ALBIN  KURTI (Nëse klikoni më poshtë do ti lexoni 12 shkrimet e fundit të Albin Kurtit).

Votime të shumëfishta. Votime familjare. Mbushje kutish me vota të parapërgatitura. Votime në emër të mërgimtarëve. Votime në emër të minoritarëve. Votime në emër të të vdekurve. Blerje votash: 20 euro paradite, 50 euro pasdite. Ndërprerje e energjisë elektrike. Letërnjoftime të rrejshme. Llamba verifikuese që s’punojnë. Sprej që është veçse ujë. Prishje të fletëvotimeve. Udhëzues që të tregojnë për kë të votosh. Kërcënime të komisionerëve. Dëbime të vëzhguesve. Dhunë ndaj komisionerëve e votuesve. Menyja e zgjedhjeve demokratike në Kosovë është shumë e pasur. Vetëm se këtu nuk zgjedh qytetari. Këto janë zgjedhjet e pushtetit me të cilat duhet të përballet qytetari atëherë kur e ftojnë të zgjedhë.Mund të mos ketë demokraci edhe atëherë kur ka zgjedhje demokratike. Fitojnë politikanët e pasur që kontrollojnë mediet. Në zgjedhje s’ka shkelje procedurash e rregullash dhe zgjedhjet formalisht janë demokratike – secili ka të drejtë të votojë lirshëm ndonëse shumica janë të mashtruar. Kjo ngjan edhe në vendet e zhvilluara perëndimore.

Mirëpo, s’mund të ketë demokraci kur s’ka zgjedhje demokratike. Zgjedhjet demokratike duke mos qenë as formalisht zgjedhje gjithsesi që s’janë as demokratike. Dhe, zgjedhjet demokratike, duke mos qenë aspak demokratike, sigurisht që nuk janë as zgjedhje. I këtillë është rasti i Kosovës ku as minimumi nominal i zgjedhjeve demokratike nuk ekziston. Për më keq, kemi keqësim të përshpejtuar. Me kalimin e viteve nuk po rritet cilësia e zgjedhjeve në Kosovë. Përkundrazi.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin të jashtëzakonshme dhe tash në mënyrë të jashtëzakonshme nuk po përfundojnë. Sepse sasia e vjedhjes dhe pafytyrësia e vjedhësve ishte e jashtëzakonshme. Jo vjedhja si e tillë dhe as ata që e kryen atë. Në komuna të veçanta po përsëriten zgjedhjet në përpjekje e sipër për t’i shpëtuar zgjedhjet në tërësi. Dihet që vjedhje të shumta votash pati gjithandej nëpër Kosovë. Dihet që menyja e plotë u përzgjodh në çdo cep të Kosovës. Në Drenas, Skënderaj dhe Deçan u përsëritën zgjedhjet jo pse atje pati vjedhje, por për shkak të sasisë së vjedhjes në këto tri komuna, dhe sidomos për shkak të sasisë së dokumentimit të vjedhjes. Në Drenas, Skënderaj e Deçan pati më së shumti njerëz të guximshëm që nuk heshtën para krimit.

Përsëritja e zgjedhjeve i përsëriti manipulimet. Nuk mund të ndodhte ndryshe përderisa më 9 janar 2011 askush nga dhunuesit e zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010 nuk ndodhej prapa grilave. Madje, shumë prej tyre u panë sërish në vendin e tyre të ‘punës’.      

Me përsëritjen e pjesshme të zgjedhjeve dhe me numërimin e pjesërishëm të votave po betonohet përqendrimi te sasia e shkeljeve të ligjit. Institucionet e shtetit nuk i alarmon tashmë shkelja e ligjit por eventualisht vetëm përmasa e shkeljeve. Kësisoj, vjedhja e votave po normalizohet dhe vetëm aspekti sasior i vjedhjes problematizohet. Kjo mënyrë mbase do të shpie drejt konsolidimit të një pragu përtej së cilit shkelja e ligjit bëhet shkelje e ligjit. Nëse ligji nuk shkelet shumë atëherë ligji nuk është shkelur. Por, edhe pragjet do të lëvizin gjithsesi. Përbrenda kësaj logjike, ajo që nuk tolerohet sot, kollaj mund të tolerohet nesër. Koha legjitimon e përdorimi legalizon, apo jo? 

Demokraci do të thotë sundim i popullit. Te demokracia në Kosovë e kemi parë sundimin por jo edhe popullin. Ose: e kemi parë popullin duke u sunduar por jo duke sunduar. Pushteti jodemokratik e ruan veten, pra pushtetin, në mënyrë jodemokratike. Ai nuk lejon që të përdoret demokracia kundër tij. Ai nuk e lejon demokracinë. Ky pushtet nuk ka asgjë më të vlefshme sesa vetveten. Prandaj, për pushtetarët e Kosovës pushteti është çështje ekzistenciale. Ata do ta lejojnë vetëm atë pjesë të demokracisë dhe vetëm atëherë kur ajo iu konvenon. Gjithnjë e më shumë po shihet që kjo është gjithnjë e më pak dhe gjithnjë e më rrallë.

Në Kosovën e pavarur pa sovranitet kemi demokraci pa ligj, kemi demokraci pa shtet ligjor, pra: s’kemi demokraci. Shteti në Kosovë nuk është shtet ligjor sepse nuk është shtet i ligjit por është shtet i pushtetit. Me këso zgjedhjesh që përsëriten për shkak të parregullsive të shumta e mandej përsëriten parregullsitë pa pasur zgjedhje të vërteta, nuk po legjitimohen politikanët e zgjedhur por po deligjitimohen zgjedhjet si të tilla.

E, ndoshta vjedhjet e dhuna në Kosovë vetëm sa po bëhen më të dukshme. Pushteti është në panik dhe ai s’mund ta fshehë më fytyrën e tij. Esad Mekuli thoshte që zullumi këputet prej s’trashi. Pra, ndoshta këto janë shenja se politika e vjetër po vdes. Se ajo po qet shqelma. Se ajo po përpëlitet. Dhe, kjo është e njëjta dhembje që do ta lind politikën e re në Kosovë.

Prishtinë, 11 janar 2011  

Albin Kurti

 

Zgjedhjet si (në) udhëkryq

Kosova sot gjendet në një udhëkryq nga ku duhet të zgjedhë drejtimin për nga do të shkojë. Të tjerë caktuan kohën tonë me përpjekjen e fundit për të na mbajtur në kohën e tyre, për ta vazhduar gjendjen tonë të jashtëzakonshme, por edhe na e përshpejtuan mundësinë e një ndryshimi themeltar.

Cilin drejtim do të marrë Kosova? Njëra rrugë në dalje të udhëkryqit është rrugë qorre. Kjo rrugë e bën Kosovën të jetë si Bosnja. Rikthehen negociatat me Serbinë dhe në tavolinë të bisedimeve shtrohet çështja e autonomisë së veriut, e komunave shtesë me shumicë serbe dhe e pushtetit shtesë për komunat me shumicë serbe. Pra, në rrethanat kur nuk po bashkohet Mitrovica gati tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, forcohet kjo ndarje dhe nis përhapja e saj gjithandej nëpër Kosovë. Bashkë me Serbinë përfiton vetëm edhe pushteti në Kosovë që ka pranuar t’i hyjë këtyre negociatave me Serbinë duke ia zgjatur jetën vetes së tij në Kosovën gjithnjë e më të rrudhur.

Rruga tjetër në këtë udhëkryq është rruga që e bën Kosovën shtet sovran e demokratik, shtet funksional e me integritet territorial, shtet që e krahasojnë me shtetet normale që dolën nga shpërbërja e ish Jugosllavisë si puna e Kroacisë a Sllovenisë e jo me Bosnjen apo edhe Afganistanin.

Udhëkryqi nuk është vetëm politik por edhe ekonomik. Sërish janë dy rrugë. Rruga e parë është ajo e privatizimit të gjithçkaje publike që shitet shumë lirë e fort shpejt dhe pasurohen ca korporata ndërkombëtare pa reputacion dhe ca politikanë vendorë edhe me më pak reputacion. Kosova shkon në drejtim të Nigerisë apo të Amerikës Latine të viteve të ‘80-ta të shekullit të kaluar, ku marionetat qeveritare të korruptuara kanë krijuar ishujt e tyre privatë, ku importet kanë mbytur prodhimin vendas, ku lulëzojnë kriminaliteti e kontrabanda dhe ku jetesa e njerëzve është reduktuar në mbijetesë zhgënjyese.

