Zgjidhje e përkohshme për frustracionin afatgjatë
Nëse politikanët kryesisht e përcaktojnë rendin e një shoqërie, nëse dijetarët i lartësojnë dhe i afirmojnë vlerat morale dhe ato njerëzore, atëherë është e pritshme që skamnorët dhe hallexhinjtë të jenë ata që më së shumti i besojnë politikës edhe atë, të bindur se janë mbrojtës të moralit dhe njerëzores, e duke mos e vërejtur se nuk kanë kushte për ta bërë këtë. Dhe sa më e varfër është një shoqëri, aq më shumë rritet fanatizmi partiak, dhe sa më i paktë është numri i atyre që mbrojnë vlerat dhe moralin njerëzorë, aq më të fortë e më të papërgjegjshëm bëhen politikanët. Kështu që, në shoqëritë ku forca partiake është proporcionale me mjerimin e popullit, nuk janë aq të rrezikshëm politikanët e papërgjegjshëm, por ata që u besojnë atyre. Dhe në shoqëritë e tilla rrënohen institucionet, në ato shoqëri institucionet shërbejnë për t’i mbuluar të metat shoqërore si dhe individët e pamoralshëm e të papërgjegjshëm, e jo për t’i mbrojtur standardet dhe vlerat e një shoqërie.
Shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë kryesisht e dominojnë gjeneratat e reja, pra vrulli dhe energjia që ka nevojë të realizohet tani dhe sa me shpejtë. Pra, atë e përbëjnë dhe asaj ia japin shenjën njohëse të rinjtë e papunë e të pashpresë, të cilët duke mos pasur rrugëdalje tjetër, në të shpeshtën e rasteve, energjinë dhe mençurin e vet ua ofrojnë partive të këtushme, me shpresë se aktiviteti partiak do u mundësojë të jetojnë të lumtur dhe ashtu siç kanë ëndërruar e siç u është premtuar. Duke e ditur se rinia është ajo forcë që lartëson dhe rrënon një rend shoqërorë, duke e ditur sa është e madhe përqindja e shqiptarëve të papunë, duke e ditur sa e etur është ajo rini për atë që i ishte e ndaluar deri dje – shkollimin e lartë në gjuhën amtare, për ta heshtur pakënaqësinë e saj, asaj rinie Maqedonia i ofroi diçka tërheqëse, e që në shikim të pare duket zgjidhje shumë e mire, por e shikuar në thellësi dhe në periudhë më afatgjate, ajo mund të sjellë telashe të reja: marrjen e diplomave të shkollimit të lartë pa kriter e pa standarde, thuajse vetëm nëse e plotëson një kusht – nëse ke durim të përcjellësh ligjëratat gjatë tre viteve dhe jo rrallë herë edhe varësisht nga ajo sa je aktiv në radhët e partisë shqiptare në pushtet. Gjë që kohëve të fundit u ofrohet edhe moshave më madhore edhe atë nëpërmjet programeve të ngutshme dhe të reduktuara mësimore. Pra, edhe atyre të cilët, duke i njohur aftësitë dhe afinitetet e veta, janë përcaktuar për profesione që nuk kanë nevojë për diplomat e arsimimit të lartë.
Të merremi veshtë: arsimimi është boshti kurrizorë i një populli dhe nëse dikujt i nevojitet arsimim superior masovik dhe sa më i ngutshëm, ata janë shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu duhet të jetë e qartë se më e vlefshmja që e realizuan shqiptarët e këtushëm gjatë dy dekadave të fundit, është themelimin dhe legalizimi i universiteteve në gjuhën shqipe në Maqedoni. Vlerë e cila tani mbindërtohet me shpërndarje e fakulteteve të këtyre universiteteve nëpër të gjitha mjediset ku jetojnë shqiptarë. Por, gjithashtu duhet të merremi veshtë e të themi hapur, se kur sfera e arsimimit bëhet pjesë e lojërave politike, se atëherë kur fakultetet bëhen qendra ku grumbullohen të papunët e jo ata që duan të shkollohen, nga kjo dukuri ka vetëm një të mirë: në vend se nëpër çajtore, të papunët e rinj i harxhojnë vitet më të vlefshme të jetës nëpër mësonjëtoret e fakulteteve, me çka frustrimin e sotëm e grumbullojnë ne vetvete për ta shfryrë pas ndonjë viti. Aq më shumë, kjo dukuri ka edhe një të keqe të padukshme, por që një ditë mund të zhvlerësojë shumëçka: të devalvojë arsimimi superior, të krijojë situatën që populli të ketë shumë të arsimuar, e pakë të ditur.
