‘Zgjohu!’: U mposht ‘Falsikopedia’
Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” shpreh mirënjohje për të gjitha mediat, shoqërinë civile, të gjitha partitë politike shqiptare në vend dhe në rajon, komunitetit ndërkombëtar si dhe atyre bashkëqytetarëve maqedonas që kontribuan njëzëri në mposhtjen e Falsikopedisë.
Në pritje të Kuvendit të ASHAM, Lëvizja ZGJOHU! bën të ditur se asgjë më pak se largimi i plotë i kolegjit redaktues, me në krye fajtorin kryesor, Bllazhe Ristovski, nuk do të jetë e pranueshme për popullin shqiptar. Kolegji redaktues duhet të ndëshkohet për përkeqësimin e situatës në Maqedoni dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike. Tendenca për të cenuar karakterin multietnik të shtetit nga ana e akademikëve nuk guxon të kalojë pa u dënuar për të evituar aventura të tilla të rrezikshme në të ardhmen.
Shqiptarët dhe të gjithë dashamirët e këtij shteti e fituan këtë sfidë me dinjitet dhe faqebardhë dhe jo duke u bërë pre e provokimeve të ulëta. Shqiptarët dhe përkrahësit e shoqërisë multietnike e pranuan sfidën me qytetërim për të ndjerë kënaqësinë e plotë të fitorës sepse e drejta mbetet në anën tonë. Çdo veprim ndryshe do të dëmtonte betejën tonë legjitime dhe do të ushqente kundërshtarët e karakterit të pamohueshëm multietnik të këtij shteti.
Që nga pavarësimi i këtij vendi, shqiptarët vazhdojnë të janë elementi më konstruktiv i shoqërisë duke dëbuar çdo tendencë për ta dëmtuar frymën multikulturore dhe multietnike të shtetit. ZGJOHU! ka mirëpritur masën kritike të disa intelektualëve të mirëfilltë maqedonas që dënuan përmbajtjen e Falsikopedisë dhe u rreshtuan në mbrojtje të së ardhmës së përbashkët të këtij vendi dhe mirëmbajtjes së marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.
Lëvizja ZGJOHU! gjithashtu shpreh mirënjohje për rolin konstruktiv të komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti të Ambasadave të SHBA dhe Britanisë së Madhe në Shkup dhe kontributin e tyre në tejkalimin e një ndër sfidave më të vështira të shoqërisë. ZGJOHU! shprehet e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat progresive në vend dhe në rajon për të kontribuar në ballafaqimin me sfidat e vështira të shoqërisë multietnike të këtij shteti, thuhet në fund të kumtesës për media të lëshuar nga kjo lëvizje qytetare nga Shkupi.