Rruga tjetër në këtë udhëkryq ekonomik është përsëri ajo e bërjes së shtetit të Kosovës me sovranitet por që tash konsiston në disponimin vendor me pasuritë natyrore vendore, në forcimin e shoqërisë e publikut përmes zhvillimit ekonomik që bazohet në prodhim dhe në luftim të korrupsionit duke filluar atje ku ai është më i madh. Në këtë rrugën tjetër Kosova shkon drejt normalizimit ekonomik duke u krahasuar me shtetet e Evropës lindore që u konsoliduan ekonomikisht dhe u bënë të afta për konkurrencë të drejtë në tregjet botërore.

Si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik ky udhëkryq sjell dilemën nëse Kosova do të jetë një histori suksesi e të tjerëve, apo do të jetë subjekti bërës i historisë së saj. 

Semafori do të ndalë për ne në të kuqen duke shprehur gjendjen tonë stabile në mesin e krizës, apo do të lëvizë sipas të gjelbrës ku qëllimi vetjak për të lëvizur përputhet me atë publik? 

Parulla ‘Jo Negociata – VETËVENDOSJE!’, në fakt, është thyerja e rendit të gjërave në aktualitet e histori. Është njëkohësisht e tashmja e padurueshme e shoqërisë po aq sa e ardhmja politikisht e re e popullit.

Se çfarë shteti do të jetë Kosova në dekadën e dytë të shekullit XXI varet se çfarë pushteti do të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit. Kosova është në udhëkryq. Por udhëkryqi është vetë mishërimi i zgjedhjes. E, këto zgjedhje janë zgjedhjet më të rëndësishme të pasluftës në mos edhe më shumë se kaq.

Prishtinë, 7 dhjetor 2010

Albin Kurti

Trafiku 

Nuk ka zhvillim ekonomik pa koncentrim të kapitalit. Kosova është vendi ku kapitali qarkullon teksa koncentrohet gjetiu. Por, kjo nuk do të thotë që Kosova është vend i dekoncentrimit të kapitalit. Sepse dekoncentrimi i kapitalit megjithatë rezulton me koncentrime të vogla. Kosova është veçse vend i qarkullimit të kapitalit – vend ku kapitali vjen për të mos mbetur.

Mesatarisht gjysëm miliardi euro në vit është kapitali që hyn në Kosovë nga mërgata jonë. Për çdo muaj qindra mijëra familjarë tonë nga perëndimi sjellin në Kosovë dhjetëra milionë euro për t’iu ndihmuar familjeve të tyre. Ata që dikur e mundësuan luftën çlirimtare, sot janë kushti i paqes sociale në Kosovë. Ata punojnë ditë e natë pa pushim, kurse pushimin e tyre e bëjmë ne në Kosovë. Ata s’kanë kohë për pauzë të kafes, porse në Kosovë ka kafe pa fund me njerëz që pauzojnë pa pasur punë.

Shpejtësia me të cilën ky kapital i mërgatës nxirret jashtë Kosovës është e krahasueshme me shpejtësinë me të cilën ky kapital arrin në Kosovë. Sepse deficiti tregtar është i krahasueshëm me vetë buxhetin e Kosovës. Kosova importon mallra dhjetëfish më shumë sesa që eksporton. Protektorati ndërkombëtar na e pat premtuar ekonominë e tregut, mirëpo ne përfunduam në treg pa ekonomi. Në Kosovë s’para prodhohet gjë. Prodhuesit e vegjël nuk i ndihmon shteti dhe i rjep pushteti.  

Pjesa më e madhe e investimeve publike shkon në infrastrukturë. Asfalt gjithandej Kosovës për qarkullim sa më të mirë. Thuajse ne duhet të jetojmë në rrugë duke qarkulluar e pa u ndalur. Po u ndale – mjerim; po qarkullove – parajsë. Kapitali që qarkullon pa ndalim sikur imitohet prej njerëzve. Dhe, për të qenë imitimi i plotë na nevojitet edhe liberalizimi i vizave. Sepse kapitali del vazhdimisht jashtë Kosovës, për dallim prej njerëzve që vazhdimisht mbesin brenda saj. 

Me investimet publike enorme në infrastrukturë qytetarët inkurajohen t’i braktisin banesat e tyre pa ngrohje dhe pa energji elektrike, pa ujë dhe pa parqe të gjelbëruara, për të blerë kamp-shtëpiza si rimorkio veturash me të cilat do të mund të qarkullonin nëpër asfaltin gjithmonë fringo të ri anekënd Kosovës. Aty do të mund edhe të ushqeheshin e të flinin pasi të jenë parkuar përkohësisht nëpër shiritat anësorë të autostradave. Me këtë logjikë, mirëqenia e qytetarit është reduktuar në mirëqenie të udhëtarit. Gjersa udhëtojmë nga një vend në tjetrin do të ketë rehati e luks sepse nuk do të ketë gropa në rrugë dhe udhët do të jenë të gjera. Po u ndale ndokund, vaj halli. Prandaj, nuk duhet të ndalesh. Duhet të qarkullosh vazhdimisht dhe pafundësisht. Aktualisht Kosova ka katërfish më shumë pompa të benzinës sesa që i nevojiten. Por, kur qytetarët do të qarkullojnë pandërprerë dhe masivisht, atëherë pompat e tepërta ndoshta do të dalin të jenë edhe mangut. Do të duket që pompat e shumta nuk ishin pasojë e kurrfarë mungese planifikimi por mishërim vizionar i frymës së kohës. Jo nxënës e studentë, jo prodhues e punëtorë, jo arsimtarë e mjekë. Dhe, jo shkolla e spitale, jo fabrika e qendra kulturore, jo kullosa e pyje. Vetëm shoferë e bashkudhëtarë të këtyre shoferëve. Makina që qarkullojnë pa pushim në asfaltin e lëmuar që shtohet gjithandej Kosovës. E këtillë është ardhmëria sociale dhe ekonomike e vendit tonë.

Regjisori dhe filozofi meksikan, Manuel de Landa, i frymëzuar nga Gilles Deleuze, bën një dallim interesant ndërmjet shtetit kombëtar dhe metropoli(si)t. Shteti i një kombi ka të bëjë me kontrollin e territorit dhe kufijve të territorit. Metropoli ka të bëjë me kontrollin e e trafikut dhe të fluksit. Shtete të kombit janë shumica e shteteve të Evropës si Gjermania, Italia e Franca. Metropole janë Amsterdami, Hong-Kongu e San Francisko. A nuk i përgjan Kosova jonë shumë më tepër një metropoli ku kemi qarkullim dhe kontroll të trafikut sesa një shteti ku kontrollohen kufijtë dhe territori? A nuk është Kosova një këso zone e ‘deterritorializuar’ me polici që mbikëqyrë trafikun dhe pa ushtri që do ta mbronte territorin dhe kufijtë e tij?

Shqetësimet për trafikimin në Kosovë janë absurde. Kosova s’është fare vend duke qenë vend trafiku. Si një aeroport i madh me check-in e check-out ku të gjithë vijnë e askush s’rri. Shumë më saktë është të thuhet që Kosova është vend transit sesa që shoqëria kosovare është shoqëri në transicion. Madje, nëse kishte diçka që mungoi në Kosovë është pikërisht transicioni socio-ekonomik: prej socializmit vetëqeverisës, me rregullore të UNMIK-ut, kaluam direkt në kapitalizëm neoliberal. Nuk pati kurrfarë transicioni në formën e ndonjë procesi të lëmueshëm të kalimit gradual prej një shkalle në tjetrën. Ankesat për transicion të stërzgjatur janë lajthitje: nuk mund të përfundojë diçka që nuk ka filluar.        

Vetë Kosova, pra, është një këso metropoli, por ama një metropol disi rural. Ngado që të udhëtosh nëpër Kosovë gjithandej sheh shtëpi banimi dhe askund nuk mund të shohësh natyrë; nuk sheh shumë tokë bujqësore të punuar por as vendbanime të urbanizuara. Pra, nuk sheh me tamam fshatra, por as tamam qytete. Një përzierje e çuditshme që e bën gjithë Kosovën t’i ngjajë një paralagjeje të madhe të një qyteti që mungon.