Pra, partitë pushtetmbajtëse në Maqedoni, duke u frikësuar nga numri i madh i të rinjve të papunë, atyre u ofruan një mundësinë alternative si t’i harxhojnë vitet dhe i drejtuan nëpër fakultete që u bënë aq të shpeshtë sa edhe vetëshërbimet, e ku ngandonjëherë vlejnë edhe të njëjtat rregulla: diploma që mund ta marrsh varet nga thellësia e xhepit, e jo nga kapaciteti i trurit. Ku ta dish, mbase edhe nuk duhet pritur asgjë më shumë nga një shtet si Maqedonia ku nuk prodhohet thuajse asgjë, shtet që u formua pas shpërbërjes së federatës Jugosllave, edhe atë duke mos e ditur se ç’është shteti. Pra, ndoshta nuk duhet pritur asgjë më shumë nga një Maqedoni që e jeton fazën shtetërore kur gjithçka i është përkushtuar fshehjes së realitetit të zymtë, që jeton fazën kur çdo gjë është në funksion që politikanët ta kenë sa më mirë përderisa u janë përkushtuar përfitimeve personale materiale.
Por, sa i përket rinisë së papunë shqiptare në Maqedoni, ka diçka që atë e dëshmon si më të vetëdijshme e më të pjekur se politikanët që e përfaqësojnë këtë popull. Pra, ka diçka që rinia shqiptare mbase e dinë se në një shoqëri ku asgjë nuk prodhohet, të kota janë të gjitha diplomat, se në një shtet ku të gjithë të shkolluarit mbajnë kokën të kthyer nga administrata shtetërore, kurrë nuk mund të bëhesh profesionist që ke ëndërruar, se shkollimi i paplanifikuar dhe i pa mbështetur mbi nevojat reale të një shoqërie, se arsimimi stihik, vetëm e heshtë frustracionin rinorë të sotëm, që ai të shprehet edhe më i fortë në të ardhmen. Duke qenë e tillë, rinia shqiptare me të drejtë mundohet të jetë më aktive, por duke bërë një gabim që shqiptarët e këtushëm e përsërisin vite me radhë: sa herë që dëshpërohen nga një elitë partiake, ata kërkojnë formimin e ndonjë partie të re me në krye udhëheqës të pa harxhuar. E në të vërtetë, shqiptarëve të Maqedonisë nuk u mungojnë parti, ata nuk kanë nevojë për subjekte të reja politike, por atyre u mungojnë institucione, ku profesionistë të mirëfilltë dhe të pandikuar nga partitë politike, do hartojnë plane dhe projekte konkrete për të ardhmen e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Pra, rinia e sotme shqiptare, në vend që të kërkojë atë që ka të bëjë me fatin e saj – si për shembull pastrimin e institucioneve arsimore nga njerëzit që prodhojnë të paditur – ata vazhdojnë të vetëgënjehen se çdo gjë u varet nga partia e munguar politike dhe nga liderët e rinj që do vepronin ndryshe nga këta të sotmit. Me çka, bien në kurthin e atyre që kanë kultivuar vetëdijen se aktiviteti politik është gjithçka, se politika është e vetmja që të mundëson të bësh diçka për vetveten e për të tjerët, se çdo gjë duhet lënë në duart e politikanëve. Dhe duke menduar kështu, shqiptarët e Maqedonisë ua lanë në duar politikanëve arsimimin, kulturën, religjionet…., që më në fund çdo gjë të përfundojë me institucione që shërbejnë edhe për ta mbuluar vetveten edhe disa nga ata që shkelën mbi njerëz për të ardhur në pozitat ku janë, e të cilëve, po ua hoqe mbështetjen partiake, nga ata mbetet vetëm një njeri që beson se pozita dhe diploma e përcaktojnë diturin, e jo dituria pozitën dhe diplomën, nga ata mbetet një mjeran që beson se moralin dhe njerëzoren e përcakton pozita në të cilën ndodhesh, e jo e kundërta.