Zvicër, testohet me sukses avioni me energji diellore
Në 4.35 minuta të mëngjesit të ditës së hënë ky mjet fluturues që përdor energjinë diellore u shkëput nga pista e aerodromit zviceran të Pajernit. Për 2 orë e 17 minuta ky avion kreu me sukses një sërë manovrash në një lartësi deri në 1800 metra mbi sipërfaqen e tokës. Mjeti ka një hapje krahësh prej 72 metrash, më të madhe se hapja e krahëve të një boeing-u 747. Ai peshon gjithsej 2.3 tonë dhe ka të instaluara 17 mijë qeliza që përçojnë energjinë diellore në akumulatorë të posaçëm. Shpejtësia maksimale e këtij mjeti është 140 kilometra në orë.
“Impulsi Solar 2” është një model më i madh dhe më i avancuar i avionit “Impulsi Solar”, që një vit më parë kreu një fluturim pa ndalesë nga perëndimi në lindje të Shteteve të Bashkuara. Synimi i konstruktorëve është që brenda 2015 ky model i ri të kryejë fluturimin përreth globit pa asnjë ndalesë, tentativë që mendohet se do të zgjasë 5 ditë. Në ndryshim nga paraadhësi i tij që kishte 2 drejtues, “Impulsi Solar 2” ka kabinë pilotimi për vetëm një person. Për konstruktorët dhe financuesit e projektit, fluturimi i së hënës përbën një arritje teknologjike shumë e rëndësishme në fushën e mjeteve që përdorin energjinë e rinovueshme.