Kryeqytet kanë shtetet kombëtare. Kryeqytetet janë vende të grumbullimit. Prishtina nuk është kryeqytet. Sepse Kosova është metropol rural. Prishtina është pikë grumbulluese, por në masën në të cilën kjo është e nevojshme që Kosova të mos jetë pikë grumbulluese. Pushteti në Prishtinë aq shumë e ka decentralizuar territorin mbi baza etnike e partiake saqë e ka ‘deterritorializuar’ Kosovën, ndërkaq, në anën tjetër, e ka centralizuar paranë e Kosovës mbi baza klanore e të cilën, megjithatë, e nxjerr me shpejtësi jashtë vendit.      

Kosova e këtillë ka vija të rrjedhës dhe jo vende të grumbullimit. Ka linja të transportit e jo lokacione të destinimit. Depot e magazinat nuk mbledhin, por mbledhin për të shpërndarë sa më shpejt. Elementi që duket i kundërt për nga karakteri me tërësinë është aty për ta rritur efiçiencën e trafikut që paraqet vetë tërësinë. Me shprehjet e Deleuze, trafiku është ‘trupi pa organe’, ose edhe një organ i vetëm por i asnjë trupi që do ta përmbante atë.

Nga 32 kamiona që i numërova përgjatë rrugës Prishtinë-Pejë vetëm katër a pesë sosh ishin me targa të Kosovës. Të tjerët ishin nga Serbia, Maqedonia apo Mali i Zi me shkurtesat e qyteteve të atjeshme: NI, KV, NP, BG, SK, PG…. Kishte disa kamionë edhe nga Greqia e Turqia. Asfalti ynë i rrugëve kombëtare, përderisa nuk kemi fabrika prodhuese kombëtare e as kontroll të territorit e kufijve shtetërorë, është në shërbim të fabrikave të shteteve të tjera të kombeve të tjera. Kosova është bërë si një kazino ku vijnë paratë për të shkuar me shpejtësi. Pa sovranitet për shtetin, pa prodhim për ekonominë dhe pa kufij për territorin. Vetëm me trafik mbi asfaltin pa kufi.

Viti 2010, në të vërtet, ka zgjatur shumë. Ai ka filluar më 1999. Viti 2011 duhet të jetë jo vetëm fundi i një viti, por fillimi i një periudhe tjetër: i popullit subjekt, i shtetit sovran, i shoqërisë së mirëqenies dhe i ekonomisë së zhvilluar. Le të na bashkojë kjo përpjekje.

Gëzuar!       

Prishtinë, 28 dhjetor 2010

Albin Kurti

 

Të vjetrat pas Vitit të Ri

Nga viti 2010 Kosova doli ashtu siç pati hyrë në këtë vit. Pa sovranitet, pa zhvillim ekonomik, pa kontroll të kufijve, pa vende pune dhe pa arsim e shëndetësi cilësore për popullatën. Dhe, ashtu si para një viti, edhe tani, Kosova është me varfëri të gjerë e të thellë, me struktura të Serbisë që i toleron Qeveria jonë, me Mitrovicë të ndarë, me sundim ndërkombëtar që nuk na jep llogari, dhe me privatizimin neoliberal që pasuron një grusht njerëzish përmes shitjes së asaj që ishte e të gjithë neve.

Megjithatë, këtë vit që e lamë pas duket që e dallon prej vitit 2009 korrupsioni enorm i politikanëve e zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë dhe vjedhja e pashembullt e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Në njërën anë, patëm bastisjet në MTPT, akuzat dhe arrestimin e guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi dhe, në anën tjetër, kishim votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura me 12 dhjetor pasi që u kërcënuan e rrahën shumë komisionerë e vëzhgues. Mbase këto janë ngjarjet që qytetarët e Kosovës më së shumti do t’i mbajnë mend nga jeta politike e vitit 2010 edhe pasi u ndërruan motmotet. Demonstrimi i forcës së EULEX-it me njësi speciale të maskuara të policisë gjersa kryejnë bastisje të ministrisë dhe guvernatori i qeshur Rexhepi që zbret shkallët me duar të lidhura nga prangat e policisë, sigurisht se paraqesin imazhe televizive të vitit 2010 që s’do të harrohen kollaj as tani që duhet ta ndërrojmë kalendarin. Po ashtu, edhe imazhet e xhiruara me kamera private ose telefona mobil ku shihen manipulimet me vota ose rrëfimet e komisionerëve dhe vëzhguesve për dhunën ndaj tyre më 12 dhjetor do të mbesin gjatë të ngulitura në kujtesën e qytetarëve të Kosovës.

Ajo që rrezikon të harrohet është se këto që po i kujtojmë si gjëra që nuk do të harrohen nuk janë aq gjëra të reja. Shumë korrupsion e vjedhje votash ka pasur edhe më herët. Edhe në vitet e mëhershme e në qeveritë e mëparshme kishim shumë zyrtarë që ishin shumë të korruptuar. Edhe në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2009, edhe në ato të vitit 2007 e më herët, ka pasur vjedhje votash. Në vitin 2010 nuk kishim dukuri të re por intensifikim të ri të dukurive të vjetra. Ajo që po ndryshon me kalimin e viteve në Kosovë nuk është lloji i dukurive por përmasa e tyre. Vjedhje parash dhe vjedhje votash. E këtillë është Kosova tash e shumë vite. Paratë vidhen dhe votat blihen në mënyrë që mandej të vidhen edhe më shumë para të tjera. Vidhen votat prej atyre që kanë pushtet në mënyrë që të kenë edhe më gjatë pushtet për të vjedhur edhe më shumë para.

Ashtu sikurse që numri 2010 dallon nga numri 2009 vetëm në njërën shifër në pamje dhe ashtu sikurse që 2010 është vetëm për një më i madh në përmbajtje sesa numri 2009, ngjashëm ishte ndryshe edhe ky viti 2010 prej vitit 2009. Me dallim sasior për të keq, pa ndryshime cilësore për të mirë për jetën e qytetarit të Kosovës. Fundja, asnjëri prej problemeve të vitit 2010 nuk ka nisur në këtë vit dhe nuk na është shfaqur për herë të parë në këtë vit. Vetëdijesimet mund të kenë qenë të reja sepse të vonuara, pamjet e zbuluara televizive mund të kenë qenë të reja sepse gjithashtu të vonuara, por jo edhe këto dukuri si të tilla.  

Dekada e parë politike e shekullit XX në Kosovë nisi me luftën çlirimtare të UÇK-së që u pasua nga intervenimi i NATO-s dhe u mbyll me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Intervenimi i NATO-s ishte me karakter humanitar dhe jo me karakter politik. Atëbotë nuk u intervenua në Kosovën që konsiderohej vend i okupuar nga Serbia e që duhej çliruar, por në Kosovën ku popullata duhej të shpëtohej nga forcat vrastare të regjimit të Milosheviqit. Nëntë vite më vonë edhe pavarësia që u shpall nuk ishte pavarësi njëmend politike, por edhe ajo ishte njëfarë pavarësie humanitare. Nga vetë Deklarata e Pavarësisë ku tetë herë përmendet Ahtisaari e tri herë pavarësia, përfshirë këtu edhe titullin e deklaratës, ishte e qartë se pavarësisë së Kosovës do t’i mungojë sovraniteti kurse popullit të Kosovës do të vazhdojë t’i mungojë e drejta e vetëvendosjes.

Për këtë arsye në Kosovë assesi nuk po fillon dekada e dytë politike në shekullin XX. Përkundër shpalljes së pavarësisë para gati tri viteve, politikisht Kosova mbetet në dekadën e parë të shekullit XX. Në vend se pavarësia formale si një hap para të jetë edhe mundësi për hapa të tjerë në ecjen e mëtutjeshme, ajo u bë edhe hap i mbramë. Nuk po mund ta fillojmë vëllimin e dytë. Kemi mbetur te pavarësia formale që ishte kapitulli i fundit i vëllimit të parë. Vëllimi i dytë nuk niset pa shtetndërtim e zhvillim ekonomik, pa sovranitet e prodhim vendor.     

