brukselit për heqjen e kësaj mase.

Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e menjëhershme të të gjitha bareve dhe kafeterive pas konfirmimit të dy rasteve të mbrëmshme se janë prekur me koronavirusin.

Mirëpo një vendim të tillë s’po e respektojnë një pjesë e dyqaneve në Prishtinë dhe qytete tjera.

Në pikën 6 të vendimit sqarohet gjithçka sa i përket lokaleve ku shërbehej kafja dhe ushqimi.

“Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 66 vota pro dhe 10 abstenim Qeverinë e re dhe Albin Kurtin si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shkruan KosovaPress.

Shumica e deputetëve të grupeve parlamentare të PDK, AAK dhe Nisma në momentin e votimit braktisën sallën e Kuvendit.

Kryeministri i ri Albin Kurti më pas bëri betimin kurse ministrat e qeverisë nënshkruan betimin.

Para diskutimit të deputetëve dhe votimit të qeverisë, krerët e grupeve parlamentare të PDK, AAK dhe Nisma, deklaruan votën kundër duke e justifikuar atë me pabesueshmërinë për realizimit të programit qeverisës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në seancën plenare ka shpalosur para të pranishmëve programin e tij qeverisës.

Ndërsa ka folur për punësimin dhe zhvillimin ekonomik, Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij buxheti i Kosovës do të arrijë 3 miliardë euro.

Lideri i Vetevendosjes tha se qeveria e re do të ketë prioritet zhvillimin ekonomik, të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve, duke rritur pagën minimale.

Kurti tha gjithashtu se do të bëjë reformimin e drejtësisë përfshirë edhe miratimin e ligjit për vetingun, ndërsa përparësi do t’i jap edhe dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës.

Albin Kurti ka propozuar gjithashtu përbërjen e kabinetit qeveritar me 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

LDK ka vendosur ta propozojë për Ministër të Punëve të Brendshme Agim Veliun. Me këtë rast, Podujeva do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Express.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së LDK’së.

Avullah Hoti do tëjetë Zëvendëskryeministër.

Anton Quni është propozuar për Ministër të Mbrojtjes. Besian Mustafa për Ministër të Bujqësisë. Hykmete Bajrami për Ministre të Arsimit. Vlora Dumoshi është propozuar për Ministre të Kulturës, derisa Lumir Abdixhiku për Ministër të Infrastrukturës.

Ndryshe, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë.

Ai ka njoftuar se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin.

Ndërkaq, si ministre të drejtësisë, Kurti kishte njoftuar se e kishin zgjedhur Albulena Haxhiun.

Ministër i Punëve të Jashtme ishte propozuar Blerim Reka, i cili pritet të zëvendësohet nga Glauk Konjufca, ndërsa, Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuiar Rozeta Hajdarin.

Kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit.

Përfaqësuesja e sektit shi’it në Kosovë, si dhe mbështetësja e regjimit iranian, Ikballe Huduti Berisha është arrestuar nga policia ditën e sotme.

Arrestimi i Huduti-Berishës erdhi si pasojë e disa postimeve të saj në rrjetin social Facebook pas vrasjes së gjeneralit iranian Qaseem Soleimani.

Ajo ka vajtuar vdekjen e gjeneralit iranian dhe i ka quajtur kriminale forcat amerikane. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha e ka konfirmuar arrestimin e saj.

Nderkohe qe ne Tirane, nje nate me pare Olsi Jazexhiu mbrojti me devotshmeri regjimin iranian ne nje televizion kombetar, deuke bere deklarata nxitese kunder amerikaneve dhe muxhahidineve ne Shqiperi, ndersa organet ligjzbatuese ende po “shqyrtojne” deklaratat e tij.

Njoftimi i policisë:

‘Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës.

E dyshuara është sjell për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente’, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovë, Daut Hoxha.

