Ende pa marrëveshje, Isa Mustafa: S’ka sinjal për takim me Vetëvendosjen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pak para mbledhjes së Kryesisë është shprehur se sot nuk është përcaktuar të mbahet ndonjë takim me Lëvizjen Vetëvendosja.

Ai ka shtuar se në rast se para seancës konstituive do të ketë ndonjë sinjal, kjo do të bëhet e ditur.

“Nuk është paraparë të ketë takim me Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse para Kuvendit do të kemi sinjale do ta publikojmë. Sot me anëtarët e kryesisë do të bëjmë përgatitje për mbledhje të Kuvendit”, tha Mustafa, raporton KTV.

LVV dhe LDK ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re.

Ndërkohë sot në orën 15:00 pritet të mbahet seanca për konstituimin e Parlamentit të Kosovës.