Ecjen përpara pa dyshim që nuk na e ndihmojnë ata që janë të (vetë)kënaqur këtu ku jemi e kështu siç jemi. Përkundrazi. E, të atillë janë ish pushtetarët që nuk mund ta marrin me mend se një ditë mund të mbesin pa pushtet. Apo, ndoshta pikërisht pse e marrin me mend që një ditë mund të mbesin pa pushtet ata sillen e veprojnë kështu?! Sepse pa pushtet nuk kanë siguri që do të mbesin në liri dhe as që s’do të kridhen në varfëri. Prandaj shesin e vjedhin gjithçka dhe shpejt; dhe, përherë janë të gatshëm për negociata të reja me Serbinë. Që të mbesin në pushtet për veten e tyre paçka se kjo bëhet gjithnjë në llogari të shtetit e popullit të Kosovës.

Mbase nuk mund të ketë vit të ri me pushtet të vjetër. Viti i ri, herdokur, do të jetë edhe epokë e re.  

Prishtinë, 4 janar 2011

Albin Kurti

 

Qeveria e rënies

Poshtë qeveria, rroftë qeveria. Apo, ndoshta, rroftë qeveria, poshtë qeveria? Këtë do ta marrim vesh pas zgjedhjeve të ardhshme. Mirëpo, synimi i seancës së Kuvendit të Kosovës të martën që shkoi ishte: poshtë qeveria në mënyrë që të rrojë qeveria.

Teatër i keq, gjithsesi. Mbase nuk kanë faj qytetarët e Kosovës që shikojnë telenovela latino-amerikane. Ato janë megjithatë më të mira sesa ky teatër i keq.

Në vend se ta përdor një tjetër parti si mashë, ish kryeministri Thaçi ka mundur të japë dorëheqje. Asisoj, shumë më shpejt e kollaj do ta kishte arritur efektin e njëjtë – rënien e qeverisë. Mirëpo, jo. Kryeministri nuk kishte dëshirë të jepte dorëheqje. Ai është mësuar ta heqë e vëjë dikë tjetër, por edhe të hiqet e vihet vetë ai nga dikush tjetër. Dorëheqja do të ishte një akt moral dhe sovran. E, nuk ka asgjë më larg ish kryeministrit Thaçi sesa të qenit i moralshëm e sovran.

Thaçi kishte vetëm dy halle. Si të binte qeveria në mënyrë që të provokoheshin zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme dhe, njëkohësisht, të mos fajësohej vetë ai për tërë këtë. Meqë s’jepte dot dorëheqje, ai përdori një parti formalisht opozitare që ta propozojë këtë mocion mosbesimi. Skenari i keq dhe aktorët e këqinj tashmë ishin përcaktuar. Rëndësi kishte që regjia e këtij teatri të keq të ishte e mirë. 

Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, në fakt, ishte mocion i besimit ndaj qeverisë. Ata që i besuan Thaçit që do t’i marrë në qeverinë e ardhshme, mu ata u shprehën mosbesues ndaj qeverisë së tij të deritanishme. Ky mocion nuk ishte për të pasur një qeveri tjetër, por për të pasur PDK-ja një tjetër partner koalicioni në qeveri. Ata që e inicuan dhe votuan mosbesimin ndaj qeverisë, në të vërtet, po i besonin asaj si askush tjetër dhe si asnjëherë tjetër. Nuk ishte qëllimi që të zëvendësohej qeveria por që të zëvendësohej partneri qeverisës i PDK-së. Është e qartë që PDK-ja deshi që të binte kjo qeveri pasi që u kishte premtuar atyre që do ta rrëzonin se do t’i merrte në qeverisjen e ardhshme pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ata që votuan kundër qeverisë janë të njëjtit që shpresojnë se do ta votojnë qeverinë e ardhshme. Mirëpo, ata që i ndihmuan Thaçit duket që kanë harruar që ai i ka lënë në baltë edhe kolegët e tij partiakë dhe se afati i përdorimit do t’iu skadojë pas besimit të këtij mosbesimi.

Me varfërinë e papunësinë në rritje, me negociatat e paralajmëruara me Serbinë, me privatizimin e ndërmarrjeve fitimprurëse publike, PDK-ja nuk do të arrinte ta kalonte pragun zgjedhor në vjeshtën e vitit 2011 kur është dashur të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Duke qenë i vetëdijshëm për rritjen e zemërimit të qytetarëve që janë të zhgënjyer si asnjëherë më parë në këto vitet e pasluftës, dhe duke e ditur që është shndërruar në vegël të privatizimit neoliberal dhe negociatave kronike me Serbinë, Thaçit sigurisht se po i ngutet. Prandaj ish kryeministri Thaçi mundohet të shpëtojë çfarë ende është e mundur të shpëtohet për veten e tij. Shpëtimi i tij dhe i partisë së tij është gjithsesi në llogari të shtetit të Kosovës dhe të popullit të saj. Në Kosovë nuk është Thaçi ai që duhet shpëtuar, por populli i Kosovës. Dhe, ky shpëtim aktualisht e ka kuptimin edhe të shpëtimit të Kosovës prej Hashim Thaçit. Arsyetimet e turbullta të Thaçit janë simptomë e pafajsisë së pamundur të tij.

Pas ish presidentit (Sejdiu), Kosova u bë edhe me ish kryeministër (Thaçin). Regjimi në fuqi me gjasë u frikësua se mos qytetarët deri në shkurt të vitit të ardhshëm do të mësohen tepër gjatë pa president dhe do të nisin të mendojnë se bën edhe pa të. Tash, i lanë institucionet e shtetit edhe pa kryeministër në mënyrë që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet dhe të ndërpritet përshtatja e qytetarëve me gjendjen e pa-president. Por, në javët në vijim, qytetarët do të nisin të mësohen edhe pa kryeministrin Thaçi sikurse që u mësuan pa presidentin Sejdiu. Porta e ndryshimeve po hapet.    

Prishtinë, 2 nëntor 2010

Albin Kurti    

 

Qetësia e padrejtësisë

Zgjedhje të qeta, thanë zyrtarët ndërkombëtarë. Nuk thanë se zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit ishin të lira, demokratike apo të ndershme. Sepse, thjesht, dihet botërisht që nuk ishin të tilla. Mirëpo, si bëhet që përkundër shkeljeve e parregullsive të panumërta theksi vihet te qetësia e zgjedhjeve? Pse gjëja më e vlefshme për ndërkombëtarët nga këto zgjedhje na paska qenë qetësia e perceptuar prej tyre?

Ndërkombëtarët po na e tregojnë sesa të ulta janë ambiciet por edhe pritjet e tyre për Kosovën. Vetëm le të jetë qetë dhe s’është aq problem që s’ka drejtësi e korrektësi, demokraci e ndershmëri. Thuajse e rëndësishme është veçse që të jetë qetë, pra që të mos ketë zhurmë edhe atëherë kur s’ka drejtësi e demokraci për qytetarët.

Natyrisht që e gjithë kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e doktrinës së stabilitetit afatshkurtër që shpesh quhet edhe si menaxhim i krizës. Kosova është krizë që menaxhohet ndërkombëtarisht dhe, nën këtë dioptri, qetësia e kësaj vatre të krizës del se përbën lajm të mirë 

Shprehja e qetë’, në të vërtetë, buron prej fjalisë ‘e qetë, por e tensionuar’. Kjo fjali paraqet frazën që më së shpeshti është përsëritur në raportet ndërkombëtare për Kosovën në këto 11 vitet e pasluftës. Kur thuhet që gjendja në Kosovë është e qetë atëherë gjithmonë mendohet që ajo është e mirë sepse është më e mirë sesa nëpër krizat e tjera nëpër botë ku organizmat ndërkombëtarë i kanë misionet e tyre sunduese. Pra, përshkrimi i gjendjes në Kosovë si gjendje e qetë do të thotë që është gjendje më e mirë sesa në Afganistan a Palestinë. Ngjashëm, kur thuhet që zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta, kjo do të thotë që ato ishin të një cilësie të pranueshme sepse kuti matës është ai që i dedikohet Afganistanit e Palestinës.