Postimi në Facebook i Ikballe Berisha-Hudutit:

‘Njerëzit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajnë gjak krimineli ata janë të vdekur por vetëm frymojnë për tu turpëruar vet dhe kombin e vet kriminel. Kriminelet ta deshën vdekjen e cila nuk është vdekje por shehidllek me i bukur qe ka mund ta ketë dikush ne shekullin 21’, ka shkruar ajo.

Ikballe Berisha-Huduti ka po ashtu ka publikuar më parë edhe një fotografi me ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad.

Por kush është Ikballe Berisha-Huduti?

Ikballe Huditi-Berisha, e njohur edhe si ‘Hoxhesha Ikballe’, është themeluese e një fondacioni fetar islamik shi’it ‘Fondacioni Kur’ani’.

Për autoritetet kosovare, Ikballe Huditi-Berisha së bashku me bashkëshortin e saj, Asllan Huduti, një biznesmen i patundshmërive shpërndajnë ideologjinë e këtij sekti.

Sipas diplomatit dhe ekspertit ballkanas Ionnis Michaletos, në analizën e bërë prej tij ‘Pushteti i butë i Iranit mbërrin në Ballkan’, thekson se Fondacioni Kur’ani i themeluar nga Ikballe Berisha-Huduti dhe një sërë OJQ-sh të tjera që kanë lidhje me çiftin Huduti, punojnë për interes të regjimit iranian në Kosovë.

‘Irani…ka ngritur disa OJQ, por zgjerimi i tyre është shumë i vështirë, ndër të tjera edhe për shkak të konkurrencës së ashpër të forcave syni të Arabisë Saudite dhe Turqisë, si edhe prezencës së fortë të forcave ndërkombëtare policore, ushtarake dhe civile”, thotë ai dhe sqaron se fondacioni “Kur’ani” drejtohet nga universiteti iranian ‘Xhometul Noustafa’- drejtor i të cilit (universitetit) është Imami Muhamed Bagher Salehi, vëllai i të cilit është diplomat i lartë iranian’, ka shkruan në analizën e tij diplomati.

Përmes një video-mesazhi, pak para takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bëri publike emrat e kandidatëve të tij, sa i takon krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, deklaroi Kurti.

Por kush janë pretendentët e tij, të propozuar për ministra.

I përzgjedhuri nga Kurti si zëvendëskryeministër i dytë i qeverisë, Haki Abazi është diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin e Prishtinës, dhe George Mason në SHBA. Hakiu është bartës i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare. Ka 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare nëpër shumë vende të botës dhe mbi 1 mijë projekte të realizuara. Tani është duke bërë studime në fushën e Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Universitetin e Cumbrias në Britaninë e Madhe. Ai ka publikuar me dhjetëra shkrime, analiza në media dhe gazeta profesionale, artikuj akademikë dhe ka zhvilluar ide unike në fushën e përkrahjes së zhvillimit të demokracisë, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Momentalisht mbanë pozitën e Drejtorit të Programit në Programin Zhvillimor në Pakistan të financuar nga USAID.

Ministrja pretendente e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Ajo është bërë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në shtatorin e vitit 2010. Albulena Haxhiu ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës tri mandate radhas. Në legjislaturën e V dhe VI ka drejtuar Komisionin për Legjislacion si një ndër komisionet më të rëndësishëm të Kuvendit.

Ajo ka qenë një nga deputetet më të zëshme në Kuvendin e Kosovës, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me drejtësinë. Albulena, konsideron që Lëvizja VETËVENDOSJE!, është subjekti i vetëm që sjellë shpresën, drejtësinë, zhvillimin, mirëqenien e barazinë andaj është e gatshme të jap kontributin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të përfaqësojë sa më denjësisht politikat dhe prioritetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Nga ana tjetër, profesori Blerim Reka, ministri i mundshëm i Punëve të Jashtme dhe Diasporës është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Reka ka qenë Ambasador i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Ai ka mbajtur edhe poste diplomatike dhe këshilluese juridike si Këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës për Integrimin në BE dhe anëtar i Ekipit të Ekspertëve për Strategjinë Kombëtare dhe Integrimin në BE. Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Ligjit të BE-së në Universitetin e Evropës Juglindore që nga viti 2002, Reka gëzon një doktoratë në të Drejtën Publike Ndërkombëtare dhe të Drejtën Civile dhe Ekonomike si dhe është autor i 18 librave.