Ndërkaq kur thuhet a shkruhet ky vazhdimi i fjalisë ‘e tensionuar’, në fakt, vetëm sa sajohet shtrati për vazhdimin e protektoratit ndërkombëtar meqë situata në Kosovë qenka e tensionuar dhe duke iu falenderuar pikërisht protektoratit ndërkombëtar ajo mbetet e qetë (sic.). Tensioni që gjithmonë është aty por nuk shpërthen është preteksti për ata që nuk e lejojnë këtë shpërthim të projektuar. Madje, për ta normalizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare të pakufizuar në shkallë e në kohë, quhemi të porsalindur, ose më saktë, të lindur para dy vjetëve e gjysmë, dhe prandaj na u dashka kujdestaria nga lart. Ama edhe si fëmijë që na konsiderojnë nuk përtojnë të na hedhin në arenën e gladiatorëve në aspektin politik dhe ekonomik, kështu që del se mbrojtja që i bëhet Kosovës nga ndërkombëtarët është mbrojtje e Kosovës nga vetvetja. Protektorati ndërkombëtar e konsideron vetë Kosovën si rrezikun më të madh për Kosovën.

Por, si bëhet atëherë që të vetmen ditë që Kosova mbase kishte nevojë për mbikëqyrje të organizmave ndërkombëtarë, pra në ditën e zgjedhjeve, nuk kishte mbikëqyrje dhe as shqetësim të shtuar të tyre? Pse në këtë ditë faktorët ndërkombëtarë nuk e mbrojtën e ruajtën Kosovën nga vetvetja, pse nuk e parandaluan lëndimin që asaj do t’ia shktatonin vetë ish pushtetarët kosovarë? Dhunimi i votës së lirë të qytetarit përmes manipulimeve dhe vjedhjeve gjithsesi ra në prapavijë të vlerësimit për zgjedhjet si zgjedhje të qeta. Nga pikëvështrimi i disa qarqeve ndërkombëtare, ‘zgjedhjet e qeta’ në Kosovë ishin veçse një fazë që duhej kapërcyer sa më shpejt drejt negociatave të reja me Serbinë. Janë po këto qarqe që e duan Serbinë me çdo kusht në binarët drejt BE-së madje edhe nëse për këtë gjë Serbia kërkon që ta sajojë një republikë të re serbe, ngjashëm si në Bosnje, vetëm se kësaj radhe në Kosovë. Ish pushtetarët që bënë dikur kompromise me Serbinë janë të gatshëm t’i përsërisin kompromiset. Prandaj rrezikojmë të na përsëriten negociatat me Serbinë për vendin tonë e në kurriz të vendit tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! tash është më e përgatitur se kurrë që bashkarisht me qytetarët ta shërojmë këtë sëmundje kronike në formë negociatash nga të cilat Serbia fiton më shumë pushtet në më shumë territor të Kosovës ndërkaq pushtetarët e Kosovës fitojnë kohëzgjatje pushteti në Kosovën gjithnjë e më të rrudhur.

Prishtinë, 14 dhjetor 2010

Albin Kurti

 

Politika me qytetarin 

Politikanët që kanë drejtuar institucionet e Kosovës nuk kanë ambicie më të mëdha për Kosovën sesa këtë Kosovë që kemi e të këtillë çfarë e kemi. Ambiciet e tyre, duke qenë private e personale, nuk bëhen synime për avancimin e Kosovës. Ato furnizojnë veçse dëshirën e papërmbajtur që të ngjiten më lart për veten e tyre ose të qëndrojnë më gjatë atje lart ku janë.

Për të qenë më keq se kaq, as ndërkombëtarët nuk kanë ambicie më të mëdha për Kosovën sesa kjo Kosovë kështu siç është. E gjithë brenga e tyre konsiston në atë se si mund të bëhet më keq në Kosovë e jo se si mund të bëhet më mirë. Ata shqetësohen se çfarë mund të humbet, ndërkohë që gjithnjë e më pak kemi, e jo se çka mund të fitojmë. Edhe mendimi këshillues pozitiv i GjND-së më shumë shkaktoi gëzim që nuk do të zvogëlohen njohjet e deritanishme të pavarësisë sesa që solli njohje të reja. 

Përligjen e gjendjes ekzistuese pushtetarët e tashëm e reduktojnë në përllogaritje shifrash, njohjesh, suksesesh numerike, imazhe të shkëputura nga realitetet e përditshme. Kështu ata rendisin fytyrat e shumta të tyre në numërimet e largësive që i ndajnë nga populli. Premtojnë rritje numerike pagash, çdo ditë me nga një rritje të re për të konfirmuar secilën ditë  kërkesën dëshpëruese drejtuar secilit qytetar më vete për ruajtjen e vuajtjes së mungesave të tyre të përbashkëta. Kërkesë për një tjetër pësim të gjendjes së mbijetesës e cila si përfitues ka vetëm ata që atje lart e larg, jetojnë mirë, shumë mirë pa qenë aspak të mirë. Janë pikërisht këto lloj rritjesh që në vend se të investohen në potencialet zhvilluese të Kosovës, investohen në zbehjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për momentin kritik në të cilin po jetojmë 

Ngritja e mëtutjeshme e pozitës politike të Kosovës dhe përmirësimi i gjendjes socio-ekonomike të qytetarëve nuk mund të vijë nga qeveritarët aktualë vendas dhe as nga burokratët e diplomatët ndërkombëtarë. Bërja sovrane e shtetit nuk mund të realizohet nga ata që mungesën e sovranitetit e shfrytëzuan për interesat e tyre parciale. Hapësira jonë publike e mundësimi politik i shqiptarit nuk mund të kryhet nga ata që penguan në çfarëdolloj forme përpjekjen tonë për t’u shprehur e përmbushur politikisht. Përmirësimi i kësaj gjendjeje nuk mund të vijë nëpërmjet një procesi teknik të ndryshimit të individëve të të njëjtit soj sepse soji i njëjtë të lë në rendin e njëjtë të gjërave.

Ndryshimi i politikës duhet të jetë aq rrënjësor saqë duhet ta ndryshojë edhe vetë domethënien e politikës. Nga një politikë që kufizohet në përfaqësim e ndërmjetësim duhet të arrijmë te një politikë që shprehet edhe si botëkuptim e aksion.

Mundësia dhe shpresa e këtij vendi janë qytetarët e pakënaqur e jo pushtetarët e vetëkënaqur. Më mirë (në të kaluarën) ka qenë e mundshme (me tjetër pushtet prej atij që kishim). Më keq (për të ardhmen) është po ashtu e mundshme (nëse vazhdojmë me të njëjtin pushtet). Ndryshimi bëhet i mundshëm përmes bashkimit tw qytetarwve. Bashkimi është kushti i mundësisë.  

Prishtinë, 30 nëntor 2010

Albin Kurti

 

Ose-ose

Shumëçka në Kosovë po vihet në funksion të negociatave të reja me Serbinë. Prej raportit të Dick Marty-t e deri te koalicionet e mundshme qeveritare. Negociatat e paralajmëruara janë shndërruar në një ide rregullative që organizon hapat politikë në Kosovë e rreth Kosovës.

Raporti i Dick Marty-t tashmë e kreu punën e vet. Në njërën anë e bëri edhe më servil ish kryeministrin i cili tash është më i gatshëm se kurrë më parë që të takohet me Boris Tadiqin. Ndërkaq, në anën tjetër, ky raport që mori dhenë në të gjitha mediat botërore krijoi përfytyrimin për shqiptarët si bashkëfajtorë në krimet e luftës së fundit në Kosovë. Duke dëmtuar epërsinë morale të shqiptarëve asfaltohet rruga e negociatave me Serbinë të cilat pavarësisë sonë pa sovranitet ia kontestojnë edhe formalitetin.

Po ashtu, të gjitha ato parti që synojnë të hyjnë në koalicionin e ardhshëm qeveritar tashmë e kanë të qartë se do të jenë pjesë e një qeverie që do të bëjë pazar me Serbinë armike për vendin tonë Kosovën. Pra, këto parti e marrin si një fakt të kryer që Kosova sërish po vihet në tryzën e negociatave me Serbinë dhe janë të preokupuara veçse me postet e tyre në qeverinë e ardhshme. Kështu, shansi për ndarjen e brendshme të ministrive fitoi prioritet mbi rrezikun e ndarjes së brendshme të Kosovës.   

Vetëm paralajmërimi i negociatave me Serbinë në këto kohët e fundit e faktorizoi kaq shumë Serbinë në Kosovë. Mund të merret me mend se çfarë do të jetë ndikimi i Serbisë në Kosovë përgjatë atyre negociatave e pas tyre. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë për ndikimin e përditshëm të Serbisë në veri apo në enklavat serbe, por për ndikimin e saj në tërë politikën zyrtare të Kosovës. Është Prishtina e Kosovës së pavarur ajo që po ndikohet nga Beogradi dhe jo vetëm Mitrovica e Graçanica.  

Mënyra më e mirë për ta hedhur poshtë raportin e Dick Marty-t është të thuhet që Kosova nuk do të bëjë bisedime me Serbinë. Pra, të thuhet: JO NEGOCIATA! Mënyra më e mirë për ta pranuar raportin e Dick Marty-t është që Kosova të shkojë në këto negociata me Serbinë. Pra, të thuhet: JO VETËVENDOSJE!. Duke i pranuar negociatat me Serbinë për veten e saj, Kosova e vë në pikëpyetje pavarësinë e saj. Dhuratë më të mirë e më të madhe për Dick Marty-n e Serbinë nuk mund të ketë.

Janë së paku dhjetë arsye kapitale pse Kosova nuk duhet të shkojë në negociata me Serbinë duke qenë se ato janë krejtësisht të padrejta. Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës; Serbia nuk po e ndryshon kushtetutën e saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë; Serbia nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX; Serbia nuk na i ka dorëzuar kriminelët serbë të luftës; Serbia nuk na i ka kthyer trupat e rreth 1800 të pagjeturve dhe nuk jep informacione për ta; Serbia nuk na i ka paguar dëmet e luftës dhe okupimit; Serbia ua shkel të drejtat shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe i shtyp ata; Serbia vazhdon t´i financojë strukturat e saj ilegale në Kosovë; Serbia nuk na e ka kthyer fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës dhe librat kadastralë; dhe, në Serbi janë dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve të ´90-ta që shëtiten të lirë e të pacenuar nga prokuroria e shtetit.

Mirëpo, janë edhe dy arsye të tjera që bëjnë që këto negociata të jenë asimetrike, d.m.th.  midis dy palëve edhe nominalisht të pabarabarta. Së pari, këto negociata janë negociata me Serbinë për Kosovën dhe jo negociata me Serbinë edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Dhe, së dyti, në negociatat me Serbinë faktorët ndërkombëtarë edhe ndërmjetësojnë edhe sundojnë me Kosovën josovrane, por jo edhe me Serbinë.

Ish kryeministri i ka vetëm dy mundësi. T’i thotë jo negociatave me Serbinë, ta shpëtojë Kosovën dhe ta vëjë veten e tij në rrezik meqë mandej do të mund t’ia publikojë të gjitha të palarat përmes të cilave e kanë shantazhuar. Ose, t’i thotë po negociatave, të blejë ca kohë për veten e tij, dhe ta dëmtojë Kosovën edhe përtej Planit famëkeq 6 Pikësh të Ban Ki-moon-it. Me shpejtësi po arrijmë në momentin kur nuk mund të shpëtohet edhe Kosova edhe ish kryeministri i saj. Ose-ose është kjo situatë. A thua cilën prej këtyre dy mundësive do të zgjedh ish kryeministri? E di se të gjithëve na duket që me siguri e dimë përgjigjen për përgjigjen e ish kryeministrit. Nga përvoja me të e kemi.  

Prishtinë, 21 dhjetor 2010  

Albin Kurti

 

Ndryshimi përmes rezistencës që nuk ndryshon

Shumë zëra të njëjtë të qytetarëve të zhgënjyer duhet të bëhen një zë i bashkuar i qytetarëve për ndryshime. Ky zë i bashkuar, në mungesë të fjalës, shprehet në zhurmë që thuajse gjithmonë përkthehet në pësim. Neve na duhet që ky zë i bashkuar të bëhet një e të artikulojë fjalën, kuptimi i së cilës është veprimi. Shumë zëra të njëjtë të qytetarëve të zhgënjyer duhet të artikulojnë një fjalë përbashkuese të qytetarëve për ndryshime.

Pesë vjet Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka shikuar këta politikanë dhe pamja që shohim tash është bërë më e padurueshme se kurrë më parë. Pavarësia e Kosovës doli se qenka shpallur jo për të qenë të pavarur si shtet nga Serbia, por për të pasur pavarësi të pushtetit mbi qytetarin. Pavarësia nuk u kuptua më si pavarësi për shtetin, për të shumëfishuar mundësitë e tij politike e ekonomike, por si pavarësi nga qytetarët për keqpërdorim të pushtetit.

Mosfunksionimi është rregulli në institucionet e shtetit e jo ndonjë përjashtim margjinal. Ky mosfunksionim që ka shkuar edhe në keqfunksionim, është bërë norma jonë e përditshme. Normalizimi i gjendjes ekstreme i ka ekstremizuar edhe kërkesat normale. Kërkesa normale politike e qytetarit për llogaridhënie është ekstremisht e largët për këtë pushtet që në qendër të tij ka vetëm veten, prej nga bën qëndresë. Kërkesa politike e qytetarëve për moral është ekstremisht e largët nga kjo qendër që e di që politika si punë publike mundësohet veç nga morali.

Pushtetarëve të bashkuar në korrupsion ne duhet t’i përgjigjemi me një qytetari të bashkuar për ndryshime. Të pamundshmen që mendohej si e tillë ngase ishim të ndarë veçse në individë a familje, duhet ta bëjmë të mundshme bashkërisht. Sepse kur duron tepër, atëherë mund të bëhet tepër vonë për mosdurim. Kur duron tepër pësimi bëhet gjë normale e kërkesa normale për aksion bëhet ekstreme.

Rezistenca e qytetarëve ndaj regjimit të pushtetarëve po bëhet aq e fuqishme saqë regjimi po detyrohet ta bëjë rezistencën ndaj kësaj rezistence. Ata po mbyllen në qendër dhe pavetëdijshëm po e shndërrojnë veten e tyre në shënjestër. Një qendër e shkëputur nga baza mendon se duke ia privuar vetes qytetarin bëhet e pavarur nga ai. Por kjo vetëm sa e nxjerr edhe më shumë në pah tëhuajsimin e saj dhe e nxit ndërgjegjësimin e qytetarit duke e shpërqendruar në fund edhe veten. Qendërzimi (i pushtetit) kontribuon në zhvendosjen tutje të qendrës së një situate (në anën e popullit). Qendra bartet prej pushtetit kah qytetarët të cilët jo vetëm se janë të gatshëm ta ndërrojnë pushtetin por edhe tërë kontekstin ku banon pushteti. Me këtë rast, kushti i nevojshëm është edhe i mjaftueshëm: ndryshimi i regjimit vjen nga rezistenca ndaj tij që nuk e ndryshon konceptin e qëllimin.

Organizimi gjithnjë e më i gjerë lokalisht po na bën të gjithëve të vetëdijshëm për njëjtësinë e problemeve tona dhe për njëjtësinë e zgjidhjes së tyre. Dëshira private për ndryshime po shndërrohet në vullnet publik. Rezistenca e përfaqësuesve të qytetarëve në institucione realisht nuk ekziston e po ashtu as përfaqësimi i rezistencës qytetare në institucione. Kjo duhet korrigjuar sa më parë. Ndryshimi do të matet pikërisht me këtë korrigjim.

Prishtinë, 9 nëntor 2010

Albin Kurti

 