Ndërkohë, i propozuari për ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi ka studiuar për analiza makroekonomike në Universitetin e Zagrebit në periudhën 1990-1994. Ai gëzon një doktoraturë në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë në sferën e Makroekonomisë me specializim në politikat fiskale dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut. Në Andrew Young School of Policy Studies të Georgia State University në Atlantë, SHBA përmes Programit të Bursave Fulbright ka ndjekur hulumtimet e postdoktoratures në sferën e decentralizimit fiskal për vendet në zhvillim.Që nga viti 2004 punon në Universitetin Amerikan në Kosovë ku ka ligjëruar dëri më tani Makroekonominë; Politikat Fiskale; Analizat dhe Politikat Monetare; Ekonomiksin e Resurseve Natyrore dhe Mikroekonominë. Po ashtu mban pozitën e Udheheqësit të njësisë për Ekonomiks në Universitetin Amerikan dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti. Njëkohësisht ligjëron lëndët Makroekonomia 1 dhe 2 në Akademinë Regjionale të Procreditit në Veles të Maqedonisë. Më herët ka punuar për gjashtë vite në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë si asistent për Makroekonomi dhe Financa Publike, ka mbështetur Universitetin e Prishtinës me projekte të financuara nga Pakti i Stabilitetit, DAAD-i Gjerman dhe WUS Austria; ka qenë këshilltar për politika fiskale i projektit CBF të UNDP-së; këshilltar në disa projekte të GTZ; Ekspert për politika fiskale i zyrës FAO; ka punuar si këshilltar dhe bartës i projektit për institucione të ndryshme. Është eskpert për politika fiskale; politika monetare; politika të tregut të punës; privatizim; decentralizim fiskal; borxhin publik; antikorrupsion.

Ministrja e mundshme e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka studiuar në Suedi, ndërsa është pronare e një kompanie të quajtur “R&V Consulting”, e cila merret me këshillimin e bizneseve. Ajo punon si koordinatore për Arsim të Lartë në organizatën joqeveritare që vepron në Kosovë, “Austrian Development Agency”. Duhet thënë se Hajdari është një emër jo fort i njohur dhe se informacioni rreth saj mbetet i pakët.

Lista e propozuar nga Kurti përmbyllet me kandidatin për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Ai është diplomuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si mjek në Mitrovicë dhe si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010,  është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi. Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA. Në vitin 2018 është emëruar si Koordinator i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe po në atë vit është zgjedhur si Kryetar i kësaj Qendre ku vazhdon të jetë akoma.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pak para mbledhjes së Kryesisë është shprehur se sot nuk është përcaktuar të mbahet ndonjë takim me Lëvizjen Vetëvendosja.

Ai ka shtuar se në rast se para seancës konstituive do të ketë ndonjë sinjal, kjo do të bëhet e ditur.

“Nuk është paraparë të ketë takim me Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse para Kuvendit do të kemi sinjale do ta publikojmë. Sot me anëtarët e kryesisë do të bëjmë përgatitje për mbledhje të Kuvendit”, tha Mustafa, raporton KTV.

LVV dhe LDK ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re.

Ndërkohë sot në orën 15:00 pritet të mbahet seanca për konstituimin e Parlamentit të Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ka reaguar për nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për krijimin e projektit të ashtuquajtur “Mini-Shengen”.

Ky reagim i ASHAK-ut vjen pas një seri sulmesh të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në drejtim të politikës dhe institucioneve të Kosovës që kanë kundërshtuar një ide të tillë dhe kanë refuzuar ftesat për pjesëmarrje në një tavolinë me Serbinë.