Lustra e fragmentuar

Më interesonte të merrja vesh arsyen e kalimit të anëtarit B. nga partia politike ku kishte qenë në Lëvizjen tonë. Kisha dëgjuar për të, nuk e njihja, por u bëra kurreshtar mbase pa ndonjë arsye fort të qartë fillimisht. E zhvilluam një takim, e pashë që nuk dallonim për nga botëkuptimi e qëndrimet politike, i besova për ato që fliste, dhe nuk u habita kur pa hezitim më tha që iu kishte mbushur kupa duke duruar për vite me radhë. Ajo filan partia, më tha, nuk ishte vend ku mund t’i shfaqësh mendimet e tua dhe të bashkohesh në veprim me të tjerët por ishte bërë vend ku mendimi tashmë ishte punë e kryer dhe ku duhet të durosh veprimet e të tjerëve mbi ty. Kjo sigurisht që ishte e vërtetë por jo edhe e vërteta e tij. Ai nuk kishte ardhur në VETËVENDOSJE! pse iu kishte mbushur kupa por pse iu kishte zbrazur ajo. Kurreshtja ime filloi të vetësqarohej. Ajo konsistonte pikërisht në rrëfimin e munguar për atë pikën që zbraz kupën e mbushur përplot, për atë pikën që retroaktivisht bëhet më cilësore se të tjerat. Sërish nuk ngurroi aspak dhe filloi ta tregonte tregimin e fundit. Ky ish anëtari B. i partisë, kohë më parë, kishte hetuar një ndërmarrje korruptive në pushtetin komunal dhe pasi kishte mbledhur faktet e kishte denoncuar një zyrtar të korruptuar komune që kishte rastisur të jetë i një partie tjetër. Kishte pritur disa ditë që kjo çështje të trajtohej dhe zyrtari i korruptuar të përjashtohej nga puna e të nisnin procedurat gjyqësore kundër tij. Më në fund, e kishte thirrur kryetari i komunës dhe, për çudi të tij, e kishte kërcënuar vetë denoncuesin B. me përjashtim nga puna! Dy ditë më vonë e kishte marrur në telefon edhe shefi i madh i partisë dhe ia kishte përsëritur atë që ia ka thënë kryetari i komunës: mbylle gojën ose të hodhëm në rrugë me gjithë familje! Në këtë pikë, denoncuesi i mirë B., sipas fjalëve të tij, e kishte kuptuar që në Kosovë nuk ka vetëm struktura paralele serbe por edhe struktura paralele shqiptare. Ishte vetëdijësuar që prapa zënkave televizive midis partive hidhet vallja e përbashkët e tyre e korrupcionit.       

Në këto vitet e pasluftës kemi pasur pafund përleshje, rrahje e madje edhe plagosje e vrasje të politikanëve e militantëve partiakë. Krerët e partive e kanë përçarë popullin dhe i kanë ndërsyer njerëzit kundër njëri-tjetrit. Në fund, vetë ata krerë kanë lidhur koalicione ndërmjet partive të tyre për hir të interesave vetjake karrieriste e financiare. Njerëzit e thjeshtë kanë mbetur të pikëlluar pa më të dashurit e tyre ose të dëshpëruar në burg ndërkohë që janë të detyruar t’i shikojnë idolët e tyre partiakë tek qeshen bashkë para kamerave televizive. Gjithçka i ngjan një shfaqjeje teatri ku shikuesit nuk e kanë ditur që bëhej fjalë veçse për një shfaqje teatri, nuk e kanë ditur se ajo që po shihnin ishte dramë me role e skenar të përcaktuar që më parë. Shikuesit janë grindur e rrahur varësisht lojaliteteve të posaçme ndaj aktorëve në skenë të cilët nuk po grindeshin e rriheshin me të vërtetë. Në fund të shfaqjes kemi shikues të përgjakur dhe aktorë gazmorë që zhveshin kostumet e tyre dhe dalin e pijnë kafe bashkë pas rënies së perdes.    

Secili prej akronimeve të partive politike që hynë e dolën nga qeverisjet e pasluftës defilon ndaras e veçmas. Nganjëherë edhe çiken lehtas me njëri-tjetrin ashtu plot nur e hir në këtë sfilatë që i dedikohet popullit spektator. Mirëpo, sfilata e diferencave nominale në të vërtetë maskon vallen e përbashkët financiare. Duken parti të ndryshme me qëllim që të duken të ndryshme. Ajo që shohim është maska për atë që nuk duhet ta shohim. Strukturat informale politike janë financiare dhe kriminale, të bashkuara përtej ndarjeve formale ndërmjet partive politike. Ato nuk shihen hapur mu për shkak të partive politike që duken për të mos u dukur në thelbin e tyre. Emrat e partive dhe fytyrat e ndryshme të njerëzve të partive janë paravan për unitetin e këtyre strukturave informale që paraqesin të vëretën e sistemit politik në Kosovë. Ato e kanë funksionin e fragmentimit të lustrës sipër substancës së njëjtë. Kjo lustër e fragmentuar është substanca e pluralizmit politik në Kosovë. Politikanët e establishmentit njëmend janë të ndarë, mirëpo kjo ndarje e tyre shërben për ta pasur politikën e establishmentit të bashkuar dhe, në anën tjetër, për ta pasur popullin sa më të përçarë përfundi vetes.

Gjithsesi, ne nuk kemi nevojë për parti që përçajnë shoqërinë e popullin ndërsa unifikojnë establishmentin. Kosovës i nevojitet lëvizja e qytetarëve të saj që i bashkon ata për ndryshime thelbësore kundër këtij establishmenti i cili e do unitetin e vetes dhe përçarjen e popullit.  

Prishtinë, 16 nëntor 2010

Albin Kurti

 

Gjeopolitika e negociatave të paralajmëruara

Negociatat e paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i nevojiten Serbisë dhe aspak Kosovës. Serbia nuk dëshiron që të anëtarësohet në NATO, por ajo është e interesuar që të anëtarësohet në BE. Serbia synon që të anëtarësohet sa më parë në BE dhe nga pozita e shtetit anëtar ta kushtëzojë Kosovën prej lart. Nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës shumë kollaj mandej do të mund të avanconte drejt BE-së, natyrisht duke plotësuar kushtet e normat e parapara nga Brukseli. Mirëpo, Serbia nuk do që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

Ndër kriteret kryesore që një vend duhet ta plotësojë për të aderuar në BE është fqinjësia e mirë. Serbia këtë kriter edhe do të mund ta përmbushte në raport me shtetet e tjera me të cilat kufizohet, por jo edhe me Kosovën. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi do të ishte pothuajse e mjaftueshme nga pikëvështrimi i Brukselit për të thënë që Serbia i ka marrëdhëniet e mira me fqinjtë. Kjo njohje do ta çlironte Serbinë nga Kosova për rrugëtimin e saj drejt BE-së. Por, Serbia aspiron që edhe të përparojë drejt BE-së, edhe të mos e pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Negociatat që mendohet të nisin vitin e ardhshëm shërbejnë që Serbia e Kosova të bëjnë një sërë dakordimesh të cilat do t’i mundësonin Serbisë të thotë në Bruksel që ka fqinjësi të mirë me Kosovën, ndonëse nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Qëndrimi bashkëpunues i qeveritarëve të Kosovës për fillimin e negociatave dhe përgjatë atyre negociatave me Serbinë është i domosdoshëm për Serbinë në mënyrë që ajo të mos ngecë në shtegun e integrimeve evropiane.

Mirëpo, as në këtë pikë nuk përfundojnë apetitet e Serbisë. Përmes atyre negociatave ajo dëshiron që edhe ta sajojë një republikë serbe përbrenda Kosovës sipas modelit të Bosnjes. Plani i Ahtisaarit tashmë e ka hedhur farën e bosnjëzimit të Kosovës, dhe në negociatat e ardhshme Serbia synon që brenda Kosovës t’i formësojë konturat e një republike të re serbe në Ballkan. Tashmë po flitet për autonominë për veriun dhe për komunat shtesë më shumicë serbe në Prilluzhë të Vushtrrisë e në Osojan të Burimit. Pranimin e pavarësisë së Kosovës Serbia shumë më tepër e lidh me sajimin e një shteti të tillë serb brenda shtetit të Kosovës sesa me aspiratën për integrim në BE. Zaten, asgjë e re në krahasim me Milosheviqin i cili në Konferencën e Daytonit në vitin 1995 e pat pranuar Bosnjen si shtet të pavarur jashtë Serbisë atëherë kur lideri boshnjak Alija Izetbegoviq e pat pranuar Serbinë brenda Bosnjes në formën e Republikës Serbe atje.

Nëse ky plan i Serbisë realizohet atëherë okupimi total i Kosovës nga Serbia nga fundi i shekullit të kaluar do të zëvendësohej me kontroll total të Kosovës nga Serbia në dekadën e dytë e të tretë të shekullit XXI. Nga lart, Serbia do ta dirigjonte politikën kosovare nëpërmjet kushtëzimeve nga pozita e vendit që ka avancuar drejt BE-së shumë më tepër se ne, e më vonë edhe nga pozita e shtetit anëtar të BE-së. Nga poshtë, ajo do ta kushtëzonte Kosovën përmes republikës së re serbe brenda Kosovës ngjashëm siç vepron me Bosnjen e cila, përkundër vullnetit të boshnjakëve dhe kroatëve, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës meqë Republika Serbe atje e ka përdor të drejtën e vetos për këtë çështje. Pra, Serbia edhe do të mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës pas disa viteve, por vetëm atëherë kur do ta ketë të siguruar ndikimin e saj dominues në Kosovë, duke formuar një Serbi të vogël brenda Kosovës, dhe pasi që t’i jetë afruar fare pranë portës ku shkruan: BE.            

Megjithatë, BE-ja s’do ta toleronte realizimin e gjithë këtij plani hegjemonist të Serbisë, apo jo? BE-ja nuk do të lejojë që Serbia të udhëtojë drejt BE-së pa e pranuar pavarësinë e Kosovës? Dhe, BE-ja patjetër që nuk do ta durojë Serbinë gjersa ajo e bën Kosovën tërësisht jofunksionale përmes riprodhimit të modelit të Bosnjes, apo jo? Nuk jam aspak i sigurt për këto. BE-ja, para së gjithash e mbi të gjitha, dëshiron që Serbinë ta shkëpusë nga ndikimi i Rusisë, nga përdorimi i saj si dorë e zgjatur e Rusisë. Shkatërrimi i BRSS-së rezultoi me një Rusi që si një oktopod i madh ka për tentakula Bellorusinë, Ukrainën, Transdniestrinë, Abhazinë, Osetinë Jugore, por pak a shumë edhe Armeninë, Taxhikistanin e Kirgistanin. Në anën tjetër, edhe shkatërrimi i RSFJ-së rezultoi me një Serbi që si një oktapod i vogël ka për tentakula Republikën Serbe në Bosnje, 30% të popullsisë në Mal të Zi që janë deklaruar serbë, duke qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi, veriun e Kosovës dhe enklavat serbe në Kosovë, si dhe ndikimin e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni. Interesi parësor i BE-së është që ta ndajë oktapodin e vogël (Serbinë) nga oktopodi i madh (Rusia) përmes procesit të integrimeve evropiane, meqenëse që nga viti 2007, atëherë kur Rumania e Bullgaria u bënë anëtare të BE-së, Serbia në oborrin evropian mbeti si Kalë i Trojës që i shërben Rusisë. Interesi parësor i Kosovës dhe i shqiptarëve është që tentakula e Serbisë e llojit të veriut dhe enklavave serbe në Kosovë të shkëputet sa më parë nga Serbia. Interes yni është edhe ky interesi parësor i BE-së, porse ai s’mund të jetë interes parësor yni, aq më pak nëse për ta realizuar interesin e saj parësor BE-ja është e gatshme që këtë ta bëjë edhe në kurriz të interesit parësor të Kosovës dhe të shqiptarëve. BE-ja e di mirë që Serbia qysh në origjinën e saj si shtet veten ia ka borxh Rusisë. Prandaj, BE-ja, edhe pse nuk e do Serbinë menjëherë në BE, e do atë në binarët e integrimeve evropiane ku do ta tërhiqte lëmueshëm Serbinë prej një stacioni në tjetrin drejt Brukselit.                  

Por, cila është pozita dhe roli i ShBA-ve në këtë mes? ShBA-të, përkundër qëndrimit tradicionalisht më të shpejtë dhe më të avancuar për Kosovën dhe shqiptarët në krahasim me BE-në, nuk mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet e tyre me BE-në për hir të Kosovës. Për më keq, ShBA-të s’mund të kenë ambicie më të mëdha për Kosovën sesa vetë krerët institucionalë të saj që pranojnë të negociojnë me Serbinë për Kosovën. Dhe, njëkohësisht, nuk mund të kërkojnë nga BE-ja favore për Kosovën dhe shqiptarët përderisa ne udhëhiqemi nga politikanë e zyrtarë shtetërorë të korruptuar e të diskredituar. BE-ja nuk do të lëshojë pe për kërkesat që e avancojnë Kosovën, përderisa nga këto koncesione do të përfitonte edhe pushteti i korruptuar në Kosovë.

Ndërrimi i pushtetit në vitin 2011 gjithandej na shfaqet si kushti i mundësisë për përparim për Kosovën dhe shqiptarët.

Prishtinë, 28 dhjetor 2010

Albin Kurti             

 

Emancipimi politik

Nuk ka ndryshim të politikës pa politizim të qytetarit. Politikës së mbrapshtë ndaj qytetarëve duhet t’i kundërvihet rezistenca e drejtë e qytetarëve. Duke kundërshtuar regjimin, qytetarët e thellojnë kritikën e tyre, e zhvillojnë diskutimin ndërmjet veti dhe formësojnë rrugëdaljet nga gjendja e papranueshme. Rezistenca është emancipuese. Qytetarët duhet të bëhen politikanë në mënyrë që politikanët të (ri)bëhen qytetarë. Atëherë kur qytetarët interesohen për politikën edhe politikanët doemos interesohen për qytetarët. Hendeku ndërmjet të përfaqësuarve dhe përfaqësuesve zbutet me afrimin e të dyja palëve, mirëpo janë qytetarët ata që e nisin dhe imponojnë këtë afrim. Rezistenca prin. Ndryshimi i pushtetit pason.

Thirrjet për depolitizim të qytetarëve janë naive ose dashakeqe. Naive, atëherë kur departizimi ngatërrohet me depolitizimin. Të irituar nga të gjitha partitë politike gabimisht mund të besohet që problemi është politika dhe jo partitë. Dashakeqe, atëherë kur përjashtimi i qytetarëve synohet përmes vetëpërjashtimit të tyre. Duke i qëndruar anash angazhimit politik vetëm sa mbetesh përfundi politikës aktuale.

Jeta jashtë politikës është iluzion. Të interesohesh për jetën është një çështje politike. Të interesohesh për politikën është një çështje jetësore. Ekonomia, siguria, arsimi, shëndetësia, kultura janë çështje politike sepse varen nga politikat ekonomike, të sigurisë, të arsimit, të shëndetësisë e të kulturës. Realiteti që e jetojmë është pasojë e politikave të caktuara. Jeta reale që bëjmë është e përcaktuar nga politikat. Pozicioni i patër jashtëpolitik nuk ekziston. Asnjëherë, për askë. Prandaj, për ata që i duan ndryshimet, ‘neutralët’ gjithmonë ndodhen në anën e atyre që nuk i duan ndryshimet. 

Aktivizimi i qytetarëve të pakënaqur është kushti i ndryshimeve. Ndryshimi politik e nënkupton ndërrimin e pushtetit por nuk mjaftohet me të. Sepse qëndrueshmëria e një ndryshimi të ri politik sigurohet nga ndryshimi i kulturës së vjetër politike. Kur ikën klienti nga një bujtinë duhet të ndërrohen çarçafët, apo jo? Domethënia e pushtetit të ri nuk mbaron me pushtetarët e rinj. Një marrëdhënie e re ndërmjet qytetarëve dhe pushtetarëve është jo më pak e rëndësishme. Pikërisht ajo garanton moskthimin e së vjetrës dhe lulëzimin e së resë. Qytetarët nuk duhet të jenë të punësuarit e pushtetit. Qytetarët janë punëdhënësit e pushtetit që e paguajnë atë për t’i shërbyer vetë qytetarëve. Pushteti është shprehje e marrëdhënies së ndërmjetësuar të një populli me vetveten. 

Ata që e kanë kuptuar të keqen e një gjendjeje kanë më shumë përgjegjësi për ndryshimin e saj. Ata që kanë më shumë mundësi për ndryshimin e asaj gjendjeje kanë më shumë përgjegjësi për realizimin e atij ndryshimi. Të kuptuarit dhe mundësia përkthehen në përgjegjësi.

Qytetarët e emancipuar duhet t’i emancipojnë të tjerët. Pa harruar që nuk mund t’i mësosh njerëzit pa mësuar edhe prej tyre. Paraprakisht dhe njëkohësisht. Njeriu është  i mirë dhe, ashtu siç na mëson Rousseau, atëherë kur njeriu nuk është  i mirë, janë faktorët e jashtëm që e kanë detyruar atë të bëhet i keq. Koha nuk punon për pushtetin në Kosovë. Prandaj nuk ka shumë kohë. Prandaj duhet të  ketë shumë punë.

Bashkë me qytetarët mund të bëhet më së miri identifikimi i problemeve. Dhe, pastaj, bashkë me qytetarët mund të gjenden zgjidhjet më të mira të atyre problemeve. Mbase disi ngjashëm sikurse te problemet matematikore ku vështirësia kryesore është deri sa të shtrohet ekuacioni.

Prishtinë, 23 nëntor 2010

Albin Kurti