Akademia e Shkencave të Arteve të Kosovës konstaton se një nismë e tillë ka për qëllim rrënimin e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit.

Sulmet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në drejtim të Kosovës nga ASHAK-u i shohin si një hakmarrje të paarsyeshme që ka konotacion shqetësues për të ardhmen e  raporteve Kosovë-Shqipëri.

Në reagimin e lëshuar sot nga ASHAK gjithashtu përmendet edhe fakti se si Edi Rama ka sulmuar një gazetare duke e akuzuar për ‘pyetje patetike’, në momentin kur ajo ka përmendur faktin që Serbia s’ka kërkuar falje për krimet qe shteti serb i ka kryer kundër civilëve në Kosovë.

Nga ASHAK-ut ndër të tjera thonë se një ide e tillë për ‘Mini-Shengen’ nuk mund të jetësohet duke qenë se Serbia do të ketë rol dominues aty dhe bazuar në faktin se Beogradi zyrtar vazhdon me qasje destruktive ndaj Kosovës, nuk e njeh si shtet dhe çdo ditë e lufton subjektivitetin ndërkombëtar.

Sipas ASHAK-ut, kjo është edhe një lloj hakmarrje e Ramës ndaj Kosovës.

“Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Në letrën e lëshuar nga ASHK-u gjithashtu është kritikuar shoqëria civile dhe bota akademike në Shqipëri të cilët nuk kanë reaguar ndaj sulmeve të Edi Ramës karshi Kosovës.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Të përballur me kriza të brendshme dhe me dështime të njëpasnjëshme në çështje të reformave dhe të integrimeve evropiane; me rritjen e vazhdueshme të autoritarizmit dhe të pushtetit të pakontrolluar të oligarkëve; me cenimin e pashembullt të lirisë së shprehjes dhe të veprimit opozitar; me përfshirjen e pandalur të të gjithë pushteteve në një paqëndrueshmëri institucionale, tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial në opinionin tonë me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Europës, me të ashtuquajturin “mini-Shengen ballkanik”, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm: çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve.

Duke e parë këtë rrethanë dhe duke vërejtur dëmin e konsiderueshëm që shkaktoi kjo nismë në politikëbërjen shqiptare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është e shtrënguar të reagojë, duke konsideruar se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimit e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, duke krijuar alternativa minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë proces.

Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës “pyetje patetike”; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës.

Po kaq i pakuptueshëm dhe thellësisht i parëndësishëm, madje i zmbrapsur dhe i pavlerë ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk gjeti mënyrë të artikulojë një qëndrim që do të shkonte një hap më larg se interesat e ngushta të politikës provinciale.

ASHAK fuqimisht mbështet qëndrimin se “mini-Shengeni ballkanik” nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve.

Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të përfshihet në një proces të udhëhequr nga Serbia, përderisa ajo vazhdon ta mbajë Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë e këtij shteti dhe aq më pak të përfshihet në aleanca që shkojnë kundër interesave tona kombëtare dhe krijojnë alternativa të kundërvënies ndaj integrimeve europiane dhe euro-atlantike.

Kosova nuk mund të bëhet pjesë e aleancave që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë zhbërjen e saj.

Historia më e re e Kosovës është histori e vlerave të civilizimit perëndimor dhe e parimeve të lirisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Më anë tjetër, Kosova është shtet sovran, ka subjektivitetin e saj politik, ka organet e saj legjitime dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pranojë vendimmarrje të imponuar dhe sjellje paternaliste.

Duke u mbështetur në këto parime, ASHAK gjithnjë do të punojë dhe do të mbështesë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në të gjitha fushat, do të bëhet pjesë e të gjitha proceseve të përbashkëta integruese dhe do të përpiqet të minimizojë dëmet që shkaktohen në këto marrëdhënie nga politikat e pamatura dhe kundërvënëse ndaj procesit normal të integrimit të ndërvetshëm.